• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

“Porosia e Kullës” – malësori, Malësia e Madhe, qytetërimi dhe bota te Pashko Camaj

January 13, 2025 by s p

AGRON GJEKMARKAJ/

Nuk paskësh qenë rastësi një përcaktim i Indro Montanelit, ndoshta gazetarit më të rëndësishëm evropian të shekullit të kaluar, i cili aso kohe, në vitin 1938, udhëtonte në Malësinë e Madhe dhe shkruante librin e tij “Shqipëria një dhe një mijë”. Montanelit i bënte përshtypje të madhe malësori që nuk shet, por fal. Ai, si shkrimtar i rafinuar, ndihej me turp për shkallën e qytetërimit nga vinte, përballë dlirësisë së malësorëve, duke i krahasuar me skocezët e Mesjetës së hershme.

Në përfundime të ngjashme mbërrin edhe At Zef Pllumi te “Saga e fëmijërisë”, kur, në moshë të pjekur, udhëton drejt kohës kur vetëdija formësohet aq sa mbetet përjetësisht e ngulitur në gjakun e asaj bote, tërhequr nga fuqia e virtytit.

Një tjetër libër i një personaliteti dhe intelektuali shqiptaro-amerikan, “Porosia e Kullës” e Pashko Camajt, më futi mes këtyre sinoreve!

Me fillesa në Malësinë e Tuzit, në arealin e malësorëve shqiptarë të Malit të Zi, mes krenarisë historike të ushqyer me kontribute, emra, beteja – aty ku ngurtësohet për të parën herë toka për shtizën e flamurit shqiptar pas Skënderbeut, me epopenë e Dedë Gjo Lulit dhe shtypjen nacionale e diktatoriale serbo-malazeze – Pashko Camaj e “zvogëlon” të gjithën tek “kulla”.

Kjo kështjellë e pathyeshme e identitetit individual, shoqëror, krahinor e kombëtar është po aq e ngurtë sa fluide, sa ndërtesë po aq gjendje, sa fshat aq atdhe, në ish-Jugosllavinë pa bashkim e vëllazërim!

Një familje patriarkale me nota biblike, ku kulti i Nënës – “kur humba Nanën, humba Atdheun” – dhe i Atit vjen si paradigmë shekujsh për bijtë që nga dritaret e “kullës” kërkojnë një horizont të ri, një ballafaqim përtej saj, një lidhje me dijen dhe kulturën.

Të dashura portretet e përcjella nga vegime fëminore: idilike luginat dhe pllajat, mali dhe liqeni, tregu ku shiten perimet dhe frutat, shkolla pedante dhe mësuesit që autoritetin e matin me pëllëmbën që endje digjet në faqen e fëmijës, tanimë burrë dhe personalitet.

Të qenit shqiptar në Mal të Zi, pesha e represionit shovinist, lidhja me Shqipërinë, Kosovën dhe mitet rreth tyre, kapërcimet e moshës dhe sfidat për të realizuar dëshirat me solemnitetin e rrëfimit të fusin në mjedisin e asocacioneve.

Shikoj Pashkun e vogël, ose “Çoçon”, në rrëpirat e Tuzit dhe shoh veten fëmijë në Malin e Rrencit. Ai fliste për mësuesit e tij, e unë mendoja për të mitë! Tek dëgjoj ligjërimin e nënës së tij, më kujtohet gjyshja ime, me stilemat tipike të gjergut dialektor të Malësisë së Madhe!

Tek ai rrëfente se si policia sekrete jugosllave pushkatonte gjyshin Pjetër, më vinin në mend gojëdhënat për Prek Calin dhe Llesh Marashin në rezistencë.

Pashko Camaj gjeti Amerikën, dhe ajo i dha atij, pas shumë përpjekjesh e sfidash, dinjitet intelektual dhe individual, duke e bërë atë një emër të veçantë. Për të mbërritur atje, në Miçigan, në mes ishte guximi i aventurës: udhëtimi në Meksikë me avion dhe pastaj kalimi i kufirit, i mbyllur brenda një bagazhi, me motrën dhe kushëririn!

Gjeta aventurën time tek kaloja detin me një peshkarexhë për të shkuar në Itali, të treguar nga Pashku!

Njësoj mundimet e punës: unë për të hapur kanal si nxënës murator përreth kullës së Pizës dhe vuajtjet e kushërinjve të mi për të më bindur që të mposhtja trupin që më dhimbte dhe të vazhdoja punën deri në ditën e 46-të, kur e rebelova veten dhe hodha lopatën! Pashku shfaqet më i shtruar në Miçigan, i bindet burrit të motrës dhe Zeka e paguan mirë! Në të njëjtën moshë, ai fillon studimet në Universitetin e Kolumbias, në të njëjtën kohë kur unë kisha nisur të miat në atë të “La Sapienzes” në Romë!

