Albert HABAZAJ/
5 Shtatori është një datë e shenjtëruar, sikurse për gjithë globin, veçmas për kombin shqiptar, sepse është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës, si shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë është dhe dëshmitare e paharrueshme e dashurisë për njerëzit në nevojë. Shenjt Tereza, si Kryemisionare e Mirësisë, është një burim i pashtershëm frymëzimi edhe për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që, si pjesë e së tërës dritërore të Institucioneve të Arsimit të Lartë Shqiptar, nga lartësia modeste e 30 vjetëve jetë, është përkushtuar me ndershmëri profesionale dhe dashuri humane në shërbim arsimor universitar cilësor e bashkëkohor.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha – na kujton Nëna e Botës, Shenjt Tereza – Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Mesazhi i saj me dritë: “Çfarë e bën llambën të ndriçojë? Konsumimi i vazhdueshëm i pikave të vogla të vajit. Nëse këto pika do të vinë duke munguar, nuk do të ketë më dritë” është testament shpirtëror edhe për pedagogët, stafin dhe studiuesit e UNIVLORËS në funksion të edukimit universitar dhe qytetar të studentëve tanë, dhe këtë e kemi treguar dhe përditë e tregojmë pa u dukur edhe me faktin se diploma e Universitetit tonë ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.
Nderim Shenjtores sonë, që ndezi yjet e shpirtit, gjakut, mendimit dhe veprimit të Saj për një botë më të mirë në paqe e harmoni!
Një këngëz të vogël kam thurur për Shenjtoren, të cilën e këndojnë me zë kumbues, hijshëm, me aq ëmbëlsi e dashuri Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Vlorë:
Për Shenjtoren Nënë Tereza
Këngën si zjarrin e ndeza.
Të ngrohtë si shpirt i saj
Të përhapet skaj më skaj.
Anjez’ Gonxhe Bojaxhiu
Shenjtore me frymë njeriu.
Shën Tereza, Nënë e Botës
Shqiponjë mbi malet e borës.