• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Si në Shqipëri edhe në Kosovë Dita e Verëzes-Verës, Festë e Traditës Shqiptare

March 14, 2025 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, Mars 2025/ Dita e Verëzës, si Dita e Verës në Elbasan – në Shqipëri në 14 Mars, është edhe në Kosovë në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.

Në Kosovë, edhe pse ka ide, ende nuk ka organizime institucionale për festimin e Ditës së Verëzës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli.

Ndërkohë, Dita e Vërëzës prej tetë vitesh është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.

“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Në 14 Mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në 23 Shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.

Në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në një raportim nga Kosova në 14 Mars 2012 shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.

“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide apo iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.

Në një foto ekskluzive arkivi të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në dëborë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht Albanian Telegraphic Agency – ATA e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, për të cilën mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoja nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.

Ndërsa, në 18 Mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 Mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë, mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes, pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterrojnë kurrë, mbledhin bimë, lule, drunj e shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të lyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.

Në drekën e Ditës së Verëzës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzës festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, e dashuri njerëzore.

Në këtë ditë që është e verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallërimin, kalimin nga dimri në pranverë.

Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, vezët e ziera i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.

Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumta mes të afërmëve dhe familjarëve.

“Ani mori Verë moj e lumja Verë

Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.

Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verëzës në Zhur, fshatin më të madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.

Verëzës i këndohet edhe në 13 Mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”…

Filed Under: Reportazh

“Mjekësia në Arbëri gjatë Epokës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”

March 14, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Sikurse del nga veprat e jetëshkruesve klasikë dhe atyre më të vonë, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhej, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut rrallë herë e humbiste gjakftohtësinë, por gjithmonë tregohej shumë i matur. Kurrë nuk i braktiste ushtarët e vet të plagosur në fushën e betejës, por gjithmonë kujdesej për ta dhe pas përfundimit të çdo beteje, ai hynte nëpër tenda, sepse donte të shihte personalisht plagët e rënda, të ishte i pranishëm kur realizoheshin ndërhyrje kirurgjikale dhe të monitoronte vazhdimisht procesin e trajtimit mjekësor (1). Asokohe, në qytetet dhe malësitë tona kishte “mjekë”, që dinin të mjekonin plagët e armëve, por edhe të shëronin sëmundje të ndryshme (2). Bie fjala, mjeku i parë nga Kosova, që përmendet në burimet mesjetare raguzane që në vitin 1349 është njëfarë, Milicius de Presarin (Milo i Prizrenit), i cili është marrë me kirurgji, përkatësisht me urologji (3). Në kohët e hershme, në fshatin Karmë të Shkodrës (midis Vaut të Dejës, Komanit e Shllakut) ishin të njohur kirurgët popullorë të familjes, “Mjekaj”; në Ungrej të Kashnjetit (Lezhë) ata të familjes “Mjeku (4)” dhe po ashtu, familja “Mjeku” në Malaj të Mirditës (5). Shërues popullorë të tillë kishte edhe në Krujë, Kurbin, Mat, Dibër, Elbasan, Prizren etj. (6). Po ashtu, në vendin tonë, gjatë Mesjetës së Vonë kanë ekzistuar edhe institucione për kujdesin shëndetësor, ku garantohej trajtimi i pacientit nga një personel i specializuar, pra spitale të moçme, të cilët, njësoj si në vendet e tjera të Europës u ndërtuan kryesisht pranë kuvendeve dhe manastireve (7). Gjatë Mesjetës, në Perëndim, mjekësia ishte shumë e varur nga Kisha Katolike, e cila drejtonte spitale, azile, kolonitë lebroze dhe rregullonte mësimdhënien në universitete (😎. Në këtë periudhë, spitalet ruanin lidhjen simbolike dhe materiale me Kishën dhe Doktrinën e Krishterë, bazuar në idenë se trupi dhe shpirti ishin të lidhur ngushtë dhe të ndikuar reciprokisht. Prandaj, mjekët refuzonin të trajtonin pacientë që nuk kishin bërë një rrëfim, pasi sakramenti i rrëfimit e pastronte shpirtin nga mëkatet (9). Mjekët ishin murgj dhe nëpërmjet praktikimit të mjekësisë nëpër manastire ata lehtësonin mjerimin njerëzor (10). Shërbimi mjekësor ofrohej falas, sepse gjithçka lidhej me bamirësinë. Kjo bëhej konform mësimeve të dy Etërve të mëdhenj të Kishës, Shën Agustinit dhe Shën Ambrozit, të cilët predikonin detyrimin e kujdesit shëndetësor ndaj të sëmurëve (11). Duke qenë se spitalet ndodheshin pranë manastireve, ata shpesh imitonin manastiret. Pacientëve u kërkohej herë pas here të ndiqnin rregullat e manastirit dhe disa spitale pranonin 12 pacientë meshkuj, duke ju referuar në mënyrë të qartë 12 Apostujve të Jezu Krishtit (12). Ndërtimi dhe mënyra e organizimit të spitaleve të moçme në Arbëri gjatë Mesjetës së Vonë u bë sipas dy modeleve, atij me ndikim bizantin ose lindor dhe atij me ndikim të fortë italian ose perëndimor. Kjo kushtëzohej nga vetë pozicioni gjeografik i vendit tonë, midis Lindjes dhe Perëndimit. Gjatë viteve 1327-1335, u ndërtua Spitali i Deçanit (ku trajtoheshin të sëmurët nga epilepsia, tuberkulozi, reumatizmi dhe leproza), më vonë Spitali i Prizrenit dhe Spitali i Artanës/Novobërdës, por gjithashtu në disa burime të shek. XIV ndeshim edhe gjurmët e para të dokumentuara për zhvillimin e farmacisë, kur në vitet 1339-1340 në Prishtinë përmendet farmacisti i shquar i kohës, Zanini (13). Burimet e kohës dëshmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për ekzistencën e një numri të konsiderueshëm spitalesh dhe të disa prej barnatoreve ose farmacive të para në Arbëri në qytetet e Albania Veneta, si: Shkodra, Durrësi, Lezha, Drishti, Ulqini, Tivari, Budva dhe Kotorri. Vetëm brenda mureve të qytetit të Kotorrit kishte 3 spitale, të cilët ishin: “Hospitale S. Crucis (Spitali i Kryqit të Shenjtë)”, “Hospitale Spiritus Sancti (Spitali i Shpirtit të Shenjtë)”, që u shërbenin të varfërve (pauperum) dhe “Hospitale S. Lazari (Spitali i Shën Lazrit)”, i cili shërbente posaçërisht për trajtimin e lebrozëve, pra një Leprosarium i mirëfilltë, dhe që përmendet për herë të parë në burimet e shkruara në vitin 1431 (14). Nga ana tjetër, janë vetë statutet e disa prej qyteteve të lulëzuara të Arbërisë Veneciane, që dëshmojë në mënyrë të qartë kulturën e lartë shëndetësore që ekzistonte, jo vetëm nëpër manastire, por edhe jashtë tyre, në qytetet mesjetare arbëre. Në disa prej këtyre statuteve përfshihen rregullore që tregojnë një shqetësim për shëndetin e publikut, ku ndalohet shitja e peshkut jashtë tezgave të tregut të peshkut, ndalohet shitja e kafshëve të ngordhura apo shitja e mishit të qenit në vend të mishit të dhenve, ka rregullore për mbrojtjen e pastërtisë së rrugëve, kanalizimeve, puseve, përrenjve e lumenjve dhe çdo shkelës penalizohej me gjobë ose me ndëshkim trupor (15). Pra, të gjitha këto evidenca, që i ndeshim te statutet e qyteteve arbëre, hedhin poshtë mendimin e përgjithshëm se gjatë Mesjetës qytetet kanë qenë shumë të ndotur. Ndërsa, përsa i përket Mjekësisë duhet të theksoj se asokohe, shtetet italike kanë qenë lider në këtë fushë, siç kemi edhe sot Italinë. Që në shek. XI, në qytetin Salerno, në bashkëpunim me Manastirin e Monte Casino, u themelua shkolla e mjekësisë (Universiteti) ose qendra më e madhe e studimit dhe e mësimit në Botën e Krishterë, e cila u vu në krye të rilindjes së mjekësisë në Europë (16). Të gjithë universitetet dhe shkollat mjekësore u krijuan fillimisht në Itali dhe më pas u zhvilluan nëpër vende të tjera të Europës. Kjo është arsyeja pse pjesa më e madhe e mjekëve më të njohur gjatë Mesjetës së Vonë kanë dalë nga Universitetet italiane, po ashtu edhe spitalet dhe farmacitë më të njohura në Arbëri janë themeluar kryesisht në qytetet e Arbërisë Veneciane. Nga hulumtimet e medievistit të shquar shqiptar, J.Drançolli, së fundmi mësojmë edhe një fakt tjetër shumë interesant, i cili mbart një rëndësi të veçantë. Duke u mbështetur në dokumentet zyrtare të ruajtura në Arkivin Shtetëror të Padovës dhe Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, ai flet pikërisht për mjekun personal të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ishte “Gjergj Spani”, pjesëtar i familjes së njohur bujare dhe princërore të Arbërisë, që pasi mori doktoraturën në shkencat mjekësore në Universitetin e Padovës, në Itali, u bë i njohur si mjek dhe bibliofil mjekësor jo vetëm në Padova, por edhe në Piove di Sacco, pranë Padovës, një qendër e njohur edhe sot për mjekësinë moderne (17). Pra, me pak fjalë, pranë Kryeheroit shërbente një mjek arbër i specializuar në njërin prej institucioneve arsimore më të shkëlqyer të Europës Perëndimore.

BIBLIOGRAFIA:

1) G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 43.

2) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.

3) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445-446.

4) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.

5) P.Doçi, Prejardhja e familjeve princore, f. 79-81.

6) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.

7) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445.

8)A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 75.

9) T.Buklijaš, Medicine and Society in the Medieval Hospital, në: Croatian Medical Journal, 49:2, April 2008, f. 151-154.

10) A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 76.

11) Ibidem, f. 76.

12) T.Buklijaš, Medicine and Society in the Medieval Hospital, në: Croatian Medical Journal, 49:2, April 2008, f. 151-154.

13) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445-446.

14) V.Živković, Sacral Topography, Charity and Hospitals in Late Medieval Kotor, në: Tracing Hospital Boundaries: Integration and Segregation in Southeastern Europe and Beyond, 1050-1970, Chapter 9, (Volume Editors: Jane L. Stevens Crawshaw, Irena Benyovsky Latin and Kathleen Vongsathorn), Brill, 2020, f. 193–212.

15) G.Milović-Karić & Đ.Milović, Tragovi zdravstvene kulture u srednjovjekovnome budvanskom statutu, në: Acta Med. Hist. Adriat., 8 (2), 2010, f. 261-266.

16) A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 77-78.

17) Më gjerësisht shih J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 447-450.

Nga: Paulin Zefi.

Lezhë, më dt. 13.03.2025.

Filed Under: Politike

Përkujtim në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit

March 14, 2025 by s p

Sot, më 13 mars 2025, në shenjë nderimi dhe kujtimi për 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit (1965-2025), kryetari i VATRA Boston, Mentor Maksutaj, dhe nënkryetari Theofan Koja vizituan varrin e dijetarit të madh shqiptar.

Fan S. Noli mbetet një nga figurat më të shquara të kombit—patriot, klerik, diplomat, shkrimtar dhe reformator. Si themelues dhe drejtues i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, ai u përkushtua me mish e shpirt për çështjen shqiptare, për forcimin e diasporës dhe për zhvillimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve.

Trashëgimia e tij është një udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke mbetur një simbol i përkushtimit, dijes dhe atdhedashurisë.

Fan Noli nuk ishte thjesht një njeri i kohës së tij, por një figurë që e tejkaloi epokën dhe kufijtë. Mendimi i tij vizionar, përpjekjet për një Shqipëri më të drejtë dhe puna e tij për kombin do të mbeten të pavdekshme. Sot, teksa kujtojmë jetën dhe veprën e tij, le të frymëzohemi nga idealet që ai la pas dhe të vazhdojmë rrugën e ndritur që ai trasoi.

Lavdi jetës dhe veprës së Fan S. Nolit!

Filed Under: Opinion

Shqiptarët përballë një bote të trazuar

March 13, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Lufta në Ukrainë dhe qëndrimet e fundit të Fuqive të Mëdha, kanë polarizuar edhe më tej skenën nërkombtare. Sot më tepër se kurrë po bëhet më e dukshme lidhjen dhe ndërvarësinë që ekziston ndërmjet aspektit demografik dhe atij gjeopolitik. Për vetë specifikën, vendin që zë, shtrirjen dhe veçanërisht statusin aktual të popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, lidhja dhe ndërvarësia e mësipërme është, jo vetëm evidente, por mjaft e rëndësishme për zhvillimet në rajon dhe stabilitetin dhe paqen e tij. Ndarja e Ukrainës do të ketë një ndikim drastik në Ballkan. Ajo do të shtonte edhe më tepër orekset sërbe për të rrëmbyer territore në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë, prandaj zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës sjell një situatë, cilësisht të re në faktorizimin e çështjes shqiptare në veçanti, por edhe jep garanci dhe siguri për stabilitetin e të gjithë rajonit, në përgjithësi. Në këtë kuptim, çështja kombëtare e shqiptarëve përfiton një “standard” të ri dhe mendoj se duhet parë e analizuar në një këndvështrim tjetër e në një optikë të re që është krijuar.  Mendohej që gjeopolitika e Ballkanit përfundoi rikonfigurimin me shtetin e Kosovës dhe të Malit Zi. Kjo e parë në zhvillimet e reja është një qasje e gabuar, pa ju dhënë fund problemeve të pazgjidhura në Kosovë, Bosnje dhe Maqedonin e Veriut.

Shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Ata janë një popullsi që e ka tejkaluar shifrën prej 7.5 milionë banorësh, duke u renditur ndër tre popujt më të mëdhenj të këtij rajoni. Rritja e popullsisë në të gjitha trojet shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lartat në Europën e sotme. Me keqardhje duhet të themi se, në vëndin amë kjo dukuri vitet e fundit ka një rënje, pasi shumë shqiptarë po largohen nga vëndi, sidomos moshat e reja. Nga territoret historikisht të banuara nga shqiptarë etnikë autoktonë, emigracioni, për arsye politike historike, të shtypjes dhe represionit sistematik, ka qenë shumë më i lartë. Madje më shumë se gjysma e shqiptarëve të këtyre trevave jetojnë e punojnë në emigracion, kryesisht në Europën Perëndimore, në SHBA dhe Turqi. Sot më tepër se kurr, shqiptarët duhet të gjejnë pozicionin e tyre, dhe ky pozicion duhet të jetë një zë i unifikuar nga të gjithë. Eksperjenca e kaluar është shumë e hidhur në çeshtjen shqiptare. Sa për kujtesë le ti referohemi historisë. 

Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, u përballë me qëndrimet shoviniste të shteteve të reja kufitare, si ato greke, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, (një situatë që po përsëritet sot), me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane. Parashikohej aneksimi i plotë i tyre me vijë takimi të përbashkët e vijëndarëse lumin Shkumbin. Fatkeqësisht, si gjithmonë, Lëvizja jonë Kombëtare, në momente të caktuara, por tepër jetësore në mbrojtje të viseve të veta, u përball edhe me indiferentizmin e Fuqive të Mëdha. Në mesin e shek. XIX, sipas shumë vëzhguesve të huaj, të cilët e njohën nga afër gjeografinë njerëzore të Gadishullit Ballkanik, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë; Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir; Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë,(Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Sipas këtyre studimeve në këto krahina kishte edhe banorë të kombësive fqinje ballkanike (grek, vëlleh, maqednas, serbë, malazes, turq), por këto përbënin pakica shumë të vogëla, në kuadrin e shtrirjes së madhe të popullsisë shqiptare. Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve, Kosova, Shkodra, Manastiri, Janina. Trojet me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2. Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Perandorisë. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Ai do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Këtu u përfshinë edhe trojet shqipëtare. Brutaliteti i politikës perandorake ruse e mbështetur kjo nga fuqitë e tjera europiane do të dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike e kombëtare. Rusia nuk e njihte Shqipërinë as si shprehje gjeografike. Këtë e bënë jo se nuk kishin informacion për shqiptarët, por këtë e bënte më qëllim që t’ua mundësonte shteteve sllave zgjerimin territorial në këto vise pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Trojet shqipëtare u copëtuan midis katër shteteve. Pjesa më e madhe nën sundimin e Perandorisë Osmane, kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës. 

Të njejten linjë ndoqi edhe Kongresi i Berlinit, i cili u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës; Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. 

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913, njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Copëtimi i 1913-ës la pasoja të rënda në kombin shqiptar dhe ishte tragjedia më e madhe kombëtare, duke përgjysmuar gjysmën e territorit të ngelur dhe më tepër se gjysmen e popullsisë. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile dhe u kryen spastrime etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare.

Vetëm ndërhyrjet amerikane të viteve 1919-1920 dhe ndërhyrja e NATO-s me SHBA në vtet 1999 kanë qënë vendimtare për kombin tonë.

Duke analizuar me kujdes këto procese dinamike mund të konkludohet se aktualisht përballë kësaj situate, faktorët demografikë të shqiptareve janë dhe mbeten, objektivisht, tepër ndikues në planin gjeopolitik, për të ardhmen e tyre dhe të popujve të tjerë në rajon. Natyrisht, këta faktorë mund dhe duhet të adresohen me pozitivizëm, si në dobi të shqiptarëve, ashtu dhe në dobi të rajonit, të konsiderohen me kujdes, të pranohen me realizëm dhe t’i hapet rrugë akomodimit e integrimit të tyre mbi bazën e ideve dhe vlerave europiane. Tranzicioni i zgjatur dhe problematik krijon shqetësime për aspektet demografike e gjeopolitike të shqiptarëve. Shkalla e ulët e demokracisë pluraliste, difektet në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, mosfunksionimi i shtetit ligjor, problemet në ekonominë e tregut të lirë dhe të hapur etj, shkojnë kundër interesave të shqiptarëve dhe të vlerave të tyre në rajon. 

Përfundimi i tranzicionit do të jetë, në fakt, një erë e re për të ardhmen dhe rolin e tyre, ku interesat kombëtare të shqiptarëve janë të lidhura me interesat e popujve të tjerë, në dobi të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor dhe të integrimit të tij në strukturat euroatlantike. Sot më tepër se kurr duhet të kërkohet një unifikim Shqiptarë për çeshtjet kombëtare. Pozita gjeografike, dinamika etnografike dhe gjeopolitika e shndërrojnë faktorin shqiptar në një nyje qendrore drejt Europës, së bashku dhe si pjesë dinjitoze e Gadishullit Ballkanik. Sfida më e madhe është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike, arsimore, lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj., mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv; të integrimit në strukturat euroatlantike.  Në Neni 8 të Kushtetutes së Republikës së Shqipërisë theksohet se; 

1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. 

2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet. 

3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Mbi këtë bazë i takon shtetit amë që të udhëheqë këtë proces. 

Filed Under: Ekonomi

60 vjet më parë u nda nga jeta Fan Stilian Noli (06 Janar 1882 – 13 Mars 1965)

March 13, 2025 by s p

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA.

(Muzeu Historik Kombëtar)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT