• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

HILË MOSI, SHKOLLIMI DHE VEPRIMTARIA E TIJ NË AUSTRI

December 31, 2024 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

“I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut” – Fan Stilian Noli.

Trevat shqiptare nën robërinë osmani pësuan shkatërrim në të gjitha drejtimet; në gjuhë, kulturë, religjion, në territor dhe në substancë kombëtare. Pas luftës së parë Austro-Turke e vjetëve 1716-1718, ku pëson ushtria turke, ndikimi i Austrisë rritet në tërë Ballkanin, kurse pas luftës së dytë Ruse-Austro-Turke, Austria shtrihet akoma më në jug, deri në viset e Dalmacisë dhe pas rënies së Venedikut, Austria i zotëroi territoret dhe bëhet fqinja i parë me tokat shqiptare. Shqiptarët lidhën marrëdhënie të fuqishme tregtare e kulturore . Kjo solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave.

Njëra nga figurat qendrore me ndikim që dha shumë për shoqërinë shqiptare dhe i cili u shkollua dhe veproi në Austri, pa dyshim është Hilë Mosi. Ai i përket gjeneratës së artë të intelektualëve që u shkolluan dhe vepruan në Austri në fillim shekullin e njëzet, krahas Dr. Gjergj Pekmezi, Dr.Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj.

Nga rrethina e Shkodrës me veprimtarinë e tyre në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqiptar ishte Hilë Mosi me shkodranët tjerë Ndue Paluçe, Karl Gurakuqi, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota e mësues tjerë të njohur që vuan bazat organizimit institucional të shkollave, bibliotekave, seminareve e projekteve tjera arsimore dhe jo vetëm. Nga burimet e kohës del, se në vitet njëzeta të shekullit të kaluar në Austri studionin 69 student shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë qeveria Zogut shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë. I njohur në historinë e hartimit të teksteve shkollore të kohës në fillimet e shtetit shqiptar është Ndue Paluca me Abetaren e tij ndër të parat e vendit dhe të disa teksteve për mësimin në klasat e larta të shkollës fillore. Mësimi në një pjesë të madhe, zhvillohej sipas konspekteve dhe metodave didaktike austriake të dhëna nga vet mësuesit.

Hilë Mosi “..të tilla libra nuk i pata këndue ndonjë herë, se unë për të ble nuk kisha të holla, pse unë jam i vobektë ashtu si Jobi, pra unë nuk di si t’ja shpërblej” (Hilë Mosi)

Hilë Mosi u lind në Shkodër 1885 dhi ishte i biri i Mark Mosit, familje e njohur atdhetare që krahas pushkës në luftën për liri kishin librin krahas flamurit kombëtar. Liria nuk vjen vetëm me pushkë, por dije, shkencë e kulturë. Hilë Mosi ishte poet, publicist i njohur i cili jetoj në periudhën me rëndësi të jetësimit të ideve të rilindësve duke vazhduar rrugën dhe porosinë e tyre për pavarësinë, lirinë e ndërtimin institucional të vendit. Ai në vendlindjen e tij, Shkodrën e bukur, mbaroi mësimet e mesme në shkollën italiane dhe Kolegjin Saverjan Jezu.

Në vazhdim ndoqi studimet në Shkollën e Mësuesisë në Klagenfurt të Austrisë. Austria me qendrat e saja për studime si në Vjenë, Graz, Klagenfurt, Insbruk, Linc, ku studiuan shumë shqiptarë. Kjo i dha mundësi Hilë Mosit për takime me shumë personalitete austriake me ndikim të madh në ndërtimin e raporteve shqiptaro – austriake. Njëri prej tyre ishte konsulli austriak në Shkodër, August Von Karl me gradë gjenerali. Konsulli kishte mbështetur, veç tjerash, botimin e librave në gjuhën shqipe dhe përhapjen e tyre. Një kontingjent ia dërgon edhe Hilë Mosit. Në shenjë falënderimi Hilë Mosi i dërgon letër falënderues dhe disa vargje të bukura.

Letra

Fort i ndërrueshmi z. Konsull!

“Mora kartën e Z. A. dhe të bëjë të fala shumë. Sot mora dhe librat shqip nga Sofia dhe gëzimi jem a kaq i madh sa unë këtu me ket letër nuk gjej fjalë me i-u falenderue Z. A. , veç nga zemra lëshoj gjithnjë mija urime per zotrinë tënde. Edhe me të vërtetë qi unë këtu të tilla libra nuk i pata këndue ndonjë herë, se unë për të ble nuk kisha të holla, pse unë jam i vobektë ashtu si Jobi, pra unë nuk di si t’ja shpërblej (revancher) Z.A., vetëm nga zemra dërgoj ket dritshkronja (Photographie) t’mia, e Z e J. ta majnë si një kujtim t’vogel prej mejet!…Z.A. KA Gjuha shqipe a tuei u shkrue

N’katër anët e Shqypnisë,

Vjen kadalë t’u begatue,

Za i jep gjithë djelmenisë,

Ju djelmosha sot t’gjithë çonji,

Gjhën tuaj ju ta këndoni

RL.

Së bashku me Dr. Gjergj Pekmezin, Hilë Mosi më 27 dhjetor 1904 themelojnë në Vjenë Shoqërinë Shqiptare “Dija” ku Dr. Gjergj Pekmezi zgjidhet kryetar i saj kurse Hilë Mosi sekretar zgjidhet ndërsa Nikollë Ivanaj kryetar i degës në Raguzë (Dubrovnik) . Arritje e madhe ishte themelimi i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin Oriental të Vjenë dhe zgjedhja e Dr. Gjergj Pekmezit drejtues i saj në vitin 1003. Në Vjenë në fillim shekullin e njëzet, studionin shumë të rinj shqiptarë dhe kishte intelektualë që jetonin e vepronin jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytet tjera në Austri. Ata fillimisht e fillojnë me formimin e “Kolonisë Shqiptare të Austrisë” e cila pas një kohe të shkurtër themelon “grupit nismëtar” për themelimin e shoqërisë “Liria”. Nga jeta e kësaj shoqate kemi pak shënim dhe pas pak vitesh do ndërron emër në Shoqëri “Dija”, ditëlindja e së cilës është 27 dhjetori i vitit 1904. Sipas deshifrimit të nënshkrimeve, pseudonimeve, inicialeve del se në takimin themelues morën pjesë 15 anëtarë tjerë, mes tyre: Dervish Hima, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Kristo A Dako, Kolë Kodheli, , Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Kolë Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, dhe të tjerë emra të respektuar në letërsinë, kulturën e historinë kombëtare. Kjo shoqëri e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime patriotike.

Shoqëria e re “Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e rrethanave të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht. Sipas letrës që Hilë Mosi dërguar Asdrenit në Bukuresht, regjistrimi i “Dija”-së ishte bërë e mundur tek me 29 mars 1907.

Statuti i shoqërisë i ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë (Österreichische National Bibliothek) i botuar në fletushkë i cili dallohet për nga rregullsia e shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve dhe strukturës përcaktuese funksionale e praktike. Neni i parë në statut shkruan: “Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë me degën e saj në Raguzë”. Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e arsimimit të shqiptarëve duke e kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu shihet lidhja e intelektualëve të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik) në krye me Nikollë Ivanaj, një veprimtar i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare për formim të shtetit shqiptar.

Për kohë të shkurtër nëndegët e Shoqatës “Dija” do formohen edhe në Prizren, Shkodër, Tiranë krahas atyre në disa qytete brenda Austrisë ku vepronin aktivistë të njohur për çështjen shqiptare, si në Grac, Kllagenfurt, Strebendorf. Çdo vit shtohen degët e “Dija”-es. Asdreni nga Bukureshti i dërgon në Vjenë procesverbalin e plotë mbi formimin e degës së “Dija” në Bukuresht më 16 dhjetor 1906 në përbërje prej njëzet anëtarëve. Dyvjetori i kësaj date historike, 27 dhjetori i themelimit të “Dijes”, shënohet solemnisht në Shkup me themelimin e degës së saj më 27 dhjetor 1906.

Do ishte jetëshkurtër veprimtaria pa intelektualë të rinj e të shkolluar po të mos sjellshin studentë të rinj nga trevat shqiptare për studime në universitetet austriake Vjenë, Grac, Insbruk. Ky aktivitet u mbështet fuqishëm nga miqtë e shumtë austriak dhe të personaliteteve të njohura shqiptare si Faik Konica, Hilë Mosi, Aleks Drenova, Visar Dodoni, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Luigj Gurakuqi e të tjerë.

Nga shkrimet e kohës shihen efektet e fuqishme të “Dija” në qendrat e tjera të kohës ku kishte shoqëri të fuqishme shqiptare, si në Bukuresht, Stamboll, Raguzë, Boston, Kairo. Duke e parë veprimin legal të “Dija”-së dhe përkrahjen e saj nga autoritetet austriake kishte edhe propozime që shoqëritë shqiptare të shkriheshin në një të përbashkët me emrin “Dija”.

Kështu kryetari i shoqërisë “Djalëria Shqiptare” do propozonte në një mbledhje me kryepleqësinë e “Dija”-së se do bëhet një degë e saj me qëllim unifikimi të veprimtarisë kombëtare. Ose, letra e “Dija”-së dërguar shoqërisë patriotike shqiptare “Bashkimit” të Bukureshtit me propozimin për bashkimin e tyre. Edhe pse kjo nuk ndodhi ishte një ide e bashkimit të qëndrimeve dhe veprimeve me interes kombëtar në atë periudhë.

Hilë Mosi (sekretar i “Dijes”) shkrimet e tij i botonte nën pseudonimin Sokoli ashtu siç bënin edhe shumë veprimtarë të tjerë për shkak të përndjekjeve nga autoritet pushtuese turke të kohës në territoret shqiptare. Nën përkujdesjen e “Dija”- së u botuan tekste në shqip për trevat shqiptare aq të nevojshme. “Abetarja” me autor Ndue Palucen, kalendari “Shqiptari”, “Këndime për shkollat e para shqipe”, “Gramatika…për përdorim t’femijve”, “Libri i dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni” etj. Në vitet 1910 e 1911 në drejtimin e Shoqërisë “Dija” kemi emra të rinj; Asdreni, Manek, Kolë Rrota, Zef Harapi, Hessler, Kolë Kamesi. Do shënohen emra të rinj në donacione ndaj “Dija”së, mes tyre Baron Nopça, Spiro Dine (Egjypt), Nikollë Ivanaj nga Amerika etj.

KalendariKombëtar, i shoknise “Dija”, Wien 1906

Pa dyshim botimi i kalendarit është me vlera të veçanta, krahas gjuhëve tjera që botonin kalendar dhe në gjuhën shqipe ketë rol e marrin shoqëritë shqiptare në Sofje, Vjenë dhe Stamboll. Në Vjenë Kalendari botohet në vitin 1906 me alfabetin e shoqërisë “Bashkimi” ku përfshihen ndodhitë kryesore të vitit 1905.. Që në parathënie të kalendarit mbi ngjarjet e vitit paraprak (1905) cekët vrasja në formë barbare e Papa Kristo Negovanit:

“Moti 1905 ishte një vit i vështirë për ne shqiptarët: Këtë vit u vra Negovani me 12 Fruer, i dashtuni prift shqiptar Papa Kristo prej grekëve, vetëm pse i vlerti vëllau ynë mësonte shqip e shkruante fort bukur libra të nevojshëm për shqiptarë”.

Sipas korrespondencës mes dy kolosëve të kohës, Hilë Mosi në Vjenë dhe Aleks Drenova-Asdreni në Bukuresht, del se me përpjekjet e kryetarit të Shoqërisë, Dr .Gjergj Pekmezi në vitin 1906 janë shtypur dymijë ekzemplarë të kalendarit. Shqetësimi rreth formësimit të një alfabeti të përbashkët ishte i madh në mesin e intelektualëve patriotë në Austri. Po veçojmë artikullin “Alfabetet apo sëmundja e quajtur alfabetiti”, faqe 3 i 4. Artikulli fillon: “ Si kundër që s’kemi një gjuhë të përgjithshme, ashtu edhe që alfabet të njohur prej të gjithëve as e kemi, as nuk e patëm as për shumë kohë si duket nuk do të mund ta kemi”. Më tutje në Kalendar në faqen 19-të lexojmë: ”Të mos gënjehemi me shpresa e lajka, se duhet punë, dhe prapë punë. Me të punuar zgjohet kombësia, me punë do të hapim sytë, do të lulëzojmë vendin, e do të çelim rrugët e parajsës e lumturisë. Ngrihuni pra o vëllezër nga ky gjumë i rëndë…”

Pa dyshim sukses i shoqërisë “Dija” ishte botimi i “Gramatikës”-Albanische Gramatik, e cila edhe pse është shkruar në shpjegime e saj në gjermanisht, do ketë një përdorim të gjerë në mësimin e shqipes në trevat shqiptare dhe jashtë tyre. Kjo vepër historike e Dr. Gjergj Pekmezit ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë e botuara para alfabetit të Kongresit të Manastirit, në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”.

Në fund të viteve 30 në kohën e mbretërisë ishte ministër i arsimit. Botoi “Zani i atdheut“ në vitin 1913 dhe “Lotët e dashunisë“(1915). Ne lirikat me tone romantike-elegjke i këndon mallit për vendlindjen dhe dëshirës se flakte për ta parë atdheun e lirë. Përveç gazetës “Vëllaznija” të Vjenës, ku ai studionte, Hilë Mosi, bashkëpunoi me shumë gazeta të kohës në gjithë botën: “Drita”që botohej në Sofie, “Kombi” e Bostonit, “Albania” e Beogradit, “Shpnesa e Shqypnis” e Raguzës, “Lidhja Ortodoske” e Korçës, “Shqiptari” e Stambollitdhe ishte redaktor i gazetës “Agimi” e Shkodrës. Hilë Mosi solli ilegalisht “Himnin e Flamurit” në Shqipëri, të shkruar nga Asdreni dhe muzikuar nga muzikanti rumun Jonescu. Me te ishe edhe udhërrëfyesi korçar Tasho Lloja. Në oreografinë e tij Lasgush Poradeci mes tjerash shkruan: “Dërgimi i Himnit në Shqipëri, ma anën e Hilë Mosit ka qenë një fakt i rëndësishëm për Shoqërinë e Bukureshtit dhe një ngjarje fatmire për çështjen kombëtare. Sepse Hilë Mosi që në atë kohë ishte patrioti më i shënjuar që të plotësojë një detyrë aq të lartë, po edhe aq të mbushur me vështirësi, të mbushur me njëqind vështirësi, siç ishte përhapja e Himnit”.

Më 16 prill të vitit 2017 themelohet Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Drejtor i saj emërohet Karl Gurakuqi kurse sekretar i saj Hilë Mosi. Tri vite më vonë do njihet si Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.

Hilë Mosi përveç shkrimtar ishte edhe burrë shtetas patriot. Ishte pjesëmarrës i Kongresit të Manstirit dhe anëtar i Komitetit Kryengritës të Malësisë së Veriut i cili luftoi me armë në dorë. Ai zgjidhet senator në Kongresin e Lushnjës dhe sekretar i Senatit të parë shqiptar. Me zgjedhje të para në vendin, Hilë Mosi, zgjidhet deputet i Shkodrës i renditur në krahun demokratik ku ishin edhe Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, S. Vinjau, Gjergj Fishta, H. Kadriu.

Që në vitin 1907, një vit para Kongresit të Manastirit, Hilë Mosi botoi vjershën e tij të fuqishme me titull “Gjuhës Shqipe”.

GJUHËS SHQYPE

Gjuh’ e ambël, gjuh’ amtare,

Je ambla gjuh’ shqyptare!

Gjuh’ e nalt’ për Perëndi,

T’cilt ndër koh’t që kahmot shkuene

Mbi Tomorr të përdoruene;

Gjuh’ e ambël, plot dashtni!

Gjuh’ e shejt’ e kaq e moçme.

Gjuh’ sakole der n’dit t’soçme,

Shoqen tande kund s’e gjenë!

Zoti ty këtu t’ka çuemun:

T’rrebt’ e t’bukur e t’kulluemun;

Kshtu gjithmon’ ti ke me qenë.

Gjuh’ që t’foli Skendërbegu,

Dhe ndër t’par’ qe Naim Begu,

Që me shkrim t’pat lartësue.

Ty t’kan’ fol’ shum’ kapidana,

Burra t’rrebt si t’ishin zana;

Gjuh’ e rrebt, ti qofsh nderue!

Gjuh’ e bukur si pranvera

Ti s’do t’quhesh ma: e mjera;

Se na dona ty me t’rritë.

Bashk’ me t’tjerat shoqe tueja,

Se ma s’dona zhele t’hueja

Veç duem ty me t’pa në dritë.

Wien (Vjenë) 14.I.1907

Filed Under: Opinion

Një letër Babagjyshit për Vit të Ri nga diaspora

December 31, 2024 by s p

Një variacion satirik mbi temën nga Rafael Floqi/

I nderuar Santa!

Ho-ho-ho,

meqë po vjen fund i vitit dhe ti je i vetmi që ende mban premtime në këtë botë plot pasiguri, mendova të dërgoj një listë dëshirash për qeverinë tonë të dashur aty në Albani nga ana e Diasporës sonë nga larg. Këto kërkesa janë me shumë se ato që ca patronazhistë me pasaportë amerikane i kërkuan kryeministrit Ramës sonë, si p.sh. rritje pensionesh, dhe ai për këtë vit, i shtoi pensionistëve jo më pak se një gjel deti. A thua mjafton? Por diçka është më pak se asgjë.

I dashur babagjysh, nuk janë shumë kërkesa por një për çdo muaj të vitit që po vjen, dhe, pse jo, mund të ndihmojnë për të sjellë një Vit të Ri më të mirë për të gjithë shqiptarët dhe për ne. Le të shpresojmë që të na sjellësh disa nga këto, sepse çdo vit ndodhin të njëjtat histori dhe çdo herë ne i shohim me shpresë se këtë herë do të jetë disi ndryshe.

1. Një tufë premtimesh të reja dhe të sinqerta

Tani që jemi afër zgjedhjeve, të lutem na sill një tufë të re premtimesh. Duhet të jenë të sinqerta, dhe jo ato që kanë mbetur të “pashkruara” nga vitet e kaluara në slitën tënde. Këto premtime duhet të jenë të natyrshme dhe të besueshme, sepse ato që kemi dëgjuar deri tani, duken gjithmonë si një kopje e thjeshtë nga e kaluara. Ata që na udhëhoqën deri tani na kanë mësuar se premtimet janë vetëm fjalë, dhe çdo vit janë të njëjtat, ndaj duam më shumë veprime dhe më pak fjalë bosh. P.sh dua të di se kur shëndetësia do të jetë falas, aman, se kemi pleq në Shqipëri. Tani na thuhet se do të hyjmë në Evropë, por ajo e pabesë prapë luhatet, po më thuaj kur janë kalendat evropiane.

Ne kërkuam t’i marrin gjithë refugjatët nga Italia e t’i zëvendësojmë me ata që çojmë në Angli, por edhe Italia na e quajti këtë si nder personal dhe jo nacional. Dhe këtë sakrificë për Evropën s’na e besuan. Po sikur ai shteti Bektashi të jetë si Qiproja apo si Dubai, kur paratë s’i gjen njeri. Vatikani ka bankë a do ketë bankë dhe ai? Po pyesin ca kësaj ane. Ca ia kanë kaluar Kolombit e kanë shkuar gjer në Ekuador, thuhet se ata i dinë ca gjëra (sa të jenë gjallë)…

2. Një buxhet transparent, por jo vetëm në letër

Buxheti i shtetit duhet të jetë transparent, jo vetëm në teori por edhe në praktikë. Jo vetëm me vota shumice. Dëshirojmë një sistem që të na mundësojë të kuptojmë se ku po shpenzohen paratë publike dhe, më e rëndësishmja, që të mos humbasin pa lënë gjurmë. Sa më shumë të shohim në të, aq më shumë do të besojmë tek ata që na drejtojnë. Jo më gjetje justifikimesh dhe trukesh të fshehura përmes llogarive të mbushura me magji zhdukjesh parash në Qipro. Mos vallë ata iniciatorët e inceneratorit ishin si kazani i shtrigave të Harri Potter, që djeg para pa nxjerr tym në hava…për marshallah … Hahaha. Thonë se ca drejtorë nuk ndotën ambientin por u ndotën nën vete.

Nga ana tjetër, duam të dimë se ku vajtën studentët tanë që kemi dalë të lypim të tjerë nga jashtë. Mos na kërkojnë ne ti çojmë kalamajtë aty, ku notat blihen nga trupa e pedagogëve si në Universitetin e Elbasanit dhe kalamajtë e tyre i kanë sjellë këtu? H o- ho- ho na rroftë titulli doktor.

3. Një aplikacion anti-korrupsionin

E imagjinoni sot bota rrjedh me algoritme, dhe ne nga Diaspora duam një aplikacion të thjeshtë që mund të tregojë se ku shkojnë paratë e shqiptarëve edhe tonat? Ndryshe nuk votojmë. Jo për të akuzuar pa prova, por për të pasur një sistem të drejtpërdrejtë, të qartë dhe të monitorueshëm që e bën korrupsionin të duket si një problem që mund të zgjidhet, dhe jo si një fenomen që kurrë nuk do të ketë fund. Aplikacioni do të ndihmonte për të kuptuar se cila është rruga që ndjekin paratë dhe për të thyer çdo mur të padukshëm që i fsheh ato. Ai të quhet “Follow the Money”

A i gjen dot AI paratë e djegura “vjedhura”. Por AI ku do t’i gjejë. Aman na ndihmo o Mira Murati. T’i mund të shpëtosh gjithë botën nga sikleti. Por fatkeqësisht do të na duhet t’i mësojmë AI gjuhën 5D…dhe e di që ka të vështirë e di.

Dhe nëse Prokuroria Speciale quhet SPAK apo S’KAP tani s’ka rëndësi, kjo varet se nëse i akuzuari është me partinë tonë apo kundra nesh. Por qe me ne janë heronj të pafaj, fatkeq viktima të regjimit dhe pse kanë fituar miliona, po qenë kundra nesh janë, hajdutë, maskarenj të korruptuar dhe djaj me brirë…

4. Një ferman që ndalon ndërtimet e kullave për një vit

Ndërkohë që qytetet tona mbushen me beton dhe kullat e larta, të lutem na jep një vit pa ndërtimet që shkatërrojnë hapësirat e gjelbëra dhe krijojnë një pamje të pashembullt të një qyteti pa shpirt. Po ashtu, le të jemi të sinqertë: qeveria ka qenë shumë e përqendruar në betonizim, dhe ndoshta do të ishte mirë të bëjmë një pushim për të parë nëse mund të krijojmë diçka më të bukur, si parqe, hapësira sociale, dhe ndoshta më shumë mundësi për të pasur një jetë më të shëndetshme dhe më të këndshme. Një vit pa më shumë beton dhe më shumë pemë, më shumë hapësira të gjelbra dhe mundësi për qytetarët që të shijojnë natyrën. Nëse s’kemi mundësi t’i bëjmë qytetet më të bukura dhe të qeta, atëherë le të pikturojmë më shumë pemë mbi betonin që mbizotëron. Është koha të krijojmë hapësira që i japin mundësi fëmijëve dhe të rinjve të luajnë dhe të ndërveprojnë, dhe jo vetëm të jetojnë në një qytet të ngjeshur dhe të mbushur me kaos. Kjo thonë do të ndalonte lavatriçen e parave .Ho-ho-ho!

Ne duam më shumë ambiente sportive e më shumë sportistë sade jo akademi sa për emër dhe kampionë të importuar që dhe emrin s’ ja themi dot…

Duam një ferman që të thotë kërkohet që Dajti të shihet nga çdo pikë në Tiranë. Nga ana tjetër duam mos prishim teatro të bëjmë teatro të mos prishim porte që të bëjmë porte…

5. Një ligj që ndalon gënjeshtrat në fushatë

Po flasim për një ligj që ndalon përdorimin e gënjeshtrave të thjeshta në fushata zgjedhore. Një ligj që do të ndalonte çdo formë manipulimi të votuesve dhe çdo formë mashtrimi të publikut me premtime që nuk mund të mbahen. Oh, po, gënjeshtrat në fushatat elektorale – një shfaqje e vërtetë e artit politik! Asnjë strategji nuk është më e efektshme se të gënjesh pa asnjë hezitim dhe të shpresosh që askush nuk do ta kuptojë. Aty ku faktet mungojnë, imagjinata merr kontroll, dhe politikanët shpesh shndërrohen në mjeshtra të trillimeve – nga premtimet për “parajsa” ekonomike deri te akuzat për “armiq” të shpikur. Dhe kush mund të harronte ato “fakte” që ndihmojnë të duken si kandidatë të përkryer, edhe kur ato janë tërësisht të pavërteta? Po, natyrisht, askush nuk i merr seriozisht, sepse të gjithë dimë që zgjedhjet janë të bazuara në emocione, jo në arsyetim.

Të gjithë do të votojmë për dikë që thotë se do të na shpëtojë, edhe nëse ai person ka pasur një histori të ngjashme me një fantazmë të ngjashme me premtimet e tij të pamundura. Në fund të fundit, është një spektakël dhe të gjithë duan të jenë pjesë e tij.

6. Një fushatë zgjedhore pa këngë tallava

Në vitin 2025, mund të presim më shumë sesa këngë tallava në fushatat zgjedhore. Nëse qeveria do të mbajë një fushatë, do të ishte mirë ta bënte pa përdorimin e këngëve që janë bërë sinonim i manipulimit të emocioneve të popullit. Ah, këngët tallava në fushatat elektorale, një shpërthim artistik që të çon direkt në atmosferën festive të politikës! Çfarë mund të bësh tjetër kur do të fitosh vota? Prejardhja e këngës tallava është një “këngë zemre” e shkruar për të tërhequr më shumë se zemrat – është një fushatë me ritëm, me “vibe”, dhe me shumë… ngjyra të ndritshme! Nuk ka asnjë problem të përdorësh disa vargje që bëjnë jehonë për ta ngjallur entuziazmin e popullit, edhe nëse fjala është për premtime që nuk do të realizohen kurrë.

Përse të flasësh për ekonomi, shëndetësi, apo arsim kur mund të këndosh për “fitore të mëdha” dhe “liri të reja”, të shoqëruara me një muzikë që të bën të shkundesh? Të gjithë janë të ftuar në këtë festë elektorale, dhe me pak ritëm e melodi të shpejtë, ata do të harrojnë gjithçka që nuk është e vërtetë. Dhe nëse dikush ngre dyshime, nuk ka problem – për ta është mjaftueshëm një “refren” që i bën të ndihen të bashkuar për një qëllim të madh… që, natyrisht, është po aq i paqartë sa do të ishte ndonjë ndihmë konkrete për ta.

Sidomos na lutemi të na e kurseni këngën “Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime.” Po, e dimë që është popullore dhe të gjithëve u pëlqen, por ndryshe përjetohet nga ministrat dhe ndryshe nga populli që nuk e ndjen veten të përfshirë në këtë “gëzim” që shpesh bëhet një mjet për të larguar vëmendjen nga realiteti. Që bëhet tallava në hava që na kujton kohët që votonim me daulle duke mbajtur dhe radhën e qumështit.

7. Të ndalohet kënga “Mbahu nënë, mos ki frikë se ke bijtë në Amerikë”

Qeveria jonë, e cila mezi kujdeset për 1.8 milionë shqiptarët që janë brenda dhe jo për 1.7 milionët që jashtë me një vendlindje me dy pasaporta po mundohet tani për një politikë të re jo atë që quhet “Mbahu, nëno mos ki frikë, i ke bijtë në Amerikë” por mos ejani si turistë një herë në vit, pot hapni bujtina aty, ku edhe Skënderbeu s’u ngjit dot.

Po, ne mund të jemi të ndarë nga Atdheu, por ky është një lajm i mirë – sepse duket se ne nuk jemi më brenda kufijve të shqetësimeve të qeverisë. Me gjithë dashurinë që ndjejnë për ne, ata nuk harrojnë kurrë të na kujtojnë që “përgjegjësia është mbi ne” – veçse nuk bëjnë asgjë për ta lehtësuar këtë “përgjegjësi”. Kështu që, çdo shqetësim që mund të kemi për shëndetësinë, arsimin ose të drejtat tona, mund të zgjidhet me një mesazh të shkurtër: “Mbahu, mos ki frikë, po ju ndihmojnë nga larg”.

Çdo problem që mund të ndodhi, ja fatkeqen këngëtares Parashqevi Simaku “Madonën shqiptare” që humbi rrugën për në Hollywood, Amerika i dha udhët, shqiptaret po, kërkojnë t’i japin strehim.

Në fund të fundit, 1.7 milion shqiptarë në Botë janë një masë e madhe për të bërë një “foto të bukur” në një sallë dasmash si në Manhatan, dhe për të thënë: “Po kujdesemi për ju, gjithsesi!” ndërsa tek stacioni i trenit aty pranë kishte një nënë pastrehë shqiptare. që 10 vjet qante dhe priste njëM bir me një zë Madone dhe këtë kryeministri ynë se thirri dot në podcast…

8. Një rregullore për ndershmërinë në qeveri dhe administratë

Një rregullore e detajuar që do të mësojë administratën dhe qeveritarët se si të jenë të ndershëm, jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Ky manual duhet të ketë ilustrime, sepse ndoshta disa prej tyre nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh i ndershëm.

Fjala e-Albania nuk e zëvendëson dot fjalën nëpunës i ndershëm. Mund të mbyllësh sportele dje të shtosh bedelë sot. Pse jo të kemi një mënyrë të qartë dhe të thjeshtë për t’u sjellë me dinjitet dhe për të marrë vendime që janë për mirëqenien e qytetarëve dhe jo për interesa personale.

Të marrim Lalin Erin p.sh.. Veliaj ai gjithnjë ka vepruar si ushtar sa herë i ka dhënë supë të varfërve. Dhe u bë aq i dashur sa e quajti veten Lali. Të ka Lali shpirt të ka Lali xhan, kjo është e qartë edhe për ata që nuk duan ti hyjnë gjërave thellë si ne si popull. Mjaftojnë të kujtojnë se si një kryebashkiak, që merrte urdhra para kamerave, për të lyer që në pesë të mëngjesit shkallët e pista të një pallati, apo për të kapur me vrap lopën e një katundari. Që Rama e kishte nën kontroll të plotë mbi Lalin këtë e tregon edhe lista e përbashkët e bashkëpunëtorëve “lalucë” të afërt me të që vidhkan më shumë se kumbulla pas shpinës së të madhit.

9 Një manual për lirinë e fjalës

Dëshirojmë një manual që t’u mësojë atyre se si të reagojnë ndaj kritikave pa pasur nevojë të fshihen pas një ekrani dhe pa tentuar të fshehin zërat që nuk përputhen me mendimet e tyre. Liria e fjalës është një e drejtë e paçmuar, dhe duhet të kuptohet si një mundësi për përmirësim, jo një kërcënim. Nuk mund të ketë një qeveri të fuqishme nëse nuk është në gjendje të dëgjojë kritikën dhe të ndërmarrë veprime që janë në përputhje me interesat e popullit. Liria e fjalës nuk është kontroll mbi media sociale. Për të kuptuar këtë, mjafton të përmblidhen disa të vërteta të thjeshta. Shqipëria do të bëhet i vetmi vend i botës demokratike ku pretendon të bëjë pjesë, që ka mbyllur totalisht një platformë të rëndësishme sociale. Argumentet morale që po hedh në treg kryeministri ynë për ta bërë këtë, ngjajnë njësoj si ato që talibanët përdorën për ta çrrënjosur Tik Tok-un, pas rikthimit të tyre në pushtet në Afganistan. Fakti se një gjë e tillë po ndodh duke e lidhur në mënyrë abuzive me vdekjen tragjike të Martin Camit, ndërkohë që është provuar se, as viktima dhe as vrasësi nuk kishin lidhje me këtë rrjet social. Kjo ngre pikëpyetje për një veprim arbitrar për një mbyllje goje gjer në zgjedhje. Pse vetëm për një vit. Ho-ho-ho Santa ti e di de djalli fshihet në detajet. S’ka dhurata me Tik-Tok për kalamajtë shqiptarë.

10 Një makinë kohe për opozitën

Nëse është e mundur, ndihmo opozitën të kthehet në një periudhë kur kishin një ide të qartë se çfarë donin të bënin. Aktualisht, opozita është shpërndarë dhe e turbulluar, pa një plan të qartë. Mosbindja civile me orar është si tymi pa zjarr. Molotovi ndez vetëm disa mendjengushtë . T’i kërkosh qeverisë të rrëzohet me ca flakadan për një pushtet pa din dhe iman vështirë se ngjan. Opozita shqiptare, e cila është e njohur për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm në luftën për demokraci, ka vendosur t’i bëjë një “shërbim të madh” popullit duke organizuar një “mosbindje civile me orar.” Po, ju e lexuat mirë: mosbindje civile, por gjithçka ndodh me një plan të qartë dhe një orar të caktuar, që është thjesht perfekt për ata që duan të bëjnë protesta, por pa e kaluar orarin e drejtës.

Të protestosh është e rëndësishme, por në të njëjtën kohë, t’i respektoni oraret është thelbësore – nuk mund ta teprosh me atë mosbindjen civile, sepse ndoshta keni një takim tjetër më vonë! Kjo strategji e menaxhuar mirë është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar angazhim pa shqetësuar askënd në administratën që do t’ju ndjekë – në fund të fundit, çdo gjë është në harmoni me kalendarin. Për më tepër, kjo është një mënyrë brilante për të treguar që opozita ka një kuptim vetëm të mos e teprojë se shkon në spital pastaj…

Asaj i duhet një makinë kohe mund të vegla që të ndihmojë që të gjejnë rrugën e humbur dhe gjak i ri që të ofrojnë një alternativë reale për të ardhmen e vendit. Dhe gjer atëherë në cilën orë është mosbindja tjetër….

11 Një ring ton i ri për këtë qeveri

Dëshirojmë një orë që t’i zgjojë përfundimisht qeveritarët kur populli të dalë në protesta. Kjo orë do të njoftojë kur është koha që ata të ngrihen nga gjumi dhe të kuptojnë që nuk mund të vazhdojnë të injorojnë kërkesat e qytetarëve. Qeveritarët duhet të jenë të vetëdijshëm që populli është gjithmonë aty dhe ka të drejtë të kërkojë përgjigje dhe ndryshime.

Qeveria jonë ka një “ring ton” të veçantë për të zgjuar popullin çdo mëngjes, por ndoshta ka ardhur koha të ndryshojë tonalitetin e këtij zgjimi! Pse të vazhdojmë me atë melodinë e ngadalshme dhe të ëmbël të premtimeve boshe kur mund të përdorim një zë më të fuqishëm, si një alarm të zakonshëm të mëngjesit që të frikëson dhe të detyron të ngrihesh menjëherë? E imagjinoni? “Po, popull, ngrihuni tani! Edhe një vit tjetër pa ndryshime të mëdha, por ju do të vazhdoni të paguani tatime për shëndetësi që nuk funksionon dhe rrugë që nuk ka!” .

Ky mund të jetë një ring-ton i vërtetë që të nxjerr në këmbë për të realizuar se asgjë nuk ka ndryshuar, dhe mund të kesh ende kohë të pish një kafe para se të vazhdojë “stuhia” e premtimeve të pambajtura. Ky ring-ton i ri, më energjik dhe i drejtpërdrejtë, do t’i mundësonte popullit të fillonte ditën me një ngarkesë të madhe… pak më shumë zhgënjim, por shumë më të qartë. Në të këndohet ai vargu dyshues “Tani që Diaspora thonë se voton, por a thua ndonjë gjë ndryshon?.

12 Një robot që pranon përgjegjësinë

Kur ndodhin dështime, duam që dikush të pranojë përgjegjësinë. Mjaft më me gjetjen e fajtorëve si Tik-Tok-u, opozita, ose qytetarët. Duhet të kemi një robot që mund të ngrejë dorën dhe të thotë: “E kam unë fajin.” Kjo do të na ndihmonte të kuptonim se përgjegjësia është një gjë e madhe dhe duhet të merren vendime për të përmirësuar situatën, jo për të fshehur dështimet. P.sh. ne do të deshim që ashtu si trajnerët e futbollit dhe drejtuesit e qeverise të mbanin përgjegjësi për të gjithë anëtarët e ekipit të qeverisë apo partisë kanë shkelur në dyert e SPAK-ut ashtu si Lali tani.. .Ky robot nuk e di fjalët “Unë nuk mbaj përgjegjësi” , dhe nuk e kupton shprehjen “SPAK-un e miratova unë”.

Babagjysh. Mos të duket shumë?

Po, ndoshta!. Por ti ke qenë gjithmonë zemërgjerë (ose të paktën, kështu thonë fëmijët). Po të mos mund të na i plotësosh të gjitha këto dëshira, të paktën sigurohu që të na mbash me shpresë sidomos ne të Diasporës. Që kemi shumë fjalë dhe mall. Shpresa është e vetmja gjë që nuk mund të na e marrin dot .

Nga një qytetar finok pa llogari në Tik-Tok,

Me shumë dashuri nga diaspora edhe për shumë mot!

Nga një patronazhist pa parti,

Gëzuar Vitin e Ri!

Filed Under: Fejton

Dibra në Artin Expresionist të piktorit Huzri Hoxha

December 31, 2024 by s p

A room with art on the wall

Description automatically generated

30 Dhjetor, 2024

Autor: Ferzileta Gjika 

Trashëgimia artistike e Huzri Hoxhës dhe lufta për ruajtjen e identitetit te Dibrës 

“Eshte nje ekspozite integrare per Dibren. Hearth-arsyeja pse vura kete emer ka te beje me origjinen ku kam lindur, ka te beje me origjinen e prinderve te mi ku ato kane vdekur,ku jam mesuar, ku jam pjekur, ku jane te gjitha traditat, ku jane te gjitha zakonet, historia e Dibres.” Huzri Hoxha

Në nje kohe kur mbrojtja e Dibrës është më urgjente se kurrë, arti shfaqet si një forcë e fuqishme për të ruajtur identitetin kulturor dhe historik si dhe për të mbrojtur trashëgiminë natyrore. Përmes artit ekspresionist te piktorit Huzri Hoxha, që pasqyron identitetin dibran dhe bukurinë e jashtëzakonshme të luginës së lumit Drin, krijohet një lidhje emocionale dhe kulturore që prek zemrat e njerëzve në shumë dimensione.

Piktori Huzri Hoxha, i lindur në Bllice të Dibrës, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e artit ekspresionist shqiptar. Eksperimentet dhe eksplorimet e tij novatore në stil kanë kontribuar ndjeshëm në skenën e artit dinamik dhe në zhvillim të kombit. Nëpërmjet veprave të tij, Huzri Hoxha e ka vene ne qender te vemendjes Dibrën, si djep të identitetit shqiptar veçanërisht si vendlindjen e Skënderbeut, heroit të nderuar kombëtar. Arti i tij nënvizon rendesine për të mbrojtur këtë trashëgimi historike dhe kulturore nga kërcënimet që rrezikojnë zhdukjen e identitetit te saj.

Ky punim synon të ndriçojë lidhjen midis krijimtarisë ekspresioniste të Huzri Hoxhës dhe temave më të gjera të identitetit, kulturës, historisë dhe bukurisë së qenësishme të Dibrës dhe lumit Drin. Duke shqyrtuar veprat e përzgjedhura të artit të prodhuara në kontekstin e historisë, kulturës dhe identitetit të mishëruar, ai kërkon të nxjerrë në pah marrëdhënien simbiotike midis shprehjes artistike dhe etikës së komunitetit. 

Një çështje e shfaqur që përmbledh këto tematika është lëvizja për te drejtat mjedisore që kundërshton ndërtimin e digës së Skavicës. 

Kjo lëvizje ka galvanizuar komunitetin e Dibrës, duke sfiduar shkatërrimin e mundshëm të 35 fshatrave, rrezikimin e florës dhe faunës lokale dhe trazirat e mëdha sociale që do të sillte ky projekt.Diga kërcënon të mbysë nen uje pergjithmone pjesë të konsiderueshme të luginës përgjatë lumit Drin, duke përkeqësuar pabarazitë ekonomike të rajonit dhe duke përforcuar pabarazitë sistematike. Dibra, një nga rajonet më të varfra të Shqipërisë, ka vuajtur historikisht nga investimet e pamjaftueshme në infrastrukturë—një model i përkeqësuar nga besimi se projekti i propozuar i hidrocentralit mohon nevojën për zhvillim të mëtejshëm.  “Kundershtimi ndaj digës së Skavicës” nxjerr në pah pretendime të ndërlidhura për padrejtësi. Këto përfshijnë mungesen e transparences se informacionit për publikun—shkeljen e “të drejtës për të ditur”—ligjet e padrejta që favorizojnë kompanitë miliona dollarëshe pa konkurrencë dhe modelet historike të neglizhencës që kanë margjinalizuar Dibrën. Expertet argumentojnë për zgjidhje alternative për krizën energjetike të Shqipërisë, si energjia diellore dhe e erës, të cilat janë miqësore me mjedisin dhe nuk zhvendosin komunitetet apo shkatërrojnë ekosistemet. Në përfundim, ky punim eksploron sesi arti ekspresionist i Huzri Hoxhës reflekton dhe amplifikon betejat e ndërlidhura për identitet, kulturë dhe drejtësi mjedisore në Dibër.

Figura e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, në stilin piktural ekspresionist të Huzri Hoxhës përfaqëson një ndërthurje të fuqishme mes historisë dhe emocioneve artistike. Ky interpretim ekspresionist e nxjerr në pah heroizmin dhe shpirtin luftarak të Skënderbeut përmes ngjyrave të fuqishme, linjave dramatike dhe një qasje artistike që shkon përtej realizmit.
Ekspresionizmi i Huzri Hoxhës krijon një perceptim unik, duke theksuar jo vetëm madhështinë historike të Skënderbeut, por edhe emocionet që kjo figurë frymëzon te shqiptarët. Kjo vepër na kujton se arti ka fuqinë të ringjallë historinë dhe të lidhet emocionalisht me publikun, duke nxjerrë në pah se mbrojtja e Dibrës nuk është thjesht mbrojtje mjedisore, por një akt për të ruajtur historinë dhe identitetin e kombit shqiptar.

Vizioni artistik i pikturave të kryeveprës së vatrës së Huzri Hoxhës

Veprat e piktorit Huzri Hoxha qëndrojnë si një dëshmi e qëndrueshmërisë së një komuniteti që përpiqet të mbrojë historinë, kulturën dhe mjedisin e tij natyror nga forcat që kërcënojnë t’i zhdukin ato. Nëpërmjet objektivit të tij artistik, piktori Huzri Hoxha frymëzon një thirrje për veprim – duke i nxitur politikëbërësit të njohin kostot e thella njerëzore dhe kulturore të vendimeve të tyre. “Mjafton të shohësh peisazhet e tij dhe fillon të bisedosh me Piktorin, nga kjo bisedë mëson se sa e bukur është Dibra, sa histori ka ajo” shprehet Dr. Dritan Korumi. 

Pikturat e Kryeveprës së Vatrës së Huzri Hoxhës mishërojnë një përkushtim të thellë ndaj shprehjes emocionale të lirë, spontane dhe thellësisht personale. Këto vepra arrijnë thellësinë e tyre shprehëse përmes një lirie të jashtëzakonshme teknikë dhe ekzekutimi, duke theksuar cilësitë fizike të ndryshueshme të bojës për të ngjallur sensualitet, element fizik te vendit, dinamizëm dhe lirizëm. Së bashku, këta elementë bashkohen për të festuar bukurinë e Dibrës dhe për të përcjellë një angazhim të vendosur për të mbrojtur Dibren, vendlindje tone të dashur. “Ekspozita jote e pikturës, e hapur me një titull që vetëm një artist i vërtetë mund t’i japë kuptim të tillë të lartë, është një homazh i mrekullueshëm ndaj vlerave kombëtare dhe patriotike” shprehet inxhinier Shkelzen Qoka

Seria e Kryeveprës së tij te emeruar “Hearth” e perkthyer ne “Vatra” bazohet në forcën e pavetëdijes krijuese, duke braktisur përbërjen e strukturuar konvencionale. Në vend që të ndërtohen nga elemente diskrete dhe të ndara, pikturat shfaqin fusha dhe rrjete të unifikuara, të padiferencuara, me disa imazhe që ekzistojnë në një plan hapësinor të pastrukturuar. Kjo qasje pasqyron natyrën rrjedhëse dhe të ndërlidhur të emocioneve dhe identitetit kulturor dhe historik që ata kërkojnë të shprehin. Për të përforcuar këto efekte vizuale, pikturat e “Vatrës” se mjeshtrit Huzri Hoxha shpesh mbushin horizonte me të mëdha, duke i dhënë veprave si monumentalitet ashtu edhe një fuqi tërheqëse.

Ngjyrat e theksuara dhe shtresimi i ndërlikuar i ftojnë shikuesit në një përvojë gjithëpërfshirëse, duke përforcuar mesazhin se bukuria dhe trashëgimia e Dibrës janë monumentale dhe të denja për t’u mbrojtur. “Fjala e kuratorit, z. Peqini ishte në lartësinë dhe cilësinë e punëve tuaja Mjeshtër, pa ngjyrime a shkëlqime e lustrime të rreme, apo hipokrite. Arti juaj flet vetë duke qenë i plotsuar dhe i arrirë” shprehet ish-keshilltari. Presidentit Nishani, Z. Saimir Kodra.

Kritika e piktorit Huzri Hoxhës për drejtësinë e banoreve dibrane dhe shpërnguljen e detyruar në Dibër

“Nese nje qyteterimi do ti heqesh nje lume, 

ate do ta vdesesh, nese do ta mbulosh me uje ate do ta zhdukesh” Huzri Hoxha

Arti expressionist i piktorit Hoxha tregon se edhe kur miratohen vendime ne emer te shqiptareve duke mos marre parasysh rajonin e Dibres, zemren e Shqiperise, problemet e rëndësishme vazhdojnë. Nëpërmjet pikturave të tij kryevepra “Vatra”, mjeshtri Huzri Hoxha shqyrton në mënyrë kritike procesin e zhvendosjes, duke theksuar faktorët objektivë, vendimet politike dhe rolin kritik të pjesëmarrjes së publikut. Ai arrin në përfundimin se toka, bukuria natyrore dhe resourset e Dibrës i perkasin komuniteteve të Dibres dhe jane te trasheguara ne breza. Qeveria argumenton se pabarazitë në kënaqësinë e preferencave mund të adresohen përmes dinamikës së pronesise së banesave, duke sugjeruar që banorët e zhvendosur do te jene te kenaqur me shtëpitë dhe tokën e tyre të “re” përfundimisht mund të zhvendosen dhe të mos kthehen me në tokën e tyre stërgjyshore. Megjithatë, mjeshtri i penelit , piktori Hoxha hedh poshtë me vendosmëri këtë argument, duke pohuar se shpërngulja në Dibër – e shkaktuar nga ndërtimi i Digës së Skavicës – nuk është as fluide dhe as e barabartë sa të zgjidhë pabarazitë e krijuara në të ashtuquajturën “tokë e re”. Perkundrazi kjo do te shkaktoje probleme te medha sociale kur behet fjale zhvendosja e mijera banoreve nga tokat e tyre. 

“Arti s’te le as te qete as ne komoditet. U hedh nje veshtrim fluturimthi te gjithave, pastaj e ngul veshtrimin te secila dhe pret te pergjigjen, te robtojne syte, mendjen, jane ngujueset e vlerave artistike. E ngul veshtrimin fillimisht te portreti. Se, ne fund te fundit edhe portreti lipset te flas, perderisa ka brenda njeriun. Ne mos te flase, te kundroje dicka qe e ka thelle ne shpirt dhe qe piktori e ka zbuluar dhe e ka bere te kapshme edhe prej nesh” Pr.Dr. Adriatik Kallulli

Zhvendosja e detyruar nga Dibra do të përkeqësonte pabarazitë ekzistuese, duke përkeqësuar çështjet e drejtësisë sociale, ekonomike dhe të strehimit. Humbja e tokës stërgjyshore, lidhjet kulturore dhe kohezioni i komunitetit nuk mund të kompensohen me zgjidhje sipërfaqësore te bazuara ne treg. Kritika e mjeshtrit H.Hoxha thekson se nje zhvendosje e tille thellon padrejtesite strukturore, duke shembur themelet kulturore, historike, dhe ekonomike te komuniteteve te prekura. 

Filed Under: Kulture

GAZETA “DIELLI” DHE PAQJA E VERSAJËS

December 31, 2024 by s p

Prof. Dr. Lush Culaj/

Programi i gazetës “Dielli” ishte i qartë dhe patriotik. Programi i “Diellit” ishte një zë që e ftonte emigrantin shqiptar të armatosej dhe ta shpëtonte vendin e tij të lindjes nga robëria e huaj. Hartuesi i programit ishte Fan S. Noli, njeri i lindur jashtë Shqipërisë, por që kërkoi një Shqipëri për shqiptarët. Fan Noli, themeluesi dhe editori i parë i “Diellit”, e udhëhoqi këtë gazetë deri në tetor të vitit 1909. Pas tij udhëheqjen e mori Faik Konica.

Më 29 dhjetor të vitit 1918, Federata Panshqiptare “Vatra” mbajti mbledhje ku u morën këto vendime: 1. Fan Noli u emërua delegat në Paris, por realisht ky emërim nuk u realizua. 2. Kostë Çekrezi e zuri vendin e Fan Nolit si delegat i “Vatrës” në Amerikë dhe editor i “Revistës Adriatic”, Aubrey Herbert (anglez), Teoford Erikson, Faik Konica, Sotir Peci u caktuan si delegatë në Evropë. 4. Kuvendi zgjodhi një këshill kombëtar për ta zënë vendin e Kuvendit në rast krize politike. Këshilli përbehej prej 13 vetash.

Ndërtesa ku botohej gazeta “Dielli” çdo ditë kishte vizita të shpeshta. Dhjetëra atdhetarë hynin e dilnin nga ato zyra, që i ngjanin një familjeje të madhe. Qëllimi dhe apeli kryesor i gazetës ishte që të bënte mobilizimin e të gjithë shqiptarëve për t’i bërë ballë rrezikut të madh që i kanosej atdheut. Ashtu siç ishte misioni historik i diasporës shqiptare në Amerikë, po atë mision e kishte edhe gazeta “Dielli”: kryerjen e detyrave që u kishte ngarkuar atdheu dhe kombi. Gazeta ishte një ndër mjetet kryesore për të komunikuar me botën e jashtme dhe për t’ua bërë të njohura kërkesat shqiptare Fuqive të Mëdha dhe shteteve shoviniste fqinje. Ajo arriti të shprehte me forcë vrullin patriotik të qytetarëve shqiptarë dhe pikëpamjet antishoviniste e demokratike të botuesve të saj. Edhe Konferenca e Paqes, që i zhvillonte punimet në Paris, ishte e natyrshme se do të tërhiqte vëmendjen e saj në mënyrë të vazhdueshme. Në atë Konferencë botuesit e gazetës “Dielli”, si dhe mbarë diaspora shqiptare e Amerikës, kishin pasur shpresa të mëdha.

Më 6 mars të vitit 1919 drejtuesit e gazetës duke qenë të vetëdijshëm për situatën e vendimeve të mëdha historike, pasqyron përpjekjet për kompletimin e delegacionit shqiptar duke e informuar opinionin se Mithat Frashëri, Luigj Bumçi e Faik Konica ishin ftuar të vinin menjëherë në Paris. Ajo informonte se Mithat Frashëri ishte kthyer nga Roma dhe gjendej në Lozanë. “I përndritshmi Erikson është këtu prej kohe. Z. Anselmo Lorecchio dhe Nikollë Kasneci janë të lirë të vijnë gjithashtu”. Gazeta informonte edhe për përpjekjet për ta sjellë në Paris edhe z. Sotir Peci. Opinioni njoftohej se Luigj Gurakuqi dhe Mustafa Kruja ishin prej kohe në Paris si ndihmës të delegacionit zyrtar.

Dielli pasqyron qëndrimin e përfaqësuesve shqiptarë në Konferencë që SHBA-të të jenë fuqi mandatorë për një vit në trojet shqiptare

“Dielli” që më 8 mars të vitit 1919 pasqyron politikën e përfaqësuesve tanë në Paqen e Versajës. “Dielli” pasqyron, në mënyrë shumë të qartë dhe qëndrimin e përfaqësuesve shqiptarë në këtë konferencë, ku kërkojnë që SHBA-të të jenë si fuqi mandatore për një vit në trojet shqiptare. Kërkesat shqiptare përmblidheshin kryesisht mbi një shtrirje etnike shqiptare në jug Çamërinë, kurse në veri tokat shqiptare të pushtuara nga serbo-malazeztë.

Përse u kërkua një mandat i tillë dhe nga kush u kërkua një mandat i tillë?

Mungesa e forcave ushtarake të Shqipërisë, prapambetja e madhe ekonomike dhe kulturore-arsimore, si pasojë e robërisë shumë shekullore osmane, pretendimet territoriale të vendeve fqinje bënë që një pjesë e qarqeve patriotike shqiptare të mendojnë se sovraniteti i Shqipërisë mund të sigurohej vetëm nën mandatin e ndonjë shteti të madh. Kjo ide u mbështet në mënyrë të veçantë në radhët e mërgatës shqiptare në SHBA.

Pikërisht për këtë Konferencë, e cila ishte jetike për çështjen shqiptare, u mobilizua në forma të ndryshme diaspora shqiptare në SHBA. Ata u përpoqën që në Konferencë të angazhojnë edhe ekspertë nga miqtë amerikanë për mbrojtjen e drejtë të çështjes shqiptare në ketë Konferencë.

Më 10 shkurt të 1919-s gazeta shkruante se miku i madh i shqiptarëve, koloneli Aubrey Herbert, shkon në Paqen e Versajës në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve.

Faqet e gazetës “Dielli” përpiqeshin që ta pasqyronin para opinionit në mënyrë sa më objektive veprimtarinë e delegacionit shqiptar në Paqen e Versajës. Më 12 mars 1919, duke folur për problemin e shqiptarëve në Jugosllavi e për Kosovën në veçanti, gazeta “Dielli” do të shkruante: “Po të jetë që Konferenca e Paqes lë një pëllëmbë të Kosovës në Jugosllavi, atëherë koha e sotme nuk ka asnjë ndryshim nga koha e mëparshme, por nuk besojmë kurrë në një padrejtësi kaq të madhe të Konferencës së Paqes”.

Gazeta kritikonte atdhetarët çamë

Më 13 mars 1919, kjo gazetë, duke i kritikuar atdhetarët çamë, shpreh mendimin se atdhetarët çamë nuk vepruan drejt dhe në vend që të dërgonin disa delegatë nga krahina e Çamërisë, sikur bënë edhe të vetëquajturit vorioepirotë, ata emëronin delegatë që të përfaqësonin tërë shqiptarët. Duke e gjykuar ketë veprim si jo të shkathët diplomatik dhe si mungesë të përvojës diplomatike, gazeta do të theksonte: “Jemi informuar se partia politike emëroi për delegatë të saj Aqif Pashë Elbasanin dhe Hasan Prishtinën. Askush nuk dyshon në përcaktimin atdhetar të tyre, por delegatët duhet të përcaktoheshin nga ana e çamërve.”

Bashkëpunëtorët e gazetës “Dielli” kishin arritur, në një kuptim shumë të drejtë të shkaqeve thelbësore, interesave dhe kontradiktave të thella ekonomike, politike dhe diplomatike ndërmjet shteteve të mëdha. Ata, me të drejtë, mbështetur në këto interesa, shprehnin frikën për një zgjidhje jo të drejtë të çështjes shqiptare. Në faqet e kësaj gazete do të shkruhej jo rastësisht se: “në Ballkan gjenden gjashtë kombe dhe politika e sotme e aleatëve nuk tregon se dëshirojnë të bëjnë një vendosje të drejtë për një paqe të qëndrueshme, por, përkundrazi, përpiqen t’i zmadhojnë serbët, grekët e rumunët, në kurriz të turqve e bullgarëve të mundur dhe në kurriz të shqiptarëve neutralë. Baza e kësaj politike duket që ishte pjesërisht urrejtja e aleatëve kundër shteteve të mundura e pjesërisht simpatia ndaj shteteve që kërkojnë pjesë të Shqipërisë dhe pjesërisht mosdija e atyre që u zgjodhën në komision të cilët ranë dhe bien pre e statistikave greke dhe serbe.”

Duke u përpjekur që të analizojë raportet ndërmjet përfaqësuesve kryesorë në Konferencë, të cilët i përfaqësonin Fuqitë e Mëdha vendimmarrëse në këtë konferencë, gazeta “Dielli” e datës 31 mars 1919 theksonte ndër të tjera se: “E vërteta është se një mos marrëveshje mbretëron në mesin e katër të mëdhenjve. Kjo do të thotë se Presidenti Wilson, Kryeministri Klemanso, Kryeministri Lloyd George dhe Kryeministri Orlando nuk janë në marrëveshje në mes tyre. Tërë java vajti kot. Programi për të shpëtuar paqen është vetëm një ëndërr vere. Puna po vete sa mbarë sa prapë”.

Të njëjtën ditë gazeta informonte opinionin se Shoqëria “Chameria” e Worcesterit i kishte emëruar për delegatë në Paris atdhetarët e shquar Rasim Dino dhe Mithat Frashërin, kurse sipas gazetës për zëvendës të tyre u rekomanduan Dr. Tortulli dhe Fuad Dibra.

Dielli shkruan edhe për rezistencën shqiptare në terren

Gazeta, në këto momente tejet të vështira për fatet e atdheut, nuk i anashkalon edhe zhvillimet e ngjarjeve në terren në territoret shqiptare. Rezistenca shqiptare në trojet e veta kishte marrë edhe dimensione të armatosura, të cilat pasqyroheshin në gazetën “Dielli”. Aty shkruhej për luftën që bëhej me forca krejtësisht të pabarabarta. Kështu, më 4 prill 1919, gazeta “Dielli” e boton artikullin Një betejë e përgjakshme midis shqiptarëve dhe serbëve në Plavë dhe Guci, ku, ndër të tjera, thekson se katundi Vuthaj me 200 shtëpi po dërrmohej krejt nga zjarri i gjyleve dhe se në situatën e krijuar po priteshin të përndjekurit e kësaj pjese që të vinin dhe të vendoseshin në Shkodër. Gazeta, duke folur për këtë kryengritje të shqiptarëve, thekson që ajo është vazhdim i kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës, të cilët u përpoqën ta shpëtonin vendin e tyre nga thonjtë e serbëve.

Gjithsesi, si mbarë shqiptarët, edhe gazeta “Dielli” shpresën kryesore për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë Konferencë e mbështeste te presidenti amerikan Wilson, duke u nisur nga parimet e tij të njohura dhe në demokracinë ekzistuese në SHBA. Ata shpresonin te presidenti Wilson jo vetëm në zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare. Më 9 prill 1919 kjo gazetë do të shkruante ndër të tjera: “Për një dashamirës të njerëzimit si Presidenti Wilson ishte e pamundur të jepte leje që Konferenca të vazhdonte në pakufi, duke shkaktuar anarki nëpër botë”.

Përderisa kryetari i Qeverisë së Durrësit, Turhan pashë Përmeti qëndronte në ballë të delegacionit shqiptar në Paris dhe bënte përpjekje të parreshtura për mbrojtjen sa më dinjitoze të çështjes kombëtare, nënpresidenti i Qeverisë së Durrësit, Prenkë Bibë Doda, i shkruante telegram kryeministrit në Paris, ku, ndër të tjera, theksonte: “Nga protestimet e bëra pothuajse në të gjitha qytetet shqiptare, tërë populli shqiptar, pa dallim feje, ishte ngritur në këmbë kundër pushtimeve serbe, malazeze dhe greke, të cilat kanë për qëllim copëtimin e atdheut tonë”. Gazeta “Dielli”, e datës 26 prill 1919, e pasqyron këtë telegram dhe po ashtu konstaton se ky ishte dokumenti i fundit zyrtar të cilin e ka nënshkruar i ndjeri Prenkë Bibë Doda. Në kohën kur kishte arritur telegrami në Paris në të njëjtën kohë kishte arritur edhe lajmi i hidhur se nënpresidenti i Qeverisë provizore humbi jetën nga dora vrastare përfundonte gazeta e kësaj date. Varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve dhe rrethanave politike në Konferencën e Paqes në Paris, në faqet e gazetës patjetër që do të ndikonin në optimizmin e matur, apo pesimizmin e drejtuesve të gazetës “Dielli”.

Dielli shpresonte në Presidentin Wilson por edhe e kritikonte atë

Kështu, p.sh., gazeta “Dielli”, e datës 2 maj 1919, shprehej me një ton pesimist dhe mllef për presidentin Wilson, në të cilin i kishte edhe shpresat më të mëdha. Në faqet e saj, ndër të tjera, do të theksohet: “Presidenti Wilson me 14 pikat e tij të famshme e dënonte Vlorën shqiptare kundër Fiumës ( Rijekës-Lush Culaj) zotërisht italiane. Nuk mund të ketë gjë më të tmerrshme që njeriu të gënjehet për diçka të ngut. Shqiptarët kanë qenë të bindur kurdoherë në padrejtësitë diplomatike dhe në shkopinjtë që janë thyer kurdoherë në kokën e atyre, e dinë se peshku i madh e ha të voglin dhe që kryefjala “forca vjen përpara të drejtës” nuk e ka humbur kurrë vlerën e kuptimit të saj”.

Në vazhdën e këtij shqetësimi të madh gazeta “Dielli” e datës 6 maj 1919 në faqet e saj thekson se gjykimi arbitrar i Presidentit Wilson për çështjen e Vlorës nuk është nga shkaku se ai mendon se Italia ka të drejtë mbi Vlorën, por mbështetur në idenë e interesit ekonomik, duke menduar se shqiptarët nuk kanë zotësi ta zhvillojnë një liman me aq rëndësi. Me këtë rast shprehet bindja se ky do të ishte një mendim i gabuar sepse asnjë shtet i Evropës Juglindore nuk mund të zhvillohet pa përkrahje nga ndonjë anë. Mirëpo, e njëjta gazetë, vetëm 8 ditë më vonë, do të theksonte: “Kur Presidenti Wilson bëri rekomandimin që Vlora t’i mbetej Italisë ishte një përshtypje se kabineti i Turhan pashës, anëtarët e Vatrës që përbëjnë shumicën e shqiptarëve të Amerikës dhe Fan Noli nuk kishin gjë kundër që Vlora t’i jepej Italisë.” Të paktën, sipas gazetës, ky ishte shpjegimi që Grameno dërgon nga Parisi duke e akuzuar politikën e kryeministrit shqiptar dhe të Vatrës duke theksuar se ne tani në vend se të bëjmë ndonjë tjetër punë nevojitet t’i rregullojmë gabimet e politikës së tyre.

Duke gjykuar mbi rrjedhën e punimeve të Konferencës së Paqes së Versajës, gazeta më 8 maj 1919 do të theksonte se gjendja, në të cilën ndodhej çështja shqiptare, është aq e koklavitur dhe e errët sa asnjëri prej shqiptarëve nuk është në gjendje të jepte një gjykim të përafërt. Ajo në faqet e saj e informonte opinionin se të gjitha çka thuhen dhe të gjitha çka shkruhen në faqet e shtypit botëror janë mendime apo hipoteza të njërit apo tjetrit dhe asnjë e bazuar në ndonjë vendim definitiv.

Dielli kritikonte edhe përfaqësuesit shqiptar në Paris

Gazeta “Dielli”, e datës 4 qershor 1919, shkaqet e dështimit përpiqet t’i analizojë dhe t’i gjejë edhe në mesin e vetë përfaqësuesve tanë në Paris, me ç’rast theksonte se përfaqësuesit e shqiptarëve në Konferencën e Paqes ishin të ngarkuar nga mbledhja kombëtare e Durrësit që të kundërshtonin çdo gjë që e cenonte pavarësinë e Shqipërisë. “Delegatët tanë nuk e luftojnë Italinë për aspiratat pushtuese të saj dhe nuk e mbrojnë pavarësinë shqiptare për çka i ka ngarkuar populli”.

Gazeta “Dielli” e demaskoi haptazi propagandën dhe demagogjinë e pushtuesve italianë. Kjo gazetë nuk e demaskonte vetëm politikën italiane, por, gjithashtu, i demaskonte edhe synimet shoviniste dhe politikën antishqiptare të monarkive fqinje jugosllave dhe greke.

Pa dyshim se në faqet e kësaj gazete nuk do të anashkaloheshin edhe kundërthëniet në mes shqiptarëve dhe dinte të ngrite theksin autokritik më zë të kumbueshëm. Sigurisht që kjo gazetë në vazhdimësi të opinionit të saj, më 7 qershor, shkaqet përpiqet t’i shpjegojë edhe në ndryshimet e mendimeve politike në mes të Turhan pashës me disa shokë nga njëra anë dhe Konicës, Tortullit dhe disa shokëve të tyre nga ana e tjetër. Turhani mbron idenë se nuk duhet të prishemi me Italinë dhe pranon mandatin italian. Me idenë e tij janë bashkuar Bumçi, Gurakuqi, M. Kruja, Gjergj Fishta e si duket edhe Mehdi Frashëri dhe Myfit Bej Libohova. Kurse Konica, Tortulli dhe Mithat Frashëri janë kundër çdo ndërhyrjeje italiane në Shqipëri dhe mbrojnë idenë e mandatarisë amerikane. Ky vlerësim i gazetës Dielli binte në kundërshtim me mendimin e Mihajl Gramenos botuar në gazetën “Albania” ku e gjykonte politikën e Konicës dhe Tortullit.

Gazeta, duke komentuar dhe duke e pasur parasysh trajtimin jo të duhur të delegatëve tanë në Paris, thekson se është e vetëdijshme se delegatët tanë nuk i kanë përparësitë që i kanë delegacioni jugosllav dhe grek, por konkludon se të drejtat e pakontestuara të shqiptarëve në çështjen e Vlorës dhe të mandatarisë, janë përparësi mjaft të shkoqitura që t’i detyrojnë aleatët t’i dëgjojnë vërejtjet dhe ankimet e tyre mbi këto pika. Gjykimi i gazetës ishte që, po qe se delegatët tanë i lënë mënjanë kundërshtimet dhe i bashkojnë pikëpamjet e tyre, mund të përfitojnë nga Konferenca e Paqes.

Gazeta “Dielli”, në faqet e saj, nuk do ta anashkalojë edhe forcën reale dhe potencialet e kundërshtarëve tonë politikë që përpiqeshin të gllabëronin sa më shumë që ishte e mundur territore shqiptare. Ndonëse e dhimbshme dhe në disfavor të çështjes sonë kombëtare, gazeta “Dielli”, përmes profesionalizmit të saj, pasqyronte edhe reputacionin, përgatitjen profesionale e diplomatike si dhe influencën e përfaqësuesve kundërshtarë. Kështu, duke folur për udhëheqësin e delegacionit grek në Paqen e Versajës, gazeta do të shkruante: “Na pëlqen apo jo fakti z. Venizellos ka fituar jo vetëm influencën më të madhe por edhe besimin e Konferencës së Paqes. Në çdo çështje kërkohet mendimi i tij dhe influenca e tij morale. Kjo bëri që Greqisë t’i jepet një rëndësi dhe një vend më i nderuar se çdo vendi tjetër përveç shteteve të mëdha. Artikulli përmbyllet me fjalën e urtë popullore që “armikun vraje por mos i hyn në hak”.

Tri ditë më vonë, gazeta pasqyron deklaratën dhe qëndrimin e kryeministrit shqiptar Turhan Pashë Mehmeti ku theksonte se populli shqiptar nuk mund t’i njohë vendimet që kundërshtojnë tërësinë tokësore dhe independencën e tij dhe aq më pak që t’iu bindet atyre vendimeve.

Zëvendësimi i Turhan Pashë Mehmetit me Imzot Luigj Bumçin

Ndërkaq, duke e pasqyruar tërheqjen e kryeministrit shqiptar nga udhëheqësi i Delegacionit Qeveritar shqiptar në Paqen e Versajës, përmes shkrimit të Mustafa Krujës, gazeta informonte opinionin se udhëheqësi i delegacionit shqiptar në Paris, Turhan Pasha, u tërhoq për shkaqe shëndetësore, ngase puna kërkonte një energji tejet të madhe.

Lidhur me këtë ndërrim në krye të delegacionit qeveritar shqiptar, për të mos krijuar hutim në opinionin shqiptar, përmes faqeve të gazetës “Dielli”, Mehmet Konica shkruante se në kuadër të delegacionit shqiptar mbretëronte marrëveshje dhe harmoni e plotë. Ai, ndër të tjera, do të shkruante: “Tërë delegatët e kolonive shqiptare qëndrojnë rreth dërgatës zyrtare e cila kryesohet nga Imzot Bumçi me anëtarë Mehdi Frashëri, Dr. Tortulli, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Mehmet Konica. Faik Konica u emërua përfaqësues në Uashington dhe po presim pranimin e tij”.

Propaganda dhe shpifjet e paskrupullta e tendencioze ndaj shqiptarëve ishin të fuqishme nga të gjitha këndvështrimet. Edhe ky fakt nuk anashkalohet nga gazeta “Dielli”, e cila herë pa here paraqiste shkrimet dhe citatet e gazetave të huaja për shqiptarët. Ajo kryesisht pasqyronte shkrimet e shtypit frëng, që ishin në disfavor të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Më 6 gusht 1919 gazeta “Dielli” pasqyronte shkrimet e gazetave franceze të cilat shkruanin se “Konferenca e Paqes bëri një gabim trashanik duke e pritur një delegacion shqiptar të kryesuar nga një njeri i Sulltan Hamitit në vend që të priste Esat Pashën i cili kishte luftuar për aleatët”. Përmes këtij argumenti, gazetat filluan të godisnin edhe principin e krijimit të një shteti shqiptar duke parashtruar pyetjen se si është e mundur të krijohet një shtet i këtillë i vetëquajtur shqiptar, kurse kryetarët e tij deri dje i shërbenin Turqisë. Fundi i fundit, theksuan gazetat e Parisit, Shqipëria nuk mund të jetë veç një Turqi e vogël e cila do të qeveriset nga ish-nëpunësit e Turqisë së madhe.

Madje, gazeta “Le Journal” kishte gjetur edhe një fotografi të vjetër të Turhan Pashës me një kapelë të kuqe turke në kokë, të cilën e botoi me rastin e arritjes në Paris të delegacionit shqiptar.

Pikërisht, mbështetur në këto shkrime dhe në imazhin e keq të paraqitur për shqiptarët në Paris dhe në Evropë, delegacioni qeveritar luftonte që ta përmirësonte atë.

Më 14 gusht 1919, gazeta “Dielli” pasqyronte në faqet e saj një intervistë të kryetarit të delegacionit shqiptar në Paqen e Versajës, Luigj Bumçit, dhënë gazetës “Libre Parole” (Fjala e Lirë), ku, ndër të tjera, theksonte: “Kemi luftuar kundër xhelatëve tërë jetën për të mos lejuar të na përpijnë. Shqiptari nuk bie më poshtë se racat e tjera të Ballkanit. Papa Klementi XI ishte shqiptar. Skënderbeu ishte ai që me shqiptarët luftoi kundër Sulltanit që ishte betuar që t’u jepte taxhi kuajve të tij në shkallët e Shën Pjetrit në Romë. Kur Skënderbeu e shpëtoi Evropën, grekët grindeshin me punë bizantine kurse tirani i Serbisë bënte dasmat e së bijës me Sulltanin. Në katër shekuj e sipër të sundimit turk historia otomane shënon 54 kryengritje të mëdha shqiptare. Shqipëria duhet të ketë brenda kufijve të gjitha vendet ku flitet shqip. Edhe Kosova e Epiri duhet të bashkohen me shtetin shqiptar”. Imzot Bumçi e kishte përfunduar intervistën me konstatimin se paqja në Evropën Juglindore do të mbretëronte vetëm atëherë kur të jetë e mbështetur mbi drejtësinë e popujve.

Të njëjtën ditë, po kjo gazetë, duke e shtjelluar politikën demagogjike te Venizellosit do të theksonte se i tërë “idealizmi” i tij për Lidhjen e Kombeve nuk ishte asgjë tjetër vetëm të përfitonte simpatinë e Presidentit Wilson.

Pa dyshim se faqet e gazetës “Dielli” do ta trajtonin edhe politikën vetanake të disa individëve servilë ndaj italianëve, por edhe qëndrimin zyrtar të delegacionit qeveritar ndaj italianëve si dhe thirrjet e tyre drejtuar senatorëve dhe deputetëve italianë për çështjen shqiptare.

Objekt kritike në faqet e kësaj gazete u bë edhe veprimtaria e një pjese të delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, për shkak të qëndrimit të tyre të butë para politikës dhe shtetit italian.

Pikërisht, duke bërë analiza politike për një përfitim sa më të mirë të çështjes shqiptare pasi një mandat amerikan në Shqipëri ishte i papranueshëm edhe nga vetë amerikanët, gazeta “Dielli”, e datës 4 tetor 1919, theksonte: “Nga ana e jonë parapëlqejmë kontrollimin e Shqipërisë nga francezët nëse amerikanët nuk pranojnë. Arsyeja pse Franca favorizohet më tepër se Italia nuk është nga ndonjë shkak morali por nga shkaqe politike dhe ekonomike. Shqiptarët nuk i duan italianët në Shqipëri, sepse kanë frikë nga kolonizimi i tyre. Italia me një popullatë të madhe do të shtrëngohet ta mbushë Shqipërinë me italianë. Ky rrezik nuk mund të jetë nga francezët të cilët nuk mbushin dot vendet e tyre. Nga pikëpamja ekonomike gjendja e Shqipërisë do të rrezikohej edhe më tepër, sepse italianët janë të tronditur ekonomikisht dhe do të përpiqeshin që t’ia thithnin gjakun Shqipërisë.” Gazeta përfundonte me konstatimin se vënia e Shqipërisë nën protektoratin italian është vdekje e saj politike.

Këto analiza të gazetës “Dielli” bëheshin pikërisht në periudhën kohore, kur flitej për mandatin e mundshëm italian mbi Shqipërinë. Këtu mund të shihet edhe largpamësia e kësaj gazete, e cila kuptohet se ishte për një mandat amerikan në Shqipëri, por duke e parë se mandati amerikan ishte i papranueshëm, atëherë në zgjidhjen ndërmjet dy të këqijave propozonte dhe pranonte zgjidhjen me dëm më të vogël, apo të keqen më të vogël. Kur u theksua se amerikanët e kishin pranuar mandatin italian në Shqipëri, gazeta “Dielli”, megjithatë, përpiqej që përmes faqeve të saj të arsyetonte qëndrimin amerikan, duke theksuar se amerikanët nuk i njihnin sa duhet raportet shqiptaro-italiane, sepse ata (pra, amerikanët) nuk dëshironin kurrë të shqelmonin të drejtat e shqiptarëve.

Përfundimisht, duhet theksuar se gazeta “Dielli” ishte shprehësja më e mirë e ideve dhe mendimeve të shqiptarëve në SHBA, si dhe përfaqësuesja më e denjë e rrymës së vendosur patriotike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo vërtet e kreu një mision dhe detyrë të shenjtë, detyrën e mbrojtjes së idealeve kombëtare.

Filed Under: Analiza

Viti i Ri 2025 dhe Kombi Shqiptar!

December 31, 2024 by s p

Nga Harry Bajraktari/

Dua t’i uroj Kombit Shqiptar që Viti i Ri 2025 të jetë një vit suksesesh, ndryshimesh pozitive dhe begatie.

Shqiptarët do të përballen me sfida të shumta këtë vit dhe kanë nevojë për mbështetje e guxim.

Në Kosovë, shqiptarët do të përballen shumë shpejt me zgjedhjet e reja. Bëj thirrje që të mos mungojnë në votim. Kjo është mundësia që të thonë fjalën e tyre dhe të votojnë për ata politikanë të cilët kanë plane konkrete dhe janë seriozë për përmirësimin e jetës së përditshme. Të votojnë për politikanë që kujdesen që të hapin vende pune, që të zhvillojnë nivelin ekonomik të jetesës, e që punojnë që Kosova të jetë vendi i të ardhmes për fëmijët që rriten.

Dikur shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë politike – edhe ajo e votës së lirë. Tani, kur Kosova është e pavarur, e lirë dhe demokratike, mos mungoni në votime.

Zgjedhje do të mbahen këtë pranverë edhe në Shqipëri. Këtu janë veçanërisht të rëndësishme sepse vendi është kthyer praktikisht në një sistem njëpartiak. Partia Socialiste ka 12 vjet në qeveri. Ajo zotëron gati të gjithë pushtetin lokal përveç atij qendror. Biznesi i madh, administrata, akademia, e shumë institucione që duhet të ishin të pavarura nuk janë më të tilla.

Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Ka nevojë për një opozitë të fuqishme, që bashkohet dhe i ofron popullit një alternativë më të mirë, për një demokraci të vërtetë dhe një jetë më të mirë ekonomike për shumicën e njerëzve. Shqiptarët duhet të votojnë për ndryshimin.

Ky Vit i Ri, 2025, sjell edhe në Washington DC si një administratë të re, një epokë të re. Donald Trump do të jetë përsëri President në Shtëpinë e Bardhë, kurse Republikanët do të kontrollojnë si Senatin ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres.

Shpresoj se shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës do të gjejnë mënyrat e duhura për të bashkëpunuar me fituesit e rinj që kanë vizion për të sjellë ndryshime të mëdha. Ky bashkëpunim ka mundësi të shtrihet në shumë fusha, ushtarake, politike, ekonomike etj.

Vetëm me mbështetjen dhe bashkëpunimin amerikan mund të mposhtim rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia e interesat e Rusisë për destabilizim në Ballkan dhe Evropë. Përparimi ekonomik dhe i demokracisë ka gjithashtu nevojë për bashkëpunim me SHBA-në dhe aleatët tanë.

Shkatërrimet dhe vuajtjet nga lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme na kujtojnë sesa e çmuar është paqja dhe siguria. Le të jetë ky vit 2025, një vit i paqes dhe qetësisë.

Një nga synimet e Kosovës këtë vit duhet të jetë anëtarësimi në NATO. Shumica e energjive në fushën diplomatike dhe të sigurisë duhet të përqendrohen te ky synim. Me administratën e re këtë vit në Washington, shfaqet edhe një mundësi e re.

Komuniteti shqiptar në SHBA me lidhjet e tij në Washington, me lobimin e tij, do të ndihmojë që Kosova të ecë përpara drejt këtij synimi politik vendimtar për sigurinë e saj. NATO duhet të jetë synimi. Komuniteti vazhdojë të jetë një urë lidhëse, një mbështetës i fuqishëm i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Në sfidat që vijnë me këtë vit të ri, ka rëndësi që të kemi maturi dhe guxim për të marrë vendimet e duhura. Unë jam optimist për aftësitë e shqiptarëve.

Gëzuar Vitin e Ri 2025!

Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT