• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

SHTETI IMAGJINAR KUNDËR KOMBIT SHQIPTAR

December 4, 2024 by s p

Milazim KRASNIQI/

Para pak ditësh kremtuam 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, e cila është data më e rëndësishme në historinë e kombit tonë. Meqë ne ende nuk e kemi një histori të shkruar dhe të verifikuar të kombit tonë, ne nuk e kemi vlerësimin e plotë të rëndësisë së kësaj date për fatet e kombit tonë, të cilat do të mund të ishin edhe më fatale nga sa qenë, po të mos ishte proklamuar atë ditë Shqipëria e mosvarme, si atdhe i të gjithë shqiptarëve, të të gjitha territoreve, të të gjitha grupeve sociale dhe të gjitha bindjeve politike e fetare. Pa atë pavarësi të proklamuar, me shumë gjasë etnia shqiptare më parë do të fshihej nga faqja e dheut, se sa që do të konsolidohej në një komb evropian, aq më pak në një komb unik, i cili e realizoi brenda vetes edhe sintezën e identiteteve fetare. Shqipëria e pavarur dhe e pandarë edhe sot mbetet kusht për ekzistencën e kombit shqiptar.

Projektet politike dhe planet ushtarake të shteteve ballkanike, sigurisht të miratuara edhe nga disa nga fuqitë evropiane ishin kundër ekzistencës së çfarëdo Shqipërie të pavarur. Në fakt ishin për shkatërrimin biologjik të shqiptarëve dhe asimilimin e atyre që do të mbijetonin. Ato projekte u vunë në zbatim sidomos gjatë lufërave ballkanike. Sipas demografit e historianit amerikan, Xhastin Mc Carthy, 27% e shqiptarëve janë vrarë, ndërsa 35% janë dëbuar nga vatrat e veta, që i bie se në total janë çrrënjosë 62% e shqiptarëve. “Të dhënat e Luftërave Ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor, 27% e myslimanëve kanë vdekur dhe 35% e tyre kanë marrë arratinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe.”(f. 16)

Produkti që u përftua pas gjenocidit serb e grek kundër shqiptarëve në luftërat ballkanike ishte një Shqipëri e dërrmuar, një komb i traumatizuar, i copëtuar, i defetarizuar, më saktë i deislamizuar, i cili nuk pati fuqi t’i kundërvihej ideologjisë komuniste, ku ajo u shfaq, sepse e kishte humbur ekuilibrin dhe imunitetin.

Megjithatë, pavarësia e Shqipërisë e pamundësoi zhdukjen e të gjithë shqiptarëve. Për ata shqiptarë që mbeten jashtë shtetit shqiptar, mbeti gjithnjë kërcënuese përsëritja e gjenocidit, gjë që u riciklua disa herë nga serbët e grekët. Por as gjithë ato mizori nuk u mjaftuan armiqve tanë. Prandaj ata rihartuan projekte për zhdukjen e shtetit shqiptar. Sponsorizuan rebelimin e haxhi Qamilit, Protokollin e Korfuzit, Marrëveshjen Pashiq-Toptani, Republikën e Mirditës. Traktati i fshehtë i Londrës i viti 1915 është dëshmi e hidhur e tërë asaj armiqësie kundër Shqipërisë. Poashtu në projektin e Ivo Andriqit të vitit 1939 insistohej në copëtimin dhe zhdukjen e Shqipërisë, me arsyetimin se çfarëdo Shqipërie që të ekzistonte, do të ishte referencë për iredentizmin shqiptar të territoreve të okupuara. Pra, copëtimi ose dezintegrimi i Shqipërisë, me formimin e ndonjë kreature të re mercenare, ka mbetur deri në ditët tona orientim strategjik i armiqve të shqiptarëve.

Në fakt, u duk sikur pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, armiqtë ishin të dekurajuar nga synimet e tyre, por ajo nuk zgjati shumë. Rikthimi te projektet për dezintegrimin e Shqipërisë dhe për futjen e thikave të përçarjes ndër shqiptarë tashmë janë rikthyer me shumë virulencë. Dy prej tyre veçohen për arsye se formalisht duken me autorësi nga vetë shqiptarët. E para është iniciativa morbide për braktisjen e fesë islame, e emërtuar si “Lëvizja e Deçanit”, e cila ka elemente të Rekonkuistës spanjolle, e cila u imponoi hebrenjve dhe muslimanëve në Spanjë e Portugali konvertimin, ose dëbimin dhe vdekjen. Pra, në Kosovë po synohet të bëhet konvertimi i muslimanëve në të krishterë, tash për tash vetëm me dhunë propagandistike. Ndërsa në Shqipëri u lancua një iniciatvë poashtu morbide, për formimin e një kreature fetare-shtetërore të bektashinjve. Po të mos lancohej nga kryeministri i Shqipërisë, iniciativa do të mund të trajtohej si një ide e ndonjë të lajthituri, ose të droguari, i cili në zellin e ndonjë transi kuazifetar, ka përfytyruar pronësinë mbi një shtet imagjinar. Por, e lancuar nga kryeministri i Shqipërisë, iniciativa ka elemente të një kalkulimi gjeopolitik, të maskuar me një mantel religjioz. Kryeministri mund të jetë futur në një lojë gjeopolitike, të udhëhequr nga qarqe okulte, por mbetet e pakuptueshme pse është futur në atë lojë kreu i bektashijve shqiptarë. Kjo lojë e tij paraqet problem shumë më serioz. Kreu bektashi në një rast ka deklaruar se e don një shtet bektashi “njëlloj Vatikani.” Analogjia me Vatikanin e zbulon se është fjala për futjen e tij në një konsipraciom të përmasave të mëdha, ku Shqipëria rrezikon të përdoret si dashi që përdorej për të thyer portat e kështjellave në Mesjetë. Një udhëheqës fetar i devotshëm nuk mund të futet në aso aventure. Ta fusësh Shqipërinë në skemën e luftërave sektare të botës së sotme muslimane, madje duke i dhënë një rol “qendror”, minimalisht do të thotë ta ekspozosh në të ardhmen si një shënjestër të ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit. Pse? Sepse ato shtete muslimane e ata agjentë joshtetërorë që do të ndiheshin të atakuara nga ajo kreaturë fetare konkuruese ndaj pozitave të tyre, do ta shndërronin Shqipërinë në cak legjitim të sulmeve të tyre terroriste, natyrisht edhe të sulmeve diplomatike, ekonomike e propagandistike. Siç shihet e dihet, në decenien e fundit bota ka parë tmerrin e konflikteve sektare në Siri, në Irak, në Libi, në Jemen, në Sudan, sikundër që ka parë tmerrin e kasaphanes sektare ndërmjet Irakut e Iranit në vitet tetëdhjetë. Prandaj kushdo që tenton të bartë në Shqipëri atë mal urrejtjesh, paragjykimesh e armiqësish nga Lindja e Mesme, bën edhe akt të rëndë tradhtie shtetërore e kombëtare.

Futja në atë sherrnajë të lemerishme të Lindjes së Mesme do të shërbente edhe për ta rihapë kutinë e Pandores të urrejtjes, paragjykimeve dhe armiqësive të kombeve ballkanike e europiane kundër Shqipërisë e shqiptarëve. Ashtu Shqipëria do të ishte në një senduiq të armiqësive të shteteve muslimane në njërën anë dhe të shteteve europiane, nën akuzën se bëhet shkaktare e jostabilitetit dhe dhunës, në anën tjetër. Si mund të mbijetojë një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria në një asi rrethimi armiqësor? Thjesht, nuk ka gjasa të mbijetojë, prandaj në atë rast rrezikon të kthehet sërish në objekt të copëtimit e të dezintegrimit, si në rastin e Protokollit të fshehtë të Londrës.

Ngado që ta vështrosh, mbetet e paqartë si është e mundshme që një shtet sekular, anëtar i NATO-s, në proces integrimi në Bashkimin Europian, të marrë përsipër formimin e një shteti fetar në territorin e vet dhe atë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe që për atë shkak të futet një një sherrnajë globale e në një rrezik potencial për t’u rikthyer në objekt planesh ogurzeza të armiqve që gjithnjë kërkojnë pretekste për sulme, ngase kurrë nuk kanë reshtur së bëri plane për zhdukjen e tij.

Po të shikohet vetëm në planin thjesht fetar, nuk mund të ketë asnjë shenjë barazie ndërmjet katolicizmit e bektashizmit, rrjedhimisht në asnjë rast Vatikani nuk mund të shërbejë si një model për organizimin e jetës fetare të bektashijve shqiptarë. Prandaj këshilla ime është: mbylleni këtë qasje donkishoteske dhe idiotike!

Poashtu është e ditur se bektashizmi nuk është fe më vete po është një sekt i fesë islame, ndonëse një sekt i devijuar në disa segmente në raport me Shpalljen e fundit Hyjnore. Por fe, sidomos fe e shpallur, nuk mund të jetë asnjëherë. Prandaj do të duhej të braktiseshin edhe ato lojëra të vjetra e të reja me statusin e bektashizmit si gjoja fe më vete e komunitet fetar më vete. Nëse shkon më tutje kjo tendencë e separimit, ajo mund ta dëmtojë sintezën e arritur të harmonisë fetare brenda kombit shqiptar. Në atë rast mund t’i ekspozojë bektashijtë si plangprishës e kjo etiketë, për një komunitet aq të vogël prej 115.000 frymësh që nuk kalojnë as 5% të shtetasve të Shqipërisë, mund të ketë pasoja shumëplanëshe. Meqë kontributet e shqiptarëve bektashi, që nga formimi i kombit e këndej, do të mbeten përherë në pronësi të kombit shqiptar, një krature bektashiane purofetare do të ishte pa kujtesë, pa histori, pa ardhmëri.

Një kreature të tillë absurde do të mund t’i matej e mbahej mend vetëm dëmi që do t’i shkaktonte kombi tonë. Njëri nga dëmet e mundshme do të ishte oksigjenimi i projektit okult për formimin e të ashquqajturit “komb kosovar” në Kosovë. Ka disa qarqe klerikalo-fashiste në Perëndim, të cilat sponsorizojnë idenë e formimit të “kombit kosovar”, me synimin që ta amputojnë këtë pjesë të kombit shqiptar nga korpusi shqiptar dhe që më lehtë ta krijojnë realitetin për kthimin e Kosovës nën kontrollin serb. Pra, nëse do të formohej një kreaturë shtetërore e bektashijve në truallin shqiptar, ajo do të mund të përdorej si stimulues për idenë e kombit kosovar, duke e relativizuar identitetin shqiptar. Ndërsa në atë rast shumë më lehtë do të arsyetohej projekti serb për formimin e një entiteti fetar e shtetëror serb, i cili do të lidhte Patriarkanën e Pejës dhe manastirin e Deçanit. Ka disa vite që në qarqe të caktuara fetare e shtetërore serbe propozohet kthimi i selisë së Patriarkanës Serbe nga Beogradi në Pejë. Sikundër dihet, manastirin e Deçanit e ruajnë në mënyrë speciale forcat e KFOR-it, i cili faktikisht është jashtë juridiksionit shtetëror të Kosovës, bashkë edhe me disa monumente të tjera ortodokse serbe, që kanë statusin e eksterritorialitetit.

Me gjasë, ideja për shtetin bektashi e ka brenda vetes strategjinë që në stilin e karambollit, të ndihmojë për formimin e të ashtuquajturit “Atosit serb” në Kosovë e ndoshta edhe të një autonomie të Himarës. Pra, ngado që ta shikosh, ideja për formimin e një shteti fetar bektashi në Tiranë, është e rrezikshme, jo vetëm për stabilitetin e reputacionin e mirë të shtetit shqiptar, po edhe për ekzistencën e kombit shqiptar.

Në Prishtinë, 2 dhjetor 2024

Filed Under: ESSE

Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari

December 4, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

Mandrica (bullgarisht: Мандрица) është një fshat i vogël dhe unik në Bullgari, i njohur për rrënjët e tij shqiptare. E vendosur në rajonin e Ivaylovgradit, vetëm pak kilometra larg kufirit grek, Mandrica është një shembull i rrallë i pranisë shqiptare në Ballkan jashtë territoreve të sotme shqiptare. Ajo qëndron si një dëshmi e diversitetit kulturor të rajonit.

Historia e Mandrikës

Mandrica u themelua nga shqiptarët. Me kalimin e shekujve, fshati u zhvillua në një qendër që ruajti gjuhën e tij të veçantë dhe traditat kulturore. Komuniteti shqiptar në Mandricë ishte i njohur për mjeshtërinë e tij, bujqësinë dhe aftësinë e tij për të ruajtur identitetin e tij kulturor ndër breza, pavarësisht ndryshimeve dhe sfidave me të cilat përballej rajoni.

Identiteti dhe gjuha shqiptare

Banorët e Mandricës fillimisht flisnin një dialekt të veçantë shqip, të dallueshëm nga ata në Shqipëri dhe viset e tjera shqipfolëse. Ndërsa gjuha shqipe është zhdukur kryesisht nga përdorimi i përditshëm në fshat, shumë zakone dhe tradita kanë qëndruar. Disa banorë të moshuar ende flasin shqip dhe trashëgimia kulturore e fshatit ruhet përmes traditave gojore, festave dhe zakoneve lokale.

Arkitektura e Mandricës

Mandrica është e njohur për arkitekturën e saj mbresëlënëse. Shumë prej shtëpive, të ndërtuara në shekullin e 19-të, janë struktura me tulla dykatëshe, gjë që është e pazakontë për rajonin. Veçoritë arkitekturore të Mandricës pasqyrojnë ndikime ndërtimore shqiptare të shkrira me traditat vendase, duke krijuar një estetikë unike që është një tipar përcaktues i fshatit.

Zhvillimi demografik

Si shumë zona rurale në Bullgari, Mandrica ka vuajtur nga rënia e popullsisë. Në dekadat e fundit, shumë banorë janë larguar nga fshati për të kërkuar punë në qytetet më të mëdha ose jashtë vendit. Sot Mandrica ka mbetur vetëm një grusht banorësh, por ajo mbetet një simbol i trashëgimisë shqiptare në Ballkan.

Rëndësia e Mandricës

Mandrica është më shumë se një fshat – është një dëshmi e gjallë e pranisë dhe diversitetit kulturor shqiptar në Bullgari. Ai shërben si një kujtesë e lidhjeve dhe shkëmbimeve historike midis popujve të Ballkanit. Për historianët, etnologët dhe turistët, Mandrica ofron një mundësi magjepsëse për të eksploruar historinë e pasur dhe rrënjët kulturore të rajonit.

Mandrica është një vend unik që demonstron kulturat e ndërthurura dhe të larmishme të Ballkanit. Pavarësisht rënies së popullsisë, fshati mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të rajonit. Mandrica meriton të ruhet dhe vlerësohet – si një simbol i historisë dhe identitetit shqiptar që vazhdon të ekzistojë përtej kufijve modernë të Shqipërisë.

Një bullgar i famshëm nga Mandrica

Një bullgar i shquar nga Mandrica është Hristo Daskalov, një politikan dhe mësues i respektuar që jetoi në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Hristo Daskalov kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin kulturor dhe politik të Bullgarisë dhe punoi pa u lodhur për të promovuar arsimin dhe përparimin e rajonit.

Filed Under: Reportazh

Artisti imponues…

December 4, 2024 by s p

Aleksandër Çipa/

Agim Sulaj është artist imponues për vëmendjen dhe vlerësimet e opinionit artistik dhe kritikës apo njohësve ndërkombëtarë të artit. Ka realizuar një udhëtim të shkëlqyer karriere, ka qindra stacione dhe data kalendarike ekspozimesh, konkurimesh, pjesëmarrjesh nëpër bienale dhe edicionesh përfshi galeri të famshme të kësaj bote. Suksesin e rroku dhe mishëron përmes talentit në penel, në dy lëmi të arteve figurative: në pikturë dhe në karrikaturë. Janë mbi 250 çmime ndërkombëtare të fituara prej tij…Ka udhëtuar, veçanërisht në tri dekadat e fundit, nëpër galeritë dhe ekspozitat më të famshme të Italisë që për ndryshe, cilësohet si “atdheu i arteve me shkëlqim të gjithëkohshëm”. Por jo vetëm aty! Në shumicën e vendeve të Europës dhe kontinente të tjera…Ka krijuar komunitetin e madh të adhuruesve të vet dhe e shton pothuajse pas çdo prurjeje pune e punësh. Ka lënë punë që mbeten hise vezulluese dhe magjepsëse nëpër galeri dhe pavione të shquara arti në shumë metropole.

Por, Agim Sulaj nuk heq dorë e nuk ndahet, prej ” vatrës së parë”, prej djepit të foshnjërisë së vet artistike, Atdheut dhe qytetit të lindjes, Vlorës. Rikthehet në Tiranë përsëritshëm, në të njëjtën kohë fundviti me ekspozitën e vet “Rrënjët”. Sjell me sqimën e vet prej Mjeshtri dhe kryemjeshtri, portretet dhe punët antologjike, të cilat janë mishërim i një vlere shquese dhe të lakmueshme, imponuese dhe dlirësuese. Karaktere të ashpra dhe të gdhendur me fuqi psikologjike dhe shprehjeje na vijnë prej këtij artisti që tashmë e ka zënë vendin, ndër më të shquarit e sotëm dhe të ardhëm të arteve figurative shqiptare.

Është fjala për një talent që vlen për krahasime në perimetra globalë.

Sa herë më jepet mundësia të gjej informacion për veprimtaritë dhe ekspozimet e tij, dua të ndalem e rikthehem. Sepse arti dhe talenti i tij janë në një udhëtim ngjitjeje dhe cilësish që ofron artisti me talente imponuese. Në mediat ndërkombptare gjenden qindra e ndoshta mijëra shkrime e vlerësime nga kuratorë dhe studiues e kritikë arti të cilët nëse do të njiheshin brenda Shqipërisë dhe hapësirës artistike shqiptare, do të imponohesh një vëmendje edhe më e madhe, edhe më e posaçme. Por ky nuk është pengu i Agim Sulajt, është thjesht qesëndia e tij për një gjetje vijuese karrikaturizimi për realitetet meskine të shoqërisë së vogël. Në pikturat e tij, këtë nuk ke mundësi ta gjesh, por në karrikaturat unike, (si krejt punët e Sulajt), të pret qeshja e imponuar prej talentit tjrtër të Mjeshtrit). Urime shumë Mjeshtër Sulaj!

Filed Under: Kulture

“Sulm terrorist apo fushëbetejë folklorike në Kosovë” ?!

December 4, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sigurisht po e ndjek me interes/shqetësim të shtuar, situatën e sigurisë në Kosovë pas shpërthimit të tubacioneve të ujit në “Ibër-Lepenci”. Ndëkohë kam refuzuar (me vetëdije) t’i bashkohem histerisë patriotiko – folklorike, që demonstrohet jo vetëm nga media, opinionistët e gjithëditur, por fatëkeqësisht edhe nga Faktorët politik, Institucionet dhe Autoritetet përgjegjëse të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.

Gjithësesi, në kapacitetin e një ndër ekspertëve (shpresoj jo i panjohur/unknown) për çështjet e sigurisë kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, në vijim gjeni përmbledhje strategjike rreth peshës, përqasjes, gjetjeve si dhe të rekomandimeve për përballjen me këtë akt terrorist të radhës:

Pikësëpari, si definicion, por mbi të gjitha për impaktet, kundër një infrastrukture me rëndësi kritike (për furnizimin me ujë dhe energji të rreth 1 milion, pra gjysmën e popullsisë, ose bashkëqytetarëve Kosovarë, Serb, etj), e çmoj si një sulm terrorist kundër një shteti Sovran. Kjo pasi: “nuk është dëmtuar një ujesjellës fshati, si e tillë, nuk mund të konsiderohet kurrsesi betejë e rëndomt për konkurencë tregu…” , apo Jo ?

Kështu, pa asnjë medyshje, e dënoj këtë sulm barbar (njëherësh bande-burracakësh), si dhe i bashkohem apelit për institucionet ligj-zbatuese: “të zbardhin me profesionalizëm, integritet dhe sa më shpejt ngjarjen duke vënë para drejtësisë frymëzuesit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij akti terrorist”!

Ndërsa nuk jam as gjykatës as prokuror ndërkombëtar që “të vendos gishtin mbi fajtorët”, patjetër e gjej të ngjashëm, të frymëzuar dhe të orkestruar me interesat gjeopolitike të Kremlinit në Rajon si dhe sulmet neo-Naziste të Rusisë Putiniste (përgjastë 34 muajve) kundër infrastrukturave kritike të Ukrainës, si linjat/depot e naftës/gazit; tubot e amonjakut Togliatti-Odessa; digave të Hidrocentraleve, Spitalet, Shkollat, etj.

Nga ana tjetër (me shumë keqardhje), e gjej dhe neveritëse njëherësh, luftën populisto-elektorale mes vedit, pra se kush prej Faktorëve politik, Autoriteteve Shtetërore, analistëve dhe ushtrisë së sekserëve rreth pushteteve në Prishtinë dhe Tiranë, do të bëjë statusin e “patriotit më të zjarrtë në fushëbetejën diçitale” ?!

Si shëmbullin më tipik sjell në vëmendje demostrimin folklorik të forcës (pas pilafit), të Qeverisë-Kurti, cinikisht i shoqëruar edhe nga Shefi Shërbimit të Inteligjencës, i cili në vend të bente foto/shfaqje bolshevike me “cizme dhe lopata në krah të Eprorit/KM”, do duhet të jepte dorëheqjen për “(keq) dështimin e ShIK në përmbushjen e misionit”, pra të (mos) parandalimit dhe zbulimit të akteve të përsëritura terroriste me impakte kritike ndaj sigurisë së Kosovës. Shënim shtesë: “dorëheqja nuk është një akt personal (siç perceptohet), por një standart perëndimor i përgjegjeshmërisë shtetërore.

Së DYTI, riciklimi i sulmeve terroriste apo maktheve të Millosheviçit 25 vjet mbas humbjes turpëruese të luftës gjakatare, mund të ushqejnë agjendën radikalëve në Beograd; interesat e krimit të organizuar, apo “sorrat rreth liqenit Ujmanit …”, por kurrësesi nuk munden të trembin kombin Shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar (në 1999) të Aleancës Euroatlantike (USA/ NATO/UK/BE!

Për më qartë, Serbia do duhet të harrojë ëndrrat/paranojat Staliniste si dhe oshilacionet e Milosheviçit, pasi kufijtë dhe harta gjeopolitike e Republikës së Kosovës janë skalitur me gjakun e dëshmorëve të kombit, fuqia ushtarake e USA/NATO në 1999 si dhe sakrificat e luftetarëve në shekuj.

Prandaj, për aktorët mendjehapur edhe në Beograd përsëris thirrjen: “të mos lejojnë që qeveria e Vuçiç sot, etj mbas tij, të shpenzojnë kot stërkoti mbi 1.5 miliard euro në vit nga mundi i popullit serb (për armatosjen nga me tanke; ‘Mig29’, ‘Rafale’, helikopter, raketa dhe dronë vrasës) pasi asnjë nga vendet ndërkufitare (përfshi Kosovën) apo Aleancë nuk e rrezikon sovranitetin e Serbisë”!

Së TRETI, jo vetëm si ekspert por me përulësi vllazërore do t’i këshilloja faktorët politikë të Kosovës që të lënë adresimet populiste dhe llogaritë elektorale, por: “aktet terroriste dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës”, t’i adresojnë me përgjegjësi të lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne/Demokratike (përtej prezencës së NATO-s që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës, nga “konsumatore në kontribuese” për paqen, stabilitetin dhe integrimin në NATO/BE.

Për me tepër, përsëris edhe thirrjen ndaj faktorëve politik dhe aktorëve shtetërore në të dy anet e kombit (Tiranës dhe Prishtinës zyrtare), që ta tejkalojnë luftën donkishoteske për privatizimin e Partive Politike dhe përjetësimin e pushtetit, POR të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe interesave (mbarë) kombëtare duke i dhënë jetë platformës “dy shtete sovrane një komb i vetëm”, pra duke ngritur kapacitete të përbashkëta: “Inteligjencën, për emergjencat civile, arsimimin, stërvitjet, misione ndërkombëtare, rreziqet kibernetike, etj”. Gjithësesi qartësoj se “me këtë projekt të vonuar nuk do shpikim rrotën”, pasi të tilla përqasje janë aplikuar me sukses edhe nga 3 vendet e Beneluks-it, (Belgjikë, Holandë, Luksemburg); 3 vendet Nordike (Norvegji, Finlandë, Suedi); pa përmendur qasjen e dy vendeve të NATO-s (Turqisë dhe Greqisë) në raport me sovranitetin e Qipros, pra ndaj një vendi anëtar të BE-së!

Ndërsa, aktorët dhe strategët/kolegët në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i sugjeroja që perspektivën e paqes, status-quonë/interesat gjeopolitike të USA/NATO në Ballkan, do duhet ta parakushtëzojnë jo me qasje burokratike, ndaj zgjimit të aleancave historike, as riciklimit të garës së armatimeve, etj por me “imponimin” e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi Zyrtar se: “(1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake sulmuese, pra Tanke, Mig -29, Rafale (francez), raketa Ruso-Kineze, etj, deri në masën që të mos kërcënojë fqinjët (posaçërisht Kosovën); (2) nuk do të vendosen as instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësore), në kufijtë ndërshtetërorë.

Në shtesë, përfshi dalldisjen e Z. Vućić për ti shlallur luftë Kosovës, Rajonit dhe NATO-s (!); edhe ky sulm terrorist tregon se me gjithë përpjekjet dhe progresin 25-vjeçar për t’u larguar nga urrejtja dhe gjakderdhja shekullore, fatëkeqësisht paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euro-atlantike për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (perfshi vetë Serbinë), mbeten ende të kërcënuara nga Beogradi dhe Moska.

Ndërsa duke u përulur për sakrificën sublime të dëshmorëve të atdheut dhe mirënjohjen për rolin kritik të USA/NATO në Rajon, më duhet të përsëris thirrjen ulëritëse: “vëllezër qëndroni vigjilent, pasi paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme”. Kështu shpresoj që edhe ky sulm terrorist, t’u shërbejë mbarë-shqiptarëve si “sirena alarmi” për të qëndruar zgjuar, punuar dhe luftuar çdo ditë kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes mes popujve të Ballkanit.

Së fundmi, përtej riciklimit të akteve terroriste, “armatosjen deri në dhëmbë” të Serbisë apo Rajonit si dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit për axhendën e Putinit; besoj edhe më fortë se paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqësore, mirëqenies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të 6 vendeve të Ballkanit perëndimor, pra Shqipërisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

Në Solidaritet me Eleni Pecën

December 3, 2024 by s p

Nga Zyra e Fotini Kokeri Allteni/

St. Petersburg, Florida – Sot, qëndroj në mbështetje të paçmuar të Eleni Pecës, nënës në dhimbje të Joana Pecës, e cila tragjikisht e humbi jetën më 31 Korrik 2021, në një akt të paarsyeshëm dhune. Si komunitet, duhet të bashkohemi për të nderuar kujtimin e Joanës dhe për të avokuar për drejtësi.

Të shohësh dhimbjen që Eleni ka përjetuar është zemrënqëdhënëse. Asnjë nënë nuk duhet të përballojë kurrë një trishtim të paimagjinueshëm si ai që ajo po përjeton. Joana ishte jo vetëm një nënë e dashur e dy djemve të bukur, por gjithashtu një bijë e çmuar, dhe humbja e saj ka ndikuar thellësisht te të gjithë ata që e njohën. Horrori i atij ditë mbetet i gdhendur në zemrat tona, dhe ne duhet të sigurohemi që historia e saj të mos harrohet ose të përsëritet.

Eleni ka shprehur luftën e saj të thellë me nocionin e drejtësisë. Ajo thotë: “Nuk besoj në dënimin me vdekje, por kur shoh në sytë e nipërve të mi, që çdo ditë i mungon nëna e tyre, shoh vetëm dhimbje—dhe ai e meritonte atë.” Kjo ndjenjë rezonon me kaq shumë nga ne që e dimë ndikimin e thellë të një humbjeje të tillë.

Si nënat shqiptare, duhet të bashkohemi për të mbështetur një nënë në dhimbje. Është detyra jonë që të qëndrojmë së bashku, duke ofruar ngushëllim dhe forcë për Elenin dhe familjen e saj gjatë kësaj kohe të paimagjinueshme.

E falenderoj ata që e ndihmuan guximshëm për të shpëtuar fëmijët e Joanës, duke demonstruar forcën dhe mirëdashësinë që vazhdojnë të ekzistojnë në komunitetin tonë. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time më të thellë për organet e rendit për përpjekjet e tyre të palodhshme për të sjellë autorin e krimit para drejtësisë. Angazhimi i tyre është një hap i rëndësishëm drejt shërimit dhe sigurisë për të gjitha familjet.

Ndërsa ecim përpara, i bëj thirrje të gjithëve të bashkohen kundër dhunës dhe të mbështesin njëri-tjetrin. “Nëse shihni diçka, thoni diçka.” Së bashku, mund të krijojmë një të ardhme ku asnjë familje nuk duhet të përballet me një humbje kaq shkatërruese. Le të nderojmë kujtimin e Joanës duke avokuar për ndryshim dhe duke krijuar një ambient më të sigurt për fëmijët tanë.

Faleminderit që qëndroni me ne gjatë kësaj kohe të vështirë.

Në solidaritet,

Fotini Kokeri Allteni

Advokate e Komunitetit Shqiptar

Drejtoresha Ekzekutive e Fondacioneve te familjes Kosloski

Tasim Ruko

Vatra – Honorary President

Tampa, FL

Imelda Pojani

Albanian Heritage Foundation Of Tampa Bay

Anna Kohen

Albanian American Women Organization FL chapter

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT