• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Ode për tempujt që nuk u harruan

December 12, 2024 by s p

Luan Rama/

“Ka shumë pellgje gjaku nëpër botë / ku vallë do rrjedhin ato?…” – Jacques Prevert.

Harqe guri, porta te mëdha guri, dritare të shqyera ku era fryn trishtueshëm. Magje e braktisur, çati e rënë dhe një copëz qiell i vetmuar, i ngrënë, i vrarë. Era fryn nëpër shkurre, mbi gurë të latuar dhe puse të harruar, mbi trarë të përmbysur në këtë shembje të jetës dhe të botës në Çamëri. Një fotografi e zbehur dhe e përbaltur, një foto dasme, mbetur në rrënojë, rrëzë murit… lugë e ndryshkur dhe e vetmuar e papritur, në heshtjen e madhe, një këngë e vjetër dëgjohet. Këngë e shpirtit, këngë e popullit të handakosur e të vrarë. Por kënga dhe në rrënoja e varre ka jetuar në dekada dhe vazhdon të jetojë. Shpirti i popullit nuk mund të heshtë. Eshtë kënga që i këndon masakrës, është vaji i një jete të humbur që nuk do ta harrojë tragjedinë.

Drita bie. Është muzg dhe dielli tutje perëndon. Ndërtesat e gurta i shohim tani si hije : harqe, mure të rrënuar, dritare si zgavra të humbëtirës dhe e vdekjes që ka kaluar… Madje hije njerëzore sikur lëvizin tani në këtë botë hijesh… Një dorë shfaqet në portën e madhe prej guri dhe një hije njerëzore shfaqet si të dojë të mbahet pas jetës. Hëna sapo ka dalë dhe hija ngre sytë drejt saj si të kundrojë botën e të gjallëve. Tashmë shohim fytyrën e tij. Sytë i shkëlqejnë edhe pse të zbehtë. Sytë nuk janë shuar. Është rrëfimtari, i vdekuri i gjallë që lëviz mes gërmadhash dhe me shpirtin e dhimbur sheh katakombet e një jete të dikurshme. E kështu nis të rrëfejë, të tregojë… Tragjedia e dikurshme ka ngjyrën e argjendë të asaj hëne që duket se vuan dhe ajo. Ngrehina hije. Hije pemësh në forma njerëzore. Trungje të gjymtuar, krahëprerë dhe të tharë. Tashmë këngës popullore, e ngjashme me vajin e humbësit të madh, ia lë vendin një muzike që kërkon të shoqërojë rrëfimtarin në tregimin e tij. Ai ecën, ndalon, mbështetet diku dhe flet. Është zëri i shpirtit. Zëri që na flet përtej varrit…

Filed Under: Reportazh

Të vërtetat letrare

December 12, 2024 by s p

Lazer Stani/

Të vërtetat letrare janë ndryshe nga të vërtetat historike, shkencore, filozofike. Sabato thotë se aty ku shkenca dhe filozofia ngrenë duart, aty fillon letërsia. Të vërtetat letrare janë metafizike, të painterpretueshme me metodologjinë e njohjes shkencore. Por letërsia ekziston, është e pranishme dhe mbijeton se vetë njeriu është qenie metafizike, është i njohshëm, i prekshëm, i perceptueshëm, por ndërkaq është shumë më tepër i paarritshëm, i paperceptueshëm, mistik në vetvete. Kur për lexuesin një krijim letrar duket më i vërtetë se vetë e vërteta, është shenjë se kemi të bëjmë me letërsi, që i kapërcen kufijtë e të zakonshmes. Asnjë ngjarje në vetvete nuk është krijim letrar, por elemente të ndryshme të ngjarjeve jetësore mund të bëhen shkas, mund të stimulojnë një krijim letrar. Kur dominohesh nga e vërteta konkrete apo fakti historik dështon të bësh letërsi, ndaj gjithmonë i kam parë më dyshim të ashtuquajturit romane historike. Kur dua të lexoj histori lexoj histori, jo fantazi historike. Tregime të tillë si “Daiza Zaharia”, “Me sy të fiksuar pas një ylli”, apo “Idioti udhëton për Amerikë” kanë një shkas të vërtetë: Anton Arapi është ekzekutuar dhe një grua nuk braktisi të shoqin në fatkeqësi, po mbajti hapur derën e shtëpisë, dy poetë janë pushkatuar dhe miku im është arratisur në 1990 me “Idiotin” e Dostojevskit në çantën e shpinës. Por gjithçka tjetër është fiksion dhe kjo i bën ato krijime të mirëfillta letrare.

Nga një intrervistë e botuar në gazetën “Panorama”

Filed Under: LETERSI

“Fund i merituar i tiranisë Al-Assad”

December 12, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sytë dhe vëmendja e kancelarive, institucioneve, instituteve, medias si dhe ekspertëve të sigurisë strategjike janë drejtuar në Damasku, ku në fundajavën që lamë forcat rebele të njohura si Hayat Tahrir al-Sham, festuan rrëzimin e regjimit ose dinastisë së familjes Al-Assad, që 50 vjet ka sunduar me barbari Sirinë.

Në statusin e ekpertit për çështjet e Sigurisë Kombetare, Rajonit dhe NATO-s, në vijim po paraqes një përmbledhje strategjike, mbi të kaluarën, realitetin dhe sfidat e së ardhmërisë së Sirisë, vendit që mban peshë kritike në Lindjes së Mesme si dhe rrafshin global:

Kush është Bashar Al-Assadi, një nga liderët më të diskutuar dhe më të kontestuar të Lindjes së Mesme, i cili është këto ditë në Top-lajmet e TV dhe mediave ndërkombëtare? Çfarë ka qenë ai dhe dinastia e familjes së tij në gati 50 vitet e fundit? Çfarë roli ka luajtur Siria në Lindjen e Mesme? Cilat kanë qenë marrëdhëniet e regjimit të Assadit me SHBA, Kinën dhe Rusinë si dhe me vendet e rajonit? Po marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore, politike dhe fetare në vend? Çfarë përfaqësojnë grupet rebele dhe kush janë interesat dhe ideologjitë e tyre? Cila është e ardhmja e Sirisë në këtë udhëkryq të historisë së saj?

Kush është Bashar Al-Assad? Lindur në vitin 1965 në Damask, kryeqytetin e Sirisë, sot 59 vjeç, pas vdekjes së babait të tij, Hafez al-Assad, në vitin 2000, Bashar Al-Assadi mori drejtimin e Sirisë, duke u bërë president. Para se të futet në politikë, ai kishte një karrierë mjekësore dhe ishte i panjohur për shumicën e botës si një lider politik. Shumë shpresonin që Assadi do të sillte një frymë reformiste, por ai shpejt dëshmoi se do të ndiqte një politikë të ngjashme me atë të babait të tij, duke forcuar kontrollin e (gjithë) pushtetit si dhe duke trajtuar si fasade ose duke shtypur opozitën. Ai ka qenë në pushtet për më shumë se dy dekada dhe ka kaluar përmes krizash të mëdha, përfshirë luftën civile që ka shkatërruar vendin me pasoja të rënda për të gjithë rajonin. Ndërkohë që shumë analistë, sidomos perëndimorë, e shohin atë si një tiran që ka shtypur popullin sirian me një regjim të dhunshëm, disa të tjerë e kanë konsideruar si një lider që ka mbajtur stabilitetin në një rajon të përfshirë nga luftërat dhe tensionet???

Pushteti i Dinastisë Al-Assad. Pushteti i Bashar al-Assad është pjesë e një dinastie që ka kontrolluar dhe drejtuar Sirinë për mbi 50 vjet. Hafez al-Assad, babai i tij, e vendosi regjimin e tij në vitin 1970 pas një grushti shteti dhe sundoi për 30 vjet. Hafez al-Assad krijoi një shtet autoritar, të centralizuar, dhe përdori ushtrinë dhe shërbimet sekrete për të shtypur çdo kundërshtar. Pas vdekjes së Hafez al-Assad, Bashar al-Assad mori pushtetin dhe e ruajti këtë model autoritar, duke përdorur dhunën dhe represionin për të mbajtur pushtetin dhe kontrollin mbi vendin. Ky regjim ka mbajtur kontrollin e Sirisë për më shumë se gjysmë shekulli, duke e shndërruar familjen al-Assad në një nga dinastitë më jetëgjata të Lindjes së Mesme.

Cfarë solli regjimi i Asadit për Sirinë? Për popullin sirian, regjimi i Assadit ka qenë një burim i konflikteve dhe tensioneve të ndryshme. Nga njëra anë, ai ka sjellë një periudhë të qëndrueshmërisë, sidomos pas periudhës së trazirave dhe grushtit të shtetit të Hafez al-Assad. Siria ishte një vend relativisht i sigurt dhe me zhvillim të moderuar krahasuar me disa vende të tjera të rajonit. Megjithatë, kjo periudhë e stabilitetit ka ardhur në kurriz të lirisë politike dhe të drejtave të njeriut. Regjimi i Bashar al-Assad ka përdorur dhunën masive për të shtypur çdo formë kundërshtimi, sidomos kundër protestuesve gjatë “Pranverës Arabe” të vitin 2011 dhe shkaktuar një luftë civile që ka marrë jetë të pafajshme.

Një tjetër problem është se ndërsa disa grupe, veçanërisht pakicat fetare si Alavitët (nga të cilët vjen edhe vetë Bashar al-Assad), kanë përfituar nga mbështetje e regjimit, shumica e popullsisë siriane, veçanërisht ata që ishin të lidhur me opozitën, janë shtypur dhe shtrënguar të jetojnë në kushte të mjerueshme. Lufta civile ka shkaktuar miliona të vdekur, të plagosur dhe të pastrehë, duke përfshirë shkatërrimin e qytetit të Aleppos dhe Damaskut.

Akuza për përdorimin e Armëve Kimike. Ka fakte dhe akuza serioze nga organizata ndërkombëtare dhe qeveri të ndryshme për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Bashar al-Assad kundër popullsisë civile Siriane. Ja disa prej rasteve më të njohura të përdorimit të Lëndëve Kimike nga Assadi: Sulmi në Goutha në 2013 ku besohet se forcat e Assadit përdorën Sarin, një gaz nervor i fuqishëm që shkaktoi vdekjen e mbi 1400 qytetarëve, shumica e të cilëve ishin civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Po ashtu, një sulm tjetër me këtë gaz nervor ishte sulmi në Khan Shaykhun, më 4 prill 2017. Ky sulm shkaktoi vdekjen e më shumë se 80 personave, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë. Më 7 prill 2018, u krye sulmi në Douma, gjithashtu në provincën e Idlib, ku shumë civilë raportohet se u vranë nga përdorimi i klorit, një substancë kimike e ndaluar që përdoret për të shkaktuar dëm të madh në frymëmarrje dhe shëndet. Regjimi i Bashar al-Assad e mohoi përdorimin e armëve kimike dhe akuzoi opozitën për ngjarjet tragjike.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) ka mbledhur prova dhe ka zhvilluar hetime që kanë konfirmuar përdorimin e substancave të rrezikshme, si Sarin, VX dhe Klorin, nga forcat e regjimit sirian. Po ashtu, Këshilli i Sigurimit të OKB ka kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për këto krime, por kanë hasur vështirësi për shkak të bllokimeve nga aleatët e regjimit të Assadit, si Rusia dhe Kina.

Marrëdhëniet e Brendshme dhe Shtetet e Rajonit. Bashar al-Assad ka ruajtur marrëdhënie të forta me grupe të ndryshme të brendshme që i kanë ofruar mbështetje për mbajtjen e pushtetit, si ushtria, shërbimet sekrete dhe elita politike dhe fetare. Pjesa më e madhe e mbështetjes vjen nga grupet Alavite dhe grupe të tjera të pakicave fetare që shohin tek regjimi një garanci për mbrojtjen e interesave të tyre. Në rajon, marrëdhëniet e Bashar al-Assad janë shumë të ndërlikuara. Ai ka pasur aleatë të fortë, si Irani dhe Rusia. Irani ka mbështetur regjimin e Assadit me armë, para dhe trupa ushtarake, për të siguruar stabilitetin e regjimit në Siri dhe për të ruajtur ndikimin e tij në rajon. Po ashtu, Rusia ka luajtur një rol kyç në luftën civile, duke ofruar mbështetje ushtarake dhe diplomatike për të parandaluar rënien e regjimit të Assadit.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet e Assadit me shtetet e tjera të rajonit kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur kundërshtarë të fuqishëm si Arabia Saudite, Turqia dhe disa shtete të tjera të Gjirit, të cilat mbështesin opozitën dhe janë kundër regjimit të tij. Siria ka luajtur një aktor kyç në destabilizimin e rajonit përmes mbështetjes së grupeve militante si Hezbollah dhe Hamas, duke krijuar një atmosferë të tensionuar me shtetet si Izraeli dhe SHBA.

Ndersa marrëdhëniet e Bashar al-Assad me Izraelin kanë qenë gjithmonë të tensionuara, për shkak të konflikteve të vazhdueshme dhe politikave të mbështetjes së tij për grupet që luftojnë kundër Izraelit. Kjo ka bërë që Siria të ruajë një marrëdhënie shumë të ndërlikuar me fuqitë perëndimore dhe shtetet e tjera të rajonit që kanë njohur Izraelin.

Cilët janë Grupet Rebele dhe Axhenda e tyre? Forcat që drejtuan rebelimin dhe rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad janë të përbëra nga një gamë e gjerë grupesh, përfshirë grupet e opozitës civile, grupet islamike dhe grupet kurde. Këto grupe janë të shumëllojshme dhe përfshijnë një spektër të gjerë, që variojnë nga grupe islamike të moderuara, deri tek ato radikale, si dhe grupe laike. Këto grupe janë mbështetur kryesisht nga shtete si Turqia, Arabia Saudite, SHBA dhe disa shtete perëndimore që kanë dëshiruar të shohin rënien e regjimit të Assadit. Megjithatë, këto grupe janë të ndara dhe me axhenda të ndryshme, si dhe kanë pasur përplasje të brendshme, duke e bërë rebelimin gjithmonë e më të vështirë për tu menaxhuar.

Në përgjithësi, rebelët mund të ndahen në disa kategori kryesore: Grupe me Orientim Islamik, të tilla, si Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që janë më radikalë dhe kanë lidhje me ideologjinë e al-Kaidës ose grupe të tjera islamike, që synojnë një shtet islamik që i përshtatet interpretimit të tyre të Sheriatit; Grupe të Moderuara: si Ushtria e Lirë Siriane (FSA), që kanë kërkuar një qeverisje më të hapur dhe më demokratike, megjithatë këto grupe kanë qenë shpesh të fragmentuara dhe jo të konsoliduar; Grupe të Kurdëve: si YPG (Yekîneyên Parastina Gel), që ka zhvilluar një forcë të madhe ushtarake me ndikim të madh në lindje të Sirisë. Ata janë të angazhuar për një autonominë e Kurdëve në Siri, gjë që bie në kontrast me qëndrimet e Assadistëve dhe disa grupeve arabe.

Sa i përket zgjedhjeve demokratike në Siri, qëndrimet e rebelëve janë të ndryshme, dhe kjo është një prej arsyeve përse janë të vështira të arrijnë një marrëveshje të gjerë politike. Shumë grupe, sidomos ato më të moderuara, janë pro zhvillimit të një sistemi politik demokratik, bazuar në zgjedhje të lira dhe të drejta. Ata kërkojnë një kalim drejt paqes dhe stabilitetit, ku qytetarët sirianë do të kenë mundësinë të vendosin për të ardhmen e vendit.

Megjithatë, zhvillimet demokratike në Siri janë një mision i mundshëm, por shumë i vështirë, për disa arsye:

Së pari, sepse grupet janë shumë të fragmentuara në interesa dhe ideologji. Disa grupe kanë interesa dhe ideologji shumë të ndryshme, dhe kjo ka bërë të vështirë krijimin e një fronti të bashkuar.

Së dyti, është prania e grupeve Radikale si HTS dhe ato të tjera që lidhin luftën me ideologjitë islamike radikale, të cilat mund të pengojnë një kalim në një sistem demokratik, pasi ata kanë qëndrime të kundërta ndaj vlerave demokratike, si liria e besimit dhe pluralizmi politik.

Së treti, është mungesa e një mbështetjeje ndërkombëtare të qëndrueshme. Pavarësisht mbështetjes që disa grupe të moderuara kanë marrë nga perëndimi dhe shtetet e tjera të botës arabe, mungon një mbështetje e qëndrueshme dhe një plan i qartë për rindërtimin e një shteti demokratik në Siri. Kush do të bëhet organizatë apo vend ndërmjetës për të marrë përsipër ngritjen e shtetit të ri Sirian?

Së katërti, është bashkëpunimi i mëtejshëm me Assadin dhe me Rusinë, ku disa grupe janë akoma të gatshme të negociojnë me të, çka e bën zhvillimin e një shoqërie demokratike më të vështirë. Grupet që kanë mbështetur deri tani regjimin janë ato që kërkojnë kontrollit mbi Sirinë, si Alavitët, grupe të tjera fetare dhe ata që e shohin Assadin dhe Rusinë si një garant të interesave të tyre në rajon.

Konkluzion. Pyetja që bëjnë pothuaj të gjithë agjencitë e mëdha të lajmeve është ʺWhat is nextʺ?

Sipas mediave Ruse, Assadi, ka marrë strehim politik në Kremlin. Gjithesesi, rrezimi ketij rregimi konfirmon jo vetëm lidhjet e ngushta mes diktarorëve dhe autokrateve, por edhe një shuplake e rëndë për të gjitha tiranitë, përfshi Rusinë – Putiniste, Kim-Jong-ët, Shtetet dhe organizatat teroriste.

Ndersa SHBA ka mbajtur një qëndrim asnjanës të konfliktit të brendshëm në Siri duke u shprehur se ʺGrupet që rrëzuan regjimin në Siri kanë një histori të dyshimtë. Ata duhet të vlerësohen jo më nga fjalët, por nga veprat e tyre. SHBA do të bashkëpunojë me një qeveri demokratike, dalë nga zgjedhjet e lira, dhe që kërkon dialog dhe mirëkuptimʺ. Ndërsa Presidenti i zgjedhur Trump në një postim të fundit ka shprehur qëndrimin e tij të fortë: ʺKjo nuk është lufta jonë. Tani për tani, ne do të presim si do të sillenʺ!

Gjithësesi, grupi opozitar islamik sirian (HTS) dhe zyrtarë nga qeveria e përmbysur Asad-iste caktuan udhëheqësin politik të xhihadistëve, inxhinierin Mohammed al-Bashir, i cili gjithashtu ka luajtur nje rol kyç në administratën e mbikëqyrur nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), për të formuar një qeveri kalimtare.

Nga ana tjetër, konflikti është shumë i ndërlikuar dhe impakte të mëdha për sigurinë dhe politikën ndërkombëtare, për një të ardhme më të sigurt dhe më demokratike për Sirinë dhe rajonin.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Ekonomi

ALI PASHË TEPELENA DHE LUFTA E TIJ ME PËRMASA GENOCIDI KUNDËR SULJOTËVE MË 1803

December 12, 2024 by s p

Nga Ndue BACAJ/

“Një popull që nuk njef t’ ndodhunat e dheut vet, as nuk njeh rranxen e fisnisë t’veteve asht porsi një femi që nuk njeh prindërit e vet”*.

Për Ali Pashë Tepelenën është shkruar nga shumica e autoreve shqiptar me superlative, duke e quajtur luani i Janines e deri figura më e madhe e kombit shqiptar pas Skenderbeut etjerë. Gazetat, revistat, librat dhe studimet më të “zjarrta” për të glorifikuar Ali Pashen i perkasin periulles komuniste, po dhe këtyre viteve post-komuniste. Për Ali Pashen ka shkrime edhe nga studiues, gazetar dhe udhetar të huaj , si dhe nga revista e gazeta (shumica) të shekullit XIX. I dominojnë shkrimet e atyre koheve ato franceze , turke, ruse, angleze etj. Nga ato angleze kujtohen kryesisht ato çfar shkruan poeti anglez Xhorxh Gordon Bajron… përkunder këtyre siç paralajmrova në titullin e këtij shkrimi unë nuk do të shkruaj për veprat e “mira” të Ali Pash Tepelenes, pasi për këto është shkruar e vijon të shkruhet…Por me këtë shkrim dua te perkujtoj sado pak një veper më të zezë se katrami, luften e Ali Pash Tepelenes me permasa Genocidi, kunder Suljoteve kristian në trojet e veta shqiptare… Ku “kulmi” i kësaj lufte është masakra e dates 12 dhjetor të vitit 1803 , masaker që edhe pse ka kaluar mbi dy shekuj plaget Suljote ende kullojnë gjak me erë genocidi… Shkrimet historike per ketë tragjedi nuk janë të shumta, ku edhe ato me afër kanë harresen se kujtesen. Nga këto shkrime historike per të perkujtuar ketë tragjedi të vëllezerve tanë Suljot, mendova të zgjedhë atë të shkruar nga Dom Ndoc Nikaj në vepren e tij “Historia e Shqipnisë”…Ky shkrimtar e historian mbante lidhje të ngushta me Konicen , vëllezerit Frasheri etj. Vlen të shënohet se per vepren e tij (Histori e Shqipnisë) Dom Ndoc Nikaj bashkepunoi ngushtë me Faik Konicen , që në atë kohë botonte në Bruksel revisten “Albania”.

SULJOTËT DHE ALI PASH TEPELENA

Suljotet që në kohë te vjetra kishin qendruar ndër male të veta të lirë e të pa-shtruam e nuk dojshin mbi vehte dorë të huajen. Rridhnin prej disa fiseve të Kshtena të Epirit , të cilet që me 1660 per me jetua të lirë kah sundimi e besimi kishin kapur malet e germueta të Sulit , ku kishin gjallnua (jetua) pa trazime . Deri ne vitin 1788 ishin shtua e ba 18 lagje me 550 tyme (shtepia), e aty vetsundoheshin me parinë e vet , porsi një Republikë e vogel , ku nuk flitej gjuhe tjeter veçse gjuha shqipe. Ali Pasha kerkoi me i perulë e nenshtrua ,por Suljotet banë qendresë . Ali Pasha me 1788 dergoi një ushtri prej 10.000 vetesh per të nenshtrua Suljotet , por kjo ushtri u thye keqas nga këta malcor të rrebtë. Në vitin 1792 Ali Pasha çoi një tjeter ushtri prej 22.000 vetesh , por edhe ajo kje ndeshë e thye keq prej Suljoteve trima. Në ketë luftë ma të madhe ndere e pati Zhavella (Xavella) me të shoqen , Mosken, e me të bijen , Kaidon, të cilat duke u pri çikave e grave të katundit nuk i lanë gja mangut qendreses kreshnike të burrave që luftoshin per liri t’vet. Të thyemit e ushtrisë së Ali Pashes ishte kaq i fortë sa vetë Ali Pasha s’largut vrente pershkimet e luftes , dhe me shumë veshtirsi mujti me shpetue e mos me mbetë n’dore të tyne. Qendresa kreshnike e Suljoteve na çfaqë zemren e Shqiptarit të vertet që lufton per lirinë e vet , por mjerisht lufta ishte shqiptar me shqiptar.

Mbas pak kohet që Ali Pasha u kthye në Janinë e shoqja e tij Eminia , grua zemergjan dhe e dhimbeshme, guxoi një ditë me i ba lutje që të mos i sulmojnë ma Suljotet , por ti lanë në lirinë e vet. Por lutja u ba e dameshme per të , sepse sa degjoi ato fjalë Ali Pasha, i ndezun në zemrim nxuer koburen dhe ja vuni gryken të shoqes në zemer, por tuj i dhanë gisht ju dhimbtë dhe çoi doren perpjet dhe koburja u shpraz mbi koken e saj. Emines nga tmerri i ra të fiktë dhe u rrezua pertokë, dhe që nga ajo ditë nuk bani ditë të mirë ma deri sa mbas pak kohesh vdiq… Mbas disa koheve Zhavella, me gjithë të birin ishte shti në dorë e u cua para Ali Pashet, i cili duke pasë në atë kohë mendime me shtypë disa Begaj që i rrijshin perball , kerkoj me e thye me butesi tuj e ba vegel me shtrua malacaket e tjerë derisa të kryente punet e veta. E keshtu e nisi per në Sul me porosi me i perkulë miqesisht me i ra në dorë , atij i ndali të birin per peng. Zhavella burr me burrni kreshnike , kur duel në male të veta mblodhi Suljotet dhe i ndezi ma teper n’qendresë , dhe mbrapa i çoi Ali Pashes një leter me të cilen i thotë : “ I lirë ndër male të mia nuk t’a kam besen , por jam gadi me i dalë zot lirisë së plotë t’dheut tem. Djalin tem e ke n’dorë e munde me e mbytë , e une si babë nuk mund të baj tjeter veç me shperblye shumë-fish gjakun e tij.

Ndoshta mund të thonë kush se po diftohem babë i pa zemer per fminë tem , por rrehet. Unë e di se butsia jote nuk asht tjeter veç me na shti në dorë e mbrapa shpata mizore e jotja kishte me pre krenat jo veç të birit tem , por të Sulit mbarë…..Ali Pasha u ndez n’idhnim , por nuk u ngut me ndjekë per ateherë Sulin para se me perulë e me shtypë fqinjen , t’gjithë Begajt e Epirit që i kishte ferrë ndër sy… Sa Ali Pasha ishte tuj zgjanua rrethin e sundimit vet mbi Begaj të Epirit , Ishujt Jonie e qytetet e limanet e Prevezes , t’Parges , t’Butrintit , t’Artes e t’Salahores , që deri ateherë kishin kenë nën sundimin e Venedikut , ranë në dorë të Frances të marruna prej general Gjentilit me ushtritë franceze . Ali Pasha ateherë kerkoi miqesinë e Frances e i mbeshtetun në atë anë shtrojë nën vedi krahinen e Qimares (Himares), edhe u munduan me ba lidhni (lidhje) me Francen per me marrë ishujt Jonie. Një motmot mrapa ,mbasi u ndez lufta ndermjet Frances dhe Turkisë që kje e mbeshtetun prej Hinglizit (Anglezit) , kur Napoleon Bonoparti n’1788 u shtye kahë Misiri , ky ju perkrah Hinglizeve e mori Arten dhe Butrintin , theu francezet afer rrenojave të vjetra të Nikopolit e muer edhe Prevezen që e bani rrfash me tokë. Ali Pasha mbas ketyre fitimeve muar gairet të ri dhe u pergaditë me marrë edhe ishujt Jonie… Por nuk kishte mujtë me ja arritë sepse në mars t’1799 në ato ishuj dolen ushtritë Turke e Ruse , e një motmot mbrapa me 21 mars 1800 ndër marrveshje të lidhuna n’Stambollë ishujt ishin njohur si Republikë në vehte… Por sa humbi uzdajen e ishujve, Ali Pasha në atë vjet 1799 suell mendimin e vet rishtaz per mbi Suljotaj e nisi mbi ata 12.000 ushtarë , por edhe keso here kje thye prej trimniet , sidomos të kapidanave Moskos , Foto Zhavelles e Krist Boçarit e prisave t’tyne. Tue pa Ali Pasha se me fuqitë e armeve nuk i ecte mbarë fitimi i atij vendit iu suall rishtas dredhive per me mujtë me i shti n’rreth me të butë. Per tri vjet rresht ,që me 1800 e deri me 1803 u mundua me shti në mes tyre smira e ngaterresa tui derdhë per dorë të disa ngaterrestareve të pabesë , dhunti e t’holla , e keshtu mbrrini me largue andej Foto Zhavellen që ishte qendra e gairetit (gatishemerisë) të tjerve , e ashtu edhe disa luftetarë ma të nxehtit e ma të idhtit e atij vendi . Kur e pa se shumica e qendrestarve ma t’fortë ishin largue prej andej nisi mbi Suljotet një ushtri 30.000 vetesh . Qendresa ishte e rrebtë , gjaku u derdhë rrkajë, t’ndeshunat kreshnike, por pas tri vjeteve që zgjati ndër ta lufta e rrenimi , t’lodhun per anë nuk mujten ma pertej , e me 12 t’dhetorit 1803 ranë n’dorë. Murgar Samueli, prisi i Suljoteve ndër qendresat më të medha kur e pa të bierrun krejt uzdajen (besimin) e shpetimit nuk desht me ra per s’gjallit në dorë të ushtareve të Ali Pashes, dhe (porsi Oso Kuka 59 vite më vonë perballë malazezve) , porsa u afruan me shumicë tubat e armiqeve per rreth ,me dorë t’vet u dha zjarm baroteve , e kockat e tij njiheri me sa qindra të tjerë prej anmiqeve u shperndanë per anë , nepermjet t’ushtimes e tmerrit që bani me u dridhë gjithë Sulin. Krist Boçari vetë i dhjeti kje shti n’dorë të anmikut dhe u kje dhanë vdekja me mundime të mëdha.

Në ketë qendresë të mbrame e kreshnike t’Suljoteve , sikur gjithë heret luftuan gratë e vajzat perkrah me burra e me vllazen t’vet , e kur u thye qendresa edhe keto nuk u dhanë per s’gjallit. Një faqe historiet t’lumnueshme qendreset t’vendit e lanë mbas vedit , në menyrë të posaçme , gratë trimnesha t’katundit Zalongut , t’cilat nuk panë fitimin e anmiqve e afrimin e tyne kah katundi , por të gjitha me foshnje t’gjinit ngrykë e me femi të vegjël per doret , iu ngjiten shkrepave të naltë të malit e dora dores tuj kendue vallet e trimnive të burrave t’Sulit u leshuan pingul teposhte nepermjet lugajave shkembore , ku gjeten një dekë (vdekje) t’ndershme e kreshnike. Kush ra n’dore të Ali Pashes gjeti vdekje të mnershme (tmerreshme) , e dhanie (pasunia) e katundet e Sulit kjenë ba plaçkë , djegë e rrenua shqimit. Disa tuba Suljotesh iken nga fushat e Parges , por të ndjekun edhe atje ku dolen ndër ishujt Jonie. Ali Pasha keso kohet pati arrite në ma të madhen shkallë t’madhnise vet. Sulltani e kishte pas emnue Pashë per mbi Rumelinë…..”. (DOM NDOC NIKAJ: ”HISTORIJA E SHQYPNIES” Ç’ME KOHË TË VJETRA E DERI M’SOT , fq.136-140 , Shkoder ,shtypshkronja “Nikaj” 1917). Mjerisht Ali Pasha gjatë sundimit të tij nuk mbahet mend vetem per luftën me permasat e genocidit kundër Suljoteve , por mbahet mend edhe per masakra e krime të tjera , deri dhe në tjetersimin me dhunë të shqiptareve kristian në trojet e veta , në besimin e pushtuesit turko-osman , gjë që i regjistronte dhe konsideronte këta shqiptar jo thjeshtë si besimtar musliman , por si turq. Më vonë shovenet grekë duke u bazuar në ketë tjetersim bënë marrveshje me Turqin per t’i derguar keta musliman shqiptar ne Turqi , dhe në trojet e këtyre shqiptareve suallen ortodoks grekë , që kishin jetuar deri ateherë në trojet e tyre të tjetersuara gjatë shekujve si troje Turke etj… Ali Pash Tepelena edhe pse tjetersonte e luftonte shqiptaret Kristian në trojet e veta , ai greket që i sherbyen në ushtrinë e tij dhe qellimeve të tija i shperbleu me troje safi shqiptare , në të cilat banon që prej asaj kohe minoriteti grek (edhe në Shqiperinë politike). Fatkeqesisht edhe sot Greqia duke u bazuar në ketë “peshqesh” të Ali Pashë Tepelenës pretendon për autoktonin greke të banorëve në keto troje të stËlashta Iliro-Shqiptare …

NGA CURRICULUMI I ALI PASH TEPELENËS…

Ali Pashës kishte lindur (rreth vitit 1740) në një nga familjet më të lidhura pas “qerres” të perandorise turko-osmane . Gjyshi i Ali Pashes , Muhtar Pasha ishte luftëtar i famshëm i ushtrisë osmane kunder të krishtereve. Gjeti vdekjen në rrethimin e Korfuzit me 1716 duke komanduar forcat osmane . Gjyshi i Aliut Muhtar Pasha kishte 3 fëmijë me emrat : Salek , Mehmet dhe Veli. Veli Bej pasi morri fuqinë në Tepelenë u martua me Hankon (nëna e Ali Pashës), sepse i ati i saj ishte Kurt Pasha, veziri i Beratit, që kishte fuqi të madhe. Veli Bej, rriti fuqinë e tij, duke marrë sanxhakun e Delvinës. Armiqësia me fuqitë e tjera krahinore dhe sulltanin, përfundoi në humbjen e fuqisë dhe pasurisë së tij. Vdiq në moshën 45 vjeçare më 1758 , duke patur 2 fëmijë me Hankon , Aliun dhe Shanikon , (dhe 3 fëmijë nga marrëdhënie të tjera). Ne keto kushte Aliu edhe i “gjymtuar” fizikisht (pasi ishte topall) rritet dhe u edukua si mos me keq. Hankoja nje grua e perbuzur dhe e mbushur plot urrejtje arriti qe shumicen e kesaj urrejtje t’ia bejë “edukatë” djalit saj Aliut. Aliu mbeti edhe analfabet , por u bë një nga , grabitesit , hajdutet dhe kriminelet më të njohur të atyre aneve . Zona ku “operonte” Aliu ishte një zonë problematike per rendin e sigurinë. Perandoria Osmane pas shumë “peripecive” arrine ta bëjë per vehten Aliun , i cili pasi tradhton e dekonspiron shoket e tij të grabitjeve dhe krimeve merr fuqin ushtarake nga turqit , fuqi me të cilen ai asgjesojë pa meshirë shoket e vet dhe të tjerë. Pas ngritjes së Aliut në keto detyra nuk kishte më grabitje e vrasje kaçakash , por ato i kryente shtetari turko-osman Ali Veli Tepelena.. Perandoria Osmane per të mos lënë rehat pashallaret e tij me origjinë shqiptare , ata i fuste në ngaterresa dhe në e luftë në mes njeri tjetrit ,duke u thenë kush të fitojnë në keto luftra zgjeron pashallekun e vet. Keshtu ndodhi edhe me Ali Pash Tepelenen pasi perandoria turko-osmane e kishte graduar Pasha dhe me 1788 me një ferman të sulltan Selimit gradohet vezir i Janines… Mirpo kur ky Vezir e pa vehten të fuqishem me pashallekun e tij të zgjeruar , të organizuar dhe të fuqishem ushtarakisht , filloi të mendojë per një pashallek të pavarur nga Turqia , ku per ta bërë ketë realitet “lidhi” mardhenie edhe me fuqi të kohes si Franca , Anglia , Rusia etj… Kjo autonomi me 24 janar të vitit 1822 i preu kryet. Nga kjo ditë edhe sot thuhet se kur kryet e preme të Ali Pashes ja çuan Hrushit Pashes , ai pasi e pa u çua në kembë , u perulë me nderim, ju afrua dhe e puthi atë mjeker të bardhë që i jepte hije madhniet , dhe e nisi në Stmabollë si shenjë fitoreje…(Referencë per curriculumin , Ali Pash Tepelena ,Wikipedia shqip në Google).

Duke perfunduar ketë histori genocidi me “nota” perkujtimore deshiroj dhe uroi që të mos u prishi qjefin adhuruesve të Ali Pash Tepelenes , qofshin ata akademikë, professor, doctor, studiues , publicist , gazetar, adhurues të thjeshtë , apo shtetar e politikan etjerë…

*.”Citat” i marrun nga faqja e parë e parathenies së librit “Histori e Shqypnisë “ e D. Ndoc Nikaj , shtypur nga enti botues “Gjergj Fishta” Shkoder 2015.

Filed Under: Histori

KONGRESI I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS: JO INFLUENCËS KOMUNISTE NË SHKOLLAT AMERIKANE!

December 12, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Rrallë ndodhë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të jetë aq i bashkuar në miratimin e një propjekt-ligji cilido qoftë, sa ç’ishte me 6 dhjetor 2024 kur Dhoma e Përfaqsuesve miratoi me vota dërmuese prej 327 në favor të Aktit Vendimtar të Mësimdhënies mbi Komunizmin dhe 62 kundër. Text – H.R.5349 – 118th Congress (2023-2024): Crucial Communism Teaching Act | Congress.gov | Library of Congress  Ky akt — autore e të cilit ishte përfaquesja republikane Maria Salazar e shtetit Florida — është miratuar nga përfaqësuesit republikanë dhe demokratë të Kongresit në një frymë bashkpunimi, me vota dërmuese,  me qëllim për të edukuar studentët e shkollave të mesme mbi rreziqet që vijnë nga komunizmi dhe totalitarizmi dhe se si këto sisteme janë në kundërshtim të plotë me parimet bazë të lirisë dhe demokracisë në Shtetet e Bashkuara, thuhet një njoftim të Kongresit, me këtë rast, për median. Sipas këtij Akti, materialet e mësimdhënies, mbi të vërtetat dhe rreziqet e komunizmit, do të shpërndahen nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington – me përqëndrimin në të kaluarën kriminale komuniste dhe në trashëgiminë e vazhdueshme të komunizmit edhe sot e kësaj dite.  

Miratimi i këtij akti u cilësua si një “fitore monumentale për brezat e ardhëshëm të studentëve amerikanë”, nga Presidenti i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Dr. Eric Patterson. “Muri i Berlinit mund të jetë shembur në vitin 1989, por ideologjia djallëzore që fshihej pas tij nuk është zhdukur ende. Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, i miratuar ditët e fundit nga Kongresi amerikan, “është një akt legjislativ i cili garanton që studentët tanë të mësoinë të vërtetën – të kaluarën dhe aktualën – mbi këtë ideologji vdekjeprurëse… pasi studentët amerikanë janë gjithnjë e më shumë të keq-informuar ose aspak të informuar mirë mbi historinë dhe trashëgiminë e komunizmit”, citohet të ketë thenë Drejtori i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Dr Eric Patterson.

Komunizmi botëror ka një histori të gjatë dhe të errët shtypjesh politike, persekutimesh, dhune, vrasjesh dhe në përgjithsi, një histori krimesh kundër njerëzimit, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme. Një trashëgimi kjo, për të cilën, për fat të keq, po flitet gjithnjë e më pak, ndërkohë që aktorë të huaj djallëzorë po përpiqen ta infiltrojnë këtë ideologji kriminale edhe në institucionet arsimore amerikane. 

Kështuqë, sipas autores së këtij akti legjislativ, Përfaqësueses republikane nga shteti Florida, kubano-amerikanes, Maria Elvira Salazar, “Me miratimin e  Aktit Vendimtar të Mësimdhënies mbi Komunizmin, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara siguron se brezat e ardhëshëm do të kujtojnë vuajtjet dhe krimet e shkaktuara nga ideolgjia brutale komuniste. Komuniteti im në Miami i njeh shumë mirë krimet e komunizmit, prandaj ne duhet të sigurohemi që të gjithë amerikanët të kenë të dhënat dhe të njihen me mizoritë dhe vdekjet e shkaktuara nga komunizmi”, është shprehur ajo pas aprovimit të Aktit nga Dhoma e plotë e Përfaqsuesve e Kongresit amerikan, me mbështetjen dërmuese nga të dy partitë kryesore të vendit, demokratët dhe republikanët. 

Zonja Maria Elvira Salazar, Përfaqsuesja republikane nga shteti Florida me disa kolegë të saj, ka punuar për një kohë të gjatë tani për të bindur opinionin publik amerikan dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbi krimet e komunizmit në botë — Frank Shkreli: Kongresi i Shteteve të Bashkuara denoncon tmerret e socializmit | Gazeta Telegraf — në të kaluarën dhe aktualisht si dhe për rreziqet që kjo ideologji kriminale paraqet për brezat e ardhëshëm. “Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin”, u shpreh ajo, “do të sigurojë që brezat e ardhëshëm do të kuptojnë më mirë historinë e tmershme dhe tragjike të komunizmit. Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur që të ruajmë dhe të mbrojmë parimet themelore të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë. Përpjekjet për mbrojtjen e endrrës amerikane për brezat e ardhëshëm, fillojnë që tani”, me miratimin e këtij Akti, ka thenë Maria Elvira Salazar. 

Ndërkaq, Kryetari i Dhomës së Përfasueseve, Mike Johnson përshëndeti miratimin e Aktit duke thenë se ndërkohë që përballemi me sfida gjithnjë e më të mëdha nga kundërshtarët tanë ideologjikë, siç është Partia Komuniste e Kinës, Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin i aprovuar nga Kongresi amerikan është një qëndrim i qart legjislativ kundër prirjeve të tilla të rrezikshme komuniste. “Sot është më e rëndësishme se kurrë që studentët tanë të mësojnë mbi rreziqet e vërteta që vijnë nga komunizmi, por edhe mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirive tona”, është shprehur me këtë rast Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, duke shtuar se ky Akt garanton që sistemi arsimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i ketë rrënjët thellë në të vërtetën e historisë së regjimeve komuniste dhe në ruajtjen e vlerave tona.

Ndërsa përfaqsuesja e shtetit Indiana, me origjinë ukrainase, në fjalën e saja citoi Winston Churchillin i cili ka thenë se, “Ata që nuk mësojnë nga historia janë të destinuar ta përsërisin”, duke shtuar se ne duhet tu kujtojmë brezave të ardhëshëm, miliona viktimat e komunizmit, jetët e shkatërruara nga komunizmi ndërkombëtar, anë e mbanë botës, dhe që të mos harrojnë rëndësinë për të mbrojtur Republikën tonë të lirë dhe të fortë”, ka theksuar kongresistja me origjinë ukrainase. Frank Shkreli; Një frymë e re anti-socialiste /anti-komuniste në Kongresin e ardhshëm të ShBA-ve | Gazeta Telegraf

Miratimi me vota dërmuese (327 në favor-62 kundër) e Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, miratuar këto ditë nga Dhoma e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara në Washington, pason një numër përpjekjesh nga ana e një numri shtetesh amerikane për të pasqyruar krimet e komunizmit ndërkombëtar, ndonëse, historikisht dhe realisht, komunizmi kurrë nuk zuri rrënjë në Shtetet e Bashkuara, si regjim totalitar. Duket se me miratimin e këtij Akti, Kongresi i Shteteve të Bashkuara solidarizohet – 35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — me viktimat e gjenocidit komunist ndërkombëtar, duke kujtuar dhe duke dënuar, zyrtarisht, krimet e komunizmit.  Ashtu që breznitë e ardhëshme të amerikanëve ta njohin më mirë të vërtetën mbi krimet dhe kriminalitetin e regjimeve komuniste kundër miliona njerëzve, anë e mbanë botës, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme.

 Të gjitha këto përpjekje gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara në nivel federal dhe në nivel shtetëror, në mbarë Amerikën, tregojnë se amerikanët — me gjithë se shembja e Murit të Berlinit mund të ketë qenë një simbol i rënjes së komunizmit të shekullit të kaluar – janë tani të vetdijshëm se ndoshta jo, doemosdoshmërisht, rrëximi i Murit të Berlinit të ketë simbolizuar gjithashtu edhe zhdukjen e trashëgimisë së kësaj ideologjie kriminale shkatërruese për shumë popuj anë e mbanë botës, përfshir Kombin Shqiptar.  Është një përpjekje, mendoj unë, nga populli amerikanë dhe përfaqsuesit e tij legjitim në Kongres, që krimet e regjimeve komuniste kundër njerëzimit dhe 100-milion viktimat e komunizmit, anë e mbanë botës, të mos harrohen kurrë por të kujtohen, ashtu siç ka paralajmëruar Winston Churchilli, me qëllim që historia e komunizmit të mos përsëritet më. 

Po Shqipëria, kur do bëjë një gjë të tillë?! Kur do kujtojë viktimat e komunizmit enverist, zyrtarisht, njëherë e mirë dhe kur do të dënojë krimet e komunizmit në atë vend?! Po viktimat e komunizmit në Kosovë, për të cilat nuk flet askush? Kur do të kujtohen ato?! 

Merrni shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumë vende të tjera ish-komuniste dhe jo-komuniste në Evropë, nëqoftse besoni në liri e demokraci dhe në një të ardhme më të mirë për fëmijt tuaj. Përballuni, zyrtarisht me krimet e komunizmit! Zbuloni të vërtetën për veten dhe për brezat e ardhëshëm. Nostalgjia ndaj komunizmit enverist dhe mos-përballja me krimet e komunizmit të ish-regjimit të tij në Shqipëri, ish-regjimit sllavo-komunist në Kosovë dhe në trojet shqiptare të Ballkanit Perëndimor — nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë dhe demokracinë perëndimore as nuk përputhet me vlerat amerikane. 

Nëse dëshironi që historia e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare të mos përsëritet më, atëherë edhe për hir të brezit të ri të shqiptarëve sot dhe nesër, dënoni dhe denonconi edhe ju krimet e komunizmit sllavo-aziatik dhe mos harroni, por kujtoni viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, në përputhje me vlerat amerikane që ligjvensit amerikanë shfaqen nepërmjet miratimit të Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, në mbështetje të studentëve amerikanë për të mësuar të vërtetën mbi krimet e komunizmit –në të kaluarën dhe për trashëgiminë djallëzore të kësaj ideologjie shkatërruese sot e kësaj dite në mbarë botën, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.  

Frank Shkreli

Debate on the Crucial Communism Teaching Act | C-SPAN.org

Text – H.R.5349 – 118th Congress (2023-2024): Crucial Communism Teaching Act | Congress.gov | Library of Congress

Salazar’s Crucial Communism Teaching Act Passes House | Representative Maria Salazar

A large group of people in a room

Description automatically generated

  Pamje nga dhoma e Përfaqusesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

A flag flying on the top of a building

Description automatically generated
About | Representative Maria Salazar

Kongresistja Maria Elvira Salazar, nga shteti Florida — autorja e Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, miratuar pak ditë më parë nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara me një numër dërmues votash nga përfaqsuesit e dy partive kryesore politike amerikane – republikanë e demeokratë

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT