• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Robert Schumann, romantiku shpirttrazuar i muzikës

August 1, 2024 by s p

Albert Vataj/

“E gjithë jeta ime ka qenë një rrëmujë e vërtetë, në fillim mes poezisë dhe prozës, ndërsa tani mes muzikës dhe drejtësisë”, kësisoj i shkruan së ëmës, Robert Schumann, e cila nga ana e saj, në ngasjen për muzikën, ngulmoi më fort që i biri të ishte një muzikant, ndryshe nga dëshirimet e ngulmëta të të atit, August Schumann, i cili ishte një shkrimtar i dëgjuar dhe gëzonte një emër të vlerësuar si përkthyes, i cili gjithashtu zotëronte një bibliotekë të pasur. Nëpër këtë shteg mëdyshjesh dhe hutimi, rrëmuje dhe vërshimesh, u ngjiz Robert Schumann, kompozitori romantik gjerman, ndër më të njohurit e shekullit të XIX, i cili u lind më 8 qershor të 1810 duke i blatuar muzikës në veçanti dhe artit në përgjithësi shpirtin e tij të duhishëm.

“Brezat e ardhshëm do ta quajnë shekullin e XIX-të “periudhë të Schumann -it”. Kështu mendonte Pjotër Çaikovskij, njëri nga adhuruesit më të flaktë të romantikut të shquar gjerman, Robert Schumann.

Nistorja e një gjeniu

Në fëmijëri Robert Schumann ëndërroi një karierë si pianist virtuoz dhe për këtë filloi studimet për piano me Friedrich Wieck. Por një dëmtim në dorë, i shuan mizorisht shpresat e Robert Schumann, pianist. Së këndejmi ai hedh vështrimin drejt kompozimit, duke u lidhur përgjithmonë me muzika, duke dëshmuar kështu afrinë e tij me ëmën dhë ëndrrën e saj për rrugëtimin e të birit në Odisenë e muzikës.

Kur ai ishte vetëm 7 vjeç, hodhi për spariherë kumtin në pentagram, duke shënjuar hapin fillimor në rrugën e gjatë të amshimit. Vitet dhe mosha në të rendur do të rrëmbenin krejt këtë shpirt ëndjesh për muzikën, për t’u dhënë i gjithi këtij arti magjik, këtij atributi hyjnor të njeriut. Admirimi për Bethoven, Shubert, Mendehlson e ngulën më thellë gjurmën e Schumann në rrugëtimin drejt famës. Në fillimet e veta Schumann bënte vetëm kompozime për piano dhe te e vona filloi të realizonte kompozime për orkestra, kore, etj.

Galerina muzikore dhe kompozicionale

Opusi krijues i këtij kompozitori është i begatshëm dhe i përbërë nga veprat për piano, këngë solo, simfoni, koncerte deri tek ato të mëdha skenike opera. Një ndër format e reja e shfaqur në epokën e romantizmit janë miniaturat pianistike në të cilat ky kompozitor shpreh natyrën e tij romantike, fantazinë e tij personale. Këto vepra Robert Schumann i ka të përmbledhura në cikle e të mbështetura në program, të njohura janë: “Karnavali”, “Fluturat”, “Skena fëmijësh” dhe “Albumi për rininë”. Vepra tjera pianistike të njohura janë “Pjesët fantastike” dhe “ Etydet simfonike” dhe temë me variacione “Krajsleriana”. Ai gjithashtu kompozoi kuartete për piano, fantazi për klarinetë e piano, trio për piano, sonata për piano e violinë etj. Kompozitori paraqet zhvillimin e tyre duke përdorur kontrastet më të thjeshta e deri tek momentet dramatike. Robert Schumann gjithashtu njihet si një ndër kompozitorët e këngëve solo. Ka kompozuar rreth 130 këngë solo dhe janë të njohura ciklet “ Dashuria dhe jeta e gruas” dhe “ Dashuria e poetit”. Ka kompozuar 4 simfoni ( B dur, C dur, Es dur dhe d mol) të cilat përmbajnë tiparet tipike të Romantizmit dhe më e njohura është simfonia e 3-të e tij në Es- dur (Simfonia e Rajnës). Vepra të tjera të njohura të këtij kompozitori janë edhe ato Vokalo-instrumentale “Manfred” dhe “ Tablo nga Fausti”. Muzika e këtij kompozitori paraqet rëndësi të madhe edhe për popullin gjerman, por edhe për mbarë Evropën.

Dashuri si tjetër yshtje

Robert Schumann ka patur një marrëdhënie pasiononte me bashkëshorten, e cila nuk ishte vetëm një kuratore e epsheve por dhe një ortake e zellshme, një “ëmë” e dëshirimeve të tij për muzikën. Në vitin 1840, pas shumë diskutimesh me profesorin e tij të parë të pianos, Friedrich Wieck, Robert Schumann u martua me vajzën e tij Clara Wieck, e cila ishte gjithashtu e pasionuar pas kompozimit dhe muzikës. Ajo pati një karrierë shumë të suksesshme, ndërsa interpretoi dendur pjesë të kompozuara nga bashkëshorti i saj. I dashuruar pas Clarës ai gjente dhe frymëzimin për të shkruar mjaft kompozime, të cilat ia dedikonte asaj. Dhe për këtë ka një shpjegim, pasi deri në vitin 1840, Robert Schumann ka shkruar vetëm pjesë për piano, por vetëm në atë vit ai arriti të realizonte plot 168 kompozime, jo vetëm për piano, por dhe për orkestra e kore.

Lëkundjet psikoke dhe tentativa për vetëvrasje

Lëkundjet e psikike, degëzim i cili mbase ushqehej nga rrënjët e një fëmijërie të rrëmujshme dhe mëdyshëse, morën frerët e jetës së kompozitorit të madh. Megjithë aktivitetet koncertale, Schumann mbetet personi më i paintegruar. Shenjat e depresioneve dhe të manive te Robert Schumann tani u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Ai rrinte gjithë natën zgjuar dhe ankohej se në kokë i buçisnin pjesë të tëra orkestrale. Megjithatë, në katër vjetët e tij në Dyseldorf ai mundi të shkruante një të tretën e gjithë veprës së tij: midis të tjerash, Koncertin sot të famshëm në botë për Violonçel, Koncertin për Violinë, Meshën op.47 dhe “Rekuiem”-in.

Robert Schumann gjate punes

Një ndërkohe, Johannes Brahms viziton Robert Schumann në Dyseldorf. Roberti entuziazmohet nga pianisti dhe kompozitori i ri dhe i shtron atij rrugën për karrierën muzikore. Një rreze drite, kësisoj u orvat t’i kthente ekuilibrin psikik këtij, por pa mundur ta paqtojë këtë shpirt të trazuar.

Robert Schumann kalon gjithnjë e më tepër në një gjendje problemesh mendore. Më 27 shkurt 1854, në një moment kur nuk e pa njeri, doli nga shtëpia për t’i bindur një demoni që e tundonte së brendshmi. Është e Hëna e Karnavaleve, kur të gjithë Rajoni i Rinit feston, askujt nuk i bie në sy burri, i cili ecën drejt Rinit, ngjitet mbi kangjella dhe hidhet në lumë. Kjo tentativë i shkon huq kompozitorit, i cili megjithatë i dorëzohet vdekjes dy vite më vonë, ndërsa trajtohej në një spital në Bon. Ky ishte Robert Schumann, romantiku shpirttrazuar.

Filed Under: Kulture

Dilema e Sokratit

August 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Ditët e Sokratit po i afroheshin fundit; anija fatale ishte parë të afrohen siç informohet nga miku i tij i moshuar Crito, i cili e vizitoi filozofin ende pa gdhirë; Sokrati vetë ishte paralajmëruar në ëndërr se në ditën e tretë duhej të largohej. Koha ishte e çmuar dhe Crito erdhi herët për të marrë pëlqimin e tij për një plan arratisjeje. Kjo mund të arrihej lehtësisht nga miqtë e tij, të cilët nuk do të kishin asnjë rrezik në përpjekjen për ta shpëtuar, por do të turpëroheshin përgjithmonë nëse e lejonin të vdiste. Sokratit i duhej të mendonte për detyrën ndaj familjes dhe fëmijëve të tij. Paratë ishin siguruar nga Crito, si dhe nga e të tjerë, dhe ai nuk do ta kishte të vështirë të gjente miq në Thesali dhe vende të tjera. Sokrati kishte frikë se Krito shtyhej vetëm nga mendimet e shumë njerëzve; ndërsa gjatë gjithë jetës kishte ndjekur vetëm diktatet e arsyes dhe mendimin e të vetmit të mençur, Sokratit.

Të gjitha konsideratat e humbjes së reputacionit ose dëmtimit të fëmijëve të tij duhet të hidheshin poshtë: pyetja e vetme ishte nëse ai do të kishte të drejtë për t’u arratisur.

Para se të dënohej, ata kishin mbajtur shpesh diskutime, në të cilat ishin dakord që asnjë njeri të mos bënte keq, ose të tradhtonte të drejtën. A duheshin ndryshuar këto parime sepse rrethanat e Sokratit kishin ndryshuar? Crito pranoi se ato mbeten të njëjta. Atëherë a ishte arratisja e Sokratit në përputhje me mirëqenien e tij apo të tyre? Kësaj Crito nuk ishte në gjendje ose nuk dëshirote t’i përgjigjej. Sokrati vazhdoi: – Supozoni se autoritetet e Athinës do të vinin dhe ta pyesin, ‘Pse kërkon t’i përmbysësh ligjet?’ dhe nëse ai përgjigjej, ‘Ju i keni shkelur ligjet dhe për këtë do të jepni llogari.’ A nuk u soll në botë dhe u edukua nga ndihma e tyre? Sokrati mund ta kishte lënë Athinën dhe të kishte shkuar ku të donte, por ai kishte jetuar atje për shtatëdhjetë vjet, më shumë se çdo qytetar tjetër. Edhe gjatë procesit mund të kishte propozuar internimin si dënim, por ai më pas deklaroi se preferonte vdekjen sesa internimin. Dhe ku do t’i drejtonte hapat e tij? në çdo shtet të rregulluar mirë, ku ligjet do ta konsideronin si armik. Ndoshta në një vend të keq-qeverisur, si Thesalia, Sokrati mund të mirëpritej në fillim dhe rrëfimi i pahijshëm i arratisjes së tij do të konsiderohej nga banorët si një përrallë zbavitëse. Por nëse i ofendonte, do të duhet të jepte një lloj tjetër mësimi. A do të vazhdonte të mbante leksione për virtytin? Kjo vështirë se do të ishte gjë e mirë. Dhe si do të fitonin fëmijët e tij nëse ai i merr në Thesali dhe ua hiqte shtetësimin athinaseve? Apo nëse i linte pas, a priste që miqtë e tij të kujdeseshin për ta? Ai tani mund të largohej në paqe dhe pafajësi, si një vuajtës dhe jo një bërës i së keqes. Por nëse thyente marrëveshjet dhe ia kthente të keqen me të keqe, ata do të zemëroheshin me të derisa të ishte gjallë. Ligjet e botës do ta quanin armik.

“Sokrati nuk ishte një qytetar i mirë”, kjo ishte një akuzë e ngritur kundër tij, e cila është përsëritur shpesh në epokat e mëvonshme. Krimet e Alcibiades, Critias dhe Charmides, të cilët kishin qenë nxënës të tij, ishin ende të fundit në kujtesën e demokracisë tashmë të rivendosur në Athinë. Fakti që ai kishte qenë asnjanës në luftën kundër vdekjes nuk kishte gjasa të pajtonte vullnetin e mirë popullor.

Platoni, duke shkruar ndoshta në brezin e ardhshëm, merr përsipër mbrojtjen e mikut dhe mësuesit të tij në këtë rast, jo për athinasit e kohës së tij, por për pasardhësit dhe botën në përgjithësi.

Nuk dihet nëse një incident i tillë ka ndodhur me të vërtetë, si vizita e Kritonit dhe propozimi i arratisjes; Platoni lehtë mund të kishte shpikur shumë më tepër se kaq; në përzgjedhjen e Critos, mikut të moshuar, si personi më i përshtatshëm për t’i bërë propozimin e arratisjes Sokratit – këtu duket se njohim dorën e artistit. Nëse dikush që është nënshtruar nga ligjet e vendit të tij ndaj një gjykimi të padrejtë ka të drejtë për t’u arratisur, kjo është një tezë për të cilën disa dijetarë më vonë nuk pajtoheshin. Shelley ishte i mendimit se Sokrati ‘bëri mirë që vdiq’, por jo për arsyet ‘sofistike’ siç thotë Platoni. Dhe nuk do të kishte asnjë vështirësi për të argumentuar se Sokrati duhej të kishte jetuar dhe të kishte preferuar një vdekje të lavdishme a pleqërie. “Një retorikë do të kishte pasur shumë për të thënë në lidhje me këtë pikë.” Megjithatë, mund të vërehet se Platoni kurrë nuk kishte për qëllim t’i përgjigjej pyetjes së rastësisë, por vetëm të shfaqte idealin e virtytit të durimit që refuzon të bëjë të keqen më të vogël për të shmangur më të madhen dhe për të treguar se Sokrati vdiq (vet-helmua) për mendimet dhe parimet që kishte deklaruar në jetën e tij. Jo ‘bota’, por ‘i vetmi njeri i mençur’, është ende paradoksi i Sokratit në orët e tij të fundit. Ai dukej se udhëhiqej nga arsyeja, megjithëse përfundimet e saj ishin fatale, siç u provua. Ndjenja e jashtëzakonshme se të ligjtë nuk mund të bëjnë as të mirën as të keqen, është e vërtetë, nëse merret në kuptimin, se e keqja morale, sipas Sokratit, “nuk mund ta bëjnë një njeri as të urtë dhe as injorant.”

Ky dialog i vogël është një pjesë e përsosur e dialektikës, në të cilën thënia e “parimit të përbashkët” nuk mund të shpëtojë nga përfundimi. Kjo parashikohet nga ëndrra e Sokratit dhe parodia e Homerit. Personifikimi i Ligjeve është një nga figurat më fisnike dhe më të guximshme të fjalës që ndodhin te Platoni.

Filed Under: ESSE

Përse idhujt tanë kthehen në përbindësha?

August 1, 2024 by s p

Artan Nati/

“Vend i palumtur ai që ka nevojë për heronj.” Ky citim i dramaturgut gjerman Bertolt Brecht nxjerr në pah problemet e një shoqërie që kërkon vazhdimisht heronj. Ai sugjeron që një shoqëri e varur nga heronjtë mund të mos ketë aftësinë e saj për të trajtuar problemet dhe sfidat e veta në mënyrë efektive. Në shumë kultura dhe gjatë historisë, heronjtë kanë zënë një vend të veçantë në imagjinatën kolektive. Heronjtë shpesh adhurohen për cilësitë, guximin dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme. Ata shihen si shpëtimtarë, individë, si të vetmit që mund të shpëtojnë një shoqëri nga problemet e saj. Megjithatë, citati i Brehtit na fton të marrim parasysh pasojat e këtij adhurimi të heronjve. Kur një shoqëri kërkon vazhdimisht heronj për të zgjidhur problemet e saj, ajo mund të neglizhojë rëndësinë e veprimit kolektiv, bashkëpunimit dhe ndryshimit sistemik. Mund të krijojë një kulturë pasiviteti ku njerëzit presin që dikush tjetër t’u vijë në shpëtim në vend që të marrin përgjegjësinë për jetën e tyre dhe mirëqenien e komunitetit të tyre. Kjo mbështetje e tepruar te heronjtë mund të çojë gjithashtu në zhgënjim kur këta individë në mënyrë të pashmangshme nuk i përmbushin pritshmëritë mbinjerëzore të vendosura mbi ta. A nuk duket se shoqëria jonë është vazhdimisht në kërkim të heronjve dhe është pikërisht kjo kulturë e këta heronj burimi i fatkeqsive tona? Dhe kur themi shoqëria, që në vetvete është një grumbull individësh, duhet të themi ju si individ çfarë përgjegjësie mbani? Duket qartë se politika dhe qeveria po ju mashtron. Qeveria po ju vjedh dhe po qesh me shpresat dhe përpjekjet tuaja.

Nëse mendoni se kjo politikë dhe ky regjim i trishtuar po ndihmon demokracinë, ekonominë ose “po bën atë që mundet për të ndihmuar”, atëherë po gënjeni veten dhe po dëmtoni të gjithë dhe po jetoni një ëndërr brenda një ëndrre. Ju po dëmtoni edhe veten tuaj pa e kuptuar fare sepse je shumë kokëfortë për të parë atë që po ndodh, ose i pavendosur të pranosh (përdor mendimin tënd kritik dhe mos ndalo të jesh skeptik për gjithçka) se kjo që po ndodh e ka ndodhur ka qenë jashtëzakonisht e çmendur.

Ne u kemi bërë liderëve tanë një shërbim të keq duke i bërë heronj të gjallë, dhe si të tillë i konsiderojmë ata të pagabueshëm. Kushdo që dëshiron të bëjë shaka se kryetarët e partive të mëdha nuk kontrollojnë këtë katraurë elektorale bizantine dhe këtë varfëri ekstreme ju lutem ndalojeni të flasë për pak dhe bëjeni të mendojë para se të flasë. Ju po gënjeni veten sepse, në një farë kuptimi, ata po na mashtrojnë çdo ditë. Natyrisht, ata nuk kanë ndonjë çelës magjik, por politikat dhe vendimet dhe marrëveshjet e ndyra mes tyre, bëjnë që ne të jetojmë këtë mizerabilitet politik dhe ekonomik.

Ata i lejojnë këta oligarkë dhe “udhëheqës” politik dhe qeveritarë të pangopur të vjedhin dhe të përfitojnë nga ata që nuk janë “aq me fat” për sa i përket parave dhe rrjedhimisht, lirisë.

Vini re se sa prej këtyre politikanëve kanë aksione në këto kompani të oligarkëve, në mos ata janë vetë oligarkët e vërtetë. Për të mos përmendur faktin se janë pikërisht këta politikanë që kanë krijuar dhe mbështetur ligjet në shkatërrimin dhe marrjen e plotë të avantazheve të sistemit…

Vini re se sa publik dhe i hapur është presioni që ata po i bëjnë SPAK dhe si po përpiqen ta minojnë atë nëpërmjet manipulimit politik me listat e mbyllura. Gjithashtu ndryshimi i ministrave në qeveri pa asnjë shpjegim dhe me arrogancë nga Rama, tregon se heronjtë tanë janë shndërruar në anti heronj.

Ata po ju mashtrojnë herë pas here, siç kanë bërë me dekada gjatë këtyre 34 viteve kryetarokraci ose siç ata dhe shumë të verbuarëve u pëlqen ta quajnë demokraci. Ata kanë mundësi të pakufizuara të fusin e të nxjerrin nga burgu kë të duan, por ju keni të drejtë vetëm të bindeni. Ata marrin shtëpira dhe toka në përmasa “të pakufizuara”, por ju jo. Ata bëjnë jetë përrallore duke shkatërruar jetën e njerëzve të tjerë çdo ditë.

Ata kanë luajtur me ju për dekada me radhë. Është koha për të pastruar të çmendurit e politikës të pakuptimtë që nuk kanë bërë asnjë ndryshim për mirë gjatë 34 viteve të fundit. Ne kemi nevojë për gjak të ri kudo në politikë, administratë, gjyqësor e kudo në jetën e vendit. Këta dinosaurë të rrudhosur, narcistikë janë të sëmurë mendorë dhe bëjnë humor të të zi duke ju bërë ju të vuani.

Ata që ende i ndjekin verbërisht këto koka mishi të vjetëruara duhet të zgjohen dhe të shikojnë përreth jush. Hiqni dorë nga telefoni, kompjuteri dhe mediat sociale dhe shkoni të vizitoni disa nga këto qytete dhe qyteza që po shkatërrohen nga varfëria dhe korrupsioni. Takoni disa nga shpirtrat e gjorë që ata i kanë copëtuar falë lakmisë dhe egoizmit të tyre. Ideja ose zbatimi i ligjit se duhet të “taksoni të pasurit” është një shaka për ta dhe ata vetëm qeshin e tallen me ju.

Paraja është liria e tyre por edhe kurthi i tyre ironik. Fatkeqësisht, ata nuk mbahen përgjegjës për atë që është krijuar për të bërë të mundur që të manipulohet në favor të tyre; kështu që në fund, detyra bie mbi ne, Popullin. E vetmja mënyrë se si ata do të hiqen nga piedestali i tyre i gabuar është nëse ne të gjithë e bëjmë atë të ndodhë. Ata i përdorin parat e tyre nga korrupsioni si një mburojë shpëtimi nga krimet kundër popullit. Paratë tuaja të fituara me vështirësi janë udhëtimi i tyre i ardhshëm hipokrit në parajsë; ose për disa prej tyre pushime ekstravagante në ishuj egzotik të mbushur me pervers si vetë këto krijesa ordinere, që e vetmja meritë që kanë është vjedhja dhe mashtrimi .

Mos i lini të ecin kudo mbi ne dhe mes nesh. Ata ju duan të lodhur e të painformuar, në mënyrë që të vazhdojnë të korrin gjithçka nga mjerimi juaj. Ata duan që ju të jeni të varur prej tyre, kështu që atëherë do të jeni shërbëtori i tyre në vend të konfigurimit fillestar të synuar për liri, barazi e demokraci.

Qeveria kishte për qëllim t’i shërbente popullit, por nëse njerëzit nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u ngritur dhe për të thënë zërin e tyre të dëgjohet, atëherë ata do të vazhdojnë të heqin ato të drejta të dhëna nga sakrificat dhe lufta për përmbysjen e komunizmit dhe ndërtimin e demokracisë, për mijëra sakrificat e bëra. Gjaku dhe jeta e paraardhësve tanë do të ketë humbur kot nëse i lejojmë këta derra sadistë të vazhdojnë të shkatërrojnë këtë vend për shkak të dëshirave të tyre egoiste, pasi ne nuk jemi gjë tjetër veçse trupa për ta.

Nëse doni një demokraci të vërtetë, kjo është beteja e vërtetë dhe e domosdoshme. Bëjeni për veten tuaj, për të dashurit tuaj, miqtë, familjen dhe pasardhësit tuaj. Brezi i ardhshëm gjithmonë do të rritet në një botë të ndryshme nga brezi i mëparshëm, por nëse mund të bëjmë çmos për ta bërë atë më të mirë se më parë, atëherë ndoshta do të fillojmë të evoluojmë përsëri përtej kësaj gjendje patetike në të cilën kemi rënë.

Ndoshta është koha që t’i humanizojmë udhëheqësit tanë në mendjet tona. Mendoj se Brecht-i ka dashur të thotë me këtë deklaratë se njerëzit që dëshirojnë një hero janë të pafat, sepse nuk janë të vetëdijshëm se kudo ka heronj të vërtetë, thjesht duhet të dish t’i njohësh ata, sepse heroizmi i vërtetë qëndron në veprimet e vogla të shumë njerëzve që bëjnë ndryshimin çdo ditë, edhe pse ne nuk mund ta kuptojmë gjithmonë atë. Liderat apo heronjtë tanë ose duhet të vdesin (dorëhiqen) si heronj, ose do të kthehen në monstra dhe anti heronj.

Filed Under: Komente

KAFAZ KE QIELLIN! ELEGJIA E GËZIMEVE E POETIT…

August 1, 2024 by s p

Poema “Vaji i Bylbylit” në tryezën e Dom Ndre Mjedës.

Nga Visar Zhiti/

(1 gusht 1937 është data kur u shua poeti Dom Ndre Mjeda, filologjist nderkohë, përkthyes, mbi të gjitha dhe veprimtar i shquar i çështje kombëtare, rilindas i përhershëm. Me këtë rast po nxjerrim një shkrim të Visar Zhitit nga Vepra 10 e Dom Ndre Mjedës, të përgatitura nga mjedologu i shquar Prof. Mentor Quku. Vepra 10, postume, përmbledh shkrime për Mjedën si përmbyllje e një pune shumëvjeçare e me rëndësi për poetin e madh.)

Dy poema të një viti…

Është një mrekulli për letërsinë shqipe, për poemën, kur në shekullin e Rilindjes Kombëtare, pikërisht në vitin 1886, ndërkaq Shqipëria ishte copëz e perandorisë otomane, me kështjellat e rrënuara, me gjuhën amë të ndaluar dhe dalin dy poema të mëdha, dy kështjella krejt ndryshe si të padukshme, njëra: “Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit dhe tjetra: “Vaji i Bylbylit” e Dom Ndre Mjedës.

Nga tryeza e poetit Dom Ndre Mjeda marr poemën e tij “Vaji i Bylbylit”, për të cilën m’u kërkua të sjell një përsiatje timen, një mbresë rileximi. Bilbili, që poeti e nxori nga kafazi i krahërorit si një zemër që vuan, për t’iu gëzuar jetës, lirisë së saj, do të thosha me pasionin e një mësuesi, nga që dhe kam qenë, ndanë dërrasës së zezë… si një copëz nate e atdheut… dhe do të vazhdoja…

Në poemën e parë, “Bagëti e bujqësia” shpalosen toka, balta, flora e tyre, etj, kopetë e kafshëve, të nevojshme për mbijetesën, një peizazh madhështor i atdheut që duhej ribërë, ai entuziazëm krenar vargje-gjatë, kurse në poemën e dytë, “Vaji i Bylbylit” përshfaqen qiell dhe flatra, një zog i vogël në mes, bilbili këngëtar, plot dhimbje e gëzime trishtimesh dhe kumte hyjnore. A thua kemi bashkë dhe në atë vit pushtimi, të përzierë ekzistencialen me shpirtëroren? Një est-etikë, siç do ta ndante këtë fjalë një shkrimtar ballkanas, të identitetit kombëtar – tek e para, ndërsa tek e dyta – estetikën e njeriut shqiptar. Naim Frashëri e shkroi poemën e tij kur ishte 40 vjeç, në Orient, në qendër të perandorisë osmane, në Stambollin ku jetonte, por e botoi në Bukuresht, në Rumani, se ishte e pamundur ta nxirrte në “Shqipërizën e tij” analfabete, pa shkolla, ku as që bëhej fjalë për shtëpi botuese, ndërsa Dom Ndre Mjeda 20 vjeçar ishte student i filozofisë në Oksident, në Spanjë, në Valencia, në Manastirin Kartauzian “Porta Coeli”.

Të dyja poemat, pra, u shkruan jashtë Shqipërisë nga dy rilindas krejt të ndryshëm, e para si një ëndërr, që ngjan me një të shkuar të përmalluar, e dyta si një vegim, që do të ishte një e ardhme e shqetësuar, të dyja janë madhërsishëm shqip, e para në toskërishten puritane dhe tjetra në gegnishten e amël, një realitet i ri i bukur gjuhe,

Është trashëguar një akademi e tërë kritike letrare për to. Është detyrë e studimeve tona shkuarja më tej. Për Mjedën do të veçoja tani si një majë mjedologun e shquar, profesor Mentor Qoku, që i përkushtoi jetën e tij intelektuale Veprës së Mjedës. Ja, po del Libri i Dhjetë si një amanet nën kujdesin e së bijës me emër verior, Valbona.

Përsiatja ime për poemën “Vaji i Bylbylit”.

NDËRTIMI I POEMËS

Po shkrihet bora,

Dimni po shkon;

Bylbyl i vorfën,

Pse po gjimon?

Kështu nis… gati si fëminore dhe duket sikur nuk mbaron, jo vetëm prej rrjedhshmërisë aq të kthjellët si të një ujëvare, prej melosit të saj dhe kumteve, të cilat së bashku të gjitha vazhdojnë dhe brenda teje… por dhe nga shkaku i leximeve dhe rileximeve nga gjenerata në gjeneratë në kohë të ndryshme, nga nxënës dhe studentë në banka shkolle dhe auditore, nga poetë dhe kritikë letrarë e studiues, nga populli që lexon,

Maestro Mjeda është virtuoz në prozodi, me figuracion e larmi vargjesh, ai gdhënd me hijeshi siç gdhendet druri…“Vaji i Bylbylit”, poemë sintetike – do ta quaja, e veçantë në llojin e saj, një kuartet magjepsës, pra, me katër këngë, pjesë, dhe më pas studiues të ndryshëm, që merren me teknikat poetike, numërojnë dhe strofat, dyzet, katërdhjetë, jo, janë më shumë, 57 më dalin mua në botimin e tyre të hershëm, me nga 4 vargje, ndërsa në Këngën e Katërt vargu i fundit i secilës strofë është gjysmë vargu, kështu quhet, nga që ka gjysmën e rrokjeve të vargjeve më sipër. Kumbimi i gjysmë vargut ashtu është më i fuqishëm dhe gjysma që mungon, duket se është jehonë. Te Mjeda kështu. Metrika është e ndryshme nga njëra këngë në tjetrën, madje dhe brenda një kënge. Në Këngën e Parë, nga varg katër rrokësh kalohet në pesë, deri dhe në shtatë rrokësh, në Këngën e Dytë ka vargje nga gjashtë deri në dhjetë rrokësh, por zotëron tetërrokshi tradicional, ndërsa në Këngën e Tretë vargjet shkojnë nga shtatë deri në njëmbëdhjetë rrokje, mbizotërues është nëntë rrokshi aristoktatik. Në Kënga e Katërt, në finalen maestoze, ato që i quajtëm “gjysmëvargje” sipas teknicienëve, janë gjashtë rrokësh, ndërsa vargjet e plotë kanë nga dhjetë rrokje deri në katërmbëdhjetë, sundon njëmbëdhjetë rrokshi.

Po kështu dhe rimat. Në Këngën I rimon vargu 2 me vargun 4 të strofës, pra, skema ABCB dhe aliteracione, kurse në Këngën II skema është ABBC dhe vargu i fundit i çdo strofe rimon me vargun e fundit të strofës pasuese. Në Këngën III rima është e kryqëzuar: ABAB, në Këngën IV rima është e puthur AABB. Pra, një begati stilistikore dhe brenda një poeme.

Figuracioni letrar gjithashtu. Vërtet më kujtojnë gdhëndjet në dru, ngjashëm me reliefet që gjendet dhe në tryezën muzeale të Mjedës, ai konfiguracion i vaçatë, i zgjedhur dhe i qendrueshëm.

Studiuesit veçojnë inversionin. Unë do të thosha se ai është që në titull: vajtimi dhe bilbili, teksa bilbili zakonisht shihet si zog i gëzimit. Mjeda ndjek kontrastet, ai largohet nga tryeza e tij dhe vështron larg në natyrë dhe gjen në të paralele të botës së brendshme.

Edhe strofa e fundit e poemës duket se është dhe në një kontrast sa të brendshëm edhe të jashtëm me strofën e parë, ku dhe aty është, por shpirtëror, mes mbiemrit i vorfën, që ka pikëllim dhe heshtje dhe foljes shungëlluese gjimon, ndërsa strofa e fundit është po aq dhe vazhdimi përmbyllës, ku nga brenga funddimërore kemi një hov shtegtues, prapë mbi kontraste fushë dhe mal, magjepsjen dhe pranimin e thirrjes për gëzime:

Kúr t’shkojsh ndër fusha, kúr t’shkojsh ndër male,

Afër shpiës s’ëme hovin t’änd ndale;

Mahnit’, at zänin tand tui prigiue

Kam për t’u gëzue.

ÇFARË ËSHTË BILBILI I MJEDËS?

SIMBOL, ALEGORI APO…

Është shkruar shumë për poemën “Vaji i Bylbylit”, për bukurinë e saj deri në përkryerje, copëzimet moderne dhe thellësitë e mendimit filozofik, për misterin e saj, ndërkaq poema është gjakim i hapësirave, arritje e asaj ndjesie siperane, që nis nga kafazi për në lartësitë qiellore, një flatrim sa elegant, po aq dhe i çlirët, duke mbartur trishtime dhe dëshpërim madhor, shpresë dhe thirrje për gëzim, nga e përditshmja deri te hyjnorja.

Poema do të lexohej dhe rilexohej me kritika dhe interpretime nga më të larmishmet.

Në kohën e parë të tij, që në gjallje, u çmua nga bashkëkohësit. Mjedologu, Profesor Mentor Quku, na jep një informacion, kur në vitet ’30 të shekullit të kaluar vlerësohej nga emrat letrarë si Reporter e Cirka, ndërsa në vitin 1942 Kolë Ashta, profesor dhe imi më pas, do të shkruante: “Mjeda na njofton një trajtë të re arti e cila ngacmon menden e kritikut, qi të vijësojë në rrathë të madhsuem përfytyrimet e shprehuna”.

Përkthyesi i shquar i Dantes, Pashko Gjeçi, në revistën “Kritika”, në vitin 1944, “Vajin e Bylbylit” e sheh si lidhje këngësh të ndryshme që kane vajin të perbashket.

Shkrimtari themeltar Ernset Koliqi do të shkruante për Mjedën:

“Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe… dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. …për naltësim të shqipes e të Shqipnís”.

Mendoj se do të ishte një nga udhërrëfimet më të mira, ndër të parat, për të shkuar te Mjeda.

Por do të vinte koha e dytë, ajo e gjëmës më të madhe të Bilbilit, do ta quaja, kur fitimtarët e pas Luftës II Botërore në atdhe do të vendosnin një diktaturë të egër, do të sundonte gjatë Realizmi Socialist, metoda letrare që do të bënte ideologjizimin dhe politizimin tendencioz të letërsisë dhe e vënien e saj në shërbim të regjimit mes nje entuziazmi shterp dhe grotesk.

Mjeda s’do të ishte më, por Vepra e tij – po.

Ai nuk u mohua siç ndodhi me kolegun e tij 5 vjet më të ri, At’ Gjergj Fishta, “Homerin e fundit në Ballkan”, që jo vetëm i ndaluan veprën, po edhe eshtrat ia nxorën nga varri dhe ia hodhën në lumin Drin. Madje dhe në një foto ku janë bashkë, Dom Ndre Mjeda, At’ Gjergj Fishta në mes dhe patrioti poet Luigj Gurakuqi, në tekstet e letërsisë At’ Gergj Fishta nxihej që të mos dukej më.

Vepra e Mjedës do të cungohej në përmbajtje dhe në kuptimësime, në vlerë dhe në besim, pjesë me rëndësi do të liheshin mënjanë, do të përdoreshin të tjerat duke i mëshuar vetëm patriotizmit, duke nxjerrë kumtet që u duheshin dhe duke harruar më të rëndësishmet, poezinë në vetvete, bukurinë dhe emocionin e saj, estetikën e besimit siperan.

Mbase keqinterpretimi është po aq i dëmshëm për poetin sa dhe ndalimi.

Gjithsesi Mjeda nderohej.

Të shohim disa këndvështrime për poemën “Vaji i Bylbylit”. Janë thënë për të se në Këngën e Parë na jepet gjendja e Shqipërisë mbas Kongresit të Berlinit, që u mbajt në vitin 1877 dhe Lidhjes së Prizrenit një vit më pas, ndërsa poema është shkruar gati një dekadë më vonë se këto dy ngjarje historike dhe poemës i janë mveshur dhe kuptime parashikuese, e drejtë e leximit dhe kjo.

Në Këngën e Dytë është thënë se Bilbili është Shqipëria në robëri dhe këtu poeti bëhet më i ashpër dhe se lumturia vjen me luftë, etj.

Në Këngët e Tretë Bilbili është dhe Shqipëria dhe poeti, i cili nga dhuna është larguar, ka marrë rrugën e mërgimit…

Në Këngë e Katërt ai, poeti është i ngarkuar me meditime filozofike, se pas dimrit vjen pranvera dhe nga e përgjithshmja shkohet te veçanta, etj, etj.

Pra, “Biblili” ëshë figurë polisemike, përveç se symbol i autorit, merr dhe kuptime të tjera. Dhe nxirren mesazhe të tilla në vijim si liria është ndjenjë, që do të fitohet pavarësisht çdo pengese, etj, etj.

Kritika e “Vajit të Bylbylit” do të kishte dhe emra shkrimtarësh si Sandër Gera a Dashnor Kokonozi e të studiuesve të njohur të Realizmit Socialist si Razi Brahimi apo në Kosovë të akademik Rexhep Qoses e Profesor Milazim Krasniqit, teksa, sipas mendimit qortues të Profesor Mentor Qukut, më ndryshe do ta shihte poemën Rinush Idrizi, që, po sipas tij, ka ndikuar te akademik Sabri Hamiti, që e sheh poemën si “krijim personal”, të mallit dhe të dhëmbjes vetanake, të vetmisë, dëshpërimit, vajtimit, të një revolte dhe rebelimi…

Ndërkaq kemi arritur në kohën e tretë, në të cilën jemi, kur nuk do të ketë më Realizëm Socialist, por rikthim te vlerat e harruara dhe të humbura apo të shtrembëruara, pra dhe tek Dom Ndre Mjeda dhe te koha e tij e parë, do të kemi kështu një vështim më të hapur edhe më të lirë, një vizion postmodern, që nuk e ka shmangur dot tradicionalizmin ideologjizues, edhe pse të ri e të vrazhdë.

Thënë çiltazi, kam përshtypjen se Mjeda është lexuar përgjithësisht më mirë në Kosovë.

Gjithsesi ka vepra siç është dhe poema jonë “Vaji i Bylbylit” që të japin mundësi për vështrime dhe interpretime të ndryshme në kohë të ndryshme dhe në lexime të reja, madje lënë dhe mundësi dëshirimesh, ndërkaq mbetet në to diçka e patjetërsueshme, thelbësore në magjinë e tyre, që po mungoi, mungon e duhura dhe domethëniet e tepërta që mund t’i japen, bëhen edhe më të tepërta, tëhuazuese e shpesh efektkundër e përçudnuese…

Ndërkaq Profesor Mentor Quku e përcakton shkëlqyer: “Ai (Mjeda, shën. imi) nuk don të duket, atij i mjafton të jetë.” Siç është dhe vetë poezia…

“Vaji i Bylbylit”, sipas meje, mbart një trini, ku edhe pse janë veçmas: Poeti, Bilbili dhe Elegjia, shihen qartazi të shkrira në një, së pari Bilbili me Vajin e vet, dhe mbeten të hijezuar dy të tjerët: ai që shkruan me muzën ose bardi dhe shpirti i tij ose njeriu krijues me krijimin, vetja me vetvetja.

Shoh që në perspektivën vezullim-errët është vetëm Poeti. Poema i ngjan një monologu të brendshëm, të metaforizuar në një bilbil, alter ego e poetit, poeti vetë, që sipas romantizmit modern do të shpalosë credo-n poetike: të shkuarit nga dhëmbja në dhëmbje:

Gjama jote a porsi ankimi

I nji fëmijës që vetun mbet;

Gjama jote a si shungllimi

I nji t’zezës që gja s’ pret.

Porsi dnesë me futë në krye

Nana e shkretë që mbet pa djelm;

Njashtu tine rri tuj shfrye

Njat idhnim që t’u ba helm.

Humbje dhe vdekje. Jetimëri si e fëmijës mbetur vetëm, por dhe e prindit – ende më rëndë. Gjendja e përzishmja zotëron si një natë pa agim. përballë teje dhe e nderkallur brenda teje. T’zinjtë njerëz!

Vetmia e poetit si vetmia e të burgosurit?

Si t’burguemit n’ishull t’detit,

Ku tallazi i thekshëm vrret,

O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,

Vaji zemrën ia pëlset;

Parandjenja këto? Mjeda i mëpastajmë do të arrestohej dy herë nga të huajt pushtues dhe invazorë. Ai do të provonte prangat ashtu si në shpirt, edhe në duar. Por është dhe zgjedhja e tij kjo, që duke e humbur lirinë, të shkosh drejt saj.

Vajtimi kështu nisi para se të ndodhte. Shkretimi do të tallazitej përreth ngjashëm me shkulmet e detit dhe ç’po pëlcet ashtu: zemra apo bilbili?

Njashtu ti rri tuj vajtue

N’njat kafaz që shungullon;

Fisin tand rri tuj mendue

T’zinë atdhe që s’e harron.

Edhe atdheu i zi! Këtu përmblidhen shekuj historie plot vështirësi, natë robërie. Dhe vetmi poeti. E vonë, por ç’mrekulli, ajo erdhi. Vetmia e poetit është e mbushur me këtë botë. Këtu fillon liria, së brendshmi së pari. Në formën magjepse të së bukurës.

Dhe poezia shqipe kështu rinisi.

Naim Frashëri do të shkruante: Do të këndonj bukurinë/ E të lëvdonj Perëndinë, /Perëndin’ e bukurisë/ Q’i dha shije gjithësisë!

Mahnitëse! Po flitet për shijen e botës, ja, ashtu siç flitet sot për pjatat në një tryezë.

Ndërsa Mjeda tronditshëm kishte sjellë ofshamën bodleriane, të poetëve të mallkuar, kaq marrmendshëm:

Vetë bukuria…/ Kenka për ju nji kob.

Kaq brengë europianë në poezinë shqipe, kaq bukuri të zymtë dhe ku, në vendin që e kishte humbur Europën. Dhe po kthehej sërish përmes dhëmbjes së madhe, edhe pse pa Shekspir, gjithsesi shekspiriane, me poezinë:

Me ditë hyjt me bisedue,

Me pasë sy që me derdhë lot,

Vajin tand ju kishin prue

T’kishin kja për jet’e mot.

Mjeda bëri që dhimbja jonë të arrinte Qiejt. Dhe prej andej të vinte një tjetër thirrje, që po Mjeda e di. Dhe sipas tij, bota që pëson ndryshime, me rrotullimin e saj metaforik kërkon të na çojë hyjnisht te gëzimi i njeriut,

“Vaji i Bylbylit” është një elegji për gëzimin që vonon, gjithsesi është për gëzimin, që edhe nëse ende nuk ishte kuptuar, pra, pa përgjigjen e shqiptarëve, Poeti prandaj u shfaq…

Edhe dhimbja nxjerr gëzim, kur edhe gëzimi ka kaq shumë dhimbje, pra, jemi në një udhëtim ndjellës nga terret e brendshme në dritën jashtë nesh, që na hyn përbrenda, sepse është veta jeta dhe ne jemi vetë ajo. Gëzimi është thirrje e Hyut.

Dom Ndre Mjeda është klerik jezuit, meshtar kombëtar, biblik si krijuesit e mëdhenj. Kjo nuk mund të shmanget, kur flasim për Mjedën, është dhe pjesë qenësore në formimin e tij, në kulturën dhe në krijimin. Do të ishin me interes hulumtimet në këtë drejtim, unë thjeshtë sa e përmenda. Në ikonën e Mjedës argjendon brerorja e poetit.

BIBLA DHE POEMA

“Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit shenjtë që banon në ju, që e keni prej prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes. Sepse jemi blerë me çmim të lartë, prandaj jepini lavdi hyjit në trupin tuaj”, lexojmë në Beslidhjen e Re.

Veprat e Apostujve, Letra e Parë Korintasve 6; 19-20.

Një përvuajtje të tillë deri në lumturi gjejmë te poeti. Ai nuk do t’i përkasë më vetes, me shpirtin që gufohet në muzën e shndërruar tani në zog, bilbil, që këndon. Kafazi apo tempulli janë njënjëshëm trupëzime, kënga do hapësira, prandaj:

Kafaz ke qiellin…

pafundësinë e bukur e plot mister, ndërsa:

Epshin pengim…

I ndjej si vargje ndër më të bukurit në të gjithë poezinë shqipe, të të gjitha kohërave, një antitezë shpërthyese: kafaz/qiell, kapërcimi më i lartë, hov qiellor me pengesë njerëzoren si një kundërvënie tjetër tokësore apo thjeshtë brenda nesh. Ç’epsh është ky, ç’pathos? Prag që duhet kapërcyer.

E thamë, poeti do që ta çojë poezinë e tij, ku është dhimbja e jetës, por ai e di, kjo nuk mjafton dhe as misoni nuk është i mjaftë, se:

Ankimi e vaji nuk asht i zoti

Përgjithmonë zemrën me na coptue;

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi…

Mjeda beson dhe frymëzohet dhe frymëzon. “Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen” – ushton “Predikimi në mal”, në Ungjillin sipas Mateut, 5:4. Krishti është për gëzimin e jetës, kryqin e ngritën të tjerët.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:

Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;

Edhe natyra po don m’u ndrrue:

Fillo me gëzue.

“Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit” – thuhet te “Punëtorët në vreshtë”, në Ungjillin sipas Mateut, 20: 16.

Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;

Fillo me gëzue.

Urdhër? Punë, punë, nat e ditë, / Që të shohim pakëz dritë… Atë dritën e qiririt naimjan, që e zgavron natën dhe shpik shtegun mjedjan: Fillo me gëzue. Porosi biblike. Një fillim i të tanishmes pa mbarim…

EPILOG

TRYEZA E MJEDËS

Është dhe tryeza shekullore e poetit Dom Ndre Mjeda në shtëpinë, ku ai banoi, tashmë muze, pjesë e Kishës në Kukël.

Në atë tryezë ai shkruante, merrte penën aty, e linte pranë letrave dhe librave, hapte sirtarët, diçka kërkonte, që s’ishte aty, mbase n:e të ardhmen, mbështeste bërrylat, mendohej, shikonte kryqin në mur, shkruante prapë netëve, deri sa zbardhte, punonte veprën e vet, hidhte vështrimin tej dritares së hapur, patjetër që do të jetë futur dhe ndonjë zog dhe i ka kujtuar sërish poemën “Vaji i Bylbylit”, duhej ta rishkruante, teksa përgatiste “Juveniljan” e tij, që t’ia linte letërsisë shqipe.

E gjitha në atë tryezë… që, kur erdhën në pushtet fitimtarët, ata të pas Luftës II Botërore, të diktaturës që shembën tempujt e dogjën Biblën e librat e fesë e jo vetëm ato, e morën dhe tryezën e Mjedës për zyrën e kryetarit të këshillit popullor të Kuklit, kishte qenë partizan ai, etj, etj.

Një nxënës i Mjedës, tashmë mësues në fshat dhe ai, poeti Sandër Gera, e njohu tryezën e mësuesit të tij, u shqetësua, ndërhyri që ta ndërronte, duke u dhënjë një tjetër, mori tryezën e Mjedës në dhomën e tij për ta ruajtur dhe në vitin 1959, kur nisën përçarjet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, e çoi në Muzeun e Shkodrës.

Aty filloi harrimi i saj dhe i shumëçkaje të vyer. Ai shkujdes ishte dhe qendrim ndaj veprës që u shkrua mbi atë, siç duket dhe objektet, sendet japin dhe marrin nga jetët e njerëzve të tyre, nga fati i përbashkët.

Tryeza e Mjedës ishte e shekullit XIX, kam lexuar, e kulturës perendimore, e punuar me dorë në dru bredhi dhe rimeso arre, pyll i Veriut, ajo aromë, me gdhendje, me motive floreale, në ballë të cekta dhe të këmbët, i ngjan një dreri, të rënë më gjunjë para Poetit, mbi shpinën e të cilit ai do të shkruante.

E braktisur në magazinat e shtetit, filluan dëmtimet e saj, deformime dhe çarje, pluhur, sulm insektesh, biologji myku, lagështi dhe kalbje… ngjashëm me kritikën e socrealizmit.

Ty t’paska ndry mizori,

do të vajtonte Bylbyli i Mjedës mbi tyezë, por:

…bylbyl, ndrron moti…

do të dëgjohej jehona e vargut mjedjan… U shemb Muri i Berlinit, ra perandoria komuniste, po ringriheshin muret e kishave në Shqipëri, u ribënë tempujt…

Dom Nikë Ukgjini, meshtar si Mjeda në Kukël, një ditë prej ditësh do të vinte në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, me një kërkesë, ngulmues në të, me mirësinë e meshtarit si Mjeda, pasionant si ai, por dhe i zemëruar, kërkoi ministrin dhe i tregoi se ku po vdiste Tryeza e Poetit, jo, mjaft, duhej restauruar patjetër dhe duhej sjellë aty ku ka qenë, në Kukël, në dhomën muze të Mjedës. Ndryshe nuk ka 100 vjetor të Pavarësisë së atdheut…

Kishte ende Tryezë të Mjedës? Befas m’u kujtua Vaji I Bylbylit…

Dhashë porosinë të zbatohej menjëherë urdhëri, që ajo Tryezë, pikërisht ajo, të nxirrej nga magazinat e Muzeut të Shkodrës dhe të dërgohej në Institututin e Monumenteve në Tiranë… për ringjallje.

Dhe ashtu u bë.

Përsëri takohesha me Profesor Mentor Qukun, ai po sillte si dhuratë në Ministri nga kolana e Veprës Monumentale të Mjedës, përgatitës dhe hartues i së cilës ishte, nderkaq kujdesej dhe për mbarëvjatjen e punimeve me Tryezën. S’ishte fjala thjeshtë për të, por për metaforën e mbiTryezës së Poetit.

Vepra e tij më mirë se në çdo tryezë rri në Historinë e Letërsisë Shqipe, në librarira, te lexuesi. Mjeda, poeti panteonik, ka dishepuj. Poezia qiellore e Lasgush Poradecit është një lartësi tjetër, majë e çelur plot dritë dhe mister. Vargu i fundit i këngës së fundit të poemës “Vaji i Bylbylit” – simfoni bethovenian e gëzimeve, le të jetë dhe si një korale e atdheut:

kam për t’u gzue.

Filed Under: LETERSI

Libri “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” si testament historik i mërgatës politike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

August 1, 2024 by s p

Sokol Paja/

Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të kombit, komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në tërësi. Mërgata politike antikomuniste shqiptare në Amerikë ka pasur një rol specifik në ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, luftën ndaj regjimit komunist në Shqipëri, ndërgjegjësimin e shqiptarëve të mërguar e institucioneve amerikane mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe luftën e jashtëzakonshme për shëmbjen e diktaturës e demokratizimin e Shqipërisë. Organizimi politik i mërgatës paraqet ndër format më klasike të veprimtarisë së shqiptarëve të mërguar nacionalistë të cilët sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë e lirë e demokratike. Veprimtaria politike dhe mediatike e shqiptarëve të Amerikës qëndron në piedestalin e vlerave më të larta atdhetare, komunitare e kombëtare. Studiuesi Idriz Lamaj veprimtar prej afro 6 dekadash në komunitetin shqiptar në Amerikë është dëshmitar i gjallë i ngjarjeve e personazheve që përshkruan saktësisht në librin e tij duke na dhuruar një trashëgimi të artë të përpjekjeve të nacionalistëve më të shquar të mendimit e veprimit intelektual shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Libri i studiuesit dhe gazetarit Idriz Lamaj “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” shërben sot si një testament historik i mërgatës politike shqiptare të Amerikës duke qenë një burim i dorës së parë për studiuesit dhe institucionet arsimore, katedrat e institutet e historisë e albanologjisë. I botuar në New York në vitin 2000, libri prej 112 faqesh, kushtuar prindërve të z.Idriz Lamaj, Borës dhe Shpendit, paraqet në detaje veprimtarinë nacionaliste e antikomuniste të “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” në vitet 1949-1956. Një kontribut fenomenal i studiuesit Idriz Lamaj që hedh dritë mbi një periudhë të historisë së emigracionit politik në Amerikë të pa studiuar e thelluar siç duhet e sa duhet. Temat që trajtohen në libër përfshijnë: Shqipëria para themelimit të K.K.SH.L, Komiteti “Evropa e Lirë”, themelimi i Komitetit të Parë Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, mjetet e informimit të K.K.SH.L, gazeta “Shqipëria”, radio “Zëri i Shqipërisë së Lirë”, Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë (K.K.SH.L) fillon fushatën e ashpër kundër regjimit komunist në Shqipëri, rusifikimi i kulturës kombëtare dhe shtetit shqiptar, Moska para Tiranës refuzon ndihmat e presidentit Eisenhower për Shqipërinë, K.K.SH.L. i përgjigjet me fakte propagandës së regjimit komunist të Shqipërisë, riorganizimi i K.K.SH.L, bisedë me kapidanin e Mirditës z.Ndue Gjomarkaj rreth K.K.SH.L, themelimi i Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara (ACEN-i), K.K.SH.L. dhe “bashkimi i të arratisurve politik të Shqipërisë” në Jugosllavi, organizimi politik i emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi, K.K.SH.L. dhe Federata “Vatra” – qëndrimi i gazetës “Dielli” ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë dhe qeverisë amerikane në vitet 1945-1955, pikëpamjet e Xhafer Devës ndaj K.K.SH.L. dhe organizatave politike shqiptare në mërgim, shënime biografike kushtuar: Mitat Frashëri, Hasan Dosti, Ndue Gjomarkaj, Rexhep Krasniqi, “Dosja e Tradhëtisë” dhe shkaqet e mbylljes të K.K.SH.L. Të gjitha këto çështje trajtohen në mënyrë analitike dhe përshkruese prej mendimit e penës së shkëlqyer të kronikanit Idriz Lamaj.

Në hyrje autori z.Lamaj shprehet se mbështetja kryesore në burimet e gazetës “Shqipëria” është bërë për me i tërheq vemendjen studiuesve, nëse merret me këtë çështje, se gazeta në fjalë është burimi më i mirë, pa të cilin nuk mund të shkruhet objektivisht mbi këtë subjekt; me i dhënë lexuesit artikuj origjinal të asaj kohe, dhe me i lënë atij të gjykojë vetë, si janë ndjekur zhvillimet në Shqipëri nga Komiteti dhe nga qeveria amerikane, më i rikujtuar të dytë, studiuesit dhe lexuesit, se në agjendën e qeverisë amerikane, çështja shqiptare ka qenë gjithnjë aktive dhe në të mirën e kauzës shqiptare.

Librin “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” studiuesi z.Lamaj e cilëson si një nderim i tij i veçantë, për tre kryetarët e Komitetit “Shqipëria e Lirë”: për Mitat Frashërin, Hasan Dostin dhe Rexhep Krasniqin, të cilët në mënyrën më dinjitoze sipas Lamajt ngritën në botën e lirë zërin e heshtur të popullit shqiptarë nën regjimin komunist, thelluan interesimin e sinqert të popullit dhe shtetit amerikan për çështjen shqiptare dhe vdiqën më bindje të plotë se një ditë do të realizohej Shqipëria etnike demokratike.

Veprimtaria e organizatave politike në mërgatën shqiptare të Amerikës përgjatë katër dekadave jo vetëm që formëson e skicon mendimin politik, nacionalist e antikomunist shqiptar por në vetvete pasqyron një “shkollë” politike shqiptare në Amerikë. Memorizimi i ngjarjeve historike, profili politik i intelektualëve e udhëheqësve të komunitetit shqiptar të kohës, organizimi patriotik, veprimtaria komunitare, tubimet atdhetare, demonstratat antiqeveritare vijnë mjeshtërisht të analizuara prej studiuesit Idriz Lamaj i cili meriton respekt e nderim, mirënjohje e vlerësim për gjithçka i ka dhënë shqiptarëve të Amerikës në 60 vite veprimtari politike, atdhetare, komunitare e publicistike.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT