• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

Rilindja Ekonomike e Kosovës

February 20, 2025 by s p

Nga Marsel Fregjaj/

Për dekada, Kosova ka kaluar sfida ekzistenciale. Sot, si rezultat i profesionalizmit të lartë në lidership, por edhe në çdo nivel të administratës, erërat e transformimit po sjellin premtimin e një epoke të re të zhvillimit ekonomik, një periudhë të rritjes së qëndrueshme, forcimit institucional dhe vetë-mjaftueshmërisë kombëtare.

Kjo nuk është thjesht një ide optimiste, por një realitet që po merr formë përpara syve tanë. Nëse Kosova vazhdon në këtë rrugë, do të arrijë një zgjim ekonomik dhe institucional që mund të krahasohet me mrekullitë ekonomike të vendeve Baltike, duke e vendosur në rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies.

Më shumë sesa një teori ekonomike, kjo periudhë e re është një pashmangshmëri, një rezultat i natyrshëm i përkushtimit të Kosovës ndaj rritjes, drejtësisë dhe qëndrueshmërisë.

Nëse Kosova qëndron në këtë kurs, ky progres ekonomik nuk do të jetë thjesht një ëndërr apo aspiratë, por një realitet i ri. Sot, më shumë se kurrë, dëshmitë janë të qarta: zhvillimi po ndodh. Administrata e dytë e Kryeministrit Albin Kurti (2021-2025) ka hedhur bazat për këtë transformim.

Faktet flasin vetë: rritje ekonomike mbi 4%, pavarësisht krizave globale(1); borxhi publik mbetet në një nivel të qëndrueshëm prej 20% të PBB-së, duke ruajtur fleksibilitetin fiskal(2); papunësia ka rënë nga mbi 30% në rreth 10%, falë investimeve strategjike dhe reformave në tregun e punës(3); investimet e huaja direkte (IHD) janë rritur vazhdimisht, me sektorë si prodhimi i mbrojtjes dhe teknologjia që po fitojnë terren(4); Kosova është klasifikuar si një vend me të ardhura mesatare të larta nga Banka Botërore, një dëshmi e profilit të saj ekonomik në zhvillim(5). Të gjitha shenjat tregojnë qartë: Kosova nuk është më thjesht një vend që mbijeton, ajo po lulëzon.

Ky transformim ekonomik nuk mund të lulëzojë pa kapërcyer sfidat që për një kohë të gjatë kanë rënduar mbi kombin. Nën administratën e Kurtit, Kosova ka dëshmuar aftësinë për të çmontuar këto barriera.

Para administratës Kurti, Kosova ishte e ndikuar nga korrupsioni institucional, një plagë që gërryente pasurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve. Por sot, ai sistem i vjetër po shembet: Byroja për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme, e krijuar në 2023, ka çuar në sekuestrimin e miliona eurove pasuri të përfituara në mënyrë të paligjshme(6); mbi 3,800 arrestime janë bërë për vepra të rënda penale, përfshirë mbi 300 zyrtarë të lartë publikë(7); raportet e Transparency International dhe Komisionit Evropian kanë vlerësuar progresin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit(😎. Drejtësia nuk është më një privilegj, ajo është bërë një parim i shenjtë.

Historikisht, ekonomia e Kosovës ka qenë e varur nga remitancat, duke e bërë vendin të cenueshëm ndaj goditjeve të jashtme. Por administrata Kurti ka nisur një riorientim të qartë, duke u fokusuar te zhvillimi i industrisë vendase, ndërtimi i fabrikës së parë shtetërore të municioneve po krijon themelet për vetë-mjaftueshmëri në këtë sektor dhe eksportim në tregjet ndërkombëtare(9); zgjerimi i sektorit të teknologjisë, ku të rinjtë po hyjnë fuqishëm në tregun digjital, po e kthen Kosovën në një qendër të ekonomisë së njohurive(10); rritja e pagës minimale (€350/muaj), një tjetër hap i rëndësishëm që tregon se politikat ekonomike po përkthehen në përmirësime reale për jetën e qytetarëve(11). Kosova nuk është më thjesht një vend që merr ndihmë ekonomike, ajo po bëhet një prodhues i vlerës ekonomike.

Pozicioni i Kosovës në gadishullin Ilir është një sfidë dhe një mundësi. Tensionet e vazhdueshme me Serbinë mbeten një faktor destabilizues, por ngjarjet e fundit kanë dëshmuar se Kosova është e aftë të mbrojë sovranitetin e saj: qershor 2023, Kosova shpalli si organizata terroriste grupet e mbështetura nga Serbia pas largimit të elementëve destabilizues nga Mitrovica(12); shtator 2023, forcat e sigurisë së Kosovës neutralizuan sulmin terrorist në Banjskë, duke ekspozuar përpjekjet e Serbisë për destabilizim(13).

Megjithatë, për të siguruar një stabilitet të qëndrueshëm dhe për të forcuar pozitën e saj ndërkombëtare, Kosova duhet të vazhdojë të harmonizojë politikat e saj me rekomandimet e partnerëve strategjikë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht progresit ekonomik dhe institucional, disa sfida me administratën amerikane janë shfaqur gjatë viteve të fundit që gjithashtu u perceptuan si të tilla nga një pjesë e opinionit publik. Kryesisht në lidhje me politikën ndaj veriut të Kosovës dhe koordinimin e qasjeve rajonale. Për të garantuar një integrim të plotë në strukturat euro-atlantike dhe për të ruajtur mbështetjen e fuqishme amerikane, Kosova duhet të vazhdojë të ndërtojë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe konstruktive me SHBA-në, duke e parë këtë partneritet si një element kyç të stabilitetit, zhvillimit afatgjatë, dhe pozitës së saj ndërkombëare.

E ardhmja e Kosovës do të krijohet nga ata që guxojnë të besojnë në diçka më të madhe. Dhe kjo e ardhme është tani.

Referenca:

Trading Economics – GDP Growth Kosovo

IMF – Government Debt Kosovo

World Bank – Kosovo Overview

Wikipedia – Economy of Kosovo

World Bank – Kosovo GDP Classification

IMF – Anti-Corruption Reforms in Kosovo

European Commission Kosovo Report 2024

Transparency International – Kosovo Corruption Report

Kosovo Defense Industry Expansion

Tech Sector Growth in Kosovo

Kosovo Minimum Wage Increase

EBRD – Kosovo Security Report

Reuters – Banjska Attack

Show quoted text

Foto: www.kosovo-online.com

Filed Under: Ekonomi

Klima e dhunës dhe bullizimit

February 20, 2025 by s p

Prof. Lili Sula/

Për Martinin 15 vjeçar, Leon 12 vjeçar, Irsën 17 vjeçare,

për Megin 20 vjeç e fëmijë të tjerë të bullizuar, të dhunuar, të plagosur, të vrarë e të aksidentuar, që shkrumbuan zemra nënash e dhimbjen e bënë kapicë, por sot nuk kanë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore e madje as një ndjesë njerëzore.

Arsimi shqiptar nga turpi i analfabetizmit ka kaluar ne një stad shumë të dhimbshëm: ai po përgjaket me histori konfliktesh, aksidentesh, vrasjesh e vetëvrasjesh të vijueshme; arsimi i fëmijëve tanë ka shënuar rekordet më të zeza të historisë së tij, por asnjë institucion nuk ndjehet e nuk shprehet e aq më pak të mbajë përgjegjësi.

Klima e dhunës dhe bullizimit ka shënuar një zinxhir ngjarjesh shumë të rënda në arsimin parauniversitar publik dhe jopublik. Goditja me thikë e 17 vjeçarit në shkollën Gjergj Kastrioti, në fshatin Bazë të Matit gjatë orës së fizkulturës me pasoja të rënda, pason konfliktin mes dy bashkëmoshatarëve të shkollës së mesme Cakran Fier ku dy 17 vjeçarët u plagosën me mjetë prerëse.

Këto ngjarje kulmojnë në tragjedinë e Gjirokastrës ku gjimnazistja 17 vjeçare, Irsa M. nxënëse e shkollës Siri Shapllo i dha fund jetës, sipas të dhënave në medie, për shkak të bullizimit nga mjedisi shkollor, sepse ishte e varfër. Ngjarja e kobshme e Gjirokastrës pason atë të 15-vjeçarit Martin C. në një hark kohor në më pak se tre muaj duke i ngulur thellë vulën e zezë të turpit strukturave drejtuese të ministrisë së arsimit dhe ministres O. Manastirliu dhe duke shënuar përfundimisht kalbjen dhe dekompozimin e një sistemi të tërë.

Izolimi dhe ankthi që ndjente Irsa, të shprehura në letrën para se t’i jepte fund jetës: ‘’O Zot, përse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam dhe miqtë dhe shokët kërkoj të më respektojnë. Por ata tallen më mua. Unë ndihem kaq e vetmuar në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time. Kaq mundësi kanë prindërit e mi… Po përse u dashka të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën time? Tek askush nuk kam besim….’’ janë akuzë e fuqishme ndaj shtetit dhe posaçërisht ministrisë së arsimit, znj. O. Manastirliut që e ka kallur arsimin në institucion frike e pasigurie për nxënësit.

Asnjë prononcim institucional dhe, si në raste të tjera, asnjë shprehje apo mbajtje përgjegjësie nuk pati për ikjen nga kjo jetë të gjimnazistes nga Gjirokastra.

Asnjë reagim nga institucionet e arsimit as për shuarjen e jetës në moshë 20 vjeçare të studentes Megi Xh. në aksident rrugor, për të cilin mediet njoftojnë se në segmentin rrugor fatal është derdhur vaj qëllimshëm për të ndodhur aksidente.

Masat e vetme janë fotot dhe regjistrimet entuziaste mediatike për të qarkulluar qindra herë në rrjete sociale.

Heshtja e diktuar nga O. Manastirliu për të mos reaguar për ngjarje të mynxyrshme, si për rastin e shkollës Fan Noli edhe për këtë të Gjirokastrës, nuk kursen as dhimbjen e vrasjes së adoleshentëve, duke shtypur ngjarje kaq të rënda qe as në vendet e botës së tretë nuk ndodhin të tilla, kaq fatale dhe kaq të përsëritura.

Sot fëmijët tanë mbushin sallat e kuvendeve të rilindjes, ndërkohë që, mjediset e shkollave bëhen gjithnjë e më të pasigurta; me rritje të theksuar të numrit të nxënësve të përfshirë në konflikte me pasoja të rënda fizike dhe psikologjike. Shkolla jonë nuk ofron mbështetjen e duhur psikologjike dhe programe këshillimi, duke mos identifikuar dhe adresuar problemet emocionale dhe sociale që përkeqësohen me kalimin e kohës. Nga ana tjetër, nxënësit e perceptojnë si masë ndëshkuese dhe disiplinore shërbimin psikosocial duke shenjëstruar kështu mungesën e profesionalizmit të trupës mësimore dhe administrative.

Ekspertët e arsimit të testimit PISA më 2022 kanë theksuar rritjen e nivelit të konfliktualitetit në shkolla, të dhunës fizike mes nxënësve, të bullizmit, por ende asnjë masë nuk është marrë që shkolla të sigurojë qëndrim të sigurt dhe miqësor për nxënësit dhe bashkëjetesë të paqtë mes tyre.

Këto ngjarje e të tjera denoncime bëjnë të qartë për qytetarët që Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe strukturat në varësi të saj po shkelin më këmbë të drejtat e fëmijëve të cilat mbrohen nga Konventa ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijës, neni 3., ku shprehet se ‘’Shtetet Palë marrin masa që institucionet, shërbimet dhe qendrat që përgjigjen për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve të veprojnë në përputhje me normat e caktuara nga autoritetet kompetente, veçanërisht në fushën e sigurisë, të shëndetit, të numrit dhe aftësive të personelit të tyre si dhe të kontrollit të duhur.’’

Gjithashtu, Ligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, Neni 18, pika g, përcakton shprehimisht përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit e të strukturave arsimore parauniversitare që ‘’të ngrenë mekanizma efikase për parandalimin, trajtimin brenda shkollës dhe raportimin tek autoritetet përgjegjëse të situatave të dhunës, duke përfshirë edhe ato ndërmjet vetë fëmijës brenda shkollës (bulizmi).’’

E këta mekanizma rezultojnë të jenë fals, por asesi efikasë.

Shtrohen pyetjet: Kush e monitoron shërbimin psiko-social dhe a ka ndonjë raport mbi punën e deritanishme, që ndryshe, do të thotë: pse numri i punonjësve mbështetës është rritur nëpër shkolla, ndërsa dhuna, konfliktet e bullizimi vetëm shtohen ?

Kontrolli i Lartë i Shtetit ndodhet aktualisht në MAS dhe AKAP për verifikimin e performancës së oficerëve të sigurisë në shkolla, ndaj i bëj thirrje që të ushtrojë detyrën e tij me përgjegjësi të lartë dhe paanshmëri, pasi pesha dhe roli i oficerëve te sigurisë është vendimtare në mbrojtjen e të drejtave te fëmijëve.

Gjithashtu i bëj thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të verifikojë edhe emërimet politike pa konkurs dhe procedurë të stisura nën petkun e ristrukturimit, që janë bërë në Zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP) dhe drejtoritë arsimore rajonale në rrehet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë, Korçë të deklaruara publikisht nga Paria Demokratike më 1 shkurt 2025.

Arsimi shqiptar po shkon nga humnera në humnerë gjatë këtyre viteve dhe institucionet përgjegjëse vetëm sa i kanë përligjur kobet e humbjes së jetëve të nxënësve e të rinjve dhe rezultatet dërrmuese të testimeve ndërkombëtare. Arsimi ynë e ka humbur qëllimshëm misionin thelbësor të edukimit dhe formimit të qytetarëve të ardhshëm duke mos i përgatitur ata për jetën, për të menduar në mënyrë alternative, duke mos i aftësuar për tregun e punës, por duke investuar në dearsimimin e nxënësve – ndaj sot 47 % e nxënësve shkruajnë e lexojnë me vështirësi.

Dhe dihet, se diktaturat dhe regjimet autokratike, përpos sofistikimit të propagandës, i kushtojnë vëmendje errësimit të mendjes së fëmijëve e të popullit, shtypja e të cilëve do t’u kthehet shumë shpejt në rrungajë përmbysëse.

Filed Under: Sociale

Rinia dhe libri: Kush do ta shkruajë Shqipërinë e nesërme?

February 20, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Sa herë shkoj në libraritë dhe bibliotekat e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, dhe Tetovës më përzihet një ndjenjë krenarie me një shqetësim të heshtur. Sallat janë plot. Të rinj që lexojnë, studiojnë, mbushin tavolinat me libra dhe fletore. Një pamje që do ta gëzonte këdo. Por pastaj vështroj raftet, vendet ku vendosen librat më të lexuar, ata që janë të parët që bien në dorë. Janë gjithmonë të njëjtët emra të huaj, të njëjtat histori të botës që pushton mendjen e rinisë shqiptare. Ku janë autorët shqiptarë? Ata janë atje, por shpesh diku më tutje, në një qoshe që duhet kërkuar. E kërkimi ndonjëherë është një përpjekje që pak vetë e bëjnë.

Në diasporë, situata është edhe më e rëndë. Shqiptarët janë të lumtur kur fëmijët e tyre arrijnë të flasin disa fjalë shqip në një vend të huaj. Kjo është arritje, por është gjithashtu një iluzion. Nuk mjafton të flasësh shqip në shtëpi. Një gjuhë nuk është gjallë vetëm kur flitet, por kur lexohet, kur përpunohet, kur bëhet pjesë e mendimit të një kombi. Çfarë do të ndodhë pas një brezi? Kur këta fëmijë që mezi flasin shqip, rriten dhe bëhen prindër? Çfarë do t’u mësojnë fëmijëve të tyre? Nëse nuk lexojnë shqip sot, nesër nuk do ta flasin më fare.

Dhe çfarë lexon rinia shqiptare sot? Ata njohin filozofinë e Nitzsche-s, por sa prej tyre kanë lexuar Pjetër Bogdanin, që i pari shkroi një traktat teologjik e filozofik në shqip? Ata njohin Homerin, por sa dinë për Gjon Buzukun, që në mesjetë, në errësirën e Perandorisë Osmane, hodhi fjalën e parë të shkruar në shqip? Ata lexojnë për histori të largëta, por a kanë dëgjuar për Marin Barletin, i cili shkroi historinë madhështore të Skënderbeut dhe bëri që Europa të lexonte për shqiptarët? Po për Frang Bardhin, që me një fjalor të vogël mbrojti identitetin shqiptar përballë shkrimeve sllave? Po për Pjetër Budin, që në shekullin XVII shkroi në shqip për të mbajtur të gjallë një komb të harruar?

E pastaj vijmë te letërsia e Rilindjes. A e di rinia shqiptare kush është Naim Frashëri, jo si emër shkolle, por si poet i shpirtit shqiptar? A e njohin Çajupin, që me vargjet e tij thërriste për një Shqipëri që ende nuk ekzistonte? Po Ndre Mjedën, që me një poezi të vetme, “Andrra e Jetës”, mund të zgjojë një komb të tërë nga përgjumja?

E vijmë më afër. Gjergj Fishta, që është më shumë se poet, është themeli mbi të cilin mund të ndërtohet vetëdija shqiptare. Fan Noli, që jo vetëm shkroi, por edhe veproi, për të sjellë jo vetëm fjalën, por dhe politikën, dhe muzikën, dhe qytetërimin. Ernest Koliqi, që kuptoi se pa gjuhën dhe pa letërsinë, Shqipëria mbetet një emër bosh. Martin Camaj, që e mbajti gjallë fjalën shqipe në mërgim, kur Shqipëria vetë nuk donte të dëgjonte për të.

Nëse një popull lexon letërsinë e tij, ai mbetet një popull. Nëse rinia shqiptare vazhdon të jetojë mes librave të huaj dhe të njohë historitë e të tjerëve, por jo të veten, ajo rini nuk do të dijë më kush është. Një komb që nuk lexon veten, është një komb që nesër do të flasë për veten si një kujtim të largët.

Zgjidhja: Rrënjët duhen ujitur.

Çfarë mund të bëjmë? E para, shkollat në Shqipëri dhe shteti Dardan, e po kështu shkollat në Iliridë duhet të rikthejnë fuqishëm leximin e letërsisë shqiptare. Jo thjesht si detyrë, por si kënaqësi. Nuk mund të lëmë që rinia të njohë vetëm atë që vjen nga jashtë dhe të harrojë atë që është brenda vetes së saj.

E dyta, biblioteka dhe libraritë duhet të vendosin autorët shqiptarë në qendër, jo në qoshe. Kur një i ri hyn në një librari, librat e Fishtë, Nolit, Camajt, Koliqit, duhet të jenë të parët që bien në sy.

E treta, diaspora duhet të bëjë më shumë se të ruajë gjuhën e folur. Fëmijët e mërgimtarëve duhet të lexojnë libra në shqip. Nuk mjafton të dinë ta thonë fjalën “shqiptar”. Ata duhet të dinë edhe çfarë do të thotë të jesh shqiptar. Dhe këtë nuk e mësojnë nga televizori, por nga libri.

Dhe mbi të gjitha, vetë shqiptarët duhet ta kërkojnë këtë letërsi, ta duan atë, ta lexojnë jo si një detyrë, por si një nevojë për të mos humbur. Sepse një komb që e lë mënjanë letërsinë e tij, është një komb që ka filluar të shkruhet nga të tjerët.

E ne nuk mund të lejojmë që Shqipëria të shkruhet nga të tjerët. Duhet ta shkruajmë vetë, fjalë pas fjale, brez pas brezi.

Filed Under: ESSE

SHKOLLA SHQIPE “BRIGHT EAGLES”, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË BRITANINË E MADHE

February 20, 2025 by s p

Ardjana Gjoni themeluese e shkollës shqipe “Bright Eagles” Birmingham, në Britaninë e Madhe, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Birmingham, në Britaninë e Madhe, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me drejtoreshën Ardjana Gjoni bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHKOLLA SHQIPE “BRIGHT EAGLES” – NJË URË LIDHËSE MES GJUHËS, KULTURËS DHE TRADITËS

Shkolla Shqipe “Bright Eagles” u themelua me 5 nëntor 2022 dhe që atëherë është kthyer në një qendër të rëndësishme për komunitetin shqiptar në mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek fëmijët/brezi jonë i ri në qytetin e Birmingham-it në Britaninë e Madhe. Çdo të shtunë, nga ora 10:00 deri në 12:00, nxënësit ndjekin mësime të përshtatura për nivele të ndryshme gjuhësore, duke u rritur jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë kulturor dhe social.

Për të siguruar një proces mësimor efektiv dhe të këndshëm, përdorim Abetaren e Përgjithshme si bazë, ndërsa për fëmijët që kanë nevojë për më shumë mbështetje, shfrytëzojmë abetare fillestare për të lehtësuar të kuptuarit. Në mësim, përfshijmë materiale moderne, si monitorë të cilat ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësitë e shqiptimit dhe të kuptojnë më mirë gjuhën shqipe.

Një element i rëndësishëm i metodës sonë janë librat dygjuhësh shqip-anglisht, të cilët ndihmojnë fëmijët të bëjnë lidhje natyrale mes dy gjuhëve. Disa nga librat që kemi përdorur me sukses janë “Dea fillon shkollën” dhe “Eja Dea”, të autores së njohur për fëmijë Merita Isufi. Përveç mësimit të gjuhës, ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me prindërit, pasi mbështetja e tyre është kyçe për suksesin e fëmijëve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

MËSUESET DHE STAFI MBËSHTETËS I SHKOLLËS SHQIPE “BRIGHT EAGLES”

Mësueset e shkollës tonë Dorina Lekgegaj dhe Marsela Hoxha janë profesioniste të kualifikuara, të trajnuara dhe me përvojë të pasur në mësimdhënie. Ato japin një kontribut të çmuar në arsimimin e fëmijëve, duke ofruar mësim të kualitetit të lartë dhe duke u angazhuar me përkushtim dhe pasion për zhvillimin e çdo nxënësi. Me shumë kënaqësi dhe dedikim, ato krijojnë një mjedis të ngrohtë dhe stimulues për mësim, ku fëmijët ndihen të mbështetur dhe të inkurajuar për të mësuar. Puna e tyre është një pasqyrë e angazhimit të thellë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e brezit të ardhshëm të shqiptarëve në diasporë.Koreografe Zoje Gjoni është e përkushtuar t’u mësojë fëmijëve vallet tradicionale, artin shqiptar dhe më shumë, duke punuar me pasion dhe përkushtim çdo javë me ta. Po ashtu, vullnetarët dhe asistente të shkëlqyera dhe shume te perkushtuara, Anila Diku, Jessica Marku, Juleda Krraba dhe Eriselda Marku, japin një kontribut të madh çdo jave në mbarëvajtjen e klasave. Kemi patur mbështetje dhe nga të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Birmingham, të cilët ndihmojnë në krijimin e një ambienti të kendshem dhe mbështesin mësueset dhe nxënësit në çdo hap të procesit dhe organizimin e aktiviteteve dhe eventeve që ne realizojmë. Puna e tyre është jashtëzakonisht e vlefshme për suksesin e shkollës dhe për të siguruar që çdo aktivitet të realizohet me sukses. Kontributi i tyre është thelbësor për krijimin e një mjedisi te kendshem dhe të suksesshëm.

BËHUNI PJESË E BRIGHT EAGLES PËR TË MËSUAR GJUHËN E KOMBIT

Bëjmë thirrje të gjithë prindërve shqiptarë që jetojnë në Birmingam të bëhen pjesë e Shkollës Shqipe Bright Eagles. Këtu, fëmijët e tyre do të mësojnë gjuhën, kulturën dhe traditat tona, duke krijuar një lidhje të fortë me rrënjët e tyre dhe një ndjenjë të thellë të përkatësisë. Së bashku, mund ta mbajmë gjallë gjuhën dhe kulturën tonë për brezat e ardhshëm!

RËNDËSIA E PËRKRAHJA E MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Mësimi i gjuhës shqipe është një nga mënyrat më të rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar. Gjuha është lidhja jonë kryesore me historinë, kulturën dhe traditat tona. Përmes shkollave shqipe dhe aktiviteteve kulturore, fëmijët jo vetëm që mësojnë të flasin dhe të shkruajnë shqip, por edhe zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj komunitetit shqiptar. Mbështetja e prindërve dhe komunitetit është kyçe në këtë proces, pasi vetëm nëpërmjet përfshirjes së përbashkët mund të sigurojmë që gjuha shqipe të vazhdojë të jetë pjesë e jetës së brezave të rinj në diasporë.

Shoqëria angleze e ka mirëpritur dhe mbështetur këtë iniciativë si një vlerë të rëndësishme kulturore. Gjithashtu, kemi pasur mbështetjen e bashkisë lokale, deputetëve të zonës dhe institucioneve të tjera. Një ndihmë e madhe ka ardhur nga Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të cilat na kanë mundësuar tekstet shkollore për nxënësit tanë dhe kanë marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme, si Festa e Abetares dhe Festat e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjithashtu, kemi pasur mbështetje nga shoqata të komuniteteve të tjera, me të cilat kemi ndarë përvoja dhe tradita kulturore. Bashkëpunimi me shoqatat shqiptare ka qenë i frytshëm, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave të ndryshme, gjë që ka ndihmuar në përmirësimin e procesit të mësimdhënies. Një ndër organizatat që na ka mbështetur që nga fillimi është Successful Mothers, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e komunitetit shqiptar në Britani.

KUSH ËSHTË ARDJANA GJONI THEMELUESJA DHE DREJTORESHA E SHKOLLËS SHQIPE “BRIGHT EAGLES”

Ardjana Gjoni ka mbi 25 vite që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, një udhëtim i mbushur me sfida, vendosmëri dhe suksese. Ajo u largua nga vendlindja në moshë të re, duke nisur nga e para në Angli, një vend me kulturë dhe mënyrë jetese krejt ndryshe. Si shumë emigrantë, edhe ajo u përball me vështirësi të shumta në fillimet e saj, nga pengesat gjuhësore e deri te përshtatja me një realitet të ri social. Megjithatë, këto sfida nuk e ndaluan; përkundrazi, e motivuan për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e saj.

Pas një periudhe të shkurter, Ardjana filloi studimet në kolegj, ku ndoqi degë të ndryshme, duke treguar përkushtim dhe pasion për të arritur më shumë. Me punë dhe këmbëngulje, ajo mbaroi kolegjin me sukses, por ëndrrat dhe ambiciet e saj nuk ndaluan këtu. E motivuar nga dëshira për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të siguruar një të ardhme edhe më të mirë, Ardjana vendosi të ndjekë studimet e larta. Me përkushtim të palëkundur, ajo përfundoi universitetin me rezultate të shkëlqyera, duke u diplomuar me graden më të lartë në Business Enterprise, një arritje e jashtëzakonshme duke pasur parasysh sfidat që e shoqëruan gjatë këtij rrugëtimi.

Gjatë viteve të studimeve, Ardjana jo vetëm që përballoi kërkesat akademike, por gjithashtu punoi në fusha të ndryshme për të mbështetur veten dhe familjen. Pavarësisht angazhimeve të shumta, ajo arriti të menaxhojë kohën dhe përgjegjësitë, duke u bërë një nënë e përkushtuar e katër fëmijëve – dy djemve dhe dy vajzave. Të qenit nënë, studente dhe e punësuar në të njëjtën kohë, ishte një sfidë e madhe, por Ardjana e përballoi me forcë dhe vendosmëri, duke treguar se asgjë nuk është e pamundur kur ke vullnet dhe pasion.

Prej shumë vitesh, Ardjana punon në një organizatë si Punonjëse Sociale për Skllavërinë Moderne, një rol me rëndësi të madhe që kërkon ndjeshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në këtë rol, ajo ofron mbështetje për persona që janë shfrytëzuar dhe kanë kaluar një jetë të vështirë, duke ndihmuar ata të gjejnë rrugën e tyre drejt lirisë dhe të integrohen në shoqëri me dinjitet. Përmes këtij angazhimi, Ardjana ka krijuar një lidhje të fortë me komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, duke u bërë një pikë referimi dhe mbështetje për bashkëkombësit e saj dhe jo vetëm, që kanë nevojë për ndihmë, udhëzim dhe përkrahje.

Përveç angazhimeve të saj profesionale, Ardjana është një shtyllë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Birmingham dhe më gjerë. Ajo ka organizuar për vite me radhë aktivitete dhe ngjarje kulturore që kanë për qëllim ruajtjen e identitetit shqiptar dhe forcimin e lidhjeve mes bashkëkombësve. Festa e Pavarësisë së Shqipërisë, festa e Mësuesit dhe festa e Nënës janë vetëm disa nga ngjarjet që Ardjana ka ndihmuar të organizohen, duke sjellë së bashku shqiptarët dhe duke krijuar një ndjenjë bashkësie dhe përkatësie.

Si një grua me vizion dhe pasion për edukimin dhe kulturën, Ardjana është gjithashtu anëtare e bordit drejtues të organizatës Successful Mothers, e cila mbështet nënat në rrugëtimin e tyre drejt suksesit personal dhe profesional. Në këtë rol, ajo punon me gra nga komunitete të ndryshme, duke i ndihmuar ato të kapërcejnë sfidat dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Falë punës dhe përkushtimit të saj, ajo është vlerësuar si një grua që ka dhënë një impakt pozitiv te shumë njerëz.

Një tjetër arritje e rëndësishme e Ardjanës është themelimi i organizatës Bright Eagles, një shkollë plotësuese në Birmingham që ofron mësim të gjuhës shqipe, valle tradicionale dhe aktivitete të tjera kulturore për fëmijët shqiptarë. Kjo iniciativë ka lindur nga dëshira e saj e thellë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare për brezat e rinj që rriten jashtë vendit. Përmes Bright Eagles, dëshira e Ardjanës nuk ishte vetëm që fëmijët të mësonin gjuhën shqipe dhe traditat, por gjithashtu t’i frymëzonte ata të jenë krenarë për rrënjët e tyre dhe të vlerësojnë trashëgiminë e tyre kulturore.

Puna e palodhur dhe përkushtimi i saj i pashoq kanë bërë që Ardjana Gjoni të jetë një figurë kyçe dhe një zë i fuqishëm për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Historia e saj është një shembull i jashtëzakonshëm i forcës, vendosmërisë dhe dashurisë për kulturën dhe rrënjët e saj. Ardjana vazhdon të punojë çdo ditë për të ndihmuar të tjerët, për të përkrahur komunitetin dhe për të siguruar që gjuha dhe kultura shqiptare të mbeten të gjalla për brezat që vijnë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI MONDI RAKAJT PËR HUMBJEN E XHAXHAIT

February 20, 2025 by s p

E nderuar familja Rakaj

I dashur miku ynë i shtrenjtë Mondi

Me keqardhje mësova lajmin e largimit nga jeta të xhaxhait tuaj të dashur e të paharruar Ndue Rakaj. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e xhaxhait tuaj të dashur e të shtrenjtë Ndue.

Forca, nderi dhe fisnikëria e të ndjerit Ndue Rakaj ishin model udhërrëfyes për familjen e farefisin.

Zoti ju dhashtë forcë për të përballuar dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të zemrës.

Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë jush, familjes e farefisit Rakaj, miqve e dashamirësve tuaj në këto momente trishtimi e lamtumire.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Dr.Elmi BERISHA

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT