• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Adresimi i Kryeministrit Kurti në seancën e përbashkët plenare mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

December 20, 2024 by s p

Prishtinë, 20 dhjetor 2024/

Sot në Prishtinë u mbajt mbledhja e dytë e përbashkët mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në të cilën Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbajti një fjalë rasti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani – Sadriu

E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj.Elisa Spiropali,

I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të dy republikave tona demokratike e parlamentare,

Të nderuar drejtues e përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore,

Shkëlqesi ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë,

Të dashura familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të dashur qytetarë,

Sot në Prishtinë moti është i ftohtë, siç i takon në këto javë të mbylljes së vitit, por besoj se ai nuk ndikon aspak në atmosferën e ngrohtë në këtë sallë, ku janë bërë bashkë dy kuvende, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Dy republikat tona janë parlamentare dhe ju, të dashur deputetë, përfaqësoni qytetarët e dy shteteve dhe pjesëtarët e të njëjtit komb. Dy shtetet tona, edhe pse të themeluara me një distancë kohore nga njëri-tjetri, janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë shekullore të shqiptarëve për ruajtjen e identitetit dhe bashkimin kombëtar. Legjislatura e parë e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhje pluraliste e njohu shpalljen Republikës së Kosovës me rezolutën e datës 21 tetor 1991. Ndjenja e vëllazërisë, vetëdija historike dhe përgjegjësia para qytetarëve që na kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar, motivojnë mbledhje si këto.

Si kryesues i Qeverisë së Kosovës, shpreh kënaqësi që sot Kuvendet e dy shteteve bëjnë bilancin dhe vlerësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta qeveritare dhe që besoj se mbulojnë të gjitha fushat e veprimit shtetëror: që nga mbrojtja; infrastruktura; bujqësia; shkëmbimet tregtare; tregu i përbashkët energjetik; turizmi; lëvizja ndërkufitare pa kontrolle; njohja e kontributeve shoqërore për efekt të pensioneve; njësimi i teksteve shkollore; organizimi i veprimtarive të përbashkëta artistike e sportive; reduktimi i procedurave administrative për banim, studim, punësim e sipërmarrje e të tjera, e të tjera. Rezultatet e deritanishme të këtyre marrëveshjeve janë të prekshme për qytetarët dhe nxitëse për të vijuar më tej në këtë rrugë. Më lejoni të përmend vetëm disa nga arritjet e përbashkëta:

– Shqipëria është ndër pesë vendet e para me të cilët Kosova ka vëllimet më të mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milionë euro;

– Tregu i përbashkët energjetik ALPEX “Albanian Power Exchange” është funksional;

– Lëvizja pa asnjë kontroll e qytetarëve në kufi për një periudhë 9 mujore dhe gjatë fundjavave e festave shtetërore edhe për tre muajt e mbetur, ndërkohë që po punohet për heqjen e kontrollit përgjatë tërë vitit;

– Lehtësimi i procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë joshtazore në pikat e inspektimit kufitar;

– Hapja e 26 vendkalimeve të reja për mbi 200 mijë banorët e zonave kufitare dhe rehabilitimi i disa segmenteve rrugore të fshatrave kufitare Shqipëri-Kosovë;

– Hapja e dy zyrave doganore të Kosovës në Durrës e Porto Romano dhe reduktimi i skanimit të dyfishtë nga 100% në 10%;

– Hapja e korridoreve të reja ajrore për fluturime komerciale që kanë shkurtuar fluturimet për dhe nga Kosova;

– Ofrimin e shërbimeve mjekësore nga spitalet e zonave kufitare Kukës, Gjakovë, Prizren për banorët e tyre;

– Bashkëpunimi në aplikimin e suksesshëm të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe bashkëorganizimi i Kampionatit Evropian të Volejbollit për vajza të grupmoshave U16;

– Fondi i përbashkët për projektet teatrore dhe organizimi i festivalit mbarëkombëtar i teatrit shqiptar “Moisiu”;

– Veprimtari të shumta të përbashkëta në kinematografi, trashëgimi kulturore e muze;

– Abetarja e njëjtë mësohet në shkollat tona tash e tre vjet dhe vijon bashkëpunimi për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”;

– Njësimi i procedurave për regjistrimin e studentëve dhe dhënia e bursave;

– Lehtësimi i procedurave të transitit të mallrave ushtarake dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë;

– Bashkëpunimi për operacionet në fushën e kërkim-shpëtimit në të dy vendet;

– Platforma e përbashkët digjitale e informacionit dhe promovimit turistik e të tjera.

Të dashur deputetë të Kuvendeve tona,

Jemi të vetëdijshëm se nuk na lejohet mburrja dhe vetëkënaqësia për arritjet. Kemi shumë punë për të bërë, si Qeveri, si Kuvende dhe si administrata publike për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të dy republikave tona. Sepse, siç e ka thënë poeti dhe prozatori ynë i mirënjohur Primo Shllaku: “Kufiri ndërmjet Kosovës e Shqipërisë është si kufiri ndërmjet dy barkusheve të zemrës.” E Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe po ashtu edhe për monitorimin e zbatimit të tyre.

Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet midis dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim. Kemi punë përpara, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por dhe për ndihmuar për sigurinë e jetesën e dinjitetshme te shqiptarët në shtetet fqinje, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, por sidomos në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë, prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbej kjo si një shembull edhe për Shqipërinë!

Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të jetë anëtare të denja të familjes euro-atlantike dhe po marrin përgjegjësinë që u takon në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Pakicat kombëtare në Kosovë dhe te shqiptarët në përgjithësi janë bashkë me ne sepse ne jemi respektues dhe të përgjegjshëm ndaj tyre. Kosova dhe Shqipëria besojnë në të drejtat e njeriut, janë kontribuese të paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj dhe janë mbështetës të fuqishëm të proceseve integruese euro-atlantike. Sot më shumë se kurrë shtetet demokratike në kontinentin tonë po ndërgjegjësohen se kanë nevojë si për Bashkimin Evropian, si për NATO-n. Jo më kot, dy vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Finlanda dhe Suedia, kohët e fundit vendosën që t’i bashkohen Aleancës së Atlantikut Verior. Neve në Kosovë na gëzon fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat i Bashkimit Evropian. Kosova ka dorëzuar aplikimin për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe po avancon në këtë drejtim, për aq sa lejon situata ku ajo ndodhet, kryesisht për shkak të refuzimit agresiv të Serbisë për të na njohur si shtet, por edhe për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ndërkaq NATO-ja është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO.

Mirëpo, Kosova po bën hapa gjigantë drejt NATO-s. NATO nuk ka armatim të vetin, NATO e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare dhe për dallim nga viti 2018-2020 kur kishin më pak se katër milionë euro investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milionë euro investim në armatim dhe municion. Pra ne nuk mund të anëtarësohemi në NATO se nuk jemi mjaftueshëm të fortë por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse edhe do të kontribuojmë.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin Ibër-Lepenc, që vijnë nga e njëjta adresë, Serbia e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia dhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forcat e Sigurisë së Kosovës është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e Aleancës dhe ne besojmë se Shqipërinë e kemi në krah të përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë.

Qysh në vitin e kaluar edhe në këtë vit, edhe vitin e ardhshëm ne tejkalojmë kriterin prej 2 për qind të bruto produktit vendor që është i vendosur në samitin e Wales-it para 10 vjetëve të NATO-s kur u përcaktua si kriter.

Edhe në Kosovë edhe në Shqipëri të nderuar deputetë, të dashur kolegë nga ekzekutivi, besoj që duhet t’i kushtojmë rëndësi të posaçme katër kategorive shoqërore: aktivizimit dhe të drejtave të grave që na e dyfishojnë kombin, rinisë që është energjike dhe shumëgjuhëshe si asnjë tjetër në Ballkan, diasporës që është më e madhe dhe patriotike, sërish, si asnjë tjetër nga Ballkani, dhe zhvillimit të fshatit e të malësive tona.

Në Kosovë, rritja ekonomike mesatare në këtë katër vjeçar ishte më e larta prej se kemi shpallë pavarësinë e po ashtu edhe avancimi demokratik, luftimi i korrupsionit e progresi shoqëror. Gjithashtu si asnjëherë më parë kemi shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës, kemi integritet territorial dhe sot që po flasim në Kosovë mund të ketë akte sporadike terroriste, por nuk ka më burime të brendshme që mund të na cenojnë sigurinë apo stabilitetin.

Terrorizimi i paramilitarëve të orkestruar e të financuar nga Serbia është shprehje e pafuqisë së tyre. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre.

Të nderuar të pranishëm,

Vitin tjetër, Kuvendet e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë do të riformohen, sipas vullnetit që qytetarët do të shprehin në kutitë e votimit. Cilëtdo qofshin deputetët që do t’i përfaqësojnë, unë jam i sigurt se mbledhjet e përbashkëta të dy Kuvendeve do të vijojnë me të njëjtën frymë dhe dobi publike, sikurse kjo mbledhje e sotme.

Falënderoj dy kryetarët e Kuvendeve, znj. Spiropali dhe z. Konjufca, për organizimin e saj, falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për pjesëmarrjen e tij, kryetarët e grupeve parlamentare, deputetët e pranishëm dhe të gjithëve bashkë ju uroj ditë të mbarë!

Filed Under: Ekonomi

At Marko Moçka bekues i flamurit kombëtar

December 20, 2024 by s p

Kristo Çipa/

Ishte gjysëm e dytë e shekullit të 19 kur në qiellin shqiptar filluan të vezullojnë yjet e Rilindjes kombëtare të ardhur nga të katër anët e horizonzit dhe gjithë kontinentet e botës për të qëruar qiellin e kombit më të vjetër. Një ndër këta yje vezullues ishte dhe Marko Moçka i lindur në vitin 1857 në pjesën e ultësirës së Vlorës dhe mbaron shkollën fillore në qytetin e Vlorës. Vatra familjare dhe flaka e dheut të Mëmëdheut e përgatitën Marko Moçkën për të kapur armën më të fuqishme të kohës që ishte dija. Mbaron shkollën e mesme dhe të lartë në Janinë dhe kalon oqeanin ku vazhdon arsimin në teologji ku merr edhe titullin fetar “ Dhespot”

Era e Atdheut dhe e flamurit e rikthejnë At Marko Moçkën në Shqipër më 25.4.1912 ku krijon edhe shoqatën e parë të fesë ortodokse..

Fillon të krijojë marrëdhënje me personalitetet shqiptare në Shqipëri dhe Amerikë dhe krijon mundësinë e takimit të parë me Presidentit Amerika Uillson ku edhe i ngarkohet detyra e bekimit të flamurit kombëtar në ditën e shpalljes së pavarsisë. Dhe Ati menjëherë pas shpalljes së pavarsisë i shkruan Presidentit Uillson:

“Mesazhin tuaj plr moscoptimin e tokave shqiptare e lexova në ditën e flamurit më 28 Nëntor 1912 dhe u prit me duartrokitje e brohoritje të fuqishmr. Shqipëria dhe shqiptarët do ju jenë përherë mirënjohës SHBA dhe juve Zoti Presidend”! Në takimin e dytë pas shpalljes së pavarsisë, Presidenti i drejtohet At Marko Moçkës

“-Gëzohem shumë që ju takob personalisht zoti Marko dhe u informova se gjithshka shkoi mirl! Ta gëzoni pavarsinë!

Këtë takim tonin mund ta quajml edhe fillimi e marrdhënieve miqësore shqiptari-amerikane, apo jo zoti Marko?” Të dy burrat rrokën duart mbi flamuj, dhanë besim e miqësi. At Markua edhe gjatë luftës sl dytë botërore mbajti një qëndrim pro aleatëve perëndimorë duke bekuar misionin angli-amerikanë në vitin 1943. Në kishën e shën Kollit u strehuan 50 hebrej. Kjo kishë që ishte ndër më të mëdhat në Ballkan u rrafshua nga regjimi komunist vite më vonë.

Burrat e bekuar të Shqipërisë çuditërisht kanë patur një fund tragjik ashtu si edhe At Marko Moçka i cili u masakrua nga regjimi komunist në vitin 1947. Për figurën e At Marko Moçkës kanë folur e shkruar shumë personalitete si Pjetër Arbnori, Osman Kazazi, Haki Koltraki, Bardhosh Gaçe, Vath Gruda e të tjerë. Në plejadln e burrave me bekim hyjnor At Marko Moçka do të ngelet ndër më të diamantët se ai kurrë su përlye me baltën e pushtetit. Në nderim të tij unë kam shkruar një poezi të cilën me shumë dëshirë po e rreshtoj në këtë shkrim homazh për Atin.

Filed Under: Kulture

Ç’DOMETHËNË ECJE PËRPARA?

December 20, 2024 by s p

Saimir Lolja/

Ç’domethënë të keshë, të dishë, të ngjitesh, të zbresësh, të përparosh, nga e deri ku? Deri ku ësht kufini për këto dhe a mbeten të njëjtë qëllimet për to? Sepse njeriu vjen lakuriq në këtë jetë dhe ikën po lakuriq nga kjo botë. Rrjedha në kohë e shoqërive njerëzore ka ngjitjet (zhvillimet), kthesat, zbritjet (rrënimet). Ajo ësht e pa ndërprerë dhe gjithmonë ndryshe edhe në gjatësi kohe nga copëza e shkuar e ngjashme. Çdo copëz e historisë njerëzore ësht pasojë edhe e copëzës së ngjashme të shkuar edhe e ndikimeve të reja. Katër periudhat e përsëritshme të historisë njerëzore janë: 1) Kohët e vështira krijojnë njerëz të fuqishëm. 2) Njerëzit e fuqishëm krijojnë kohë të mira. 3) Kohët e mira krijojnë njerëz të dobët. 4) Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira. Pra, përparim ose ecje përpara do të thotë ose ngjitje ose zbritje.
Njeriu përparon për nga jasht vetvetes por jo për nga brenda sepse instinktet, emocionet dhe organet trupore nuk i ndryshojnë. Për nga jasht, atij i ndryshon veshja, vendi dhe kushtet e jetesës, pamja, ushqimi, gatimi, kimikatet, veglat dhe makinat që përdor, tingujt që dëgjon, çfar sheh dhe prek, dhe rrjedhimisht qëllimet, botënjohja dhe botëkuptimi.

DIJA – A i nevojitet njeriut dije dhe të kuptojë që të ecë përpara? Sa dhe deri ku? Sepse me një rreth të vogël e një të madh vërtetohet matematikisht se sa më shumë të dihet aq më shumë dallohet se nuk dihet. Nëse njeriu di shumë por s’i kanë vlerë kohore apo përdorimi ose s’ia kërkojnë ose s’i janë të frytshme ose janë të rrezikshme apo të tepruara, atëhere për të ësht sikur nuk di. Shumë nga ajo sasi s’ka për t’u përdorur ndonjëherë, ndonëse i shërben vetëm mendjes për një kuptim më të gjërë e më të thellë. Shekulli XXI tregon se njohuria dhe zgjuarsia e shoqërisë janë rritur shumë, me shpejtësi të madhe dhe frikshëm, veçanërisht pas vitit 2000.

USHQIMI – A i nevojitet ushqim i mirë njeriut të mendojë dhe të ecë përpara? Nëse ushqimi nuk ësht natyral, njeriu bëhet shëndetlig dhe trupi i tij kalbet nga brenda dhe sëmundje të padëgjuara lindin. Kur ushqimi ësht natyral edhe shoqëria dhe raca shoqërore përcillet e fortë në brezat e rinj. Përndryshe trupi i njeriut fillon të kundërveprojë jo natyralisht për të tretur ushqimet jo natyrore. Shembull i shtrembërimit të natyrës ësht rasti i sëmundjes të quajtur i lopës se çmendur, e cila ndodh ngase lopës i jepet ushqim proteinik për ta rritur shpejt në peshë ndërkohë që lopa ësht barngrënëse prej natyre. Mendja e lopës çmendet sepse nga barngrënëse që e ka krijuar natyra duhet të kthehet në mishngrënëse.

SHTETI – A i nevojitet njeriut një makinë të ecë përpara? Përgjatë historisë, qytetërimet e përparuara janë bërë dhe quhen të tillë sepse kanë patur ose e kanë me cilësi të lartë organizimin e shoqërisë, makinën shtetrore, sigurimin e shtetit, domethënë shtetin. Një shtet i organizuar dhe siguruar mirë punon si një makinë e vetëdijshme dhe mbarëvajtja e tij ka në themel parimin një vend për çdo gjë apo njeri dhe çdo gjë apo njeri në vendin e vet. Një qytetërim nuk ka nevojë të jetë doemos një komb i organizuar në shtet, sepse qytetërimi ka nevojë të punojë makina e tij (shtetrore, gjuhësore, artistike, ndërtuese, prodhuese, tregtare, shtypëse, vjelëse, ushtarake) pavarësisht se kush ia bën punën.
MORALI – A i nevojitet shoqërisë njerëzore një moral që të jetë e qëndrueshme dhe të ecë përpara? Ka shumë fjalë për të përshkruar veglat, makinat, teknologjitë dhe ka pak fjalë për të përshkruar ndjenjat. Moral domethënë mbarëvajtje e një grupi shoqëror nëpërmjet peshores çfar ësht e mirë dhe çfar ësht e keqe. Morali ai ësht i brishtë sepse lidhet drejtpërsëdrejti me ndjenjat njerëzore. Prandaj keqdashësit godasin moralin e trashëguar dhe fetë i kryejnë krahmarrje mendjes pikërisht nëpërmjet linjës ndjenja-moral-ndjenja.

Morali ësht përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe prandaj i ve kufi dëshirave apo marrive vetjake. Ai ësht natyror dhe edukues sepse njerëzit kanë lindur prej natyrës dhe duhet të ndjekin ligjet e saja për njerëzit dhe jo për kafshët apo robotët. Tani ka më shumë elektronikë e teknologji dhe njëkohësisht më shumë mendje të lehta, të rinuara apo të shuara, gjë që ka shkaktuar marramendje të madhe dhe dëmtim në moralin natyror të turmave njerëzore. Tani kryhen klonime organike dhe prodhohen robotë, të cilët janë pa moral, pa ndjenja e qëllim njerëzor, përdoren për të zëvendësuar njerëzit dhe nuk shprehin ngjitje (zhvillim) por zbritje (rrënim) të shoqërisë njerëzore.

Pra, një QYTETËRIM që të ngjitet, ta mbajë veten lart dhe të zgjerohet duhet të ketë themele të qëndrueshëm. I tillë domethënë të jetë i fuqishëm, i pasur, i gatuar dhe pjekur mirë, zotërues i sipërfaqes toksore ku shtrihet, diplomatik me vendet e tjera. Kështu ai mbron pasuritë dhe jetët e qytetarëve, pronat e njerëzve dhe shtetrore, pasuritë natyrore dhe të fshehtat e vendit. Me këto ai i jep paqe, siguri e qetësi qytetarëve të tij. Si rrjedhim, amigdala trunore, e cila kujdeset për kujtesën, vendim-marrjen dhe përgjigjen emocionale, nuk ësht e acaruar dhe nuk e fut njeriun në gjendje paniku “thik apo ik”. Ashtu të pa friksuar, qytetarët bëjnë paracaktime afatgjata të jetëve familjare e punëve të tyre dhe i shërbejnë sinqerisht vendit. Themelet e një qytetërimi të qëndrueshëm janë:

1) Një ide moralizuese e hartuar mbi një gjuhë të veçantë. Për shembull, perandoria romake lindi kur u fut në përdorim gjuha latine në vitin 27 p.e.s. Në raste të tjera, bie fjala, u krijuan kisha të cilat filluan spërkatjen e gjuhëve kishtare mbi popullatat që kishin apo futnin në vathat e tyre. Ideja moralizuese i jep udhë ndjekësve dhe bindje popullatës, dhe bën të mundur parashikimin e sjelljes shoqërore të turmave. Fetë meslindore, indiane apo kineze janë shembuj të qëllimit nënshtrues dhe bindës ndaj perandorive dhe jo pëlqimit paqësor të perëndive. Arbër-Shqiptarët e kanë gjuhën natyrore Shqipe dhe idenë e Besës, e cila të jep shpëtim, ësht një besim mbi një virtyt me kuptim të saktë, dhe i ndihmon të tjerët ta mbartin Besën e të udhëhiqen prej virtytit.
2) Një ndërtesë familjare e vidhosur mirë dhe me trashëgimi, i cila i jep qëllim lindjes së fëmijëve dhe punëve jasht familjes. Njërës pa qytetërim të dukshëm ka, por qytetërim pa njërës nuk ka.
3) Një makinë zyrtarësh me sasinë dhe cilësinë e duhur për të mbrojtur shtetin dhe zbatuar detyrat nga lart-poshtë.
4) Një rrjet shkollimi dhe edukimi cilësor që të përballojë të tashmen dhe të aftësojë brezat e rij.
5)] Një shoqëri e ndarë në shtresa të ndërvarura ku ngjitja nuk dhurohet por arrihet me punë sipas meritës, vlerës që shton dhe ndershmërisë.
6) Aftësia për të zgjidhur nyjet, veçanërisht ato të mëdha si, bie fjala, furnizimi me ujë pa ndërprerje të çdo familjeje, vendbanimi dhe toke bujqësore.
7) Mbrojtja ushtarake e vendit, e cila edhe edukon brezat e rij me rregullat në jetë.
8) Kanunet ligjore të cilët vendosin çdo njeri dhe gjë në vendin e vet, dhe kujdesen me pa anshmëri për rendin dhe sigurinë shoqërore.

Si përfundim, zhvillimi kërkon të kuptohet si ndryshim përmirësues dhe jo përmbysje (revolution, ang.) dhe të kihet vullnet për ta kryer e udhëhequr atë ndryshim. Në fund të fundit, lind pyetja: A duhet përparimi të sjellë paqe, bashkim, begati, harmoni e jetë të përbashkët më të mirë? Ngjitja (zhvillimi) ësht e mirë kur këmbët prekin tokën, kur qytetërimi ësht i qëndrueshëm, kur njerëzit e jetojnë gëzueshëm ngjitjen, punojnë për të, shpërblehen mirë. Ata duan të binden se e ardhmja e tyre do jetë më e mirë, e qetë, e sigurtë, me kushte jetese të mira, me rrugë të qarta të ecjes përpara, dhe se mbrojtja e pronës dhe punës së tyre nuk do ndërpritet.

Prandaj zhvillimi ësht e duhet të jetë i përkufizuar si liri mendimi e veprimi midis të drejtës për të ecur para dhe përgjegjësisë për me e ruajtur jetën e mirë të të gjithëve. Klonimi, robotët, bombat ideologjike, kimike, biologjike e atomike ndonëse shprehin aftësitë e mendjes njerëzore shkaktojnë rrënimin e qytetërimit dhe njerëzimit. Prandaj disa pyetje do mbeten të përjetshme: Ku shkohet duke ecur përpara? Çfar ësht ma mirë? Deri ku ësht ma e mira dhe pasja më shumë? Ç’domethënë të jetosh mirë dhe më mirë? Si kafshë apo si njeri?

Filed Under: Reportazh

Rezistenca në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas këndvështrimit të shtypit anglo-amerikan, në gjuhën shqipe

December 20, 2024 by s p

Prof. asoc. dr. Teki Kurti/

Drejtor i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura

Në fondin arkivor të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare pranë Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjendet gazeta “Mundimi”, e cila kishte karakterin e një buletini lufte. Nëpërmjet saj, opinioni publik informohej për rezultatet e ushtrive aleate antifashiste kundrejt ushtrive armike të Boshtit. Gazeta përmbante  një rubrikë të veçantë ku pasqyrohej “Lufta në Shqipëri”.

Gazeta “Mundimi” botohej në Bari të Italisë nën kujdesin e Shtabit Aleat të Mesdheut, i cili, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, drejtonte e bashkërendonte veprimet luftarake kundër pushtuesve gjermanë e aleatëve të tyre në zonën e Mesdheut dhe komandohej nga Gjenerali Henry Meitland Wilson. Kjo gazetë botohej dhe shpërndahej në hapësirën shqiptare nëpërmjet ajrit nga forcat ajrore britanike dhe amerikane. Botimi i saj ka filluar nga muaji mars i vitit 1944 deri në prill 1945 dhe ka pasqyruar të gjithë aktivitetin e formacioneve ushtarake dhe rezistencën e tyre gjatë LDB. Në të botoheshin artikuj mbi luftën që zhvillonte “Ushtria e Kuqe” ndërsa në rubrikën “Lufta në Shqipëri” pasqyronte veprimet luftarake të njësive dhe formacioneve të batalioneve, divizioneve e korparmatave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe njihte opinionin shqiptar mbi këtë  luftë. Ai jep të dhëna mbi aksionet e betejat e zhvilluara në Shqipëri, ndërsa nëpërmjet reporterëve nga terreni jepte informacione të plota mbi Frontin Nacionalçlirimtar dhe ushtrinë e fortë në disiplinë e sakrifica të pashembullta, që luftoi dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë hitleriane deri në çlirimin e plotë të vendit, duke i ndjekur ato edhe jashtë kufijve politikë.

Në krye të herës,  duhet të sqarohet se, në fondin arkivor të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare pranë Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, midis shumë materialeve të dokumentuara, që i përkasin këtij fondi, gjendet edhe gazeta “Mundimi”, e cila kishte karakterin e një buletini lufte. Nëpërmjet saj, opinioni publik shqiptar por edhe europian, informohej për rezultatet e veprimtarive luftarake të ushtrive aleate antifashiste (koalicioni anglo-sovjetik-amerikan) kundër ushtrive armike të Boshtit. Gazeta përmbante  një rubrikë të veçantë ku pasqyrohej “Lufta në Shqipëri”.

Gazeta “Mundimi” botohej në Bari të Italisë, nën kujdesin e Shtabit Aleat të Mesdheut (anglo-amerikan), i cili në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, drejtonte e bashkërendonte veprimet luftarake kundër pushtuesve gjermanë e aleatëve të tyre në zonën e Mesdheut dhe komandohej nga Gjenerali Sir Henri Maitland Uillson (Willson).

Kjo gazetë botohej dhe shpërndahej në hapësirën shqiptare nëpërmjet ajrit, nga vetë forcat ajrore britanike dhe amerikane (RAF dhe USAAF). Botimi i saj ka filluar nga muaji mars i vitit 1944 dhe ka vijuar deri në prill 1945, në rreth 44 numra. Për vetë mënyrën e shpërndarjes së kësaj gazete, numrat nuk janë të plotë as në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura, në fondin e Bibliotekës Kombëtare dhe as në Arkivin Qendror të Shtetit. Në këto kushte, duke mbledhur me kujdes edhe numrat e gjetur pranë institucioneve të tjerë, në vitin 2012, në kuadër të botimeve “Përmbledhje dokumentesh”, në Buletinin Arkivor Ushtarak, organ tekniko-arkivor i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, u pasqyruan dhe artikujt e gazetës “Mundimi”, të skanuar. Ky buletin është shpërndarë nëpër të gjithë institucionet kërkimore e shkencore, në Shqipëri dhe Kosovë.  Qëllimi ka qënë shfrytëzimi i saj në ndihmë të ndriçimit sa më shumë të jetë e mundur të një periudhe të sakrificave dhe luftës së jashtëzakonshme të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore përmes shtypit të vetë aleatëve anglo-amerikanë.

    Për shkak të vetë zhvillimeve që ndodhën në pikëpamje politike ideologjike e gjeostrategjike  ndërkombëtare   pas vitit 1946-1947, Shqipëria u gjend krah Bllokut Socialist Lindor. Në këto kushte, çlirimi i vendit lidhej me sakrificat e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare të kryesuar nga Enver Hoxha, të frymëzuar nga tradita shekullore liridashëse e popullit shqiptar, si dhe lufta e popujve të Bashkimit Sovjetik, një prej aleatëve të Koalicionit të madh Antifashist Botëror në Luftën e Dytë Botërore, 1939-1945.

Në rrjedhën e viteve dhe për shkak të dallimeve e poziconimit Lindje-Perëndim, në periudhën e të ashtuquajturës era e “Luftës së Ftohtë” 1945-1990, u minimizua e u fashit, aq sa gati u fshi e harrua.  Ndihmesa e çmuar e aleatëve anglo- amerikanë në Shqipëri gjatë viteve 1943-1944,  e zhvilluar në kuadër të Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945, u zbeh dhe u shtrembërua. Për rrjedhojë, u vështirësua puna nëpër arkivat shqiptare me dokumentet apo botimet që hidhnin dritë mbi bashkëpunimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare partizane gjatë luftës me misionet ushtarake britanike dhe forcat ajrore anglo-amerikane.

Vetëm aty nga viti 1982, një ndër drejtuesit kryesorë të Luftës Antifashiste në Shqipëri, Hoxha në botimin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” (Kujtime)  përmend gazetën “Mundimi” të Barit, të cilën e quante “fletushka”, e cila botohej në gjuhën shqipe dhe sipas tij “bënte propagandë duke shtrembëruar faktet dhe ngjarjet në interes të tyre”.

Në këtë kumtesë  synohet të evidentohet Lufta e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në këndvështrimin anglo-amerikan nëpërmjet faqeve të gazetës “Mundimi”, për periudhën mars-nëntor 1944.

Që në numrat e parë të kësaj gazete bie në sy nisma për informimin e opinionit shqiptar mbi luftën që zhvillonte “Ushtria e Kuqe”, e cila kishte filluar sulmin kundër pushtuesve gjermanë në një front prej 800 km, front që shtrihej nga Polonia deri në Shtratin e Jugut të lumit të  Dnieprit. Ajo gjithashtu njoftonte se: “Prej 21 janarit e deri më 2-të Marsit të këtij vjeti Aleatët kanë hudhë 36.000 tonelata bomba mbi Gjermaninë veç atyre 10.000 tonelatave që janë hedhur mbi shenjat gjermane në tokat e okupueme prej saj”. Në këtë shkrim arrihej në përfundimin se Gjermanisë,  po i afrohej fundi dhe Evropa do të ishte e lirë.  Gjithashtu, i bënte thirrje shqiptarëve që të bashkoheshin për paqe dhe liri e të ishin gati ditën kur do të mbaronte lufta.

Në një shkrim tjetër të këtij numri, me titull “Të mendojmë kjartë” satirizohet Anton Arapi, njeriu i veshur me petkun e fesë, duke e pyetur “Kur, Gjermania e ka ndihmue ndonjë herë Shqipërinë dhe në ç’rast? Në Kongresin e Berlinit, apo në vjetin 1939 që ndihmoi Musolinin, i cili okupoi Shqipërinë”. Gazeta vinte në dukje  aktivizimin  e tij në Radio Tirana, që ishte vegël e ushtrisë gjermane dhe kishte akuzuar shqiptarët që luftonin për të mbrojtur vendin e tyre kundra armikut. Ekzistenca e Shqipërisë, theksohet në shkrim, sot varet prej Aleatëve që ditë për ditë po shkatërrojnë okupatorin e shteteve të Europës dhe Gjermania mund të humbasë ekzistencën e saj. Indipendenca nuk falet, por fitohet me luftën kundra armikut, përfundonte shkrimi.

Duke shkruar për luftën, “Mundimi” nënvizonte rëndësinë e saj në  prurjen e një ndryshimi të madh në strukturën shoqërore. Kështu, në shkrimin “Grueja Shqiptare”, theksohet fakti që ashtu si në Rusi e në Angli, “gratë ishin pilote e punonin krah për krah me burrat në industrinë e rëndë ushtarake, ashtu edhe në një vend të vogël si Shqipëria, gruaja shqiptare me gjithë papërgatitjet e saj, ka arrit me e ndihmue lëvizjen kombëtare gati po n’atë shkallë të burrave”. Gazeta theksonte që, kjo ishte e rëndësishme, pasi evidentonte se Shqipëria pas kësaj lufte nuk ishte vetëm e burrave, por ishin edhe gratë shqiptare që në luftën me armë po i dilnin zot, asaj. Shkrimi nuk jep emra të heroizmave të grave pasi mendonte se nuk duhet t’i jepej informacion armikut. Shkrimi arrinte në përfundimin se, gruaja shqiptare me heroizmat e saj ka vënë gurthemelin e parë në Shqipërinë e ardhme e të lirë.

Gazeta “Mundimi” e datës 18 mars 1944, ilustronte me foto, luftime nga fronti i  Ukrainës, të kryera nga aviacioni dhe anijet britanike, nga zbarkimi aleat në Itali dhe foto nga fabrikat amerikane që po prodhonin bombardues katërmotorësh të tipit “Liberator”. Ndërsa kjo gazetë njësitë e Ushtrisë Partizane Vullnetare Shqiptare, në shkrimet e saj, i emëronte “Fuqitë Patriote Shqiptare”.

Duke ndjekur dhe trajtuar situatën e luftës në Shqipëri kundra pushtuesve gjermanë, “Mundimi” në numrin e  datës 24 mars 1944,  e njeh opinionin me veprimet e aksionet luftarake të Brigadës së Katërt dhe të Brigadës së Parë sulmuese të UNÇSH. Ndër të tjera, ajo shkruan se, “Brigada e Katër ka pushtue një pjesë të madhe të rretheve të Mokrës në jug të nënprefekturës së Pogradecit, ku gjenden minierat e kromit. Fuqitë shqiptare janë tu kërcënue garnizonin Gjerman në Pogradec. Brigada e Parë ka kapërcye rrugën Elbasan-Manastir duke vepruar në VP të liqenit të Ohrit”. Më tej, në shkrim vijonte të jepej informacion mbi manovrat dhe përqendrimet e forcave partizane si dhe atyre bashkëpunuese me pushtetin fashist, si dhe veprimet luftarake të tyre si: “Në jug të Shqipërisë, Fuqitë Patriotike kanë rënë në përpjekje me Regjimentin Gjerman 274 Jaeger dhe kanë pushtuar nënprefekturën e Konispolit. Ndwrkohw rreth 4.000 kuislingë kanë mbërritur në Vlorë për me luftue kundra Ushtrisë Nacionalçlirimtare”.

Gazeta “Mundimi”, me shkrimet e saj dilte në përfundimin se, me afrimin e verës luftëtarët shqiptarë  e kishin shtuar veprimtarinë kundra gjermanëve. Në analizën e saj, edhe pse përdor termin Fuqitë Patriotike Shqiptare, gazeta është përpjekur të bëjë me dije opinionin shqiptar, por dhe atë zyrtar, se një pjesë e mirë e shkrimeve, merreshin nga radiogramet e misionarëve britanikë, drejtpërdrejtë nga terreni, që ua dërgonin eprorëve të tyre të qendrës në Bari të Italisë. Radiogrami i botuar në këtë shkrim, përfundonte se “Të gjithë këto lëvizje i detyrohen organizimit të shkëlqyeshëm të Brigadave Nacionalçlirimtare. Fuqia e këtyre patriotëve buron nga energjia, disiplina dhe nga kjartësia e qëllimit të tyre, cilësina këto, që u mungojnë kundërshtarëve të tyre”.

Kurse, në fund të muajit mars,  në një shkrim tjetër të tij  “Mundimi”  arrinte  në përfundimin se, me gjithë motin e keq dhe masat e ashpra të gjermanëve, patriotët nacionalçlirimtarë, kishin vazhduar sulmet e tyre kundra gjermanëve duke i shkaktuar armikut humbje dhe dëme të mëdha.

Po në të njëjtin numër të “Mundimit”, opinioni njoftohej për atentatin e kryer ndaj Xhaferr Deva, anëtar i Qeverisë Kolaboracioniste të Tiranës dhe se gjermanët, për  hakmarrje, kanë vrarë 80 vetë në Tiranë dhe kufomat e tyre i lanë 3 ditë në rrugët e qytetit.

 Duke përkujtuar 7 prillin e vitit 1939, si dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste “Mundimi” pasqyronte qëndresën shqiptare, të udhëhequr prej Abaz Kupit. Kurse në ditën që Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë, kuislingët si Aziz Biçaku, Halit Alia, Ismail Golemi, Nuri Dino dhe të tjerë, nuk munguan të shkruajnë emrat e tyre në listat e tradhtarëve, shkruante “Mundimi”. Më poshtë, në këtë shkrim, jepeshin emrat e luftëtarëve të lirisë si Petrit Dume, Haxhi Lleshi, Kosta Peshtani, Mehmet Shehu, Halim Xhelo, Mustafa Gjinishi të cilët, “ndër male ndjekin gjurmët e flakësueme të shek.15-të nga Skëndërbeu i pavdekshëm”.

Gazeta e datës  20 prill pasqyronte betejën e ashpër që është  zhvilluar  në Dardhë të Korçës. Në të tregohej për “katër kolona gjermane bashkë me nja 650 mercenarë, që u hodhën kundra batalioneve të parë dhe të tretë të Brigadës së Katërt, të përkrahun nga Batalioni i Devollit, ndënë komandën e Nexhip Vinçanit”. Shkrimi evokon luftën dhe sulmet partizane mbi nazistët, ku vetëm gjermanë u vranë 32 veta dhe u mor plaçkë lufte, 4 mortaja, bomba, një top mali, 5 mitraloza, 30 mushka dhe 30 000 paketa me fishekë.

 Gazeta “Mundimi”, në vazhdim, demaskon Xhaferr Devën si agjent i Gestapo-s dhe nëpërmjet fjalës së komandantit të Përgjithshëm të Fuqive Aleate në Mesdhe, gjeneral Maitland Uillson (Wilson) u bën thirrje shqiptarëve për bashkim dhe rezistencë ndaj gjermanëve dhe bashkëpunim me Kombet e Bashkuara se vetëm kështu do të fitohej vendi që shqiptarëve “ju takon në tryezën e Këshillit të Kombeve Ngadhnjimtarë”. Po ashtu, ajo njoftonte se gjatë muajit prill, aviacioni ajror britanik (RAF) ka shkatërruar më tepër se 100 automjete gjermane në Shqipëri, shumica e të cilave ishin me ushtarë. Kështu, ajo dilte në konkluzionin se, britanikët po mbështetnin drejtpërdrejtë luftën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare kundra pushtueve gjermanë.

Ndërsa, më 4 maj 1944, “Mundimi” jepte lajmin për shqiptarët, se pjesa më e madhe e Shqipërisë Juglindore ishte çliruar nga partizanët. Ajo vlerësonte heroizmat e Brigadës së Katërt dhe të Parë partizane, duke informuar mbi bashkëpunimin ushtarak të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të aviacionit aleat britanik kundër pushtuesve gjermanë. “Mundimi” në numrin e 25 majit shkruante  për bashkëpunimin e Brigadës së Pestë dhe të Gjashtë Partizane me aleatët për shkatërrimin e komunikatave* gjermane në Ballkan. Komunikata shkruante edhe për çlirimin e Përmetit e të Tepelenës nga  partizanët. Gjithashtu, shkrimi vinte në dukje rolin patriotik të Baba Fejzës së Bektashinjve, i shquar në gjirin e Brigadës së Shtatë. Për këtë shkak, Teqeja e tij ishte djegur dy herë,  nga italianët dhe gjermanët. Shkrimi nënvizonte faktin se “Baba Feza, nj’ashtu si shoku i tij i shquar Baba Faja, ka vue atdhetarinë përpara çdo çështjeje tjetër”.

Në kuadër të përvjetorit të pestë të Statusit Fashist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet sekretarit të Shtetit, Cordell  Hull dhe Senatorit Pepper, anëtar  i Komitetit të Punëve të Jashtme të SHBA-së, bënë këtë deklaratë të përbashkët për Shqipërinë. SHBA dhe tre Fuqitë e Mëdha nuk e njohin aneksimin e Shqipërisë. Në lidhje me këtë deklaratë “Mundimi” shkruante: “Një ndër qëllimet e deklarueme të Fuqive të Mëdhaja asht çlirimi i Shqipërisë.  Partizanët Shqiptarë, të cilët vazhdojnë të luftojnë për me dbue Nazistat nga Atdheu i tyre, janë tue marë armë nga Aleatët, për ti ndihmue këta të fundit me kontributin e tyre të çmueshëm në luftën e përbashkët. Na presim që Partizanët Shqiptarë të bajnë pjesën e tyre në zhvillimet e ardhshme në zonën Mesdhetare të luftës”.

Më pas, “Mundimi” i muajit qershor, nënvizonte faktin se, radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare po shtoheshin nga dita në ditë. Në radhët e saj, shkruhej se: “Komandanti i Gjindarmërisë në Korçë bashkë me 50 gjindarmë hapi burgun politik të Korçës dhe çliroi 250 vetë q’ishin burgosë nga Gjermanët dhe nga kuislingat për faje politike. Të 300 vetët morën malet dhe u bashkuan me Partizanët”.  Informacioni jep të dhëna për sulmet e Brigadës së Gjashtë, të cilat komandoheshin nga Tahir Kadareja kundër gjermanëve. 

Artikulli duke iu referuar ngjarjeve në terren jepte të dhëna mbi betejën e ashpër që ishte zhvilluar më 21 maj 1944 ndërmjet formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe atyre të ushtrisë gjermane në verilindje të Korçës. Konkretisht, bëhej fjalë për Batalionin 2 dhe 4 të Brigadës së Katërt Nacionalçlirimtare, të cilët morën Pojanin dhe Zvezden. Gjermanët kundërsulmuan me artileri dhe gjithçka patën në një betejë prej katër orësh, ku gjermanët pasi lanë 25 të vrarë dhe një numër të madh të plagosurish, u zmbrapsën. Më tej, duke  shkruajtur për  këto luftime, artikulli ndalet në natën e 24 majit, ku Batalioni i Tretë i Brigadës së Katërt sulmoi një kolonë gjermane në Qafën e Thanës, e cila po vinte nga Elbasani. Kurse, Brigada e Shtatë ndërkohë kishte çliruar një pjesë të Beratit, bashkë me kalanë e qytetit. Kjo vlerësohej si fitore e rëndësishme e formacioneve partizane.

Në faqet e kësaj gazete jepeshin të dhëna interesante që kanë lidhje me diskutimet e sotme të disa studiuesve, mbi tezën se Lufta Antifashiste e zhvilluar nga Fronti Nacionalçlirimtar, ishte luftë civile. Kështu, në informacionin e 22 qershorit 1944, gazeta e informonte opinionin publik se Komandanti i Përgjithshëm Aleat i Mesdheut, Gjenerali Uillson (Willson) i drejtonte një vërejtje qeverisë së Tiranës, përsa i përket fuqive të armatosura që ajo kishte rekrutuar për të përkrahur gjermanët kundër aleatëve dhe atyre që luftonin në anën e tyre. 