Mu duk për një çast sikur Pashko Camaj më kishte rrëmbyer kujtimet, ose se kishte nxituar para meje të shkruajë aq bukur për kullën, traditat, festat, ritet, dasmat, vdekjen, natyrën e malësorit që rri brenda masës gjithmonë dhe nuk e shfaq kurrë me tepri as dhimbjen, as gëzimin. Privacionet dhe krenaria e tij genuine nuk vjetërohen kurrë!

Udhëtimi ulisian mes epokave dhe vendeve i Pashko Camajt është udhëtimi i shumëkujt. Ai është nisur të shkruajë për veten, por ka shkruar për shumë të tjerë! Ai ka shkruar për të gjithë ne, malësorët dhe Malësinë e Madhe, andej e këtej kufirit, duke rrëfyer rrugëtimin nga bukolikja tek intelektualja, nga lokalja tek universalja. Baba e thërriste “Çoço” dhe ai ka mbetur fëmija, tani në moshë të babës, që i kthen nga privat në publik portretin, duke ofruar si të paharrueshëm një brez, një kohë, një besë dhe një shpresë – elemente të individit që shndërrohet në personalitet!

“Çoço” është Pashko Camaj, për të cilin krenohemi! Ai na solli fëmijën, ne nderojmë burrin që ka mbetur po aq i dlirë në rrëfimin e tij! Ajo është edhe “kulla” ime! Atë porosi kam marrë prej saj!

Filed Under: LETERSI

SHKRIME TË PROFESOR YMER BERISHËS NË REVISTËN “NORMALISTI” TË ELBASANIT NË VITIN 1932

January 13, 2025 by s p

 Prof. Dr. Lush Culaj

Telenti i Ymer Berishës prej shkrimtari e mendimtari bie në sy herët, në veçanti në bankat e shkollës, si normalist. Atëbotë, në faqet dhe numrat e  revistës “Normalisti” të Shkollës Normale të Elbasanit, kishin promovuar talentin e tyre shumë nxënës, në krijimtari letrare të zhanreve të ndryshme, si: tregime, novela, poezi, vjersha etj., por dhe në reportazhe dhe shkrime zhanresh të ndryshme publicistike. Aty kishin parë dritën tregimet: “S’ka përse zotni”-nga Sterjo Spasse, “Një natë dimri” nga Zef Pali, “Kur hyna në shkollë” nga A. Imami, novelat “Shqiptarja me besë” nga Qamil Guranjaku (me pseudonimin Qukapiku), “Një dashuri që humb” nga Vangjel Nasto, “Nder vorre” nga Zef Pali, “Dashuri që shpërblehet” nga Vangjel Nasto, “Gjaku i maleve” nga S. Alliu, vjershat “Shkolla ime”, “Shtëpia ime” “Nëna” nga Qamil Guranjaku etj. Edhe hartimet e esetë e nxënësve të talentuar gjetën hapësirën e veçantë në këtë revistë, si: “Puno në rini, qi të jesh i lumtur në pleqni” nga Dervish Cara, “Kanga e Balës” nga Ymer Berisha.

Në atë kohë, të botuarit e një reviste kërkonte një punë të madhe prej shumë nxënësve, të cilët, duke shfrytëzuar individualitetin e gjithsecilit dhe me një bashkëpunim të mirëfilltë midis tyre arritën të kapërcenin vështirësitë dhe të nxirrnin në vazhdim numra të tjerë të kësaj reviste. Për sigurimin e të ardhurave financiare normalistët jepnin shfaqje, si për vetë nxënësit, ashtu dhe për popullatën e qytetit të Elbasanit, si në ambientet e konviktit të shkollës, ashtu edhe në kinemanë “Beethoven” të qytetit. Revista dha po ashtu kontribut të veçantë  për të reflektuar përpjekjet shqiptare për qëndresë para shtypjes që kishte ndodhur nën pushtimin e  Perandorisë Osmane. Ajo përçonte ndjenja pat-riotike duke prekur vetëdijen kombëtare. Ymer Berisha ishte gjithsesi ndër më të dalluarit me shkrimet e veta.

Një nga hartimet e tij, nga prof. Xhuvani dhe kole-gjiumi i shkollës ishte vlerësuar si hartimi më i mirë në shkollë. Aty, ndër të tjera, Ymeri shkruante:

“Nuk është diçka e madhe ta duash mikun, por duhet gjetur forcë që të mësosh edhe nga armiku kur një ditë ta luftosh me atë armë që nuk e pret”. Pastaj vazhdonte: ”Kur të gëzohet Tomori, le të gëzohet edhe Korabi e Sharri”, e ku në mënyrë simbolike paraqiste vuajtjet e robërisë së një pjese të atdheut, duke shprehur njëkohësisht dëshirën dhe të drejtën e të gjitha viseve për bashkim me Shqipërinë. Jo rastësisht, Prof. Xhuvani, kur e kishte lexuar hartimin, i kishte thënë: “Në sytë t’u unë shoh një pjesë të Shqipërisë”.

Nëse shihet niveli i nxënësve të Normales, që formalisht mund të krahasohet me një shkollë të mesme të sotme, por që në pikëpamje të cilësisë pothuajse kalon caqet e universiteteve të sotme, pak kush mund të besojë që nxënësit e shkollës të mesme të asaj periudhe të kishin një nivel të tillë aq të lartë kulturor e njohës. I tillë ishte profili i Ymer Berishës, krahas atij të Sterjo Spasses, i cili më vonë do të bëhet emër i shquar i letërsisë shqipe.

Prandaj në këtë libër do të sjellim disa shkrime të Ymer Berishës në formën si i ka shkruar ai në atë kohë, si nxënës, dhe lexuesi le të gjykojë vetë për nivelin qëndri-met dhe pikëpamjet e tij. Në esetë e hartimet e tij, Ymeri u dallua sa për përshkrimet artistike, po aq dhe për përmbaj-tjen atdhetare të teksteve të tij, prandaj dhe kishte marrë lavdërata nga Aleksandër Xhuvani.

Emni i atyne, qi punuen për atdhe, 

ka mbetun i pavdekun në faqet e Historis

Sa e madhe asht randësia e atdheut, nuk mund ta dijë çdo njeri. Atdheu asht nana, gjaku, shpirti e nderi i çdo nje-nit prej nesh. Prandaj edhe dashunia kundrejt këtij e zën shkallën e parë nder të gjitha dashunit, qi kaplojnë zemrën e njeriut.

Ata qi punuen për atdhe, a thue do të harrohen? Jo, për sa të jetë jeta emnat e tyne do të përmenden në faqet e historis. E pse? Pse kanë punue për nji ideal të naltë, për nji ideal të shejtë; kanë punue për atdhe. Janë sa e sa njerës, qi kanë shkri jetën e tyne për atdhe, por emnat e tyne nuk i kanë marr me vehte, ata i kanë lanë të shkruem  me shkronja t’arta në faqet e historis. Le të mos shkojmë larg po të për-mendim ata, qi punuen për këtë Shqipni. Skenderbeu, heroi i kombit t’onë, sa qe gjallë, punoi vetëm për atdhe tue luftuem për 24 vjetë me radhë kundër anmikut. Të mos harrojmë edhe Naim Frashërin, i cili,  me krye nën gërshanë, u përpoq për Shqipni e s’e kursei aspak jetën e tij për këtë vend të shtrejtë. Ah, ku me i marr burrat si këta të dy?! Janë të rrallë. A thue se do të harrohen ndonji herë? Jo, besa , besë për sa të nxejë dielli dheun emni i Skenderbeut e i Naimit do të jetë i paharrueshëm në shpirtin e çdo Shqiptari, do të jenë të pavdekun ne faqen e historis kombëtare; se këta ia kushtuen jetën këtij vendi, se këta e benë detyrën, qi ka çdo njeri kun-drejt atdheut.

01

Shkrimi i Ymer Berishes

Te due edhe unë Shqipni, të due shum, o Atdhe

Gjaku n’dej, qi asht tuj m’vlue

Po prej teje m’ka burue,

Pra s’muj kurrë unë me t’harrue,

O Atdhe i dashtun e i bekue.

Ta kam borxh pra gjakun t’im

N’ ty, për ty m’e derdhë, Atdhe,

Se ti je po vend’ i im,

Vend’ i dashtun, ku kam le,

Se ti je po nana e ime,

Se ti je po zemra e ime,

Se ti je po shpirti i im,

Se ti je po nderi im.

       Y. Berisha  32.

NUK ASHT GJA E MADHE TË DUASH MIKUN; PUNA ASHT TË DUESH EDHE ANMIKUN

02

Shkrimi i Ymer Berishes

Njeriu, kur vjen në botë, bjen me vehte të gjitha gjendjet shpirtnore (dispozitat e natyrshme), me të cilat mund të shtjellohen idet morale, shtjellimi e përparimi i të cilavet asht në dorë t’edukatorit. Fëmija, kur len, asht fare i kulluet nga çdo gja e keqe; por mbasandej në mes të shoqnis njerzore, ku jeton (në rrethanat), fiton përveç virtytevet edhe nji shumicë shprehish e vesesh të këqia, e bashkë me këto edhe mënin, e cila tue gjetun vend në ndërgjegjen t’onë fuqizohet e këthehet n’anmiqsi. E përkundërta e anmiqsis, sikurse e dijmë, asht miqsia, e cila fitohet me dashuni. Dashunia asht ma i madhi e ma i nalti i të gjitha vyrtyteve hyjnore, se bashkon zemrat e njerëzvet. Zemrat e njerëzvet të njij familje, të njij shteti e të botës mbarë janë bashkuem me anën e telavet të padukshëm të dashunis.

Po pse vallë, kur nji njeri shef në mjerim të madh nji t’jetër të panjoftun, merr pjesë edhe ai n’idhnimin e tij edhe përpiqet ta shpëtojë nga ai mjerim, në qoftë se mundet, me gjithë qi nuk e ka kurgja dhe nuk e njef fare? Vetëm pse dashunia, këjo flakë e shejtë asht pjestuem prej të Naltit nëpër zemrat e njerzëvet, qi ta përdorin me e dashtun njeni t’jetrin.

A mund do ta duronte natyra njerzore qi njeriu tue mujtun, të mos përkrahi shokun e tij ma të dobtë? A kishte me na shtymë natyra të shkojmë deri n’atë shkallë sa qi, edhe kur shohim nji njeri në thojt e vdekjes, të mos zgjasim dorën me e shpëtuem, me gjithë qi mundemi?! Jo, gjithë këtë mizori e pamëshirë nuk mund ta mendojmë në natyrën njerzore, sepse ajo vetë na shtyn qi t’i gjindemi shoqi shoqit ndër nevojë e ngushtica të jetës.

Miqsia asht ai vyrtyt i ambel qi na i zbukuron ma tepër ditët e jetës, e dashunia na i ban me i gëzuem e me i shijuem këto. Me anë të këti vyrtyti rregullohet e gjithë bota; unë të due ty, ti don atë; pra edhe mua me shtyn natyra e më thotë arsyeja  me e dashun atë, qi don ti e të don ty. E kështu gjithë njerzia, si u njoftkanë, si s’u njoftkanë, janë lidhur zingjir shoq me shoq me anë të këtyne telave të hyjnueshëm. Dashunia asht ajo, qi ka bamë familje, shoqni e atdhe. Njeriu kurrsesi nuk mund të rrojë në botë pa dashuni (shoqni e miqsi). Pa këtë nuk do të kishte shije bota, do t’ ishte nji luginë mjerimesh, nji skëterrë e gjithmonëshme. Të mos kishte dashuni, njeriu nuk do të kryente kurrë vepra të mëshirëshme; nuk do ta ndihmonte të vobektin, nuk do të përkrahte të dobtin, nuk do të mësonte të paditunin, nuk do të ngushëllonte të mjeruemin e nuk do të donte atë fuqi të mbinatyrshme, Zotin, qi ka krijuem kaqë e kaqë të mira për njerin. Ndjenjat e mëshirës, të dhimbunisë, të bamirësis, etj. qi janë themelet e vyrtytevet të nalta, e kanë burimin nga dashunia.

* * *

    Njij njeriu i bajmë mirë, pse e duem; edhe ai na ban mirë, pse na don. Po athue kurrë nuk do t’i bajmë mirë dhe nuk do ta duem atë, qi s’na don e s’na ban mirë;? Nuk do ta duem, asnjiherë; anmikun t’onë: Do të përpiqemi me e zhdukun nga faqja e dheut si bajnë disa?! Jo, Jo, nuk asht e drejtë. Puna asht ta duem edhe atë, qi s’na don, se atë qi na don, e kemi për detyrë të domosdoshme me e dashun; e njeriu në këtë botë, në qoftë se mjaftohet tue e bamë vetëm atë, qi ka për detyrë ta bajë, të mos rrehet kot, se s’e kryen si duhet detyrën e tij. Anmikun duhet ta duem, në qoftë se mbahemi njerzë me moral e me dituni, se ai asht i afërmi i ynë. Ai ndoshta nuk do të na dojë, pse i mungojnë këto cilësi të nalta; por sido qoftë, na duhet ta duem atë, se dikur do të vijë në vehte e do ta kuptojë gabimin e vet.

Duaje anmikun t’and; këtheja të keqen më të mirë, se njeriu nuk pendohet kurrë pse fal, don e nderon; por  gë-zohet, shpirti i naltësohet dhe e ndien vehten ma të lumtun, e përkundrazi mbas çdo pune të keqe vjen përnjiherë pendimi. Fali gabimet e të tjerëvet, pse i shton vehtes nderë e lavdi ma tepër. Zemra e nji burri të vërtetë tregohet, atëherë kur ai, me gjithë qi asht ma i fuqishëm se anmiku, e fal e don dhe e nderon atë. Duro-i të tjerët për të këqiat qi të bajnë, se vetëm ata qi s’dijnë, s’mund të durojnë kurrgjë. Lum kush e ka sundues durimin mbi të gjitha vyrtytet e veset e tij, se ai i shpëtuem ka me qenë.

Tue i falun e tu i nderuem anmiqt, ata dikur do ta kup-tojnë gabimin e tyne dhe do të jenë mirënjohës kundrejt nesh, e kështu na do ta ndiejmë vehten ma të kënaqun, pse kemi bamë të mirë të keqijt, pse kemi përmirësuem (kemi zbutë) shpirtna. Sa vepër e naltë! A ka vepër ma të naltë të zemrës  se kur shpëton njeriu anmikun e tij nga nji mjerim a rrezik i math, kur t’i vijë për doresh? A ka gja ma të mirë se me e këthyem të mirë të keqen, qi na ka bamë nji tjetër? Jo, besoj vepër ma burrnore nuk mund të kryejë zemra e njeriut; sepse ai qi e kemi quajtun anmik, edhe sikur të jetë njeriu ma i keq, ma i egër e ma zemër-gurë në botë, do të zbutet dhe menjiherë do të ndiej nji kënaqësi të patregueshme në shpirtin e tij, me qenë se i kemi bamë mirë në të tilla raste; edhe do ta ketë për jetë nder mend të mirën, qi i kemi bamë në ditë të ngushta, e kështu do të përpiqet me ‘mish e me shpirt, qi t’i vijë dikur dita me na shpërblyem atë të mirë me fish, se ma të keqen s’na e don kurrë. E gjithë ajo anmiqsi u këthye tash në miqsi të ngushtë, e anmiku i maparshëm do të jetë gati njime ndoshta edhe me e dhanë jetën për ne.

Për ta dashtun me të vërtetë anmikun, nuk asht nji punë e lehtë; këtë gja mund ta bajë me lehtësi nji njeri me karakter të fortë, nji shpirtmadh, ai qi ka mbërrimë në kulmin e moralitetit. Të mos kërkojmë aty për aty me ia shpërblyem të keqen anmikut, sepse kemi për ta pamë se ai ka me e ndeshkuem vetvehten, se ndergjegja s’ka me lanë kurrë të qetë. Na do të përpiqemi kurdoherë mos me i përngjamë atij, pse, tue na pamë gjithmonë të vyrtytshëm e të mirë, do t’i vijë keq; e këjo asht mënyra ma e mirë për shpagim kundra tij. Sa e idhtë do të na kalonte jeta, po t’ishim zhytun në humneret e mënis e t’anmiqsis! Sa fatkeqësi do t’ ishte për ata, qi miqsin, e cila ta mbush zemrën plot me gëzim, e këthejnë n’anmiqsi tue e shperdoruem atë dhuratë të Qiellit! Asht shum e arsyeshme fjala e urtë popullore qi thotë: “Ma mirë nji mik se nji çiflik”.

                                                                     * * *

     Miqsia asht ma e vjetre se se anmiqsia. Çdo njeri, qi na ka qilluem të na bahet anmik, ma parë e kemi dashtun, ose pak së paku nuk e kemi urryem, nuk e kemi pasun meni. 

E do t’ishte nji e mirë e pakufishme, sikur të mos fitonte njeriu anmiq në botë, por ta shkonte jetën me ambelcim tue i dashun të gjithë. Mirpo njeriu prej natyre e urren e don ta humbi nga faqja e dheut atë, qi i ban keq anmikun. Ky mundohet gjithmonë t’ia shpaguejë t’tjetrit të keqen qi i ka bamë, pa menduem aspak se çfarë faji ka ai i shkretë. E tue vepruem kështu, bahet ma i keq se i keqi: sepse po e mbjell të keqen, në vend që ta zhduki fare e të punojë për të mirën e përgjithshme, sikur thotë e vërteta morale. Po të mendojshin gjithë njerzit se nuk duhet falun asndonjë e keqe qi ta ban t’jetri, atëherë e gjithë bota do t’ishte në nji gjendje të përherëshme; do të luftojshim pa pushuem kurrë, e qytetnimi i sotshëm, kush e di, do t’ishte me miliona vjet mbrapa; bota do t’ishte në nji errësinë të madhe. Nji shtet aqë ma i fortë e ma i përparuem asht, sa ma fort të duhen njëni me t’tjetrin vendasit e tij.

                                                                     * * *

    Unë jam i mendjes se ai qi shtyhet të vrasi nji njeri, nuk ka faj; pse, po të mendohemi mirë e mirë, do të gjejmë se atij nuk asht për t’i ngarkuem ndonji përgjegjësi për këtë punë, mbasi natyra e ka shtymë të veprojë ashtu; i ka ramë, si me thanë lota (asht thanë) të vrasi, ose të bajë ndonji të keqe të madhe. Njeriu shtyhet të bajë të keqen prej lakmis së tepërme në pronë, prej egoizmit, i cili e ban të përbuzet e të mos duket prej të tjerëvet, e prej nervozitetit; të gjitha këto janë sëmundje të natyrëshme, e na duhet të përpiqemi në qofshim njerzë, me i shëndoshë ata e jo më i sëmu ma keq.

Shum kësi fajtorësh ndeshkohen me burg, ose dëno-hen me vdekje, por duhet ta dijmë se ndeshkimi a dënimi i përket fajit e jo njeriut vetë. Të vramë ka, por kriminelë nuk ka. Shum herë njeriu, i urdhnuem prej natyrës së tij, (zemërimi e padurimi), ngjyen duert me gjakun e vllaut të tij, qi s’ asht gja t’jetër veçse gjaku i atij vetë! Sa shëmtim….! Mos na raftë me e provuem!

Po vllaun vrasës vallë kush do ta fali e ta dojë ma?! Ma i pari baba, qi asht për të dy njisoj, vllau t’jetër e të gjithë me radhë. Po në çfarë gjendjeje shpirtnore ndodhet ai, qi e gjet ky shëmtim kaq i madh? Nuk mund të merret me mend; don të mos rrojë i gjallë mbi dhe, e mallkon atë çast të zi e i duket sikur gjithë njerzia e vetë Perendia po e shiqojnë me sy të keq për mkatin e math, qi ka bamë. Kështu pra, sikurse fal baba djalin e vllau vllaun, tue shkuem pas natyrës, duhet të fali çdo njeri atë, qi i ban keq, dhe të mos kërkojë arsye e pa arsye me marrë shpagimin, se të gjithë njerzë jemi, si ai qi ban keq, si ai qi ban mirë.

                                                                                 * * *

    Duhet dijtun se njeriu nuk ka mik as anmik ma të madh se vehten e vet. Ai e don vehten ma tepër se çdo njeri t’jetër në botë; vehten ai don ta shofi ma mirë dhe ma nalt se gjithë të tjerët në çdo pikëpamje; e këjo asht nji gja qi shifet në jetën e përditshme. Por njeriu përnjëherë asht edhe anmiku ma i madh i vetvehtes, së cilës asht për t’iu dashtun ma tepër se askujt. Ai, tue dashun tepër vetvehten, harron se nëpër çfarë rruge duhet shkuem e, për t’i plotësuem dëshirat e tepërme gjithëfaresh, të cilat ma vonë i bahen sëmundje, nuk din se ç’ban; përdor mjete fitimi të shnderëshme, si vjedhje, shpërdorime e vrasje. Por të gjitha këto i këthehen në ndëshkime e dënime, qi randojnë mbi kurriz të tij, e ma në fund i bien humbjen e pasunis, të liris, të nderit e të jetës. Shum herë njeriu i idhnuem me vehten e vet, qi i sjell mjerime dhe ban të kalojë nëpër valët ma të rrëmbyeshme të jetës, e vret atë me dorën e tij.

  • Shka ta ban vehtja, s’ta ban kush, – thotë nji fjalë e urtë popullore.

Njeriu në mes të sa e sa humbjeve, qi mund t’i ngjajnë në jetë, duhet të përpiqet deri në fund, qi të ruejë dashunin mbi të gjithë njerzit, se kjo e ban të nderohet e të çmohet edhe mbas vdekjes.

                                                                          * * *

     Njerzit ma të ndershëm e të lavdishëm, qi përmend historia, shum herë i kanë falun anmiqt e tyne. Ndër ata asht edhe Skender-Beu i ynë, i cili e fali Moisi Golemin, me gjithë qi ai e kishte tradhtuem këtë tue u bashkuem me anmiqt. Po kështu ngjau me edhe me të nipin e tij Hamzën. Ndoshta Skender-Beu në pikpamje politike nuk bani mirë, por në pikpamje morale do të jetë shëmbëllë e pavdekunë për ne. Edhe Leka i Madh, kur mundi Dariusin, mbretin e Persis, zuni familjen e tij, por u-suell shum mirë me të dhe e nderoi si duhet.

Shembëllën ma të mirë e kemi ke Krishti, moralisti ma i madh i botës, i cili gjithë jetën u përpoq për të mirën e moralin e njerzis. Ky, kur u kryqëzue prej anmiqvet barbarë, në çastin ma të mbramë të jetës tha: Fal-i o At, pse nuk dijnë shka janë tu bamë; fal-i , fal-i,  pse s’dijnë se ç’po kryejnë mbi mue këta të mjerë; kështu ndrroi jetë miku i gjithë njerzis, i cili nuk deshi të lajë prapa grindje  e zanje, por vllaznim.

Në qofsh dashës, do të jesh i dashun; don pse gëzon e gëzon, pse don.

Y. Berisha 32.

  Është kjo një ese e mrekullueshme e një nxënësi të Normales, ende djalosh njomzak, pa i dërsirë mustaku. Një ese që sublimon njerëzoren si etikë, besim e politikë, si mirësi e dashuri. Duke e lexuar këtë ese, nuk e di njeriu nëse po lexon shpirtin e Nënë Terezës, bashkëkohanike e tij, më vonë fituese e çmimit Novel për Paqe, apo të Ibrahim Rugovës, fitues i disa çmimeve për paqe si dhe i çmimit evropian Saharov, prijës i popullit të Kosovës, njeriu i cili filozofinë “rinore” të durimit e paqes që shpreh një normalist atëbotë e kthen në program dhe vizion politik në vitet ’90 të shek. XX, si vazhdimësi e projektit të pakryer të Ymerit.

Ymer Berisha e ndërton profilin human të njeriut “dashës” që në armik e ndërton mikun, sipas motiveve të lashta vedike e biblike që bëhen gurthemel i filozofisë së tij paqësore që kthehet edhe në dashuri ndaj atdheut. Ai njeh dashurinë ndaj botës duke u nisur nga dashuria për të veten e kombin, ndryshe nga internacionalizmi proletar që do të gërryejë palcën e shpirtit shqiptar pak vite më pas.

Mjafton kjo ese djaloshare për të parë që Ymer Berisha ishte ndër personalitetet më fisnike, shpirtërisht e intelektualisht, që njohu “raca” ilire-shqiptare.

Implikimët politike të Berishës më vonë sigurisht që japin edhe dimensionët e politikanit dhe ushtarakut.

Filed Under: Histori

Gjon Gjekë Lucaj – Pishtari i dijes shqiptare

January 13, 2025 by s p

Pjetër Lucaj/

Në tokën e malit, ku qielli prek majat,

Një burrë me zemër, me vizion të qartë,

Gjon Gjekë Lucaj, mësuesi i parë,

Hapi dritaret e dijes, mbi errësirën e gjatë.

Në 1917, në Triepshin krenar,

Hapi shkollën e parë shqipe, një akt madhështor.

Mes maleve e gurëve, një fllad drite nisi,

Në gjuhën e nënës, shpresa rilindi.

Më pas, në 1929, Dinosha përqafoi,

Shkollën e dytë shqipe, që Gjoni ndërtoi.

Një histori e re, në gjuhën e tokës,

Dhe populli ndjeu frymën e lirisë së kokës.

Në vitet ’50, me krenari të thellë,

Shkolla e Triepshit mori emrin e gjallë,

Gjergj Kastriotit, heroit të pavdekshëm,

Një nderim i madh për kombin e përjetshëm.

Por Gjoni nuk luftoi me shpatë as me armë,

Dija e tij ishte flaka që ngrohte çdo zemër.

Libri dhe penda ishin fuqia e tij,

Shpëtimtar i fjalës shqipe, pishtar në stuhi.

Këshilltar i Bajram Currit, në kohë të vështira,

Gjoni i dha zë, idealit të lirisë së vërtetë.

Me mendje të ndritur dhe shpirt të madh,

Ai qëndroi pranë, si prijës i paepur dhe i rrallë.

Me libra në dorë dhe zemër të kthjellët,

Ai ndriçoi errësirën e një epoke të thellë.

Shkolla e tij, strehë për çdo brez të ardhshëm,

Një tempull i dijes, një testament i ndritshëm.

Gjon Gjekë Lucaj, emër i pavdekshëm,

Mësues i kombit, vizionar i përjetshëm.

Gjurmët e tua ndriçojnë rrugën tonë,

Hero i dijes, frymëzim që s’na lë kurrë vetëm.

Filed Under: Analiza

Legalistët e Amerikës përkujtuan gjeneral Abas Kupin në 49 vjetorin e ndarjes nga jeta

January 11, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 11 janar 2025 – Legalistët e Amerikës përkujtuan Gjeneral Abas Kupin në 49 vjetorin e ndarjes nga jeta. Partia “Lëvizja e Legalitetit”- dega e SHBA-së, në bashkëpunim me familjen Kupi, veprimtarë, patriotë shqiptarë në Amerikë, u mblodhën te varri i Gjeneral Abas Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens, Queens New York; për të përkujtuar 49 vjetorin e vdekjes së një prej udhëheqësve më të shquar të nacionalizmit shqiptar dhe veprimtarit të shquar të patriotizmit shqiptar në mërgatën e Amerikës Abas Kupit. Ceremonia e nderimit u udhëhoq nga patrioti i shquar legalist Ndrecë Gjergji i cili theksoi rëndësinë e përkujtimores dhe falënderoi pjesëmarrësit në ceremoninë e nderimit të atdhetarit të shquar Gjeneral Abas Kupi.

Të pranishëm në ceremoninë e nderimit ishin ndër të tjerë z.Ahmet Hoti, nënkryetar i PLL për Amerikën, sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, gazetari i shquar i Zërit të Amerikës Gjekë Gjonlekaj etj. Abas Kupi është ndër figurat më të larta politike e patriotike që nderon kombin shqiptar dhe historinë moderne të shtetit.

Z.Ahmet Hoti, nënkryetar i PLL për Amerikën deklaroi se Abaz Aga është simbol i përjetshëm kundër sllavëve dhe komunistëve. Z. Hoti diskutoi për kontributin e Abas Kupit te Lufta e Koplikut, kontributi në skenën politike të vitit 1924, kthimi i legalitetit në pushtet si kthim i ligjshmërisë, ndërtimi i themeleve moderne të shtetit shqiptar, qëndresa antifashiste e vitit 1939 që i dha mesazh botës që shqiptarët nuk e duan fashizmin, nazizmin e komunizmin. Pas fjalës së patriotit Ndrecë Gjergji u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të heronjve të kombit shqiptar dhe patriotit Nderim Kupi ndarë nga jeta vitin e kaluar.

Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Federatës Vatra. Ai tha se Abas Kupi ishte një njeri i madh i kombit shqiptar, frymëzues për gjeneratat. Kombi mburret me veprën e Abas Kupit tha Dr. Camaj. Faton Zogejani dhe Bashkim Shehu përshëndetën nga Shoqata Skënderbej. Z. Shehu shprehu vlerësim të lartë për patriotin Abas Kupi dhe apeloi për bashkim kombëtar. Gjekë Gjonlekaj u ndal te figura madhështore e qëndresa trimërore e Abas Kupit dhe apeloi për kthimin e eshtrave të Abas Kupit në Shqipëri dhe organizimin e një konferencë shkencore ndërkombëtare në nder të jubileut 50 vjeçar të largimit nga jeta të Abas Kupit. Editori i Diellit vlerësoi figurën e Abas Kupit dhe garantoi familjen Kupi dhe Legalitetin se Dielli e Vatra do japin kontribut shkencor në organizimin e Konferencës që përkujton jetën dhe veprën e Gjeneral Abas Kupit. Në emër të familjes përshëndeti dhe falënderoi pjesëmarrësit Sokol Kupi. Për nder dhe respekt të Abas Kupit familja Kupi për të gjithë të pranishmit shtroi një drekë përkujtimore në Reef Restaurant & Bar.

Filed Under: Politike

Albanian-American Conductor Kristo Kondakçi brings Joy and Renewal at Sanders Theater

January 11, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Turning the page to a new year, the acclaimed Albanian American conductor Kristo Kondakçi conducts the Kendall Square Orchestra at Sanders Theatre, Harvard University, Boston Saturday evening. The music director calls it “an evening that captures the essence of fresh starts and infinite possibilities that he wants to share with the audience.” The selection titled Joy & Renewal is purposely designed to celebrate the hope and beauty of beginnings. Describing the program as a journey through struggles and triumphs, light and shadow, and the quiet joy of renewal. Barber’s Adagio for Strings, Mozart’s Sinfonia Concertante and Mahler’s Symphony No. 4, the evening invites concertgoes to “step into the New Year together, uplifted by music that inspires, renews, and reminds us of life’s incredible beauty.” Tonight is the second performance of Kendall Square Orchestra with conductor Kondakçi at Sanders Theater, which happens to be the venue of the graduation ceremony of Harvard graduates Fan Noli and Faik Konica.

Kristo’s official page provides information about his career and education, as well as past performances and future events. Here is a summary of it: He was born in Tirana, Albania in 1991. He and his family immigrated to the United States as political refugees when Kristo was five years old, settling in Boston. MA. In 2014 Kondakçi conducted the Albanian National Orchestra, earning recognition as a cultural representative of the Albanian diaspora. Throughout the last decade, he has led music collaborations with numerous orchestras across the United States and Europe.

Celebrated for his dynamic leadership and collaborative approach, the acclaimed Albanian American conductor brings renewed energy and innovative collaborations through themes of preseverance, joy and renewal via the repertoire of classic music from Bach, Elgar, Brahms, Barber, Mozart, Mahler, Mendelssohn, Shostakovich and more.

As the David and Janet McCue Music Director of the Kendall Square Orchestra, Kristo Kondakçi leads an ensemble of professionals from the technology and life sciences services. The orchestra has undertaken initiatives with global impact through the Symphony for Science Series, that have raised hundreds of thousands of dollars in support of local charities.

A graduate of New England Conservatory, Kondakçi’s style blends devotion to technical mastery with a commitment to inspire and positively affect society through music. Kristo Kondakçi is an Assistant Professor at the Berklee College of Music, in addition to being a non-resident tutor at Harvard University and a guest lecturer at the Longy School of Music and the New England Conservatory, where he mentors the next generation of musicians.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT