• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Dr. Iris Halili, kryetare e Vatrës Miami dhe themeluese e klubit patriotik “Flas Shqip” në një intervistë ekskluzive për revistën periodike “Flasim Shqip”, nr. 4, botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën

December 17, 2024 by s p

Intervistoi: Yllka Lezo

Znj. Halili, si lindi ideja për krijimin e Klubit “Flas shqip” dhe cili ishte motivimi kryesor pas kësaj iniciative?

Ideja bluante në mendjen time prej vitesh. Motivi që më shtyu mban së bashku dashurinë dhe dhimbjen. Dashurinë për gjuhën shqipe që lidhet padyshim me dashurinë për Atdheun dhe dhimbjen që, nëse kjo gjuhë nuk do mësohet dhe do të flitet nga shqiptarët anembanë botës, pak nga pak do të fillojë të tkurret dhe lokalizohet vetëm në tokat tona në Ballkan. Historia na ka mësuar se shqiptarët e mbajtën të gjallë gjuhën shqipe për të mbijetuar si komb. Kjo ishte revolta e fshehur por e fortë për të mos ju nënshtruar armiqve. Shqiptarët ndërruan fetë po jo gjuhën, duke u kthyer kështu në një popull që mbijetoi mbi të gjitha falë kësaj gjuhe. Por tashmë janë kohë të tjera dhe jo vetëm shqipja, por edhe gjuhët dikur më të përhapura apo elitare e kanë humbur vlerën përpara anglishtes, që është gjuha parësore në botë e komunikimit politik, kulturor, teknologjik dhe sigurisht shumë shpejt robotik, kështu që nuk do të jetë e largët dita kur shqipja do të mbetet gjuha e pakicave që jetojnë brenda kufijve shqiptarë. Pyetja është, a nuk ka qenë gjithmonë kështu, a nuk është folur gjuha shqipe vetëm brenda kufijve të tokave të banuara nga shqiptarë? Po, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, por motivi që e ka mbajtur gjuhën gjallë nuk është më i njëjtë. Tashmë shqiptarët nuk e kuptojnë apo ndjejnë gjuhën si mekanizmin e vetëm të mbijetesës si komb dhe unë them se edhe kanë të drejtë, por edhe nuk kanë të drejtë. Kanë të drejtë pasi për të mbijetuar sot si komb, gjuha nuk është mjeti i vetëm, pasi mbijetesa si individ, familje apo komunitet shqiptar në tokat tona apo jo, nuk bazohet vetëm nga mbrojtja e gjuhës. Por, nga ana tjetër, e tashmja kërkon gjithmonë të jetë e sigurt mbi baza të forta që vijnë nga e shkuara por edhe që e sigurojnë të ardhmen. Kjo e bën gjuhën të mbetet padyshim faktori më i rëndësishëm që na ka mbajtur bashkë, na ka identifikuar, na ka shërbyer si mburojë; është simboli më i fuqishëm që kemi ne si komb, vjetërsia e saj, trashëgimia e saj, qëndresa e saj, por mbi të gjitha veçantia e saj si unike mes të gjitha gjuhëve indo-evropiane. Gjuha jonë, sipas meje, mbetet krenaria më e madhe kombëtare e të gjitha kohëve. Për këtë arsye, gjuha shqipe jo vetëm që nuk duhet humbur, por me patjetër duhet punuar dhe gjetur mundësia që t’u mësohet të gjithë fëmijëve shqiptarë që lindin dhe rriten nëpër botë. Gjithmonë më mundon kur shikoj që komunitetet më të fuqishme në SHBA, forcën e kanë tek ruajtja e gjuhës dhe zakoneve në komunitetin e tyre. Pra, që t’i përgjigjem më drejtpërdrejt pyetjes suaj: Klubi Flas Shqip u hap që t’i thotë stop humbjes së gjuhës shqipe tek të gjithë emigrantët shqiptarë në shtetin e Floridës së Jugut.

Ju jeni shprehur në fillimet e punës se misioni i Klubit është të mbajë gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare në komunitetin e Floridës së Jugut. Çfarë vështirësish hasni në përmbushjen e këtij misioni?

Kur e mora këtë iniciativë, e dija që do të hasja disa vështirësi që lidhen me shumë faktorë: së pari, komuniteti shqiptar këtu nuk është i përqendruar në një, dy apo tri qytete, por i shtrirë në më shumë se 120 km. Kështu, për të përmbushur përfshirjen e sa më shumë fëmijëve, synuam të hapim sa më shumë klasa brenda mundësive. D.m.th. jemi të shtrirë nga jugu në veri duke mbuluar perimetrin e të gjithë Floridës së Jugut. Qëllimi final është të kemi klasa në çdo qytet, pasi kjo do e lehtësonte shumë transportin e prindërve që i sjellin fëmijët çdo të shtunë apo të dielë në klasa, por çka është më e rëndësishmja, do të rrisë shumë numrin e nxënësve nëpër klasa, pasi shumë prindër nuk kanë mundësinë të sjellin fëmijët në një qytet kur janë ndërkohë me banim në një qytet tjetër, ku distanca sipas standardeve amerikane mund të mos jetë shumë e largët – le të themi 20 km, por është trafiku që e rrit shumë atë.

Vështirësia tjetër është se prindërit këtu punojnë me orare të zgjatura dhe shpesh edhe në fundjavë; kjo më bën të besoj se kemi aktualisht të paktën 1/5 e atyre nxënësve që do të ishin regjistruar me vullnet të mirë të prindërve, por me pamundësi të tyre për të lënë punën me të cilën mbajnë familjen. Vështirësia e tretë është se disa prindër kanë vetëm një ditë pushim në javë ose edhe ato ditë që kanë, nuk mund t’i sjellin fëmijët rregullisht, por nga ana tjetër, Klubi ka një rregullore që nuk lejon më shumë se 4 mungesa në semestër, dhe kjo bëhet që të respektohet progresi me fëmijët e tjerë. Në këto kushte, shumë prindër, të hezituar, gjejnë rrugën e heqjes dorë krejtësisht nga klasat. Një vështirësi tjetër është gjetja e mësueseve profesionale që sjellin përvojën dhe edukimin që Klubi ka si standard. Megjithatë, mendoj se për kushtet që jemi deri më tani, Klubi ka ofruar lehtësira që janë gati unikale dhe kjo po të krahasohet me të ngjashmet e saj nëpër botë: Mësimi bëhet krejt falas, pra prindi nuk ka asnjë detyrim për të paguar. Po kështu, klasat mund të ndiqen edhe online në rast se fëmija nuk ka mundësi të vijë rregullisht dhe kjo është e lejueshme jo më shumë se 2 herë përgjatë simestrit. Fëmijët nuk sforcohen me didaktikë të vështirë dhe, meqenëse janë fillestarë, ata nuk kanë filluar me Abetare, por me një libër të thjeshtë nëpërmjet të cilit po mësojnë fillesat e komunikimit si prezantimi i vetes, familjes, ngjyrat, flamuri kombëtar, etj. Unë mendoj se hap pas hapi po ndërtoj një didaktikë krejt më vete për t’u mësuar gjuhën e nënës apo të babait fëmijëve të diasporës. Mendoj se deri më tani është bërë një gabim në shumë shkolla të gjuhës shqipe nëpër botë dhe mendoj që ky ka kaluar pa u kuptuar – gjuha shqipe për fëmijët e emigracionit është gjuhë e dytë dhe si e tillë duhet mësuar me rregullat që pranon një gjuhë e dytë, po kështu duhen mësuar edhe traditat dhe kultura shqiptare. Më e rëndësishmja është që fillestarët fëmijë apo jo nuk mund të nisin mësimin e gjuhës shqipe me librin e Abetares, pasi kështu ata gjenden të konfuzuar me germat e alfabetit shqip dhe, le të themi, atë anglez, që në shqiptim/pronuncim janë krejt të ndryshme. Të mos harrojmë, ne në Shqipëri e kemi nisur Abetaren në moshën kur e flisnim shqipen rrjedhshëm; për fëmijët e emigracionit, sigurisht, nuk mund të presim kaq gjatë, por unë mendoj se gjuha fillon së pari me të kuptuarin, më pas me të folurin bazik dhe më pas vazhdon me të shkruarin, dmth hyn në proces libri i Abetares. Nëse këta fëmijë nuk e kanë veshin të mësuar qoftë me këngë dhe valle shqiptare, do ta kenë shumë të vështirë të kalojnë drejtpërdrejt në Abetare. Në krye të të gjitha vështirësive, dhe që përbën edhe dhimbjen më të madhe për ne, është që fëmijët shqiptarë në SHBA, dmth. me prindër shqiptarë të emigracionit të parë apo të dytë, flasin pak ose aspak shqip. Me një statistikë që nuk besoj se gabon, mund të them se e shumta vetëm 7 për qind e fëmijëve shqiptarë në SHBA flasin shqip. Pothuaj të gjithë fëmijët e miqve tanë, dmth. miq që kanë fëmijë nga mosha 15 – 25 vjeç, nuk dinë fare shqip ose dinë le të themi jo më shumë se 100 fjalë. Për mua, nga këto 100 fjalë sot, nesër janë 5 fjalë të trashëguara për fëmijët e tyre, dhe kjo është varrosja e gjuhës shqipe në emigracion por edhe e lidhjes shpirtërore me vendin e të parëve. Se si ka mundësi që prindërit shqiptarë nuk u flasin shqip fëmijëve në një vend multikulturor si SHBA, unë këtë nuk di si ta shpjegoj apo nuk po dua ta shpjegoj në këtë intervistë.
Gjithashtu vizioni im akademik për Klubin Flas Shqip është të mos i jap trajtat e një shkolle por të një mjedisi ku fëmija apo edhe i rrituri vjen të kalojë dy orë të këndshme, por me misionin për të folur shqip me kënaqësi dhe jo detyrim. Klubi nuk ka as detyra shtëpie, as teste, as nota, vetëm nëse ato janë nota maksimale. Unë gjithmonë kam patur parimin që çdo dije e sforcuar krijon efektin e kundërt. Ndaj dëshiroj që klasat e klubit të funksionojnë jo me imponim por me argëtim.Ndaj dhe e kam quajtur Klub dhe jo Shkollë klasike.