Në lidhje me këto zhvillime,  gazeta jepte këto fakte:

  1. “Qeveria e Tiranës po rekruton shqiptarë në Divizionin SS Gjerman. Rekrutët shqiptarë vishen me uniforma gjermane. Edhe robërit shqiptarë që u kthyen nga Gjermania u futën në këtë Divizion.
  2. Gjindarmëria dhe Ushtria e Qeverisë së Tiranës janë tue përdorur vazhdimisht për me përkrah gjermanët kundra Fuqive të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare që po i zbardhin faqen Shqipërisë tue luftue në anën e Kombeve Bashkuem, kundra armikut të përbashkët që është Gjermania”.

Si shembull merret rasti i bashkëpunimit të xhandarmërisë dhe njësive të qeverisë së Tiranës në luftimet që gjermanët zhvilluan kundër formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Pogradec dhe në Patos, më 12 maj të vitit 1944.

  1. “Ushtria e qeverisë së Tiranës është duke u komanduar nga oficerë gjermanë dhe Shtabi i Preng Previzit ishte po me oficerë gjermanë.
  2. Dhe argumenti i katërt ishte se gjermanët kishin shpërndarë 15.000 pushkë, mortaja dhe armë automatike për shqiptarët që kishte grumbulluar qeveria e Tiranës, të cilët bashkë me gjermanët kishin mësy Lëvizjen Nacionalçlirimtare që derdhnin gjakun për çlirimin e Shqipërisë. 

Aty thuhet gjithashtu se bashkëpunëtorët faqezi marrin rroga nga Gjermanët”.

Në një numër tjetër të gazetës “Mundimi”, shkruhet se, oficerët britanikë, “të cilët luftojnë krah për krah me shqiptarët kundra gjermanëve, raportojnë se, morali i Fuqive Nacionalçlirimtare Shqiptare është mjaft i lartë ndërsa ai gjermanëve mjaft i ulët. Nacionalçlirimtarët Shqiptarë janë duke luftuar me zotësi dhe trimëri të madhe”. Gazeta jepte detaje nga lufta e Brigadës së Gjashtë, që drejtohej nga Tahir Kadareja kundër gjermanëve, po ashtu përshkruante aksionet e formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që drejtoheshin nga Teki Kolaneci në zonën e Korçës, si dhe bashkëpunimin e ngushtë të Fuqive Ajrore Aleate me Komandën (e Përgjithshme – T.K.) të Lëvizjes Nacionalçlirimtare kundër ushtrisë gjermane duke i shkaktuar humbje të rënda asaj.

Britanikët, që në qershorin e vitit 1944, nëpërmjet gazetës “Mundimi” jepnin sinjale se bashkëpunimi i shqiptarëve me gjermanët do të sillte pasoja për Shqipërinë në tryezën e paqes të pasluftës. Në gazetë, shkruhej se, “në qoftë se këta njerëz bashkëpunimin me gjermanët e bëjnë për interesa, atëherë i bajnë varrin vetes si kuislinga, me e dëmtue Shqipnin ndaj Kombeve të Bashkuem”. Gazeta theksonte se, bashkëpunëtorët po armatosen dhe po paguhen për të luftuar krah për krah me trupat gjermane kundër aleatëve dhe partizanëve. Gjermanët i kishin bërë apel gjithë shqiptarëve që oficerët aleatë të dorëzoheshin. Britanikët paralajmëronin hapur se në qoftë se populli do t’i toleronte këto çakenj të Hitlerit, Shqipëria do të penalizohej  në tryezën e Paqes duke u vendosur një me aleatët e tjerë të Gjermanisë. Këtë “punë që po bën Qeveria e Tiranës po e lyen me baltë emnin e Shqipnisë”, shprehej ajo në një artikull të saj.

“Mundimi” shkruante gjithashtu për ofensivën gjermane të qershorit 1944 kundër formacioneve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për të cilën sqaronte se, ajo  ka dy qëllime kryesore: “Së pari hapjen e rrugëve që shkojnë nga kufiri shqiptaro-grek drejt veriut dhe së dyti shpërndan lajmin mbi shkatërrimin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, e cila kur filloi ofensiva ka pas mbërri në një shkallë të naltë efiçence”.

Duke trajtuar përgatitjen e formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, “Mundimi” vë në dukje se, ato janë të armatosura mirë në saje të mbështetjes aleate dhe se, “Lëvizja Nacional-Çlirimtare nuk ka qënë kurrë kaq e fortë se sa kur filloi ofensiva gjermane”. Më tej, ai thekson se, për shkatërrimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, qeveria e Tiranës pa marrë parasysh Komandën Aleate të Mesdheut, ka angazhuar në krah të gjermanëve, 2500 ushtarë kuislingë. Por, sipas “Mundimit” mbi 15% e ushtrisë gjermane ishte shkatërruar gjatë betejave të ashpra me formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.  350 luftëtarë të Brigadës së Parë, të Mehmet Shehut më 2 dhe 3 qershor kishin zhvilluar një përleshje të ashpër me një fuqi gjermane, e cila “u dërrmua tue lanë 200 të vrarë dhe 50 robër”. Po ashtu, flitet për aksionin e Batalionit të Katërt të Brigadës së Tetë, si dhe për komandantët Teki Kolaneci e Riza Kodheli. “Mundimi” theksonte faktin se, “në të gjithë betejat kundër gjermanëve, Fuqitë Ajrore Aleate kanë sulmuar armikun vazhdimisht dhe kanë qenë një faktor tepër i madh në fitoret partizane”.

Në njoftimin e datës 6 korrik, gazeta bënte me dije se, operacionet e ofensivës naziste ndaj formacioneve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare u drejtuan nga një prej komandantëve më me eksperiencë agresive në betejat pushtuese në Austri, Çekosllovaki, Poloni, Rusi, Greqi dhe prej andej u soll në Shqipëri, Gjenerali Loehr, i cili drejtoi ofensivën e madhe gjermane kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare në jug. Partizanët shqiptarë, mbasi i shkaktuan gjermanëve humbje tepër të rënda gjatë ofensivës, u rigrupuan nëpër male dhe u furnizuan nga Aleatët me ndihma të reja në armë e pajime. “Mundimi” informon se formacionet e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në datat 13, 16 dhe 18 qershor ishin hedhur  në ofensivë ndaj trupave gjermanë në Përmet, Libohovë dhe Pogradec.

Për herë të parë, në korrik 1944, kjo gazetë në artikujt e saj, shkruante mbi mbledhjen e një kongresi të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, i cili merrte përsipër përgjegjësitë e administrimit të tokave të çliruara nga pushtuesit gjermanë. Në krye të Komitetit të dalë nga ky Kongres ishte  zgjedhur Enver Hoxha dhe zëvendëskryetar Myslym Peza, që të dy patriotë që luftuan si kundër italianëve ashtu edhe kundra gjermanëve dhe ishin ndër themeluesit e parë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Përveç Komitetit Antifashist u zgjodh edhe një këshill prej 30 vetash, me kryetar dr.Ymer Nishanin dhe nënkryetar luftëtarin e shquar, Baba Fajën e Martaneshit.

Ndërsa, gazeta “Mundimi” e datës 13 korrik 1944 i kujton shqiptarëve, se vendi para se të pushtohej nga nazistët gjermanë, ishte i bashkuar, “kur të gjithë partitë, fiset dhe fenat janë tue luftue së bashku për indipendencën e Shqipërisë dhe çlirimin nga invadori”. Kështu, në Elbasan, fuqitë patriote të prira nga Baba Faja i Martaneshit dhe nga Kadri Hoxha, organizojnë sulme të shpeshta kundra karabinierëve dhe postave të milicisë nëpër male. Në Lumë, Muharrem Bajraktari dhe trimat e tij vazhdojnë luftën kundër fuqive armike. Në Dibër, grupi heroik nën komandën e Haxhi Lleshit nuk po i le vend armikut nëpër  male të larta. Ky grup është duke mbajtur lart emrin  famëmadh të krahinës së Dibrës. Në Krujë, grupi i gueriljeve të Abaz Kupit ka ngritur lart flamurin e lirisë dhe të çlirimit kombëtar. Në Tiranë, Shijak, Durrës dhe Kavajë, “grupi heroik partizan i Myslym Pezës është duke goditur armikun haptas”. Por, shkruan “Mundimi”, “gjermani i pashpirtë dhe dhelprak me propagandë dhe rrena e ka prishur këtë bashkim që mbretëronte në Shqipëri”.

Gjithashtu, gazeta, thekson se, aleatët ndihmojnë nga ajri me gjithçka, “forcat liridashëse të Shqipërisë kundra gjakpirësve gjermanë, prandaj aeroplanët aleat duhen konsideruar si Kasnecë Lirie si dallëndyshe të çlirimit të Shqipërisë”. Ajo që bie në sy në këtë numër është se, britanikët deri tani kishin folur për gjermanët dhe për qeverinë kuislinge të Tiranës, xhandarmërinë dhe bashkëpunëtorët e tjerë shqiptarë që po ndihmonin ushtrinë gjermane. 

Në këtë numër “Mundimi”, në artikujt e tij, del hapur kundër Ballit Kombëtar, duke i etiketuar  si bashkëpunëtorë të gjermanëve gjatë ofensivës së fundit në Shqipërinë e Jugut, duke shpjeguar se këto të dhëna i kishin nga burime krejt të besueshme, sepse i merrnin nga oficerët britanikë që ndodheshin në terren dhe ndiqnin situatën drejtpërsëdrejti. Britanikët, raportonin për masakrën gjermano-balliste në Kurvelesh ku u masakruan 60 gra e fëmijë. Në gazetë, shkruhej: “Gjermanët dogjën dhe rrënuan nga do që kaluan, dhe ma zi se kurrë. Në cilin do fshat që hynë gjermanët sëpari plaçkitën gjithë mallin e fshatrave dhe pastaj i vunë zjarrin shtëpive. Disa grupe gjermanësh ishin caktuar me mbledh gjënë e gjallë të katundeve, si: lopë, dele, dhi të cilat i morën me vete. Kështu veprojnë gjermanët në Shqipëri. Këta janë ato gjermanë që kuislingët e Tiranës i quajnë “Miqt e Shqipërisë”.

Kjo gazetë jepte të dhëna edhe mbi sulmet që zhvillonin formacionet partizane kundër gjermanëve në rrugën Berat-Korçë. Divizioni i Parë Partizan nën komandën e Dali Ndreut kishte kaluar në Shqipëri të Mesme duke sulmuar kolonat gjermane në rrugën Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Korçë. Lëvizja e rezistencës po ringjallej edhe në zonën e Dibrës nën komandën e Faik Shehut dhe Esat Elezit. Qendra e luftimeve në 10 ditët e fundit të korrikut ishte bërë trekëndëshi Peshkopi-Elbasan-Lin, ku si rezultat i sulmeve mbi Peshkopi dhe Dibër ishin përqendruar mjaft forca të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare përballë formacioneve të ushtrisë gjermane dhe trupave kolaboracioniste, shumica të Ballit Kombëtar. Kurse, më tej shkruhej, “Brigada e Parë Nacional-Çlirimtare u fut në luftime me 1000 gjermanë të përkrahur nga Gjindarmërija e Dibrës dhe e Strugës. Mbas 2 ditë luftimesh, mbasi gjermanët pësuan humbje të shumta, u tërhoqën drejt Cërenecit”. Ndërsa në një njoftim tjetër, shkruhej “300 gjermanë dhe 250 ushtarë të Ballit Kombëtar janë rrethuar në qendrën e Gjirokastrës nga njësitë e Brigadave të Gjashtë dhe Tetë”.

Në numrat në vijim “Mundimi” informonte mbi riorganizimin e rinisë, të cilët nuk rreshtën duke vazhduar luftën e tyre heroike kundër nazistëve dhe mercenarëve të Ballit Kombëtar. 

Në faqet e gazetës jepeshin të dhëna  mbi formacionet e ushtrisë partizane që zhvillonin luftime me nazistët gjermanë  dhe kudo “gjindeshin dhe mercenarët e tyre ballista”. Kjo situatë, e pazakontë e një lufte çlirimtare, shkruante ajo,  për ditë e më shumë po vinte përballë shqiptarët njëri me tjetrin. Kështu, janë krijuar dy grupime të mëdha përballë njëri-tjetrit. Në njërin krah ushtria pushtuese gjermane, qeveria kolaboracioniste, xhandarmëria shqiptare dhe mercenarët e Ballit Kombëtar e përballë tyre, formacionet e ushtrisë partizane vullnetare shqiptare dhe aleatët anglo-amerikanë.

Këtë situatë të pazakontë që vinte si rezultat i rreshtimit të Ballit Kombëtar në krah të pushtuesve,  miqtë e Shqipërisë e shikonin me dhimbje.  Për këtë gazeta “Mundimi” ka botuar një mesazh të Gjeneralit PERCY, i cili më 8 korrik 1944, me anë të Radio Londrës u drejtohet shqiptarëve. Sqarojmë se Gjenerali PERCY, kishte qënë kryeorganizator i xhandarmërisë shqiptare dhe mik i ngushtë i shqiptarëve. Në fjalën e tij, ai theksonte: “Unë nuk mundem me besue se Lëvizja Nacional-Çlirimtare trime, e cila ka fitue një glorie* kaq të pashlyeshme për veten e saj dhe për Shqipninë gjatë luftës së saj të gjatë, me heroizmin dhe sakrificat e saja, të ngrihet sot dhe t’i kthej armët kundër vëllezërve shqiptar, ato armë që janë caktuar për shkatërrimin e shkelsit gjerman”.  Ndërkohë, ai i bënte thirrje dhe bashkëpunëtorëve të nazistëve: “Atyre që janë përballë partizanëve u them: bashkohuni në luftën e përbashkët kundër armikut të Shqipërisë që është Gjermania. Bashkohuni me vëllezërit tuaj të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Kushtrimi juaj le të jetë: “Bashkim kundra Gjermanëve”.

Kurse, gjatë muajit gusht 1944, gazeta “Mundimi” jepte një përmbledhje të aksioneve të kryera prej formacioneve të Brigadës së Parë, të Katërt, Gjashtë, Tetë, Dymbëdhjetë (I, IV, VI, VIII, XII), kundër pushtuesve gjermanë dhe mercenarëve të Ballit Kombëtar. Po ashtu, përshkruheshin edhe aksionet e forcave të Gani Kryeziut dhe pasuesve të tij ndaj gjermanëve në veri të vendit. Gazeta, gjithashtu e informonte opinionin publik shqiptar, se për herë të parë gjatë kësaj lufte, trupat britanike zbarkuan në Shqipëri. Kështu, më 29 korrik, trupat britanikë zbarkuan herët në mëngjes në breg të detit afër Himarës dhe në bashkëpunim me Brigadën e Dymbëdhjetë Nacionalçlirimtare koordinuan veprimet kundër pozitave gjermane duke u shkaktuar atyre humbje të konsiderueshme. Në gazetë, theksohej se, britanikët pas një bashkëpunimi në vijim nga ajri filluan dhe bashkëpunimin nga toka me Ushtrinë Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve gjermanë.

Në një artikull tjetër të kësaj gazete, shkruhej mbi veprimet e forcave gjermane të kryesuara nga Balli Kombëtar, të cilat sulmuan pozicionet e Brigadës së Dytë, mbi Kodrat e Hoçishtit, 12 km në lindje të Korçës. Formacione të Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare bashkëpunuan me formacione të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave, të Maqedonisë, në Betejën e Dibrës së Madhe kundër gjermanëve.

Ndërsa, gazeta në numrin e 1 gushtit informonte se, Brigada e Parë dhe Brigada e Katërt e Frontit Nacionalçlirimtar bashkë me Brigadën e Parë Maqedonase dhe me Brigadën e Parë Kosovare morën qytetin e Dibrës. Aty, theksohej se, për herë të parë në histori, mbi katër ditë në betejën e Dibrës, shqiptarët dhe jugosllavët luftuan kundra armikut të përbashkët. Ndërsa, gazeta e  datës 31 gusht 1944 jepte shumë të dhëna mbi sulmet e formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare ndaj mjeteve të transportit gjerman në rrugët Tiranë-Elbasan, Burrel-Peshkopi, në Mullet e tjerë. Po në këtë numër bëhej fjalë edhe mbi sulmin e Batalionit të Parë të Brigadës së Tretë, të forcave nacionalçlirimtare më 10 gusht, për një orë rresht, mbi Tiranë.

Po kështu, informacionet vijonin në numrat e radhës të kësaj gazete, ku njësitë e Divizionit të Parë sulmues luftuan kundra një fuqie gjermane të përbërë prej 500 vetësh dhe të përkrahur prej trupave të Ballit Kombëtar, në lindje dhe perëndim të Maqellarës, 10 km në veri të Dibrës. Opinioni informohet edhe mbi sulmin e Brigadës VII kundër gjermanëve në Dobernik dhe Velabisht të Beratit, si dhe mbi sulmet e forcave të Gani Kryeziut ndaj gjermanëve në Kam dhe Kepenik, në verilindje të Shqipërisë tek minierat e kromit. Flitet gjithashtu edhe për bashkëpunimin e Gani Kryeziut me partizanët.

Gazeta “Mundimi” e muajit shtator të vitit 1944 informonte mbi veprimet e njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilat po e godisnin kudo pushtuesin gjerman. Në Veri jepeshin të dhëna mbi veprimtarinë e Divizionit të Parë që drejtohej nga gjeneral Dali Ndreu, njëkohësisht në Veri jepeshin të dhëna edhe mbi Gani Kryeziun dhe besnikët e tij, që përkrahen prej partizanëve të formacioneve partizane nën komandën e Fadil Hoxhës. Opinioni njoftohet se Dibra u pastrua prej gjermanëve dhe këtë e realizuan Brigada e Pestë dhe Brigada 18-të, të drejtuara përkatësisht nga kolonel Shefqet Peçi dhe Esad Ndreu. Po ashtu jepej informacion edhe mbi çlirimin e Krujës, më 7 shtator, prej Brigadës së Parë që tashmë komandohej prej kolonelit Muhamet Prodani. Gjithashtu, flitej për aksionet e Brigadës së Tetë, të Pesëmbëdhjetë dhe Dymbëdhjetë që komandoheshin, përkatësisht, prej kolonel Hulusi Spahiut, kolonel Teki Kolonecit, kolonel Rifat Bajramit. Njëkohësisht, Brigada e Dytë e komanduar nga major Beqir Balluku dhe Brigada e 15-të, e komanduar prej major Teki Kolonecit sulmuan autokolonat gjermane që u nisën nga Korça për në Follorinë. Brigada e Shtatë e komanduar prej major Gjin Markut kishte kryer një numër sulmesh afër Beratit dhe pas luftimesh të ashpra me gjermanët, më 12 shtator 1944, çliroi  Beratin. Në jug, Brigada e Katërmbëdhjetë e drejtuar nga major Gjon Banushi çliroi Gjirokastrën. Brigada e Dymbëdhjetë e drejtuar prej Rifat Bajrami ushtronte veprimtarinë e saj në qarkun e Vlorës.

Në numrin e datës 2 nëntor 1944, gazeta “Mundimi” informonte opinionin rreth çlirimit të qytetit të Vlorës. Në një artikull të saj, ajo shkruante: “Shpëtimi i Vlorës prej zgjedhës gjermane i detyrohet kryekëput Brigadës së Dymbëdhjetë të FNÇ-së Shqiptare, e cila për shumë javë me rradhë ka veprue rreth qytetit, tue u çlirue ma në fund nga mesi i Tetorit mbas një lufte tri ditësh”. Artikulli vlerësonte betejën dhe kontributin e një grupi ermenësh, të cilët ishin larguar nga gjermanët dhe  i ishin bashkuar Ushtrisë Nacionalçlirimtare në luftë për liri. Në Fier e në Lushnjë gjermanët u sulmuan prej Brigadës së Gjashtëmbëdhjetë, të komanduara nga major Rrahman Ruçi. Kështu, në tre ditë luftëtarët e lirisë çliruan Vlorën, Fierin dhe Lushnjën, përfundon artikulli.

Në shkrimin e titulluar “Ushtria e Çlirimit Përparon” të kësaj gazete, theksohej se “Ushtria Partizane Vullnetare Nacional-Çlirimtare Shqiptare triumfon në Veri dhe në Jug. Veprat ngadhënjyese të të gjithë brigadave të UPVNÇ Shqiptare, kanë parë vendin e tyre të meritueshëm në këtë fitore. Rrethimi i  kryeqytetit u bë nga Brigada e Katërt, që sulmoi dhe hyri deri në qendër të qytetit më 9 Tetor. Më 17 Tetor Brigada e Pesëmbëdhjetë sulmoi barrikadat jashtë Tiranës. Më 18 Tetor artileria malore e Korparmatës së Parë, në drejtimin e vet komandantit të kësaj Korparmate Major Gjeneral Dali Ndreut* bombardoi shenjat ushtarake gjermane në Tiranë, duke qëlluar dhe Hotel Dajtin ku gjermanët kishin vendosur Kuartjerin e Përgjithshëm të tyre”.

 Më tej, gazeta “Mundimi” informonte mbi sulmet e Brigadës së 15-të, 17-të dhe të 20-të në Elbasan dhe Mokër. Gjithashtu, bëhej me dije, se më 24 tetor ishte çliruar Korça prej Brigadave të 2-të, të 9-të dhe 20-të. Divizioni i drejtuar nga Islam Radovicka* i ndoqi gjermanët nga Saranda në Delvinë dhe prej andej në Jorgucat. Divizioni i Dytë i drejtuar nga kolonel Teki Kolaneci dhe i përbërë prej Brigadës  6-të, 7-të dhe 22-të veproi në rrugën Milot-Mirditë, kur dhe  Mirdita çlirohet. Kurse Divizioni i drejtuar prej kolonel Hulusi Spahiut, i përbërë nga Brigada 3-të, 5-të dhe 24-të bashkë me partizanët e Kosovës vazhdoi rrugën përtej kufirit të Shqipërisë së vitit 1939, çliroi Gjakovën dhe marshoi drejt Prizrenit. Ndërsa “Mundimi” në numrin 33, të datës 9 nëntor 1944, në faqen e parë sjell informacion mbi “Rrethimin e Tiranës”, ku  trajton përpjekjet që  bëri Ushtria Popullore Vullnetare Nacionalçlirimtare për çlirimin e Tiranës. Ajo i referohet komunikatës së UPVNÇ-së Shqiptare të 3 nëntorit, e cila njofton se mbas një muaji rrethimi të paparë, Divizioni i Parë i UPVNÇ-së i komanduar prej kolonel Mehmet Shehut u hodh në një sulm të furishëm kundër garnizonit dhe fortifikatave gjermane brenda qytetit.  Mbas një luftimi 5 ditësh partizanët çliruan tri të katërtat e qytetit dhe i rrethuan gjermanët në Tiranën e Re. Më 4 nëntor, Fuqitë Ajrore Aleate të Ballkanit ndihmojnë UPVNÇ Shqiptare në këtë përpjekje duke sulmuar kazermat gjermane. “Na e kemi për nder të ndihmojmë UPVNÇ Shqiptare në këtë luftë për çlirimin e kryeqytetit të tyre kombëtar”, citohen Aleatët britanikë në këtë artikull. Ajrorët aleatë të RAF-it ndihmuan formacionet partizane dhe në betejën e Prezës, ku Brigada e Parë dhe e Katërt, të komanduara nga major Muhamet Prodani dhe major Nexhip Vinçani kanë sulmuar gjermanët në Prezë dhe Vorë.

Më 23 tetor,  ishte një tjetër veprim i përbashkët anglo-shqiptar, ku forcat e komanduara nga major Hamit Keçi dhe Muhamet Prodani  në rrugën Tiranë-Shkodër, në bashkëpunim me ajrorët britanikë sulmuan gjermanët, ku u vranë 100  prej tyre dhe u shkatërruan 25 kamionë. Gjeneral major Dali Ndreu, komandant i Korparmatës së Parë, brenda së cilit janë dhe këto dy brigada falënderoi RAF-in për këtë ndihmë të vlefshme. Në artikull, citohej fjala e tij: “Ne jemi shumë të kënaqur që të shënojmë një shembull tjetër bashkëpunimi të ngushtë anglo-shqiptar”. 

Si për ironi të fatit të rrugës së ardhshme që shqiptarët do të ndiqnin pas çlirimit, “Mundimi” në numrin 34, datë 16 nëntor 1944, në shkrimin “Z.Eden për Shqipërinë” shkruante se “Qeveria Britanike e quan çështjen e kufijve të shtetit shqiptar të mbas-luftës si një çështje që ka me u dashtë të shqyrtohet në vendosjen e paqes”.

Ç’paradoks i madh?

Edhe pas 80-vjetësh e pakuptueshme kjo praktikë. Në terren, UPVNÇ kishte ndihmën e përhershme në armatime, ushqime, pajime e deri në kordinim të sulmeve të përbashkëta me ajrorët britanikë për shkatërrimin e gjermanëve, ndërsa në planin diplomatik e të marrëdhënieve ndërkombëtare, ishte rishikimi i kufijve të Shqipërisë të përcaktuara qysh më 1913.

Në numrin 35, të datës 23 nëntor 1944, gazeta “Mundimi” njoftonte në një shkrim të saj, se “Tirana u çlirue!” Informacioni e rendiste këtë betejë, që zgjati për tre javë pa pushim,  si  betejën më të rreptë dhe më të përgjakshme që kanë zhvilluar partizanët shqiptarë. Fitorja e formacioneve të UPVNÇ-së Shqiptare “përmbi të gjitha është një fitore e mishit dhe e gjakut përmbi hekurin dhe zjarrin”.

Në artikujt e gazetës, fitorja i dedikohej disiplinës dhe besimit të partizanëve në fitore,  mbështetjes që i dha kësaj fitoreje popullsia e qytetit që u hodh si trup i vetëm në ndihmë të çlirimtarëve. Në një artikull të saj jepej shembulli heroik i një vajze, ku shkruhej:  “Kur vajza po punonte për të ndërtuar një nga barrikadat u godit me një gjyle: ashtu e plagosun dhe me kokë të çame ajo, përpara se të binte në fushën e nderit, u lëshoi za shoqeve dhe shokëve: Mos e lini punën! Përpara!” RAF u erdhi në ndihmë partizanëve duke bombarduar kazermat gjermane dhe pikat e tjera armike. Ai sulmoi dhe ndaloi fuqitë gjermane që vinin nga Elbasani në Tiranë, të cilat partizanët i rrethuan dhe i shfarosën. 

Në një artikull tjetër të kësaj gazete, theksohet se, roli më i madh për këtë fitore kaq të shkëlqyeshme i takonte komandantit të Korparmatës së Parë, major Gjeneral Dali Ndreut dhe komandantit të Divizionit të Parë, kolonel Mehmet Shehut, veteranit të luftës së Spanjës dhe komisarëve kolonel Hysni Kapo dhe kolonel Kristo Themelkos.

Në informacionet në vijim, gazeta  “Mundimi” paraqiste foto nga udhëheqësit e FNÇ në Kongresin e Beratit ku duken gjeneral major Spiro Moisiu, Baba Faja Martaneshi, Gjeneral kolonel Enver Hoxha, Myslim Peza, dr. Omer Nishani dhe dr. Ymer Dishnica. Njëkohësisht jepeshin të dhëna mbi Kongresin e Gruas Antifashiste Shqiptare, që u mbajt po në Berat, më 4 nëntor 1944, i kryesuar nga Ollga Plumbi. Mbledhjen e drejtonte Liri Gega, Sekretare e Gruas Antifashiste Shqiptare. Kongresin e përshëndetën, Komandanti i Përgjithshëm Gjeneral kolonel Enver Hoxha, kryetarët e misioneve ushtarake aleate dhe përfaqësues të gruas antifashiste jugosllave.

Ndërsa gazeta “Mundimi”, numër 36, e datës 30 nëntor 1944, në faqen e parë hapej me shqiponjën e flamurit kombëtar shqiptar, ku ishin vendosur dy data të mëdha historike 1912-1944. Poshtë diçiturës, shkruhej “Tridhjetë e dy vjet më parë Ismail Qemal Vlora shpalli Pamvarësinë e Shqipërisë. Sot pamvarësia po rivendoset”. Ai e quante një fitore shqiptare të shkëlqyer dhe theksonte se 1912, zgjedha shekullore turke mori fund dhe 1944, zgjedha e shkurtër, por e pamëshirshme gjermane ka marrë fund. Ky shkrim hedh dritë mbi datën e çlirimit, ku në këto vite pluralizmi politik është spekuluar pafundësisht dhe djallëzisht. Artikulli nënvizonte faktin se, në këtë ditë të pavarësisë së Shqipërisë, “mbeturinat e ushtrisë famëkeqe gjermane tash gjenden në Shkodër të rrethueme në jug dhe në lindje nga njësitë e UPVNÇ Shqiptare dhe me të vetmen rrugë shpëtimi përmes Malit të Zi…”

Një tjetër artikull i gazetës, thekson faktin, se “as që kemi për të harrue sesa shumë i detyrohemi UPVNÇ Shqiptare dhe udhëheqësit të saj Gjeneral kolonel Enver Hoxhës. Kjo ushtri dhe këta udhëheqës rrezikuan gjithçka patën vetëm e vetëm për të çliruar Atdheun e për të vendosur një Shqipëri Demokratike”.  Opinioni shqiptar informohet se Aleatët e festuan ditën e flamurit shqiptar me një fluturim të veçantë përmbi Tiranën, ku avionët Halifax të RAF-it, lëshuan fletushka me mesazhin: “Me rastin e 28 Nëntorit 1944 përvjetorit të 32-të të Pamvarësisë së Shqipërisë, RAF dhe USAAF i sjellin popullit shqiptar në Tiranën e çlirueme urime nga popujt anglez dhe amerikanë”. Pastaj, avionët hodhën një sasi ushqimi si dhuratë e popujve të Anglisë dhe të Amerikës. Në faqet e para të gazetës,  shpesh botoheshin  urdhërat e ditës së UPVNÇSH.

Duke iu referuar lajmeve të Radio Tiranës dhe urdhrit të nxjerrë nga Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral kolonel Enver Hoxha, me rastin e festës së 28 Nëntorit, ai përshëndeste të gjithë formacionet e UPVNÇSH dhe njëkohësisht urdhëronte: “Komandantë, komisarë, partizanë e partizane. Detyrat që kemi përpara janë të mëdha. Qyteti i Shkodrës ndodhet në duart e okupatorit. Ne duhet të çlirojmë dhe të mos lëmë asnjë gjerman të dalë i gjallë nga tokat tona”. Ky urdhër, i nxjerrë më 28 Nëntor 1944, i lexuar në radio, i botuar në “Mundimi”, 30 nëntor 1944, vërteton plotësisht tezën se 28 Nëntori nuk është data e çlirimit, por më 29 Nëntor, Shqipëria u gdhi  e çliruar nga pushtuesit gjermanë.

Në këtë numër, gazeta e shoqëronte artikullin me një foto të parakalimit të drejtuesve kryesorë të UPVNÇSH para popullit të Tiranës, ku në qendër duket Komandanti i Përgjithshëm i UPVNÇ Shqiptare që sipas saj, “zë vend midis Skënderbeut të pavdekshëm dhe Ismail Qemal Vlorës si një nga çliruesit e Shqipërisë”.

 Në vazhdim “Mundimi” paraqiste mesazhin e urimit të ministrit të Punëve të Jashtme të Amerikës, Stettinius me rastin e përvjetorit të 32-të të Ditës së Pavarësisë, i cila linte të kuptohej që Shqipëria akoma nuk ishte çliruar e gjitha. Në vijim jepej një përmbledhje e ndihmës ajrore të aleatëve anglo-amerikanë që i dhanë Korparmatës së Parë të UPVNÇSH për çlirimin e Tiranës. Miqësia me britanikët ishte lidhur që në vitin 1913, kur ajo e ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Po atë vit, Britania e Madhe mori pjesë në ekspeditën për kalimin e Shkodrës si qytet i shtetit të ri shqiptar.

Gjithashtu në vitin 1920, Britania luajti rol të madh në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Xhandarmëria e shtetit shqiptar u organizua me ndihmën e oficerëve britanik. Miqësia shqiptaro-britanike u rrit më shumë dhe bashkëpunoi mbi një vit e gjysëm gjatë Luftës së Dytë Botërore me UPVNÇSH, ku britanikët sollën  një sasi të madhe furnizimesh me armë, municione, veshje, medikamente mjekësore e  tjerë për UPVNÇSH. Këto furnizime e ndihmuan këtë ushtri që të rritej e të luftonte pa ndërprerje si ndaj italianëve ashtu edhe ndaj gjermanëve dhe triumfoi. RAF dhe USAAF i ndihmuan partizanët gjatë fazave më kritike të luftës në Shqipëri. Kështu, gjatë betejës trejavore të Tiranës, ku partizanët po mësynin garnizonin gjerman të kryeqytetit dhe beteja po vlonte, përfundimi i saj u vendos në një betejë tjetër disa kilometra më tej në Qafën e Krrabës, ku u sulmua dhe u shpartallua një autokolonë e madhe armike që ishte nisur nga Elbasani për t’i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar të Tiranës. Në artikull, nënvizohej se, ndihma nuk ka qënë aspak e njëanshme. Ushtarët britanikë luftuan krah për krah me ushtarët shqiptarë në betejën e Sarandës. Në këtë betejë, njësitë e Brigadës së Dymbëdhjetë dhe Katërmbëdhjetë të UPVNÇSH shpëtuan një njësi britanike, që ishte rrethuar nga gjermanët. Gjithashtu, vihej në dukje, edhe ndihma e dhënë nga ana e partizanëve shqiptarë pilotëve aleatë të rrëzuar nga një avion i Aleatëve.

 Gazeta “Mundimi”, në numrin  37, datë 7 dhjetor 1944, hapej me njoftimin: “SHQIPNIA U ÇLIRUA”, “gjermanët thyen qafën. Shkodra qyteti i fundit në duarë t’anmikut u çlirua. Tash e gjithë Shqipnia asht dhe një herë e lirë nga zgjedha e armikut”.  Në këtë shkrim nënvizohej fakti se “Tue bashkue në një lëvizje patriotike dhe antifashiste të gjithë popullin shqiptar, Fronti Nacional-Çlirimtar mund të formojë një ushtri të fortë. Kjo ushtri, Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare me ndihmën landore britanike dhe me trimërinë dhe entuziazmin e vullnetarëve partizan ka qënë e zonja t’i luftojë gjermanët kamba kambës prej maleve të Jugës (ku ofensiva gjermane e qershorit u thye) përmes fushave të perëndimit dhe maleve të veriut deri në zhdukjen e fundit t’anmikut”. Ajo e quan për nder të uroj dhe të përshëndesi Ushtrinë heroike Nacionalçlirimtare Shqiptare për triumfin e punës së mirë që po kryen.

Në përfundim, mund të thuhet që, gazeta “Mundimi” ka dhënë një kontribut të madh në informimin e opinionit shqiptar rreth ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në vitin e fundit. Gazeta, në çdo numër të saj, jepte informacione me vlera mbi luftën që zhvillohej në të gjitha anët e globit ndaj Gjermanisë naziste. Ai i bënte thirrje të drejtpërdrejta shqiptarëve për bashkim në luftë ndaj gjermanëve, ndërsa kuislingët shqiptarë i këshillonte që të linin bashkëpunimin me gjermanët dhe t’u bashkoheshin patriotëve shqiptarë që luftonin për liri në malet shqiptare. 

Në rubrikën e posaçme “Lufta në Shqipëri”, “Mundimi” pasqyronte veprimet luftarake  të njësive, batalioneve, divizioneve e korpormatave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe e informonte opinionin shqiptar mbi këtë  luftë. Ajo jep të dhëna mbi aksionet e betejat e zhvilluara nga UPVNÇSH kundër okupatorit gjerman, qeverisë kuislinge, xhandarmërisë dhe forcave të  Ballit Kombëtar që u bashkuan me pushtuesit kundër luftës për liri që zhvillohej në Shqipëri. Në artikujt e “Mundimit”  flitej edhe për bashkëpunimin e ngushtë që zhvillonte UPVNÇSH me Komandën Aleate të Mesdheut në Itali.

Në këtë gazetë  jepeshin të dhëna mbi kontributin që ka dhënë aviacioni ajror (RAF dhe USAAF) aleat në koordinim me formacionet e UPVNÇSH për asgjësimin e objekteve të armikut. Gjithashtu kjo gazetë pasqyronte me detaje luftën ndaj gjermanëve dhe luftëtarëve si Gani Kryeziu, i cili,  herë pas here kordinonte bashkëpunimin me partizanët e Fadil Hoxhës në Kosovë. Aty gjenden të dhëna edhe  për drejtuesit e formacioneve e njësive të UPVNÇSH. 

“Mundimi” ka arritur që nëpërmjet ushtarakëve britanikë që vepronin në terren të jepte informacione të plota mbi Frontin Nacionalçlirimtar dhe për Ushtrinë Nacionalçlirimtare, e fortë në disiplinë dhe sakrifica të pashembullta, që luftoi dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë hitleriane deri në çlirimin e plotë të vendit, madje duke i ndjekur ato edhe jashtë kufijve politik të Shqipërisë.

Filed Under: Histori

Të guxosh në heshtje…

December 20, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, ndoqëm me shqetësim e dhimbje të madhe ngjarjen e rëndë të një nëne shqiptare, që prej vitesh pret në heshtje të shikojë të birin në stacionin e trenit. Parashqevi Simaku pranoi izolimin social, u shkëput nga jeta artistike duke guxuar të “eksperimentojë” jetën e një homeless-i në pritje të djalit të saj të vetëm.

Organizata jonë që në fokus të misionit ka mbrojtjejn e të drejtave të grave dhe fëmijëve, aq më tepër që disa nga antaret kanë pësuar drama të rënda në familje nga bashkëshortët si dhunë psikologjike dhe dhunë fizike me pasoja për jetën, por një rast të tillë të ngashëm me të artistes së njohur Parashqevi Simaku, është duke përjetuar edhe një nënë tjetër shqiptare në New York nga ish bashkëshorti i saj shqiptar, i cili me vendim gjykate ka fituar kujdestarinë e djalit dhe nuk lejon në asnjë mënyrë që ajo të takojë të birin.

Në aryetimin tonë, vërtetë një gjykatë vendos që kujdestarinë e fëmijës t’ia kalojë babait të fëmijës, por ky individ nga ana humane, pse nuk shfaq asnjë pikë ndjenje prindërore që ky fëmijë mos të rritet me trauma, t’i krijojë mundësinë që të shikojë, përqafojë, e të përkëdhelet njësoj nga të dy prindërit. Ose të paktën t’a takojë në prani të një punonjëse sociale.

Kemi bërë disa përpjekje pranë institucioneve amerikane që nëna të ketë të drejtë të takojë e të flasë me të birin e saj, por pa sukses. Edhe në rastin konkret kemi bërë përpjekjet tona për të marë kontakt më mbështësit e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, Elton Ilirjani dhe Elvira Tata, por e pamundur. Siç deklaroi edhe aktori dhe miku i saj Herion Mustafaraj që ka bërë përpjekje për të folur me ta por nuk ka marrë përgjigje.

Pavarësisht ngjarjeve se si mund të kenë e kishin ndodhur, por pas intervistës së ish bashkëshortit të saj në Tv- Top Chanel, na la një shije të hidhur e mos sinqeritet nga ana e tij. Fakti që një nënë për mëse tetë vite qëndron në rrugë, në një stacion treni vetëm e vetëm, për të parë djalin e saj n’a vuri përpara një sirene alarmi. Nëse do kishte dashuri për gruan e tij nuk do ta braktiste sepse ajo paskësh qenë e sëmurë, dhe familjes së saj nuk do t’i fliste me një gjuhë të ashpër “Hajdeni merreni se keni për ta gjetur në kazanin e plehrave”

Shkuam në Manhattan tek Stacioni i Trenit, për të folur e për t’a sistemuar diku Parashqevinë, në një banesë por nuk e gjetëm atje. Më vonë nëpërmjet medias mësuam se ishte sistemuar në një hotel në New York. Duke vlerësuar këtë ngjarje si një tronditje për komunitetin tonë e shoqërinë shqiptare në tërësi, dhe duke mos rënë në kontakt me Zj. Simaku, kontaktuam menjëherë Misionin Shqiptar të OKB në New York, si dhe një avokat që gëzon respekt në Shqipëri dhe SHBA. Ambasadoria Zj. Suela Janina e mirëpriti telefonatën tonë dhe tha se: “Pa tjetër si titullare e Misionit Shqiptar në New York, si nënë e si motër shqiptare, unë do të interesohem dhe të shikojmë se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar artisten Parashqevi Simaku”.

Ne sigurisht na gëzoi fakti që Zj. Simaku u gjet dhe u sistemua më së miri në një hotel në Manhattan dhe përgëzojmë interesimin dhe kujdesin maksimal treguar prej Zj. Elvira Tata dhe artistit Elton Ilirjani. Ndërkohë që i dërguam mesazh Eltonit dhe Elvirës që të ishin në kontakt edhe me ne si Organziatë që meret me të drejtat e grave dhe fëmijëve. Por edhe sot që po publikojmë këto rreshta akoma nuk kemi asnjë lajm as nga Elton Ilirjani as nga Elvira Tata.

E rëndësishme është që Elton Ilirjani arriti kontaktin e saj me të birin. Ky është një sukses i tij për vetë Parashqevinë edhe për ne si gra, si nëna fëmijësh dhe shpresojmë që çdo gjë këtej e tutje t’i shërbejë e t’i shkojë mirë ikonës së talentuar Parashqevi Simaku.

Njëherësh kërkojmë që vëmendja të kthehet edhe tek nëna e re që ne njohim e që akoma vuan për të takuar djalin e saj që u lind nga një nënë shqiptare, u rrit dhe është penguar për të parë nënën e tij nga një baba shqiptar. Mendojmë gjithashtu se ligji amerikan që vendos pas divorcit; Fëmija mos të ketë të drejtë të ketë asnjë kontakt me prindin tjetër të shikohet me përparësi nga senati dhe kongresi amerikan, pasi përsëri do të kemi viktima dhe ngjarje tepër të rënda nëpër familjet shqiptare dhe amerikane.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT