Sokol Paja/
New York, 9 shtator 2024 – Dega e Vatrës në Boston zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë qëndrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Delegacioni i Bostonit i kryesuar nga kryetari z.Mentor Maksutaj, sekretari z.Flamur Vezaj, arkëtari z.Jorid Çelaj dhe anëtarët e kryesisë Lindita Meçe e Ervis Dhima e vatranët Klajdi Haruni, Gëzim Meçe e Artian Rreza u pritën nga kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, vatrani historik z.Marjan Cubi, editori i Diellit e vatranë të tjerë. Në fjalën e mirëseardhjes Dr. Berisha përgëzoi vatranët e Bostonit për punën e shkëlqyer, patriotizmin, angazhimin komunitar e kombëtar në shërbim të çështjes kombëtare. Z. Berisha vlerësoi cilësitë atdhetare, kulturore, e kombëtare të grupit të shkëlqyer të Bostonit, veprimtaritë dinjitoze dhe të dinjitetshme të Vatrës Boston që rrezaton e frymëzon Vatrën e komunitetin shqiptar në Amerikë. Kryetari i Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj u shpreh i emocionuar rreth vizitës në Vatër, shprehu respekt e vlerësim për punës e Kryesisë së Vatrës sidomos mbi vizitën në Vatikan, vizitën në Shtëpi të Bardhë e Departament të Shtetit, vizionin e lidershipin e Vatrës dhe u ndal në kontributin historik të vatranëve në jetëgjatësinë shekullore të Vatrës e Diellit. Delegacioni i Bostonit pa nga afër Bibliotekën Shkencore e Arkivin e pasur të Vatrës si pasuri kombëtare e komunitare e dëshmi historike e identitare kombëtare shqiptare në Amerikë. Kjo vizitë e përzemërt e vëllazërore ishte në respekt të punës e përpjekjeve të përbashkëta për të mirën e çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas takimit vëllazëror kryetari i Vatrës shtroi një drekë në restorant “Cakor” në shenjë respekti, vlerësimi e nderimi për ekipin e shkëlqyer patriotik të Vatrës Boston.