Ju ofroni mësimin e gjuhës shqipe falas për të gjithë fëmijët. Si arrini ta realizoni këtë në një mënyrë që të përfshijë sa më shumë fëmijë dhe familje shqiptare?

Unë vetë kam qenë studente me bursë Romë , Itali si studente e PHF, apo siç quhet ndryshe “Followers of Paul Harris”, që është Presidenti dhe Themeluesi i Rotary Club, që është dhe mbetet organizata më e madhe vullnetare në botë. I kam ndjekur aktivitetet e Rotarit që kur isha vajzë fare e re në Shqipëri dhe më bënte përshtypje fryma e vullnetarizmit, bamirësisë dhe shërbimit. Paul Harris ka një shprehje shumë të bukur për vullnetarizmin që unë mundohem ta aplikoj sadopak denjësisht tek Klubi FLAS shqip, Vatra Maimi apo në cdo organizata ku unë punoj vullnetarisht: Service above Self , që do të thotë : “Shërbimi Përmbi Veten”. Ati i klubit rotarian e krijoi këtë organizatë në 1905 dhe në fakt lidershipi i tij ka parimin e lidershipit shërbetor që vjen si teori e tillë në letra në vitin 1971 nga Rebert Greenfield. D.m.th. gati 6 dekada më parë se teoria e Greenfield, Paul Harris kishte vënë në praktikë porosinë e Jezusit që, për të qenë lider, më parë duhet të shërbesh. Ky është edhe parimi im. Lideri i vërtetë flet nëpërmjet veprave të mira që shkojnë përtej çdo interesi personal. Unë e dija që në fillim se ky mision është i shenjtë, ky mision i ngjan atij të nënës që na e mëson gjuhën falas, dhe brenda meje nuk mund të pranoja apo pranoj t’u mësoj fëmijëve të gjakut tim kundrejt një pagese gjuhën tonë të shtrenjtë, për të cilën heronjtë tanë kanë dhënë jetën. Ata dhanë jetën, ne nuk u dashka të japim disa orë vullnetare në javë?!! Mund të them se ky klub ka qenë i bekuar që ditën e parë që u krijua në zyrën e një prindi dhe vazhdoi të ishte i tillë kur prindër dhe anëtarë vullnetarë iu shtuan ditë pas dite. Klubi ka qenë i bekuar me mësues vullnetarë që janë ofruar, pasi për momentin ne nuk kemi mundësi pagese për to, por vullnetarizmi dhe dashuria e tyre për mësimdhënie është e jashtëzakonshme. Synimi është që në të ardhmen mësueset apo të gjithë vullnetarët në Klub të shpërblehen me bonuse dhe pagesa mirënjohjeje nga më vlerësueset, dhe seicili sipas kontributit që ofron. Ashtu sikur na mësonte Paul Harris “ One Profits Most Who Serves Best”, përfitimi më i madh për atë që shërben më mirë”.

E gjitha kjo është një eksperiencë e re për ne , dhe sigurisht ndryshimet do të jenë gjithmonë pjesë e jona , por vetëm diçka do të jetë e gdhendur në mur apo sipas kohëve tona hyrë për të mos u shuar në I – cloud : “ Mësimi i shqipes në klubin Flas Shqip do të bëhet gjithmonë falas dhe i gjithë aktiviteti do të respektojë ligjet që drejtojnë organizatat jo fitimprurëse në SHBA, siç është edhe regjistruar kompania ku bën pjesë Klubi Flas Shqip pikërisht në shtetin e Floridës”. Kuptohet, kjo rrugë do një zemër të madhe atdhetare dhe unë mendoj se engjëjt e klubit Flas Shqip gjithmonë do e kenë shancin të gjejnë tek klubi ynë mësimin e gjuhës dhe jo vetëm, pasi ne synojmë t’u mësojmë edhe traditat shqiptare si dhe zakonet tona që na veçojnë si bijë të shqipes, pikërisht ato zakone të mira që i trashëgojmë nga të parët tanë dhe që i shërbejnë çdo shqiptari të mirë të adaptohet me kulturën amerikane.
Nga ana tjetër, do të shtoja këtu se kam mbetur vërtet e impresionuar nga website-i i Qendrës së Diasporës, ku fëmijët emigrantë mund të kenë në dorë libra dhe literaturë nga më të arrirat. Unë mendoj se kjo qendër duhet të fillojë t’i shesë qoftë edhe për një dollar librat në Amazon; e them këtë pasi shumë prindër apo edhe individë të apasionuar pas gjuhës shqipe mund të mos e dinë se ekziston një qëndër shumë profesionale me literaturë të gjuhës shqipe. Kjo do të heqë edhe spekulimet e disa botimeve që e kanë gjuhën shqipe, të më falni për termat, të bastarduar në to. M’u desh të blija një libër me rrëfenja shqiptare nga një autor i huaj, libër që më shumë e bleva të di si i kishte mbledhur këto rrëfenja. Ishte e pabesueshme kur pashë që duke filluar nga emrat, ai libër nuk kishin asnjë lidhje me kulturën tonë, dhe në atë botim asgjë nuk ishte shqiptare. Nuk ngurova t’i bëj një koment negativ këtij libri. Por, nga ana tjetër, siç thashë, Amazon është dritarja e parë nga ku lexuesit e gjithë botës kërkojnë të blejnë një libër dhe ndaj mendoj se qendra e botimeve duhet të bashkëpunojë në këtë drejtim. Gjithashtu, mendoj se librat për fëmijët e emigrantëve duhet të jenë jo one size fits all, siç thonë amerikanët, domethënë një format libri për çdo emigrant paçka se ku jeton. Unë mendoj se ndryshe duhet të jetë libri bazë i gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët me prindër që flasin shqip, dhe ndryshe për fëmijë me prindër që nuk flasin shqip, dhe ju siguroj se unë po kam disa prindër të tillë; gjathashtu ndryshe duhet duhet të jetë një libër për fëmijën e emigrantit në Greqi dhe ndryshe nga ai në Kaliforni. Bashkëpunimi me shkollat apo mësuesit që japin gjuhën në botë duhet të vazhdoj dhe thellohet ne detaje edhe më shumë.
Për sa i përket nxënësve të klubit Flas Shqip, fëmijët tanë nuk janë ende në gjendje të mësojnë me literaturën e botimeve të diasporës shqiptare, por besoj se vitin tjetër ata do të fillojnë ta shfrytëzojnë atë. Kjo ndihmë është e jashtëzakonshme dhe duhet vlerësuar si një hap shumë i mirë. Vullnetarizmi i KLUBIT FLAS SHQIP dhe literatura falas e shtetit shqiptar përbëjnë për mendimin tim modelin e përkryer të shërbimit. Këtu dua të shtoj edhe diçka tjetër që besoj është edhe si apel për qeverinë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ruajtja e gjuhës shqipe në emigracion duhet të konsiderohet mision kombëtar dhe detyrë shtëpie për çdo qeveri shqiptare apo organizëm serioz shqiptar kudo vepron. Shërbimi ndaj fëmijëve të vegjël sot për të mësuar shqip është forcimi i një komuniteti të përbashkët që më shumë se çdo gjë e lidh gjuha. Fëmijët e sotëm janë lobistët e ardhshëm, janë ata që u duhet gjuha për të mos ndërprerë lidhjet me atdheun e tyre. Të gjithë komunitetet që drejtojnë sot direkt apo indirekt botën fuqinë e kanë arritur falë bashkimit që ka ardhur nga edukimi dhe shoqërimi i fëmijëve të tyre që në vogëli. Qeveritë e vendeve tona duhet të mendojnë për të shtrirë ndihmën edhe në hapjen dhe sponsorizimin e qëndrave shqipfolëse në çdo cep ku ka shqiptar. E them këtë se nëse ky aksion, e përsëris, kombëtar, bëhet i organizuar dhe me traditë të shënuar në kushtetutë për të ndihmuar gjuhën dhe kulturën shqipe në botë, e ardhmja e gjuhës sonë dhe komuniteteve tona shqiptare do të jetë në rrugë shumë të mbarë.

A keni bashkëpunime me organizata të tjera shqiptare ose të huaja për të mbështetur aktivitetet e klubit? Besoj roli i organizatës Vatra -Miami, është i madh në punën tuaj?

E dashur Yllka, Klubi hodhi mesazhin e tij të parë në festën e Nënës në maj të këtij viti, kur Vatra Miami, degë të cilën unë drejtoj, festoi festën me motivacionin “Në ditën e nënës me gjuhën e nënës” dhe ku fëmijët, së bashku me këngëtaren e ftuar Artiola Toska, kënduan këngën që tashmë është himni i klubit: “Fol shqip se je shqiptar”. Në Qershor filluan regjistrimet, u bënë disa klasa vere dhe ka vetëm një muaj që, siç thashë, kanë filluar klasat akademike. Vatra është indirekt inkurajuesja e këtij projekti të madh për dy arsye madhore: Themeluesit e saj, Noli dhe Konica, kur krijuan Federatën Pan Shqiptare Vatra, i vunë asaj një gur themeli që mbetet amanet për çdo vatran – ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare. Ndaj unë them se çdo vatran duhet ta këtë ruajtjen e gjuhës shqipe, si mision përmbi çdo mision tjetër. Ndërkohë, nga pozicioni i një vatraneje, unë mendova se e vetmja gjë që i duhet së pari Vatra Miami është të krijojë një komunitet të bashkuar, që Florida e Jugut nuk e ka pasur kurrë, për shumë arsye, ca prej të cilave janë pasi emigracioni këtu është i ri, shumë janë migrantë nga zona të tjera të SHBA, distancat janë të mëdha dhe bota që na rrethon ka një mot pothuaj verë dhe plazh përgjatë gjithë vitit, sikur ka edhe mjedise kulturore që zona e Miamit i ka të njohura tashmë, dhe që të gjitha së bashku krijojnë shumë mundësi tërheqjeje, përtej asaj për të qenë grumbulluar bashkë, siç është në shumë zona të tjera ku jetojnë shqiptarët. Kuptohet, t’i bësh shqiptarët bashkë nuk është mision i lehtë, por gjithsesi jo i pamundur. Sikur edhe e theksova më sipër ka ardhur koha që qeveritë shqiptare të kenë programe të posaçme, dhe për këtë dhe unë e kam një propozim që dua ta paraqes së shpejti. Jo se emigracioni nuk arrin të bëhet bashkë dhe do tutorizimin e qeverive nga vijmë, por sepse qeveritë duhet të investojnë që ta mbajnë komunitetin e tyre të lidhur dhe të denjë për t’i shërbyer vendit amë në çdo kohë. Kjo është në interes të çështjes kombëtare dhe vizionit të së ardhmes.
Ndërkohë Klubi Flas Shqip po krijon lidhje edhe me shumë organizata simotra , donatorë etj, por le të mos harrojmë këtu se klubi ka vetëm pesë muaj nga dita kur është krijuar.

Dhe duke qenë se keni nisur edhe aktivitetin në bashkëpunim me “Vatra Miami”, si ka ndikuar ky bashkëpunim në realizimin e aktiviteteve tuaja? (Këtu mund të shtoni diçka edhe për aktivitetin e Vatrës -Miami)

Unë nuk dua ta ndaj Vatren nga Klubi Flas Shqip, pasi edhe të dua unë, ato nuk ndahen për të gjitha arsyet që rendita më sipër, ndaj çdo aktivitet i ka takuar të dyjave bashkë. Klubi mbetet më shumë i fokusuar tek fëmijët dhe mësimi i gjuhës dhe kulturës shqipe, ndërsa Vatra ka dhe mund të marrë edhe angazhime të tjera që bazohen në respektim të kanunores bazë të saj tashmë 112-vjeçare. Vatra dhe Klubi sot për sot veprojnë si një trup i vetëm dhe mbështeten në të njëjtin mision. Vatra i jep amanetin e Nolit dhe Konicës Klubit, por Klubi po i jep hov Vatrës për të dalë nga monotonija e të njëjtave aktivitete që shpesh duket sikur përsëritin vetveten.

Deri tani, sa fëmijë janë regjistruar për të ndjekur mësimet e shqipes në klub dhe si është strukturuar ky proces mësimor?

Deri tani kemi 70 fëmijë të regjistruar, por rreth 60 nxënës vijnë në formë të rregullt. Klubi ka një kod etike që i prezanton prindërit me misionin dhe vizionin e tij, si dhe vendos themelet se si do të funksionojnë klasat dhe aktivitetet. Klubi ka një website, modest për momentin, www.klubiflasshqip.com si dhe faqe Facebook dhe ndërkohë poston në faqen zyrtare të Instagramit dhe Facebook të Vatrës. Mësimi ka një metodikë që unë po e ndërtoj vetë sipas parimit: kurrikula duhet të jetë e njëjtë në çdo klasë, por forma si e shpjegon mësuesja mund dhe duhet të jetë personale, që t’i hapë kështu rrugë krijimtarisë së vetë mësuesit. Fillimet e klasave kanë patur një rrjedhë logjike që shkon me natyrën si shkojnë gjërat në jetë: Në fillim jam unë, më pas vjen prezantimi im, më pas vjen familja. Më pas vijnë ngjyrat me të cilat unë dalloj botën përreth e kështu me radhë. Por kryefjala është “unë”, sepse fëmija i vogël ka shumë nevojë për vetëbesim dhe ndaj kur i bëja pyetjen në anglisht: kush është gjëja më e rëndësishme për ju, në fillim habiteshin kur u thosha vetja juaj, por tani e thonë bile edhe me zë të lartë. Klubi ndërkohë ka katër klasa të rregullta , një në Miami, një në Hollywood, një në Boca Raton, dhe një në West Palm Beach. Shumë shpejt do hapim klasat e Fort Lauderdale dhe Lake Worth.

Çfarë roli luan Klubi “Flas Shqip” në forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe komunitetit më të gjerë të Floridës së Jugut?

Besoj se është bërë një pikë shumë kyçe e lidhjes së komunitetit dhe nëse do të arrijmë të kemi fondet e nevojshme, do të jemi shtylla kryesore e këtij komuniteti të brishtë dhe pa traditë mes vedit. Jam krenare të them se klubi ka lidhur shqiptarët e të gjitha trojeve, që nga Kaçaniku deri në Fier, nga Tirana deri në Gostivar, nga Ulqini deri në Korcë. Kjo mbetet krenaria më e madhe për momentin, pasi kurrë më parë në Floridën e Jugut nuk ka patur një grupim kaq misionar dhe atdhetar. Ajo që dua ta theksoj dhe që ju mund ta vërtetoni fare thjesht Klubi nuk ka protagonizëm. Unë vërtet e kam themeluar dhe e drejtoj atë, por aktivitetet dalin në emër të Klubit Flas Shqip dhe jo timin, vendimet merren me konsultën e bordeve përkatëse (Bordi i Edukimit, ai i Financave dhe ai i Aktiviteteve). Klubi i ka të gjitha financat transparente dhe mbi të gjitha komunikimin gjithmonë të tillë. Gjej rastin të falenderoj këtu prindërit e parë që më besuan pa mëdyshje në këtë mision : Vellezrit Dekaj, L.Smailaj, U. Selimaj, A. Hoti , M.Beca, A. Dedaj si dhe mësuesen e parë që shprehu gadishmërinë për të punuar si vullnetare, zonjën Liliana Rrumbullaku. Ndërkohë nga zemra falenderoj të gjitha familjet shqiptare që kanë regjistruar fëmijët në Klubin Flas Shqip dhe u përsëris se pa ta ky mision do të ishte një ëndërr në sirtar.

Si e shikoni të ardhmen e Klubit “Flas Shqip”? Çfarë planesh keni për zgjerimin ose përmirësimin e shërbimeve që ofroni?

E shoh si një klub që nuk do të shuhet kurrë, herë me rritje dhe herë me pak zbritje, por asnjëherë në mbyllje. E shoh si një model që do të ndiqet në të gjithë komunitetet shqiptare në SHBA dhe botë, kudo ku ka fëmijë shqiptarë t’u mësojmë shqipen falas dhe jo më me metoda strikte didaktike, por me metoda tërheqëse dhe edukuese të shpirtit, në mënyrë që t’ia vendosim fëmijve shqipen së pari në zemër dhe më pas në mendje. E shoh si vendin ku po formohen lobingjet e para të vërteta të shqiptarëve sot të vegjël në moshë, por nesër faktor vendimtarë në ruajtje të historisë dhe tokave të atdheut të të parëve të tyre. Klubin e shoh më shumë si frymë sesa si korporatë, e vlerësoj më shumë si komunitet sesa si krenari personale dhe mbi të gjitha e shoh si çadrën humanitare ku çdo shqiptar i vërtetë duhet të vijë vullnetar për t’u folur fëmijëve shqip, pasi nuk ka vullnetarizëm më të shenjtë se t’i shërbesh kombit tënd apo kombit të të parëve të tu. Shpërblimin në këtë rast ta jep historia. Klubin e shoh si modelin që do të bëjë shumë familje shqiptare këtu të flasin të paktën 10 fjalë shqip çdo javë, dhe kjo si fillim është fitore, se 10 fjalë unë dhe 10 fjalë ti dhe me këtë ritëm gjuha jonë jeton. Ky sot është një mision i shenjtë dhe unë ftoj të gjithë shqiptarët e vërtetë t’i bashkohen atij.

Ju përmendni që vizioni juaj është që asnjë fëmijë shqiptar në Floridën e Jugut të mos mbetet pa mësuar gjuhën shqipe. Si e siguroheni që ky synim të arrihet në praktikë?

Kemi filluar dhe do ta mbajmë gjithmonë këtë premtim – mësim falas. Në më pak se 3 muaj jemi shtrirë në 120 km. Sigurisht, nuk është punë e lehtë, se pikë së pari duhet të bindësh prindërit për këtë mision, dhe për këtë duhet të kesh sukses me nxënësit dhe ekipin e sapoformuar. Suksesi më pas të shton radhët e nxënësve. Dija, ndershmëria, korrektësia dhe serioziteti i punës sonë do të jetë baza e shtimit të klasave. Plus, Klubi mendon të zgjerohet me studentët, gratë dhe gjithashtu me biznesin sipas parimit të Vatra Miami: “Shqiptarët që i bëjnë biznes shqiptarëve”. Unë gjithmonë e kam thënë, jemi më të fortë po të jemi bashkë. Por kjo fjala “bashkë” është shumë e vështirë mes nesh, pasi gjithmonë sikur gjendet diçka të na ndajë, sidomos nëse shohim suksesin e tjetrit nuk e kapërdijmë apo përgëzojmë lehtësisht. Por unë kam besim tek këta fëmijë, pasi ata po rriten në një mjedis tjetër, shpesh të egër, shumë individualist (flas për kulturën Amerikane), por që në fund të ditës ka diçka pozitive që ne shqiptarët nuk e fituam kurrë: Vlera e tjetrit nuk shihet sikur ta ka hequr ty vlerën, por si mundësi për të të dhënë ty një model, që mund të të motivojë për vepra edhe më të arrira.

Si ka qenë përgjigja e komunitetit shqiptar ndaj aktiviteteve të klubit? A keni parë rritje të interesit për ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare?

Po, shumë! Dhe të mendosh që nuk se kemi patur ndonjë reklamim apo financim nga influencuesit e kohës postmoderne, ku fatkeqësisht matet suksesi në ditët e sotme. Çdo gjë ka qenë fare natyrale, spontane dhe e thjeshtë, por ja që kur gjërat bëhen me zemër të madhe, është forca e mirësisë që projektëson çdo gjë. Pastaj, fëmijët e kanë mirësinë dhe bekimin me vete. Klubi vetëm se rrezaton dritën e tyre. Këtu dua të falenderoj edhe donatorët e Klubit që në më të shumtën janë prindër apo familjarë të fëmijve të regjistruar në klub, si dhe donatorin kryesor i cili është një histori e vërtetë suksesi në SHBA – Florida por sikur të gjithë donatorët fisnik nuk dëshiron të mburret për donacionin e tij, ndaj dhe unë po ja respektoj dëshirën duke mos ja përmendur emrin këtu.

Cila është rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe për fëmijët që jetojnë në emigracion dhe si mendoni që kjo gjuhë do të ndikojë në identitetin e tyre?

Nëse duam që të mbijetojë identiteti, ynë, ai që na bën shqiptarë, duhet të ruajmë gjuhën. Sipas studiuesve më të mëdhenj të shkollave të gjuhësisë, gjuha që flet është faktori kryesor i kulturës që gjithkush prezanton apo trashëgon. Çështja është se disa nga ne nuk duan të mbeten shqiptarë, por as Klubi Flas Shqip dhe besoj askush nuk të detyron me zor të ndihesh artificialisht i tillë. Misioni ynë është dedikuar për ata që duan të mbeten sado pak shqiptarë dhe nuk e kanë mundësinë as për vete dhe as për fëmijët e tyre. Këtu hyn shërbimi ynë, apo ai i Vatrës apo qeverive shqiptare apo të gjitha shoqatave dashamirëse shqiptare. Duhet plane konkrete, duhen politika të mirëfillta, duhet pse jo të ketë shumë iniciativa të shkëlqyera si ajo e librave nga qëndra e botimeve të diasporës. Të mos harrojmë se edhe ato libra nuk kanë vlerë kur fëmijët nuk dinë si t’i lexojnë apo nuk dinë fare të flasin shqip. Fatkeqësisht, vëlla e motër në SHBA më së shumti flasin vetëm anglisht me njëri -tjetrin, dhe besoj në Itali vetëm italisht e kështu me rradhë. E dhimshme , por e vërtetë. Ndaj unë klubin Flas Shqip e shoh si një rrugë modeste për të ngadalësuar sadopak fenomenin sa më sipër.

Si mund të bëhen pjesë e këtij misioni shqiptarët që jetojnë në komunitete të tjera në SHBA, por që nuk kanë mundësi të ndjekin fizikisht klasat tuaja?

Unë mendoj se gjuha e huaj nuk mësohet online, pasi pikë së pari fëmija do të duhet të mësojë si të hap gojën për të shqiptur një gërmë apo një tjetër. Nga ana tjetër unë mendoj se qëllimi i klubit është që fëmijët të kenë bashkim dhe komunikim mes njëri-tjetrit, po kështu dhe prindërit. Por klubi mund të shërbejë duke hapur modelin e tij kudo si dhe përçojë eksperiencën e tij sipas parimit: Në çdo shtëpi shqiptari të flitet shqip dhe çdo prind shqiptar të jetë një mësues i shqipes. Këtu po e mbyll me fjalët e stërgjyshit tim Hajredin Fratari, Dëshmor i Pavarësisë, i cili së bashku me stërgjyshen Sabrete Vila Frashëri lanë Stambollin ku ishin edukuar në akademinë e Robert College, më i vjetri kolegj amerikan në Stamboll , dhe hapën në shtëpinë e tyre të parën shkollë shqipe në Mallakastër. Në çastet para pushkatimit nga Haxhi Qamilistat ai nuk harroi të përmendë gjuhën shqipe që e donte aq shumë: “Shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, zemrën e babës për të luftuar si burrat dhe jetën e tyre, atë që i duhet për atdheun.” Këto veprat tona këtu në vendin më demokratik të botës, më duken kaq modeste në krahasim me aktet e rilindësve tanë, që janë dhe do të mbeten burrat më të shquar shqiptarë pas më të madhit Skënderbeu që vdiq me amanetin e bashkimit në gojë. Dhe si për të ndjekur amanetin e tij puna jonë nuk do të ndalet asnjëherë, pasi as ka pasur dhe as do ketë bashkim më të fortë sesa ai që vjen nga gjuha e njëjtë që flasim së bashku.
E nderuar Zonja Yllka,
Ju falënderoj shumë për intervistën dhe uroj shumë suksese në punën tuaj shembullore.

Filed Under: Politike

Problemi çam mbështetet fuqishëm nga diaspora në Itali

December 17, 2024 by s p

 Petrit Aliaj/

Në provincën e Breshias, Itali, mes një numri të madh të emigrantëve shqiptarë , u mbajt Konferenca “Diaspora 2024”, një Konferencë tradicionale që organizohet çdo fund viti nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali me qendër në Fermo, ku edhe është e themeluar  më datë 26.04 2025.

Në këtë Konferencë, që i dedikohej kryesisht problemeve të identitetit, si dhe problemeve të tjera të diasporës në tërësi, ishin ftuar të gjitha shoqatat, nga provinca të ndryshme, që janë aktive në Itali, si dhe Fondacioni Çamëria” Hasan Tahsini”.

Gjithashtu ishin të ftuar autoritetet vendore në Breshia, përfaqësues të trupit diplomatik shqiptar në Itali (Ambasada shqiptare, ambasada e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, përfshirë respektivisht edhe konsujt e përgjithshëm, të Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe të Drejtorisë për Diasporën në Shqipëri.

Në Konferencë u trajtuan dy tema mjaft të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar: “Çamëria, lufta për drejtësi e dinjitet”, referuar nga Alket Veliu, themelues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. Si dhe tema tjetër: “Ku jemi ne shqiptarët?”, referuar nga Jani Koçillari, profesor i arkeologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Në Tiranë akoma e shikojnë çështjen çame si një çështje të çamëve, edhe pse çështja çame është një çështje kombëtare, e çdo shqiptari, tha  Alket Veliu: “Duhet të kuptojmë qarte që  çështja çame është një çështje shtetërore. Shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues që të mbrojë interesat e çdo shqiptari kudo që jeton. Eshtë preambula e kushtetutës sonë. Dilentatizmi i diplomacisë shqiptare kurrë nuk krijoi një vazhdimesi në çështjet e diskutuara më herët. Grekët kanë gjetur mekanizmat e duhur si të bëjnë shqiptarët të heshtin për çështje kaq kardinale.

Shteti shqiptar vazhdon të jete  memec për çështjen çame, kurrë nuk e ka trajtuar çështjen çame në asnjë institucion ndërkombëtar ku aderon. Çështja çame kurre nuk ka qenë pjese e axhendes se bisedimeve Shqipëri – Greqi, duke mos patur një axhendë të vetën bisedimesh, por duke iu nenshtruar axhendës greke. Janë pikërisht këta të fundit që diktojnë cfare duhet të bisedojmë mes nesh dhe çfarë jo. Madje është shkuar deri aty sa, me kërkesë të palës greke, është hequr dhe emri Çamëri nga tekstet shkollore, një skandal për të cilin nuk foli askush në Tiranë.

Ne shqiptarët e Çamërisë, që me krijimin e Këshillit Antifashist Çam në vitin 1945, por edhe me krijimin e Shoqatës Patriotike Çamëria në 1991, kemi qenë të qartë dhe të pandryshueshëm në kërkesat tona, duke kërkuar rikthim në shtëpitë tona dhe dënim të autorëve për krimet e kryera. Ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, por respektim të të drejtave të njeriut në bazë të çdo ligji ndërkombëtar. Ne nuk i kemi harruar rrënjët tona, kulturën tonë dhe identitetin tonë, pavarësisht përpjekjeve për t’i fshirë ato”, tha mes të tjerash zoti Veliu.

Edhe Presidenti i Këshilli Drejtues të Federatës, zoti Granit Muçaj, ishte mjaft i interesuar për problemin çam. Ai tha se diaspora shqiptare në Itali do të zhvillojë disa aktivitete sensibilizuese për këtë problem kombëtar, madje së shpejti Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali do të dalë edhe me një Deklaratë në mbështetje të kësaj kauze kombëtare.

Presidenti Granit Muçaj, në përshëndetjen e tij, tha gjithashtu se që nga krijimi i Federatës FNAI (Federazione Nacionale dell Albanesi in Italia) janë zhvilluar një seri mbrëmjesh festive cdo fund viti. Por më pas këto mbrëmje u kthyen në dreka festive të shoqëruara me Konferenca, të cilat ia kemi dedikuar problematikave që kemi si diasporë. Që nga viti 2018 deri më 2021, Konferencat i kemi quajtur “Konferenca Shtypi” dhe pas këtij viti i kemi pagëzuar me emrin Konferenca: Diaspora 2021….. 2024 e në vazhdim.

Zoti Muçaj, me kontribute të njohur në diasporën shqiptare në itali, President i Federatës prej dy vitesh, Themelues i shoqatës “Skënderbeu” në Fermo, ideator i emërtimit të Sheshit “Skënderbe” dhe vendosjes së bustit, ideator i emërtimit “Nënë Tereza” të një parku në qytetin e Fermos, u ndal konkretisht në problemet që kalojnë emigrantët në Itali.

“Për problemin e konvertimit të patentave, për të drejtën e përllogaritjes së bashku të pensioneve që kanë emigrantët në Shqipëri dhe Itali, sikurse edhe anasjelltas, për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri, është fakt se u kemi dërguar letra dhe rekomande, me postë elektronike kryeministrit Rama, Ministrisë së Jashtme, si dhe të tre ish kryeministarve italianë në këto vitet e fundit, tha zoti Muçaj.

Janë bërë takime online me përfaqësues të sindikatave në Itali, ku janë përfshirë ekspertët tanë  në fushën e emigarcionit, sikurse edhe të ftuar nga shoqata të tjera që nuk janë pjesë e federatës. Kemi trajtuar problemin e futjes së gjuhës shqipe në institucionet italiane si një gjuhë e zgjedhur(aty ku ka më shumë se 10 fëmijë në një shkollë). Në vazhdim kemi trajtuar edhe mohimin e së drejtës për të votuar e për t’u zgjedhur së bashku me një grupim të të rinjve të titulluar “UNË DUA TË VOTOJ  2025“. “Ky është një problem shumë i madh, i cili është sabotuar (sipas meje) nga të gjitha qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë, që pas ndërrimit të sistemit, për shkak të puthadorëve që janë të lidhur me fqinjët tanë Veri -Jug , pa përjashtuar edhe shtetin Italian, i cili nuk ka interes të merret me ne kur ka një indiferencë totale nga Tirana, tha autori  kësaj kronike, Petrit Aliaj, president nderi i FNAI-t. “Saktësisht ka një ligj në itali për gjuhët e pakicave kombëtare, ligji 482 /1999, i ratifikuar më pas nga Parlameni Italian, me kërkesën e komunave arbëreshe.

Ligji u jep të drejtë arbëreshëve që t’i hapin shkollat e tyre, por nuk parashikon investime shtetërore në to, si pasojë  ka ndodhur një politikë asimilimi në heshtje e arbëreshëve, si pasojë e mungesës së investimeve në ato zona, ku shumica e të rinjlve arbëreshë e braktisin vendlindjen e tyre dhe shpërngulen në veri.Gjuha arbëreshe nuk i duhet askujt më, ashtu siç nuk do të na duhet apo nuk do të na  vullnetarisht nga shoqata dhe mësuesit vullnetarë të pa mbështetur financiarisht’.

Konferenca u përshëndet nga: Petrit Kozeli,  “Ambasador i Kombit”, ”Kalorës i Urdhrit për Meritë i Republikës Italiane”,  “Komentator i Urdhërit të Shën Silvestrit Papë”. Muharrem Saliu, atdhetar i njohur dhe afarist i sukseshëm, kandidat i Parlamentit Europian. Dr.Valbona Xibri, regjisore skenografe, president e Qëndrës Kulturore ODA në Bereshia, drejtuese e “Ballkan Teatër”. Fehmi Bekteshi nga Mitrovica, jurist, bashkëpunëtor i Federatës FNAI dhe drejtor i shkollës së gjiuhës shqipe AlbNor (Norvegji). Agron Shehaj, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ambasadore e Rep. së Kosovës në Romë, Nita Shala.

Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipipërisë në Milano, Anila Pojani. Arben Iliazi, shkrimtar. Ing. Erida Çela bashkëthemeluese dhe Sekretare e Përgjithëshme e Federatës, mësuese e gjuhës shqipe.

Konferenca u moderua nga kryesuesja e grupit të punës Rajmonda Mara (mësuese e gjuhës shqipe), si dhe Jonilda Dervishaj, mësuese e gjuhës shqipe, sekretare e shoqatës “ Besëlidhja” në Rovereto –provinca Trento . Logjistika Erion Sheqeri, Dedin Paçi, Griseld Hoxha Fotograf. Dr. Nimfa Pema, Sefer Kikija, Ndue Shabaku. Ndërsa pjesëmarrës nga shoqata të ndryshme ishin: Nga “Skanderbeg” Fermo, Gëzim Zira. Nga “AquaTermeSort” Padova,  Erida Çela. “Besëlidhja” Trento, Dashamir Kertusha. “Teuta” Trento, Leonora Zefi. “Shqiponja” Begamo, Petrit Hysko, “Zëri i Mërgimtarit”, Novara, piktori Faik Skopeci. “Vatra “, Ravena dhe Dritan Ferhati. Grupi i “Valleve Shqiponjat”, Zvicër,  me drejtuese Drita Gega. Qendra Kulturore ODA, Valbona Xibri.

Këngëtarja Dorarta Asllani. “Alba “ Breshja, Miranda Buci, “Krenaria Shqiptare” Pordenone. Sede Operative e Federatës në Breshja . Grupi Humorist nga Milano: Aleks Tom Vulaj, Genc Gaci, Mimoza Kurtulaj. Ermir Shahini mësues dhe krijues nga Durrësi. Koreografi dhe drejtuesi i grupit të valleve, Nexhmi Mati.

Gjatë Konferencës u dhuruan libra nga Fonacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, si dhe nga albanologia prof. Lucia Nadin dhe Gazeta “Rrënjët”.

Mund të jetë një imazh i 5 persona dhe teksti që thotë "FEDERAZIONE NAZIONALE FEDERAZIONENAZIONALEDELE DELLE ASSOCIAZIONI ALBANESII ITALIA NAI CRAZIONE ZIONALE ASSOCIAZIONI ESI IN ITALIA NAI FEDERATAESHOOATAVI FEDERATAESHOOATAVE HOQATAVE FEDERATA SHOIPTARENEITALI ITALI TA SHOQATAVE PTARENE NE ΠΤΑΙ rardpress.comiansociaee FEDERAZIONE NAZIONALE DELLE ASSOCIAZIONI ALBANESI IN ITALIA FNAI FEDERATA KOMBETARE ESHOOATAVE SHOIPTARE № ITALI."

Filed Under: Mergata

NJË PROMOVIM DINJITOZ NË SHTETIN NGA FILLOI ËNDRRA AMERIKANE E DR. PASHKO CAMAJT

December 16, 2024 by s p

Vatra Miçigan dhe Çikago promovojnë dhe vlerësojnë librin ‘Porosia e Kullës”.

Nga Rafael Floqi

Foto: Ramazan Çeka

Ditën e dielë në mjediset e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës së Zonjës Pajtore, u organizua turneu i radhës i promovimit të Librit “Porosia e Kullës” e autorit, sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj, me prezencën e dy degëve të saj, të degës të Michiganit dhe asaj të Çikagos dhe të miqve e të ftuarve të tjerë. Libri i cili pas promuovimit në Tiranë, Prishtinë, Tuz në New York dhe Boston pati një ndalesë në Michigan, në vendin nga filloi ëndrra amerikane e z. Camaj.

Libri i ri i autorit Pashko Camaj, titulluar “Porosia e Kullës”, është një vepër e fuqishme që i fton lexuesit në një udhëtim të thellë emocional dhe intelektual. Ky libër është një thirrje për reflektim dhe introspeksion, duke sjellë në vëmendje mesazhe të forta për jetën, shoqërinë, dhe historinë e popullit shqiptar. Me një stil të veçantë dhe një ngarkesë dramatike që e bën çdo faqe të librit të jetë një eksperiencë e paharrueshme, Camaj krijon një narrativë që ngjall emocione të thella dhe që përshkon tema universale.

Tek “Porosia e Kullës”, Dr. Camaj përdor një stil të pasur dhe poetik për të pasqyruar luftën e brendshme të individit dhe përballjen me sfida të ndryshme që e formojnë jetën dhe shoqërinë e emigrantit. Libri përmban një përzierje të ngjarjeve historike dhe momentesh intime, duke krijuar një kontrast të thellë mes të kaluarës dhe të tashmes, mes natyrës njerëzore dhe normave shoqërore në vendlindje dhe në diasporë.

Librit “Porosia e Kullës” është një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar lexuesit të zbulojnë një vepër të re dhe të thellë që merret me tema që janë ende aktuale dhe të rëndësishme.

Krahas drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre dy degëve ishin të pranishëm nënkryetari i Federatës Vatra z. Alfons Grishaj, drejtuesi i degëve z. Mondi Rrakaj, z Dritan Demiraj, provinciali Pater Pashko Gojçaj, Dom Fred Kalaj si dhe përfaqsues të medias, shkrimtarë artistë, familiarë të autorit dhe aktivistë të komunitetit me prejardhje nga Malësia e Madhe.

Pater Pashku bekoi eventin dhe vleresoi shkurt veprën e autorit bashkvendasit të tij autorit Camaj. Eventi u drejtua me kompetencë nga dy drejtues të qendrës Nënë Tereza Gjekë Gjelaj, bashkëfshatari i Dr. Pashkut dhe bashkëshortja e tij, Rita Gjelaj.

Ne fjalën e tij nënkryetari i Vatrës z. Alfons Grishaj ndër të tjera bëri përcaktimin e gjinisë të librit të Dr. duke e caktuar ate si një autobiografi e cila ngërthen aty rrëfimin e sinqertë që për atë që Pashkun është jeta e tij e që për ne refleksioni mbi të“ Ai hyn në narrativën e tij reale dhe jo fiksionale. Ai theksoi se Libri i tij në letërsinë amerikane do të karakterizohej si ‘narrativë emigrante“ . Z . Grishaj gjatë fjalës së tij në mund theksoi se ai kishte një vërejtje për titullin e këtij libri në anglisht “Endrra nga bagazhi i një makine amerikane’ si një titull komercial. Në analizën e tij, z Grishaj theksoi se në veprën e tij z. Camaj jep detaje të dokeve dhe traditive shqiptare p.sh. kur pershkruan traditën e martesës së motrës dhe shumë anë të tjera.

Drejtuesja e degës së ֔Çikagos Mirela Kanini, shkrimtare tha : ”Duke analizuar librin “Porosia e Kullës“ e zotit Pashko Camaj “ e kupton se është “Një libër i mrekullueshëm të cilin e kam lexuar me një frymë ajo e quajti atë si një udhëtim i autorit, për të gjetur vetveten. Që cilësoi se kjo nuk është një gjë e thjeshtë ne na duhet në rethana të caktuara të mësojmë dhe ç’mësojmë gjerë të reja. Ne e gjemë veten aty ne të gjithë i dimë vështirësitë e emigrimit.”

Publicisti dhe autori, Prof. Lulash Palushaj u ndal në vlerat e veçanta zakonore patriotike dhe antropologjike të librit “Porosia e Kullës”, ai theksoi njohjen e tij si mësues me Pashkun dhe evidentoi dhe persona të tjerë me origjinë nga Malësia e Madhe ish nxënës të tij të dalluar për aktivitete patriotike në Malësi. Ai e cilësoi veprën një punim “autobiografik” dhe e quajti atë një dokumentar të rrëfimit shpirtnor. Dhe shtoi se nuk ka malësor apo malësore që nuk e ka gjetur veten, në situata të ngjashme”.

Zoti Artan Nati, nga dega e Chikagos një shkrues aktiv në gazetën Dielli, bëri një analizë të elementëve etno-psikologjikë dhe të domethënies që burojnë nga libri dhe duke marrë shembull skenën e ndërhyrjes të babait të Pashkut për të ndarë dy miq të cilët kishin nxjerrë armët. Z. Nati kërkonte brenda narracionit të Camajt gjente elemente etno-psikologjikë madje biblikë, që i përkasin karakterit të shqiptarit, të cilët mund të vetëndreqen kur dimë kolektivisht t’i nxjerrim në pah.”

Në kumtesën e tij gazetari dhe kritiku letrar Rafael Floqi u ndal në veçoritë stilistikore të librit në kumtesën e tij “Bukuria që vjen nga sinqeriteti, stili i librit „Porosia e kullës“ i Dr. Pashko Camajt. Ai ndër ta tjera tha : “ Një autobiografi duhet të përmbajë disa cilësi të rëndësishme që e bëjnë të vlerësueshme dhe tërheqëse për lexuesin. Në këtë kontekst, mund të theksojmë disa nga këto cilësi që pasqyrohen edhe në librin “Porosia e kullës” nga Pashko R. Camaj ose në anglisht Me titullin ëndërrime në bagazhin e një makine amerikane“ kjo se në anglisht se autori i drejtohet një audience tjetër “Vijmë kështu te kuptimi i titullit të librit në shqip, Porosia e Kullës”.

Në jetën e shqiptarëve të Veriut, kulla është njëherësh një simbol i rëndësisë së veçantë dhe një realitet konkret. Ajo është një arketip i egzistencës, sipas Jumgut. E si e tillë na shfaqet ajo edhe në jetën e Pashko R. Camajt. Është ky një rrëfim sa emocionues po aq edhe intrigues, përmes të cilit autori na sjell grimca nga e kaluara e vet, në formën më të bukur të mundshme. Këtu ai trajton një temë aq të pranishme në të gjitha trojet shqiptare, mërgimin, si temë e përbotshme, me të përbashkëtat e veta, por tejet specifike, në të veçantat e veta, si një realitet që nuk ka nevojë për shumë imagjinatë për t’u kuptuar.

Edhe pse elementet personalë e bëjnë të veçantë rrëfimin, ndjenja e mëkatit për lëshimin e trojeve të të parëve, me të cilën ballafaqohet autori, është diçka me çka ballafaqohet gjenerata e parë e emigrantëve, ngado që janë, por dhe një forcë që ka mbajtur gjallë shpirtin e familjes, pavarësisht sfidave të shumta. “Nga lart, mrekullohesha duke parë çdo pëllëmbë tokë, çdo kreshtë dhe luginë në kodrat dhe malet që rrethonin shtëpinë time. … Aty tani kanë mbetur vetëm disa shtëpi dhe kulla, një shtëpi prej guri dykatëshe e ndërtuar gati dy shekuj më parë, si e dëshpëruar, sikur kërkonte mëshirë, më foli. Atje lart në qiell ku isha, më dukej sikur kulla e gurit po thoshte: “Unë jam këtu. Eja, mos më lër të vetmuar.”

Më tej botuesi i shtëpisë prestigjoze Onufri Botuesi Bujar Hudhri në fjalën e tij shprehu respekt e mirënjohje për veprën dhe theksoi se ai i boton vetëm veprat që kanë cilësi dhe vlera. Ai theksoi se libri është shkruar me dashuri e dhembshuri për vendlindjen, ku autori Dr. Pashko Camaj del nga personalja dhe jep mesazhe universale.

Në fjalën përmbyllëse autori Dr. Pashko Camaj rrëfeu mes emocionesh pikënisjen e shkrimit të librit, arsyet e botimit të kësaj autobiografie dhe falenderoi, personalitetet dhe familiarët e pranishëm që e kanë mbështetur dhe mbi të gjitha familjen e tij. Me këtë libër, Pashko Çammaj ka krijuar një vepër që jo vetëm që pasqyron shoqërinë shqiptare, por gjithashtu i fton të gjithë lexuesit të reflektojnë mbi rëndësinë e historisë, identitetit dhe mesazheve që ajo na jep.

Promovimi u mbyll me nënshkrimin e librave prej autorit Dr. Pashko Camaj dhe një koktejli të përgatitur nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra. Ky aktivitet i shkëlqyer kulturor e atdhetar më pjesëmarrjen e studiuesve më të shkëlqyer nga mërgata dhe trojet shqiptare tregoi për seriozitetin e Vatrës si udhëheqëse e aktiviteteve patriotike në mërgatën e Amerikës. Faleminderit për mbështetjen dhe punën e shkëlqyer mediatike e komunitare z.Gani Vila, mbështetës i Vatrës, Diellit e kauzës kombëtare në Amerikë. Federata Vatra dhe gazeta Dielli shprehin mirënjohje dhe falënderim për të gjithë pjesëmarrësit por në veçanti ndaj ALBTVUSA dhe mediave të tjera.

Filed Under: Interviste

Shoqata Malësia e Madhe – New York bashkoi 80 mijë dollarë për studentët e Malësisë dhe familjet në nevojë

December 16, 2024 by s p

Shoqata Malësia e Madhe – New York bashkoi mbrëmë në një darkë speciale për mbledhje fondesh 80 mijë dollarë për studentët e shkëlqyer të Malësisë dhe njerëzit në nevojë në Malësi. Një mbështetje domethënëse për suksesin dhe vazhdimësinë e trashëgimisë historike dhe intelektuale të shqiptarëve në Malësi. Kjo shoqatë prej afro 30 vitesh ndihmon studentët e Malësisë ku shifra e tri dekadave i kalon 2 milion dollarë me mbi 50 studentë që përkrahen e mbështeten çdo vit.

Pjesë shumë e rëndësishme e ndihmës së shoqatës shkon për familjet në nevojë, objektet komunitare funksionale sociale që rrisin mirëqënien dhe shërbimet ndaj banorëve dhe raste specifike në mbështetje të malësorëve në Malësi.

Kontributi i shoqatës Malësia e Madhe – New York për çështjen kombëtare në Malësi, veprimtaria humanitare dhe mbështetja për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë mbresëlënëse. Veprimtaria atdhetare, patriotike e komunitare e shoqatës Malësia e Madhe – New York ka krijuar respekt dhe dinjitet në përpjekjet e malësorëve për komb, atdhe dhe komunitet.

Filed Under: Komunitet

“Pesha e padurueshme e pafajësisë”

December 16, 2024 by s p

Agim Baçi/

Filozofi Edmond Husserl e konsideronte leximin “pasion njohjeje”. Sipas tij, ky pasion njohjeje lidhet me pyetjet për thelbin e qenies, për atë çfarë duam të njohim për vetveten dhe për atë që ndryshon në udhëtimin tonë në jetë. E në këtë udhëtim, padyshim që ka pyetje që mund të na ndezin motorrë të fortë mendimesh e veprimesh. Dhe ajo që duket se na lidh lehtësisht me të tjerët rreth nesh, është mënyra se si arrijmë të kuptojmë brenda nesh fajësisë dhe pafajësisë, pasi shpesh askush nga ne nuk gjen dot udhën e qetë për sa kohë që nuk ja ka dhënë peshën e duhur.

Në këtë hulli dilemash për fajësinë dhe pafajësinë e vet e ka sjellë personazhin kryesor të rrëfimit të tij Primo Shllaku, në romanin “pesha e padurueshme e pafajësisë”. Marini, një hidraulik 19- vjeçar vjen nga një pafajësi e dilemave të moshës e më pas vihet përballë një pafajësie tjetër- atë të pafajësisë së pafuqisë për të kuptuar peshën e një rendi që ai nuk ka fuqi ta ndalë, por ama, që duhet hetuar me plot pyetje se, përse fati e solli përballë një dënimi politik, të cilit ai nuk ja di as fillin e nisjes e as të mbërritjes së akuzave që i bëhen.

Marin Shita, prezantohet në rrëfim në muajt e fundit përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, teksa është i mahnitur nga një dashuri e pamundur. Duke menduar se ajo çka e ka pushtuar në zemër është e ndaluar për të, vendos të prekë jetën me një dashuri që beson se do mundet. Atij i ka mbetur në mendje zonja Tatjana, një grua e bukur që e ka fqinje dhe që është gruaja e profesorit. Por, i bindur se ajo është diçka e pambërritshme, që nuk është një vile rrushi që këputet me sy, ai pranon të nisë të bashkëudhëtojë me Norën, vajzën që i prezanton familja, pasi kupton se me të mund t’ia mbërrijë të ecë me hapat e duhura.

Ecjen në këtë peshë të fortë ndjesish të Marinit, autori e ka mbivendosur mbi një urë tjetër të ndryshimeve të shoqërisë shqiptare, atë që po ndodhte në muajt e fundit të vitit 1944, ku në qendër të absurdit vendoset pikërisht i pafajshmi 19 vjeçar, ai normali, ai që do të jetojë përmes fuqive të vetvetes, përmes punës dhe dashurisë, pa u përzier me askënd.

Marini ka vetëm një “mëkat”,- i ka besuar ndjesitë e tij Batos, një njeriu që fshihet pas guximit të të tjerëve. Fillimisht ai ka të fshehtat me të për guximin që tregon përballë ushtarëve pushtues në qytetin ku pushtuesit do të ikin të fundit nga Shqipëria, ndërkohë që Bato, që bëhet më pas edhe një përfaqësues i komunistëve që morën pushtetin, vetëm ndjek atë pa marrë pjesë në aksion. Por një e fshehtë edhe më e madhe është ajo dashuri e pamundur me Tatjanën, gruan e profesorit, e cila e ka marrë shpesh për riparime hidraulike Marinin në shtëpi. Ai është i mahnitur, i marrosur pas saj, pa mundur t’i thotë asgjë, asnjë fjalë. Dhe këtë të fshehtë ai ja beson sërish Batos pa ja ditur pasojat…

“Njohja është i vetmi moral i romanit”, shprehet kritiku Herman Broch teksa tenton të japë një përkufizim të rrëfimit romanor. Dhe, në fakt, i gjithë rrëfimi i Primo Shllakut e ka këtë moral njohjeje. Autori na fton të ndjekim botën e këtij djaloshi të dashuruar, e më pas na e jep se si i përmbyset gjithçka përpara syve. Kjo përmbysje e shtyn atë t’i hipë të vetmit kalë që ecën në kokën dhe zemrën e tij- kalit të dëshirës për t’i dhënë kuptim ndëshkimit të pafajshëm të tij. Kjo kthehet më pas në sfidën më të madhe, sepse autori nuk përpiqet aspak ta shmangë nevojën që ka përsonazhi i tij për t’i dhënë peshën e duhur ndëshkimit për të cilin ai u akuzua pa faj.

I dalë nga qelia pas muajsh të gjatë burgimi, Marini kërkon fillimisht të shohë edhe një herë Norën, e cila është e lidhur me ditën kur lumturia dhe rrëzimi i tij janë bashkë. Imagjinoni këtë “Edomond Dantes” shqiptar, i cili teksa pret t’i vendosë unazën të fejuarës së tij, gjendet me pranga në duart e tij. Ky dërgim krejt i papritur në cepin e kundërt të botës që kish imagjinuar, e ka farkëton personazhin tonë që të bindë veten se duhet t’i japë peshën e duhur asaj që ai mësoi në një pafajësi që e besoi veç vetë. Kështu, pasi sheh edhe një herë në xhiron e qytetit Norën, e cila jeton një martesë krejt tjetër, me njerëz të “ngritur politikisht”, ai vendos të shkojë në paradën e kryeqytetit, ku do dalë udhëheqësi, të cilin ai dëshiron aq shumë ta vrasë…

Rrëfimi i Primo Shllakut ka bukurinë e fjalës dhe vrazhdësinë e jetës. E mundura dhe e pamundura qëndrojnë përballë, ashtu siç qëndron në fillim të romanit një çast i fortë i ndryshimit të Marinit, i cili e këput një vile rrushi veç me sy, me një vështrim që e gjakos në sy, ashtu siç jeta na këput ndonjëherë pa na prekur drejtëpëdrejtë, por përmes një vendimi që është larg nesh, dhe krejt absurd për t’u kuptuar. Ashtu siç e ëma e Marinit e ka të vështirë të kuptojë se si një vile rrushi ka rënë vetë në tokë, ashtu edhe atë që i ndodh Marinit më pas e kanë të vështirë ta kuptojnë ata që janë rreth tij.

Fundja, a nuk ishte kjo piktura e vetë regjimit komunist, ku njeriut nuk ju la asnjë hapësirë të mendojë apo analizojë atë që i ndodhte, sepse as që duhej ta dinte. Pa e ruajtur nga asgjë e pistë e jetës, Primo Sllaku ndërton jetën e shkatërruar të Marinit pikërisht mbi shpinën e atyre ditëve kur kalonim nga një pushtim armiku në një pushtim të një ideologjie që kërkonte ta kishte këdo nën peshën e frikës, larg mendimeve, larg dëshirës për të jetuar i lirë. Sepse të mendosh është e rrezikshme për një pushtet që e shpërfill njeriun.

Shllaku nuk kursen as klerikët në debatin lidhur me atë që duhet të pranojmë si fajësi dhe pafajësi e se si duhej pranuar realiteti i tyre në jetën përballë atyre që vendosin se cila është liria apo mungesa e lirisë. Një debat që përfshin jo thjesht kohën për të cilën flet libri, por edhe të tashmen e leximit tonë të rrëfimit, ku ende kemi njerëz që qëndrojnë strukur në pafuqinë për të pohuar fajësinë, apo për të mbrojtur pafajësinë e një kohe që nuk duhet të justifikohet, por pranohet. Kjo, fundja, është edhe pesha e durueshme e rrëfimit të Shllakut, që duhet ta bartim për vetveten…

Marini i Primo Shllakut qëndron i strukur pikërisht në hendekun e fortë që ka ngritur letërsia prej shekujsh, siç gjithkush nga ne ka patur dëshirën për njohje dhe pyetje pa fund kur ndeshet me botën e Jozef K., personazhit të Franz Kafkës, në romanin “Procesi” dhe Rasklonikovit të Dostojevskit, personazhit në romanin “Krim dhe ndëshkim”, ku i pari është dënuar por nuk di krimin që ka bërë, ndërkohë që i dyti ka kryer krimin dhe është në kërkim të peshës së ndëshkimit.

….Fundja, gjithçka ka të bëjë me atë peshë brenda nesh të veprimeve tona, që më pas bëhen edhe fati ynë, karakteri ynë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT