• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

FAIK BEJ KONICA

December 15, 2024 by s p

(15 mars 1875 – 15 dhjetor 1942)

Plot 82 vite më parë, më 15 dhjetor 1942, ndërroi jetë në Uashington D.C. të Shteteve të Bashuara të Amerikës njëri nga më mendjendriturit që ka nxjerrë toka shqiptare. Ai ishte atdhetari, studiuesi, shkrimtari, publicisti, drejtuesi i Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe ambasadori i Mbretërisë Shqiptare të Ahmed Zogut në Shtetet e Bashkuara, Faik Bej Konica.

Konica është njëri nga ata shqiptarë që u përpoqën fort, me mish e me shpirt, gjithë jetën e tyre, të ndriçojnë shoqërinë shqiptare kur ajo ishte në errësirë të plotë. Gjithë aktiviteti i Konicës është shërbim i devotshëm ndaj shqiptarisë, nga fillimi deri sa mbylli sytë.

Në moshë të re, në vitin 1897, Konica shkoi në Bruksel ku filloi botimin e të përkohshmes “Albania”. Por edhe gërmimet nga Konica të dokumenteve shtetërore veneciane në Londër tregojnë pasionin e një intelektuali klasi që dëshironte të njihte dhe të promovonte mëmëdheun e tij, me histori të lavdishme, por që vuante nën robëri.

Edhe aktiviteti i mëvonshëm i Konicës, përfshirë atë në shërbim të Shqipërisë në kuadrin e aktivitetit të tij në Vatër (i cili u bë i një rëndësie të veçantë kur ai shërbeu si editor i gazetës “Dielli”), por edhe roli si Ministër i Shqipërisë (Ambasador) në Uashington, vënë në pah zemrën atdhetare dhe bagazhin e madh intelektual të Konicës.

Errësira që u trashëgua nga sundimi turk i Shqipërisë, veçanërisht ai në fushat e arsimit dhe kulturës e merakosnin shumë Konicën. Në marrdhëniet shoqërore, ai shprehte simpati për njerëzit e mirë dhe nuk hezitonte të ishte kritik i ashpër i kotësisë dhe i veseve që viheshin re në shoqërinë shqiptare të kohës. Dhe Faiku nuk heshtte. Shpesh, Konica ishte i drejtëpërdrejtë: “Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.”

Herë të tjera, më pak i tillë. Ironia e hollë dhe thumbuese ka qenë dhunti e njohur e tij. Kështu bëri ai kur thumboi “levantinët” të cilët i konsideronte “imitonjës” të veshur me pushtet. Sipas Konicës, atë dalloheshin “nga mënyra e të veshurit, e të sjellurit ashtu edhe në mendime e gjuhë. Faiku ishte mjeshtër i fjalës dhe besonte në përdorimin efiçent të saj, duke promovuar njëkohësisht hijeshinë dhe elegancën gjuhësore.

Konica ishte duke shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Uashington dhe ishte një figurë e nderuar në qarqet diplomatike të kohës, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Ai e dënoi me forcë pushtimin, dhe kjo vihet re qartazi në një intervistë që ai i dha, një ditë pas pushtimit, gazetarit Hilmar Baukage të Radios NBC. Intervista, e zbuluar dhe e publikuar për lexuesin shqiptar nga studiuesi Ilir Ikonomi, hedh dritë mbi patriotin e shqetësuar për fatet e atdheut.

Konica u nda nga jeta tre vjet e gjysëm pas pushtimit. Ja si u përshkrua vdekja e ish-Dekanit të Trupit Diplomatik nga një kritik i Sekretarit të Shtetit Codell Hull në Uashingtonin e kohës, sjellë për lexuesin në librin Faik Konica (Jeta në Uashington) e studiusit Ilir Ikonomi:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington. Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti. Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur. Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar. Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë. Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara. Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht.”

Sikur të mos mjaftonte kjo, Faik Konica ishte mes shkrimtarëve të ndaluar dhe të anatemuar gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, por ai ishte në shoqëri të mirë përgjatë gjithë atyre dekadave të zeza, në “shoqërinë” e At Gjergj Fishtës, Lumo Skëndos, Vinçens Prenushit, Patër Anton Harapit, Lazër Shantojës, etj. Në tre dekadat e fundit figura e Konicës po njihet më mirë. Kjo falë punës së studiuesve to pasionuar si Ilir Ikonomi, Agron Alibali etj.

—Administratori (Marrë nga faqja në Fb – Mid’hat Abdyl Frashëri) – Ripostim i 2 viteve më parë.

#TëNjohimHistorinëTonë

Foto: Faik Konica me fustanellë në Boston, Massachusets, Sh. B.A., 1909

Filed Under: Histori

TË JEM I VLFSHËM PËR FISIN E KOMBIN

December 14, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

(VLERËSIME PËR LIBRIN E PASHKO R. CAMAJT “ POROSIA E KULLËS”).

Dr. Pashko Camaj, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Panshqiptare Vatra të Amerikës, muajt e fundit botoi librin në dt gjuhë, anglisht me titullin “Dreaming from the Trunk of an American Car” dhe shqip “Porosia e Kullës”, ONUFRI, 2024, 262 f. përkthyer shqip prej vëllait të tij Nikolla.

Ky libër është ndërtuar si përmbledhje tregimesh ku jepet jeta e autorit dhe e familjes nga vitet e fëmijërisë deri tek hartimi i librit, pasuruar dhe me nje album fotografik kujtimesh. Pra, synimi i parë i autorit ka qenë të krijojë një libër autobiografik, libër, që zakonisht i përket letërsisë dokumentare. Mirëpo, formimi i mirë intelektual dhe talenti letrar e kanë ndihmuar autorin që ta ndërthurrte tregimin e jetës me tipare të letërsisë artistike. Të shumta janë episode ngjarjesh që rrëfehen duke përdorur figura letrare, ku jepen përshkrime të ambjenteve dhe të personave realë me stil letrar artistik.

Tërheqëse është përdorimi i dy formave të rrëfimit. Në tregimet ku autori ka qenë vetë pjesëmarrës, ai i rrëfen ngjarjet në vetën e parë njëjës, kurse ngjarjet, ku nuk ka qenë pjesëmarrës vetë, i rrëfen në vetën e trete njëjës ose shumës. Pra në disa tregime autori është edhe personazhi kryesor dhe rrëfimtari i ngjarjeve; kurse në tregime të tjera është vëzhgues i ngjarjeve që kanë ndodhur kur ai nuk ka qenë i pranishëm.

Ideja themelore e librit është e lidhur me dëshirën që e mundon emigrantin e ndershëm: “Të jem i vlefshëm për fisin, kombin dhe atdheun e origjinës dhe atdheun e ri ku jetoj pas emigrimit”.

Gjatë rrëfimit të jetës autori pyet veten shpesh here: “A bëra mirë që u largova prej kullës (kupto: prej familjes, fisit, vendlindjes)? A po e plotësoj dot detyrën time ndaj fisit tim gjatë punës këtu në atdheun e ri?

Të tilla pyetje ia bëjnë vetes njerëzit e ndergjegjshëm, të cilët e kanë të qartë se jeta nuk duhet jetuar vetëm për të plotësuar nevojat materiale personale e familjare, por edhe detyrat si bir i fisit, i kombit të cilit i ke përkitur dhe i kombit të cilit i përket pasi ke emigruar.

Mbajtja gjallë në jetën e përditshme të të tilla pyetjeve e bëjnë njeriun gjithnjë e më të vlefshëm për familjen, shoqërinë dhe kombin. I Mëkuar që në fëmijëri prej prindërve e të afërmve me një botëkuptim të tillë, Pashkoja që në rini duroi vuajtjet, varfërinë, punët e rënda të fshatit malor dhe eci me vendosmëri për formimin e tij intelektual e profesional derisa arriti suksese të shënueshme, si pedagog universiteti, si “Doktor i Shhëndetit Publik”, si krijues i familjes së shëndoshë dhe si anëtar i Kishës Shqiptare Katolike dhe i Shoqatës Vatra. Si qytetar shqiptaro-amerikan ai jep ndihmesën e tij për ngritjen morale, fetare dhe kulturoro-politike të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe për unifikimin e kombit shqiptar të coptuar në gjashtë shtete.

Kisha Shqiptare Katolike dhe Shoqata Vatra nuk e kërkuan Pashkon, por ai i kërkoi dhe i gjeti këto institucione. Aty e shpuri formimi patriotik këtë bir të Malësisë Shqiptare, që ka mbetur jashtë kufijve të atdheut mëmë.

Të gjithë emigrantët, që largohen nga vendlindja dhe shkojnë të jetojnë në një atdhe të ri, mësojnë nga ky libër se duhet t’i bësh vetes pyetjet që i ka bërë shpesh autori i librit, për të qenë i mirorientuar dhe të mos i futesh punës thjesht për t’u pasuruar materialisht, sepse vjen një ditë që e kupton se pasuria nuk vlen po të kesh humbur identitetin tënd fisnor e kombëtar. Ti je kthyer thjesht në një numër si miliona njerëz, që jetojnë pa ideal.

Lidhur me realizimin artistik, dëshiroj të theksoj se ky libër ka mjaft pjesë që besoj i kanë zili dhe shkrimtarët e talentuar. Të tilla janë tregimet “Hyrja në ShBA”, “Babai im, heroi im”, “Lotët në sytë e babait tim”, etj, ku spikat zhdërvjelltësia e rrëfimit me figura emocionuese. Personazhi Rrok Pjetri, babai i autorit, skalitet si një malësor që shquhet për rruajtjen e traditave të shëndosha. Me zgjuarësinë e tij, ai jo vetëm fal gjakun e vet, por i pajton dhe dy bashkëfshatarët e armiqësuar midis tyre. Kjo ndërmarrje e tij është punë pararendëse e veprimtarisë madhore që kreu Prof. Anton Çeta disa vjet më vonë në Kosovë.

“Porosia e Kullës” shquhet dhe për pasazhe meditative e filozofike. Sa për ilustrim po riprodhoj një prej tyre, meditimin e autorit kur në fund të librit, pasi kishte arritur sukseset në atdheun e ri, shkoi për vizitë lamtumire në vendlindje, pikërisht tek fshati i braktisur Surkuq dhe kulla që po rënohej:

“Mbylla sytë përsëri dhe shtëpia tashti ishte e mbushur plot me jetë. Dëgjoja kërcitjen e zjarrit që ndriçonte fytyrat e njerëzve dhe ndieja aromën e ëmbël të lakrave që po zjeheshin në vatër. Familja ishte mbledhur, ulur në stolat e tyre rreth sinisë prej druri dhe thoshin lutjet para se të ndanin vaktin.

Fillimisht, ndjeva nevojën të flisja, të shpjegoja pse e kisha lënë shtëpinë time dhe të tyre, njëherë e përgjithmonë. Doja t’u kërkoja falje. Zhurma e erës, e cila vallëzonte nëpër xhamat e thyer të dritareve, u ndal papritur sikur donte të dëgjonte atë që kisha për të thënë. Por nuk e ndieja më nevojën t’u kërkoja të më falnin. Nuk kisha nevojë të flisja…

Aty u binda se kisha marrë vendimin e duhur. Më kuptuan se do të kisha bërë të njëjtën zgjedhje një mijë herë. Pesha e fajit që e ndieja deri atëherë disi u ngrit teksa kujtoja atë që kisha arritur atje, në shtëpinë time të re…

Gjyshi i kishte porositur të bijtë se për kullën nuk vdiset, për kullën jetohet. Madje u kishte thënë, derisa ata po përballeshin me dilemën e madhe, se kjo kullë nuk guxon të shuhet, se kjo kullë duhet të japë burra që do t’ i njohë kombi. “Kjo asht porosia ime, kjo asht porosia e kullës, o bijtë e mi”, – ishin fjalët e tij të fundit brenda kullës, ku unë tani po qëndroja…”.

Rrëfimet e librit shpalosin shkaqe të ndryshme politiko-shoqërore të shpopullimit të fshatrave shqiptare të Malësisë së Madhe që ka mbetur në Mal të Zi. Autoritetet malazeze i keqtrajtonin shqiptarët. Gjyshin dhe babain e autorit ata i vranë barbarisht, kurse djaloshin Pashko e shikonin me mosbesim, nuk i dhanë mundësi të ndjekë shkollën e lartë. Me një fjalë e detyruan ta braktiste vendlindjen për të realizuar ëndrrën e tij, shkollimin për t’u bërë mjek. Endërr të cilën e realizoi në atdheun e ri.

Uroj që pas kësaj prove të suksesshme autori të vijojë hartimin e tregimeve mbi jetën e shqiptarëve të Malësisë që ka mbetur në Mal të Zi për të treguar se si edhe ata ashtu si ai mundën ta mbanin “porosinë e kullës” duke “nxjerrë burra që i njeh kombi”. Të tillë burra egra mbijetuan dhe arritën ta shpallin Tuzin “Bashki Shqiptare”, të hapin stacion televiziv, të përurojnë shtatoren e Nënë Terezës dhe të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, si dhe suksese të tjera.

Filed Under: ESSE

“Porosia e Kullës” u promovua në Harvard

December 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

Boston, 14 Dhjetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Boston së bashku me Programin e Studimeve të Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Harvardit dhe Shtëpinë Botuese “Onufri” promovuan veprën “Porosia e Kullës” nga Dr. Pashko R. Camaj. Nën prezantimin mjeshtëror të Jorid Çelaj, kryetari i Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj vlerësoi librin e Dr. Camaj mbi emigracionin dhe theksoi veprimtarinë e Vatrës në Boston në shërbim të kulturës kombëtare, gjuhës shqipe dhe komunitetit shqiptar në Boston. Prof. Faton Limani ligjërues i gjuhës shqipe në Harvard u shpreh se “Porosia e Kullës” është një thesar i rrallë, jo vetëm për shqiptarët në diasporë, por edhe për çdo emigrant që ndjen peshën dhe sfidën e integrimit në një botë të re, duke ruajtur rrënjët dhe identitetin e tij. Themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” z.Bujar Hudhri në fjalën e tij theksoi se “Porosia e Kullës” është libër i çmuar dhe i veçantë në letrat shqipe me kulturën e lartë të të shkruarit, ndjenjat e fuqishme njerëzore që përshkruan dhe mesazhe të fuqishme që jep për lexuesin. Libri i Dr.Pashko Camaj nuk ka mburrje por dashuri e dhembshuri për vendlindjen dhe atdheun. Dr. Pashko Camaj është model suksesi dhe personalitet i mërgatës shqiptare në Amerikë, tha ndër të tjera z.Bujar Hudhri.

Prof. Thanas Gjika në fjalën e tij u fokusua në një analizë letrare dhe stilistikore të librit “Porosia e Kullës” dhe pasazheve meditative filozofike e shpirtërore në roman ku skaliten personazhet jetësore të dilemave dhe historisë së “Kullës” si institucion familjar dhe patriotik. Editori i Diellit u shpreh se Dr.Pashko Camaj ka meritë pasi rrëfen modestisht, përshkruan detaje deri në imagjinatë, melankolik në dhimbje e vuajtje, dramatik e ankthioz në labirintet e së panjohurës por gjithmonë shpresëplotë siç i thoshte babai: “Zoti na e bëjë mirë për ne Çoço”. Në rrëfimet e Pashko Camajt nuk ka mburrje, nu ka hiperbola, nuk ka folklorizëm bajate por ka jetë reale, personazhe reale dhe rrëfime autentike të një kohë të vështirë jo vetëm për personazhin kryesor e familjen e tij por për mbarë shqiptarët të mbetur jashtë kufijve shtetërorë shqiptarë. Rrëfimet e Dr.Pashko Camajt, me një stil e gjuhë shumë të pasur, kanë dritë dhe optimizëm, forcë dhe krenari, thjeshtësi dhe mirënjohje. Gazetari Fatmir Konja u shpreh se ashtu si kulla në malësi, me gjithë magjinë e energjisë elektrike mbeti e pandryshuar, ashtu edhe kulla shpirtërore e Pashko Camajt, megjithë magjinë amerikane, ka mbetur e pandryshuar.

Ish-drejtori i VOA-s z.Frank Shkreli në fjalën e lexuar nga gazetari Fatmir Konja shprehet se “Porosia e Kullës” na bën të shikojmë thellë brenda vetes, ndoshta me mundësinë dhe dëshirën për të gjetur veten në një botë të huaj dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve se ku ishim, ku jemi dhe ku po shkojmë – brezi ynë dhe ata që vinë pas nesh. A është një bekim, apo një mallkim, ndoshta, braktisja e Kullës dhe e trojeve tona? Ato kulla që ndër shekuj kanë ruajtur brez pas brezi identitetin shqiptar, traditat, vlerat dhe zakonet e mira të malësorëve, të cilët shpesh e kanë ndier veten si të huaj në kullat dhe në trojet e veta shekullore.

Prof. Besim Muhadri në kumtesën e tij u fokusua te trashëgimia e brezave, elementi krijues e rikrijues letrar dhe simbolika e Kullës si institucion vlerash, qendrese, mbijetese e krenarie kombëtare me përshkrime artistike e rrëfime estetike dhe shumë besnike.

Prozatori Mëhill Velaj u shpreh se “Porosia e Kullës” është libër memorial i jetës dhe metafora e përkryer e kujtesës e qendresës i këtij rrugëtimi të brendshëm e memorizues, ku dimensioni shpirtëror ngadhënjen edhe me lart se përmasa e jashtme, domethënë rrethi social, shtrëngesat e gerçët që Pashko R. Camaj ka përjetuar gjithmonë duke kërkuar për të njohur veten, tjetrin dhe subkulturën që të ofron shteti më demokratik në botë, SHBA – ja. Shkrimtari Kastriot Fetahu u shpreh se Dr. Pashko Camaj provon në këtë roman, përmes një kohe më të shkurtër se francezi Henri Charrière, luajtur nga Steve McQueen në filmin Papillon, se rruga drejt lirisë dhe prosperitetit kalon gjithmonë në ngushticën midis Shilës dhe Karibdës. Në këtë rrugë, Odiseu arriti Itakën, ndërsa Camaj – Amerikën. Thuhet se letërsia ushqen iluzionet, por autori i romanit Porosia e Kullës, Pashko Camaj, provon se doli nga kështjella e Ifit pa ndihmën e Abatit Faria – vetëm përmes vendosmërisë së tij të pathyeshme shqiptare, në kërkim të lirisë, duke ndjekur gjurmët e Edmond Dantesit të ri. Poeti Namik Selmani vlerësoi librin dhe u ndal gjithashtu te vlerat e shtëpisë botuese “Onufri”. Në fund të promovimit Dr. Pashko Camaj zhvilloi një bashkëbisedim me pjesëmarrësit dhe shpjegoi për të pranishmit pikënisjen e shkrimit të librit “Porosia e Kullës” dhe episode që lënë gjumë te pasardhësit dhe lexuesit për të ruajtur rrënjët, trungun dhe trashëgiminë e shkëlqyer të vlerave kombëtare.

Filed Under: Featured

Riorganizohet Vatra Hartford, Ilir Gjomarkaj zgjidhet kryetar i degës

December 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

Hartford, Connecticut, 14 Dhjetor 2024 – Patrioti Ilir Gjomarkaj me propozim të të gjithë anëtarëve pjesëmarrës u zgjodh kryetar i Federatës Vatra në Hartford. Pas një procesi diskutimesh e riorganizimi, veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Ilir Gjomarkaj pas votëbesimit unanim falenderoi mbështetësit dhe kërkoi më shumë organizim dhe angazhim të çdo anëtari të Vatrës e çdo shqiptari për të mirën e Vatrës dhe komunitetit shqiptar në Hartford, Amerikë. Sipas z.Gjomarkaj vatranët e shqiptarët e Hartford do kontribuojnë me aktivitete patriotike sidomos në hapjen e shkollës shqipe në Hartford dhe aktivitetet e ndryshme patriotike. Ish kryetari Prof.Milaim Tahiri ekspozoi vlerat e Vatrës ndër vite dhe renditi disa problematika të funksionimit të degës dhe propozoi Ilir Gjomarkajn duke bërë thirrje të gjithë vatranëve për bashkëpunim të ngushtë në përpjekjet për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptar në Hartford. Ai renditi në fjalën e tij punën e domosdoshme për shkollën shqipe në mënyrë që fëmijët shqiptarë të flasin shqip e të ruajnë identitetin shqiptar. Diskutuan në takim edhe arkëtari i Vatrës z.Besim Malota, kryetari i Vatrës në Jacksonville z.Adriatik Spahiu, dhe vatrani kontributor z.Nesim Muçollari etj. Në fjalën e tij, kryetari i Federatës Vatra Dr.Elmi Berisha lavdëroi punën e Vatrës Hartford prej 1 dekade dhe siguroi mbështetjen e pakufishme të Vatrës Qendrore në një proceset kombëtare të përpjekjeve për çështjen shqiptare në mërgatën e Amerikës dhe partneritetin e Vatrës me institucionet amerikane. Dr. Berisha përmendi punën e shkëlqyer diplomatike dhe institucionale të Vatrës në vitet e fundit dhe projektet në vazhdim. Federata Vatra zhvillohet e fuqizohet çdo ditë e më tepër duke qenë prej 112 vitesh lideri i padiskutueshëm i proceseve patriotike dhe atdhetare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike

“POROSIA E KULLËS” SË DR. PASHKO R. CAMAJ

December 14, 2024 by s p

(Fjala me rastin e promovimit të librit “Porosia e Kullës” të autorit shqiptaro-amerikan nga Malësia e Madhe, Dr. Pashko Camaj, në Harvard – Universitetin e njohur, botërisht — në Boston, me 14 dhjetor, 2024)

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Përshëndetjet e mia të gjithë të pranishëmve aty të mbledhur sot në Universitetin Harvard. Përshëndes dhe përgëzoj, përzemërsisht, bashk-malësorin tem, mikun, kolegun dhe autorin e librit “Porosia e Kullës”, Dr Pashko Camaj – të cilit, njëkohsisht, i kërkoi ndjesë, që në pamundësi të jem aty sot, detyrohem t’a përshëndes me këtë rast, prej së largu nga Washingtoni. Pa dashur të dukem krahinor, më duhet të pranoj se suksesi I Dr Pashkos  na bën krenarë të gjithë ne që vijmë nga ato anë! 

“Porosia e Kullës” është titulli i librit. Dy fjalë të mëdha, dy fjalë të shenjëta – fjala: Kullë dhe fjala: Porosi, ose siç përdoret në fjalorin popullor: amaneti. Është një rrëfim autobiografik, por edhe një përvojë reale dhe aktuale shpirtërore dhe shoqërore. Është një rrugëtim, që secili prej nesh e ka berë, në rrethana tjera dhe në kohë të ndryshme. Është një tregim i cili po të heqim emrin e autorit, Dr Camaj, mund të vendoset emri i secilit prej nesh, mërgimtarë malësorë, por jo vetëm, të ardhur në Amerikë gjatë 50 e sa viteve më parë. Është një histori dhe një pasqyrë ku secili prej nesh të ardhur nga ato anë, shohim vetveten tonë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe të familjeve tona, por edhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi. Si bashkvendas, me pak a shumë, të njëjtën prejardhje e përvojë si Dr. Pashko Camaj, ky libër na bën të shikojmë thellë brenda vetes, ndoshta me mundësinë dhe dëshirën për të gjetur veten në një botë të huaj dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve se ku ishim, ku jemi dhe ku po shkojmë – brezi ynë dhe ata që vinë pas nesh.  A është një bekim, apo një mallkim, ndoshta, braktisja e Kullës dhe e trojeve tona? Ato kulla që ndër shekuj kanë ruajtur brez pas brezi identitetin shqiptar, traditat, vlerat dhe zakonet e mira të malësorëve, të cilët shpesh e kanë ndier veten si të huaj në kullat dhe në trojet e veta shekullore.

Atyre kullave të Malësisë tonë të cilat, historikisht, kanë shërbyer një rol të dyfisht, si banesa por edhe për mbrojtje nga armiqët. Këto janë pyetje që vetëm secili prej nesh, bazuar në përvojën tonë, mund t’i përgjigjemi, bazuar në përvojën dhe në rrethanat tona specifike. Nëse braktisja e kullave tona gjatë dekadave ishte një bekim apo mallkim, kjo u mbetet historianëve të ardhëshëm të vendosin. Megjithëse autori mund të ndjehet fajtor për “mospërfilljen” e amanetit të Kullës, duke u largua nga vendlindja – ai përpiqet të justifikoj largimin nga trojet shekullore tona për një jetë më të mirë në Amerikën e largët duke cituar që në fillim një paragraf nga Testamenti i Vjetër i Biblës – që përcakton emigrimin si një fenomen botëror i shekullit të kaluar por aktual edhe sot, ndonëse aq i vjetër sa vet Bibla: 

“Zoti i tha Abrahamit: Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim.”  Zanafilla 12:1-20

Titulli i librit, “Porosia e Kullës” e autorit Dr Pashko Camaj është në të njëjtën kohë edhe një betim dhe mund të shikohet si thirrje brezit të tanishëm dhe të ardhëshëm të malësorëve e të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi, që ata të mos barktisin “Kullat”.  Por, nga ana tjetër, është edhe një betim solemn për t’i qëndruar besnik deri në fund, “Mbrojtjes së Kullës” si një gjë të shenjtë, një porosi e Kullës së të parëve!

Ky është edhe pikëqëllimi i këtij libri, sipas vet autorit: një mesazh e porosi për brezat e ardhëshëm të malësorëve dhe shqiptarëve nga të gjitha trojet, në Amerikë – ku ndonëse ëndërrat bëhen realitet – siç është edhe vet rasti i autorit, në këtë vend të ri. Ndërsa bëhen amerikanë, ata mund të ruajnë gjithnjë rrënjët e veta dhe të mos harrojnë origjinën nga vijnë. Ashtuqë nepërmjet porosisë së Kullës, malësorët dhe shqiptaro-amerikanët, në përgjithësi të mund të ruajnë trashëgiminë dhe amanetin shekullor të brezave arbërorë edhe këtu në Amerikën e largët. Në këtë “komb të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim”, janë fjalët e Perendisë, drejtuar Abrahamit.  “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd…”

Dr. Pashko: ti ke bërë zgjidhjen e duhur, prandaj mos e ndjejë veten fajtor ndaj të parëve tu por të jesh krenar për këtë vepër, me të cilën ti përshkruan historinë tënde, por që, në të vërtetë, përmban edhe historinë e secilit prej nesh, që në kohë tjera, ashtu si ti para 40-viteve, kemi ardhur në këtë “komb të madh” nga trevat shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Ky “komb i madh”, që është Amerika jonë e dashur, të gjithë neve me origjinë të përbashkët nga vjen edhe autori Dr Pashko Camaj, na e ka bërë të mundur që “Porosia e Kullës” të jetë një bekim për secilin prej nesh, si individ dhe për ne si komunitet që aktualisht luan një rol me rëndësi në jetën dhe veprimtarinë e këtij kombi të madh, të përcaktuar, si i tillë nga Perendia – si vendi që ai na “tregojë”.

Më në fund, si rjedhim, kuptohet, vetvetiu, se sa rëndësi e vlerë ka kjo vepër për historinë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara por edhe për amangtet dhe “Porosinë e Kullave” të Malësisë tonë të Madhe e të dashtun, për trojet shqiptare në Ballkanin Perendimor.  Për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen. “Porosia e Kullës” përkon plotësisht me botëkuptimin e shqiptarëve të cilët dikur u lidhshin dhe mbetshin aty ku kishin dhanë fjalën, d.m.th: Besën. Besa e dhenë është porosia e ruajtur e Kullës!  

Duke qenë i bindur se ashtu si Arbëreshët e Italisë të cilët ruajtën për më shumë se 500-vjet porositë dhe identitetin kastriotian në dhe të huaj – ashtu edhe shqiptarët e sotëm në “tokën e premtuar” të Amerikës — me kohë dhe me kujdes e sipas rrethanave — do të mund të ruajnë “Porositë e Kullave”, që “për kullën të jetohet dhe jo të vdiset”, duke ruajtur vlerat dhe traditat fisnike të kullave tona, jo vetëm në Malësi të Madhe dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe këtu në botën e re — Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot për sot, askund si këtu në Amerikë nuk mund të zhvillohen me më shumë sukses përpjekjet për të ruajtur vlerat dhe traditat kombëtare.

Shpresonim se me shembjen e Murit të Berlinit dhe të diktaturës së egër komuniste në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, “çeshtja shqiptare” do të merrte, më në fund, dinamika të reja përparimi e zhvillimi, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Kjo nuk ka ndodhur as pas 35-vjet të ashtuquajtur, tranzicion “post-komunist”. Mjerisht, kullat tona që u qëndruan me shekuj luftërave për liri e identitet kombëtar, po mbeten bosh, ndërkohë që vazhdon zbrazja biblike e trojeve shekullore e shqiptarëve. 

Për fat të keq, si në mërgim ashtu edhe në dy shtetet shqiptare – në Shqipëri dhe Kosovë – mungojnë udhëheqsit atdhetarë, të betuar që të bashkojnë në “një mendim e një qëllim”, mundësitë e përbashkëta kolektive në mbështetje dhe mbrojtje të interesave kombëtare – sipas porosive të kullave tona historike — mbi interesat private, partiake, ideologjike dhe krahinore. 

Jo, se kombi nuk ka njerëz me vlera të larta kombëtare!? Vaj medet për ne nëqoftse humbasim edhe këtë rast e mundësi historike për të cilën Kombi shqiptar ka pritur me shekuj – lirinë dhe pavarsinë që gëzon sot, si asnjëherë më parë. Mendonim se ky do të ishte shekulli i shqiptarëve! Gjithnjë shpresojmë!

Pa dashur të dukem si krahinor, më duhet të pranoj se suksesi i Dr Pashkos është krenari dhe sukses për çdo malësor kullash, jo vetëm, të trojeve të Malësisë së Madhe, por edhe këtu në mërgim. 

Prandaj, po e mbyll me urimet e mia më të përzemërta, për mikun, kolegun dhe bashkvendasin tim malësor, Dr Pashko Camaj, për këtë botim – që siç shkruan në parathënien e librit, “Porosia e Kullës” edhe shkrimtari dhe diplomati i njohur Besnik Mustafaj – në thelb, libri është një “përshkrim i rrugëtimit të brendshëm, domethënë shpirtëror, por edhe atij të jashtëm, domethënë social, që Pashko R. Camaj ka kryer deri më sot për të njohur veten. Është një rrugëtim që vazhdon…”, ndërkohë që presim prej tij edhe botime të tjera të kësaj natyre, por jo vetëm, në të ardhmen. 

Vëllazërisht, 

Frank Shkreli

             ———————————————————————————–

MËRGIMI – nga Ernest Koliqi

“Në mërgim, për arsyena të ndryshme që këtu s’e kanë vendin të rrjeshtohen, asnji popull tjetër, besoj, nuk u dënue si i yni nga fati me marrë rrugat e «gerbetit ».  Ndonse e vogël, Shqipnija i ka bijt e vet të shpërndâmë në katër kandet e dheut. Të gjithë i shporon në zêmër malli i vendlindjes. Sado i vobektë, shpesh i mbështjellun nga nji grumbull kujtimesh të zymta, çerdhe e pazoja me u dhânë rritje e gjallesë t’arsyeshme zogjve të vet, prap se prap, gurt e sokakut të vendlindjes, thepi i malit, zàni i prronit, zhurma e çekerkut të pusit, ngjallin në shpirtin ma harraq nji dëshir të ndezun këthimi. Por edhe mërgimi dallohet në lloje të ndryshme. Kush del jashë visit të të Parvet për nji përmirsim gjallese por, sado larg t’a két hjedhë nevoja, nuk ia pengon gjâ udhën e këthimit, ai e ndien mâ pak mallin sepse e din që mjafton ti hypi nji vaporri ase nji avullqerrje për tu këthye në gjï të qytetit a të katundit ku u lind. Trishtim kapërthyes ndrydhë, përkundrazi,   

zêmrën e atij që nuk mund të marrë udhën e këthimit n’atdhé, sepse aty e prêt nji përndjekje mizore.  Ky lloj mërgimi dërmon shpirtin, tue pre çdo mundësi shmallimi”. (Shëjzat, 11-12, 1962 – faqe 362).

May be an image of 1 person and text

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT