• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

AT THEMELUESI I SHTETIT SHQIPTAR PANDELI EVANGJELI, PRET ME DURIM DREJTËSI EDHE NË KËTË 75-VJETOR

September 6, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Rahim OMBASHI/

Në vend të prologut

Nga koha kur edhe burrat kishin burra na duhet të mësojmë pafundësisht, saktë, sidomos tani kur shtetarë burrecë të pasuruar nga malli i togut pa zot, shpërfaqen gjithandej të dhjamosur, madje lënë vendin e lindjes si pa gjë të keq. Në shtatorin e vitit 2004, pata fatin të lexoj një kushtim modest të çiftit Donika e Rene Stase, lënë mbi një monografi, që ia dhuronin kryetarit të bashkisë së Korçës Robert Damo. Me mbesën e protagonistit të shkrimit nuk jam takuar, më duket, por me Renenë, mësues matematike, isha koleg. Madje kujtoj se çifti asokohe solli djalin e vet në gjimnazin, që vijon traditën e Liceut Kombëtar të Korçës, ku isha mësues letërsie dhe drejtor. Gjimnazisti rishtar Stase, së bashku me Ivi Namik Kasimati e disa të tjerë, ishin një kokë mbi shokët, prandaj i mbaj mend edhe pas 35 vjetësh, por tani di vetëm që u larguan në fillimet e viteve ’90 jashtë shtetit për t’u shkolluar, asgjë më tepër se kaq. Uroj e lutem që të jenë të lumtur, por le t’i kthehemi vitit 2004.

Kaluan plot edhe 20 vjet të tjerë dhe shumëçka ka ndryshuar, disa të vërteta kanë zënë vend, por disa po vendosen ku dhe si duhet, ndërsa i mbetemi borçlinj kujtesës kombëtare, që as më shumë e as më pak, është identitet. Pas vitit me shenjë 1990, studiuesit u njohën me tekstin “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, Prizren, 2001; me manuskriptin e së mbesës së Pandeli Evangjelit, Donika Stase – Evangjeli: “Kujtime”, Tiranë, 2002; me arkivin familjar, me raporte të konsujve nga shtete të ndryshme; me memoaristikë të botuar nga personalitetete të historisë sonë kombëtare; me broshura jubilare të shtetit të ri shqiptar; me procesverbale që ndodhen në AQSH; me letër-dorëshkrime; me gazeta të shumta e revista cilësore, etj, etj. Në to gjejmë informacion sesi shpifja baltosëse kundër Tij kishte filluar me letra anonime, që i dërgoheshin Faik Konicës në Bruksel, për ta bindur patriotin, veprimtarin dhe publicistin luçit se Pandeli Evangjeli ishte ‘grekoman i flakët dhe fillorus, me cak të fundit ortodoksinë’. Jo pak nga ne e kanë në gjak dhe për hiçmosgjë turpërimin e tjetrit, sepse letrat anonime dërguar botuesit të revistës “Albania” ishin të shkruara shqip!

Nga ana tjetër, në këtë komunikim të shpeshtë me dokumente e fakte, hasim konsiderata nga më të lartat dhënë nga bashkëpunëtorët e vet në Bukuresht, ku jetonte familisht, apo edhe nga të huaj, si konsulli austriak i Manastirit, A. Kral, që e informonte shtetin e vet më 1902 se shoqëria “Dituria” që drejtohej prej P. J. Evangjelit nuk kishte “… asnjë lidhje me rrethe zyrtare greke apo ruse.”, etj. Faik Konica u bind më pas se kush ishte korçari që la pas lokalizmin, “xhaxhai” i mbështetjes esenciale të idesë kombëtare; por më mirë syri sesa nami, thuhet.

Qysh në maj 1887, në një letër të Naim Frashërit, Sami Frashërit e Jani Vretos dërguar V. Dodanit mësojmë:

“… të falemi [ty] si edhe këtyre vëllezërve që na tha z. Vreto edhe shokëve të tyre: Vangjel Geços, të birit Gjergjit, të katër vëllezërve Tërpo, Thanas Haritos, Nikollaq dhe Pandeli Jano Vangjelit, Spiro Manit… edhe gjithë shokëvet e vëllezërvet që dini z. juaj.”

Bie në sy se me veprimtarinë e tyre atdhetare vëllai më i madh Nikollaqi dhe Pandeliu kanë spikatur mes shokëve, vëllezërve të frashëllinjve të mëdhenj dhe Jani Vretos, prandaj letrat anonime kuptohet se ishin përcjellë nga doras, që u shërbenin të huajve. Në faqen 401, e fundit e monografisë, hartuar me korrektësi e objektivitet shkencor nga historiani Hysni Myzyri, mësohet jo pa dhimbje se Pandeli Evangjeli ishte dëbuar familisht nga shtëpia e tij në Tiranë “si i padëshirueshëm për regjimin” dhe u vendos në Korçë, si qiraxhi, në vitin 1947. Ai hyri në politikë kur ishte i pasur, me punë të ndershme, rreth 60 vjet ia kushtoi Atdheut dhe mbeti vetëm i mirë deri në ditët e fundit, madje i turpëruar masivisht dhe nën heshtim shtetëror. U shua në qytetin e vet në vitin 1949, në shtator (data e saktë nuk është shënuar as te monografia shteruese e Myzyrit, botuar në Tiranë në vitin 2004?!): “…, kur kishte mbushur 90 vjet; u përcoll për në banesën e fundit, “pa kurrfarë ceremonie, nga familja dhe një grup i vogël korçarësh”.

Shqetësohesh kur ritakon në fakte të tilla dhe e merr për detyrë të gjesh shkakun e këtij nënçmimi shtetëror, pas jo më pak se 60 vjet kontributesh autentike të spikatura. Mos për turpërimin e dytë, pas dështimit të të parit, veç argumenteve të ngjizura, ka ndikuar edhe strofa e parë e vjershës “Kënga e Salep Sulltanit”? Mos është kuptuar si fakt historik e jo si shembëllim i personalizuar me tepri në vargje me metrikë popullore?

Koha bën të vetën, kësisoj këtë shtator mbushen plot 75 vjet nga koha kur burrështetari, që u ndie jabanxhi në vendin e vet, pret t’i hiqet balta e harrimit, hedhur nga ajo-kjo botë jallane. Periudhë që mjafton për të bërë një vlerësim as emocional, as ideologjik, as politiko-patriotik dhe për më tepër as krahinor apo lokalist. Le të mbështetemi te shkrime përkujtimore që herë pas here i referohen Atit Themelues të shtetit kombëtar shqiptar, “Xhaxhait” ‘të mbështetjes esenciale të idesë kombëtare’, sipas të huajve.

Në vitin 2001 gazetari Blendi Fevziu botoi artikullin te revista “Klan” me titull “Pandeli Evangjeli, politikani pa famë”, duke lënë pezull pyetjen se pse “Xhaxhai” nuk mori atë që i takon. Monografia e historianit sqimatar H. Myzyri e vlerëson mes titullit: “Pandeli J. Vangjeli (1859-1949) – Atdhetar dhe burrë shteti i shquar”, pa analizuar se çfarë dhe ku i ka hyrë në hak shteti shqiptar kësaj figure qelibar dhe autentike. Në prag të festimeve për 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, historianët objektivë Beqir Meta dhe Hasan Bello botuan një artikull, ku përmes titullit shtohet një tjetër vlerësim: “Pandeli Evangjeli: miku i Zogut dhe i Ismail Qemalit, që u dëbua nga komunizmi”, “Gazeta Shqiptare”, Nr. 5762: 30–31.

Tani është e plotë skeda e veprimtarisë së tij atdhetare, filluar në mërgim, para se ai të niste dhënien e kontributit përsëri, asaj here në politikë:

Kryetar i Shoqërisë “Dituria”, Bukuresht, nga viti 1896-1906 (kur u mbyll), shoqëria më e rëndësishme shqiptare e kohës, në mërgim.

Nënkryetar i Shoqërisë “Bashkimi”, ku u shkrinë shoqëritë “Dituria”, “Drita” dhe “Shpresa”, Bukuresht, 1906. Ndërkohë me fondet e shoqërisë, ku përfshihet edhe ndihmesa e familjes Evangjeli si dhe e atij personalisht, dërgon në Shqipëri mijëra libra, që shtypeshin në Bukuresht: abetare, këndime, gramatika dhe aritmetika. P. Evangjelit, sipas historianit Myzyri, Ismail Qemali në Mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912, i propozon post qeveritar: “pasi të organizonte situatën definitive në Shqipëri do ta zgjidhte ministër.” (f. 210, 64/).

Nga botimet “Vjetari i Arkivit të Kosovës”, Prishtinë, 1974; nga “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912 (Përgatitur nga S. Pollo dhe S. Pulaha, Tiranë, 1978; nga vepra “Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Kolonitë Shqiptare të Mërgimit në Rumani dhe në Bullgari”, botuar nga I. Durmaku, Prishtinë, 1983; mësojmë se pati shqiptarë në Bukuresht që ranë preh i premtimeve dhënë nga koloneli rus Bozhilloviç dhe filluan propagandën sllave në fshatrat e Korçës, ndërsa i kundështoi kryetari i shoqërisë Evangjeli:

“Kafexhinjtë [shqiptarë të Bukureshtit] ishin të gatshëm të pranojnë, mirëpo ata hasin në kundërshtim të madh më një anë prej një farë Pandeli [Evangjeli], kafexhi i pasur i cili ishte i ndihmuar prej Kristaq Naumit dhe disa shqiptarë të tjerë të fesë myslimane.”, (f. 103).

Veprimtaria e tij kombëtare kryesisht kulturore dhe arsimore, shtohet me krijimin e shtetit të ri shqiptar. Luigj Gurakuqi e përshëndet P. Evangjelin nga Vlora më 3 mars 1914:

“Ju urojmë mirëseardhjen në Shqipëri të lirë, për të cilën zotnia juaj e gjithë shqipëtarët e Bukureshtit janë përpjekur prej sa vjetësh me zemër të djegur.”

P. J. Evangjeli – prefekti i parë shqiptar në Korçë, mars 1914 – deri 7 korrik 2014, i emëruar nga Qeveria e Durrësit. Me pranimin e postit fillon veprimtaria e tij politike në shërbim të vendit të vet. Përsëri prefekt në Korçë, 1920. Deputet i Korçës (nga 10 deputetë që kishte gjithsej) në parlamentin e parë shqiptar, 21 prill 1921. Zgjidhet Kryetar i Parlamentit, ministër i Jashtëm nga 11 korriku 1921- shtator 1921.

Luigj Gurakuqi e vlerëson:

“…, due me thanë z. P. Evangjeli, veteranin tonë, apostullin e lashtë të idesë kombëtare.”

Kryeministër, 16 tetor – 11 dhjetor 1921 (u votëbesua unanimisht në parlament) shto dhe portofolin si ministër i Jashtëm njëkohësisht. U propozua edhe për në Këshillin e Lartë nga parlamenti, por nuk kaloi në atë detyrë për arsye proceduriale. Dha ndihmesë e spikatur për jetësimin e KOASh, nisur herët me veprimtarinë fetare në Bukuresht. Ministër i Jashtëm, përsëri, nga 11 shtatori 1922. Përsëri ministër i Jashtëm, te qeveria e Ahmet Zogut, 2 dhjetor 1922.

Kryetar i Senatit, 24 shtator 1925 – 1928, kur parlamenti ishte me dy dhoma.

Kryetar i Asamblesë Kushtetuese, gusht 1928, kur kurorëzon Ahmet Zogun Mbret, 1 Shtator 1928.

Te broshura jubilare “10 vjet Mbretni”, Tiranë, 1928: 75:

“Gjatë dhjetë vjetëve mbretnije, Pandeli Evngjeli shërbeu 5 vjet si kryeministër dhe po aq vjet si kryetar i parlamentit. Në jetën e tij të ndritshme, shihej e kjartë pasqyrëza e shpirtit dhe e ndërgjegjes që e ka ushqye kurdoherë këtë burrë shteti.”

Sulmi tjetër për ta turpëruar burrin, kësaj herë jo anonim, madje mediatik dhe kishte emër: Theofan Mavromati (Fan Noli), i cili aso kohe sapo ishte kthyer nga Rusia, ku mori pjesë i ftuar në festimit e 10-Vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Jetonte në Vienë duke qenë veprimtar i ethshëm i KONARE-së, ndërkohë merrej me shqipërime (sipas porosisë së Faik Konicës), publicistikë dhe vjershërime. Me që shumica e njohin Fan Nolin vetëm si poet, ndërkohë që kryevepra e tij është krijimi dhe jetësimi i KOASh, duhet të japim një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë së tij në këtë lëmi të artit të fjalës.

Nga 26 vjersha origjinale, shto dhe nëntë variante të tyre, tri sosh kanë në titull metaforën Sulltani: e para “Kënga e Salep Sulltanit”, e dyta “Sulltani dhe Kabineti” dhe e fundit si krijim postum “Vdekja e Sulltanit”. Vjersha e parë është botuar më 15.10.1928, Vienë; e dyta: “Sulltani dhe Kabineti” është botuar në revistën “Dielli”, Boston, më 5.7.1961; e treta, “Vdekja e Sulltanit”, nuk është kryer plotësisht, sepse u gjet në vendin ku ndërroi jetë, Florida, USA.

Tani së fundmi mësojmë se vjersha e parë është shkruar pasi Fan Noli botoi artikullin pas një shtatorit 1928, në “Le Cri des peoples” me nënshkrim Fan Noli, Ish – Kryeministër i Shqipërisë (ndërsa më herët nënshkruante me pseudonime):

“Republika Shqiptare sapo është shndërruar në një monarki, me mbret Ahmet Zogun. U gëzuan në Romë, u indinjuan në Beograd, u argëtuan kudo tjetër. Le të fillojmë së pari me anën groteske të kësaj ngjarjeje: një ish-pronar kabareje nga Bukureshti, i quajtur Pandeli Evangjeli, në krye të një turme individësh të pavlerë, ish-banditë, hajdutë, vrasës dhe tutorë, që e quajnë veten Asamble Kushtetuese, i ofron kurorën mbretërore një hajduti, të quajtur Ahmet Zogu, i cili përparoi me vrasje, i cili e bëri pasurinë e tij me vjedhje dhe që u ngrit në pushtet me tradhti.

Dhe ky hajdut emëron, si kryeministër të tij, një mashtrues dhe një kriminel, Kosta Kotën, i cili ushtronte fshehurazi profesionin e kirurgut në Salt Lake City në Amerikë, prej nga iku për t’i shpëtuar policisë amerikane që e kërkonte për masakrimin e një pacienti të operuar prej tij.”

Vjersha “Kënga e Salep Sulltanit” e Fan Nolit dominohet nga motivet politike kur përshkruan me ironi ecurinë politike në Shqipëri, pas largimit të tij nga pushteti, veçmas me vendimin e Asamblesë Kushtetuese, e cila kurorëzoi Ahmet Zogun:

“Një mexhlis të math na çeli / Pandeli Jano Vangjeli (jo Evangjeli) / Me Sulltan-llokum na veli / Si kofini pas të vjeli.”

Strofa e parë e vjershës me nëntë katërvargëshe, me tetërrokësh popullor dhe me frymë polemiste satirizon kryetarin e Asamblesë Kushtetuese, pastaj vepron kësisoj edhe me drejtuesit kryesorë të shtetit të ri shqiptar. Epitetet e gjetura për kundërshtarët e vet politikë ishin po ato të përdorura edhe te artikulli botuar pak ditë më parë në frëngjisht. Kësisoj vjersha, ashtu si pjesa dërmuese e veprimtarisë së Nolit, dominohet nga motivet politike.

Vetëm në tri strofat e fundit ai i drejtohet armikut të tij deri në, e ndoshta edhe pas vdekjes, me furi të shkapërdisur nga smira, por pa arritur nivelin artistik të poezisë së mallkimit të Gjergj Fishtës, e cila u drejtohej asisoj armiqve të huaj.

Me arkaizmin mileti Fan Noli qesëndis hidhur Ahmet Zogun: sheqer-kësmet e hallvaxhi. Ndërsa për të qenë më afër me ideologjinë që i paraprinte kësaj lloj fryme politike gjithë mllef e urrejtje, në një botim timin “Po vjen Noli…”, 2002, kam vendosur një letër të Mitrush Kutelit drejtuar “Hirësisë së Tij Peshkopit Theofanit”, më 30 maj 1945, ku flitet për ‘verbin’ e Fan Nolit. Në ndihmë të saktësimit të termit vjen punimi i Nysret Krasniqit, botuar në Materialet e punimeve të Seminarit XXXI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, 13-25 gusht, 2012, fq. 46):

“Me këtë rast, mund të pajtohemi pjesërisht me konstatimin e Mitrush Kutelit se verbi nolian është politik – patriotik (Mall e Brengë, M. Kuteli, 1945), por nuk e dimë nëse do të pajtohej nocioni patriotizëm me nocionin ideologji e majtë, në kuptimin e ngushtë të termit.”

I mësuar me sulme të tilla personale, P. Evangjeli zgjidhet Kryetar i Parlamentit me një dhomë në datën 17 dhjetor 1928, pastaj Kryeministër më 6 mars 1929. Kësisoj në pesë kabinete qeveritare, deri 16 dhjetor 1935. Mosha 80-vjeçare e gjen përsëri kryetar parlamenti më 31 janar 1937, duke vijuar detyrën deri 7 prill 1939, kur Italia fashiste pushtoi atdheun. Nuk u përzie në veprimtari politike në ato vite të rënda zie, duke shpresuar për ditë të mira në të ardhmen. Si shtetar i lartë shërbeu pesë vjet si Kryeministër dhe po aq vjet si Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.

Më 27 nëntor 1992, Presidenti i Republikës i jep dekoratën “Urdhëri i Lirisë të Klasit të Parë” me këtë motivacion:

“Luftëtar i shquar i çështjes kombëtare. Ka dhënë një kontribut të madh në luftë për forcimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit tonë.” (Një nga 48 dekoratat që jepeshin në Shqipëri nga viti 1945-1992), sepse nga viti 2013 dhe në vijim ka të tjera dekorata.

Sa pak individualizim për Atin Shtetformues, por ndoshta ashtu foli koha shtetërore, që më pas vendosi të japë vlerësime të tjera. Sikur e mbulon më mirë krejt veprimtarinë e tij kombëtare: kulturore, arsimore, fetare, politike, diplomatike, shtetërore: Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”! Një nga 12 Dekoratat që jep Shteti Shqiptar:

“U jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për ndihmesë të qenësishme ose kontribut madhor në mbrojtjen, forcimin apo përparimin e faktorit shqiptar kudo në botë”

Më mirë vonë se kurrë. Kjo mund t’i akordohet burrit, që nuk e turpëruan dot. Turpi dhe pendesa e sinqertë na detyron ta kërkojmë heqjen e baltës prëj fytyrës së tij plot virtyte. E jep Parlamenti, Kryeministri, dhe ne shpresojmë e besojmë, se i dëshmojmë “Xhaxhait” të kombit mirënjohjen për tërtherjen kombëtare dhe heshtjen olimpike.

Në vend të prologut.

Si peng kujtimi! Në Korçë ndodhet një rrugë me emërtimin: Pandeli Vangjeli. Njoh plot njerëz me emrin Pandi, Pando, Papando, Pandush, Pandeli, madje këtë të fundit e kanë disa familje edhe mbiemër. Po kështu dhe me emrin Vangjush, Vangjo, Vangjel, Vangjeli. Ka dhe një rrugë me këtë emërtim në Tiranë. Ata që e kanë vendosur po janë bazuar te dokumente, mirë kanë vepruar. Ka ardhur koha që emërtimi Pandeli Evangjeli të vendoset jo vetëm në Korçë e në Tiranë, por edhe në Vlorë, në Prishtinë …, në Bukuresht, dhe jo vetëm në emërtime rrugësh!

Filed Under: Histori

Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024

September 6, 2024 by s p

Miq të VATRES dhe DIELLIT, gjithçka është gati për të hënën, më 9 shtator 2024, nga ora 11:00 deri në 13:00, në sallën e selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork!

Aty do të flasin shqip ambasadorët shqiptarë, drejtuesit e VATRES, gazetës “Dielli”, akademikë, studiues dhe autorë të ndryshëm shqiptarë që kanë shkruar për të madhin Fan S. Nolin.

Ky simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.

Ky organizim, për herë të parë në Selinë e OKB-së, realizohet me iniciativë të Bibliotekës Fan Noli në Boston, VATRA dhe degës së saj në Boston, gazetës “Dielli,” dhe me mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.

Nëse dëshironi të bëni donacione për realizimin e këtij eventi të rëndësishëm, ju lutem klikoni linkun:

https://www.zeffy.com/…/d4a782b8-54d3-4343-8e31…

Shihemi në Nju Jork!

Në foto është agjenda e eventit.

Filed Under: Opinion

“DRITËS SË GONXHËS” U NDAL NË ARQIPESHKVINË MITROPOLITANE DURRËS-TIRANË

September 5, 2024 by s p



Në Arqipeshkvinë Mitropolitane Durrës-Tiranë në shenjë të 114 vjetorit tëlindjes (26 gusht), 27 vjetorit të vdekjes (5 shtator) tëNënës Tereze dhe të 45 vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel për Paqe nga ana e saj, u bë prezantimi i veprimtarisë botuese të ITSHKSH-së, në kuadër të edicionit të katërt të manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, konkretisht librat: “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, e autorit Dom Lish Gjergji, ”Gjon Antoni, një margaritarkujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamentipër studimne trashëgimisë shpirtërore të GonxheBojaxhiut – Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berishadhe Skender Asani si dhe numri i 3-të i revistës “Drita e Gonxhës”.
Pas fjalës përshëndetëse të Arqipeshkvit, Imzot ArjanDodës, për rëndësinë e këtij manifestimi si dhe për vlerat që ofrojnë botimet e dedikuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze, foli drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili nënvizoi se se trinomi Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza – Shën Tereza ka qenë dhe mbetet preokupimi kryesor shkencor e profesional i Institutit që ai drejton, në kuadër të të cilit tash e disa vite vepron Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.
Pjesë e panelit ishte edhe Dom Lush Gjergji, i cili u ndal në disa çështje që ndërlidheshin me veprën e tij “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, për të cilën foli Atë Bernard Caruano.
Në prezantimin e sotëm auditoriumi u njoftua edhe me veprat ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamenti për studimnetrashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – NënësTereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asanisi dhe me numrin 3 të revistës “Drita e Gonxhës”, për tëcilat një zbërthim më të detajuar e bëri kryeredaktori i kësaj reviste, Emin Azemi.
Pjesë e këtij promovimi ishte edhe debati që u zhvillua nëmes të auditoriumit dhe panelistëve, me ç’rast u ngritëndisa çështje që kishin të bënin me mënyrën dhe strategjinëe trajtimit të figurës së Nënës Tereze.

Filed Under: Ekonomi

ME SHUMË DASHURI SI SHENJT TEREZA

September 5, 2024 by s p

Albert HABAZAJ/

5 Shtatori është një datë e shenjtëruar, sikurse për gjithë globin, veçmas për kombin shqiptar, sepse është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës, si shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë është dhe dëshmitare e paharrueshme e dashurisë për njerëzit në nevojë. Shenjt Tereza, si Kryemisionare e Mirësisë, është një burim i pashtershëm frymëzimi edhe për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që, si pjesë e së tërës dritërore të Institucioneve të Arsimit të Lartë Shqiptar, nga lartësia modeste e 30 vjetëve jetë, është përkushtuar me ndershmëri profesionale dhe dashuri humane në shërbim arsimor universitar cilësor e bashkëkohor.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha – na kujton Nëna e Botës, Shenjt Tereza – Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Mesazhi i saj me dritë: “Çfarë e bën llambën të ndriçojë? Konsumimi i vazhdueshëm i pikave të vogla të vajit. Nëse këto pika do të vinë duke munguar, nuk do të ketë më dritë” është testament shpirtëror edhe për pedagogët, stafin dhe studiuesit e UNIVLORËS në funksion të edukimit universitar dhe qytetar të studentëve tanë, dhe këtë e kemi treguar dhe përditë e tregojmë pa u dukur edhe me faktin se diploma e Universitetit tonë ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Nderim Shenjtores sonë, që ndezi yjet e shpirtit, gjakut, mendimit dhe veprimit të Saj për një botë më të mirë në paqe e harmoni!

Një këngëz të vogël kam thurur për Shenjtoren, të cilën e këndojnë me zë kumbues, hijshëm, me aq ëmbëlsi e dashuri Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Vlorë: 

Për Shenjtoren Nënë Tereza

Këngën si zjarrin e ndeza.

Të ngrohtë si shpirt i saj

Të përhapet skaj më skaj.

Anjez’ Gonxhe Bojaxhiu

Shenjtore me frymë njeriu.

Shën Tereza, Nënë e Botës

Shqiponjë mbi malet e borës.

Filed Under: Analiza

Nëna Tereze – shpirt shqiponje, shtypi i Kosovës para 27 viteve

September 5, 2024 by s p

-Gazeta e rezistencës në Kosovë “Bujku” para 27 viteve për kalimin në amshim të Nënës Tereze/

-Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, për gazetën deklaroi: Lajmi për vdekjen e Nënë Terezës u prit me pikëllim të veçantë në Kosovë dhe kudo në botën shqiptare…/

-Në ballinë të gazetës ishte edhe kryetitulli “Nëna Tereze – shpirt shqiponje” i shkrimit me mbititull “Institucionet shtetërore dhe politike të Republikës së Kosovës mbajtën mbledhje komemorative”/

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 5 Shtator 2024/ Gazeta e rezistencës, e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që sfidonte ndalimin e dhunëshëm të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë “Rilindja” nga Serbia okupatore, para 27 viteve kryetitull balline kishte “Vdiq Nëna Tereze”, e në nëntituj theksonte: “Bamirësja 87-vjeçare shqiptare, e cila e nderoi kombin e saj edhe me Çmimin Nobel, u bëri ballë disa sulmeve në zemër gjatë viteve të shkuara, por gjithnjë mblodhi forcë të vazhdonte misionin e saj të shenjtë. – Pikëllim i thellë në tërë botën”.

Raportimi për kalimin në amshim të Nënë Terezës kishte vendin dhe datën “Kalkutë, Indi, më 5 shtator”, e vijonte “Gjerësisht në faqen e dytë”, ku ishte edhe kryetitulli “Dr. Rugova: Humbje  për mirësinë dhe harmoninë njerëzore” me këtë tekst:

“Menjëherë pas komunikimit të lajmit për vdekjen e Nënë Terezës, presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, për gazetën tonë deklaroi:

‘Lajmi për vdekjen e Nënë Terezës u prit me pikëllim të veçantë në Kosovë dhe kudo në botën shqiptare.

Në këtë moment të dhemjes për Nënën Tereze, për laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, për simbolin e shenjtërisë, të përvujtnisë dhe të solidarizimit me të varfërit, mund të themi se vdekja e saj është një humbje e madhe për mirësinë dhe për harmoninë njerëzore’.

Në shenjë respekti të thellë për veprën dhe për figurën e saj, për prezentimin që i bëri kombit shqiptar dhe vendit ku lindi, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kohë më parë Nënë Terezën e shpalli qytetare nderi të Kosovës.

Ky ishte nderi që i bëri Kosova në një kohë kur emri i Nënë Terezësa ishte bërë parashenjë për vetë Kosovën”.

Kryetitull në faqen e dytë ishte edhe “Një fytyrë që ngjanë në fytyrat e të gjitha nënave”, shkrim nga Nju-Jorku i Sinan Kamberajt me mbititull “Nga një takim me Nënë Terezën”.

“Bija e popullit dhe e Kishës Shqiptare” ishte titulli i deklaratës së dr. don Lush Gjergjit, kryetar i Shoqatës Bëmirëse Humanitare “Nëna Tereze”, deri atëherë autor i pesë veprave që i kushtoheshin Nënës Tereze.

“Një vdekje e madhe e një Nëne të madhe”, ishte titulli i deklaratës së dr. Rexhep Bojës, kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.

“Humbje e madhe për mbarë botën dhe kombin tonë”, ishte titulli i deklaratës së dr. dom Shan Zefit, Kancelar i Ipeshkëvisë së Kosovës. 

Gazeta “Bujku” e 6 Shtatorit 1997 botonte edhe një kalendar historik për Nënë Terezën – Gonxhe Bojaxhiun me titull “Datat e rëndësishe”, ku fillimisht shkruante se ishte viti 1910 kur Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi më Shkup…Gazeta nisi menjëherë për në Kalkutë-Indi reporteren speciale Evliana Berani…Ajo, mes tjerash, nga Kalkuta në 12 Shtator 1997 raportonte me mbititullin “Sot varroset Nëna Tereze” e me titullin “Udha drejt Shenjtërisë”. Raporti botohej duke filluar në ballinë të gazetës të datës 13 Shtator 1997…

Në ballinë të gazetës ishte edhe kryetitulli “Nëna Tereze – shpirt shqiponje” i shkrimit me mbititull “Institucionet shtetërore dhe politike të Republikës së Kosovës mbajtën mbledhje komemorative”.

E, “Porositë e mëdha” ishte titulli i editorialit të shkruar nga kryeredaktori Avni Spahiu…

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).

Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT