• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

Nobelistja Shqiptare e Paqes – Nëna Tereze (1979)

September 11, 2024 by s p

Don Lush Gjergji/

45 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe

Një këtë përvjetor të madh dhe të rëndësishëm një vend i spikatur dhe i pamohueshëm i takon edhe familjes Bojaxhiu, sidomos Kolë Bojaxhiut, i cili përpos bamirësit, ndërtimtarit, tregtarit, ishte edhe patriot i dalluar në disa fushëveprime: në ndërtimin e Teatrit të Shkupit, në projektimin dhe financimin e hekurudhës Shkup-Kosovë, në përkrahjen e shkollës shqipe pranë famullisë së Zemrës së Krishtit në Shkup, në bashkëpunimin e ngushtë me Imzot Lazër Mjedën dhe me atdhetarët e shquar dhe të dalluar për liri dhe pavarësi, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sabri Qyrtezi e shumë të tjerë.

Kujtimi i marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të Nobelistes Shiptare – Nënës Tereze, saktësisht para 45 0 viteve, më 10 dhjetor 1979, pra, është një ditë e madhe dhe e bekuar për të gjithë Shqiptarët, sepse Bija-Motra dhe Nëna Tereze është e para shqiptare Nobeliste e Paqes.

Kjo befasoi botën atëherë, sepse shumë njerëz pyetshin: çka ka bërë Nëna Tereze për paqe në botë?
Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulur, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër. Ajo veçmas ishte në mbrojtje të jetës së fëmijëve të pa lindur, si dhe të atyre që tashmë ishin në buzë të vdekjes.
Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënës Tereze për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo:
· “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.
· “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.
· “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Dhe vazhdoi kështu: “Në botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urrejtje, mjerim dhe mu për këtë duhet të fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim… Dashuria lind në familje, sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka… Kur marrë në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Ky lloj varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në mes të këtyre nejrëzve… Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë vuajtje të njerëzve… Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tejtrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë…”. [i]

Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë, e cila ishte flijuar dhe dhuruar për të mirën e të gjithëve pa asnjë dallim apo përjashtim kombëtar, racor, gjinor, kastor apo fetar.

Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishë dhe për Shkollim, ndër të tjera dëshmoi: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe t’i jipet bamirëses së njerëzimit… mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nëna Tereze është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë…”.[ii]

Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aeroportin e Oslos, gjatë përcjelles së Nënës Tereze për kthim në Kalkutë, ndër të tjera theksoi:” Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë Dhuratë: ne apo Nëna Tereze? Ne i falënedrojmë asaj, që e ka pranuar këtë Shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë… Qysh tani lypset menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas Shpërblimit të Nënës Tereze do të jetë mjaft vështirë ta gjejmë një personalitet të dimensioneve të ngjashme si Nëna Tereze…Më mirë dhe më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë ta fitonte këtë Dhuratë” (këtë e tha duke qeshur, ndoshta si mahi, vr. ime).[iii]

Nëna Tereze e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfërit ndër më të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.

Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufinjve të kohës dhe të hapësirës, të nacionit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave…

“Recepti” i Nënës Tereze është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, i mundshëm dhe përshtatshëm për çdo njer: “Punë të vogla me dashuri të madhe”. Dhe në mbarim më lejon “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëjë edhe juve pjesëmarrës të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori 1979. Isha në përcjellje të Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin tonë (1918-1996).
Dolëm për ta pritur Nënën Tereze në aeroportin e Oslos. Me Nënën Tereze ishte edhe vëllau i saj, Lazër Bojaxhiu, dhe bija e tij, Age lind. Bojaxhiu-Guttadauro. Pra, një familje e vogël shqiptare.

Kur na pa dhe u përshëndetëm, me shumë befasi, na pyeti kështu: “A keni ardhur këtu vetëm për mua?”. Imzot Nikë Prela, në stilin e tij hokatar, i tha :”Jo, por kemi ardhur për t’i parë bukuritë natyrore rë Norvegjisë”. Nëna Tereze, e gëzuar, me sy të përlotur, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si t’kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të mira!”.[iv]
Ndër temat që i shtronim në biseda të gjata dhe të përmallshme edhe në orët e vona të natës, ishte doemos edhe çështja kudo në botën shqiptare, Kosova, mbi të gjitha Shqipëria.
Ja përgjigja e Nënës Tereze: “Unë nuk di çka të them, sepse nuk di çka ngjanë atje. Një gjë vetëm e dijë: UNË MUND TË THEM VETËM SE LUTËM SHUMË PËR SHQIPËRINË, QË ZOTI T’IU JEPË DRITË PËR TË PARË SE NËSE DËSHIROJNË TË JETOJNË NË PAQE, ATËHERË DO TA DOJNË NJËRI-TJETRIN…”[v]

Gjatë Konferencës për shtyp ajo ndër të tjera tha dhe e shkrojiti me dorën e saj në gjuhën shqie: “UNE GJITHMON E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR. SHUM LUTI ZOTIN QI PAGJA E TIJ TË VJEN NË ZEMRAT TONA, NË GJITHA FAMILJET TONA, NË GJITH BOTËN. LUTUNI SHUM PËR FUKARAT E MI – DHE PËR MUA DHE MOTRAT E MIJA.
UNE LUTEM PËR JUVE.
M. TEREZA BOJAXHIU”, OSLO; 10/12/79.”. [vi]

Në pyetjen time: “Çka domethënë së pari për Ju, për motrat Tuaja dhe për të varfërit Shpërblimi Nobel për Paqe?”

Nëna Tereze tha: “Për mua dhe motrat tona asgjë posaçe, asgjë s’do të ndryshojë në Shoqërinë tonë. Kjo Dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfëritë tanë… Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramje sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishmet për paqe…Pa dashuri nuk do të kemi kurrë paqe.”[vii]

Nëna Tereze pa dyshim është ajo që pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e bashkon shpirtërisht dhe kulturalisht kudo popullin Shqiptar, është Ambasadorja e historisë, traditës, kulturës, me shekuj edhe fesë tonë të përbashkët.

Për ne ka rëndësi të madhe jo vetëm nderimi, falënderimi, dashuria ndaj Nënës Tereze, por nëpërmjet jetës dhe frymëzimit të saj, zbatimi i dashurisë për njëri-tjetrin, apo si shprhej ajo bukur: “PËR ZOTIN DASHURI dhe PËR VËLLAU

Nëna Tereze thoshte: “JEPE PJESËN MË TË MIRË TË VETVETES“, e ajo është kujdesi, nderimi, falënderimi, frymëzimi, dashuria, zemra, që na bënë të lumtur së bashku me të tjerët dhe për të tjerët.
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja Shqiptare e Paqes – Nëna jonë Tereze.
Prishtinë, 11. 09. 2024
Radio Maria – Kosovë
[i] Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, Drita, Ferizaj, 1990, f. 201-205; Më gjerësisht lexo fjalimin e Nënës Tereze në Oslo, 10 dhjetor 1979, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, f. 196-205.
[ii] Po aty, f. 213.
[iii] Po aty, f. 213-214.
[iv]i Dr. Lush Gjergji, ve. e cit. f. 208.
[v] DRITA 12/1979, f. 8; Më gjerësisht lexo: DRITA, Po aty, f. 1-9.
[vi] Po aty, f. 9.
[vii] Dr. Lush Gjergji, ve. e cit. , f. 290.

Filed Under: ESSE

“Zëri i Amerikës” : Harris, Trump kritikojnë ashpër qëndrimet politike të njëri-tjetrit në debatin e tyre të parë

September 11, 2024 by s p

11 shtator, 2024

  • AP dhe Reuters

(COMBO) This combination of pictures created on September 10, 2024 shows
former US President and Republican presidential candidate Donald Trump (L) and US Vice President and Democratic presidential candidate Kamala Harris participating in a presidential
(COMBO) This combination of pictures created on September 10, 2024 shows former US President and Republican presidential candidate Donald Trump (L) and US Vice President and Democratic presidential candidate Kamala Harris participating in a presidential

Debati i parë mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump u shoqërua me polemika luftarake mbi ekonominë, emigracionin, abortin, kujdesin shëndetësor dhe politikën e jashtme.

Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, kritikoi synimin e zotit Trump për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja, një propozim që ajo tha se do të ishte një taksë për klasën e mesme, ndërsa foli mbi planin e saj për të ofruar përfitime tatimore për familjet amerikane dhe bizneset e vogla.

“Donald Trump na la nivelin më të ulët të punësimit që nga Depresioni i Madh (rënia e madhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara e viteve 1930)”, tha zonja Harris, duke iu referuar viteve të tij si president nga viti 2017 deri në vitin 2021. Niveli i papunësisë arriti kulmin në 14.8% në prill të vitit 2020 dhe ra në 6.4% kur ai u largua nga detyra.

Zoti Trump, 78 vjeç, kritikoi zonjën Harris për inflacionin e lartë gjatë mandatit të administratës së Presidentit Biden, megjithëse ai e mbivlerësoi nivelin e rritjes së çmimeve. Ai gjithashtu iu drejtua shpejt çështjes së tij kryesore, emigracionit, duke pretenduar përsëri pa prova se emigrantët nga “azilet e të çmendurve” po kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Inflacioni, tha ai, “ka qenë një katastrofë për njerëzit, për klasën e mesme dhe gjithë të tjerët.”

Debati filloi me një shtrëngim duarsh mes dy rivalëve, të cilët nuk ishin takuar më parë.

Politika e Jashtme

Kandidatët gjithashtu shkëmbyen kritika për luftën mes Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës dhe agresionin rus në Ukrainë, megjithëse asnjëri nuk ofroi plane specifike për zgjidhjen e këtyre konflikteve.

Demokratja Harris akuzoi republikanin Trump se ishte i gatshëm të të tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për të fituar favorin e Presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur zotin Trump një “turp”, ndërsa zoti Trump pretendoi se zonja Harris “urren” Izraelin, një pohim që ajo e hodhi poshtë.

Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris për tërheqjen e pa organizuar të trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se ata lanë duart e talebanëve pajisje ushtarake amerikane me vlerë prej miliarda dollarësh.

Sulmet personale

Zoti Trump, i cili ka kaluar javë të tëra duke bërë sulme personale ndaj zonjës Harris, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u bë gjithnjë e më i zëmëruar nga kritikat e zonjës Harris.

Zoti Trump u pyet nga moderatorët për një nga ato sulme, kur ai tha në një konferencë me gazetarë afrikano-amerikanë në korrik se zonja Harris së fundmi ishte “bërë një person me ngjyrë”.

“Nuk më intereson aspak kjo çështje”, tha ai. “Çfarëdo që ajo dëshiron të jetë është në rregull me mua.”

Zonja Harris, me origjinë zezake dhe aziatike u përgjigj: “Unë mendoj se është një tragjedi që ne kemi dikë që dëshiron të jetë president, i cili vazhdimisht gjatë karrierës së tij është përpjekur të përdorë racën për të përçarë popullin amerikan”.

Ajo kritikoi zotin Trump për shpalljen fajtor nga një juri për fshehjen e pagesave për një aktore e filmave pornografikë, si dhe paditë e tij të tjera dhe një gjyq civil për sulm seksual. Zoti Trump hodhi poshtë këto akuza dhe sërish akuzoi zonjën Harris dhe demokratët se kanë orkestruar të gjitha paditë ndaj tij pa prova.

Ish Presidenti Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden, ishin manipuluar dhe e quajti zonjën Harris një “marksiste” dhe pohoi në mënyrë të rreme se migrantët kanë shkaktuar një rritje të madhe të krimit të dhunshëm në vend.

Ky mund të jetë debati i vetëm mes tyre në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Debati mbahet tetë javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, por vetëm disa ditë përpara fillimit të votimit të hershëm në disa nga 50 shtetet e vendit.

LEXONI EDHE KËTË

Qëndrimet kontradiktore të kandidatëve Trump dhe Harris përpara debatit të tyre të parë

Debatet presidenciale nuk ndryshojnë domosdoshmërisht mendjet e votuesve, por ato mund të jenë shumë të rëndësishme. Paraqitja e dobët e zotit Biden në debatin me zotin Trump në qershor çoi në tërheqjen e tij nga gara për president më 21 korrik.

Debati, i organizuar nga kanali ABC, u mbajt në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia. Siç ishte rënë dakord nga drejtuesit e fushatave, nuk kishte audiencë të drejtpërdrejtë dhe mikrofonat e kandidatëve ishin të fikur në momentet kur kandidatët nuk e kishin radhën e tyre për të folur.

Filed Under: Ekonomi

Kush mund ta ndryshojë më shumë Botën? 11 Shtatori apo tërheqja skandaloze nga Afganistani 

September 11, 2024 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

Më 11 shtator 2001, bota dëshmoi një tragjedi të paprecedentë që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë. Sulmet e koordinuara terroriste në Shtetet e Bashkuara rezultuan në humbjen e afro 3000 jetëve dhe lanë një gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen globale.

Në atë mëngjes fatal, 19 terroristë rrëmbyen katër aeroplanë komercialë. Dy prej këtyre avionëve, American Airlines Flight 11 dhe United Airlines Flight 175, u fluturuan në Kullat Veriore dhe Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë në qytetin e Nju Jorkut. Ndikimi dhe zjarret e mëvonshme bënë që të dy kullat të shemben brenda disa orësh, duke çuar në shkatërrim masiv dhe humbje jetësh. 

Një aeroplan i tretë, American Airlines Flight 77, u përplas në Pentagon, selinë e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe viktima. Avioni i katërt, United Airlines Flight 93, ishte nisur drejt një objektivi tjetër në Uashington, D.C., por pasagjerët luftuan heroikisht, duke bërë që avioni të rrëzohej në një fushë në Pensilvani, duke shmangur shkatërrimin e mëtejshëm.

Më 11 Shtator 2001, gjatë sulmeve terroriste në Qytetin e Nju Jorkut, humbën jetën mijëra njerëz, përfshirë edhe tre shqiptaro-amerikanë: Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj, dhe Simon Dedvukaj

Këta individë ishin pjesë e komunitetit shqiptar në SHBA dhe kujtohen me respekt për jetët e tyre dhe kontributet që dhanë.

Pasojat e 11 shtatorit panë një derdhje pikëllimi, solidariteti dhe qëndrueshmërie. Reaguesit e parë, duke përfshirë zjarrfikësit, oficerët e policisë dhe personelin mjekësor, punuan pa u lodhur për të shpëtuar të mbijetuarit dhe për të rikuperuar eshtrat e atyre që humbën jetën. Trimëria dhe vetëmohimi i shfaqur nga këta individë u bë simbol i shpresës dhe forcës.

Në përgjigje të sulmeve, Shtetet e Bashkuara nisën Luftën kundër Terrorit, duke çuar në operacione ushtarake në Afganistan dhe Irak. Sulmet shkaktuan gjithashtu ndryshime të rëndësishme në politikat dhe praktikat e sigurisë kombëtare, duke përfshirë krijimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe zbatimin e masave më të rrepta të sigurisë së aeroportit.

Nderimi i Viktimave

Çdo vit, në përvjetorin e 11 shtatorit, mbahen shërbime përkujtimore në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën për të nderuar viktimat dhe familjet e tyre. Memoriali dhe Muzeu Kombëtar i 11 Shtatorit në qytetin e Nju Jorkut qëndron si një nderim prekës për ata që humbën jetën. Memoriali përmban dy pishina reflektuese të vendosura në gjurmët e Kullave Binjake, me emrat e viktimave të gdhendura rreth skajeve.

Trashëgimia e 11 shtatorit është një trashëgimi e qëndrueshmërisë dhe unitetit. Përballë një tragjedie të paimagjinueshme, njerëzit u mblodhën për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të rindërtuar. Ngjarjet e asaj dite shërbejnë si një kujtesë për forcën e shpirtit njerëzor dhe rëndësinë e të qëndruarit së bashku përballë fatkeqësive.

Ndërsa kujtojmë 11 shtatorin, ne nderojmë kujtimin e atyre që humbën dhe u bëjmë homazhe akteve të panumërta të heroizmit dhe dhembshurisë që dolën nga errësira. Është një ditë që nuk do të harrohet kurrë dhe ndikimi i saj do të vazhdojë të formësojë botën tonë për brezat që do të vijnë. Perceptimi i 11 shtatorit ka evoluar ndjeshëm gjatë viteve. Fillimisht, sulmet e bashkuan kombin në pikëllim dhe patriotizëm, duke çuar në mbështetje të gjerë për masat si Akti Patriot i SHBA-së dhe Lufta kundër Terrorit12. Megjithatë, me kalimin e kohës, pikëpamjet e publikut janë bërë më të nuancuara.

Ndryshimet kryesore në perceptim:

Nëse 11 Shtatori tregoi se edhe superfuqia e Botës është e cenueshme, ato që ndodhën më vonë në Iraq dhe Afganistan  deri tek tërheqja e rumpallë i dhanë të kuptojnë armiqve të Amerikës, Rusisë , Kinës Iranit Koresë,  se ajo është superfuqi në rënie dhe se kish ardhur koha e tyre për hegjemoni.

Siguria kundrejt privatësisë: Ekziston një debat i vazhdueshëm për ekuilibrin midis sigurisë kombëtare dhe privatësisë individuale. Masat e shtuara të mbikëqyrjes dhe sigurisë të zbatuara pas 11 shtatorit janë përballur me kritika për shkelje të mundshme të lirive civile. Angazhimet e zgjatura ushtarake në Afganistan dhe Irak kanë çuar në ndjenja të përziera. Ndërsa disa i shohin këto veprime si të nevojshme për sigurinë kombëtare, të tjerë i kritikojnë për kostot e tyre njerëzore dhe financiare.

Sulmet kanë pasur një ndikim të qëndrueshëm në kulturën dhe shoqërinë amerikane. Ka pasur një rritje të dukshme të diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes kundër myslimanëve amerikanë, gjë që ka ndezur diskutime rreth tolerancës dhe diversitetit. Sondazhet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve besojnë se 11 shtatori ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si jetojmë. Shumë prej tyre janë më të kujdesshëm në lidhje me fluturimin, pjesëmarrjen në ngjarje të mëdha ose udhëtimet jashtë shtetit3.

Në përgjithësi, ndërsa pasojat e menjëhershme të 11 shtatorit u shënuan nga unitet dhe një ndjenjë e fortë qëllimi, efektet afatgjata kanë çuar në perspektiva më komplekse dhe të ndryshme për trashëgiminë e tij.

Tërheqja e rrëmujshme nga Afganistani që trimëroi armiqtë e Amerikës 

Kur, trupat amerikane u tërhoqën nga Afganistani, një fund kaotik i luftës më të gjatë të Amerikës – dhe një pikë kthese në presidencën Biden, një moment kur vlerësimet e tij të pëlqimit ranë dhe nuk u rikuperuan kurrë plotësisht.  

Është një moment i kujtuar nga shumë amerikanë për imazhet e turmave të afganëve të dëshpëruar në aeroportin e Kabulit. Disa ndoqën një aeroplan të Forcave Ajrore të SHBA-së, disa madje u varën kur ai u ngrit – dhe në mënyrë tragjike ranë për vdekje. Një sulm vetëvrasës vrau 13 anëtarë të shërbimit amerikan.

Gjatë tërheqjes, vlerësimet e miratimit të Biden ranë – dhe sondazhet e tij kanë mbetur në territor negativ që atëherë. Por Sosnik thotë se tërheqja e gabuar nga Afganistani e dëmtoi vërtet Bidenin, sepse nënvizoi imazhin e presidentit.

“Nëse kthimi i kompetencës në qeveri është një nga tiparet dalluese të një kandidature, atëherë unë mendoj se optika e tërheqjes së Afganistanit shkon plotësisht kundër llojit të arsyetimit se pse duhet të kishit votuar për Biden,” tha ai. Gans krahason pasojat politike për Biden me atë që pa ish-presidenti John F. Kennedy, pas pushtimit të Gjirit të Derrave në Kubë. 

“Çdo president që atëherë ka pasur diçka që ka ndihmuar të shpojë vrullin, apelin, çfarëdo lloj kapjeje që ata kanë në imagjinatën amerikane,” tha Gans, i cili tani është një bashkëpunëtor në Universitetin e Pensilvanisë.

Rënia e Kabulit një dështim strategjik

Në shqyrtimin e marrjes së talebanëve, një mësim kyç nuk duhet gjetur në pohimet e parakohshme të dobësimit të rolit global të SHBA-së dhe rënies së përgjithshme, por në kufijtë e aftësisë së një aktori të jashtëm për të ndryshuar një vend nga jashtë pa mbështetjen e vendasve. Kabuli ra në një stuhi të përsosur shkaqesh të afërta dhe strukturore ndër-mundësuese, me një dozë të madhe faktorësh psikologjikë dhe efekte të paparashikuara të rendit të dytë dhe të tretë në plan të parë.

Me çdo masë, një llogaritje fillestare e kostove/përfitimeve sugjeron dështim strategjik. Megjithatë, është ende “i paprovuar”, përdorimi i një termi në ligjin skocez, nëse “Taliban 2.0” është një përsëritje më e moderuar e mishërimit të tij të parë. Shkalla në të cilën talebanët janë më të moderuar ose ekstremë do të formësojë shumë nëse jo do të përcaktojë sjelljen e mundshme strategjike të talebanëve. Është e paqartë nëse një qeveri talebane më ekstreme ideologjikisht e vendosur për të krijuar një “Emiratet islamike të Afganistanit” është më e aftë të imponojë vullnetin e saj mbi popullin afgan, por më pak e prirur për t’u adresuar dhe ndërvepruar me botën e jashtme. Përndryshe, një taleban më i moderuar mund të ketë më pak aftësi për të imponuar vullnetin e tij në Afganistan dhe disa fraksione mund të kërkojnë të avancojnë xhihadin global. Kushtet për popullin afgan janë më pak të rënda, por kërcënimet ndaj fqinjëve dhe Perëndimit janë më të mëdha. Ajo që është e sigurt është se sjellja strategjike e talebanëve në vazhdim do të ndikojë në debatet mbi natyrën e “dështimit strategjik”, llogaritjen e kostove/përfitimeve, qasjen e bazuar në kërcënim dhe tërheqjen strategjike, stabilizimin rajonal dhe qasjen e rivendosjes së SHBA-së.

IS-K emirati i ri islamik

Siç theksohet më poshtë, IS-K është më ekstrem se talebanët. E themeluar në vitin 2015, ajo përbëhet nga ish-komandantë të margjinalizuar talebanë dhe militantë ekstremistë nga Afganistani, Taxhikistani, Uzbekistani dhe Pakistani. IS-K merr përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse të Aeroportit të Kabulit të 26 gushtit, ku u vranë të paktën 90 persona, duke përfshirë 13 personel ushtarak amerikan. IS-K e etiketon këtë sulm si një “operacion martirizues” kundër “pushtuesve” të SHBA-së, “bashkëpunëtorëve” jobesnikë (afganët që ndihmuan Perëndimin) dhe “mohuesit” laketë (talebanët), duke e bërë të ligjshme vrasjen e talebanëve sipas interpretimit të tyre të ligjit islam. . Vrasja është projektuar për të njollosur reputacionin e talebanëve dhe për të dëmtuar përfitimet e tyre të fundit politike dhe territoriale duke theksuar brishtësinë e kontrollit dhe autoritetit të talebanëve. IS, i cili humbi Kalifatin e tij, është i vendosur përmes degës së tij IS-K për të siguruar që talebanët të mos fitojnë një Emirat Islamik.

Ashtu si me vlerësimin e bazuar në kërcënime, është shumë herët për të thënë nëse partnerët rajonalë do të ndihmojnë në mënyrë më efektive në stabilizimin e Afganistanit. Ajo që mund të pohohet me siguri është se Kina, Rusia, Irani, Pakistani dhe shtetet e Azisë Qendrore janë të vetëdijshme për rreziqet e destabilitetit të paraqitura nga “ngjitja” që paraqet ideologjia radikale e xhihadit, si dhe përhapja e refugjatëve dhe prodhimi dhe eksporti i opiumit. Secili nga fqinjët ka aksione të drejtpërdrejta në një Afganistan dhe kërcënimet e përbashkëta të përhapjes krijojnë një nxitje dhe imperativ bashkëpunues për të gjithë. Rusia i frikësohet përhapjes së trazirave në Kaukazin e Veriut, si dhe fuqisë demonstruese të një grupi të vogël, por të përkushtuar ideologjikisht, që merr pushtetin në shtetet me regjime të korruptuara, joefektive dhe jopopullore. Kjo ka implikime të qarta për Taxhikistanin dhe divizionin e 201-të të Rusisë. Irani e kupton që talibanët sunitë janë anti-shiitë, por se IS-K më shumë, dhe kështu talibanët e keqja më e vogël. 

Kina, Rusia, Irani dhe Pakistani

Ndërsa Kina pretendon se terrorizmi ka një bazë materiale (të pazhvilluar dhe pabarazi) dhe jo ideologjike, ka çdo arsye për të investuar në Afganistan dhe për të mbajtur “komunikim dhe konsultime efektive” me talebanët, veçanërisht duke pasur parasysh shtypjen e saj të pakicës myslimane ujgure në aktet e Xinjiang. si një magnet për radikalizimin. Për Pakistanin, deri në çfarë mase talebanët e fokusuar në ligjin e sheriatit në Afganistan i inkurajojnë talebanët në Pakistan për të rrëzuar elitën civile?

Pas njohjes de fakto të talebanëve nga Rusia dhe Kina më 20 gusht, njohja de jure ka të ngjarë të pasojë, me shpresën se ky legjitimitet i jashtëm do të konsolidojë përpjekjet e talebanëve për të vendosur ligjin, rendin dhe stabilitetin. Krijimi më 25 gusht i një këshilli prej 12 anëtarësh për të udhëhequr Afganistanin përfshin zëvendës-shefin politik të Talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, Mullah Mohammad Yaqub dhe anëtarin e lartë të Rrjetit Haqqani, Khalil Rahman Haqqani. Ambasadori i Rusisë në Kabul Dmitry Zhirnov deklaroi se nuk ka alternativë për talibanët..

A do të rivendosë SHBA politikën e saj të jashtme rreth interesit kryesor kombëtar dhe do të sjellë miqtë dhe aleatët e saj me vete? Në fund të fundit, mënyra se si do të strukturohet rivendosja e mundshme e SHBA-së do të varet nga mënyra sesi komuniteti strategjik i SHBA-së, aktualisht në fluks me rryma të kryqëzuara që vërshojnë nën sipërfaqe, e shikon marrëdhënien Rusi-Kinë, konkretisht: problemin e “njëkohësisë”, që është potencial. veprimet e të dyjave që kërcënojnë interesat jetike të SHBA-së; dhe “efekti i shpërqendrimit”, me imperativën e përparësisë së tij të dytë lëvizëse që nxit një emergjencë të frontit të dytë. 

Implikimet e tërheqjes nga Afganistani në fushatën elektorale 

Ish-presidenti Donald Trump e lidhi të hënën e kaluar nënpresidenten Kamala Harris me tërheqjen kaotike të Luftës së Afganistanit në përvjetorin e tretë të sulmit vetëvrasës që vrau 13 anëtarë të shërbimit amerikan, duke e quajtur sulmin një “poshtërim”. Trump, kandidati republikan presidencial, vendosi kurora me lule në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për nder të Sgt. Nicole Gee, Sgt. Darin Hoover dhe Stafi Sgt. Ryan Knauss, i cili u vra së bashku me më shumë se 100 afganë në sulmin vetëvrasës të 26 gushtit 2021 në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai. Më pas ai udhëtoi për në Michigan për të folur në konferencën e Shoqatës së Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Shkaktuar nga Kamala Harris, Joe Biden, poshtërimi në Afganistan shkaktoi rënien e besueshmërisë dhe respektit amerikan në të gjithë botën”, tha Trump para një auditori prej rreth 4,000 njerëzish, përfshirë anëtarët e Gardës Kombëtare dhe familjet e tyre në Detroit.

Harris e quan paraqitjen e Trump në Arlington një “marifet politik” që “mosrespektonte tokën e shenjtë”

Në fjalimin e tij para Gardës Kombëtare në Detroit, Trump tha se largimi nga Afganistani ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por se ekzekutimi ishte i dobët. “Ne do ta bënim atë me dinjitet dhe forcë,” tha ai. Ai e quajti sulmin “ditën më të turpshme në historinë e vendit tonë”.

Që kur Biden e përfundoi ofertën e tij për rizgjedhje, Trump ka qenë duke u ndalur në Harris, tani kandidati presidencial demokrat, dhe rolet e saj në vendimet e politikës së jashtme. Ai ka theksuar në mënyrë specifike deklaratat e zëvendëspresidentit se ajo ishte personi i fundit në dhomë përpara se Biden të merrte vendimin për Afganistanin.

“Votuesit do të shkarkojnë Kamala dhe Joe më 5 nëntor, ne shpresojmë, dhe kur të marr detyrën do të kërkojmë dorëheqjen e çdo zyrtari të vetëm”, tha Trump në Detroit. “Ne do të marrim dorëheqjet e çdo zyrtari të lartë që preku fatkeqësinë e Afganistanit, që të jenë në tryezën time në mesditë në Ditën e Inaugurimit. Ju e dini, ju duhet të pushoni njerëzit. Ju duhet të pushoni njerëzit kur ata bëjnë një punë të keqe.”

“Që ata të mendojnë se kjo është në rregull dhe ta trajtojnë atë si një faqe tjetër në një libër që sapo po e shfletojnë për kapitullin tjetër, kjo më trishton dhe më frikëson të gjithë në të njëjtën kohë,” tha Alicia Lopez, nëna e Trupave Detare. Kpl. Hunter Lopez, e cila shtoi se ka një djalë tjetër që shërben në ushtri. “Lutem që të mos trokas më në derën time për shkak të mungesës së përgjegjësive që kjo administratë ka për ushtrinë tonë.”

I pyetur të hënën pse Biden dhe Harris nuk po shënonin përvjetorin e sulmit në Abbey Gate siç bëri Trump në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby u tha gazetarëve se Trump ishte ftuar personalisht nga anëtarët e familjes dhe ai e quajti atë një mënyrë. për të nderuar të rënët.

Nën Trump, Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje paqeje me talebanët që synonte t’i jepte fund luftës më të gjatë të Amerikës dhe të kthente trupat amerikane në shtëpi. Biden më vonë vuri në dukje atë marrëveshje ndërsa kërkonte të shmangte fajin për pushtimin e Afganistanit nga talebanët, duke thënë se ajo e detyronte atë të tërhiqte trupat dhe të krijonte terrenin për kaosin që përfshiu vendin.

Dy gjeneralët kryesorë amerikanë që mbikëqyrën evakuimin thanë se administrata kishte planifikuar në mënyrë joadekuate për tërheqjen. Oficeri ushtarak i rangut më të lartë të vendit në atë kohë, i atëhershëm Kryetari i Shefave të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, u tha ligjvënësve në fillim të këtij viti se ai i kishte kërkuar Biden të mbante një forcë të mbetur prej 2500 forcash për të dhënë mbështetje. Në vend të kësaj, Biden vendosi të mbante një forcë shumë më të vogël prej 650 vetash që do të kufizohej në sigurimin e ambasadës së SHBA.

Trimërimi i armiqve 

Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani rrit gjerësinë e brezit të administratës Biden për menaxhimin e shkëmbimeve të politikave dhe me kalimin e kohës, mësimet e identifikuara mund të përmirësojnë funksionalitetin e aleancave ekzistuese transatlantike dhe Azi-Paqësorit. A do të shikojë Uashingtoni të “përmbys” Rusinë, anëtarin më të dobët të boshtit Rusi-Kinë, apo të nënvlerësojë më të dobëtin dhe të pranojë shtyrjen e rivalitetit me më të fortën (Kinën) ose përpjekjen për t’i bashkuar të dyja? Lufta e Ukrainës tregoi të kundërtën . 

Gjatë një viti e gjysmë të fundit, disa nga kritikët e Biden-it madje kanë argumentuar se tërheqja e SHBA-së nga Afganistani ndihmoi në frymëzimin e vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të nisur sulmin e tij në shkallë të plotë në vitin 2022 ndaj Ukrainës. Putini ndjeu qartë se kishte punë të papërfunduar me Ukrainën shumë përpara se Biden të merrte detyrën: aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014 me miratimin e Obamës nuk e kishte penguar Ukrainën të ndiqte lidhje më të thella me Perëndimin. Por në mars të vitit 2022, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, pretendoi se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani ishte ngjarja nxitëse që e inkurajoi Putinin të pushtonte Ukrainën, duke argumentuar se Rusia nuk do të kishte sulmuar fqinjin e saj nëse Biden nuk do të kishte “prerë dhe kandiduar”.

Angazhimi me një Afganistan të trazuar ka potencialin të përkeqësojë frikën latente të Rusisë nga nënshtrimi dhe të ekspozojë fërkimet dhe tensionet e qenësishme në sjelljen strategjike të aktorëve autoritarë transaksionalë, pavarësisht nga retorika nga Rusia që lavdëron “partneritetin strategjik” dhe Kina premtuese. Rezultatet e kësaj “fitore-fituese” shihen si pjesë e një fati të përbashkët njerëzor.

Raporti i Republikanëve në Senat konfirmon 

Republikanët e një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të dielën një raport që kritikon administratën e Presidentit Biden lidhur me tërheqjen kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani më 21 gusht, pas një lufte pothuajse 20-vjeçare. 

Raporti thotë se Presidenti Joe Biden dështoi të marrë masa për “zbutjen e pasojave të mundshme të vendimit” për t’u tërhequr, ndërsa nuk mori parasysh paralajmërimet se luftëtarët talebanë po merrnin kontrollin e qyteteve kryesore afgane më shpejt se sa mendonin zyrtarët amerikanë. 

Ditën e fundit të tërheqjes amerikane nga aeroporti i Kabulit, një terrorist i Shtetit Islamik ndërmori një sulm vetëvrasës me bombë ku humbën jetën 13 ushtarë amerikanë dhe rreth 170 civilë afganë. Shumë afganë që u kapën në pjesët e jashtme të avionëve amerikanë që ngriheshin në erë, u rrëzuan dhe vdiqën. 

Në shkurt të vitit 2020, Presidenti Donald Trump filloi një proces për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani duke nënshkruar një marrëveshje me talebanët. Presidenti Biden e respektoi marrëveshjen e arritur nga pararendësi i tij, ndërsa synonte t’i jepte fund luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara. 

Tërheqja fatale luajti gjithashtu rol në fatin politik të Presidentit Biden. Para këtij zhvillimi, sondazhet tregonin për një mbështetje të punës së Presidentit Biden gjatë shtatë muajve të parë në Shtëpinë e Bardhë. Por vlerësimi për punën e Presidentit Biden kaloi në një territor negativ pas tërheqjes kaotike dhe vdekjes së 13 ushtarëve amerikanë dhe që nga ajo kohë nuk u është afruar caqeve pozitive.

Raporti nga republikanët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme vjen pas një hetimi trevjeçar. Raporti e akuzon administratën e Presidentit Biden se nuk kishte plane adekuate apo krijuar kushte sigurie për të realizuar një tërheqje në mënyrë të sigurte.

Kryetari i komisionit, Michael McCaul, tha se administrata e Presidentit Biden “kishte të dhënat dhe mundësitë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të planifikuar rënien e pashmangshme të qeverisë afgane, në mënyrë që ne të mund të evakuonim në mënyrë të sigurte personelin amerikan, qytetarët amerikanë, mbajtësit e kartës jeshile dhe aleatët tanë të guximshëm afganë”.

Republikanët e Komitetit pohuan gjithashtu se tërheqja kaotike “degradoi” sigurinë kombëtare të SHBA.

Raporti i republikanëve në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve pretendon se administrata Biden i dha përparësi “optikës” mbi sigurinë dhe mashtronte popullin amerikan gjatë tërheqjes vdekjeprurëse të trupave amerikane në Afganistan.

Filed Under: Analiza

“Prania e “Albumit” tek lexuesi shqiptar”

September 11, 2024 by s p

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

United Nations, New York, 9 shtator 2024/

“Mall largimi”, e quan Mitrush Kuteli shtysën e tij të parë për të përmbledhur në një libër, krijimet dhe përkthimet e Fan Nolit. Ndërsa Qerim Panariti e kishte si amanet nga Noli vetë që shkrimet e tij, të mos liheshin vetëm nëpër faqet e periodikëve të kohës.

Për ne sot, sidomos për diasporën e Amerikës, na bëhen bashkë edhe malli, edhe amaneti që veprën e Fan Nolit mos ta lemë vetëm në botimet që janë bërë deri më sot, por të risillen tek lexuesi ribotime, pse jo, edhe studime si rezultat i hulumtimeve të parrahura më parë. Ky synim i fundit solli lindjen e një projekti të ri, që u ngjiz në fund të vitit 2022 dhe që u realizua në mars të vitit 2023 (Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, New York) nga Biblioteka Noliane me në krye znj. Neka Doko, kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe me mbështetjen e Federatës “Vatra”. Projekti në fjalë është ribotimi i “Albumit” të Fan Nolit, varianti origjinal i vitit 1948, publikuar në Boston nga shoqata “Vatra”. Kur Mitrush Kuteli punoi për mbledhjen e shkrimeve të Nolit, vendosi t’i japë librit këtë emër “Mall e brengë”. Ndërsa, shoqata “Vatra”, duke u nisur nga qëllimi i botimit, që ishte 40-vjetori i pranisë së Nolit në Amerikë, vendos që si titull, libri të ketë këtë fjalë: “Albumi”.

***

“Ku ta gjejmë origjinalin”? Kjo është një pyetje me të cilën një lexues serioz e sidomos një studiues, ndeshet shumë shpesh gjatë procesit të leximit të një vepre. Tani, kur ky lexues jeton jashtë vendit, e ndjen edhe më shumë mungesën e përgjigjes së kësaj pyetjeje.

Duke qenë pjesë e stafit të Bibliotekës Shkencore Universitare në Shkodër për mbi 10 vite, kam pasur privilegjin të prek nga afër shumë vepra të çmuara nga arkivi. Janë dy ndjesi krejt të ndryshme kur e prek këtë “librin e vjetër” në atdhe dhe kur e prek kur je kaq larg vendlindjes. Përfshirja emocionale merr dimension krejt tjetër por edhe të shtyn të bësh diçka më shumë kur mendon për ata lexues e studiues që kanë të njëjtin pasion, si ti, që të “prekin” nga afër origjinalin e një vepre.

Kur nisëm punën për përgatitjen e ribotimit të “Albumit” me bashkëpunëtorët e palodhur znj. Neka Doko dhe z. Adnan Mehmeti, vazhdimisht kam pasur si parim pune: mos të deformohet origjinali.

Krijimtaria dhe shqipërimet e Nolit, janë ribotuar disa herë dhe në disa ribotime kemi hasur edhe emërtime si “Album I” dhe “Album II”. Qëllimi ka qenë, siç përmend edhe Qerim Panariti në botimin e vitit 1966, që të mos lihet asnjë kontribut i Nolit i papërfshirë. Projekti jonë i vitit 2023 përfshin vetëm ribotimin e versionit origjinal të vitit 1948, duke vendosur që të mos ndryshojmë asgjë nga teksti, përveç 2-3 ndërhyrjeve që do të përmenden më poshtë. Për qëllime studimore, apo qoftë edhe për kënaqësinë e lexuesit të apasionuar, ne e kemi gjykuar të arsyeshme që ky botim të shoqërohet edhe me frontespicet e “Albumit” të vitit 1948, pra vendosëm t’i ofrojmë lexuesit tonë edhe anën vizuale të origjinalit.

Sa i takon botimit të 2023-it, dëshirojmë të bëjmë disa saktësime dhe shënime mbi kriteret që është punuar për ta sjellë këtë vepër në duart e lexuesve.

Në këtë ribotim, është transkriptuar nga origjinali vetëm krijimtaria dhe përkthimet e Nolit, parathënia e Mitrush Kutelit, njoftimi me titullin “Banqeta Testimoniale” si dhe “Biografia e Peshkop Nolit”, duke respektuar drejtshkrimin e origjinalit, nuk është bërë asnjë përshtatje me shqipen e sotme, si dhe nuk kemi përfshirë asnjë shënim/footnote. I vetmi ndryshim është që, në tekstin origjinal, shkronja “ë” del në variantin “ε”, kurse ne kemi përdorur “ë” në vend të saj. Gjithashtu, i jemi përmbajtur origjinalit në rënditjen e krijimeve dhe shqipërimeve të Nolit. Një tjetër ndryshim që kemi bërë është që, nëse në botimin origjinal poezija e radhës fillon nganjëherë në gjysmë të faqes, tek ribotimi jonë e kemi kaluar në kryeradhë në faqen tjetër.

Ndryshe nga origjinali, kemi lënë jashtë informacione mbi donacionet që janë bërë për botimin e “Albumit” të 1948-ës. Ndërsa, për arsye kryesisht studimi, kemi përfshirë në botimin e 2023-it “Përmbajtjen e librës”, siç quhet në origjinal, në mënyrë që lexuesi, të ketë informacion se çfarë përmbajtje ka pasur nga fillimi e deri në fund “Albumi” i Nolit i vitit 1948.

Gjithashtu, botimi i “Albumit” i vitit 2023 ka ruajtur numrin e faqes nga origjinali, pra, tek pjesa e librit ku janë përfshirë frontespicet, aty lexuesi do të shohë se në cilën faqe ka qenë një “X” poezi tek “Albumi” i 1948-ës dhe në cilën faqe i bie të jetë tek botimi i vitit 2023.

E gjitha kjo është bërë me qëllim që të ndihmojë studiuesit e veprës së Nolit, të cilët në pamundësi të konsultohen me origjinalin e vitit 1948, mund ta verifikojnë me saktësi të plotë si informacion tek ribotimi i 2023-it.

***

Një ndër synimet themelore tonat ishte vendosja e origjinalit të “Albumit” në një kontekst të ri. Çfarë do të thotë kjo?

Së pari, ribotimi i vitit 2023 të ishte në funksion të studiuesve, që t’i nxisë ata të hapin faqe të reja hulumtimesh shkencore dhe interpretuese për këtë pasuri kombëtare.

Së dyti, ky ishte vetëm një projekt fillestar për ribotimin e veprave të Fan Nolit dhe natyrisht do i hapë rrugë projekteve dhe bashkëpunimeve të tjera, qoftë këtu në diasporën e Amerikës apo jashtë saj. Një ndër to është nxitja për ekspedita kërkuese në Europë ku do të na ndihmonte të bënim lidhjen mes SHBA-së dhe Europës sa i takon përvojës jetësore dhe krijuese të Fan Nolit në këto kontinente.

Me shumë vlerë dhe rëndësi është hulumtimi dhe ribotimi i përkthimeve nga Shakespeare, me të cilin Noli kishte afinitet të një niveli të lartë.

Së treti, që e kemi edhe më fort përzemër ishte impakti i këtij “trimi me fletë”, pra impakti i vargut të Nolit tek të rinjtë; t’i nxisim ata ta duan edhe më shumë leximin në gjuhën shqipe, ta duan edhe më shumë letërsinë, t’i duan edhe më shumë rrënjët e tyre shqiptare. Gjatë promovimit, duke parë interesin e lexuesve për ta blerë librin na bën të ndihemi entuziastë që shumë familje shqiptare në Amerikë, e kanë tashmë në bibliotekën e tyre “Albumin” e Nolit dhe shpresojmë t’i

kemi dhënë një kënaqësi lexuesit tek shfleton krijimtarinë e një personaliteti “kompleks dhe gjenial”, siç e cilëson Kuteli Nolin.

Ne studiuesve, Mitrush Kuteli na ka lënë një porosi para 81 vjetësh, duke na thënë: ta studioni Fan Nolin në këto dimensione: si gazetar, si orator, si shkrimtar kishtar, si historian, si shqipëronjës (siç e thotë ai), si kritik letrar, si muzikant dhe si poet.

Në fund të parathënies së tij, Kuteli na ka drejtuar një pyetje që, sërish, pesha bie mbi ne studiuesit, perifrazoj: “A do ta vazhdojmë ta plotësojmë këtë vështrim panoramik mbi veprën poetike të Fan Nolit?”

Me kënaqësi dhe jo pa krenari, mund të themi se është bërë goxha punë e mirë sa i takon studimit të kontributit intelektual të një përsonaliteti si Fan Noli por sidomos edhe për çfarë vazhdon të bëhet, ja, si kjo tryezë pune ku secili prej nesh do të largohet nga këtu duke marrë me vete një ide-projekt më tëpër.

E mbyllim këtë fjalë tonën me porosinë e Kutelit, që ka të bëjë më veprën e Nolit, por, ne duam t’i shtojmë edhe një dimension tjetër, që është puna me gjuhën shqipe, kultivimi dhe ruajtja e saj, citoj: “Ata që vijnë pas nesh, se vijnë shumë dhe të fortë, le t’a vijojnë.”

Filed Under: Kulture

VATRA BOSTON ZHVILLOI VIZITË ZYRTARE NË SELINË QËNDRORE TË VATRËS

September 10, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 9 shtator 2024 – Dega e Vatrës në Boston zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë qëndrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Delegacioni i Bostonit i kryesuar nga kryetari z.Mentor Maksutaj, sekretari z.Flamur Vezaj, arkëtari z.Jorid Çelaj dhe anëtarët e kryesisë Lindita Meçe e Ervis Dhima e vatranët Klajdi Haruni, Gëzim Meçe e Artian Rreza u pritën nga kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, vatrani historik z.Marjan Cubi, editori i Diellit e vatranë të tjerë. Në fjalën e mirëseardhjes Dr. Berisha përgëzoi vatranët e Bostonit për punën e shkëlqyer, patriotizmin, angazhimin komunitar e kombëtar në shërbim të çështjes kombëtare. Z. Berisha vlerësoi cilësitë atdhetare, kulturore, e kombëtare të grupit të shkëlqyer të Bostonit, veprimtaritë dinjitoze dhe të dinjitetshme të Vatrës Boston që rrezaton e frymëzon Vatrën e komunitetin shqiptar në Amerikë. Kryetari i Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj u shpreh i emocionuar rreth vizitës në Vatër, shprehu respekt e vlerësim për punës e Kryesisë së Vatrës sidomos mbi vizitën në Vatikan, vizitën në Shtëpi të Bardhë e Departament të Shtetit, vizionin e lidershipin e Vatrës dhe u ndal në kontributin historik të vatranëve në jetëgjatësinë shekullore të Vatrës e Diellit. Delegacioni i Bostonit pa nga afër Bibliotekën Shkencore e Arkivin e pasur të Vatrës si pasuri kombëtare e komunitare e dëshmi historike e identitare kombëtare shqiptare në Amerikë. Kjo vizitë e përzemërt e vëllazërore ishte në respekt të punës e përpjekjeve të përbashkëta për të mirën e çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas takimit vëllazëror kryetari i Vatrës shtroi një drekë në restorant “Cakor” në shenjë respekti, vlerësimi e nderimi për ekipin e shkëlqyer patriotik të Vatrës Boston.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT