• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Pavarësia e Shqipërisë, H. Vehbi Dibra, dijetar dhe personalitet i shquar mysliman shqiptar

November 29, 2024 by s p

Kongresi xhemi-ati islamie mbledhur ne tirane me 1923 1- Salim Juniku (jurist)

Dr. Genti Kruja/

Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) lindi në Dibër të Madhe me 12.03.1867, në një familje të nderuar, në familjen e Agollëve, të njohur për veprimtari fetare dhe atdhetare, ishte djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuar, Myfti i Dibrës së Madhe.

Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare… Ai zotëronte arabishten dhe osmanishten.

Ai jetoi në një kohë kur akoma ishte e freskët Lidhja e Prizrenit. Ai u frymëzua nga libri “Dhe shkronja” e Sami Frashërit. Qyteti i tij, Dibra e Sipërme, aty nga viti 1900 përfshinte 3 fshatra dhe nuk ishte më pak e dëgjuar se qytetet e tjerë si: Shkupi, Prishtina, Tirana, Korça e Preveza, me një popullsi prej 136.000 banorësh.

Cila është veprimtaria e tij për Shqipëri?

Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit…

Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit…

Në vitin 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, ishte përfaqësues i Dibrës…

Në Qeverinë e Parë të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Pleqësisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë…

Kur Ismail Qemali për ndonjë arsye, mungonte, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte…

Ali Basha-Gjyqi i Nalte i Sheriatit

Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipërisë…

Në vitin 1916, nuk qe e rastit kur ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit…

Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1929.

Gjatë kësaj kohe Komuniteti Mysliman mori ngjyrë kombëtare dhe zgjidhi shumë probleme. Sistemoi të gjitha pronat e vakëfeve, i evidentoi këto me dokumentacionin përkatës të përpiktë, normalizoi shërbimin fetar në qytete e fshatra, realizoi një varg reformash centralizuese, sidomos në drejtim të vartësisë së faltoreve dhe kuadrove, ai hodhi edhe idenë për formulimin e statutit.

Kongresi xhemi-ati islamie mbledhur ne tirane me 19231- Salim Juniku (jurist)

Komuniteti që fitoi njohjen juridike, filloi të botojë revistën e përmuajshme “Zani i Naltë”. Ai ndikoi në hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë. Në këtë mënyrë autoriteti i Komunitetit Mysliman Shqiptar u rrit shumë dhe vendosi lidhje me shumë vende islame. Më 1935 H. Vehbi Dibra shkon për herë të dytë në Qabe, ku u afirmua si një dijetar islam i kohës.

Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë…

Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari.

Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939…

Dibra ishte një nga komentatorët më të shkëlqyer të Kur’anit në gjuhën shqipe. Këto ligjërata të mbajtura në xhami janë botuar në revistën “Zani i Naltë”. Ndërsa në vitin 1993 botohen të plota në Harper Woods, të Detroitit, në shtetin Michigan, SHBA nga Imam Vehbi Ismaili, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani?”

Të gjitha cilësitë e teologut islam përsonifikoheshin te Vehbi Dibra, imam dhe haxhi, kryemyfti dhe kryetar senati, vaiz dhe komentator i Kur’anit. Kryesoi dhe drejtoi për vite me radhë teologët më të shquar shqiptarë. Haxhi Vehbiu, me mendimet e tij të larta e progresive, i ftonte njerëzit ta shfrytëzojnë inteligjencien e tyre.

Në komentin që i bënte Haxhi Vehbiu disa citateve Kur’anore thoshte:

“Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye, me drejtësi…”

Në planin politik te Haxhi Vehbiu gjejmë një propagandist të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut. Në unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë. Ai do të thoshte në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 se “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”. “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.

Vendimi i Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar për zgjedhjen e Kryetarit të parë të KMSH-së pas themelimit më 1923, ku me shumicë votash u zgjodh kryemyftiu i Shqipërisë (1912-1923), H. Vehbi Dibra (1867-1937), detyrë që e mbajti deri më 1929.

Si mendimtar dhe bartës i vizionit të islamit ndër shqiptarët, Haxhi Vehbiu kuptoi qartë problemet dhe vështirësitë para të cilave gjendej Komuniteti Mysliman Shqiptar, të cilin ai e kryesonte. Ai kuptoi se islami në Shqipëri duhej t’i hynte një rruge të re për të vazhduar misionin dhe rolin e tij mirëbërës e civilizues në ndërtimin e të ardhmes së atdheut. Ai theksonte se: “Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë… pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të studiue”. Sipas tij trashëgimia islame e mbetur prej të parëve duhej të bëhej e vazhdueshme në mënyrë që të barazohej me arritjet moderne, “duke i shtyrë kufijtë e diturisë në horizonte me të largëta se ç’kanë parafytyruar teologët dhe dijetarët e parë të trevave tona”.

Sa herë që fatet e Shqipërisë ishin në rrezik, ai frymëzohej nga porosia e Muhammedit (a.s.) “Dashuria për atdheun është pjesë e besimit”.

Gjithë vepra e Vehbi Efendiut mbetet si një mal në fushën e diturisë dhe kulturës sonë teologjike. Të paharruara e frymëzuese mbeten gjithmonë para nesh vetitë e tij të larta e njerëzore: thjeshtësia, ndershmëria, fisnikëria shpirtërore, dashuria për të renë e për të rinjtë, të cilëve u jepte zemër që po të kishin një shkëndijë, të ndiznin zjarr. Kemi besim se brezat e ardhshëm, në vazhdimësi të mësimeve të fesë do të studiojnë gjithnjë e më thellë veprën e shquar të H. Vehbi Dibrës me mirënjohje dhe nderim të thellë.

Mbas vitit 1880, monarkitë fqinje, si Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kërcënonin ekzistencën e shqiptarëve si komb, për të copëtuar trojet e tij të banuara nga shqiptarët. Pikërisht, Vehbi Dibra, duke qenë i ngarkuar me detyrën e Myftiut të Dibrës, i fliste popullit se nderi i atdheut nuk mbrohet vetëm me lutje por edhe me përpjekje dhe sakrifica.

Vehbi Dibra ishte për bashkimin e kombit shqiptar dhe ishte luftëtar i zjarrtë për hapjen e shkollës shqipe me alfabetin e Manastirit. Dhe pikërisht për këtë ai thirri Kongresin e Dibrës (Korrik 1909). Në këtë Kongres morën pjesë 36 delegatë nga të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët si: nga Kosova, Ismail Pashaj, Riza Beu, Rexhep Hoxha Myftiu i Dibrës (vëllai i Vehbi Agollit), nga Elbasani ishin delegatë Aqif Pashë Elbasani, Dervish Beu, Myderriz Ali Efendiu etj. Fillimisht, Kongresi zgjodhi për kryetar të tij, Vehbi Dibrën dhe sekretar: Halit Gjirokastritin dhe Islam Selanikun. Vehbi Dibra mbajti një fjalim të zjarrtë teologjik, e filozofik, falë kulturës së gjerë që kishte dhe si orator i mirëfilltë. Në historinë e Shqipërisë, Vëllimi i II, Tiranë 1984, fillon devijimi, që e konsideron këtë Kongres si xhonturk, gjë që nuk është e vërtetë dhe s’i përgjigjet realitetit! Këtë e bazojmë në diskutimet e delegatëve, si dhe në kujtimet e tyre të lëna me shkrim si, Hafiz Ali Korçës, të Kenan Manastirliut etj. që e hedhin poshtë këtë vlerësim që i bën Historia e Shqipërisë. Po t’i referohemi të vërtetës historike, tonin këtij Kongresi ia dhanë shqiptarët, siç pasqyrohet nga vendimet që mori: -Hapja e shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe. -Ndarja e shkollës nga kisha dhe xhamia. -Zhvillimi i ceremonive fetare në gjuhën shqipe. -Njohja e zakoneve nga pushteti në gjuhën shqipe dhe vendosja e rregullit dhe sistemit në ushtri.

Të gjashtë seancat e Kongresit u kthyen në përpjekje të ashpër dhe kjo u duk në fjalimet e Vehbi Dibrës dhe në fjalimet e një pjese nga delegatët si i: Abdyl Ypit, Rexhat Voka, Haxhi Ali Elbasani etj. Pa mbushur akoma dy vjet nga mbyllja e punimeve të Kongresit,

Midis delegatëve për shpalljen e Pavarësisë (28 Nëntor 1912) u nisën në Vlorë, H. Vehbi Dibra bashkë me Hafiz Sherif Langun. I takon Vehbi Efendiut të nxjerrë fetvanë për shqiponjën e zezë dy krenare në mes fushës së kuqe të flamurit. Në kujdesin e Vlorës 28.XI.1912, ndër vendimet e rëndësishme, ishte edhe ai i krijimit të Senatit (Pleqësisë) prej 18 anëtarësh, Kryetar i së cilës u zgjodh Vehbi Dibra, kurse Ismail Qemali u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme.

Vehbi Dibra për çdo veprim mbështeti Ismail Qemalin. Kur u nis në krye të delegacionit, Ismail Qemali, la në krye të Qeverisë së Përkohshme Vehbi Agollin (Dibrën), i cili nga data 30 mars 1913, për dy muaj rresht kryesoi qeverinë në mbledhjet e saj, madje përballoi lakmitë serbe e malazeze dhe organizoi kryengritje shqiptare në mbrojtje të trojeve, që udhëhiqeshin nga Bajram Curri, Elez Isufi, Hasan Prishtina etj. dhe se mbajtja e tërësisë tokësore mund të bëhet vetëm me armë dhe se kryengritësit patën mbështetjen e qeverisë së përkohshme dhe veçanërisht të Vehbi Dibrës. Këtu le të ndalemi dhe të përmendim fjalët e N. Cirkoveç: “Kryengritja pa ndonjë (fjalë e pakuptueshme) ka mundur ta përgatisë vetë Vehbi Efendiu, nën urdhrin e të cilit janë të gatshëm të ngrihen të gjithë të uriturit! Ai është dhe Shejhul Islami i Shqipërisë. Kryengritja u përhap nga muaji Shtator 1913, por mjerisht kish mungesa në municione dhe armë. (Fjali e pakuptueshme).” Serbët ushtronin terror të paparë. Në lumin Drin nuk shikoje gjë, përveç trupa të pajetë fëmijësh, grash e pleqsh si dhe hi.

Edith Durham këtë terror e përcakton në këtë mënyrë: “Fuqitë e Mëdha po kryejnë një veprim kriminal, duke e shtyrë ardhjen e komisionit të caktimit të kufijve.” Nga ana e tij, Vehbi Dibra e çmonte mjaft rendin, mungesa e të cilit – thoshte ai – sjell anarkinë dhe situata të papëlqyera me të cilat Shqipëria është ndeshur mjaft herë. Vlen të theksohet se pas vitit 1925, Vehbi Dibra i përkushtohet tërësisht punëve të Komunitetit Mysliman dhe u shkëput nga veprimtaria e drejtpërdrejtë politike, sido që deri në frymën e fundit ai pati për moto Fe – Atdhe, këtë binom.

Vehbi Dibra qysh në Marsin e vitit 1920 i drejtohej zyrave të myftinive me një qarkore, tash e tutje të mos përdoren vulat dhe aktet zyrtare në turqisht, por të mbaroni sa më parë një vulë me shqiponjë, duke futur kështu në institucionet fetare simbolin e flamurit tonë kombëtar.

Haxhi Vehbi Dibra u nda nga kjo jetë, kaloi në jetën e vërtetë, me 24 Mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare…[1]

Në fjalën e Imzot Vissarionit, kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mbajtur me rastin e ceremonisë mortore të Haxhi Vehbi Dibrës, shihet vlerësimi maksimal që i bën lideri ortodoks një lideri mysliman, duke e thënë edhe vetë, se mund të jetë ndoshta rasti i vetëm dhe unikal në botë, sidomos për atë kohë, kur një kryeprift mban një ligjëratë në varrimin e një kryehoxhe:

“Haxhi Vehbiun e kam njoftun si nji nga të parët Kryetarë Shpirtnuer, aj qe i pari që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim, po besimin që na kanë lanë të parët, porse kudo, në jetën tonë, jemi vllazën të pandashëm. Unë sot po e thyej pengesën e mosmarrjevet pjesë, nga ana e jonë, në ceremonina të tilla: na jemi vllazën. Myslimanizmi Shqiptar duhet të jete krenar që pati në gjirin e vet burra si i ndjeri: uroj nga zemra që të vazhdojë të ketë të tillë. Aj po ju len juve, shokë të Klerit Mysliman, idealin e tij qe po forcohet dita ditës: Haxhi Vehbiu asht nga ata që i pjellë rrallë koha, Aj tashti prehet i sigurt se misioni i tij atdhetaro-fetar qindron ndër duer të mira si të juejat.

Haxhi Vehbi Efendi Dibra do të mbesi i pa harruem në Historin e zhvillimit të Sbqipnis së Re edhe në pikpamje tjatër: asht i pari Kryetar i fes Muhamedane në Shqipni i cili tue qenë prej origjinit të Shqipnis s’Epërme, respektohesh dhe simpathizohesh si prej Shqiptarve t’Jugut ma të largtë të Shqipnisë ashtu edhe prej atyne të Veriut ma t’ epërmë si të Krishterë edhe Muhamedanë.

Kohnat, në të cilat jetojë dhe sundojë punët e fes Muhamedane ne Shqipni, ishin kohnat e atyne sëmnndjeve shoqnore që kalojnë të gjithë Kombet kur janë formue rishtas si shtet, dhe personalitetet e ndershëm ose prinjësit e Fes ndodhen në pozitë të vështirë shumë, pse fiset ose Bajraktarët e Kombit janë në përpjekjet e tyne me ba për vehte të parin e fesë për me realizue qëllimin e vet. Sa punë e vështirë, sa punë e madhe asht që të qëndrojë i pari i fesë i pa anshëm, por edhe që t’i bajë të gjithë ta nderojnë e ta duan por edhe të gjithë ta ndigjojnë! Lipset të pranojmë se duhet nji dipllomaci dhe politikë e fortë, nji ideal ose dashuri Atdhetarije e madhe, që vetëm feja e ka ose e jep, me mujtë prinjësi i fesë t’jetë dhe të qëndrojë i patundun. Sa i nalt e sa i math ishte edhe në çdo rast prezantimi miku i Ynë i dashtun Haxhi Vehbi Dibra! Kur ecte, kur bisedonte, kur qëndronte në mes të miqëve dhe misafirve i bante të gjithë pa ndryshim feje ta duan e ta respektojnë; nuk bani kurrë dimagogji as rekllamë, por vetëm detyrën e tij Fetaro-Kombëtare si nji Muhamedan i mirë, por edhe si nji Shqiptarë i mirë, si nji fillosof i zoti i punëve shoqnore; jo se ishte miku i jonë personal, por pse ishte edhe nji njeri i tillë, edhe neve e pamë t’arsyeshme me mos u kërsye por me kuxue dbe me çqetsue pak kët mbëledhje të hirëshme me fjalë tona, në kët vend shumë të ndershëm ku prehen eshtnat e të dashtunve t’onë vllezër në kombësi, sa do që për të parën herë ndofta jo vetëm në Shqipni por ndofta edhe në të gjithë botën, për të parën herë flet nji Kryeprift Kristijan Orthodhoks në varrin e nji Kryehoxhe Muhamedan Mysliman».[2]

Referenca:

[1] Për më tepër shih: Xhelili, Qazim, “Vehbi Dibra, personalitet dhe veprimtar i shquar I lëvizjes kombëtare”, Tiranë, 1998.

[2] Zani i Naltë, “Flet Imzot Vissarioni”, nr. 4, Prill 1937:109-111.

Filed Under: Politike

Një dialog i shkurtër etimologjik midis Jani Mingës dhe Antonio Baldaccit

November 29, 2024 by s p

Kriledjan ÇIPA/

Njohja apo informacioni që kemi mbi jetën dhe veprën e figurave të ndryshme të historisë sonë kombëtare, në shumë raste është edhe falë përshkrimeve dhe episodeve të ndryshme që gjejmë tek botimet e studiuesve apo udhëtarëve të huaj, të cilët kanë vizituar vendin tonë në shek. XIX-XX. Shpesh udhëtarët apo personalitetet e huaja, një pjesë të mirë të informacionit profesional mbi historinë apo aspekte të ndryshme të Shqipërisë, i merrnin nga intelektualët vendas. Një metodologji të tillë ka ndjekur edhe botanisti italian Antonio Baldacci, i cili eksploroi për një kohë të gjatë vendin tonë, duke patur si bazë kryesore qytetin e Vlorës.

Baldacci, krahas studimeve dedikuar natyrës së vendit tonë, gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të atij XX ka botuar informacione të pasura me karakter arkeologjik e etnografik. Krahas veprës së tij të famshme “Iitinerari Albanesi”, ai ka shkruar dhe një sërë artikujsh në shtypin e kohës, si dhe studime në formën e artikujve shkencor. Me rëndësi të veçantë është artikulli dedikuar zbarkimit të Jul Çezarit në brigjet e Himarës në këmbët e maleve Keraune (Vetëtimës) në vitin 48 p.Kr, në kuadër të Luftës Civile kundër Gnei Pompeut. Artikulli i botuar në vitin 1917 mban titullin “Divigazioni intorno alla regione di sbarco di Giulio Cezare nell’Acroceraunia, Rivista Marittima, 1917, f. 191-216”. Në këtë artikull ai trajton anën historike, arkeologjike, topografike dhe toponimike të kësaj ngjarjeje historike me rëndësi botërore, e cila zhvillohet edhe në brigjet e Himarës, në zonën e Palasës dhe Dhërmiut.

Ndër toponimitë antike të zonës, ai trajton edhe ngjashmërin e emrit antik të fisit Germini të përmendur në ditarin e Çezarit si terra Germiniorum, me atë aktual të fshatit Dhërmi. Si një argument më shumë në këtë studim etimologjik të emrit antik, ai sjell një studim të Profesor Jani Mingës nga Vlora. Sipas Prof Mingës, emri Dhërmi ka lidhje me emrin antik Germini të përmendur nga Çezari. Sipas tij, rrënja e fjalës është dërmë, që do të thotë terren i pjerrët dhe lidhet me topografinë e fshatit Dhërmi. Gjithashtu, si derivat ai shikon edhe fjalët dërmonj e gërmonj ose edhe gërmadhë. Në këtë mënyrë, rrënjën e emrit antik Prof Minga përpiqet ta gjej tek gjuha shqipe.

Se sa i saktë është nga pikpamja etimologjike studimi i Profesor Jani Mingës, këtë ngelet ta vlerësojnë gjuhëtarët dhe specialistët e fushës, duke marrë parasysh se shkenca e gjuhësisë ishte në embrionet e veta në kohën kur është shkruajtur artikulli i Antonio Baldacci-t.

Ajo që ka rëndësi dhe që bën përshtypje, është dimensioni i panjohur i aktivitetit të patriotëve si Jani Minga. Ai nuk ishte vetëm një mësues i zellshëm dhe përhapës i gjuhës shqipe, por një njohës dhe studiues i saj. Ai nuk ishte vetëm një aktivist, i cili kontribuoi për shpalljen e pavarësisë së shtetit Shqiptar dhe protagonist i shumë ngjarjeve me rëndësi historike përpara e pas saj, por gjithashtu, ishte intelektual i angazhuar me lidhje dhe mardhënie me personalitete të huaj, që e njohën Shqipërinë dhe botuan vepra të shumta rreth saj. Minga, u përpoq të tregojë faktet e historisë tonë, parë nga këndvështrimi i intelektualit vendas, dhe me sa duket zëri i tij pati jehonë. Në këtë këndvështrim, këtë dialog të shkurtër etimologjik midis Jani Mingës dhe Antonio Baldacci-t mendova ta bëj të njohur për lexuesin në këtë përvjetor pavarësie, për të treguar se patriotët tanë kanë një veprimtari me dimension shumë më të gjerë, nga ai që kemi njohur deri më sot. Detyra jonë është ta gjurmojmë, vlerësojmë, studiojmë, evidentojmë dhe promovojmë kontributin e patriotëve tanë në të gjitha dimensionet, si një shembull frymëzimi për ne dhe brezat e ardhshëm.

Filed Under: Fejton

VATRA MIAMI BASHKOI SHQIPTARËT E FLORIDËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 29, 2024 by s p

Sokol Paja/

Fort Lauderdale, Florida, 28 Nëntor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Miami e udhëhequr nga patriotja e shkëlqyer, përfaqësuesja më e denjë e vlerave të nalta kombëtare të femrës shqiptare Dr. Iris Halili, bashkoi shqiptarët e Floridës në festën e Flamurit Kombëtar dhe të 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Me pjesëmarrjen e patriotëve, intelektualëve, diplomatëve, aktivistëve e veprimtarëve të çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës e shqiptarëve të mrekullueshëm nga Florida, New York, Boston, Michigan, Texas, Arizona, California etj festuan me orë të gjata festën më të shenjtë e më të shtrenjtë të kombit e shtetit shqiptar, Pavarësinë.

Dalja nga robëria në liri më 28 Nëntor 1912 shënon kthesën historike të shqiptarëve, përkatësinë dhe orientimin e tyre të përjetshëm në qytetërimin perëndimor. Në këtë ditë të shenjtë të nderimit të firmëtarëve të Pavarësisë, luftëtarëve, heronjve e dëshmorëve të Atdheut, shqiptarët nderuan sakrificat për liri e pavarësi të shqiptarëve në shekuj. Këngëtarja e shquar e muzikës popullore shqiptare Merita Halili pasi këndoi himnin kombëtar shqiptar dhe amerikan, mrekulloi mërgimtarët me këngën emocionale “Moj e bukura more”.

Kryetarja e Vatrës Miami Dr. Iris Halili theksoi se festa e Pavarësisë, 28 Nëntori i Madh, është festa që ka bashkuar dhe vazhdon të bashkojë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë! Më 28 Nëntor 1443, në kalanë e Krujës, Skënderbeu ngriti për herë të parë Flamurin e Kastriotëve, duke rikthyer shpresën e lirisë për Arbërinë. 460 vjet më vonë, në të njëjtën date, u ngrit Flamuri Kombëtar në Vlorë, duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, 112 vjet pas kësaj ngjarjeje madhore, komuniteti shqiptar i Floridës së Jugut, për herë të parë në historinë e tij, e ngriti Flamurin Shqiptar në qiellin e këtij vendi, tha ndër të tjera Dr. Iris Halili. Ajo tregoi për të pranishmit sukseset e Klubit Patriotik “Flas Shqip” dhe theksoi se gjuha shqipe është pasuria më e madhe kombëtare që kemi. Ajo na lidh më shumë se çdo gjë tjetër dhe na identifikon si komb. Është arsyeja që na bën të qëndrojmë krenarë dhe të bashkuar. Prandaj është mision kombëtar ta mbrojmë, ta mësojmë dhe ta përcjellim atë brez pas brezi.

Pas fjalës së rastin Dr. Iris Halili në emër të Vatrës Miami nderoi me mirënjohje familjen Jacoby për ndihmën e jashtëzakonshme në komunitetin shqiptar në Florida dhe Editorin e Diellit për punën e shkëlqyer në shërbim çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Kolosi i diplomacisë shqiptare dhe penëarti i letrave shqipe z.Pëllumb Kulla u shpres se festa e Flamurit Kombëtar është festa më përbashkuese për të gjithë shqiptarët pa dallim politike e feje, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajti dhe veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Marjan Cubi, 42 vite në shërbim të atdheut e komunitetit shqiptar në Amerikë, me kontribute themelore për Kishën Zoja e Shkodrës, Federatën Vatra, e Lidhjen Demokratike të Kosovës në Amerikë.

Fëmijët shqiptarë të Klubit Patriotik “Flas Shqip” mrekulluan të gjithë të pranishmit me një recital këngësh patriotike të mësuara në klasat e gjuhës shqipe.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me mbështetjen për shkollat shqipe në New York, New Jersey, Philadelphia, Florida, Connecticut e Missouri, me flamuj kombëtarë, abetare, libra shqip e gazeta Dielli, i ka bërë një shërbim të vyer kauzës kombëtare e mërgatës shqiptare në SHBA për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë shqiptare dhe identitetit kombëtar.

Askush si Vatra sot nuk nderon e përfaqëson mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke udhëhequr me dinjitet dhe krenari proceset kombëtare dhe veprimtarinë atdhetare e kulturore të komunitetit shqiptar në Amerikë. Shkolla shqipe “Vatra” në Tampa – Florida, “Gjergj Fishta” në Long Island – New York e Klubi Patriotik “Flas Shqip” në Miami përbëjnë sukses për Vatrën, lumturi për komunitetin e krenari për kombin. Nën udhëheqjen e Federatës Vatra e promovimin e gazetës Dielli, mbi 200 fëmijë shqiptarë mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare në Amerikë. Profesoresha e letërsisë Dr. Iris Halili, themeluesja e Klubit Patriotik “Flas Shqip” sot mëson 75 fëmijë shqiptarë në katër klasa shqipe në: Miami, Hollywood, Boca Raton dhe West Palm Beach me mësueset: Liljana Rrumbullaku, Ana Liko, Mirela Lëvonja, duke i dhënë kombit e komunitetit shqiptar një të ardhme të ndritur e të sigurtë identitare kombëtare shqiptare. Investimi patriotik, edukativ e kulturor te fëmijët shqiptarë është investim i pastër kombëtar.

Nën prezantimin e editorit të Diellit, regjinë dhe skenografinë mediatike të z.Nazim Salihut (Noli Tv) dhe tingujt e ëmbël të Merita Halilit, Raif Hysenit, Kino Gara, Ernest Muhaxheri, Sevim Umer, Adrian Arsllan si grup muzikor, mbrëmja e Pavarësisë te Vatra Miami shënoi një sukses dhe krenari kombëtare pasi Vatra historikisht i ka bashkuar, promovuar, integruar e nderuar shqiptarët e Amerikës dhe trojeve etnike. Vatra është aset i çmuar kulturor e shpirtëror. Vatra është nderi i kombit shqiptar, Vatra është krenari kombëtare, është histori e lavdishme, është dinjitet dhe identitet historik kombëtar për çdo shqiptar.

Rroftë Vatra, rroftë Dielli, rroftë Kombi Shqiptar.

Filed Under: Featured

SKËNDERBEU VJEN NË MALËSINË E MADHE: SHQIPTARËT BASHKË SI NË KOHËN E LAVDISHME TË KRYETRIMIT

November 29, 2024 by s p

Gjon Gjokaj/

I madh e i vogël, të qeshur dhe krenar me monumentin e Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Malësinë e Madhe, në këtë pjesë të patjetersueshme të trollit arbëror.

Tuz, 28 Nëntor, 2024

Në praninë e qindra qytetarëve shqiptarë nga diaspora dhe trevat shqiptare, Diaspora Shqiptare e Malësisë së Madhe, në bashkëpunim me Forumin Shqiptar dhe Komunën e Tuzit, ka inauguruar shtatorën e Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Tuz të Malësisë së Madhe. Kjo ceremoni u organizua në nderim të Ditës së 28 Nëntorit, përkatësisht Pavarësisë së Shqipërisë.

Kombi shqiptar u emancipua përmes Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, themeluesit të shtetit shqiptar dhe legjendës madhështore të mbrojtjes së civilizimit evropian!

Historia na mëson se njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë; ata jo vetëm që lanë emër me veprat e tyre ndër shekuj, por lanë një guxim të fortë për brezat që vijnë, duke treguar se si duhet dashur liria dhe atdheu. Pa të, Gjergj Kastriotin, sot nuk do të thirreshim shqiptarë.

Kjo ngjarje e madhe, që përjetësisht do të mbetët iniciativë e shoqatës atdhetare “Malësia e Madhe” – New York, më mbush me krenari të thellë që pata privilegjin të jem ideatori dhe nismëtari parësor i kësaj çeshje. Me krenon fakti qe si nënkryetar, se bashku me kryetarin e shoqatës Malësia e Madhe, Ejllo Berishaj, në vitin 2018 shpalosëm këtë ide para këshillit drejtuas dhe aktivistëve të dalluar të kësaj shoqate, që shtatorja e Gjergj Kastriotit si simbol i pavdekshëm i historisë dhe krenarisë sonë kombëtare të vendosej në qendër të Tuzit, ku u miratua njëzëri. Kërkesa më pas iu drejtua Komunës së Tuzit, dhe pastaj me përkrahjen e kryetarit Nikë Gjeloshaj, mori aprovimin e duhur. Sot, falë bujarisë dhe kontributit të malësorëve të SHBA-së, ne gëzojmë dhe festojmë realizimin e monumentit të Gjergj Kastriotit në Sheshin “Skënderbe” të Tuzit.

Kjo vepër nuk është thjesht një monument, por një simbol i përjetshëm i dashurisë për lirinë dhe përkushtimit ndaj atdheut. Ajo dëshmon për shpirtin bujar dhe të papërkulur të malësorëve, të cilët nuk kursyen asgjë për të çuar përpara këtë çështje madhore kombëtare.

Monumentet dallohen jo vetëm nga përmasat dhe vlerat artistike, por edhe nga vendet ku vendosen! Prandaj, meritat dhe kritikat u takojnë organizatorëve përgjegjës, sepse përgjegjësia për këtë mision është e shenjtë dhe kërkon përkushtim të pandalshëm për ta ruajtur dhe për ta përcjellë këtë trashëgimi brezave të ardhshëm.

“Një komb që nuk nderon rrënjët dhe heronjtë e tij, humb shpirtin dhe drejtimin, dhe me to shkon drejt shuarjes.” Le ta ruajmë këtë monument si një simbol të përhershëm të unitetit, qëndresës dhe krenarisë sonë kombëtare, duke u siguruar që mesazhi i tij të frymëzojë të gjithë shqiptarët, sot dhe përjetë.

Vendosja e shtatores së Gjergj Kastriotit në sheshin e Tuzit është një pasurim identitar për Malësinë dhe është binjak me bustin e Skenderbeut që diaspora e Trieshit në SHBA vendosi vite më parë përballë shkollës fillore Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Triesh, të cilat së bashku do të mbeten përgjithmonë roje kombëtare në Malësinë tonë.

Statuja e Gjergj Kastriotit- Skëndebeu një vepër e derdhur në bronz nga skulptorët Ardian Pepa dhe Dylber Neziri nga Tirana, është dhuratë e diasporës malësore në Amerikë me vlerë prej $180,000!

Kjo arritje, përveç donatorëve, është arritur edhe falë angazhimit të kryetarëve të shoqatave malore në SHBA;

Senad Lulanaj – Malësia e Madhe, Nju Jork

Nrekë Gjolaj – Malësia e Madhe, Miçigen

Sherif Krniq – Malësia, Kaliforni

Agron Dedivanaj – Jehona e Malësisë, Miçigen.

Madhështinë e këtij ceremoniali e shtuan folësit e ndryshëm nga diapora dhe vendlindja, si dhe solistët e ndryshëm nga trevat shqiptare.

Urime Dita e 28 Nëntotrit -Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!

Rroftë Diaspora Shqiptare!

Rroftë Malësia e Madhe!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë liria dhe uniteti shqiptar!

Filed Under: Fejton

Pavarësia, Çlirimi, Kusarët…

November 29, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Paraprakisht, dëshiroj t’ju bashkohem urimeve të mbarë-Shqiptarëve: ‘‘Gëzuar 112 vjetorin e pavarësisë si dhe 80 vjetorin e çlirimit nga nazi-fashistët”. Po ashtu përsëris: “përuljen” për martirët e flijuar në shekuj për pavarësinë dhe çlirimin nga okupatorët, si dhe “nderimin” për luftëtarë e një gjenerate patriotësh që pa dallim feje, bindjesh politike dhe krahine j’u bashkuan fitimtarëve të koalicionit anti-fashist në Luftën e II–të botërore.

Ndërsa 47 vjet (1944 – 1991) ndasitë biografike ishin me pasoja fatale, mbetet shumë e shëmtuar që përleshja politike për datën e çlirimit nga nazifashistët (28 apo 29 Nëntor) vijon edhe në 33 vitet e demokracisë fasadë! Pyetja mbetet fare e thjeshtë: “për axhendën e kujt (?!) çdo fund nëntori riciklohet kjo luftë mes paranojakësh”? Po ashtu është e sigurt edhe përgjigja: “përleshjet, përfshi kurorat/rutinën bollshevike për datën e çlirimit”, kurrësesi nuk i’u kanë shërbyer shqiptarëve dhe as intereave kombëtare.

Fatmirësisht, 33 vjet pas vetë-rrëzimit të regjimit komunist është provuar për këdo (përjashto të sëmurët fatëkeq) që: “beteja si e stalingradit për datën e çlirimit nga nazi-fashistët” nuk ka të bëjë me “nderimin e gjakut të dëshmorëve”, as me respektin për sakrificat e Shqiptarëve!

Në të kundërt, gjatë 33 viteve ky teatër i neveritur, j’u ka shërbyer vetëm interesave të një sekti-politikanësh me kullaro demokratike, ose siç i quan në revoltën poetike i ndjeri Arben Duka: “kopeje e hajdutëve* (titulli), gjysma ngjyrë e Blu, gjysma ngjyrë e Kuqe”, të cilët, mbasi hipotekuan Partitë, i’u vodhën Shqiptarëve pronat, ëndrrat si dhe ardhmërinë Euroatlantike, ndërsa ende përpiqen të mbajnë të frymëzuar ushtritë e nostalgjikëve, militantëve dhe sekserëve në betejat elektorale për të mbajtur apo marrë me çdo çmim pushtetin.

E përsëris se aq sa i merituar nderimi që mbart kjo ngjarje për dëshmorët, po aq e pështirë beteja për Ne, të gjallët: “kryesisht aktorët/pronarët e partive, shtetarët kusarë dhe sekserëve rrotull tyre”. Gjithësesi në vijim gjeni një “paketë me 6 të vërteta/vlera”, që shpresoj t’i bashkojnë shqiptartët rreth datës së çlirimit:

E vërteta nr. 1: përtej “detajeve cinike” për orën, ditën, natën, emrin dhe nr.këpucëve të nazistit që u largua i fundit nga Hani i Hotit: “çlirimi i Shqipërisë nga okupatorët nazi-fashist mbetet një ngjarje e lavdishme në historinë kombëtare”. Thënë këtë, duhet mëshiruar mohuesit edhe shtrembëruesit e luftës N-ÇL, pasi pikësëpari ata/ato minojnë përpjekjet për pajtim kombëtar.

E vërteta nr.2: “Shqipëria e vogël, u rreshtua në koalicionin e madh të fitimtarëve”. E vërtet kjo e konfirmuar edhe nga H.Kissinger: “Shqipëria, ndër të vetmet vende që u çlirua pa prezencën e Ushtrisë së kuqe dhe as të aleatëve perëndimorë”.

E vërteta nr.3: Zgjimi i vetëdijes kombëtare mbi ekzagjerimet bolshevike të LANÇ, çka do të shërbente edhe si falje/pendesë për vrasjet dhe burgosjet ndaj jo vetëm kundërshtarëve politik të pushtetit por edhe mijra bashkëluftëtarëve. A nuk do të ishte shumë cinike të mos përulemi me të njëjtin nderim edhe para mijëra shqiptarëve që dhanë jetën, pasurinë dhe gjithçka për çlirimin dhe e orientimin perëndimor; por u vranë dhe persekutuan brutalisht nga regjimi komunist i para/pas Nëntorit 1944 deri në 1991 ?!

Pa pranuar këtë të vërtetë, pa kërkuar ende falje shtetërore (jo nga kusarë) si dhe pendesë njerëzore për mijëra vrasjet, burgosjet, internimet, etj, pajtimi kombëtar “mes sho-shoshoqit” jo vetëm për datën e çlirimit nga nazi-fashistet do vijojë të mbetet mision i vështirë, në mos i pamundur.

E vërteta nr.4: vendet e vogla si Shqipëria, do vijojnë ta kenë të pamundur të vetë-përcaktojnë fatet gjeopolitike! Si e tillë, edhe çlirimi nga nazi-fashistët dhe rreshtimi në kampin lindor: “as i mitizon, as i shfajëson aktorët politik të kohës”. Kështuqë përtej patriotëve folklorik, do duhet të pranohet urtësisht që kontributi i Shqipërisë ishte gjithësesi modest në fitoren e madhe të luftës së II-të botërore. Shqipëria do ishte çliruar gjithësesi “jo më vonë se 8 Maji 1945”, apo Jo ?

E vërteta nr.5: mbas viteve 1990, në shumicën e vendeve të sunduara nga “stalininizmi”, u aplikua dënimi për krime kundër njërëzimit i “udhëheqësve suprem, anëtarëve të Byrosë Politike, Sigurimit të Shtetit etj”. Ndërsa modeli zhgënjyes i RDSh duke dënuar “për kafe” aktorët/autorët e rregjimit kriminal, ndërsa duke promovuar si funksionarë të lartë shtetërorë, deputet, ministra, etj ish-Hetues dhe Spiunë të regjimit kriminal, mbetet gjithësesi një thik në shpinën e aspiratave demokratike !

E vërteta nr.6: bazuar në arkivat shtetërore, deri në 1947, 28 nëntori është festuar zyrtarisht edhe si datë e çlirimit nga nazifashistët. Kjo konfirmohet edhe nga vetë Enver Hoxha, citoj: “28 Nëntori, dita e flamurit u bë dy herë e shenjtë …”! Kështu duke e njehësuar me festën e çlirimit të Federatës Jugosllavisë, 29 nëndori mbetet edhe si një provë e vasalitetit të pështirë të diktatorit E.Hoxha ndaj Marshallit Tito.

Në shtesë, “nëse nuk mund ta ndryshojmë për mirë të ardhmen, pse do duhet të harxhojmë kohë/energji duke diskutuar për historinë/kaluarën”, thotë filozofi/gjeniu i kohëve moderne HARARI në librin NEXUS. Duke mbajtur në konsideratë gjetjet e sa më sipër, si datë zyrtare e çlirimit të Republikës së Shqipërisë nga nazi-fashistët do të ri-sugjeroja një nga 3 opsionet/datat në vijim:

Opsioni parë: data 28 Nëntor, duke i bashkuar si vlera komplementare 2 ngjarjet madhore (Pavarësinë dhe çlirimin e RSh nga zazi-fashistët)!

Opsioni dytë: data 17 Nëntor, çlirimi i Tiranës, ndërsa edhe me definicionin: “data zyrtare e çlirimit, ose data kur në kryeqytet është ulur flamuri i pushtuesit dhe është ngritur flamuri kombëtar”!

Opsioni i tretë: data 8 Maj, ose bashkimi me fitoren e koalicion të fitimtarëve mbi fashizmin (8 Maj 1945), datë që e festojnë edhe +20/32 vende të NATO-s.

NË PËRMBLEDHJE, mbetem shpresëplotë se secila nga këto 3 data/opsione do ishte një zgjidhje e mënçur/munguar për 47+33 vjet, pasi jo vetëm do të shërbejë si “ilaç për të mjekuar plagët e luftës kriminale të klasave”; por do të mbjellë kohezion kombëtar, konsensus të gjerë mes politikanëve të gjeneratës së Re si dhe do të kontribuonte për pajtim jo vetëm rreth datës çlirimin nga nazifashistët!

Me këtë rast, shpreh mirënjohjen për ushtarakët, punonjësit e policisë, emergjencave civile, mjekët dhe infermierët, si dhe ndaj kujdo tjetër, që me përkushtim shëmbullor sakrifikojnë për mbrojtjen e sovranitetit/interesave kombëtare; për sigurinë e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve; stabilitetin demokratik të shoqërisë si dhe integrimin në strukturat e vlerave Euro-atlantike.

Po ashtu, krahas të përsëris përuljen për të rënët, nderimin për luftëtarët dhe sakrificat sublime; po pëpiqem të zgjoj “institucionin e mos-harresës” për të punuar/luftuar çdo ditë kundër riciklimit të rrënjëve të luftës çnjerëzore nga neo-Nazistët, neo-stalinistët dhe neo-Enveristët me kullaro demokratike.

Së fundmi, me duhet ta qartësoj se sa gjetjet e këtij opinioni, si edhe në qindra produktet strategjike, nuk po bëj intelektualin e spikatur dhe as analistin e gjithëditur, por duke j’u përulur (po të doni), shpresoj të kontribuojnë, qoftë modestisht për të “zgjuar vetëdijen Kombëtare/Euroatlantike mbi të vërtetat, vlerat, kërcënimet dhe interesat që i përbashkojnë mbarë-Shqiptarët”.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT