• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

VATRA FESTOI 17 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 16, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 17 Shkurt 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra bashkoi shqiptarët e Amerikës në Bronx për të festuar 17 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një festë madhështore e shoqatave atdhetare, organizatave patriotike, aktivistëve të çështjes kombëtare, veprimtarëve e patriotëve që kanë kontribuar historikisht për kombin, atdheun e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha falenderoi liderët e komunitetit shqiptar për pjesëmarrjen në festën e Kosovës dhe renditi sfidat me të cilat është përballur shteti i Kosovës nga shpallja e pavarësisë deri në ditët e sotme. Kryetari Dr. Elmi Berisha në fjalën e tij përmendi ndër të tjera sakrificat për liri e pavarësi të shqiptarëve të Kosovës, veprën e ndritur kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërhyrjen e NATO, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës shqiptare të Amerikës dhe përkujdesjen e Federatës Vatra për çështjen e Kosovës. Z.Asllan Bushati në fjalën e tij deklaroi: “Lavdi atyre që qëndruan e sakrifikuan në burgjet serbe për lirinë e Kosovës”. Z. Halil Tetaj në fjalën e tij bëri një paralelizëm historik e kombëtar nga koha e Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, veprimtaria e humanizmi i Nënë Terezës, presidenti historik Rugova, UÇK, NATO e sakrificat e shqiptarëve deri te liria e Kosovës. Veprimtari i çështjes kombëtare Agim Aliçkaj kërkoi që të forcojmë Kosovën dhe Shqipërinë se shqiptarët janë kombi më i ndritur në botë dhe apeloi kundër përçarjeve politike e komunitare. Z. Bujar Verzivolli theksoi vëllazërinë e pandarë mes shqiptarëve në këtë ditë historike për shtetin e Kosovës, për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës pasi jemi një komb, një gjuhë, një gjak. Z. Bashkim Shehu vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për lirinë e Dardanisë. Z. Sokol Lulgjuraj drejtor ekzekutiv i Qëndrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan theksoi si vlerë vëllazërinë ndërfetare në aspektin social e fetar mes shqiptarëve. Artisti Shaban Lajçi emocionoi të pranishmit me recitimin e disa vargjeve patriotike kushtuar pavarësisë së Kosovës. Një festë atdhetare madhështore me Adem Jasharin e Ibrahim Rugovën në sfond, kushtuar Kosovës që do të mbahet mend gjatë në memorien e komunitetit shqiptar në Amerikë.

Gëzuar Kosovë, përjetë e mot.

Filed Under: Featured

Prof. Shaban Murati, diplomati i shquar që hartoi platformën diplomatike për çështjen çame

February 16, 2025 by s p

Alket Veliu/

Ikja në amshim e Profesor Shaban Muratit ka pllakosur në zi botën shqiptare, duke lënë pas një boshllëk të pamatshëm. Kombi Shqiptar humbi një prej mendjeve më të ndritura, një Ambasador të Madh. Ka ikur një njeri që ka lënë bosh vendin e tij si qytetar, si intelektual, si gazetar e si diplomat, që të detyronte ta ndiqje e ta respektoje. Kjo është një humbje e madhe që nuk mund të zëvëndësohet lehtë, jo vetëm për çështjen kombëtare, por edhe për mendimin e lirë.

Shaban Murarti është krenaria e kombit tonë, një ndër bijtë e tij më të rrallë, atdhetar dhe intelektual i shquar, figurë madhore poliedrike. Njeriu që bëri kaq shumë për atdheun e vet. Gjithë jetën punoi e luftoi që Shqipëria të bëhej si kombet e përparuara. Ndaj, me shumë të drejtë, është cilësuar si “ndërgjegja e shqiptarëve”, pasi ka ditur të sfidojë si askush, me veprat dhe opinionet e tij të shumta, duke dëshmuar shkëlqyeshëm se kombi është mbi partitë dhe jo partitë mbi kombin.

Se sa e deshi Shqipërinë, duket në veprat e tij të rralla, që janë një thesar për të gjithë brezat. Si drejtues i Fondacionit Çamëria ”Hasan Tahsini”, ku Prof. Shabani bënte pjesë si anëtar i bordit, e konsideroj veten me fat, që kam bashkëpunuar ngushtë për shumë vite me këtë Njeri të jashtëzakonshëm, mendimtar i pashoq, studiues i rrallë e skrupuloz, gazetar, publicist dhe diplomat i shquar, në botimin e librave, në promovime dhe aktivitete të ndryshme. Në shumë libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati, ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

Ndërsa përcaktimi i drejtë i një përkufizimi dhe i një qëndrimi adekuat për karakterin e vërtetë të çështjes çame është i një rëndësie kardinale.

Në një analizë dhe këndvështrim profesional, profesor Murati çështjen çame e ka përcaktuar si një çështje politike, që kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Zgjidhja e saj, përcakton profesor Shaban Murati, kërkon kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çështjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Platforma diplomatike kërkon që çështja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve.

𝐀𝐤𝐭𝐢𝐯𝐢𝐭𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐞 𝐅𝐨𝐧𝐝𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 Ç𝐚𝐦ë𝐫𝐢𝐚 ‘𝐇𝐚𝐬𝐚𝐧 𝐓𝐚𝐡𝐬𝐢𝐧𝐢’ 𝟐𝟎𝟏𝟗 – 𝟐𝟎𝟐𝟒 në mbështetje të botimit dhe promovimit të veprave të Profesor Shaban Muratit:

• 𝐍ë𝐧𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟏 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐢𝐦𝐢 i 𝐝𝐲 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐚𝐯𝐞 𝐭ë 𝐀𝐦𝐛𝐚𝐬𝐚𝐝𝐨𝐫 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢𝐭, “𝐃𝐞𝐭𝐢 𝐦𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐬ë 𝐝𝐡𝐞 𝐆𝐫𝐞𝐪𝐢𝐬ë” 𝐝𝐡𝐞 “𝐕𝐞𝐭ë𝐯𝐫𝐚𝐬𝐣𝐚 𝐝𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐭𝐢𝐤𝐞 𝐞 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯ë𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐬ë”, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

Fondacioni ka patur kënaqësinë t’ë mundësojë edhe botimin e këtyre librave.

• 𝐃𝐡𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟏, ‘𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐇𝐚𝐫𝐫𝐞𝐬ë𝐬’, 𝐏𝐫𝐢𝐬𝐡𝐭𝐢𝐧ë.

Promovimi i librave “Vetëvrasja politike e Shqipërisë dhe Kosovës” dhe “Deti mes Shqipërisë dhe Greqisë”, të Ambasador Shaban Muratit.

• 𝐃𝐡𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟏, ‘𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐇𝐚𝐫𝐫𝐞𝐬ë𝐬’, 𝐓𝐞𝐭𝐨𝐯ë

Promovimi i librave “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” dhe “Deti mes Shqipërisë dhe Greqisë” të ambasador Shaban Muratit u zhvillua në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti Tetovë. Ballkani i hapur, shkëmbimi i territoreve Serbi-Kosovë, Çështja Çame dhe Çështja e detit ishin temat e diskutimeve të folësve, tema të cilat gjetën interesim të madh të audiencës së përbërë nga diplomatë, profesorë të fakultetit juridik dhe studentë të këtij fakulteti.

• 𝐓𝐞𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟐 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐢𝐦𝐢 i 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢𝐭 ‘𝐑𝐮𝐬ë𝐭 𝐩𝐨 𝐯𝐢𝐣𝐧ë’, 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

“Rusët po vijnë” është një përmbledhje e analizave diplomatike për politikën e jashtme të Rusisë, duke nisur që nga agresioni i parë mbi Ukrainën në vitin 2014, botuar nën kujdesin e Fondacionit Çamëria ‘Hasan Tahsini’.

• 𝐐𝐞𝐫𝐬𝐡𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟑 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢 𝐢 𝐩𝐫𝐨𝐟. 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢𝐭 “𝐀𝐧𝐭𝐢𝐭𝐚𝐛𝐮 𝐩ë𝐫 𝐟𝐢𝐥𝐨𝐳𝐨𝐟𝐢𝐧ë 𝐟𝐢𝐥𝐨𝐭𝐚𝐛𝐮 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞”, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

Përpara dhjetra të ftuarve, intelektualë, studiues, shkrimtarë, gazetarë e veprimtarë kombëtarë e shoqërorë, u promovua në ambientet e Hotel Tirana, vepra e studiuesit dhe diplomatit të mirënjohur Shaban Muarti “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”. Kjo vepër, mundësuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta shqiptare.

• 𝐍ë𝐧𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟑 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐢𝐦𝐢 i 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢𝐭 “𝐀𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐚 𝐞 𝐝𝐮𝐡𝐮𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢-𝐊𝐫𝐨𝐚𝐜𝐢”- 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

“Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” nga Ambasador Shaban Murati, është libri i parë dhe i vetëm nga një autor në Shqipëri për marrëdhëniet aktuale të Kroacisë me Shqipërinë dhe për politikën e jashtëme të Kroacisë në Ballkan nga pavarësia e saj deri më sot.

Në këtë aktivitetet, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, i akordoi medaljen “Mik i Madh i Shqiptarëve” presidentit kroat në vitet 2000-2010 Sh.T.Z Stjepan Mesić.

• 𝐒𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟒 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢 𝐢 𝐫𝐢 𝐢 𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢𝐭 “𝐊𝐨𝐧𝐭𝐞𝐤𝐬𝐭𝐢 𝐫𝐚𝐣𝐨𝐧𝐚𝐥 𝐢 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜ë𝐬 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢-𝐓𝐮𝐫𝐪𝐢”, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

Në ambjentet e Hotel “Tirana Internacional”, në prani të dhjetra të pranishmëve, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë, profesorë, gazetarë, diplomatë dhe veprimtarë kombëtarë, u promovua më 21 shkurt, libri i Prof. Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”, botim i mbështetur nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, i cili ishte dhe organizator i këtij takimi.

Pofesor Shaban Murati ka lënë në dorëshkrim librin e tij më të fundit “Antitabu 3”, si dhe është duke u përgatitur një film dokumentar për jetën dhe veprën e tij, mbështetur nga Fondacioni Camëria “Hasan Tahsini”. U trashëgoftë në breza vepra dhe shembulli atdhetar i këtij personaliteti të ndritur. Prehu në paqen e përjetshme, Miku ynë i shtrenjtë!

Filed Under: Fejton

𝐃𝐞𝐦𝐨𝐤𝐫𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐕𝐞𝐩𝐫𝐢𝐦 𝐟𝐮𝐧𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐨𝐧 𝐯𝐞𝐭𝐞̈𝐦 𝐦𝐞 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳 𝐧𝐞̈ 𝐕𝐞𝐩𝐫𝐢𝐦

February 16, 2025 by s p

𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/

Democracy in Action – Demokracia në Veprim nuk funksionon pa Njerëz në Veprim. Nuk ekziston asnjë sistem që garanton demokracinë e vërtetë, por ka njerëz e shoqëri aktive që e mbajnë të gjallë dhe efektive qeverisjen dhe drejtimin demokratik. Asnjë fryt nuk vjen nga sistemet, sado i emancipuar të jetë, por nga veprimi i njerëzve. Asnjë titull shtetarie apo ofiq nuk sjell të mira të përbashkëta nëse nuk ka njerëz që veprojnë.

Përmes veprimit arrihet edhe lumturia – pra, si lumi që rrjedh. Jo lum ai që rri por lum ai që rrjedh, si lumi, si vetë jeta.

Ka shumë vurrata fizike e shoqëroe e nevoja bazike në ditët e sotme. Ka njerëz të paushqyer, të sëmurë, analfabetizëm (sipas ETF, në 2025-ën 47% e shqiptarëve mbi 15 vjec nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë), korrupsion, krim, mungesë meritokracie, etj. Kështu ka qenë në mijëvjeçarë e kështu do mbetet pasi është pasojë e vanitetit njerëzor, por është e do mbetet gjithmonë një thirrje për veprim.

Është përgjegjësi individuale që gjithësecili, teksa e vendos kokën mbi nënkresë, përpara se të flejë, të shqyrtojë veten: A veprova unë sot? A ndikova unë sot në jetën e tjetrit, në të mirën e qytetit, vendit, botës, apo çfarëdoqoftë?

Gjëja më e keqe që mund të bëjë njeriu në jetë është të bëjë asgjë. Nuk ka sakrilegj më tragjik se një njeri që e ngrys ditën e vet pa bërë gjë, pa vepruar, pa kontribuar. Çdo individ duhet të veprojë, të lëvizë, të rrjedhë, jo këmbadorasi, jo duke u zvarritur e ngjethur si zvarranikët, por në këmbë, me integritet e me krenarinë e një qenieje njerëzore.

Kur sot flasim për Demokracinë mendojmë për lindjen e saj në Athinën e lashtë përpara dymijë e pesëqind vitesh. Por Demokracia e sotme nuk ka asnjë lidhje me atë athinase. Demokracia e Athinës së lashtë përbëhej nga një formë qeverisjeje me mbledhje masive qytetarësh. Demokracia athinase u bë e njohur vetëm prej nivelit të lartë të veprimtarisë politike të qytetarëve të saj. Ata jo vetëm që merrnin pjesë në mbledhjet e rregullta të Kuvendit, por ishin të përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësinë e funksioneve publike dhe vendimmarrjes.

Vendimet kryesore merreshin nga Kuvendi, ose Bashkësia, të cilës i përkisnin të gjithë qytetarët. Kjo mblidhej të paktën 40 herë në vit në një formë qeverisjeje me mbledhje masive. Kuvendit i nevojiteshin zyrtarë publikë, ata zgjidheshin me short ose me rotacion për t’u siguruar që ata përbënin një mikrokozmos të qytetarëve më gjerë dhe mandatet ishin zakonisht të shkurtra për të arritur pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme.

Këshilli i përbërë nga 500 qytetarë vepronte si komitet ekzekutiv ose drejtues i Kuvendit, dhe një komision prej 50 anëtarësh i bënte propozime Këshillit. Kryetari i Kuvendit mbante detyrën vetëm për një ditë të vetme dhe asnjë athinas nuk mund ta kishte këtë nder më shumë se një herë në jetën e tij.

Pra thelbi i demokracisë së vërtetë është Njerëz në Veprim, Njerëz të Angazhuar, Njerëz që Kontribuojnë.

Çdo njeri është i aftë të veprojë. Jo të gjithë kanë talente e dhunti të dalluara por që të gjithë lindin me aftësinë për të vepruar. Kushdo që mbledh krahët rreth vetes, mbyll sytë ndaj padrejtësisë, kafshon gjuhën kur i duhet të flasë, mbyll sytë kur duhet të shohë, vjedh e zhvat kur duhet të japë, përqesh kur duhet të pikëllohet, fle kur duhet të zgjohet, shkatërron kur duhet të ndërtojë, zgjedh me vetëdije të mos jetë qytetar i përgjegjshëm për një shoqëri demokratike. Zgjedh të jetë asgjë.

Unë, në jetën time, modestisht zgjedh të veproj, e veproj, e veproj, në çdo frymëmarrje.

Filed Under: ESSE

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

February 15, 2025 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot kujtojmë Avdullah Nikën në 27-vjetorin e rënies heroike për lirinë e Kosovës, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rënia e tij shënoi një moment historik në luftën për çlirimin e Kosovës, duke u bërë simbol i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. Në vitin 1998, kur dhuna dhe represioni serb ndaj popullsisë shqiptare arritën kulmin, njerëz si Avdullah Nika u rreshtuan në frontin e rezistencës për të mbrojtur popullin dhe të ardhmen e vendit.

Përkushtimi dhe guximi i tij frymëzoi shumë të tjerë që të bashkoheshin në luftën për liri. Sot, pas 27 vitesh, kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e gjithë shqiptarëve, si një dëshmi e sakrificës dhe guximit të atyre që dhanë gjithçka për një Kosovë të lirë dhe sovrane.

Viti 1998 shënoi një kapitull vendimtar në historinë e Kosovës, ku shqiptarët intensifikuan përpjekjet për organizimin dhe forcimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në çdo cep të Kosovës, njerëzit u bashkuan në mbështetje të luftës për liri, ndërsa Drenica u shndërrua në një kështjellë të lavdishme të mobilizimit vullnetar dhe të qëndresës ndaj okupatorit serb.

Brutaliteti i forcave serbe ndaj banorëve të Drenicës filloi të intensifikohej, duke përdorur të gjithë makinerinë ushtarake dhe policore për të shtypur rezistencën shqiptare. Vrasja e mësuesit Halit Geci në nëntor të vitit 1997 dhe sulmi mbi familjen Jashari më 22 janar 1998 ishin sinjal i qartë se forcat kriminale serbe do të përdornin të gjitha metodat për të shkatërruar UÇK-në dhe për të ndalur përpjekjet për liri.

Një tjetër dëshmi e kësaj dhune ishte edhe sulmi mbi Avdullah B. Nikën, i cili u vra vetëm sepse ishte në krah të ushtarëve të UÇK-së.

Shkurti i vitit 1998 ishte një nga periudhat më të përgjakshme në historinë e Kosovës. Makineria ushtarake serbe intensifikoi dhunën dhe represionin ndaj popullsisë shqiptare, veçanërisht në Drenicë. Megjithatë, në vend që të shuante përpjekjet për liri, terrori serb vetëm sa e ndezi edhe më shumë flakën e rezistencës.

Rënia heroike e Avdullah B. Nikës shënoi një pikë kthese në luftën për çlirim. Ai u bë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës, duke hyrë në historinë kombëtare si një dëshmor që ndriçoi rrugën e brezave të ardhshëm. Pas tij, mijëra të tjerë u rreshtuan në luftën e shenjtë për liri, duke e shndërruar gjakun e derdhur në themelin e shtetit të Kosovës.

Sot, 27 vite pas asaj sakrifice, kujtimi i Avdullah B. Nikës dhe i të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës mbetet një frymëzim i përjetshëm. Amaneti i tyre vazhdon të jetojë në çdo shqiptar që punon për një Kosovë të lirë, sovrane dhe të zhvilluar.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Filed Under: Histori

Bashkia e Nju Jorkut festoi madhërisht 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në fokus ishin mediet e diasporës

February 15, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Është bërë traditë e bukur që festat kombëtare si Dita e Flamurit dhe Pavarësia e Kosovës po festohen në City Hall në mjediset komode të saj. Pjesëmarrës të shumtë me flamujt kombëtarë dhe të shtetit të Kosovës vinin grupe-grupe dhe uleshin në sallë për të parë nga afër ceremoninë festive në nderim të Pavarësisë së Kosovës. Ceremonia u nderua dhe u moderua nga znj. Kristy Marmorato anëtare e këshillit bashkiak si dhe nga z. Mark Gjonaj. Emocionuese gjithmonë teksa shoh si parakalojnë policët shqiptaro amerikanë të NYPD Illyrian Society of Law Enforcement Officers ndërsa salla i mirëpret me duartrokitje. Himnet Kombëtare amerikane dhe shqiptare u interpretuan me plot kulturë nga Mikejla Nonaj dhe Isli Ademi.

Imami Edin Gjoni me një elekuencë në të folur dhe një qetësi hyjnore i bëri një skaner gjithë historisë së Kombit tonë, vuajtjeve si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe nga Atdheu yne i dytë Amerika.

Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Manhattan Ambasador Blerim Reka midis të tjerash shprehu mirënjohjen, respektin, vlerësimin maksimal për Diasporën dhe gjithë mediet shqiptare në Amerikë që punuan fort për ta çliruar Kosovën. Diaspora shqiptare dhe mediet ngritën peshë popullin amerikan dhe gjithë instancat më të larta të qeverisë amerikane.

Këshilltarja e Bashkise znj. Kristy Marmorato nje zonjë plot sharm dhe elegancë shprehu mirënjohjen e pakufishme për mediet jo vetëm në rolin e Pavarësisë së Kosovës, por edhe në Diasporën Shqiptaro Amerikane.

Zoti Mark Gjonaj në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Diasporës zgjedhur nga shteti shqiptar nderoi Pavarësinë e Kosovës, U Ç K-në dhe gjithë mediet shqitparo amerikane që punuan aq atdhetarisht për Kosovën.

Z. Gjonaj falënderoi gjithashtu zoterinjtë që kanë bashkëpunuar si znj. Vera Mjeku, z. Ismer Mjeku, Toni Musaj dhe Meri Camaj.

Gazetari i njohur z. Arben Xhixho shef i seksionit shqip për “Zërin e Amerikës” foli për kontributin e Zërit të Amerikës rolin kyç të saj në përmbysjen e komunizmit në Shqipëri si dhe për mbrojtjen e Kosovës.

Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit u perfaqësuan denjësisht si për 18 vjet radhazi në këto aktivitete kombëtare me dy valle si K’cimi i Tropojës me Shkollën Shqipe në Bronx dhe vallja e Flamurit me Shkollën Shqipe në Staten Island të përgatitura profesionalisht nga mësuese Entela, Helena, Erinda dhe Albana.

Krenari qe “K’cimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jo materiale të Njerëzimit në UNESCO.

Mësuesit dhe nxënësit e Shkollave Shqipe “Alba “Life” kanë 18 vjet që për çdo vit e performojnë këtë valle në klasa dhe në skenat e Nju Jorkut dhe natyrisht nuk kishte lajm më të bukur të cilët kërcejnë sikur të ishin Ansambli i shtetit shqiptar.

Performuan gjithashtu nxënësit e “Children of the Eagle”.

Mediet shqiptaro-amerikane që u vlerësuan janë: “Zëri i Amerikës”, Gazeta “Dielli”, Gazeta “Illyria”, “Kosova Press”, “RTV 21”, Televizioni “Alba Life”, “TV Viktoria”, Radio “Zani i Malcisë, Radio “Zëri i Kombit”, “Albanian Culture” dhe “Bota Sot” .

Të nderuar të vlerësoheshim si Media TV “Alba Life” në City Hall në Bashkinë e Nju Jorkut në kremtimin e 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës si dhe medie të tjera që kanë punuar dhe mbështetur Pavarësinë e Kosovës.

TV “Alba Life” si dhe Shkolla Shqipe u krijua para Pavarësisë së Kosovës dhe në nderim të Kosovës për të sensibilizuar mbarë opinionin se çfarë po ndodhte në mes të Europës nga krimineli i Ballkanit sllobodan milosheviç.

Udha nuk ka qenë e kadifejtë, e shtruar në dafina, por me profesionalizëm, përkushtim dhe atdhetari ecëm, ndonëse vazhdon të jetë jo e lehtë…

Sidoqofte siç thotë Themeluesi i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador I Kombit Qemal Zylo kemi ende shumë punë për të bërë derisa të arrijmë në amanetin e të parëve për të bashkuar trojet shqiptare të copëtuara dhe të ndara nga fuqitë europiane që vendosnin fatet tona.

U ndamë nga kjo ceremoni festive si gjithmonë me shpresën se së shpejti Shqipëria dhe Kosova dhe gjithë trojet shqiptare do të jenë zyrtarisht nën një Flamur kuq e zi.

Gëzuar Kosova jonë!

Faleminderit Bashkia e Nju Jorkut!

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT