• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

VEPËR NDERIMI PËR PROFESORIN E NDERUAR

October 23, 2024 by s p

Prof.dr.Mustafa Ibrahimi/

Është befasi e këndshme ajo qё profesorët e nderuar, Bahtijar Kryeziu – Begzad Baliu, tani mё të dy autorët të njohur nё opinion akademik me botime tё teksteve shkencore dhe universitare, mё besuan tё isha pjesё e librit tё tyre, , tani mё të dy autorët të njohur nё opinion akademik me botime tё teksteve shkencore dhe universitare, mё besuan tё isha pjesё e librit tё tyre, Rrapi shekullor -Akademik Idriz Ajeti, ku nga pozita e recensuesit mё lejohet tё shpreh opinionet e mia mbi peshёn qё mban kjo vepёr e munguar pёr jetën dhe veprimtarinë e Idriz Ajetit.

Ajo që si gjuhëtar më lë përshtypje është simbolika e titullit “Rrapi shekullor”, i cili si kult i drurit u trashëgua në traditën popullore brez pas brezi që nga Pellazgët të cilët gjithashtu besonin në këtë lloj kulti, p.sh.. në tempu¬llin e Dodonës pellazge ekzistonte kulti i lisit. – Dryadat, nymfat e pyje¬ve, Besimi ndaj kultit të drurit vazhdoi edhe më vonë siç është “Rrapi shekullor i Ballaban Pashës” në Krujë i cili konsiderohet si pjesë e jetës së banorëve të këtij qyteti, apo “Rrapi i mashkullores” në Korçë.

Si i tillë, ky kult ka arritur deri në ditët tona dhe thellë është mbjellë në vetëdijen e njerëzve. Ky portretizim i prof.Ajetit me epitetin e “rrapit shekullor” nuk është i rastit sepse ai portretizohej me epitetet më të larta të mundshme, si: mësues i mësuesve, dijetar, prijatar, shkencëtar, bard, doajen e klasiku i albanistikës, arushan, babaxhanë, kurrizdrejt, patriark i albanistikës, Nestor, Lis i Madh, e të tjera epitete që mund t‘i shkojnë vetëm një personaliteti si ky.

Psikologët nuk shohin asgjë të keqe në besimet e tilla. P.sh. kancelari gjerman Oto fon Bizmark përherë e përqafonte drurin e tij të dëshiruar dhe në këtë mënyrë e ripërtërinte fuqinë e tij, dy autorët në fjalë duke përqafuar opusin krijues e shkencor të Idriz Ajetit, e ripërtërijnë forcën e tyre në fushën e studimeve albanologjike. Ashtu i shpërfytyruar siç është, ky rrap që mban aq histori brenda, duket sikur metafo¬ri¬kisht shpalos dhe shpërfytyrimin e historisë sonë nëpërmjet studimeve të prof. Idriz Ajetit, si në mënyrën e të rrëfyerit, ashtu dhe në atë të hulumtimit, studimit dhe përkujde¬sjes ndaj gjuhës shqipe, si memorie e kombit

Rrjedhimisht, kjo vepёr e radhёs sё autorëve nё fjalё shtrihet nё afёr 305 faqe, tё sistemuar nё disa njёsi tё pavarura nga njëra-tjetra, qёllimisht tё komponuara pёr lexues tё prirë, por edhe tё vullnetshёm qё tё futen nё botёn e madhe tё shkencës gjuhësore që me dekada e ka krijuar prof. Ajeti. Nga ajo qё ofron ky libёr perceptojmё se objektivi i autorëve ёshtё qё në prag të 100 vjetorit të lindjes së profesor Idriz Ajetit bashkuan shkrimet e tyre në një vëllim, duke shprehur kështu edhe një mesazh afrues e bashkues, i cili e shquan biografinë dhe veprën e profesor Ajetit gjatë gjithë jetës së tij.

Veprimtaria shkencore e akademik Idriz Ajetit është e begatë dhe e nduar¬du¬ar¬shme. Ajo ngërthen më vete një korpus të gjerë studimesh: sa nga dia¬le¬kto¬logjia aktuale e historike, po aq edhe nga historia e gjuhës së shkruar, sa nga morfologjia historike e shqipes dhe problemet e diskutu¬e¬shme të saj, po aq edhe nga historia e leksikut, sa nga interferencat e dyan¬shme gjuhësore shqi¬ptaro-sllavojugore, po aq edhe nga onomastika mesjetare, sa nga nor¬mi¬mi i shqipes, po aq edhe nga çështjet e kulturës së gjuhës etj., preokupime këto që kaherë ishin ngulitur në zemrën dhe mendjen e akademikut Idriz Ajeti.

Nga të gjitha këto studime të profesor Idrizit Ajetit do ta veçojmë kontributin në fushën e onomastikës, disiplinë relativisht të re dhe shumë problemore e të ndërlikuar të gjuhësisë, ku siç thotë edhe Begzad Balliu, të huajt (jo të gjithë), me paragjykimet dhe detyrat që kishin marrë (veçanërisht ata sllavë), përpiqeshin e përpiqen edhe sot që përmes objektivitetit shkencor të studimit dhe shpjegimit të onomave të ndryshme (si fosile të paleonto¬lo¬gji¬së njerëzore) të Ilirikut të dikurshëm, të Kosovës së sotme dhe të tërthoreve të tjera të gjeografisë shqiptare, të caktojnë, jo vetëm fatin por edhe shtëpinë tjetër të shqiptarëve. Pikërisht pena e prehtë e klasikut të albanistikës e ballkanistikës Idriz Ajeti i cili u doli përpara Selishqevit, Veigandit, Skokut, Ivan Popoviqit, Atanasije Urosheviqit e të tjerëve studiues të këtij kalibri, për t‘ua bërë me dije se shumë toponime e patronime të këtij nënqielli, të parë nga prizma e tyre janë gabime profesionale. thënë më butë.

Mbështetur në metoda të rrepta dhe objektive shkencore, me prova të pakundërshtueshme tregon të vërtetën dhe lashtësinë e popullit tonë dhe të gjuhës së tij në trojet e veta që i banon sot e ku ka banuar dikur, së paku që nga antikiteti. Po t‘i sjellësh në mend toponimet mesjetare të Malit të Zi, Bosnjë e Hecegovinës dhe të Kosovës, si: Pantalesh, Barzan (Bardhan), Bankeq (nga ban+keq), Butidosi (Bytydosi nga një emër vëllazërie – bythëdosë), Lazorci të rrethit të Kuçit; ose edhe Leshkoviqi, Vjedushi, Bardiqi, Kuçi etj. vërtetojnë shumë lehtë autoktoninë.

Gjurmë tona dhe thërrmija gjuhësore me origjinë shqiptare, thotë profesor Idrizi, vërtetohen edhe nga burime historike, si te këta emra të vjetër vëllazërie të Zetës: Mataguzhët te Podgorica (1335) e te Mahina Bregdetare (1435), Malonshiqët (Malonsi) në Luginën e lumit Zeta , por megjithëkëtë profesori e pranon se ka edhe një numër emrash të krishterë të përbashkët për të dy grupet etnike, si: Nikola, Andreja, Lazar, Gjorgj, Stepan, Dimitër, Petër, Mihal etj., të cilët vështirë dallohen sipas përkatësisë së tyre, ose ka edhe raste ku prindërit mbajnë përzierje emrash shqiptarë, kurse bijtë dhe vëllezërit kanë emra karakteristikë serbë.. I prirë kurdoherë vetëm nga e vërteta shkencore, profesor Idriz Ajeti nuk bën përpjekje që çdo emërtim me çdo kusht ta paraqesë me etimologji të shqipes. Nuk janë të rralla rastet kur prof. I. Ajeti, në trajtimin e çështjeve nga fusha e onomastikës, del edhe jashtë orbitës mbarëshqiptare, duke shprehur kozmopolitizmin e tij në hetimin, shpjegimin ose edhe në mbështetjen e disa mendimeve të drejta, pavarësisht përkatësinë e studiuesit.

Nga pozita e recensuesi qё me pёrgjegjёsi u thellova nё vlerёsimin e kёtij botimi, konstatoj se komponimi i librit ёshtё zhvilluar me mjeshtri tё veçantё. Ndёrsa pesha pragmatike e kёtij stili tё komponimit qёndron nё ofrimin e shansёs qё lexuesi tё pёrqёndrohet nё pjesё qё i pёrshtatet interesit tё tij, dhe pa e humbur logjistikёn e koordinimit tё gjёrave.

Marrë në tërësi, akademik Ajeti ishte dhe mbetet një ndër themelvënësit e arsimit të lartë dhe të shkencës albanologjike në Kosovë, por edhe fanar i shkencës shqiptare në përgjithësi. Ndërsa autorët Begzad Balliu dhe Bahtijar Kryeziu me këtë vepër të rëndësishme shkencore, e pasuruan gjuhësinë tonë në përgjithësi dhe onomastikën shqiptare dhe atë ballkanike në veçanti.

Filed Under: ESSE

VATRA DEKLARATË PËR MEDIAT DHE OPINIONIN PUBLIK

October 22, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” është organizata më e vjetër e shqiptarëve në SHBA. Orientimet tona strategjike si dhe angazhimet tona konsistojnë vetëm në avansimin dhe prosperitetin e interesit nacional për shiptarët kudo që ndodhen.

“VATRA” nuk anon politikisht dhe nuk mbështetë asnjë grupim politik e as grupe tjera interesi por vazhdon të punoj dhe të bashkëpunojë me institucionet e zgjedhura si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin e Tuz dhe Luginën e Preshevës pa asnjë paragjykim politik por vetëm si përfaqësues legjitim të popullit tonë në të gjitha trevat etnike.

I bëjmë me dije opinionit publik se tendencat dhe përpjekjet për manipulim të opinionit nga një medium në Tiranë se qenka organizuar “një tubim online” i njëfar strukture fantome duke keqpërdorur emrin e “VATRËS”, janë përpjekje të zbehta dhe të ulëta të një grupi individësh që ka kohë që kanë humbur rrugën dhe orientimin. Organet legjitime dhe lidershipi i “VATRËS” ka njoftuar me kohë antarësinë dhe opinionin publik se ata individ nuk janë pjesë e organizatës sonë, nuk përfaqësojnë organizatën, madje edhe kanë ndalesa nga organet e drejtësisë sa i takon këtij aspekti.

I bëjmë me dije këtij mediumi se “VATRA” nuk bie nën ndikimin e askujt, të asnjë grupimi politik, grupi të interesit apo mediumi dhe nuk ka forcë që e përkulë lidershipin e organizatës sonë në këtë orientim perëndimor dhe civil. Individëve që nuk janë pjesë e strukturave tona dhe që abuzojnë me emrin dhe logon e “VATRËS” do ju tregojmë vendin me anë të rrugës ligjore ashtu siç kemi vepruar edhe në të kaluarën duke respektuar në plotni Kanunoren tonë dhe legjislacionin në fuqi të shtetit në të cilin veprojmë.

“VATRA” është e të gjithëve, është pasuri dhe vlerë kombëtare, andaj vazhdojmë pa u ndalur me punët e mira dhe angazhimet tona për avansimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”,

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Vatra

Koekzistenca ndërfetare në mendimet dhe praktikën  e dr. Rexhep Bojës 

October 22, 2024 by s p

Elez Osmani/

Të nderuar pjesëmarres te nderuar organizator,fillimisht dëshiroj t’ju pershendes dhe tu uroj per punen e vyer qe jeni duke berë.  

Kumtesen time e emertova “Koeksistenca  ndërfetare në mendimet dhe praktikën  e dr. Rexhep Bojës “, sepse ky terë jetën e pati ketë plotformë.  

Me dr. Rexhep Bojën u njoha kur punonim, si profesorë, në Medresenë e Mesme Alaudin në Prishtinë, në vitet 1985 e tutje. 

Medreseja ishte një mjedis i ri për të, andaj dukej i heshtur, por i qetë, fjalë pak, por serioz në çdo bisedë që bënte. Me nxënës dhe me kolegë ishte i afërt, por përherë i thellë ne mendime. Natyrisht, ne të gjithë arsimtarët, kishim konsideratë për të,  sepse ai ishte i vetmi nga Kosova, në atë kohë, që ishte doktoruar në botën arabe. Përveç kësaj, ai me mënyrën e sjelljes së tij karakteristike të bënte për vete. Mirëpo, kurrë nuk e kisha menduar, se më vonë, do të ishim bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij. Po ashtu, në ato vite, nuk kisha menduar se ai do të ishte Kryetar i BIK-ut, që ishte gjetja me e qëlluar, jo vetëm për atë kohë, por ishte ndër zgjedhjet me të vyera të Bashkësisë Islame të Kosovës,per ete ka meritë te veçantë muftiu i sotem Naim ef.Ternaava

Mund të thuhet prandaj, se ne ruajmë kujtime nga më të ndryshmet, që nuk do të harrohen kurrë, qoshin ato çaste të lumtura, qofshin vështirësi nga më të ndryshmet nëpër të cilat kemi kaluar. Prandaj bashkëpunimi me të, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e të gjithë bashkëpunëtorëve që ka pasur në gjithë veprimtarinë e tij për lirinë dhe bashkëjetesën fetare në Kosovë. Prandaj, të gjithë jemi krenar, që kemi pasur një personalitet aq të përkushtuar dhe aq vizionar për ta udhëhequr BIK-un.  Dhe me gjerë

  Të gjithë kronikët pajtohen, se dr. Rexhep Boja, ishte një veprimtar që tërë jetën ia kishte kushtuar çështjes shqiptare dhe asaj fetare, siç ishin liria e Kosovës dhe demokratizimi i Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe gjendjen e  shqiptarëve në  trojet e tyre të tjera në ish-Jugosllavi, por edhe jetës së shqiptarëve kudo që jetojnë.  

Në veprimtarinë e tij publike dhe fetare, nuk e kanë frikësuar as kërcënimet, as persekutimet, as shpifjet, as egërsia e pushtuesit të kaluar. Me punën e tij, ishte i palodhshëm dhe i palëkundur për të mirën e atdheut dhe fesë. Janë të shumta rastet kur dhunën e kishte mundur me buzëqeshjen e tij  karakteristike, kur despotizmin e kishte mundur me sarkazmin e veçantë të tij, propagandën për pagabueshmërinë e njerëzve të pushtetshëm, e kishte mundur me ironinë e tij intelektuale, ndërsa kokëfortësinë e të tjerëve, e kishte mundur me këmbënguljen për të bërë vepra të mira, kurse injorancën e të tjerëve e kishte mundur me të vërtetën e tij diturore.

Të gjitha këto karakteristika, prandaj, janë pjesë e veprimtarisë së tij, lexuesi i gjen kudo, në intervistat, në shkrimet e tij, gjë që janë kronikë jetësore e autorit 

Dr. Rexhep Boja, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ishte erudit dhe i tillë ka mbetur edhe sot e gjithë ditën. Ishte njohës i mirë i traditës, por ishte edhe popullor.Kishte një karakter te fortë e te pa lëkundur, i mbajtur fortë pas vetedijes fetare e kombëtare,pas principeve morale,i mençur e i urtë,fjalëpak e fjalëmbël i thjeshtë e i komunikueshem,i gjendshem dhe pa bujë ,ky ështe profili njerëzor i dr Rexhep Bojes. Mbi të gjitha, ai ishte vizionar i shkëlqyer. Fatmirësisht, në këtë rrugëtim jetësor në shërbim të vendit, nuk ishte vetëm, ngase njerëzit e mëdhenj shumë rrallë janë vetëm.

Me këtë rast, do të sjellë para jush, disa momente të zgjedhura, nga qëndrimi im,në New York, me të, ngase në qershor të vitit 1999, kemi marrë pjesë në “Konferencën botërore për fe dhe paqe”, me ftesë të dr. Wiliam Vendlit.

Siç mesohet nga Websajti i dr.Vendlit Ky me 1 qershor 1999 i shkruan Z. Kofi Annan Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara

  “Unë ju shkruaj për të sjellë në vëmendjen tuaj  ardhjen Dr. Rexhep Bojës , Myftiut të Bashkësisë Islame në Kosovë  këtë javë në Nju Jork .Ndjeva se Shkëlqesia Juaj do të dëshironte të njihte praninë e tij. Dëshiroja gjithashtu të njohtoj Shkëlqesinë Tënde për një mundësi, , për t’u takuar shkurtimisht me të.këte duhet ta vlerësosh të përshtatshme Pastaj e informon se  Dr. Boja ka qenë një bashkëpunëtor i shquar në punën ndërfetare që Konferenca Botërore për Fenë dhe Paqen (WCRP) kishte iniciuar në Kosovë. Por situata aktuale ushtarake atje e ka ndërprerë tragjikisht këtë punë.

 Megjithatë, WCRP mbetet në kontakt të drejtpërdrejtë me të gjithë udhëheqësit e lartë fetarë nga Kosova dhe homologët e tyre në zona të tjera të Ballkanit. WCRP është duke përgatitur në heshtje rifillimin e aktiviteteve në terren në Kosovë me komunitetet fetare sapo ta lejojnë rrethanat.

Në Nju Jork për një Simpozium  të WCRP për Kosovën, më 2 qershor, orari i mëpasshëm i Dr. Bojës do t’i mundësonte atij një farë fleksibiliteti të enjten ose të premten, 4-5 qershor 1999. Më pas ai do të kthehet në Stamboll, ku ka krijuar një zyrë për Kosovën Bashkësisë Islame.

Para se te fillojnë punimete Konferencës dr. Rexhep Boja ,pati një takim 

Rabain Shnaider,  kryetar (atehere) i sinagogave te New Yorkit.Rabai I shfaqi deshiren e  tij per ta ndertuar njē xhami .Ishim ne prag te nenshkrimit te marreveshjes s e Kumanoves. Pas je muaji Dr.Boja e lejmron Rabain se lokacioni per ndertimin e Xhamise është ne  fshatin  Jabllanicë   – Shqiponjë te Dushkajes.Ata e financuan  e ndertuan dhe e  përuruan se bashku me dr.Bojen ,inaugurimin e sajë.

Pastaj vazhdoi punen në këtë konferencë botërore. Kosovën e përfaqësonin të dy prijësit fetarë, dr. Rexhep Boja dhe Imzot Mark Sopi. E veçanta e qëndrimit të tyre në atë konferencë ishte se ata,me uniforma klerikēsh te ndryshme, të dy rrinin bashkë, dhe  së bashku  i trajtonin të njëjtat probleme madhore të Kosovës, të luftës për liri dhe të fesë, para kolegëve të tyre botërorë.

 Unë do të sjellë para jush, disa pjesë nga intervista e dr. Rexhep Bojës dhënë gazetës Nju Jork Times, botuar më 12 qershor të vitit 1999, ku theksohen çështjet kryesore të Kosovës së atyre ditëve.

Intervista e dr Rexhep Bojës në Nju Jork Times-it

Nëse lexohet me vëmendje intervista e dr. Rexhep Bojës dhenë Nju Jork Times-it, që në vitin 1999, kur atje ishim, disa ditë para dhe disa ditë pasi të nënshkruhej Marrëveshja e Kumanovës, është e udhës të theksohen disa çështje interesante që, përveç të tjerash, shpalojnë edhe përkushtimin atdhetar dhe fetar të dr. Rexhep Bojës.

Së pari, ai nuk e fsheh faktin se edhe shtëpia e tij në Prishtinë ishte djegur, kurse familjarët  e tij  , ishin maltretuar dhe pastaj, pasi ju ishte marrë çdo gjë, ishin nxjerrë në kolonën e madhe të të dëbuarve dhe ishin përcjellë nën tyta armësh deri te stacioni i trenit që të dëboheshin nga Kosova. Por, ai kërkon që kjo çështje e familjes së tij, të mos bëhej sensacion përmes shtypit të kohës, ngase kështu i kishte ndodhur gjithë popullit shqiptar të Kosovës. ..  

po aty Ai nuk e pranon me fakte përshtypjen e përhapur, se historia e Ballkanit nuk është gjë tjetër veçse një kronikë e luftës fetare.  Në Kosovë, është krejt e kundërta, tha ai: tre komunitete fetare–myslimane, ortodokse dhe katolike romake–bashkëjetuan prej kohësh në mënyrë paqësore…

Më tutje, ai duke folur për Bashkësinë Islame të Kosovës, për të cilën flet se po ashtu është rrënuar, tregon edhe veprimtarinë e saj për jetën e përditshme dhe për rolin arsimor që kishte Bashkësia gjatë gjithë kohës së pushtimit serb.

Një e dhënë tjetër interesante është edhe qëndrimi që shpalos në Nju Jork për mos pjesëmarrjen e priftërinjve ortodoks nga Kosova në Konferencën Botërore të fesë dhe Paqes. Duke folur për qëndrimin e tyre, duke mos e dënuar gjenocidin ndaj shqiptarëve nga pushteti dhe populli serb, ai gjen një lloj arsyetimi se ata ishin nën diktatin e pushtetit, që ishte i ngjashëm me pushtetet komuniste, andaj një fjalët e tyre kundër mund t’i kushtonte me jetë.

 … Ai kishte vizituar refugjatët në Fort Dix, N. J., dhe po ashtu e dinte se së shpejti do të këshillonte familjet, që të mësonin, se jo vetëm për shtëpitë dhe mjetet e jetesës së shkatërruar, por edhe për djemtë e vrarë dhe për vajzat e përdhunuara.

Ajo që dukej se ishte konstante, megjithatë, ishte bindja e tij se me ndihmën e “kombeve të qytetëruara”–së pari ndër to, Shtetet e Bashkuara, në sytë e tij një model i pluralizmit fetar–rindërtimi dhe toleranca mund të kapërcejnë rrënimet dhe hakmarrjen…”

Këto janë vetëm disa nga çështjet që dr. Rexhep Boja i kishte bërë publike, që në vitin 1999 në gazetën Nju Jork Times. 

Kësodore vizioni i tij atdhetar, si dhe njohuritë e tij për të ardhmen e Kosovës, edhe pas gjithë asaj lufte shkatërrimtare, mbështetej te faktori i aleancave me shtetet që kishin dhënë shumë për lirinë e Kosovës, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Elez Osmnai 

Prishtine 18-19 tetor 2024

Two men sitting at a table with flags

Description automatically generated
A person standing at a podium with a microphone

Description automatically generated

Filed Under: Fejton

Nga krijimtaria letrare e arbëreshëve të Italisë…

October 22, 2024 by s p

Ornela Radovicka/

“Rrënojat” nga  poetesha arbëreshe Giusi Mara Puglia.

Sot sjellim poeteshën më të re nga Piana degli albanesi\ Hora e Arbëreshëve, arbëreshen Giusi Maria Puglia 

Giusi  është vetëm 24 vjeç, por arti i saj i kalon caqet   enjë poezie të “ Kufizuar- etno tradizionale”dhe prek hapsirat.. Vargu i saj është një vektor mbi hulumtimin e një arsyeje, strofa manifeston fraktura dhe grimca  te mendimit racional, ku  investohet gjendja  e thellë, intime e ndjenjës në  një kërkim të një limiti  por që shfaqet gjithmonë pafundësia. Ajo, lundron midis  “pjesëz” dhe “të tërës”, midis “të plotës dhe asaj që është e “gjymtuar”. Një autoanaliza, ekuivalencë midis  njohjes  dhe të panjohurës.

Mospërputhjet emocionale hapen herë pas here, duke krijuar një dikotomi mes arsyes dhe ndjenjës. Kadencat  e saj në  kohë, në hapsire, të shtrirë me të  tashmen, herë e mëshiruar dhe herë apstarkte kryqëzohen,  dhe e  vetmja kadencë që përjeton është  “ fluturimi” një lloji kamelonti, i pasigurt, i papërcaktuar. 

Këto rrënoja, copëza kështjella në atë atë tokë Siciliane, shfaqen  janë pjezëza kubizmi,  herë thërmija që frymojnë, pjesë organike dhe inorganike statike si ato pikturat e Escher por që metamorfozohen  në lëvizje,  duke iu  dhënë kështu gramatikën  e formave sensibile atyre rrënojave ,të  mbështetura në  “Kohën- fizike”  por edhe në irreale, ku  apostofohet  çasti,  pjesë e së cilës edhe njeriu kontemporean.  

Në poezinë e saj,  autorja Giusi Maria Puglia nis me  tingujt e pa deshifruar të cilat  notojnë në hapsirat e mbrëmjeve ndërsa  ujrat  nga maja e Pezzutës, rrjedhin si ujvarë. Aty  pijnë ujë Perënditë dhe  tellësinë e atyre shkëmbijëve  Zanat Mesdhetare të gjalla e njerëzore  me flokët e zeza,  mbajnë ndezur zjarrin  përvëlues që lëshon  aromën familiare.(Jemi këtu në këto troje që prej 600 vjetësh.  Arbëresh na thonë, e identitetin gjallë mbajmë.)  Autoria mishëron vargjet  e qëndrojnë  spazme dëshire, të cilat  e  shtyjnë  si vektor dhe ajo  lëvis  normale  në anormalitetin  e një realiteti  që  herë  ndihet dinjitoze dhe herë si një “ e marrë” pa limit, po formë definitive, një sierenetë në hapsirë.  

Jeta dhe vdekja, pjesë e asaj egistenzialismi të lidhura, por edhe dhe të ndara, dhe autorja ecën në atë udhëtim të “ Nullo” por e edhe e të mbrekulluar. Herë e gjallë, e veshur me frikën, tensionin, pasionin,  dëshiron pak vëmendje në këtë botë gjithmonë mes njerëzve por më tepër se kurrë të ndjerë  të vetmuar. 

Vozit në një  ralitet, edhe pse dëshiron të jetë jashtë saj ,por në lëvizjet e saj  kupton që Ti nuk je në “grembo” të saj,  por  kupton që bota qëndron në  gjoksin tënd,  dhe fillon të ndihesh  peshën e saj. 

Në vargjet e Giusit çdo gjë është në lëvizje, e vetme “pikë fikse” është “ Biri ”,  pjesë e atij trupi të nxehtë, pikë që fryhet, aq sa shkëputet në levizjen e Universit dhe asgjë nuk është statike.  As ajo pjezës e dalë prej teje kthehet në një fragment, dikur jotja nesër pjesë e një globi.. 

Në këtë botë ku i marri  dhe i drejti janë në të njëjtën meridjan. Në këtë kozmo ku lumenjtë rrjedhin nën shtratet e vetvrasjeve, dhe shpërthejnë degë të reja ndërsa  Ti,  qënia njerëzore,  lëvron nën magmën  e saj. Lirohesh nga ajo argjilë e përjetshme. Sytë gjithë rërë. Vishesh me gjelbërimin, kërkon një fotosintesë, sytë  trupin e kthen nga dielli, shikimi shkon drejt qiellit, në atë  “ Pafundësi” dhe  oskurriteti, i  zhytur në anjostikën më të madhe, të atyre thermijave universale,  mbërthyer në aksiomëm më të panohurën: Unë Kush jam? (Sartre  fuggire dal orrore). Gjoksi gulçon si në sakson harmonik, e  brinjët mbledhin “ Mbrekullinë” qiellore. 

Shtëpia e  autores nuk është në det, por në atë vend edhe sierenat dalin nga malet, e rrëzë atyre maleve është Hora e saj, Hora e Arbërshëve ardhur nga Oriente, Perësndia e saj janë Malet ku ata ngritën kultet e besimit.  Hap dritaren e zhyete në atë kaltërsi, ka frikë që mos të përpihet,  sepse ajo është “ Hiçi por është edhe  tërësia” 

Universi i saj është Puhiza por edhe tufani. Ai kozmo që e rrethon, ka gojë,  ka sy,  ecën, komunikon.

 Një egisencializëm,  “me thërmija”, gurët shekullorë të atyre kështjellave në rrënoja,  e pjesë  trupash, shpirtrash që lundrojnë  në konfuzionin e tyre  ku stehoen por edhe largohen, pjesëmarrër  në  krijimin e një tjetër  fosile që kurrë nuk ka egzistuar.  

 Vargu i saj udhëton në   një intinerar plot me zigzake, lakuriq në mbasditen e djelltë, por  me një imazh “Austero”. 

Dromzat e rrënojave, kanë sindromën e “ të Sapolindurit” i cili vjen në jetë duke qare,  dhe në jetë  zhytet në vorbëllën e vazhdimësisë ciklike , si forma ciliindrike të rrënojave, të cilat janë atje reziliente dhe rezistente ku eksponenti “ Kohë”  iu jep trajtë. Gjuha më e njohur e botës “ Fragmenti”,  dromza jete,  , thonj të lyera, tango e valle, dhëmbet e bardh e të drejtë, fjalë të gri dhe injote, hije, e  varre  për tu përgatitur.  

Gjuha më e njohur e botës, mbushur plot me frikë. Qartësinë e saj nuk kupton,  nuk arrin të kuptosh nëse ai është ujk apo një qen, edhe pse mund të jesh në një ditë plot  dielli.  

Qëndron si Mumie, bosh, vetëm me kockat në trup, në heshtjen e një qetësie të pandryshueshmërisë,  ku koha i  fton,  por që lehtë lehtë i kafshon. Thërmija, rrënoja, pjesëza, forma amorfe, një nocion njerëzor i bërë prej koncepte por i përbërë nga imazhe dhe ndjesi ku emerge një konflikt interior, në kërkim të të tërës, në kufirin mes racionales dhe jo razionales  duke  bërë të  atë të aftë të shohë dhe të dëgjojë gjëra që njeriu racional nuk i bën dhe nuk i  kap. 

Egzistenzialimi i saj është  edhe ajo “ veze kozmike”, ku e verdha  e saj si diell e dy hemisferat, simboli i krijesës. Autorja vozit në një kozmë plot me rrathë në misterin e pashuar,në ditë me diell e me shi, ku shikon netët me hënë në evolucionin e saj. Edhe ajo nuk është përfekte. Herë si një drapër, herë si në presje dhe herë si një diell. 

Në qendër të Universit,  gruaja në me feminilitetin e saj  të bymehur. Shënjëtore dhe mëkatare, në mekatin e kohës, në këtë univers të mungesës  esencës  së egzistinëcës.  

Strofat e saj autorja  i mbyll me atë filosofi ku synonte së pari të kuptonte ekzistencën, një egzistencë, si thëmijat, pjesëza,  herë fizike dhe herë surrealistike, ku shpesh i gjejmë në formën e artit. Ato thërrmija që shpesh syri nuk i kap, por shpirti  i artit di të rrëmbeje, dhe ju jep, forma dhe jetë. 

Nga ana artistike  poesia ka një varg të lirë, grimca hermetike që  na zhytin  në tema filozofike  dhe shpesh na çon e na kujton  egzistecializmin e Sartre, apo mendimin filozofik të Heidegger,Edgar Allan Poe Nietzsche, Baudelaire, Poe , si edhe në ato vepra artistike surrealiste. 

Dy fjalë mbi autoren: 

Giusi Maria Puglia, është një poeteshë në moshë të re. Ajo  ka lindur më 20 maj 2000 në Palermo, dhe i përket komunitetit arbëresh të Hora e Arbëreshëve. 

Shkollën e mesme e kreu në Shkollën e Arteve Katalanase në Palermo. Rregjistrohet në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Pas dy vitesh e gjysmë braktisë qytetin e madh dhe kthehet në Siçili ku Vazhdon studimet . Trajnimi i saj varion nga teatri në artin bashkëkohor. 

Ajo  ishte pjesë e një rezidence artistike të krijuar mbi kërkimin dhe përdorimin e poezisë në performancë

bashkëkohor dhe ishte anëtare i kolektiveve të ndryshme letrare e artistike.

Shkruan për redaksi të ndryshme, ka redaktuar një libër investigativ dhe kryesisht merret me

të shkruarit.

“Dei Ruderi” u botua nga Affiori, një gjurmë e shtëpisë botuese Giulio Perrone Editore, në

2024.

Përgatiti recensionin 

Ornela Radovicka  drejtuese e

Qëndra albanologjike kërkime mbi gjiuhën dhe kulturën arbërshe, Themeluar nga At Bbellusc 1980.   

C:\Users\iljas\Downloads\Immagine JPEG.jpeg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20241021-WA0007.jpg

Filed Under: ESSE

NJË ARTIST ARGJENDAR SHQIPTAR  I SUKSESSHËM NË SHBA

October 22, 2024 by s p

Kristaq BALLI

22154275_1819047631442230_2477756115395150639_n+.png

Dardha

Në fillim të shekullit  XX Dardha e Korçës ishte zmadhuar, transformuar e zhvilluar  në mënyrë progresive nga pikpamja urbano-arkitektonike, demografike, ekonomike e sociale, duke u shndrruar në DARDHA + 1890+.jpg

një qendër progresi urban. Falë disa veçorive origjinale e specifike të një komuniteti banorësh që me punën, pasionin, dashurinë për vendlindjen e tyre, me vetëdijën dhe adrenalinën e lartë për punën brenda fshatit (i cili po i shterrte si pakuptuar edhe ato pak resurse bujqësore e blektorale mbijetese), por edhe jashtë tij, fillimisht në emigracion sezonal në disa vende të Ballkanit e më tej më masivisht në ShBA, si dhe për fat të disa hireve e prioriteteve të lakmueshme  gjeo-klimaterike, turistike, historike  dhe për mënyrën e organizimit të jetesës “qytetare” familjare, shpirtërore, etnokulturore shumë të dallueshme e të emancipuar,  kjo qytezë në kontekst me kohën, përbënte edhe një pikë reference të  zhvillimit  dhe shkëmbimeve tregtare e zejtare, madje edhe kulturore, jo vetëm brenda kufijve dhe banorëve të saj, por edhe më tej, në rajonin përreth, sepse aty ofroheshin jo vetëm produkte jetësore, por edhe shërbime të tjera zejtarie si ato që lidheshin me përpunimin dhe prodhimin e tekstileve të leshta (dërstila, batane), rrobaqepësi,  me përpunimin e drurit e mobiljeve,  shërbimeve metalike (teneqexhinj, kovaçana), këpucarëve, orëndreqësve, kujunxhijve (argjendar), kasapëve, furxhinjve, dyqaneve të ndryshme mallrash me pakicë, e veçmas mjedise e lokale të atraksionit  turistik si fotografë,  hotele, kafene, restorante, ëmbëltore të vendosura në vende me pamje piktoreske e që tërhiqnin shumë vizitorë nga Korça e zonat përreth. 

Duke përmendur kostumin e grave dardhare (xibunin), i cili, midis të tjerash përmban edhe disa aksesorë të dukshëm e të bukur argjendi e ari (pafta, zinxhirë, varëse gjoksi, vathë, etj.), disa prej të cilëve bliheshin të gatshëm e disa prodhoheshin në Dardhë, kemi në dorë një burim të besueshëm që të krijojmë imazhin e një argjendari të famshëm dardhar, i cili ka punuar në SHBA dhe që, sipas burimeve të sigurta  ka shkuar aty nga Dardha  si një emigrant dhe  i përkiste një familjeje argjendarësh dardharë. Një personazh i ri interesant dhe një dritare e re për Dardhën por e rëndësishme edhe për shqiptarët.HARTA 1.jpg

Jeta

Emri i tij është Stavre Panis (version zyrtar i amerikanizuar pas migrimit) po thjesht Stavri Pani, i biri i Grigor (Ligor) Panit nga Dardha  dhe Dhoksi Karamelos nga Sinica , pra një familje e njohur  dhe rezidente edhe sot në ShBA , Dardhë e Sinicë, familje që na lidh me dy figura të shquara patriotësh të thekur të shqiptarizmës, babë e bir  Josif Pani – aktivistin dhe gazetarin e flaktë ndaj çështjes shqiptare   dhe Vasil Pani – dy herë kryetar  Federatës Panshqiptare”Vatra” (1929 dhe 1935) në ShBA . 

STAVRE PANIS.pngStavre Panis ka lindur në vitin 1889 dhe e ka kaluar fëmijërinë e  adolshencën në vendlindje duke u praktikuar dhe përfituar nga mjeshtëria e argjendarisë e tre brezave të tij  familjarë, e cila, falë edhe prirjeve të Stavres do ta shoqëronte edhe atë gjatë gjithë jetës së tij të mëtejshme, madje duke e kultivuar si një artist artizan të afirmuar edhe në shoqërinë e argjendarëve të Bostonit, Mass.,  në ShBA.

 Pra, në vitin 1905 kur ai ishte vetëm 16 vjeç,  si shumë burra e vërsnikë të tjerë dardharë, ai emigroi në Amerikë dhe u vendos në Boston. Pas disa vitesh punësh të ndryshme dhe mësimit të gjuhës angleze, më 1909 ai vendosi të hapë një punishte për prodhimin e stolive prej argjendi, pra të vijojë njëheresh traditën mjeshtërore  të familjes së vet në Dardhë qysh prej stërgjyshit të tij. Prodhimet e para të të kësaj punishteje ndiqnin teknikat, modelet dhe stilin tradicional të babait të vet, pra me kallëp ose derdhje, por ato evoluan konform kërkesave, konkurrencës,  shijeve e porosive të klientëve të rinj, pra nëpërjet përpunimit artizanal me stilin e shpimit dhe axhustimit artizanal,   çka influencoi në shtimin dhe gamën e llojeve e stileve të stolive të çmuara, duke rritur edhe prestigjin artistik të artit dhe biznesit të vet. Më 1911 ai natyralizohet si qytetar amerikan dhe gjatë Luftës I Botërore  shërben në forcat ushtarake amerikane, në Batalionin 71 të artilerisë fushore që vepronte në Francë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak ai kthehet në Boston për të vijuar mjeshtërinë e tij të argjendarit. 

Scan_20170625 ++.png Fatmirësisht, mbi të dhënat biografike e të veprimtarisë së tij të gjatë si mjeshtër e artist argjendar, ekzistojnë disa dokumente të rëndësishëm autentikë, të  trashëguar deri në ditët e sotme, ashtu si edhe shumë foto të punimeve të tij me logon identifikuese  të ateljesë së tij të stampuar në pjesën e prapme të tyre. Dokumenti më esencial na vjen si kortezi e organizatës “SMP Silver Salon Forums and their registered member, Chicagosilver” (Forumet e Sallonit të Argjendit SMP dhe anëtarëve të regjistruar, e njohur si Chicagosilver), e cila i referohet gjerësisht një artikulli shkruar nga fotogazetarja dhe shkrimtarja Kathy Sharp Frisbee i botuar në “Cape Cod Life” rreth vitit 1995 në formën e një tregimi që bashkëshortja e Stavre Panit, Gladys (në moshën 95 vjeçare) i ka rrëfyer asaj. (Affirmation and Rediscovery a Centennial Exhibition and Sale)

Midis të tjerash, nëpërmjet kësaj interviste mësojmë se Stavre Panis, pas rikthimit në Boston ka ndjekur studimet në Normal Art School (Shkolla Normale e Artit), sot “The Massachusetts College of Art” (Kolegji i Artit të Massachusetts), ku ai ka takuar dhe është njohur me shoqen e klasës Gladys Hamilton (familja e saj jetonte në Swanville, Maine),  e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij në vitin 1927. Kjo martesë do të hapte një kapitull të ri në rritjen dhe perfeksionimin e mjeshtërisë së përbashkët të argjendarisë dhe bizhuterisë, pasi ata të dy plotësuan njeri-tjetrin në realizimin e stolive artistike prej argjendi. Gladys ishte e  talentuar në kompozimin e e dizajneve dhe monogramave të objekteve, fantazinë, talentin dhe intuitën e  një procesi të domosdoshëm paraprak që paraprinte suksesin artistik e estetik, ndërkohë që Stavres zotëronte shkathtësinë dhe mjeshtërinë  në materializimin e tyre praktik. Të dy së bashku menaxhuan biznesin e tyre të Bostonit, duke e shndrruar atë në një studio me diapazon të gjerë krijues, të njohur  e të preferuar jo vetëm nga klientët e tyre porositës, por edhe nga ekspozita, panaire, muzeume e galeri koleksionistësh të objekteve dekorative. Sipas  Znj. Frisbee, gjatë viteve të punës së çiftit Panis në Boston, ata ftoheshin çdo vit për të ekspozuar punën  e tyre artistike në ekspozitën e Shoqërisë së Arteve dhe Zejeve, Boston, një shoqëri prestigjioze arti, “e cila ishte vendi i vetëm publik që ata zgjodhën të ekspozojnë veprat e tyre të karierës së përbashkët”. Gjithashtu Stavre Panis ishte anëtar i regjistruar si “argjendar” dhe “artizan” i këtij forumi  qysh në vitin 1925.

Scan_20170605 (8).jpgNë vitin 1932 Stavre  dhe Gladys u larguan nga Bostoni dhe u vendosën më në Jug, buzëoqeanit Atlantik,  në  Falmouth të Cape Cod. Sipas intervistës së Znj. Frisbee, Stavre e njihte mirë këtë mjedis të bukur, ndërsa për Gladys ai ishte një vend i panjohur, për të cilin ajo ndjeu, siç do ta shprehte më vonë: “Unë, githmonë, ndjehesha këtu  më e frymëzuar se në çdo vend tjetër…motivet e oqeanit dhe kopshtarisë më jepnin kënaqësinë më të madhe” (nga intervista me Kathy Sharp Frisbee, 1995). Në fakt, vendimi per t’u zhvendosur në Cape Cod ishte një ftesë e Znj. Wilfred  Wheeler nga Hatchville, e cila kishte blerë një karficë prej tyre, të cilën djali i saj e kishte porositur si dhuratë për ditëlindjen e nënës së tij.

10-0453-panis_mark_IMG_0868__1_120.png Veprimtaria e artizanëve argjendarë artistë Stavre dhe Gladys Panis do të vijonte në mënyrë unikale e  të suksesshme për disa dekada dhe jo vetëm do të kënaqte porositësit e klientët nga një rajon i gjerë, por do t’i jepte edhe qytezës së tyre vlera të një larmie më atraktive turistike e traditash zejtarie artistike bizhuterie shumë të preferuara në atë kohë, por edhe respekti të ndërsjellë human e qytetar, pasi çifti Panis ishin nga natyra e karakteri njerëz që, veç artit e biznesit të tyre familjar, kishin pasion e dëshirë që t’i kushtonin qytetit të tyre kontributin dhe  një fizionomi më humane, qytetarie e bukurie rikrijuese,  për t’i dhënë më shumë larmi e diversitet kulturor e turistik qytetit të tyre, ku edhe natyra ishte treguar bujare. Prandaj, Stavre dhe Gladys do të mbeteshin personazhe influentë, gjurmët e të cilëve kanë mbetur edhe sot në komunitetin ku ata kaluan jetën. 

Në vitin 1969, Stavre Panis pësoi një aksident të rëndë dhe pas disa vitesh komplikacionesh shëndetsore, ai ndërroi jetë më 1974, në moshën 85 vjeçare, kur ai ende punonte. Pra, veç 15 viteve të punës vetiake në Boston,  puna e përbashkët e çiftit Panis ka zgjatur rreth 45 vjet.

Sidoqoftë, studioja e tyre nuk u mbyll. Edhe pse ata nuk patën fëmijë, që të trashëgonin mjeshtërinë e tyre, gruaja e tij Gladys punësoi në vitin 1991 një argjendar tjetër ekzekutues, Mike O’Donnell, me të cilin ajo vijoi edhe thuajse një dekadë, pas së cilës ajo vdiq në vitin 2001, në  moshën  101 vjeçare. Në njoftimin e vdekjes dhe funeralit të saj nga Chapman Cole & Gleason Funeral Homes & Cremation, dt. 10.11.2001 shpallet se “Gladys (Hamilton) Panis, 101 vjeç, një artizane dhe argjendare shumë e njohur ndërroi jetë më 14 Tetor në Falmouth. Ajo ishte e veja e të ndjerit Stavre Gregor Panis. Të dhëna të tjera biografike na vijnë edhe nga një dokument tjetër “Affirmation and Rediscovery a Centennial Exhibition and Sale, p.34” dhe sigurisht edhe nga të afëm të tij familjarë që jetojnë në ShBA. 

Krijimtaria

10-0453-panis_cameo_IMG_5374_4_120_lite (1).jpgTë 50 vitet e përvojës së përbashkët në fushën artizane të bizhuterisë, si dhe të gjinive të tjera të zejtarisë utilitare me argjend, apo metale e materiale të tjera të çmuara përbëjnë një bilanc të pasur të prodhimtarisë, të llojshmërisë, por edhe të cilësive të admirueshme të veprave të tyre, po të konsiderosh edhe faktin që çdo objekt është unik, është artistik në llojin e vet, pasi nuk është fabrikuar, kopjuar e shumëfishuar, por është prodhuar me dorë, i vetëm, autentik, i papërsëritshëm.

Untitled19.png Punimet e bizhuterisë Panis shfaqeshin në treg sipas disa rregullave e normave të miratuara. Nga burime familiare e  mediatike, vlerësohet se numuri i përgjithshëm i objekteve të krijuara nga studioja SGP (Stavre-Gladys Panis) është rreth 3.000. Sipas Frisbee(Intervista) Gladys kishte kataloguar mbi 3.000 vizatime të ndryshme. Gama e llojshmërisë së bizhuve është e gjerë dhe e larmishme. Midis tyre renditen byzylykë (rrathë ose fleksibël), fibula (gilpëra), unaza, vathë, gjerdanë, gushore, kryqe, varëse,  tokëza, butona,  medalionë, objekte në formë insektesh me krahë e pjesë të errëta të oksiduara,  shandanë e kapese qirinjsh,  objekte të emaluara dekorativë, aksesorë të vyer të kompleteve të çajit, lugë e kullore dekorative, pinceta sheqeri,  rrathë pecetash, mbajtëse letrash, ndarëse librash, pjata  të emaluara dhe kripore artistike, tavlla, etj. 

Untitled22.jpg”Fibulat Panis” ishin stolitë e tyre më të famshme. Objektet, përgjithësisht, karakterizohen nga thjeshtësia dhe punohen nga metale, argjendi i pastër, flori, gurë të çmuar,  tunxh, bakër disa herë të ndriçuara thellë, apo të “veshur” me një patinë fisnike. Edhe teknikat e teknologjia e përpunimit të tyre janë origjinale dhe që i dallojnë nga objektet e studiove të tjera. Përdoret së shumti përpunimi mekanik me axhustim, e gjdhendje dhe disa herë stampimi dhe rrahja e saldimi. 

971841c2cce56984f032a8ba386d1273 (1).pngThjeshtësia dhe mënyra e përpunimit të tyre të kujtojnë jo rrallë arkaizmin dhe ekzotizmin antik. Një tipar tjetër i përveçëm i bizhuve të punishtes  Panis është ornamenti dhe motivi i preferuar i tyre që e merr temën kryesisht nga elementët gjeometrikë, florealë ku mbizotërojnë  lulet, hardhia e fruta të ndryshme dhe gjethet përkatëse, nga bota shtazore, zogjtë (pëllumbat), kafshë të tjera shtëpiake (macja, qeni, lepuri), apo biogjallesat detare dhe objektet navalë e oqeanikë (timon anijeje, spirancë, kalë deti, karavidhe, çafkë deti, delfin, yll deti, etj.), të ndërthurura me lidhje biomorfike, vile,  dredhëza e arabeska, të cilat, së bashku, formojnë një unitet të thjeshtë artistik që lidhet me botën e jetës, veçmas me natyrën e larmishme e panoramike e inspiruese të Cape  Cod, ku ata jetonin. Ato kanë një pamje dhe ndjesi mjaft të shprehur. Çdo stoli zhvillohej paraprakisht në një vizatim (projekt), ose në monogramë, kur  bëhej fjalë për simbole, emra, pseudonime, dedikime, shkronja principiale, të cilat i hartonte Gladys. Por, firma e autorësisë së këtyre veprave, siç zakonisht praktikohej nga studio dhe punishte me autoritet profesional e artistik, që përjashtonin anonimatin, apo kopijimin dhe konfirmonin të drejtën e autorit, edhe për atelienë e Stavre dhe Gladys Panis ishte stampa e autorësisë së tyre, në pjesën e prapme të çdo objekti, e cila në rastin e  tyre paraqitej me një monogramë  trekëndësh barabrinjës (me brinjë pak të harkuara) brenda kulmeve të të cilit ishin gdhendur tre shkronja, SGP, pra Stavre-Gladys-Panis. Pranë trekëndëshit  stampohet edhe fjala STERLING (I PASTER), për të garantuar që bizhuja ishte prodhuar me metal fisnik të pastër.

il_570xN.1177731315_8hdd.pngUntitled16.png Pra, duke iu nënështruar të gjitha rregullave dhe konkurrencës  profesionale e artistike të zejtarisë dhe artit të stolive me metale të çmuara, respektimi i të gjitha këtyre kritereve të statutit të Shoqërisë së Arteve dhe Zejeve në Boston, tregon se studioja  Panis ( më tej – SGP) jo vetëm pranonte standardet bashkëkohore të artit të stolive, por me korrektësinë e saj në krijimtari,  prodhimtari e treg kishte autoritetin dhe preferencën e një punishteje të konsoliduar, të mirëpritur e të suksesshme në zejtarinë artistike të bizhuterisë. Kjo është edhe një nga arsyet që objektet e zbukurimit të studios SGP janë shitur (kryesisht direkt si porosi në studio dhe pak në dyqane fundore)   pothuajse në të gjithë shtetet e SHBA-ve, si edhe në 23 vende  të ndryshme të Botës (Online, Chapman Cole & Gleason Funeral Homes & Cremation), madje disa prej tyre janë pronë edhe e muzeve amerikane.

Në gazeta të ndryshme paraqiteshin edhe raklama të posaçme  promovuese për këtë punishte,  në një nga të cilat shkruhet: “S.G.Panis… Mjeshtër zejtarie… Objekti i paraqitur është prodhuar me dorë në këtë dyqan ku mund të gjenden edhe shumë zbukurime të tjera të bukura e karakteristike: meqënëse dyqani ështëi vetmi ikëtij lloji në Cape, ai është i interesuar posaçërisht për kërkuesit e antikave. Këtu mund të gjenden në proces aktual prodhimi bizhu, objekte argjendie bakri të rrahur dhe të emaluara. Një vizitë në këtë dyqan  do të provonte një kënaqësi  të veçantë tek ata që janë të pasionuar nga punimet me dorë. Pronari aktual është mjeshtër  i brezit të katërt nga Shqipëria në  zejtarinë e argjendarisë. Dyqani qëndron hapur gjatë gjithë vitit dhe vizitorët janë përzemërsisht të mirëpritur” 

Willow Dunne saved to Panis Jewelry+++ - Copy.png Vlerësimet pozitive të veprimtarisë zejtaro-artistike të Stavre dhe Gladys Pani kanë bërë të mundur që ata të kenë edhe porosi speciale objektesh  nga organizata shtetërore dhe shoqërore për evenimente te caktuara kortezie. Kështu gazeta “Boston Traveller” në një artikull të dt. 18 Maj 1928, i ribotuar edhe në gazetën “Dielli”, dt 25 Maj1928 shkruan:     

“Aviatorët gjermanë që fluturuan nga Europa në Amerikë me Bremenin, të shtunën e kaluar ishin në Boston, ku u pritën me paradë dhe nderime të mëdha. Lidhja e Ushtarëve ‘American Legion’ me këtë rast i dhuroi tre vizitorëve të shënuar nga një medalje. Është për të vënë re që këto medalje, Shoqëria e Ushtarëve i kish porositur te artisti shqiptar, zoti Stavri Pani, i ungji i zotit Vasil Pani, anëtarit të komisionit të “Vatrës”. Edhe në dy raste të tjera kur “American Legion” dekoroi kolonelin Lindbergh e më vonë kondëradmiralin Byrd me shokë, medaljet ishin porositur te zoti Pani” (Fuat Memelli: Stavri Pani, artist me emër në Amerikë, VOAL, 19  Qershor 2016). Po ashtu Laboratorët Biologjikë të Marinës në Woods Hole porositën tek SGP një palë shandanë që do t’i dhuroheshin perandorit të Japonisë gjatë vizitës së tij më 1976. Për arsye të interesit të madh dhe studimeve  të tij në shkencën detare, Gladys gdhendi një motiv detar në bazën e shandanit që paraqiste një yll deti, gaforre, kalë deti, goce deti, pulëbardhë, anije me vela, të gërshetuara me leshterikë. Për perandoren e Japonisë, ajo vizatoi një fibul me formë kërmilli (një krijesë ku perandori kishte fokusuar studimet e veta), gërshetuar me gjethe deti.” Edhe një fibul ku është paraqitur shkolla e Wods Hole në Cape Cod është një porosi emblematike e atij institucioni.  

0f692ca4fea1d4442e8037e5434fed4d.png Midis krijimtarisë artizano-artistike të punishtes SGP pjesën kryesore e zenë byzylykët, fibulat, unazat, vathët, varëset,  të cilat përfaqësojnë në vetvete vepra të mirëfillta artistike, pasi ato përfshijnë shumë elementë të fantazisë krijuese   kompozicionalë, të përmbajtjes narrative të një fabule të caktuar, të modelimit të paramenduar  ndaj destinacionit estetik, paraqitjes, kombinimit me veshjet dhe aksesorët e tjerë të modës, stilimit figurativ, etj.

Me interes është gjithashtu ekzistenca e një Broshure të rrallë e viteve 1940-1960 e Stavre Gregor Panis mbi Bizhuterine e argjendit dhe bakrit të emaluar. Atë e posedon një koleksionist,  i cili në përshkrimin që i bën asaj (8 Qershor 2015) përmend disa të dhëna, si faktin që ajo është prej letre, në gjendje të mirë e  të pastër, është shkruar në gjuhën anglisht, ka subjekt bizhuterinë që përfaqëson punishten e “artistit të Massachusets Stavre Gregor Panis”, është i formatit të librit të xhepit, me dimensione 13.3cm (5.25”) x 8.9cm(3.5”), me lidhje  të thjeshtë, në ballinën e të cilit shkruhet brenda një rrethimi “S.G.Panis…Mjeshtër zejtar..” dhe brenda saj vijon promovimi i bizhuterisë, argjendit, bakrit të salduar dhe emalimit. Veç këtyre, gjenden edhe drejtimet e punishtes Panis në Falmouth, Massachusets. Brendia e broshurës ka edhe një listë të asortimentit të objekteve  të bizhuterisë, objekteve prej argjendi të pastër, prej bakri, si dhe prej bakri të emaluar  të prodhuara  prej tij. (OnLine: RARE 1940S-1960S STAVRE GREGOR PANIS BROCHURE FOR SILVER JEWELRY & ENAMEL COPPER)

A vintage, sterling , Arts & Crafts, Sailboat brooch pin marked SGP for Stavre Gregor Panis..jpgEdhe pse familja Stavre & Gladys Panis nuk la trashëgimtarë, puna e tyre shumë e gjatë dhe e suksesshme jo vetëm në aspektin personal e profesional, por edhe në funksion të gjallërimit të jetës së qytetit, ku ata jetuan deri në fillim të shekullit XXI, mbeti si një stoli dhe e paharrueshme nga komuniteti i tij. Prandaj ata nuk u harruan, por mbeten qytetarë të nderuar të vendit ku jetuan. Kështu Shoqata 

Historike e Falmouth, Shoqëria dhe Muzeu Historik i Woods Hole dhe organizata komunitare Neighborhood Falmouth kanë organizuar ceremoni  përkujtimore në nderim të jetës dhe veprimtarisësë tyre, të shoqëruara me prezantime shkencore dhe vepra të argjendarëve Panis, ku ata ciësohen si “…argjendarë legjendarë…”, apo  “Panis ishte një zejtar ekselent dhe punimet e tij ishin  të një cilësie shumë të  lartë…” (OnLine: Fun things to do this  weekend on Cape Cod: Celebration of Panis Artisanry).

Stavre Panis mbetet kështu deri në ditët tona i pari artizan argjendar shqiptar i identifikuar nga Dardha,  i ndërkombëtarizuar dhe  me një veprimari të gjerë, një shembull  suksesi  artistik në një fushë ku tradita e zejtarisë shqiptare është e thellë dhe ekstensive.    

■■■■■

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT