• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

LEF NOSI DHE PAVARËSIA E SHQIPËRISË

November 26, 2024 by s p

Prof. dr. Roland Gjini

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

Lef Nosi, lindur në Elbasan në vitin 1877, që në fillimshekullin XX, bëhet tepër aktiv në lëvizjen kombëtare, madje, në momente kyçe, do të luajë rolin e protagonistit, jo vetëm për trevën e Elbasanit, por edhe më gjerë, për krejt trojet shqiptare. Në mënyrë të veçantë u dallua si aktivist politik në lëvizjen atdhetare shqiptare për çlirim kombëtar nga pushtimi osman, në Shpalljen e Pavarësisë dhe në krijimin e shtetit shqiptar në Kuvendin e Vlorës të vitit 1912.

Që herët, Lef Nosi do t`i bashkangjitet idesë së Shqipërisë autonome dhe kërkesës së përgjithshme të muslimanëve e të krishterëve për njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollave kombëtare, si edhe do të japë kontributin e tij financiar për futjen në vend, fshehurazi, të librave, gazetave e broshurave në gjuhën shqipe. Në fillim të viteve 1900, kur, lëvizja kombëtare kishte hyrë në fazën e organizimit të saj në përmasa mbarëshqiptare, Lef Nosi, sikurse edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Faik Konica etj, të vetëdijshëm për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë nga monarkitë fqinje dhe nga qëndrimi i diplomacisë evropiane, përkrahu idenë, e shprehur më parë nga Ismail Qemali në platformën e tij për autonominë e shqiptarëve, se “udha më e drejtë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e përhapjes në popull e shkrimit dhe e këndimit shqip, e dijeve dhe diturisë”. (Hist. e pop. shqiptar, Vëll.II, TOENA, 2002, f. 323)

Në letërkëmbimet e dendura me Aleksandër Xhuvanin, Lef Nosi, shpreh vëmendje të veçantë për problemet e gjuhës dhe të shkollës shqipe, zgjidhjen e të cilëve i shikonte si leva të rëndësishme të ngritjes së nivelit të ndërgjegjes kombëtare, të përparimit të shqiptarëve dhe të bashkimit të tyre politik. Përdorimin e gjuhës shqipe e shihte si domosdoshmëri edhe në kishën ortodokse shqiptare. Kjo ishte arsyeja që në vitin 1908 Noli i shkruan atij nga Amerika se “Ka dy muaj që një prift shqiptar në Amerikë ka marrë lejen të meshojë shqip … Edhe ju e të gjithë ortodoksët e Elbasanit mund të mblidheni e t`i dërgoni një letër Patriarkanës ku t`i kërkoni t`ju dërgojë një dhespot që të dijë shqip dhe t`ju jap leje të meshoni shqip në gjithë kishërat”. (AQSH, Fondi 32, Dosja 55, f. 3)

Në fillim shekullin XX, do të mbështesë lëvizjen për kishën unite, të ndërmarrë në Shpat e Elbasan nga At Germanos, ose Jorgji Theohari. Lefi u dallua si kundërshtar i hapur i ortodoksisë greke, gjithashtu ai arriti të bashkëpunojë me sukses në këtë lëvizje edhe me figura elbasanase të lagjes Kala të përkatësisë fetare muhamedane, si Dervish Bej Biçaku, duke dëshmuar kështu shembullin më të spikatur të harmonisë ndërfetare. Tepër aktiv Lef Nosi do të tregohet në botimin e fjalorit-shqip-greqisht të Konstandin Kristoforidhit. Stefani, i biri i Kristoforidhit, i rënë ngushtë nga ana ekonomike, së bashku me Veniaminin, vëllain e Lefit, do t’ia shesin këtë fjalor autoriteteve greke për 170 franga. Me të rënë në dijeni për këtë veprim, Lef Nosi nguli këmbë për rikthimin e fjalorit. Së bashku me Stefanin ai shkoi në Konsullatën greke në Durrës dhe u kërkoi zyrtarëve grekë ose kthimin e fjalorit, ose realizimin e botimit. Ky veprim i tij, si dhe aktiviteti i mëparshëm politik, shqetësoi edhe autoritetet osmane dhe, në shkurt të vitit 1901, Lef Nosi arrestohet nën akuzën “për faje politike”, nën preteksin se në korrespondencën e tij u gjetën thirrje për kryengritje AQSH, (Fondi 32, Dosja 59, f. 5.) kundër Perandorisë Osmane. Pas 7 muaj qëndrimi në burgun e Elbasanit, në pritje për të dalë në gjyq, ai dërgohet në Selanik. Në burgun e këtij qyteti qëndron edhe 5 muaj të tjerë, deri më 22 shkurt 1902, kur del në gjyq dhe gjykata osmane e Selanikut i jep pafajësinë, për mungesë provash, duke u liruar nga burgu i Jedi Kullës. Ndërkohë që qëndronte në burgun e Selanikut, në Elbasan do të arrestohen dy vëllezërit e tij: Anastasi, anëtar i Këshillit Administrativ të Prefekturës, dhe Veniamini, tregtar, të cilët burgoset nën akuzën për tradhëti dhe intriga, por lirohen edhe këta për mungesë provash, me vendim të gjykatës luftarake të Manastirit. (AQSH, Fondi 32, Dosja 59, f. 5.)

LIDHUR ME FORMËN E QEVERISJES SË SHQIPËRISË

Lidhur me formën e qeverisjes së Shqipërisë, Lef Nosi do të evoluojë që herët nga platforma e autonomisë drejt idesë së pavarësisë. Ai, bashkë me Faik Konicën, ishin ndër të parët veprimtarë politikë të kohës që hodhën idenë për qeverisjen e Shqipërisë si një shtet i pavarur. Këtë ide e shfaqin që në vitin 1907, kur ishin me qëndrim në Londër. Për këtë dëshmojnë qartë dokumenta të AQSH Fondi 32 d. 6, f.1-4, viti 1907. Sipas këtyre dokumentave Lef Nosi, bashkë me Faik Konicën dhe Mikele Parkan, janë pjesëtarë të parë të organizatës politike Ana Kombtare e Shqipërisë (The National Albanian Party), e themeluar në Londër më 4 tetor 1907, e cila ka programin e saj të qartë prej 24 pikash.

Është për t’u vlerësuar fakti se Lef Nosi, si intelektual i kujdesshëm dhe largpamës, mbante rregullisht shënime për ngjarje e dukuri të rëndësishme të kohës. Shpesh shënimet e tij, të ruajtura me kujdes, shërbejnë si burim kryesor historik për studiuesit e sotëm. Në rastin tonë, programi dhe roli i organizatës Ana Kombëtare njihet mirë pikërisht në sajë të shënimeve të tij, të arshivuara në dosjen e lartpërmendur. Në to, Lef Nosi thekson pikat më të rëndësishme të programit, duke i zbërthyer, komentuar e sqaruar ato. (AQSH, F. 32, D. 30, f. 2)  Ndalet fillimisht në 5 pikat më kryesore, të cilat shprehin në mënyrë thelbësore idetë për ngritjen e funksionimin e shtetit të pavarur shqiptar. Që në pikën e parë, shteti i ri shqiptar përcaktohet si i pavarur nga ndonjë fuqi tjetër, ndërsa në pikën 2, ky shtet ideohet në formën e monarkisë, me mbret një princ nga dyert mbretërore të Evropës. Në shënimet e tij, Lefi, del hapur si përkrahës i flaktë i monarkisë, duke sjellë si shembull Norvegjinë, që kaloi nga republika në monarki me mbështjetjen e Europës. Prandaj ai thekson se “Është fat të besojmë se Evropa monarkike do t’na lejojë, në u çlirofshim, të jemi mbretëri më vete. Edhe sikur të duam të jemi ndryshe e të zgjedhim një princ jashtë këtyre dyerve, s’na dëgjojnë fuqitë e mëdha. Ndaj është mirë që gjithë burrat me mendje të pjekur duhet të kuptojnë këtë e mos largohen nga realiteti në ëndërrime e shpresa të kota”. Sa i takon hapësirës gjeografike të shtetit të pavarur shqiptar, në programin e Anës Kombëtare në një pikë më vete jepet përfshirja në fjalën “Shqipëri” të 4 vilajeteve, të Janinës, Shkupit (Kosovës), Manastirit dhe Shkodrës. Në një pikë tjetër të programit përvijohet qëndrimi që do të mbahet ndaj pakicave kombëtare, greke apo sllave, që ndodhen brenda kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. “Sllavëve e grekëve që kanë mbetur në këtë anë të kufirit mund t’u shpërblehet toka nëse duan të ikin, o mund të ndreqen me anë të një komisioni të veçantë me shkëmbimin e tokës dhe gjësë me shqiptarët e mbetur në atë anë të kufirit dhe që duan të zënë vend në mbretërinë shqiptare.” Drejtuesit e Anës Kombëtare në programin e shpallur, në një pikë të veçantë, sigurojnë lirinë dhe barazinë e shtetasve me kombësi jo shqiptare brenda kufijve të shtetit shqiptar: “Të gjithë subjektet e Mbretërisë që s’janë shqiptarë nga gjaku do të gëzojnë të drejta të barabarta me shqiptarët, do t’u sigurohet liria e pasuria.” Nisur nga modeli i shteteve monarkike moderne të Europës, në program shteti i pavarur shqiptar përcaktohet laik: “Mbretëria shqiptare do të rrijë e paanshme në fe e fetë. Çdo feje do i sigurohet lirija sipas kanuneve.” (Po aty). Pikat në vazhdim, të komentuara nga Lef Nosi, paraqesin në mënyrë të detajuar organizimin e Anës Kombëtare, nga qendra (Londra) deri në degët e saj nëpër qytete të ndryshme në Shqipëri. Pika (artikulli) 11 tregon se qendër e organizatës Ana Kombëtare është zgjedhur Londra, ndërsa Lef Nosi argumenton faktin përse pikërisht ajo, duke theksuar se është “… vendi më i mirë nga pikëpamja politike, vend që garanton lirinë e paanësinë. … Grand Britania (GBR) e SHBA, e sidomos Grand Britania, është më afër Shqipërisë. Në Angli u gatua liria e grekëve, bullgarëve e shumë viseve të tjera, është ajo që drejton mendjet e botës, opinionin publik të kombeve të qytetëruara. Pra, Londra duket vendi më i mirë për politikën tonë.” (Po aty).

LIDHUR ME ORGANIZIMIN E ANËS KOMBËTARE

Programi parashikon që anëtarët e secilës degë në qytetet shqiptare do të zgjedhin nga një të parë (kryetar) dhe tre këshilltarë, për çdo tre vjet. Kryetari zgjedh një o më shumë sekretarë. I pari do të ketë tri detyra: a. të përhapë programin e Anës Kombëtare, b. të ndërtojë e drejtojë politikën e jashtme të Anës …, c. të mbajë disiplinën mes anëtarëve të Anës … Ndërsa këshilltarët e sekretari do të ndihmojnë kryetarin e do të kontrollojnë mbledhjen e pagesave.

Programi i Anës Kombëtare, në mënyrën e të hartuarit, nuk ishte formal e as shabllon, ai ishte konkret dhe mbështetej fort në traditën dhe psikologjinë e shqiptarëve. Prandaj në të theksohej se “Parimi themelor … do jetë besa, burrëria, drejtësia e njerëzia. Kryefjala e Anës do të jetë “energji pa shterim””, shkruhet në të.

Lefi Nosi, duke marrë përsipër të sqarojë e komentojë synimet e programit pikë për pikë, mes të tjerash, kundërshton “gojët e liga”, që flasin për përçarjen e qëndrimin e ftohtë të shumë atdhetarëve shqiptarë të dalë nëpër Evropë, në lidhje me çështjen kombëtare. Ai thekson se programi s’është i nevojshëm vetëm për të huajt, por sidomos për shqiptarët që duan të dinë se ku po i çojmë. “… kta shqiptarë duhet të dinë se kur të kërkojnë ndijmën e një vendi të huaj do ndeshen me tre pyetje: “1. Cilin keni udhëheqës? 2. Në emër të kujt flisni? 3. Cili është programi juaj? Pasi njohin programin tonë do të na ndihmojnë jo se jemi komb i vjetër, trim e i nderë, por se kërkojmë gjëra të arsyeshme e të drejta.” Duke i tërhequr vëmendjen elitës shqiptare për bashkim dhe qartësi mendimi, ai jep porosi në lidhje me programimin e lëvizjes kombëtare drejt pavarësisë: “Nëse doni të më bëni që të punoj për ju duhet të më thoni se ç’qëllim keni. Thërrisni të kërkoni ndihmën time në emër të bashkimit, por duhet të më tregoni themelet mbi të cilët më thërrisni ta kërkojmë bashkimin tonë. Këtë e bën programi, që është themeli i çdo bashkimi …” (AQSH, F. 32 d. 6, f. 1-4.)

Duhet të pranojmë që programi i Anës Kombëtare nuk u vlerësua nga një pjesë e mirë e elitës kombëtare, duke ditur lidhjet e saj me Turqinë, domosdo që këta, në këtë kohë, nuk mund të ishin për shkëputje të plotë nga Porta e Lartë. Gjithashtu, në shpërfilljen që pjesa më e madhe e elitës shqiptare i bëri Anës Kombëtare, mund të ketë ndikuar edhe shpresa e tyre nga Lëvizja Xhonturke, që premtoi disa liri, deri në autonomi, për popujt e Perandorisë. Në fakt Lef Nosi, ashtu si Faik Konica, nuk besoi shumë në premtimet e xhonturqve, një arsye më shumë kjo që i shtyu ata drejt idesë së pavarësisë së shqiptarëve. Megjithatë, pranonte edhe vetë Lefi, ndoshta kërkesa drejt pavarësisë mund të jetë e parakohëshme, duke menduar se ende nuk ishin krijuar kushtet e brendshme për zgjidhje radikale, dhe duke shpresuar në ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes shqiptare, ai parapëlqente zgjidhjen e saj me rrugë paqësore. Në këto rrethana, në fillim të vitit 1908, euforia e ideatorëve shqiptarë të Londrës për pavarësi nuk gjeti përkrahje të gjerë dhe Ana Kombëtare nuk arriti të organizohej në viset shqiptare. Po këtë vit, 1908, Lef Nosi u kthye nga Anglia në atdhe.

Mbështetur në burimet dokumentare austriake (AQSH, F. 32, D. 131, f. 4.) rezulton se në Kongresin e Manastirit të nëntorit të vitit 1908 ka marrë pjesë edhe Lef Nosi, megjithese pa të drejtë vote. Më parë ai kishte kërkuar që kongresi i alfabetit të shqipes të mbahej në Elbasan, megjithëse ky propozim nuk u miratua dhe ai nuk u caktua si delegat për në Manastir, ai përsëri shkoi atje, në mbështetje të miratimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres, ai përkrahu fort idenë e Gjergj Fishtës dhe të Ndre Mjedës, që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Gjithashtu, mbajtjen e këtij Kongresi Lef Nosi e shihte si një fillim të organizimit të aktivistëve politikë shqiptarë kundër Perandorisë osmane dhe xhonturqve, që kishin devijuar nga programi i tyre, prandaj në ato kohë ai shkruante se “… me rrugën e re që kish nis Perandoria otomane u pa e nevojshme të mblidhen përfaqësuesit e kombit për të përcaktuar vijën që duhej ndjekur për të mirën e kombit. E strehuar nën hijen e abc-së, Kongresi i Manastirit qe një shkak për bisedime më të larta dhe këmbëza mbi të cilën u mbështet një nga shtyllat e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve”. (Gazeta Lirija, 1909, 3 janar.)

 Pas përfundimit të punimeve të Kongresit do të bëhet një luftëtar i flaktë për mësimin e gjuhës shqipe, sipas alfabetit të aprovuar në këtë kongres. Shkolla e parë shqipe zyrtare hapet në Elbasan në 2 gusht të vitit 1908. Ndërsa një muaj më pas Lef Nosi bashkë me Petër Avramin, Simon Shuteriqin, dhe zonjat Parashqevi e Athina Cicon, në vazhdim të traditës së Konstandin Kristoforidhit, u mësonin nxënësve shkrimin e këndimin e gjuhën shqipe, sipas alfabetit të Manastirit, në shkollën greke në lagjen Kala të këtij qyteti. (Po aty.) Mbështeti iniciativën e klubit “Bashkimi”, për të hapur shkolla të reja shqipe dhe, në tetor të vitit 1908, ai bashkë me Petër Dodbibën ngritën, po në lagjen Kala, një shkollë shqipe nate. Në këtë shkollë përveç Lefit e Petrit jepnin mësim, vullnetarisht, njerëz me arsim si Fot Papajani, Dhimitër Deliana, Josif Haxhimima apo Matthe Papajani. Këtu mësimet ndiqeshin nga më tepër se 80 nxënës “që po mësojnë me shumë zell”, shkruante Lef Nosi në gazetën “Lirija”.[1] Gjatë kësaj kohe, në dyqanin e tij, krahas mallrave të tjera, shiste edhe libra shqip; madje në një kënd të dyqanit kishte krijuar një bibliotekë personale, ku mbante “jo vetëm shumë libra shqip, -siç shkruante Mit`hat Frashëri- por edhe mjaft të tjerë në gjuhë inglisht, italisht dhe të tjerë. Kështu, dyqani bëhej vend i disa djelmoshave që kuvendojnë për gjëra mësimi” (Gazeta Lirija, 19 shëndre 1909, f. 3.).


 

Filed Under: Kronike

Prokurori i posaçëm Smith mbyll çështjet kundër Trump

November 26, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

WASHINGTON – Prokurori i posaçëm Jack Smith u largua nga dy çështje penale kundër Donald Trump të hënën, duke pranuar se kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do të përjashtojë përpjekjet për ta ndjekur penalisht atë në mënyrë federale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara ose përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Vendimi ishte i pashmangshëm, pasi politika e gjatë e Departamentit të Drejtësisë thotë se presidentët në detyrë nuk mund të përballen me ndjekje penale. Megjithatë, ishte ende një finale e rëndësishme për një kapitull të paprecedent në historinë politike dhe të zbatimit të ligjit, pasi zyrtarët federalë u përpoqën të mbanin përgjegjës një ish-president ndërkohë që ai po konkurronte njëkohësisht për një mandat tjetër.

Trump del padiskutim fitimtar, pasi ka vonuar me sukses hetimet përmes manovrave ligjore dhe më pas ka fituar rizgjedhjen, pavarësisht akuzave që i përshkruan veprimet e tij si një kërcënim për themelet kushtetuese të vendit. “Kam këmbëngulur, kundër të gjitha gjasave, dhe FITOVA”, u gëzua Trump në një postim në Truth Social, uebsajti i tij i mediave sociale.

Ai tha gjithashtu se “këto raste, si të gjitha rastet e tjera nëpër të cilat jam detyruar të kaloj, janë boshe dhe të paligjshme dhe nuk duhej të silleshin kurrë”.

Gjykatësi në çështjen zgjedhore pranoi kërkesën e prokurorëve për shkarkim. Një vendim për çështjen e dokumenteve ishte ende në pritje të hënën në mbrëmje.

Rezultati e bën të qartë se, kur bëhet fjalë për një president dhe akuza penale, asgjë nuk e zëvendëson verdiktin e vetë votuesve. Në dosjet gjyqësore, ekipi i Smith theksoi se masa për t’i dhënë fund ndjekjeve të tyre nuk ishte një pasqyrim i meritës së rasteve, por një njohje e mburojës ligjore që rrethon çdo komandant të përgjithshëm. “Ky ndalim është kategorik dhe nuk ndikon në peshën e krimeve të akuzuara, fuqinë e provës së Qeverisë apo meritat e prokurorisë, pas së cilës Qeveria qëndron plotësisht prapa”, thanë prokurorët në një nga dosjet e tyre.

Ata shkruan se kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë “vë në kundërshtim dy interesa kombëtare themelore dhe bindëse: nga njëra anë, kërkesa e Kushtetutës që Presidenti nuk duhet të ngarkohet në mënyrë të padrejtë në përmbushjen e përgjegjësive të tij me peshë. . . dhe nga ana tjetër, angazhimi i Kombit për shtetin e së drejtës”.

Në këtë situatë, “Kushtetuta kërkon që kjo çështje të pushohet përpara se i pandehuri të inaugurohet”, përfunduan ata.

Ekipi i Smith tha se po linte të paprekura akuza kundër dy të pandehurve në çështjen e dokumenteve të klasifikuara – shërbëtorit të Trump Walt Nauta dhe menaxherit të pronës Mar-a-Lago Carlos De Oliveira – sepse “asnjë parim i imunitetit të përkohshëm nuk zbatohet për ta”.

Steven Cheung, drejtori i ardhshëm i komunikimit i Trump në Shtëpinë e Bardhë, tha se amerikanët “duan një fund të menjëhershëm të armatimit politik të sistemit tonë të drejtësisë dhe ne presim me padurim bashkimin e vendit tonë”.

Trump i ka përshkruar prej kohësh hetimet si të motivuara politikisht dhe ai është zotuar të shkarkojë Smithin sapo të marrë detyrën në janar. Tani ai do të nisë mandatin e tij të dytë i lirë nga kontrolli kriminal nga qeveria që do të drejtojë.

Çështja zgjedhore e sjellë vitin e kaluar u pa dikur si një nga kërcënimet më serioze ligjore me të cilat përballej Trump ndërsa ai u përpoq të rimerrte Shtëpinë e Bardhë. Ai u padit për komplot për të përmbysur humbjen e tij ndaj Joe Biden në vitin 2020, një përpjekje që kulmoi me sulmin e dhunshëm të mbështetësve të tij në Kapitolin e SHBA më 6 janar 2021.

Por çështja ngeci shpejt mes luftimeve ligjore mbi pretendimet gjithëpërfshirëse të Trump për imunitet nga ndjekja penale për aktet që ai ndërmori gjatë kohës që ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Gjykata e Lartë e SHBA-së në korrik vendosi për herë të parë që ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale dhe ia ktheu çështjen gjykatëses së qarkut të SHBA Tanya Chutkan për të përcaktuar se cilat pretendime në aktakuzë, nëse ka, mund të vazhdojnë në gjyq.

Çështja sapo kishte filluar të merrte vrull përsëri në gjykatën e gjyqit në javët para zgjedhjeve të këtij viti. Ekipi i Smith në tetor paraqiti një përmbledhje të gjatë duke paraqitur prova të reja që planifikonte të përdorte kundër tij anë gjyq, duke e akuzuar atë se “u është drejtuar krimeve” në një përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruar për të përmbysur vullnetin e votuesve pasi humbi ndaj Bidenit.

Në pushimin e çështjes, Chutkan pranoi kërkesën e prokurorëve për ta bërë këtë “pa paragjykim”, duke ngritur mundësinë që ata të mund të përpiqeshin të ngrinin akuza kundër Trump kur të përfundojë mandati i tij. Ajo shkroi se “është në përputhje me të kuptuarit e qeverisë se imuniteti që i jepet një presidenti në detyrë është i përkohshëm, që skadon kur ata të lënë detyrën”.

Por një veprim i tillë mund të ndalohet nga statuti i kufizimeve dhe Trump mund të përpiqet gjithashtu të falë veten gjatë kohës që është në detyrë. Rasti i veçantë që përfshin dokumente të klasifikuara ishte parë gjerësisht si ligjërisht i qartë, veçanërisht për shkak se sjellja në fjalë ndodhi pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe humbi kompetencat e presidencës.

Aktakuza përfshinte dhjetëra akuza për krime që e akuzonin atë për grumbullimin e paligjshëm të të dhënave të klasifikuara nga presidenca e tij në pronën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida dhe pengimin e përpjekjeve federale për t’i kthyer ato. Ai është deklaruar i pafajshëm dhe ka mohuar keqbërjen.

Çështja u përplas shpejt nga vonesat, me gjykatësen e qarkut të SHBA-së, Aileen Cannon, e ngadalshme në nxjerrjen e vendimeve – të cilat favorizuan strategjinë e Trump për të shtyrë afatet në të gjitha rastet e tij penale – duke u argëtuar gjithashtu me mocionet dhe argumentet e mbrojtjes që ekspertët thanë se gjyqtarët e tjerë do të kishin hequr dorë pa seanca dëgjimore.

Në maj, ajo anuloi për një kohë të pacaktuar datën e gjyqit mes një sërë çështjesh ligjore të pazgjidhura përpara se ta pushonte çështjen plotësisht dy muaj më vonë. Ekipi i Smith apeloi vendimin, por tani ka hequr dorë nga kjo përpjekje.

Trump u përball me dy ndjekje penale të tjera shtetërore gjatë garës për president. Njëri prej tyre, një rast i Nju Jorkut që përfshin pagesa të parave të heshtura, rezultoi në një dënim për akuzat e krimit të falsifikimit të të dhënave të biznesit. Ishte hera e parë që një ish-president u shpall fajtor për një krim.

Dënimi në atë rast është pezulluar pasi avokatët e Trump përpiqen të heqin dënimin përpara se ai të marrë detyrën, duke argumentuar se lënia e aktgjykimit do të ndërhyjë në tranzicionin dhe detyrat e tij presidenciale.

Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po lufton shkarkimin, por ka treguar se do të ishte e hapur për shtyrjen e dënimit derisa Trump të largohet nga detyra. Bragg, një demokrat, ka thënë se zgjidhja duhet të balancojë detyrimet e presidencës me “shenjtërinë e vendimit të jurisë”.

Trump u padit gjithashtu në Georgia së bashku me 18 të tjerë të akuzuar për pjesëmarrje në një skemë të gjerë për të përmbysur në mënyrë të paligjshme zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 atje.

Çdo gjyq duket i pamundur atje ndërsa Trump mban detyrën. Prokuroria tashmë ishte në pritje pasi një gjykatë apeli ra dakord të shqyrtonte nëse do të hiqte Prokurorin e Qarkut Fulton Fani Willis për marrëdhënien e saj romantike me prokurorin special që ajo kishte punësuar për të udhëhequr çështjen. Katër të pandehur e kanë pranuar fajësinë pasi kanë arritur marrëveshje me prokurorët. Trump dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.

Filed Under: Analiza

SHUHET AGIM DESHNICA, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI

November 26, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli përcjellin ngushëllimet më të dhimbshme për ndarjen nga jeta të patriotit, vatranit, shkrimtarit e atdhetarit Agim Deshnica. Një studiues model, qytetar shembullor, i urtë e vizionar, një aktivist frymëzues dhe kontributor me dekada për çështjen kombëtare, Agim Deshnica la pas një trashëgimi të shkëlqyer atdhetare, letrare e komunitare.

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha në emër të të gjithë vatranëve e gazetës Dielli shpreh keqardhjen për humbjen e patriotit Dishnica, kontributor i madh i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës.

I përjetshëm kujtimi dhe nderimi.

Pushoftë në parajsën e përjetshme Agim Deshnica!

Pritja dhe nderimet zhvillohen në:

Nicholas Funeral Home, ditën e mërkurë, më 27 nëntor, nga ora 10:00 AM deri në 12:00 PM.

Adresa:

187 Middlesex Ave

Wilmington, MA 01887

Ceremonia e lamtumirës do të mbahet menjëherë pas pritjes.

Filed Under: Vatra

Noli, Konica dhe pavarësia

November 26, 2024 by s p

Nga Ilir Ikonomi/

Në nëntor të vitit 1912, ngjarjet në Ballkan po lëviznin me shpejtësi. Shtetet ballkanike i kishin shpallur luftë Perandorisë Osmane dhe ajo po mundej në shumë fronte. Territoret shqiptare ishin në prag të një pushtimi të ri. Më 2 nëntor, Ismail Qemali me një grup atdhetarësh ishte nisur nga Stambolli drejt Shqipërisë për t’i dalë përpara rrezikut. Nuk ishte e qartë nëse ai synonte të shpallte autonominë apo pavarësinë. Pas një ndalese në Bukuresht, ai kishte shkuar në Vjenë për të marrë mbështetjen e Austro-Hungarisë për aktin që përgatitej të ndërmerrte. Plani ishte që të shkonte edhe në Romë, por hoqi dorë. Gazetat austriake bënin thirrje që Shqipëria të ishte e pavarur e jo autonome. Gjatë një takimi të fshehtë që pati në Budapest me ministrin e Jashtëm austriak Leopold von Berthold, ky e inkurajoi të shkonte sa më shpejt në Shqipëri për të shpallur pavarësinë. Kështu Ismail Qemali u nis nga Triestja me anije për në Durrës, ku arriti më 21 nëntor 1912.

Meqenëse lajmet për udhëtimin e Ismail Qemalit ishin konfuze dhe përhapeshin ngadalë, nuk duket që shqiptarët e Bostonit të kishin një ide të qartë për atë që po ndodhte.

Më 23 nëntor 1912, Fan Noli kërkoi në një mbledhje të Vatrës autorizimin për të shkuar në Evropë dhe në Shqipëri si përfaqësues i kolonisë shqiptare të Amerikës. Vatra nuk pranoi dhe ai iku nga mbledhja i zemëruar. Nuk është e qartë se kush e kishte ftuar dhe çfarë do të bënte Noli në Shqipëri, por ishte Konica, Sekretari i Përgjithshëm i Vatrës, ai që ndikoi për të mos ia dhënë lejen. Faik beu donte të shkonte vetë në Evropë. Në rekordet e Vatrës shënimet për këtë mbledhje mungojnë.

Po atë ditë, Noli i shkroi një letër Këshillit të Kishës Ruse në Nju Jork, ku i tregonte se disa shoqëri kombëtare shqiptare në Evropë dhe në Shqipëri, si dhe kolonitë shqiptare të Amerikës kishin vendosur ta dërgonin për të marrë pjesë në një Komitet Kombëtar Shqiptar, që do të përpiqej të siguronte pavarësinë e Shqipërisë, ose të paktën të mos lejonte copëtimin e saj. Noli i kërkonte Kishës Ruse dy muaj leje për udhëtimin e tij. Nuk është e qartë se çfarë ishte ky Komitet Kombëtar Shqiptar. Ka mundësi që fjala të ishte për grupin e shqiptarëve të Rumanisë që ishin takuar me Ismail Qemalin në fillim të nëntorit në Bukuresht dhe po e shoqëronin drejt Shqipërisë me një ndalesë në Vjenë. Në një letër lamtumire, botuar në gazetën Zër’ i Popullit që nxirrte Kristo Floqi në Nju Jork, Noli shkruante se kishte blerë një biletë deri në Vjenë për 100 dollarë (3,150 dollarë sot). Plani i tij ishte të udhëtonte në fillim për në Liverpul të Anglisë dhe, prej andej, në Vjenë. Ndoshta ai donte të bëhej njëri prej burrave që ishin nisur me Ismail Qemalin për të ndryshuar historinë.

Noli drejt Evropës

Them “ndoshta” sepse nuk ekziston ndonjë dokument që ta provojë drejtpërdrejt këtë. As Noli nuk e ka përmendur ndonjëherë, por në letrën për Kishën Ruse ai shkruante se udhëtimi i tij ishte i domosdoshëm, pasi në Evropë do të krijohej përshtypje e mirë nëse në listën e anëtarëve të Komitetit do të ishte emri i një kleriku ortodoks. Bashkangjitur letrës ishte edhe një shkresë, me të cilën Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit e emëronte Nolin “delegat të kolonive shqiptare orthodokse të Amerikës, për të ndihmuar Komitetin Kombëtar të Shqipërisë, në përpjekjet për të siguruar pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë”.

Noli do të udhëtonte me Atë Naum Ceren dhe të dy kishin bërë fushatë nëpër kisha për të mbledhur fonde, por në minutën e fundit u vendos që At Cereja të mos shkonte, sepse komuniteti ortodoks u ishte lutur që të mos e linin kishën shqipe pa prift. U vendos që Cereja të nisej më vonë. Gazeta Zër’ i Popullit raportonte kështu: “Më 26 nëntor shkoi me vaporin Mauretania për të shetitur oborret evropiane si delegat i shqiptarëve t’Amerikës, miku ynë, i përndershmi Atë Fan Noli. Shqiptarët e Nju Jorkut e pritën dhe e përcollën bukur e i ndihmuan sa mundën si atdhetarë të vërtetë”.

Gazeta Dielli i uroi Nolit udhë të mbarë, por shkruante se nuk e dinte destinacionin e tij, pasi ai kishte ikur pa u marrë vesh me njeri në Boston. Duket se midis Nolit dhe Konicës kishte patur një hatërmbetje, që do të riparohej disa muaj më vonë.

Pavarësia dhe problemi i Princit

Më 28 nëntor 1912, kur Noli sapo ishte nisur për në Evropë dhe ishte ende në anijen Mauretania, Ismail Qemali, i cili nga Triestja e Austrisë kishte arritur në fillim në Durrës dhe pastaj në Vlorë, e shpalli Shqipërinë të pavarur dhe ngriti atje një qeveri të përkohshme të kryesuar prej tij. Noli arriti në portin e Liverpulit të Anglisë rreth datës 3 dhjetor dhe lajmëroi Kristo Floqin nga anija se do të nisej për në Austri, sipas planit. Mirëpo, pas zbritjes në Angli ai duhet të ketë mësuar nga gazetat se Shqipëria ishte shpallur e pavarur, prandaj udhëtimi për në Austri nuk kishte më kuptim. Noli vendosi të shkojë në Londër.

Lajmi i shpalljes së pavarësisë u prit me gëzim kudo në qarqet shqiptare. U mbajtën festime dhe konferenca, u dërguan telegrame urimi drejt Vlorës. Shumë shpejt nisi të diskutohej çështja se kush do të ishte sundimtari i ardhshëm i Shqipërisë. U hodh ideja që në fron të vihej Princ Fuadi nga dinastia e shqiptarit Muhamed Ali të Egjiptit. Më 1 dhjetor Konica mblodhi Komisionin e Vatrës, i cili ra dakord se zgjedhja e një princi mysliman do t’i sillte shumë dëm Shqipërisë. U vendos të dërgoheshin dy telegrame, njëri në Vlorë dhe tjetri në Egjipt, për të kundërshtuar këtë ide.

Në mesazhin dërguar Vlorës, Konica uronte qeverinë e përkohshme në emër të Vatrës. Telegrami vazhdonte kështu: “Vatra i lutet Kuvendit të mos pranojë një princ mysliman. Mos e bëni shtetin shqiptar si Khiva, Bukhara, Afganistani dhe Tunizia. Ideali ynë është një Shqipëri evropiane si Norvegjia, Danimarka, Holanda e Belgjika; prandaj këshillojmë me forcë zgjedhjen e një princi të denjë evropian nga një familje mbretërore, që do të sjellë në Shqipëri traditat dhe kulturën perëndimore. I nënshkruari u lutet sidomos anëtarëve myslimanë të Kuvendit që ta provojnë patriotizmin e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë për Shqipërinë. Nëse veprojmë ndryshe, do të bënim një gabim të pakorrigjueshëm”.

Më 8 dhjetor, kryetarët e degëve të Vatrës u thirrën për një mbledhje të pazakontë në Naomi Hall të Bostonit, ku u vendos që të dërgohej në Evropë dhe në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm, Faik Konica. Qëllimi ishte “që të shtronte para Mbledhjes së Kombit dhe njerëzve politikë ca mendime për të zgjedhurit e një dere mbretërore për Fronin e Shqipërisë dhe për të themeluarit e Konstitucjes (Kushtetutës)”. Konicës iu dhanë 500 dollarë nga arka e Vatrës për udhëtimin (rreth 15,800 dollarë sot). Ai u nis nga Bostoni në mes të dhjetorit 1912. Pak ditë para se të nisej Faik beu, The Boston Herald botoi një shkrim, ku thuhej me germa të mëdha se Faik Konica, stërnip i Ali Pashë Tepelenës, aspironte të bëhej kreu i Shqipërisë. Shqiptarët, thuhej aty, besojnë se “vetëm ai, nominalisht mysliman, por i konsideruar indiferent nga pikëpamja fetare, mund të sjellë një koalicion të harmonishëm mes myslimanëve, grekëve (shqiptarëve ortodoksë) dhe katolikëve, që përbëjnë popullsinë e Shqipërisë”. Gazeta botonte një fotografi të madhe të Konicës, ku ai shfaqej serioz e i menduar, me flokët e ndara në mes dhe me sytë që vështronin larg. Vatra nuk e përgënjeshtroi artikullin. Vetëm dy javë më vonë, kur Faik beu ishte rrugës për në Evropë, gazeta botoi një shënim nga Athanas Bodi, ish sekretar i Kishës shqiptare, i cili thoshte se nuk ishte aspak e vërtetë që Konica të qe propozuar për mbret të Shqipërisë.

Noli në Londër

Menjëherë pas arritjes mbërritjes në Londër, Noli i dërgoi një telegram urimi Ismail Qemalit: “Ju përgëzoj për veprën tuaj patriotike. Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i ri!” Shkoi pastaj të vizitojë gazetat e mëdha të Londrës. Në Evening News takoi gazetarin Charles Woods, autor i librit The Danger Zone of Europe (Zona e rrezikshme e Evropës), botim i vitit 1911. Në gazetën Times, njëri nga redaktorët e lajmeve të jashtme e mbajti Nolin rreth një orë duke e pyetur për Shqipërinë. Në gazetën tjetër të njohur, The Daily Graphic, punonte Lucien Wolf, i cili një muaj më parë kishte shkruar një artikull me titull Albania for the Albanians dhe që, sipas Nolit, ishte shqiptarofil.

“Vajta në të gjitha gazetat e këtushme dhe kudo s’dëgjova veç fjalë simpatie për shqiptarët,” i shkruante Noli gazetës Dielli në Boston. “Inglizi i zakonshëm, siç dëgjova me veshët e mi dje në Royal Societies Club, nuk e do fare serbin dhe simpatizon shqiptarin, por për fat të keq di fare pak gjëra për Shqipërinë”.

Lucien Wolf i kërkoi Nolit një shkrim, të cilin ky ia dorëzoi. Artikulli u botua më 12 dhjetor në gazetën The Daily Graphic nën titullin Dëshirat e shqiptarëve dhe pse. Noli shkruante:

“Kundërshtimet e Lidhjes Ballkanike ndaj një Shqipërie të pavarur mund të përmblidhen kështu: 1. Shqiptarët janë thjesht një grumbull fisesh gjysmë barbare. 2. Ata nuk kanë fare ndjenjë kombëtare. 3. Ata janë të paaftë të vetqeverisen. Me një fjalë, argumenti i tyre është se shqiptarët nuk janë më shumë se sa indianët gjysmë të qytetëruar të Evropës. E megjithatë, këta indianë të bardhë të Evropës, sipas shkencëtarëve të pavarur janë raca më e pastër në Ballkan, qoftë si fizik ashtu edhe si moral. Virchowi i shihte ata si një racë superiore, ndërsa H. N. Brailsfordi i ka quajtur supermenët e Niçes. Lord Bajroni pohonte se në Gadishullin Ballkanik, të vetmit që i përgjigjeshin saktë pyetjes së tij se cilës kombësie i përkisnin, ishin shqiptarët tanë. Të gjithë mendonin se i përkisnin njërit prej dy grupeve, të njohur prej tyre si të krishterë dhe myslimanë. Ajo që ne shqiptarët kërkojmë, shkruante Noli, është “thjesht të trajtohemi me drejtësi dhe të na jepet një shans për të treguar se ç’jemi të aftë të bëjmë. Ky shans u është dhënë racave të tjera të Ballkanit dhe nuk duhet të na mohohet as neve”.

Noli i dha një intervistë edhe kryeredaktorit Charles Diamond të gazetës The London Catholic Herald. Intervista u botua në numrin e 21 dhjetorit, kur në Londër bisedimet për fatin e Shqipërisë ishin në vemendjen e të gjithëve.

Diamond e përshkruan Nolin si një mesoburrë i shkurtër e me trup të lidhur, me fytyrë brune e me sy të zgjuar. Mjekra e tij me majë është e krehur mirë, në trup mban një pallto të shkurtër të modës, ndërsa në kokë një kapele mëndafshi; I ngjan më tepër një mjeku të suksesshëm qyteti se sa një prifti ortodoks, shkruante Diamond. Përshtypja e kryeredaktorit ishte se Noli “e fliste anglishten më mirë se sa shumica e anglezëve”. Noli tha në intervistë se çështja shqiptare ishte e një interesi të veçantë për katolikët, meqenëse në veri jetonte një popullatë katolike, ndërsa në jug një përzjerje ortodokse dhe myslimane. Megjithë besimet e ndryshme fetare, tha ai, “shqiptarët janë absolutisht të njëzëshëm në kërkesën e tyre për pavarësi kombëtare”. I pyetur nëse përfaqësuesit e qeverisë së Vlorës të dërguar në Londër do të kishin sukses, Noli u përgjigj se për këtë nuk kishte asnjë dyshim. Ai parashikonte se në Shqipëri do të vendosej një monarki nën një princ ndoshta katolik, sepse në këtë mënyrë shqiptarët do të mund të mbanin kontakt me qytetërimin perëndimor. “Dhe nëse Konfederata Ballkanike nuk bie dakord me kërkesat shqiptare?” – e pyeti Diamond. “Atëherë, do të shpërthejë një luftë e përgjithshme evropiane, sepse Austria nuk do të pranojë kurrë”, – u përgjigj Noli.

Një Shqipëri autonome?

Vërtet Ismail Qemali kishte shpallur pavarësinë në Vlorë, por fuqitë e mëdha ende nuk e kishin thënë fjalën e tyre. Çështja e madhe ishte nëse kjo pavarësi do të njohej ose jo prej tyre. Më 16 dhjetor 1912, në Pallatin e Shën Xhejmsit në Londër u hap Konferenca e Paqes, ku merrnin pjesë Turqia dhe shtetet që kishin pretendime në hartën e re të krijuar pas tërheqjes së saj nga territoret evropiane. Një ditë më vonë, më 17 dhjetor, ambasadorët e gjashtë Fuqive, Britanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë, nënshkruese të Traktatit të Berlinit, u mblodhën në Ministrinë e Jashtme britanike Foreign Office për të zgjidhur problemet që kishin lindur, tani që një luftë evropiane ishte bërë kërcënimi më i madh. Takimet e diplomatëve do të mbaheshin në formën e bisedave informale, me pushime për çaj, në mënyrë që të kishin mundësi t’i shkëmbenin lirisht pikëpamjet. Ambasadorët u porositën që rreth bisedimeve të ruhej sekreti absolut.

Qysh ditën e hapjes, Sekretari i Jashtëm britanik Edward Grey i ftoi të gjithë të trajtonin çështjen e Shqipërisë dhe të daljes së Serbisë në Detin Adriatik. Austria dhe Italia propozonin që Shqipëria të ishte autonome. Grey u ul me ambasadorin francez Paul Cambon në prani të atij austriak, Albert Graf von Mensdorff dhe atij italian, Guglielmo Imperiali. Pas më shumë se tre orë bisedimesh, u ra dakord për formulën që Shqipërisë t’i jepej “autonomi e garantuar dhe e kontrolluar ekskluzivisht nga gjashtë Fuqitë, nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit”. Sipas përshkrimit të ambasadorit francez në Londër, Paul Cambon, “u hap një diskutim mjaft konfuz se si do të organizohej kjo autonomi” dhe u ftua ambasadori i Austrisë dhe i Italisë që të paraqisnin një projekt paraprak. U arrit në vendimin që “Shqipëria autonome të ishte asnjanëse”. Pastaj u kalua në çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik, që u formulua kështu nga ambasadorët: “Serbisë do t’i rezervohet dalje komerciale në një port shqiptar të lirë dhe të neutralizuar, që do të lidhet me një hekurudhë ndërkombëtare nën kontrollin evropian dhe nën ruajtjen e një force speciale, me lirinë e transportimit të çdo lloj malli, duke përfshirë municionet e luftës”.

Konsensusi u arrit shpejt, sepse Fuqitë i kishin bërë përgatitjet qysh më parë. Vjena prej kohe kishte deklaruar se duhej krijuar një shtet shqiptar dhe në këtë vendim kishte mbështetjen e Gjermanisë e të Anglisë. Rusia pranoi, sepse nuk i dukej që kjo të ishte një çështje me ndonjë rëndësi të madhe, aq sa t’ia vlente të hynte në luftë. Edhe në çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik, Rusia kishte bërë një lëshim: Serbisë nuk do t’i jepej territor në Adriatik, siç këmbëngulte ajo, por po i lejohej akses në një port të neutralizuar dhe me anë të një lidhjeje hekurudhore. Ky ishte një kompromis për të kënaqur ministrin britanik Grey, sepse Austria as që dëshironte që Serbia të kishte dalje në një port shqiptar. Vendimi i ditës së parë mund të quhej një fitore për Shqipërinë. Në thelb, ai ishte marrë nga Fuqitë për të shmangur konfliktin e afërt. Çështja tjetër, ajo e kufijve të Shqipërisë autonome, do të diskutohej më vonë.

Lobimi i Fan Nolit

Siç del nga disa letra të Nolit, pak para se të fillonte Konferenca ai trokiti me radhë në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Fuqive në Londër. Gjatë vizitave, tregon ai, “përgëzova përfaqësitë e shteteve mike dhe u bëra të ditur atyre të qeverive kundërshtare se një Shqipëri e lirë ishte nevojë absolute për paqen e Ballkanit”. Në Foreign Office u prit nga një zyrtar me emrin Norman. “Më priti e më përcolli me një fisnikëri dhe buzëqeshje, e cila më thoshte: Më ndje që s’mund t’ju them gjë prej gjëje saktë, por mos kij frikë. Jemi miq të Shqipërisë dhe do të përpiqemi ta çlirojmë,” shkruan Noli. Dhe vazhdon: “Iu luta guvernës inglize të mos lejojë mbytjen e një kombësie në këtë shekull qytetëror, po të ndihmojë për një Shqipëri të lirë, e cila do të jetë e vetmja shiguri për paqen e Ballkanit”.

Në Foreign Office Noli dorëzoi një Memorandum për Sekretarin e Jashtëm Edward Grey, me kërkesën që ajo t’i përcillej Konferencës së Ambasadorëve. “Kemi mësuar, – thuhej në Memorandum, – se në pjesë të ndryshme të Shqipërisë, të pushtuara nga ushtritë greke dhe serbe, është ushtruar trysni mbi shqiptarët ortodoksë, që ata të nënshkruajnë deklarata “entuziaste”, ku detyrohen të mohojnë kombësinë dhe të përshëndesin copëtimin e vendit të tyre. Të gjithë ata që i njohin ndjenjat e popullit shqiptar nga njëra anë dhe metodat serbe e greke nga ana tjetër, e marrin me mend lehtë kuptimin dhe vlerën e vërtetë të deklaratave të tilla”. Noli thotë se e ka fjalën për “disa banorë ortodoksë të Korçës”, që u kishin shkruar ministrave të jashtëm të Fuqive se, “si grekë shqipfolës” kërkonin pushtimin e përhershëm të qytetit të tyre nga Greqia.

Noli argumenton në Memorandum se një deklaratë e tillë nuk mund të ishte e vërtetë, sepse Korça është qyteti ku u hap shkolla e parë shqipe dhe shtypshkronja e parë kombëtare shqiptare, se disa nga udhëheqësit më të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare janë nga Korça, se në Korçë u mbajt mitingu me pjesëmarrjen e 20 mijë vetave, për të kundërshtuar alfabetin me germa arabe. Ai argumenton gjithashtu se përpjekja e parë serioze për të themeluar një Kishë Orthodokse Shqptare, në ndryshim nga Kisha thjesht politike e Patrikanës, nisi në Korçë nga Lidhja Ortodokse Shqiptare.

Ai përmend se gazetat kombëtare dhe shoqëritë shqiptare në Amerikë mbahen kryesisht me kontributet e emigrantëve nga Korça dhe rrethet. Vetëm ky fakt, manifestim i patriotizmit shqiptar në një vend të lirë, shkruan Noli, ia vlen të krahasohet me deklarimet e rreme dhe të detyruara të disa njerëzve, që janë gati të nënshkruajnë çdo gjë nën kërcënimin e bojonetave vrastare.

Në Memorandum, Noli hedh poshtë atë që ai e quan “shpifje greke dhe serbe”, sipas të cilës shqiptarët ortodoksë janë armiqësorë ndaj bashkëvendasve të tyre myslimanë. “Në Shtetet e Bashkuara, ku shqiptarët ortodoksë janë shumicë dërrmuese dhe ata myslimanë një pakicë e papërfillshme, – shkruan ai, – udhëheqësi i tyre, i zgjedhur me votim të lirë, është mysliman (e ka fjalën për Faik Konicën)… Në Shqipëri, çdo mysliman ka ndërgjegjen e të qenët pasardhës i të parëve të krishterë. Për nga shpirti, zakonet dhe traditat, myslimani shqiptar është më i krishterë se ai serb apo grek. Ai nuk ka qenë kurrë fanatik, përveçse në imagjinatën e të huajve jodashamirës ose të keqinformuar”.

Noli dhe Konica qëndruan në Londër deri nga fundi i shkurtit, sepse Vatra u kërkoi të shkonin në Trieste, ku do të mbahej një Kongres që do të mblidhte personalitete të njohura shqiptare për të afirmuar pavarësinë e Shqipërisë.

Fotot:

FOTO 1: Letra e Nolit ku konformon synimin për të shkuar në Vjenë. Botuar në gazetën Zër’ i Popullit të Kristo Floqit më 3 dhjetor 1912.

FOTO 2: Foto e rrallë e Faik Konicës para nisjes për në Evropë në dhjetor 1912. Botuar në gazetën Boston Globe të datës 12 dhjetor 1912.(Botohet për herë të parë).

FOTO 3: Origjinali i shkrimit të Nolit në gazetën e Londrës Daily Graphic, datë 12 dhjetor 1912.

Filed Under: Opinion

BRISHTËSIA E VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË LONDRËS MBI PAVARËSINË E SHQIPËRISË PËRGJATË SHEKULLIT XX

November 25, 2024 by s p

Akademik Beqir Meta/

Pjesa e parë…

Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 29 korrikut 1913, konsiderohet si akti themelor ndërkombëtar i krijimit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Por ky vendim është sfiduar nga rrethanat  historike dhe më së shumti nga vetë vendimmarrësit në atë Konferencë, të gjithë së bashku, në blloqe politiko-ushtarake, ose nga shtete të veçanta.

Vendimi ishte një kompromis i vështirë midis dy Blloqeve të mëdha politiko-ushtarake: Antantës, e cila më së shumti ishte kundër pavarësisë së Shqipërisë, ose për krijimin e një shteti shqiptar tërësisht të reduktuar dhe anemik, i cili do ta kishte të pamundur mbijetesën e tij dhe do të ishte një pre e lehtë për t’u gëlltitur nga fqinjët e tij; dhe Bllokut Trepalësh që përbëhej nga Austro-Hungaria, Italia e Gjermania, të cilat synonin të krijonin një shtet sa më të aftë për të mbijetuar në territoret natyrale që banoheshin tërësisht ose në shumicën dërrmuese nga shqiptarët. Kjo strukturë e Konferencës do të ndikonte jo vetëm në krijimin e një shteti shqiptar të cunguar e të dobët por edhe në efektivitetin dhe soliditetin e këtij akti ndërkombëtar.

Ky akt ndërkombëtar rezultoi i brishtë në disa momente delikate gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

– Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve u sfidua fill pas marrjes së tij. Sfiduesi i parë serioz dhe i rrezikshëm që provoi  se vendimi i Londrës i 29 korrikut 1913 ishte i brishtë ishte Greqia e cila orkestroi dhe realizoi të ashtuquajturën lëvizja “vorio-epirote”. Ajo ishte e detyruar të njihte vendimin e lartpërmendur formalisht dhe të deklaronte tërheqjen e trupave të saj pushtuese nga Shqipëria e Jugut. Por nga ana tjetër, ushtarë të saj, së bashku me bandat e kriminelëve nga Kreta, të maskuar si kryengritës “vorio-epirotë”, sfiduan ushtarakisht shtetin e ri, duke e detyruar qeverinë shqiptare të pranonte të ashtuquajturin Protokolli i Korfuzit, i cili çonte drejt copëtimit të shtetit të ri të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve. Fuqitë e Mëdha, jo vetëm nuk e penguan këtë tragjikomedi, por e sanksionuan atë, madje dhe duke ushtruar presion kundrejt qeverisë shqiptare, dhe duke marrë dhunshëm edhe disa kompetenca të saj nëpërmjet Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK). Gjithashtu KNK ndaloi princ Vidin të dërgonte forca ushtarake në Jug për të shtypur forcat greke të maskuara si “autonomiste”.

– Sigurisht brishtësia u dëshmua më qartë me Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku 4 nga 6 Fuqitë vendimmarrëse në këtë konferencë, nënshkruan asgjësimin dhe copëtimin e mëtejmë të shtetit shqiptar. Kështu u zhvleftësuan plotësisht vendimet e Konferencës së Londrës.

-Pas Fillimit të Luftës Botërore, edhe Austro-Hungaria e cila kishte qenë mbështetësja kryesore e krijimit të shtetit shqiptar,  u fut në negociata me Italinë për copëtimin e Shqipërisë midis tyre, dhe gjithashtu zhvilloi negociata me Greqinë për ta tërhequr në anën e saj, duke i premtuar përfitime në Shqipërinë e Jugut.

    Po kështu veproi dhe Gjermania e cila i premtoi Athinës konstandiniste se do të mbështeste ambiciet e saj territoriale kundrejt Shqipërisë.

– Gjatë Luftës Botërore, dy akte të tjera ndërkombëtare dëshmonin zhvleftësimin e vendimit të vitit 1913 dhe këto ishin deklarata austro-hungareze për autonominë e Shqipërisë nën protektoratin e saj e vitit 1917 dhe deklarata e ngjashme italiane.

– Sfidë madhore ishte mbajtja e ushtrive pushtuese, italiane, serbe dhe franceze brenda territorit të shtetit shqiptar edhe pas përfundimit të Luftës.

– Ndërsa sfida më e madhe, ku u provua qartë se Konferenca e viti 1913 ishte zhvleftësuar, ishte Konferenca e Paqes e viteve 1919-1920, ku Fuqitë e Mëdha fituese të Antantës si dhe fqinjët ballkanikë u sollën sikur kjo konferencë ndërkombëtare gjithëpërfshirëse  të mos kishte ekzistuar. Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha evropiane e vlerësuan si veprim të parakohshëm njohjen ndërkombëtare të pavarësisë dhe krijimit të shteti shqiptar më 1913. Po kështu edhe propozimet e qeverisë amerikane për aneksimin e Vlorës nga Italia, aneksimin e Gjirokastrës, nga Greqia, për protektoratin  italian mbi shtetin e mbetur shqiptar, ishin injorim i vendimeve të vitit 1913.

 Për më tepër, tre fuqitë kryesore evropiane iu përveshën punës për zhbërjen e shtetit shqiptar. Dy marrëveshje të konferencës që fatmirësisht nuk u realizuan, Memorandumi anglo-franko-amerikan i dhjetorit 1919 dhe i ashtuquajturi kompromisi Nitti ose marrëveshja anglo-franko-italiane e 13-14 janarit 1920 cenonin rëndë, madje akti i fundit e zhbënte tërësisht vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Fati i Shqipërisë ishte se Fuqitë fituese dhe aleatët e tyre ballanikë nuk arritën të dakordësohen plotësisht për këto propozime dhe për çështjet e tjera të kontekstit Adriatik. Po ky ishte dhe shansi i rikthimit tek vendimet e vitit 1913. U desh kundërshtimi amerikan kundër copëtimit të plotë të Shqipërisë që shkaktoi këtë ngërç, evoluimi i politikës britanike dhe lufta heroike e shqiptarëve në Vlorë, që të ndryshohej trajektorja zhvleftësuese e vendimeve  të Konferencë së Londrës 1913. Madje edhe pas kësaj, në nëntor 1920 kishte ende dilema.

– Kështu fillimisht Lidhja e Kombeve e hodhi poshtë argumentin e paraqitur nga qeveria shqiptare se shteti shqiptar ishte njohur ndërkombëtarisht de jure dhe de facto nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913. Këtë pozicion ajo do ta ndryshonte vetëm tri javë më vonë, kur Shqipëria do të pranohej në Lidhjen e Kombeve dhe ujdia e vitit 1913 do të konsiderohej e ligjshme.

– Megjithëkëtë u desh një vit tjetër përpjekje, ankthi e debatesh që Fuqitë e Mëdha të rinjihnin shtetin e pavarur shqiptar, përmes vendimit të një konference tjetër ambasadorësh, tashmë në Paris, i cili u dha më 9 nëntor 1921.

Vendimi i vitit 1921 i bëri disa ndryshime vendimit të vitit 1913, ndonëse ruajti thelbin e tij për njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

  • Ai i qethi edhe disa territore të tjera Shqipërisë, duke sfiduar edhe një herë vendimin e vitit 1913.

-Cenoi pavarësinë e saj, duke i njohur Italisë një rol specifik në Shqipëri për mbrojtjen e shtetit shqiptar.

-I vetmi akt pozitiv ishte tejkalimi i kontrollit ndërkombëtar mbi shtetin e ri, pra nuk u rinovua ekzistenca e një Komisioni Ndërkombëtar Kontrolli me atributet e atij të vitit 1913, ndonëse një komision hetimor i LK u dërgua për të ndjekur funksionimin e shtetit të ri dhe zhvillimet politike në vend.

 Nga  ana tjetër, duhet theksuar se vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921 u dëshmua më solid  se ai i vitit 1913. Por edhe ai pati limitet e veta të respektimit, si akt i rëndësishëm ndërkombëtar.

Ky vendim ndikoi pozitivisht për konsolidimin relativ të shtetit shqiptar në vitet 1922-1939, por u dëshmua në disa raste  edhe brishtësia e tij.

Gjatë krizës së brendshme serioze që kaloi Shqipëria në vitet 1922-1924, jo vetëm që Italia sfidoi në fshehtësi vendimin e vitit 1921, duke nxitur destabilizimin e shtetit shqiptar me qëllim që të fitonte pozita politike dhe ekonomike monopol, por pas kryengritjes së Qershorit 1924 dhe destabilitetit të thellë në Shqipëri, edhe Londra shqyrtoi opsionin e rishikimit të vendimit të vitit 1921 pra edhe të vitit 1913.

     Gjatë viteve 1925-1934 Londra u përpoq të amortizonte përpjekjet sfiduese dhe presionet imperialiste të Italisë ndaj Shqipërisë. Pra ajo u përpoq të mbronte legjitimitetin e vendimeve të viteve 1913 dhe 1921. Por pas kësaj kohe, ajo u tërhoq nga kjo politikë dhe toleroi politikën agresive italiane që po i sfidonte ato.

Sfida me madhore ndaj vendimeve të viteve 1913 e 1921 si dhe ndaj ekzistencës së shtetit shqiptar ishte agresioni italian i 7 prillit 1939. Brishtësia  e këtyre vendimeve u shfaq edhe më e qartë kur Britania e Madhe dhe Franca nuk e denoncuan agresionin italian dhe shkeljen flagrante të ligjit ndërkombëtar, e konkretisht të vendimit të Konferencave të Ambasadorëve të viteve 1913 e 1921.

Për më tepër, edhe gjatë luftës, Britania e Madhe që ishte Fuqia më e madhe antifashiste me ndikim në Ballkan dhe Evropë, si dhe arkitektja  e vendimeve të viteve 1913 e 1921, i dhunoi ato. Më 17 dhjetor 1942, ministri i jashtëm britanik deklaroi në parlament se kufijtë e Shqipërisë do të rishikoheshin dhe diskutoheshin pas luftës; se qeveria e tij do të njihte pavarësinë e Shqipërisë, por kjo nuk do të paragjykonte riorganizimet federative ose konfederative që do të bëheshin në Ballkan pas luftës. Pra ishin dy cenime të rëndësishme substanciale të vendimit të vitit 1913 dhe të vitit 1921. Ky qëndrim u shoqërua edhe me disa akte të tjera diskriminuese e sfiduese që cenonin statusin dhe legjitimitetin ndërkombëtar të Shqipërisë të përcaktuar në Konferencat e Ambasadorëve më 1913 dhe 1921: me mosnjohjen e një qeverie shqiptare në ekzil si përfaqësuese e Shqipërisë; mosnjohjen  e statusit të Mbretit Zog njëlloj si homologët e tij ballkanikë; ndalimi më forcë i tij për t’u angazhuar në luftën antifashiste; ndalimi me forcë i tij për aderimin e Shqipërisë në Kartën e Atlantikut dhe në Kombet e Bashkuara; refuzimi i kërkesës së Shqipërisë për të marrë pjesë në Konferencën e San Franciskos dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; përpjekja britanike për të lënë një shteg për diskutimin e kufijve të Shqipërisë, në notën e njohjes së qeverisë së Enver Hoxhës më 1945, e cila u dekurajua nga aleatët e saj amerikanë.

          Pas kësaj ekspozeje mund të shtrohen edhe dy pyetje të tjera: a- Përse ishin të brishta vendimet e Konferencave të Ambasadorëve për Shqipërinë? b- Cilat ishin arsyet që vendimi i vitit 1921 ishte relativisht më i qëndrueshëm se vendimi i vitit 1913?.

Brishtësia e vendimeve të Konferencës së vitit 1913 dhe disi më pak e theksuar e konferencës së vitit 1921 lidhet me një sërë faktorësh të cilët janë të sferës së raporteve ndërkombëtare gjatë shekullit XX, por edhe me faktorë të brendshëm shqiptar, pra me gjendjen politike, arsimore, kulturore dhe shkallën e zhvillimit të kombit shqiptar.

       Shkak themelor ishte fakti se vendimi i vitit 1913 krijoi një shtet liliput, të dobët që shtrihej në më pak se gjysmën e territoreve të banuara tërësisht ose me shumicë nga shqiptarët ( 28 000 nga 75-76 000 km2) dhe përmblidhte rreth 1/3 e popullsisë shqiptare  (700 000 nga rreth 2 milionë banorë). Kjo krijoi një disbalancë të panatyrshme me madhësinë dhe potencialet njerëzore, ekonomike, politike dhe ushtarake të shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë, e Bullgarisë). Gjithashtu ky vendim preu korridoret ekonomike të komunikimit të trojeve shqiptare me Ballkanin dhe kontinentin evropian, si dhe ndau tregjet natyrale shqiptare të zhvilluara gjatë shekujve nga zonat që mbeten brenda shtetit të ri. Pra, thelbi dhe substanca e vendimit të vitit 1913 ishte shkaku kryesor i dobësisë së shtetit shqiptar, por edhe i brishtësisë së vetë këtij vendimi, i cili do të sfidohej shumë herë në të ardhmen.

Për më tepër, duke qenë një vendim tërësisht i padrejtë dhe në dëm të kombit shqiptar, ai do të sfidohej nga të gjitha anët: Do të sfidohej nga fqinjët agresivë të cilët, duke pasur nën sundimin e tyre popullsi të konsiderueshme shqiptare, u interesonte ta dobësonin dhe kontrollonin sa më shumë shtetin shqiptar, madje edhe ta ri copëtonin e zhduknin atë nga faqja e dheut; Do të sfidohej nga Fuqi të Mëdha, (rasti i Italisë, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe rasti i Italisë dhe Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.); Së fundi, do të sfidohej edhe nga vetë shqiptarët, të cilët nuk do të hiqnin dorë kurrë nga e drejta natyrale dhe legjitime për bashkimin e kombit të tyre të copëtuar në dimensione të thella nga më të thellat në Evropë.

      Konferenca e Londrës 1913 u zhvillua në prag të konfliktit të madh botëror dhe të shpërbërjes së “Koncertit Evropian”. Koha provoi se të gjitha palët e konsideruan vendimin e saj të përkohshëm. E. Grey do të deklaronte se ky vendim kishte si synim kryesor të shmangte luftën evropiane. Kështu që, kur ajo filloi, askush nuk u ndje i obliguar ta respektonte më tej atë. Pra, ndonëse pavarësia e Shqipërisë ishte rezultat i një kompromisi të vështirë ndërkombëtar dhe ishte miratuar nga të gjitha Fuqitë Evropiane , ajo do të ishte tepër e brishtë dhe madje fluide.

       Brishtësia e vendimit të vitit 1913 lidhet me ndryshimin drastik të balancës së forcave dhe raporteve ndërkombëtare, pothuajse menjëherë pas marrjes së tij. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, ndryshimet drastike brenda aleancave të kohës dhe konjunktura e re politike që u krijua në përfundim të Luftës, ishin arsye themelore të minimit dhe asgjësimit të këtij vendimi. Me fillimin e Luftës së Madhe të gjitha palët u ndjenë të çliruara nga respektimi i kompromisit të vështirë që kishin arritur në vitin 1913, madje edhe mbështetësit kryesorë të shtetit të ri, Austro-Hungaria dhe Italia. Për më tepër, Italia ndryshoi anë, duke u bashkuar me Antantën  në vitin 1915, çka hodhi tërësisht  në erë vendimin e vitit 1913, pasi një nga kushtet e aderimit të saj ishte pikërisht zhbërja e shtetit shqiptar.

Përfundimi i Luftës dhe fitorja e Antantës ishte një zhvillim negativ që sfidoi hapur vendimin e vitit 1913. Tashmë nuk ekzistonin dy Blloqet dhe arkitektura  ndërkombëtare e paraluftës, e ndërtuar si rezultat i balancave të fuqisë dhe interesave midis tyre, ishte shkërmoqur. Anulimi apo injorimi i vendimit të vitit 1913 ishte njëra nga shtyllat që do tentohej të rrëzohej. Kjo lidhej me faktin se dy Fuqitë kryesore- Britania e Madhe e veçanërisht Franca, kishin qenë në anën e kundërshtuesve të krijimit të shtetit shqiptar. Për më tepër, Italia që tashmë ishte një fqinj fitues, nuk kishte rival të fuqishëm kundërbalancues në Shqipëri siç kishte qenë më parë Austro-Hungaria, prandaj ajo kishte ndryshuar në mënyrë drastike edhe politikën e saj, duke vënë si objektiv revizionimin fondamental të vendimit të vitit 1913.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT