• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

105 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES – THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR

January 22, 2025 by s p

KEVIN HAXHIU*/

Një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Në vitin 1915 Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913.Në vitin 1918 në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës-fitues të luftës) dhe vëndet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915 të zbatohej.Delegacioni i dërguar nga qeveria e Durrësit nuk po e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh.Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte. Ndaj patriotët shqiptar të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territorin e saj.Në muajin nëntor të vitit 1919 u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtarë” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit Abdyl Ypi. 

Në këtë takim merrnin pjesë patriot shqiptar të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtar pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh.Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi.Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919 patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës.Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtar/Iniciator me 28 Anëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit.Anëtarët e Komisionit Nismëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin:-“Besim Nuri,Ferit Vokopola,Nebi Sefa,Qemal Mullaji,Eshref Frashëri,Sheh Ibrahim Karbunara,Abedin Nepravishta,Bajram Haxhiu,Taullah Sinani,Llazar Bozo,Emin Vokopola,Zija Mullaji,Mustafa Vokopola,Jonuz Sefa,Skender Pojani,Kadri Jenisheri,Teki Libohova,Filip Papajani,Jakov Bozo,Andrea Papaj,Qerim Arapi,Rasim Hoxha,Arif Kurti,Abdyl Aziz,Muntar Luarasi,Hamit Xheka,Reshat (Hysni) Shazivari,Hasan Islami Like”. Në datën 1 Janar 1920 Komisioni i Posaçëm (Komisioni Nismëtar/Iniciator për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes) vendosi që me anën e tij por edhe të Katundarisë së Lushnjes të njoftonte nëpërmjet një Letre të gjitha Katundarit e Shqipërisë që të zgjidhnin nga 2 Delegat për në Mbledhjen Kombëtare të Lushnjes (Kongresi i Lushnjes).Në këtë Letër shkruhet: -“Nga shkaku i ngjarjevet të ndryshme këtu  e disa muaj më parë në jetën mbledhore të atdheut ton,po ndihet një prapashti livrimi,pra sikundër q’asht e ditun prej si çdo atdhetari këto prapshti shkaktojnë prishjen e qetësis së rendit,pa dyshim në fund dhe humbjen e atdheut të dashtun,populli Shqiptar që këto vjetët e fundit tue u ndodhun në fushën e propagandavet damsore,ka marrë mësimë të mjaftëshme mbi bazët e shpëtimit të veht, dhe ashtu mbas kësaj për mos me u gabue me thash e theme të kota, e të mshehta ose të veçanta ,ka banun marrëveshje tash së voni, dhe asht e ditun që ka vendosun,për një mbledhje të përgjithshme këtu në qëndrën e Lushnjës,ku si Shqipni e veriut ashtu dhe e jugës mundet lehtazi me i bashkue zanet e bisedimit.Pra ky pëlqim i bashkëatdhetarëvet të ndershëm,prej popullit ton u pritën me nderime,me gëzime krejt të zemërta,dhe në emën të popullit Komisioni i jon sot tue u mbledhun me randësin e posaçme,vendosi që me anën e veht dhe të Katundaris bashkërisht të bahen të ditnur  gjith katundarit e Shqipnis dhe me anën e këtyne populli Shqiptar mbas programit që u paraqitet ngjitun me i dërgue nga dy delegatë fuqiplotë në këtë mbledhje  ku asht për t’u venun i themel i fort një marëveshjes së vërtetë të përjetëshme midis ton.Ky qëllim kaq i shenjt  mvaret  në dëshirat e përgjithshme e jo në mendimet e veçanta.Pra midis personavet  të çdo partie,tue banun  një bashkëpunim vllaznor,dhe tue lanë mënjanë ndryshime mendimesh personale.Delegatët duhet me u emënue me pëlqimin e përbashkët.Atdheu i dashtun po na fton në bashkim,në besë,në vllazni me të cilat kemi me fitue dhe uratën mëshirore  të së Naltës Fuqitarit Krijues.Perëndie. 1.I.920 NË EMËN TË POPULLIT TË LUSHNJES KOMISIONI POSAÇËM BASHKË ME KATUNDARINË E VENDIT  BESIM NURI,SHEH IBRAHIM KARBUNARA,EMIN VOKOPOLA,MUSTAFA VOKOPOLA,ZIJA MULLAJ,RASIM HOXHA,SKËNDER POJANI,ABDYL AZIS,QEMAL MULLAJ,ABEDIN NEPRAVISHTA,BAJRAM HAXHIU,ESHREF FRASHËRI,JONUS SEFA,MUNTAR LUARASI,LLAZAR BOZO, ETJ ”.(1)                                   

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave,AQSH,Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912)),Dosja 38-2-83 “Projekt-program i Kongresit të Lushnjes nga Abdyl Ypi”,fleta 1,shkruhet:-“Katundarija Lushnjes   Program i Kongresit   Nye-1- qëllimi i mbledhjes së përgjithshme asht sigurimi i vetqeverimit të plotë të shqipnis dhe forcimi i bashkimit shqiptar.Nye -2- në mbledhje kombëtare do të shoshitet gjindja e përbrëndëshme e e përjashtëme  e shqipnisë dhe si në administratën e vendit që siguron baskim e qetësie ashtu dhe në fitim të besimit të fuqive të mbëdhaja të botës do të rëfehet gjallnia kombëtare.Nye -3- mbledhja kombëtare tue marë parasysh të gjithë mendimet e ndryshme qi kanë shkaktue ndarjen në shqipënie do të mundohet t’i largonjë mosmarëveshjet  e të siguronjë bashkëpunimin qi forëcon jetën e atdheut. Nye -4- çdo nënprefekturë do të përfaqësohet prej dy zotnive të zgjedhun prej popullit të qarkut.Nye -5- çdo përfaqësonjës do të ket një dokument përfaqësimi të vërtetuem prej katundarisë së vendit.Mbledhja do të bëhet në Lushnje me 21 të muajit kallnuer 1920 të mërkurën ora më 10 para dreke.   Lushnje më 1 Kallnuer 1920  Letër prej Durrësi,korespondenti ynë na shkruan: sot para dreke mrrivi nj post të posatshme prej Lushne me një shkresë për përlimtaren e Durrësit, me të cilën përlimtarija e Lushnjes  e paria e këti vendi në formë të një komisioni jashtëzakonshëm ftojën Durësin e rrethet e tij me zgjedhë dy delegatë për mbledhjen kombëtare që ka m’u mbajtë në Lushne më 21-1- po ndërgojmë kopjen e kësaj shkrese. ndihet se Fejzi beu ,i vetmi delegatë i qeverisë sotme mendon me i kundërshtue realizimit të këtij mendimi por populli i shqypnisë mesme beson se Fejzi beu nuk ka sesi me i kundërshtue dëshirit të miletit”.(2)

Gjithashtu Komisioni Posaçëm Nismëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes përgatiti organizimin e mbledhjes,krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje,organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja. 

Kongresi i zhvilloi punimet në Lushnje në shtëpinë e Kaso Fugës në 21-31 Janar 1920.Delegatët e zgjedhur nga Prefekturat për t’i përfaqësuar në Kongresin Kombëtar të Lushnjes ishin:-“-Prefektura Durrës:Abdi Toptani,Irfan Ohri,Mytesim Këlliçi,Rexhep Jella,Shezivar Alltuni,Xhaferr Ypi.-Malësia e Gjakovës:Hasan Batusha,Xhemal Beg Bushati.-Prefektura Dibër:Ahmet Zogu,Dine Dema,Dine Nasuh Maqellara,Ramiz Daçi.-Prefektura Shkodër:Ejup Sabri Bushati,Hoxha Kadri,Mati Logoreci,Ndoc Çoba,Rexhep Shala,Xhemal Naibi.-Prefektura Elbasan:Aqif Pashë Elbasani,Adem Gjinishi,Asllan Shahini,Filip Papajani,Kasem Sejdini,Qazim Dyrmishi,Sali Ceka.-Prefektura Korçë:Beqir Rusi,Eshref Frashëri,Ferid Frashëri,Gjokë Ndini Gusho,Idhomen Kosturi,Koço Kota,Sali Butka,Selaudin Blloshmi.-Prefektura Berat:Bektash Cakrani,Hysen Nikolica,Iliaz Vrioni,Kamber Belishova,Llambi Goxhomani,Llazar Bozo,Spiro Papa,Sheh Ibrahim Karbunara.-Prefektura Vlorë:Dhimitër Qypi,Myqerem Hamzaraj,Qazim Kokoshi,Ymer Ali Radhima.-Prefektura Gjirokastër:Ali Këlcyra,Ali Kumbaro,Arshi Shehu,Dervish Seit Grosha,Kasem Radovicka,Kiço Koçi,Rasim Babameto,Shezai Çomo,Spiro Kosova,Veli Harshova.-Diaspora:Sotir Peçi”.

Kongresi i Lushnjes Seancën e Parë e hapi në datën 21 janar 1920,ditën e mërkur,në orën 10 para dreke.Në Seancën e Parë merrnin pjesë delegatet që kishin mbërritur në Lushnje,ndërsa pjesa tjetër e delegatëve nuk kishin mundur të vinin në datën 21 janar,kjo për shkak të vonesës së njoftimit të leter-thirrjes së Komisionit të Posaçëm Iniciator të Lushnjes.

-“Sot dit e mërkurë 21.I.920,ora më 10 para dreke tue qënë dita e caktueme për çeljen e Mbledhies Kombiare, me gjith që ,nga vonesa e , Letër-thirrjevet,nuk kan arritun shumica e delegatëvet,delegatët e arritun u mblodhën në Sallën e Mbledhies në Shtëpi të Z.Kaso be Fugës ……”.(3)

Mbledhjen e ka hapur me një lutje kleriku patrioti Sheh Ibrahim Karbunara ndërsa më pas Anëtari i Komisionit te Posaçëm Iniciator të Lushnjes Ferit Vokopola ka mbajtur një fjalim në emër të komisionit për t’i uruar mirsëardhjen delegatëve dhe kësaj ligjërate Aqif Pashë Elbasani i është përgjigjur me fjalë patriotike të flakta.Pas kësaj Komisioni Posaçëm Iniciator i Lushnjes është larguar nga mbledhja dhe delegatët e pranishëm kanë nisur punën.Sekretar i Mbledhjes Kombëtare përkohësisht u emërua Ferit Vokopola ndërsa për të kontrolluar letër përfaqësimet e Delegatëve u ngrit një Komision i përbërë nga 5 Anëtar: -“Irfan bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kota, Fazlli Frashëri dhe Adem Peqini/Gjinishi”.Mbledhja vendosi ti pezullonte punimet e saj deri sa të mbërrinin në Lushnje shumica e Delegatëve.

Kongresi i Lushnjes pas gati 1 jave ndërprerje i rifilloi përsëri punimet në datën 28 janar 1920,në orën 2 pas dreke ,duke qënë se kishin arritur në Lushnje shumica e Delegatëve. Në Seancën e Dytë të Mbledhjes Kombëtare puna nisi duke u kryer fillimisht verifikimi i letër-përfaqësimeve të delegatëve nga ana e komisionit si dhe sigurimi pjesëmarrjes në mbledhje të shumicës së delgatëve.

-“Cohet Zotni Xhavid Leskoviku e n’emën të grupit inisjator mbanë një ligjerat tue kallzu shkaqet që prunë nevojën e kësaj Mbledhje Kombiare,e u heq vrejtjen delegatëvet përmbi gjëndjen kritike të Atdheut”. (4)

Kryetar i Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes u zgjodh Aqif Pashë Elbasani ndërsa Nën/Kryetar Sotir Peci dhe Sekretar Kostaq Kota e Ferit Vokopola.

-“Për nderimin e të ndjerit Abdyl Be Ypit, që u asasinua mbi qëllim të ndalimit të Mbledhjes Kombiare ,u vendos që t’i pushojë Kuvëndi punët në këtë ditë e, t’i shkruhet familjes së ndjerit një letër ngushëllimi nga ana e Mbledhjes”. (5)

Në datën 28 janar 1920 Mbledhja Kombëtare e Lushnjes i dërgoi në Durrës një letër ngushëllimi Familjes së të ndjerit inisiatorit  Abdyl bej Ypi.Në këtë Letër të firmosur nga Kryetari i Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes Z.Aqif Pashë Elbasani,ndër të tjera shkruhej se:-“Mbledhia Kombiare,për nderin e të ndyerit inisiator,vendosi pushimin e bisedimevet të ditës sotshëme tue ndehun për mbi tryezën e Kryesisë nji napë Zije dhe n’emën t’atdheut  mu tregu ngushëllimet ma të lotushme Z.suaj qi jeni shejat e vlefshëme t’ati patrioti të ndjer ,po i pa harruem  midis shqiptarvet ”.(6)

Seanca e Tretë e Mbledhjes Kombëtare u zhvillua në datën 29 janar 1920.Kuvendi i hapi punimet në orën 9 para dreke,ku u kontrollua fillimisht prezenca e nevojshme e delegatëve për zhvillimin e seancës,u lexua procesverbali i mbledhjes së kaluar dhe më pas Nën/Kryetari i Mbledhjes Sotir Peci i parashtroi kuvendit urdhërin (rendin) e ditës të kësaj mbledhje. 

-“Urdhni i ditës 20.I.1920  1)Besedim përmbi masat që duhen marrë kundër vendimit të tri fuqivet t’Entantës për coptimin e Shqipnies si mas paktit të Londrës 1915.   2)Besedim për mbi sjelljen e qeverisë në pikpamje politike të përbrendëshme e të përjashtme si mas programit të dhanë prej Mbledhjes Kombiare të Durrësit.   3)Regjimi që do të ketë përkohësisht Shteti Shqiptar.   4)Bisedim mbesimi ose mos mbesimi i Mbledhjes Kombiare tek Qeveria e përkohëshme.   5)Zgjedhjet e autoritetevet  si mas vendimit që do të jepet”. (7)

Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës së mbledhjes pas shumë bisedimeve  vendosën që të bëheshin kundërshtime të rrepta dhe për të kryer këtë u zgjodh një komision i përbërë nga 10 anëtar. 

-“Nyji i dytë të urdhënit të ditës,që përbanë sjelljen e Qeverisë në pikpamje të përbrendshëme e, të përjashtme,si mas programit të dhanun prej Mbledhjes Kombtare të Durrësit.Nga bisedimet e fjalët q’u mbajtën u provue sheshazi se: I. Qeveria ka veprue jasht tagrit dhe programit qi i asht dhanë prej Kongresit të Durrësit; II. Qeveria ka prue pengime në mbështjelljen e Senatit të vendosun prej Kongresit të Durrësit; III. Me administratë të keqe të sajë ka shkaktue anarqi në gjithë anët e Shqypnisë; IV. Tue u mbështetun në politika të veçanta shtini në një situacion të keqë gjindjen politike të Shqipnisë e, V. Tue përdorë gjithë fare intrigash u mundue me çdo mënyrë që të ndalin Mbledhjen Kombëtare,që kishte për qëllim shpëtimin e Atdheut nga reziqet e kërcënime”. (8)

Kongresi i Lushnjes për këto arsye si dhe të tjera vepra anti-kombëtare vendosi rrëzimin e Qeverisë së Durrësit.Ne këtë seancë Kongresi zgjodhi edhe delegacionin e ri pranë Konferencës së Paqes të përbërë nga:-“Imzot Luigj Bumçi,Mehmet Konica,Dr.Mihal Turtulli”, ndërsa sa i përket kryesisë së tij u la të zgjidhej midis tyre.  

Seanca e Katërt e Mbledhjes Kombëtare u zhvillua në datën 30 janar 1920 punimet u hapën në orën 9 para dreke.Në këtë seancë komisioni i zgjedhur për përgatitjen e protestave paraqiti përpara delegatëve nga një formulë protestimesh për të cilat ishte ngarkuar. 

-“Së pari u bisedue protestimi q’i drejtohej Konferencës së Paqit dhe,mas një kundërshtim mendimesh u pranue si u hoqë frazi “Kur ka me kjenë nevojë,organizatorët kemi me i zgjedhë vetë”.Mas këti u bisedue shkresa,q’u drejtu Senatit t’Amerikës,e cila u pranue duke iu shtu tekstit fjalët “Kufit ethnografikë”,Të e mbramja këndohet shkresa për Parlamentin Italjanë, por , mbi tekstin e kësaj shkrese passi u banë shumë kundërshtime, u vendosë  që kjo të rrëzohet e të formohet një Komision i ri  për me ba një tjetër me mënyrë ma të rreptë”. (9)

Kuvendi pas 10 minutash pushimi filloi përsëri punën ku vazhdoi me diskutimin e pikës Nr.4 të Rendit të Ditës. Kongresi vendosi që përveç Kabinetit (Qeveria) e Këshillës Kombëtare (Senati) të krijohej dhe një Këshillë e Naltë e përbërë nga 4 anëtar, e cila do të funksiononte duke u bazuar në Bazat e Kanunores dhe për këtë të fundit u ngrit një komision prej 10 anëtarësh.

-“ -Bazët e Kanunores së Këshillës Naltë-   I. Këshilla e Naltë,detyrohet të pëlqejë (aprovojë) çdo projekt që do t’i paraqitet prej Kabinetit i vërtetuem nga ana e Senatit.   II. Ka të drejtë në kohën e krizit ministruer të zgjedhë një Krye Ministrë për formimin e Kabinetit të rie,i cili hyn në fuqi kur se të pëlqehet prej Senatit.   III. Të zgjedhunit të Kryetarit të Kabinetit në kjoftë se refuzohet prej Senatit tri herë rresht Këshilla e Naltë detyrohet të mbështjellë Mbledhjen e Kombit.   IV. Këshilla e Naltë nuk ka të drejtë me përnda Senatin dhe, në kjoftë se u dalën midis tyne kundërshtime,Mbledhja Kombëtare e përgjithëshme,e rrëzonë Këshillën e Naltë ose përndanë Senatin.   V. Në kjofte se njëni nga gjymtyrët e K. së Naltë jep dorheqjen,tre të tjerët vijojnë në detyrë;në dhançin dorëheqjen dy,Senati do të zgjedhin dy të tjerë.   VI. Me t’arthmen e Mbretit në Fronin e Nalt mbretrurë Këshilla e Naltë njifet vetvetiu e rrëzueme ”. (10)

Statuti ose Kushtetuta e Parë e shtetit Shqiptar është “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” e njohur ndryshe si “Statuti i Lushnjes 1920”.Ky Statut përfaqëson kushtetutën e parë Shqiptare për faktin se ky ligj themeltar i shtetit u hartua dhe u miratua nga një Mbledhje Kombëtarë siç ishte Kongresi Kombëtarë i Lushnjes (21-31 Janar 1920) ku delegatët që merrnin pjësë në këtë mbledhje të rëndësishme për fatet e shtetit Shqiptarë ishin përfaqësues të zgjedhur nga populli shqiptarë në çdo Prefekturë të Shqipërisë.Statuti i Lushnjes ishte i përkohëshëm pasi Statuti përfundimtar do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese.Statuti i Lushnjes qëndroi në fuqi rreth dy vite pasi më pas Këshilli Kombëtarë (Parlamenti) në dhjetor 1922 do ta zgjeronte këtë statut dhe statuti i ri do të emërtohej  “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”.Statuti i Lushnjes kishte një përmbajtje të shkurtër vetëm me 6 nene si dhe ishte i përkohshëm por ai ka vend të veçantë në historinë e të drejtës kushtetuese në Shqipëri.

Mbledhja Kombëtare zgjodhi me votim të hapur Imzot Luigj Bumçi,Aqif Pashë Elbasani,Abdi bej Toptani dhe Dr.Mihal Turtulli për Anëtar të Këshillës së Naltë/Lartë, të cilët ishin propozuar nga Delegati i Beratit Iliaz bej Vrioni.Gjithashtu Kongresi vendosi që Imzot Luigj Bumçi e Dr.Mihal Turtulli të qëndronin në Paris dhe punët e Këshillës së Naltë ti kontrollonin dy të tjerë.Këshilla e Naltë ishte një organ kolegjial me atributet e kreut të shtetit/presidentit.

Pas zgjedhjes së Këshillës së Naltë, u  vendos me shumicë votash që të ishin 6 Ministra si dhe u propozua Kabineti (Qeveria).Kongresi vendosi që Qeveria të zgjidhej me votim të hapur.

-“Nën kryetari thot të propozohen personet e Kabinetit,Ngrihet z.Bektash Cakrani D. i Mallakastrës e propozonë këta: Zotni Sulejman bej Delvina,Ilias Vrioni,Z.Ahmet bej Zogolli,Sotir Peci,Ndoc Çoba,Mehmet bej Konica. Massi Zotni Ilias bej Vrioni për shkaqe të veçanta nuk e pranojë, u propozu Hoxha Kadriu i cili dhe u pranu”. (11)

Mbledhja Kombëtare vendosi që Këshilli i Lartë të betohej përpara Mbledhjes Kombëtare,Qeveria të betohej përpara Këshillës së Lartë si dhe Delegatët të betoheshin përpara Këshillës së Lartë.

Formulat e betimit ishin:-“BETIMI I DELEGATËVET   Mbledhja Kombëtare jep fjalën e nderit dhe Besën Shqiptare,tue u betu n’Emën të Perëndis se, deri sa Këshilla e Naltë vepronë mas ligjet e shtetit,tue ruajtun Independencën e plottë të Shqypnies,me mish e me shpirt do të jetë Mbrojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille”.                                                                                                                                             -“BETIMI I KËSHILLËS SË NALTË   Betohem n’emën të Perëndis,tue dhanë Besën Shqiptare e fjalën e nderit para Mbledhjes së Kombit se, do t’i shërbej popullit e shtetit Shqiptar drejtësisht e do të mprojë ligjet dhe Independencën e plottë t’Atdheut shejtë”. (12)

Pas kryerjes së betimeve kongresi filloi procedurën për zgjedhjen e Këshillës së Kombit (Senatit). Kongresi zgjodhi një Komision prej 8 anëtarësh i cili do të caktonte numrin e senatorëve për çdo Prefekturë. 

Seanca e pestë e Mbledhjes Kombëtare u mbajt në datën 31 janar 1920.Në këtë seancë Kuvendi i hapi punimet në orën 9 para dreke ku  si gjithmonë fillimisht u kontrollua kuorumi ku të pranishëm ishin shumica e delegatëve si dhe u lexua proceverbali i mbledhjes së kaluar.

-“Mer fjalën Zotni Eshref bej Frashëri D. i Korçës e thot se,meqën që, mas disa lajmeve të marruna prej Kavaje Durrësi ka mbetë pa Qeverie, duhet sa ma parë Kabineti m’u nisë për Durrës e me marrë frenat e sundimit në dorë.  Zotni Ilias bej Vrioni D. i Beratit mer fjalën e thotë meqën se shumic e ministavet të zgjedhun nuk ndodhen këtu,e asht nevojë për njëherë Kabineti me fillu nga puna,prandaj duhet të mejtohemi fort”. (13)

Fjala e Iliaz Vrionit u përkrah e mbështet dhe pas shumë bisedimesh e shkëmbim mendimesh,Kongresi për të shmangur një krizë ministrore të mundshme vendosi të zgjedhë vetëm për këtë herë me propozim të Këshillës së Naltë e me pranim të Mbledhjes Kombëtare të dy Drejtorët e Përgjithshëm të Degëve për Punët Botërore dhe Post-Telegrafit si dhe një Zëvëndës Ministër,duke i dhënë të drejtat që këta zëvëndesisht të merrnin pjesë në Këshillën e Ministrave. Kongresi zgjodhi në këto detyra të propozuarit prej Këshillës së Naltë pra Zëvëndës Ministër Hysen bej Vrioni,Drejtor i Përgjithshëm për Punët Botërore Eshref bej Frashëri dhe Drejtor i Përgjithshëm për Post-Telegrafet Idhomen Kosturi.

Në këtë seancë u krye edhe ndarja e portofolëve të Këshillit të Ministrave ku Kryeministër ishte Sulejman bej Delvina dhe Zëvëndës Kryeministër Eshref bej Frashëri,ndërsa Ministrat ishin:-“Ahmet bej Zogolli/Zogu-Ministër i Punëve të Brendshëme; Mehmet bej Konica-Ministër i Punëve të Jashtme; Sotir Peci-Ministër i Arësimit; Hoxha Kadri/Prishtina-Ministër i Drejtësisë ndërsa zëvëndës Hysen bej Vrioni; Ndoc Çoba-Ministër i Financave ndërsa zëvëndës Idhomen Kosturi”.

Seanca e pestë e Mbledhjes Kombëtare rifilloi punën  përsëri mbas dreke pas pushimit.Në këtë seancë u zgjodh Senati ku si fillim komisioni përkatës parashtroi përpara mbledhjes raportin e përgatitur dhe pas dikutimeve Kongresi vendosi që Gjirokastra,Korça,Vlora,Berati,Elbasani,Durrësi,Drini,Shkodra të kishin nga 4 mandate senatori ; Mat,Has e Krasniq 3 mandate senatori, ndërsa Lezha 2 mandate në senat.Senati/Këshilli Kombëtar gjithsej do të përbëhej nga 37 senator.

-“Mas këti Vendimi z.Xhafer Ypi D. i Durrësit propozon që, meqënëse Lushnja mori inisjativën për këtë Kongresë ,t’i jepet për nderim e drejta m’u përfaqësu veçanërisht në Senatë. D. i Lushnjes i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara,tue iu falenderit mbledhjes së Kombit,thotë se Lushnja nuk e bani për shpagim por e qujti për detyrë,atherë Z.Eshref Frashëri  D. i Korçës propozon t’i shkruhet popullit Lushnjes një falenderim prej anës së Mbledhies Kombëtare,që të mbetet për kujtim në arqiv të Katundaries së Lushnjes pranohet me trokitje durësh.Mas këtyne Nën Kryetari kërkonë që të paraqiten prej delegatëvet të secilës Prefekturë personet për Këshillën e Kombit,që, tue u shoshitun, t’aprovohen nga Mbledhja Kombëtare”. (14)

Senatorët e zgjedhur nga Kongresi për në Këshillin Kombëtar ishin:-“BERAT:-“Hysen bej Vrioni;Llambi Goxhomani;Bektash bej Cakrani,Spiro (Pilo) Papa”. GJIROKASTËR:-“Beqir bej Rusi (i cili rrogen ia fali qeverise);Kiço Koçi;Dhimiter Kacimbra;Neki Ruli”. KORÇË:-“Qani bej Dishnica;Kostaq (Koço) Kota;Sejfi Vllamasi;Thimi Çikozi”. VLORË:-“Qazim Koculi;Spiro Jorgo Koleka;Sadullah Tepelena;ndersa senatori i 4 u la qe te zgjidhej ne vend”. ELBASAN:-“Shefqet bej Verlaci;Visarion Xhuvani;Adem Peqini/Gjinishi;Qazim Durmishi”. DURRËS:-“Mytesim ef. Tirana/Kelliçi;Ymer bej Shijaku;Irfan bej Ohri (i cili rrogen ia fali qeverise),Veli bej Kruja”. DRIN:-“Dine Dema;Dine bej Mashllara;Ramiz Daci;Osman Mustafa Lita”. MAT,HAS E KRASNIQE:-“Abdurahman Krosi (MATI);Halim bej Çela;Bajram bej Curri””.

Kongresi në lidhje me senatorët e Shkodrës dhe të Lezhës vendosi që ata të zgjidheshin në Prefekturat e veta,duke qënë se delegatët e këtyre prefekturave nuk kishin mundur të vinin në Mbledhjen Kombëtare në Lushnje.

-“Mas aprovimit të Këshillës së Kombit, nënkryetari n’emën të Këshillit Nalt e të Kabinetit iu falë nderit delegatëvet,tue i sigurue se do t’mundohen me çdo therori për me kry barren e randë qi u asht ngarku për shpëtimin e Atdheut e të Kombit”. (15)

Mbledhja Kombëtare i mbylli punimet e saj pasi u përmendën të gjitha pikat e programit të caktuar në rendin e ditës dhe pasi vendosi që delegatët të mos largoheshin nga Lushnja deri sa Qeveria e re të merrte drejtimin e vendit.Senati dhe “Bazat e Kanunores së Këshillës së Lartë” të miratuara nga Kongresi i Lushnjes përfaqësojnë i pari Parlamentin dhe e dyta Kushtetutën e Parë Shqiptare sepse u zgjodhën e u miratuan nga një kuvend kombëtar (Kongresi i Lushnjes) që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptar.Shqipëria që prej kohësh ishte e pushtuar dhe në rrezik nga planet grabitqare të fuqive të mëdha për ta coptuar edhe më shumë territorin e saj,tashmë nga vendimet që u morën në Kongresin e Lushnjes do të ishte e lirë dhe me institucionet e saj sovrane,të ligjshme dhe demokratike.

REFERENCAT:

1.     DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939)),Dosja I-I-48;

2.     DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912)),Dosja 38-1-82;

3.     DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939)),Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”, fq.11;

4.     Po aty,fq.12;

5.     Po aty,fq.12;

6.     DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912)),Dosja 38-2-83;

7.     DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939)),Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”, fq.13;

8.     Po aty,fq.14;

9.     Po aty,fq.15;

10.   Po aty,fq.16-17;

11.   Po aty,fq.17-18;

12.   Po aty,fq.18-19;

13.   Po aty,fq.19;

14.   Po aty,fq.21-22;

15.   Po aty,fq.24.

*KEVIN HAXHIU – I diplomuar në Master i Shkencave në Drejtësi në “E Drejtë Publike” , si dhe ka fituar titullin AVOKAT me Nr.License:13081,Datë 01.11.2024. Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes,Patriotit Bajram Haxhiu. 

Filed Under: Komente

IBRAHIM RUGOVA MIDIS REALITETIT DHE IKONËS

January 22, 2025 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm. I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1998. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi. Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste të reinkarnuara edhe me amalgamin religjioz, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht ndërmorën fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër hegjemoniste e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankoviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët në federatën jugosllave, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, e ngritjes së Kosovës në Republikë në demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kuadër të zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, po pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të krijonin edhe ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë nga Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986, shtrohej domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm. Dhe, njëherësh, do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, po një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Si herën e parë, dhe herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani. Zoti Hase, nga Ministria e Jashtme më njoftoi se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel. Tha se për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës, i vendosur në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit, ishte mysafir i qeverisë gjermane. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pas njoftimit zyrtar, Has më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, me rastin e largimit në Gjermani dhe aty personalisht ia kisha shpjeguar arsyet e këtij veprimi, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, takova Rugovën e qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka kaloi në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante. Ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja” (ato ditë i ishte ndarë çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa hesapeve nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos të shtoja se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe, pas asaj bisedë, i fascinuar, kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet qerja do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit. Kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon, filloi ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh nga rezidenca e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete dhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa ditë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike, por qe te një pjesë e liderëve zyrtarë në Shqipëri dhe nga disa nga oponentët e tij politikë në Kosovë ishte ngarkuar me anatemën e “tradhtarit” pa përjashtuar edhe atë të “kuislingut”, të mveshur nga një shkrimtar – bashkëpunëtorë i tij i afërm nga koha e themelimit të LDK-së. Ndaj, prisja që biseda jonë të niste nga shfrimi i asaj barre të rëndë. Por, para se të ndodhte ky shfrim i gjatë, i paraparë të trajtohet në mënyrë komplekse në një botim të veçantë, në një si uvertyre, zuri frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, tha me një shqetësim të thellë.

Ia ktheva se nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj.

Por, prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin…”

“Kush do ta donte…?”

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej…”

(Shkëputje nga libri “Kthesa historike” 1- Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë, 2008).

Filed Under: Opinion

DORËHEQJA E ISMAIL QEMALIT

January 22, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

“Për të triumfuar, kemi nevojë për udhëheqës të frymëzuar nga idealizmi, udhëheqës me vizione madhështorë, që ëndërrojnë të pamundurën dhe luftojnë për t’i bërë ëndrrat realitet; që mund të ndezin shpirtin e popullit me zjarrin e shpirtit të tyre. Udhëheqësi i momentit, kushdo qoftë ai, është thjesht një mjet, që përdoret derisa të konsumohet dhe më pas lihet mënjanë; dhe nëse ai vlen diçka, nuk do të shqetësohet më shumë kur ai të “thyhet” sesa një ushtar që sakrifikon jetën e tij për fitoren.” – Theodore Roosevelt, ish-president i SHBA-së.

Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme. Dorëheqja e Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit të parë të Shqipërisë në Vlorë, më 22 janar 1914, mbetet edhe sot e gjithë ditën një nga ngjarjet më domethënëse, por edhe më të keqkuptuara në historinë e Shqipërisë. Por le të përpiqemi të kuptojmë arsyen, pse!?

Më 2 janar 1914, vetëm pak ditë para dorëheqjes së tij nga kryesimi i Qeverisë së  Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, i shkruajti një letër prefektit të Elbasanit Aqif Pashës. Në këtë letër Ismail Qemal Vlora analizonte me një qartësi mbresëlënëse situatën politike në vend dhe tregonte rrugën drejt së ardhmes: “Shqipërinë e shpëtuam, i bindëm tërë mbretëritë ta pranojnë se Shqipëria siguron ekuilibrin ballkanik dhe prandaj është e domosdoshme për paqen botërore të Evropës dhe me ndihmën e perëndisë, nuk ka mbetur vend për ndonjë rrezik që të na shqetësojë në të ardhmen. Por për ne ka mbetur vetëm një çështje që na shqetëson: ne nuk e durojmë dot njëri-tjetrin dhe, e mirë apo e keqe, çdo gjë që bëjmë në anën tonë, has në vështirësi dhe sjell pasoja. 

Sa për ekzistencën e Shqipërisë, që jua kemi njoftuar herët a vonë, të gjitha mbretëritë e mëdha ekzistencën e saj e konsiderojnë të domosdoshme dhe janë të vendosura unanimisht dhe me një mënyrë të prerë që t’ia plotësojnë tërë nevojat e saj, saqë të mos mbetet e shtrënguar të varet e të lidhet me ndonjë anë. Po, për fat të keq, ai bashkim që ndodhet në mes të mbretërive të mëdha, midis nesh mungon. Megjithëkëtë, atdhetarët duhet të mos dëshpërohen, mbasi të zotërit e vullnetit të mirë dhe të iniciativës, do të shpëtojnë atdheun e tyre edhe nga kjo fatkeqësi. Në mes të këtyre patriotëve në shkallë të parë dhe vendin më kryesor e keni zënë zotëria juaj. 

Shqipëria në rast se nuk tregon zotësinë e saj që të rrojë si komb ballkanik, nuk mundet të rrojë si mbretëri – po kjo vallë si duhet të realizohet? Më parë duke pasur një formë qeverimi që ta bëjë kombin tonë të rrojë në harmoni të përbashkët me mbretëritë perëndimore dhe e dyta në krye të këtij qeverimi duhet të ketë një sovran, i cili, duke qenë i pajisur me një aftësi të mirë, me fisnikëri dhe me cilësi të shkëlqyera, të mundet të lidhë marrëdhënie miqësie me mbretëritë e Europës. 

Ata njerëz që dëshirojnë të na privojnë nga këto dy mirësira, pa dyshim meritojnë emrin intrigantë dhe tradhtarë dhe propaganda e tyre, burimi dhe shkaku i së cilës le të jetë si të jetë, duhet të mallkohet nga ana e të gjithë atyre që pretendojnë se janë besnikët e popullit dhe të atdheut. Unë e di, Esad Pasha dhe pasvajtësit e tij, lartësinë e tij princin, në një anë po e ftojnë në një mënyrë tepër tërheqëse dhe patriotike, nga ana tjetër, po përpiqen të dredhin e të përdredhin intriga kundër tij dhe më mirë të themi, kundër teorisë sonë politike dhe filozofike. Në një krah anojnë të ngrehin marrëdhënie intime me Stambollin dhe kësisoj duan të sigurojnë fuqinë dhe interesat vetjakë nën maskën e myslimanizmit, dhe në krahun tjetër, nuk mungojnë të marrin çdo iniciativë për t’i shërbyer armikut tonë, i cili përpiqet të na copëtojë atdheun.

Misterin e këtyre gjërave të vërteta ua kam njoftuar hollësisht atyre që duhet t’u njoftoheshin dhe me ndihmën e zotit shpresojmë se qëllimet e tradhtarëve, nuk do të realizohen. Mënyra e pritjes së princit dhe vendi ku do të qëndrojë, do të caktohen nga ana e atdhetarëve dhe brenda kushteve legjitime që i kërkon interesi i atdheut. Mbi këtë çështje, me delegatët e kontrollit jemi në një mendim…”

Liderët e farkëtojnë lidershipin te hollësitë e vogla. I ashtuquajturi “komploti i Beqir Grebenesë” u nxit nga xhonturqit, të cilit synonin të ruanin sërish kontrollin mbi Shqipërinë, duke shfrytëzuar situatën e vështirë pas luftërave ballkanike dhe paudhësitë e disa bejlerëve shqiptar. Kaosi i krijuar në Shqipërinë e Mesme nga Esat Toptani dhe pasvajtësit e tij ishte një tjetër faktor që i hidhte benzinë zjarrit. Prandaj, Ismail Qemali e zgjidhi krizën e krijuar me dorëheqjen e tij. Me këtë akt, që shpalos virtuozitetin e lidershipit të tij, Ismail Qemali synonte që ti jepte mundësi KNK-së, që të bashkonte vendin nën një qeverisje unike. Ai u bë kështu edhe dorëheqësi i parë. Pra, edhe themeluesi i institutit të dorëheqjes në politikën shqiptare. 

Dorëheqja e Ismail Qemalit krijoi një boshllëk, i cili nuk mund të mbushej nga administrata e KNK-së. Ismail Qemali së bashku me familjen e tij u largua nga Vlora drejt Italisë e më tej në Francë. Pavarësisht situatës dramatike, ai nuk e humbi optimizmin dhe e shikonte largimin si të përkohshëm. Ai i këshilloi njerëzit e tij që të vazhdonin të bashkëvepronin me njëri-tjetrin “se një ditë do të vinte ora e bardhë e fatit të Shqipërisë”.

Ky është teksti i plotë i proces-verbalit ku pasqyrohet zyrtarisht dorëheqja e Ismail Qemalit: “Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prani të Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se rruga e vetme për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë, që sundon në vend është krimi i një qeverie të vetme për të gjithë Shqipërinë, dhe, meqë në rrethanat e tanishme ky qëllim mund të arrihet vetëm nëse ai e kalon pushtetin në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit si përfaqësues i Fuqive të Mëdha, në prani të ministrave të tij ia përsëriti Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit kërkesën e paraqitur më parë, që ky Komision të marrë përsipër këtë detyrë dhe të marr pushtetin në duart e tij. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit çmon me respekt ndjenjat atdhetare nga është nisur Shkëlqesia Ismail Qemal Bej në veprimet e tij, e pranon këtë delegim pushteti dhe, me autorizimin përkatës të Fuqive të Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë. Nënshkruar: “Ismail Qemali, Nadolny, Petroviç, Krajewski, Harry Lamb, Leoni, Petriaew.”

Shqiptarët e ndershëm, të hidhëruar e mirëkuptuan sakrificën e Ismail Qemalit. Me keqardhje ata e pranuan këtë akt. Ata shpresonin që largimi i Ismail Qemalit nga drejtimi i vendit, do të ishte i përkohshëm. Në telegramin dërguar Ismail Qemalit, më 23 janar 1914, patriotët elbasanas shprehen: “Me gjithë shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta të tonat për burrënijën e atdhetarien që dëftyet. Kjo therori me të vërtetë ju gjanë asaj burrënie që ngrite flamurin për të parën herë në Vlonë. Këto dy punë nuk ka me t’i harrue Shqipënia kurrë.”

Patriotët lushnjarë e shprehën keqardhjen e tyre për dorëheqjen e Ismail Qemalit, me telegramin e datës 23 janar 1914, në këtë mënyrë: “Lajmi i hidhur i largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si shkëlqesia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, u prit me keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Gjesti i Shkëlqesisë S’uaj që synon bashkimin e kësaj copëze Shqipërie, ka bërë të dështojnë qëllimet djallëzore të disa keqdashësve të kombit, të cilët në të kaluarën e në të tashmen nuk i kanë kursyer tradhëtitë për ta bërë Shqipërinë viktimë të interesave të tyre personale të poshtra, është glorifikuar dhe nderuar prej të gjithëve. Është e plotë shpresa për ta parë në një kohë shumë të afërt Shkëlqesinë Tuaj përsëri në atë post të shenjtë dhe me shumë nderime ju puthim duart tuaja të ndershme.”

Bashkëpunëtori i tij besnik, Aqif pashë Elbasani, në telegramin dërguar Ismail Qemalit, shkruan se: “Gjesti atdhetar i Shkëlqesisë Suaj u shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të bëra nga ju. Meritoni nderime dhe me këtë rast adhuroj Shkëlqesinë tuaj.”

Ismail Qemali do ti shkruante gazetës franceze “Le Matin”, të martën e 3 shkurtit 1914, duke reaguar ndaj një shkrimi të botuar pak kohë më parë në gazetën italiane “La Tribuna” lidhur me dorëheqjen e tij: “Nëse u kërkova Fuqive të Mëdha që të lejojnë përfaqësuesit e tyre të marrin qeverinë e Shqipërisë deri në ardhjen e princit, kjo ishte vetëm për një qëllim thjesht patriotik dhe me miratimin e lartë të tyre.”

Ismail Qemali u largua nga Vlora dhe shkoi për të pushuar pak kohë në Nicë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri në maj 1914. Prej andej ai ndiqte me kujdes ngjarjet në Shqipëri. Zhvillimet e mëpasshme në Shqipëri do t’i jepnin atij plotësisht të drejtë. Ai ishte zhgënjyer me zgjedhjen që bënë Fuqitë e Mëdha, në caktimin e një sovrani anonim. Kjo pasqyronte mungesën e vëmendjes së tyre ndaj Shqipërisë. “Në politikë, ajo që parashikohet nuk ndodh kurrë,” – thoshte Ismail Qemali. Por, ai paralajmëroi Princin Vidin, për pasojat e vendimeve të tij të gabuara.

Princi i ri u vendos në Shqipëri. Ai përzgjodhi si kryeqytet dhe si rezidencë mbretërore Durrësin, të cilin Ismail Qemali e shikonte si më pak të përshtatshmin. Ai vijoi me vendime të tjera të gabuara, të cilat do të përshpejtonin fundin e mbretërimit të tij të shkurtër. Akti i parë i tij, ende pa zbritur në tokën shqiptare, ishte ai i emërimit të Esad Pashë Toptanit, si ministër i Luftës dhe si gjeneral i parë i Shqipërisë. Madje ishte vetë Esadi ai që e priti në bregun e Durrësit, më 7 mars 1914. Gjithsesi, Ismail Qemali e përkrahu Princ Vidin, pavarësisht se e dallonte paaftësinë e tij.

Në intervistën e dhënë për gazetarin italian Arnaldo Cipolla, natën e 22 janarit duke u gdhirë 23 janari 1914, Ismail Qemali thotë se, çështja “Grebeneja” dhe dorëheqja e tij nuk kanë asnjë lidhje: “Ardhja e Princ Vidit,” – tha ai – “nënkupton domosdo se nuk do të ekzistojë asnjë qeveri e përkohshme shqiptare.” Ismail Qemali vijoi më tej duke u shprehur se: “Është një lloj manie që keni ju dhe kolegët tuaj për të përzier dy çështje që s’kanë të bëjnë me njëra-tjetrën: njëra që lidhet me komplotin e xhonturqve dhe tjetra me pezullimin e qeverisë. Jua përsëris se nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët mes fantazive të xhonturqve, që nuk mund të ringjallen kurrë në Shqipëri, dhe dorëheqjes së qeverisë.”

Fjalët e Ismail Qemalit në përfundim të intervistës shpalosin gjendjen e tij shpirtërore, në çastet e largimit nga atdheu, ku ai sapo kishte krijuar shtetin modern shqiptar. Ai i shpjegon gazetarit arsyen e vërtetë pse po ikte: “Nevoja për pushim, jo arsye tjetër. Më besoni, jam tmerrësisht i lodhur! Përpiquni të mendoni se çfarë barre të madhe ka në shpinë qeveria e përkohshme, një qeveri e varfër dhe e keqtrajtuar, se çfarë pune ka bërë ajo për të mirën e vendit, që nga dita e paharruar kur u shpall pavarësia në atmosferën e dhimbshme të shkaktuar nga bllokada greke, e deri më sot. Ishim ne që e ushqyem atë flakë të parë e të ndrojtur të lirisë. Na e njihni këtë meritë, para se të përfundojë misioni ynë. 

Ismail Qemali thotë se, në ditët që i paraprin ardhjes së Princ Vidit, pozita e tij nuk ishte aspak e këndshme, dhe citon thënien proverbiale që përshkruante më së miri gjendjen e tij: “Proverbi juaj i krishterë nemo prophetia in patria (nuk ka profet, në vendin e vet) është më i vërtetë se kurrë në tokën tonë të dhimbshme. Por unë nuk jam lypsar në kërkim të bamirësve.”.

Në librin e tij “Ben Kendim”, i botuar në Londër në vitin 1924, ushtaraku, diplomati, punonjësi i shërbimit sekret dhe deputeti britanik Aubrey Herbert, rrëfen një histori tepër domethënëse për mendësinë e mbrapshtë të politikës shqiptare. Aubrey Herbert ishte mbrojtësi i çështjes shqiptare në skenën politike britanike. Pas qëndrimit në Vlorë dhe takimit me Ismail Qemalin, ai rrëfen edhe për takimet e zhvilluara me Dervish Himën dhe Esat Toptanin, në Tiranë, më shtator të vitit 1913, lidhur me të ardhmen e Shqipërisë:

“Dervish Hima, një burrë i madh, brutal, shërbyes i Esat Pashës, dhe mënyrë sjellje dhe fjalor si ajo e Turqve të Rinj.

Dervish Hima: “Le gouvernment d’ismail Kemal est maudit.” (Qeveria e Ismail Qemalit i ka ditët e numëruara dhe nuk zgjat shumë.)

Aubrey Herbert: “Ayez la bonted d’expliquer, je nouve en prie” (Kini mirësinë që të ma shpjegoni, ju lutem.)

Dervish Hima: “Il n’a pas fait une route. Il n’a pas donne abandomment a manger a douze mille refugees. Il faut avoir un nouveau gouvernement.” (Nuk ka ndërtuar rrugë. Nuk u ka dhënë për të ngrenë12 mijë refugjatëve. Na duhet një qeveri e re.)

Aubrey Herbert: “Nuk do ishte më mire që të përqendroheshit që të ushqenit refugjatët, dhe të mendonit për përmirësime sado të vogla por të domosdoshme, sesa merreni me konflikte politike?”

Biseda me Esat Pashën:

Esat Pasha erdhi në drekë. Folëm turqisht në fillim, por aty ishte një shqiptar që fliste në frëngjisht dhe na përktheu.

Esat Toptani: “Ismail Qemali është hajdut dhe njeri pa rrënjë. Ç’ka dua unë është që të mbroj Shqipërinë dhe të tërhiqem.”

Aubrey Herbert: “Ismail Qemali ka të njëjtin opinion për Shkëlqesinë tuaj. Vendi juaj do të ishte më i sigurt vetëm kur ju të dy të merreni vesh dhe jo të ziheni e përçaheni.”

Esat Toptani: “Diferenca midis meje dhe Ismail Qemalit është se unë jam i sinqertë, kurse ai jo. Unë mund të tregoj më shumë për të.”

Aubrey Herbert: “Një i huaj nuk mundet që të hyjë në këto çështje. Evropa njeh Ismail Qemalin më mirë sesa Shkëlqesinë tuaj, dhe ajo preferon dikë që njeh, me gabime, në vend të dikujt që nuk e njeh, i cili mundet po ashtu që të ketë gabime.”

Esat Toptani: “Shkova në Vjenë para disa muajsh ku më premtuan një Princ brenda 10 ditësh. Pastaj shkova në Romë me shpresën se kjo do të ratifikohej, dhe si përfundim kjo nuk ndodhi. Dyshoj se Ismail Qemali u ka thënë italianëve që do ishte më mirë të mos emërohej Princi, që të mos ketë asnjë vështirësi, që ai të veprojë lirisht. Besoj se Ismail Qemali, kërkon me çdo kusht të jetë virtualisht Princi i Shqipërisë, dhe një ditë kjo do të sanksionohet me ligj.”

Aubrey Herbert: “Për këtë kërkohet miratimi i Komisionit. Pa miratimin e tij, ky ligj nuk ka fuqi.”

Esat Toptani: “Komisioni dhe diskutimet do të zgjatin disa kohë, dhe ne fund do e pranohet (un fait accompli). Ju nuk i dini problemet që unë kam pasur nga thashathemet se dua të bëhem Princi i Shqiptarëve.”

Aubrey Herbert: “Po të isha unë në vendin tënd Shkëlqesi, nuk do shqetësohesha nga kjo, sepse ka gjëra të tjera më të këqija që thuhen për ju.”

Përkthyesi: “Faut-il le dire, si brutalement?” (Duhet që ta them në mënyrë kaq brutale?)

Aubrey Herbert: “Po. Situata aktuale, e pa stabilizuar, dhe mungesa e një dorë e fortë udhëheqëse përbëjnë rrezik, tanimë që edhe vendi është i pushtuar. Planet e Shkëlqesisë tuaj, mua, më duken sikur duan të rrisin këtë pasiguri, dhe duket sikur ju luani lojën e serbëve dhe të grekëve, të cilët kërkojnë që t’ju paraqesin juve në Evropë si një vend i pacivilizuar dhe i përçarë.”

Esat Toptani: “Unë mendoj që të mbledh burrat më të shquar. Pastaj do të thërrisja Asamblenë e Përgjithshme”. 

Aubrey Herbert: “Domethënë do të marrësh mandat nga i gjithë vendi?”

Esat Toptani (heziton): “Shqiptarët e Jugut kanë me pak rëndësi se provincat e tjera. Do ta bëja këtë nëse qeveria do të vendoset në Durrës.”.

Aubrey Herbert: “Sikur qeveria të vendoset në Durrës, mundet që opinioni i huaj të thotë se, kjo ndodhi se ju Esat Pasha dominoni Durrësin.”

Esat Toptani: “Nëse është ky problemi, atëherë le të shkojmë diku tjetër. Nuk dua të përplasem me Ismail Qemalin. Ai është fajtori. Unë besoj shumë tek mbështetja angleze.”

Aubrey Herbert: “Dhe Shqipëria do ta marr mbështetjen, vetëm atëherë, kur ju personalisht të mos krijoni trazira.”.

“Esat Toptani,” – rrëfen Aubrey Herbert në librin e tij “Ben Kendim”, – “pasi  kishte përvetësuar një sasi të konsiderueshme parash në Durrës, i dërgoi një ultimatum Ismail Qemalit në shtator 1913, që selia e Qeverisë të zhvendosej në Durrës. Dhe në këtë mënyrë edhe sasia e madhe e parave të ndahej midis tyre. Por kjo ishte diçka e papranueshme për Ismail Qemalin…”

Esat Toptani me akrabanë e tij dëshironin që të ruanin në Shqipërinë e re, privilegjet e vjetra.  Ata ishin me idenë “që gjithçka duhet të ndryshojë, që gjithçka të mbetet siç ishte”. Prandaj, ata nuk ju bashkuan kurrë Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë në rrugën e vështirë të bashkimit kombëtar.

Duket sikur situata politike e përshkruar më sipër është përsëritur herë pas here përgjatë historisë sonë kombëtare. Kultura e mbrapshtë politike, paaftësia proverbiale për t’u bashkuar si një trup i vetëm dhe paaftësia për të menduar strategjikisht, duke lenë mënjanë interesat e vogla personale për hir të interesit të madh kombëtar, i ka munguar shpesh  klasës sonë politike…

Historia që po sjellim më poshtë është metafora më e mirë për të ilustruar mendësinë e ndryshme që karakterizonte Ismail Qemal Vlorën dhe Esat Toptanin. Ajo është një histori që na vjen nga Solomoni, një nga sovranët më të shquar të Izraelit: “Dy gra që jetonin në të njëjtën shtëpi kishin lindur dy foshnje në distancë prej pak ditësh nga njeri tjetri. Për fat të keq një natë njëra prej foshnjave vdes. Nënat nuk po gjenin paqe, se kush prej tyre do ta mbante foshnjën që mbijetoi. Prandaj vendosën që ti nënshtroheshin gjykimit të mbretit. Solomoni urdhëroi që ti sillnin një shpatë që ta ndante fëmijën në mes, në mënyrë që secila prej tyre të mbante një pjesë. Nëna e vërtetë me lotët në sy lejoji që fëmijën ta mbante gruaja tjetër, me qëllimin e vetëm që ti shpëtonte atij jetën. Në këtë mënyrë iu çor maska gruas tjetër dhe nëna e vërtetë arriti që ta mbante përfundimisht fëmijën e saj…”

Ismail Qemali është kritikuar shpesh për aktin e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Shqipërisë. Një gjest ky i rrallë për udhëheqësit edhe sot, sepse është shumë e vështirë të heqësh dorë nga pushteti. Ndërthurja e egoizmit, megalomanisë dhe tiranisë e bëjnë shpesh këtë të pamundur për natyrën njerëzore. Prandaj dorëheqja e Ismail Qemalit duhet parë jo si dobësi, por si akti më sublim i atdhedashurisë. Ai nuk donte që të përfshihej në atë moment në një luftë pushteti me Esat Toptanin. Pasi kjo luftë e kombinuar me propagandën sllavo-greke, e cila i paraqiste shqiptarët si njerëz me bisht në sytë e opinionit publik evropian, do të ishte vdekjeprurëse për shtetin shqiptarë të porsalindur…

Gjithë liderët e mëdhenj në historinë botërore kanë siguruar arritje të mëdha për vendin e tyre, duke pasur fuqi të mjaftueshme ekonomike e ushtarake, tek e cila mbështeteshin. Ndërsa, Ismail Qemali arriti që të themelonte në Shqipërinë e varfër e të robëruar një shtet, pa pasur as forcën ekonomike as atë ushtarake. Bile i luftuar nga jashtë edhe nga brenda vendit. Por, pikërisht në këto detaje qëndron forca e lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.

Në një fjalim të tij të tetorit 1913, Ismail Qemali do të deklaronte para popullit të Vlorës: “Mundet se që atëherë e gjer më sot qeveria nuk i bëri disa gjera që duheshin bërë, apo bëri ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s’mund t’i mohohet qeverisë sonë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me rëndësi? Po s’ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bëri qeveria për të mos lanë të vobektin të vuajë…”

Duket se më këto pak rreshta Ismail Qemali, ka përmbledhur më së miri thelbin e trashëgimisë së qeverisjes së tij të shkurtër. Sepse nuk ka rëndësi se sa zgjat jeta e një njeriu. Rëndësi ka mënyra sesi ai i shpenzon vitet e jetës së tij, qofshin ato pak apo shumë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për udhëheqësinë. Nuk ka rëndësi se sa shumë vite qëndron një lider në pushtet. Më e rëndësishme për lidershipin është trashëgimia ideore e shpirtërore që ai lë pas. Të dish se kur është koha e duhur për të hequr dorë është pjesë vendimtare e udhëheqësisë.

Kryeministri i parë i Shqipërisë Ismail Qemali, kishte kuptuar një nga parimet kryesore të demokracisë: gjëja më e vështirë në sistemin demokratik nuk është të fitosh pushtetin, por të dish se kur duhet ta dorëzosh atë. Në shtator të vitit 1913, mbasi e kishte realizuar vizionin e tij për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të mosvarme, Ismail Qemali do t’i deklaronte deputetit britanik Aubrey Herbert-it: “Unë jam një burrë i vjetër. Unë dua vetëm që atdheu i im të eci me këmbët e veta – dhe pastaj do të jap dorëheqjen. Jam i lodhur. Jam shumë i lodhur.” Aubrey Herbert ushqente simpati për Ismail Qemalin. Ai do të shkruante: “Plaku i shkretë mund t’ia ketë hedhur kujtdo dhe kurdo, por ai ka më shumë burrështetësi në një gisht sesa të gjithë të tjerët së bashku.”

Mënyra më e mirë për ta kuptuar një lider është tek fakti se si ai e përdor  pushtetin. Pena e Ismail Kadaresë e përshkruan kështu aktin e fundit të Ismail Qemalit: “Themeluesi, jo vetëm i dha lamtumirën gjithë asaj tradite që mund të quhej si tmerri i themeleve, por, si të mos mjaftonte kjo, kishte shkuar më tej. Bashkë me shtetin, e pak kohë pas krijimit të tij, ai kishte themeluar diçka që ndoshta ishte edhe më e vështirë se vetë shteti: dorëheqjen. Ai ishte Dorëheqësi i parë në këtë vend, e ndoshta në krejt gadishullin dramatik.”. 

Psikologia Tasha Eurich, në Harvard Business Review, shkruan se: “Kërkimet sugjerojnë se kur ne e shohim vetveten më qartë, ne kemi më tepër vetëbesim dhe kreativitet. Ne marrim vendime më të mira, ndërtojmë marrëdhënie më të forta, dhe komunikojmë më efektivisht. Jemi më pak të prirur që të gënjejmë, mashtrojmë, dhe vjedhim.”

Poeti i shquar vlonjat Fatos Arapi me finesë arrin që depërtojë në thellësinë e shpirtit të plakut fisnik, kur shkruan se: “Sa herë që i afrohem Ismail Qemalit në studimet e mia, ndjej si një dhimbje, si një brengë që e mundon kryetarin e parë të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë së Pavarur.” Poeti me ndjeshmërinë e tij të spikatur e kupton brengën e madhe të Ismail Qemalit, e cila lidhet me pamundësinë për të vijuar punën për realizimin plotësisht të vizionit të tij për bashkimin e përparimin kombëtar.

Ismail Qemali nuk do ta ndalte kurrë luftën për çështjen shqiptare dhe lirinë njerëzore. Motoja e tij ishte, “Mos u dorëzoni kurrë. Kurrë, kurrë, kurrë dhe asnjëherë.” Ai do ta vazhdonte betejën e tij deri ditën e fundit të jetës së tij, duke i përfshirë të gjithë patriotët në sfidën e madhe për ngritjen, bashkimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Në nëntorin e vitit 1917, Ismail Qemali do t’u drejtohej shqiptarëve me këto fjalë: “Nuk do të dyshoj asnjë minutë që të hyj në një luftë të re për të shpëtuar atdhenë tonë të dashur, kur jam i forcuar nga besimi dhe dashuria e bashkatdhetarëve të mij të dashurë dhe nuk dyshonj për fitim të plotë vetëm po të mund t’u gjejnë të gjithë bashkuarë duke lënë mënjanë kundërshtimet dhe grindjet…” Njeriu është mbi të gjitha një qenie shpirtërore. Koha dhe hapësira i bashkojnë shpirtrat njerëzorë, duke mundësuar kështu tejkalimin e sfidave të epokave të ndryshme, të cilat janë vendimtare për fatin e lirisë njerëzore. Providenca është fati. Fati kur i shërben një qëllimi sublim për nga vetë natyra.

Tipari më madhështor i njerëzve të mëdhenj, është aftësia për të lënë mënjanë interesin vetjakë për hir të së mirës publike. Ky ështe një tipar dallues i udhëheqësisë madhështore. Ismail Qemal Vlora është njëkohësisht themeluesi i Shqipërisë moderne dhe themeluesi i institucionit të dorëheqjes në Shqipëri.

Ismail Qemali krijoi diçka që nuk mund të zhbëhej më. Kundërshtarët e tij mund të krijonin çdo gjë tjetër, por kurrsesi të ndërtonin një Shqipëri të re. Shqipëria, krijesa e tij aq e dashur, tashmë qëndronte aty, si dëshmi e pamohueshme e lidershipit të tij virtuoz.

Megjithatë, trashëgimia sublime e Ismail Qemalit, nuk është kuptuar asnjëherë drejtë. Vdekatarët e zakonshëm shpesh harrojnë që pushteti nuk është qëllim në vetvete, por një mjet në shërbim të së mirës publike.

Politikanët tanë harrojnë një nga parimet bazë të udhëheqësisë. Lideri ka mbi vete jo vetëm përgjegjësinë  për të ditur se kur është personi i duhur për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të ditur se kur nuk është më personi i duhur për të udhëhequr…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Filed Under: Histori

SOCIÉTÉ DES NATIONS (1923) / FJALIMI I KRYEMINISTRIT TË SAPO ZGJEDHUR AHMET BEJ ZOGU NË DHOMËN E PËRFAQËSUESVE MBI PROGRAMIN E TIJ POLITIK ME 2 DHJETOR 1922

January 22, 2025 by s p


Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65
Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Janar 2025

“Société des nations” ka botuar, më 1 maj 1923, në faqen n°508, fjalimin e kryeministrit të sapo zgjedhur Ahmet Bej Zogu në Dhomën e Përfaqësuesve mbi programin e tij politik me 2 dhjetor 1922, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Programi i qeverisë aktuale.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Më 2 dhjetor 1922, në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve, kryeministri i sapo zgjedhur, Ahmet Bej Zogu, përvijoi programin e tij politik, në të cilin përfshihen pikat e mëposhtme :

Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65
Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65

“Qeveria synon të ndjekë një politikë kushtetuese dhe demokratike; ajo është në favor të lirisë së shtypit. Ajo njeh vështirësitë e shkaktuara nga ekzistenca, në popullatë, e tre elementeve të kulturave të ndryshme — njohuritë e përgjithshme dhe interesi i shfaqur për çështjet publike duke u zhvilluar më shumë në mesin e banorëve të jugut — por ajo shpreson të fitojë besimin e të gjithë këtyre elementëve të ndryshëm duke i trajtuar me drejtësi dhe duke e lënë secilin prej tyre të lirë të ndjekë prirjet e veta. Përpjekjet për organizimin e një kishe ortodokse të pavarur kanë qenë tashmë të suksesshme dhe qeveria do të përpiqet të inkurajojë zhvillimin e një organizimi më modern të Kishës (Xhamisë) Myslimane në Shqipëri. Qeveria shpreson të thërrasë Asamblenë Kushtetuese në shtator; ajo ka premtuar se do të qëndrojë neutrale në zgjedhje. Buxheti për luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera është dyfishuar dhe ekspertë nga jashtë do të merren për të ndihmuar në luftimin e këtyre sëmundjeve. Është reduktuar buxheti, është zvogëluar numri i nëpunësve civilë dhe tashmë qeveria ka filluar të riorganizojë administratën. Prefektët do të zgjidhen sa më shumë në bazë të eksperiencës që kanë në qarqet ku do të emërohen. Një ekspert juridik i huaj do të ndihmojë në riorganizimin e legjislacionit dhe gjykatave. Ushtria do të reduktohet sa më shumë dhe do të caktohet një organizator i huaj për këtë qëllim. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet punëve publike dhe tre batalione rekrutësh, në vend të një, si në të kaluarën, do të punësohen vetëm në ndërtimin e rrugëve, për të përshpejtuar krijimin e rrugëve të reja dhe riparimin e rrugëve ekzistuese. Parashikimet e buxhetit për 1923, të reduktuara rëndë, aktualisht kapin shifrën e 17 milionë frangave ari. Të ardhurat vlerësohen në 19 milionë; do të fitojmë kështu një tepricë prej 2 milionësh, të cilat do të mund të ndahen për punë publike shtesë.

Arsimi publik do të zhvillohet me miratimin e një regjimi kombëtar të vendosur me ndihmën e një eksperti të huaj. Por, mbi të gjitha, qeveria do të përpiqet të zhvillojë tregtinë, amullia e së cilës ka ndikuar në shqetësimin e një pjese të madhe të popullsisë. Qeveria shpreson se do të arrijë të tërheqë kapital të huaj në Shqipëri dhe pret që Lidhja e Kombeve të emërojë së shpejti këshilltarin financiar që ka kërkuar.

Në çështjet e politikës së jashtme, qeveria do t’i përmbahet rreptë neutralitetit, do të përpiqet të ruajë marrëdhëniet sa më miqësore me vendet fqinje dhe të qëndrojë në kontakt të ngushtë me Lidhjen e Kombeve, së cilës Shqipëria i detyrohet kaq shumë.

Qeveria shqiptare ka shprehur në disa raste dëshirën e saj të madhe për të siguruar bashkëpunimin e këshilltarit financiar që do të caktohet nga Lidhja e Kombeve; kjo do të ndihmojë në realizimin e programit të mësipërm dhe në zbatimin e reformave nga të cilat varet prosperiteti i ardhshëm i Shqipërisë.

Qeveria vendosi gjithashtu, siç u tha më lart, të caktojë ekspertë të huaj në çështjet e jurisprudencës, xhandarmërisë, arsimit publik, punëve publike, higjienës dhe ndoshta më vonë, shërbimeve të tjera.

Këta ekspertë, duket se duhet të caktohen në marrëveshje me këshilltarin financiar, i cili duhet të japë kreditet e nevojshme për pagat e ekspertëve, si dhe për zbatimin e projekteve që ata propozojnë.”

Filed Under: Histori

Prof. Beqir Krasniqi – Bajraktari, in memoriam…

January 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Emin Kabashi

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Këshilltar shkencor/

Bashkëbisedimi ka filluar që herët, për të mos thënë që në djep. Herë duke dëgjuar se çka flitej, herë tjetër duke parë me sytë e fëmijës ngjarjet që ndodhnin në familje, dhe së fundi duke u marrë me studimin e historisë. Do të thotë, një përvojë jetësore dhe studimore, që i ka mundësuar autorit të trajtojë gjithë ato ngjarje me peshë në historinë tonë kombëtare, qoftë vetëm në kuadër të Bajrakut të Vranocit, qoftë edhe vetëm në jetën e familjes së tij. Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit se në shkrimet e profesorit të historisë, Beqir Krasniqit-Bajraktarit, shumësia e temave që janë trajtuar, edhe si dëgjime të rrëfimeve gojore, herë tjetër si shkrime të veprave historike, janë trajtuar tema të periudhave të ndryshme kohore, si dhe tema të që kanë rëndësi të ndryshme për rrjedhën e historisë së popullit shqiptar.

Tërësia e jetës së një populli është histori

Kjo është njëra anë e veprimtarisë me të cilën është marrë, Beqir Krasniqi-Bajraktari, ngase në dorëshkrimet e tij ka lënë një dorë vështrimesh edhe për çështje të studimeve etnografike, gjë që shpalojnë një anë tjetër të vlerës së shkrimeve të tij në përgjithësi. Po ashtu, autori ka lënë edhe një varg shkrimesh, që mund të konsiderohen të natyrës së folklorit, ose thënë më saktë, të kujtesës popullore, e cila me mençurinë karakteristike, ka vënë në lojë aq shumë dukuri të jetës shoqërore, aq shumë mangësi të jetës së njeriut, si dhe aq shumë vese e vlera njerëzore, sa me zhdërvjelltësinë e tyre tregimtare i kanë përballuar kohës dhe kanë ardhur deri në brezin tonë, pra edhe të autorit, si vlerë e përgjithshme shoqërore. Arti i tyre i ka përballuar pluhurit të kohës, qoftë përmes aktit të rrëfimit në popull, qoftë përmes mënyrë së ruajtjes se kësaj vlere, që shpalon aq mirë disa nga anët karakteristike të jetë së njeriut tonë nëpër kohë dhe periudha të ndryshme të jetës në shoqërinë tonë.

Autori, profesor i historisë, në jetën e tij, ka edukuar breza të tërë nxënësish edhe të nivelit të shkollës fillore, edhe të nivelit të shkollës së mesme. Ai nuk ka lënë shumë të dhëna për këtë pjesë të jetës dhe të veprimtarisë së tij, ose edhe nëse ka pasur shënime të tilla i ka djegur dhe i ka shndërruar në hi pushtuesi serb, andaj ishte ngritur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër këtij pushtuese, që të çlirohej Kosova dhe të jetonte i lirë populli i saj. Ky pushtues, ashtu siç kishte rrënuar dhe shkatërruar muzeun e tij të vogël të shkollës në Baranin e Ulët, të cilin e kishte ngritur për vite të tëra, kishte shkatërruar edhe ato dëshmi shkrimore që kishte lënë autori, qoftë për veprimtarinë e tij edukative, qoftë për veprimtarinë e tij, në ato komisione të kuvendit komunal të Pejës.

Përditshmëria e jetës dhe shkrimi i historisë

Gjatë kohës sa ka qenë anëtar i këtyre komisioneve, ai ka ndihmuar shkollimin e të rinjve dhe të rejave të kësaj ane, qoftë duke ndikuar që të marrin bursë, qoftë duke ndikua që të regjistrohen në fakultetet dhe shkolla të larta, për të cilat kishte nevojë ajo anë e Kosovës, por qoftë edhe duke ndikuar për shkollimin e femrës shqiptare të kësaj ane. Sipas shënimeve që ka lënë profesori i historisë, Beqir Krasniqi-Bajraktari, por edhe sipas dëshmive që kanë dhënë bashkëpunëtorët e tij, kur flasin për ngritjen e atij muzeu të vogël të shkollës, thuhet se ajo vërtetë ishte një përpjekje e vogël e karakterit muzeor, por ishte e madhe si mundësi për mbledhjen e dëshmive të kohës, për të cilat njeriu ndonjëherë nuk kishte shumë informacion për vlerat e atyre gjetjeve.

Dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e profesorit, kur flasin për shkatërrimin e atij muzeu të shkollës së Baranit të Ulët nga forcat pushtuese serbe, sjellin në kujtesë vlerën e atyre gjetjeve, rëndësinë për shpjegimin e proceseve historike të jetës së popullit para nxënësve dhe kalimtarëve të rastit, si dhe për lashtësinë e pranisë së popullit shqiptar në këto anë të Kosovës. Qoftë, edhe vetëm përpjekja për të ngritur një muze, ku do të ekspozoheshin gjetjet e periudhave të ndryshme kohore, që me gjuhën e arkeologjisë kanë folur për lashtësinë e jetës në këto anë, është e mjaftueshme për ta përmendur, për ta kujtuar dhe për ta admiruar profesorin e historisë, Beqir Krasniqin-Bajraktarin.

Një jetë duke folur për historinë

Duke u marrë tërë jetën me edukimin e nxënësve, duke shpjeguar historinë dhe gjeografinë para tyre, ai kishte mundësi të shihte edhe konkretisht ndryshimin në mes asaj historia, që ia kishin treguar në odën e familjes, nga ajo histori që shkruhej në tekstet shkollore të historisë dhe që duhej shpjeguar nxënësve, sipas plan programeve shkollore të periudhave të ndryshme të zhvillimit të arsimit në Kosovës. Prandaj, profesori Beqir Krasniqi-Bajraktari, më qartë se të tjerët, jo vetëm e kishte hetuar dhe e kishte ndjerë në kurriz peshën e robërisë, por e kishte prekur me dorë dhe e kishte shfletuar nëpër libra deformimin e ngjarjeve historike, për të mos thënë shtrembërimin e së vërtetës historike të jetës së popullit shqiptar. Mund të thuhet, se kjo vetëdije është e pranishme në të gjitha shkrimet e tij për ngjarje të ndryshme historike, siç është shumë e pranishme edhe e dhëna se rrëfimi i ngjarjeve historike, të shumtën e herëve ishte më i saktë në kujtesën e popullit, se sa në studimet e historisë, sidomos të atyre ngjarjeve ku flitej për qëndresën dhe luftërat e popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm.

Përfundim

Kjo është vlera madhore e punës së tij, që është bërë përpjekje edhe të shpalohet nëpër kapitujt e kësaj monografie, gjë që shpresoj të jetë arritur një bashkëbisedim i mirëfilltë në mes realitetit historik që kishte karakterizuar një ngjarje të caktuar historike dhe peshës së shkrimeve që ka lënë autori i tyre, profesori i historisë, Beqir Krasniqi-Bajraktari. Nëse gjatë shkrimit të monografisë për punën krijuese të profesorit Beqir Krasniqi-Bajraktari, që përveç pak shkrimeve të botuara në revista dhe gazeta të kohës, pjesën më të madhe e ka lënë në dorëshkrim, është arritur të bashkëbisedohet natyrshëm, pa u shmangur nga thelbi i dorëshkrimeve të tij, atëherë autori i monografisë bën gjumë të qetë, ngase me ndërgjegje nuk ka shmangur asnjë vlerë të shkrimeve të tij për ngjarje të ndryshme historike.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT