• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Bajram Curri në Zonën Neutrale të Junikut

March 29, 2025 by s p

Prof. dr. Lush Culaj

Puna për caktimin e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë nisi me krijimin e Zonës Neutrale të Junikut. Intervenimet e shumta të Ushtrisë jugosllave në territorin e Shqipërisë dhe sulmi grek në jug të vendit nga ana e tjetër, përbënin një rrezik permanent për shtetin shqiptar, i cili ishte në konstitutim e sipër, sikundër që edhe në aspektin ekonomik e dëmtuan shumë. Për t’i shmangur konfliktët e përmasave më të gjera, Fuqitë e Mëdha vendosën që të formohet Zona Neutrale e Junikut, e cila qëndroi si e tillë në vitet 1921-1923.

Ajo ishte një zonë damarkacioni në vijat e kufirit shqiptaro-jugosllav. Shtrirja gjeografike e kësaj zone ishte nga Qafa e Morinës deri në lumin Bistricë dhe në grykën e Deçanit. Fshatrat më të rëndësishme që i takonin kësaj zone ishin: Juniku, Mulliqi, Batusha, Brovina, Ponosheci, Shishmani, Popoci, Kosharja dhe Babajt e Bokës.

Mbretëria jugosllave ishte kundër krijimit të zonës neutrale në kufirin me Shqipërinë. Qeveria e Beogradit konsideronte se Konferenca e Ambasadorëve mori vendim mbi krijimin e kësaj zone nën presionin e Italisë dhe prandaj këtë zonë e konsideronte si “shtatanik të Konferencës së Ambasadorëve”.

Autoritetet jugosllave e çmonin këtë zonë si rrezik për shkak se në të jetonin dhe vepronin çetat kryengritëse shqiptare kundër sundimit jugosllav. Krijimi i kësaj zone i dha mundësi edhe Komitetit të Kosovës që të angazhohej maksimalisht për t’i jetësuar qëllimet e tij. Rrezikun më të madh, sipas mendimit të autoriteteve jugosllave, e përbënte Bajram Curri, për të cilin autoritetet policore dhe ushtarake përpiqeshin të grumbullonin sistematikisht të dhëna, qoftë lidhur më të, qoftë lidhur me lëvizjën e miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërm. Si bashkëpunëtorë më të ngushtë të Bajram Currit, autoritetet jugosllave i konsideronin: Hasan Prishtinën, kapiten Zefin (duket se është fjala për Zefin e Vogël-vër. L. Culaj) dhe major Hysni Currin.

Angazhimi i Bajram Currit në kryengritjen e marsit 1922 ndikoi sado kudo në rënien e lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Ishte ky një synim për ta rrëzuar me forcë Qeverinë e Tiranës, por forcat kryengritëse të Bajram Currit nuk arritën dot deri në Shkodër, ku edhe e kishin objektivin. Shtypi evropian i asaj kohe shkruante se opinioni publik ishte i tëri kundër rrugës jokushtetuese që po ndiqte Bajram Curri dhe ai, si patriot i vërtetë që ishte, u terhoq pa shkaktuar gjakderdhje. Shmangia e gjakderdhjes u mirëprit nga pjesa dërrmuese e popullit dhe nga kjo përfitoi Ahmet Zogu, reputacioni i të cilit u ngrit në një shkallë më të lartë. Nga Qeveria u krijua një gjyq ushtarak special për ndjekjen penale të kundërshtarëve qeveritarë. Kundërthëniet ndërmjet nacionalistëve kosovarë dhe Qeverisë shqiptare u ashpërsuan edhe më shumë. Nga ky shkak Bajram Curri dhe shumica e luftëtarëve të çetave të Kosovës në përpjekjet e tyre për rrëzimin e qeverisë ishin të ndjekur nga Qeveria shqiptare e Tiranës, pothuaj aq sa edhe nga Qeveria e Beogradit. Në vitin 1922 konsiderohej se në Zonën Neutrale të Junikut numri i të arratisurve ishte mbi 2.000 vetë.

Informacionët që i marrin përfaqësuesit jugosllavë nga të besuarit e tyre, të cilët ofronin direktiva se duheshin bërë përpjekje që Bajram Curri me shokë të likuidohej sa më parë. Nga fundi i vitit 1921 Komiteti i Kosovës forcohet aq shumë sa Qeveria shqiptare e Lushnjës, në shumë raste dhe rethana gjendej nën ndikimin direkt të Komitetit të Kosovës. Megjithatë, nuk shkoi kohë e gjatë dhe kjo qeveri u rrëzua nga Ahmet Zogu, me ç’rast pasuesit e ish-qeverisë dhe të Komitetit të Kosovës e fillojnë luftën kundër qeverisë së re. Në rrethanat e krijuara, Qeveria e Zogut nisi përndjekjen e anëtarëve të Komitetit të Kosovës, të cilët, sipas autoriteteve jugosllave, nuk vepronin në mënyrë gjithaq unike. Sipas informacioneve të atyre ditëve, theksohet se Bajram Curri, një ndër anëtarët më të besueshëm të Komitetit të Kosovës, ishte tërhiqur në mal së bashku më shokë dhe lëvizte afër zonës kufitare jugosllave. Një ndër informatat e shumta të Qeverisë jugosllave ishte se Bajram Curri dhe Hasan Prishtina kalonin herë pas here në Bullgari që të merrnin topa dhe mitraloza kundër Ushtrisë jugosllave. Marrja e informacioneve të tilla nga autoritetet jugosllave shpeshherë pretendohej që të shfrytëzohej për interesat saj, megjithëse e dinin se ato informata nuk ishin të vërteta. 

Pikëpamjet e nacionalistëve shqiptarë që problemi kombëtar në instancë të fundit të zgjidhej përmes luftës për qeveritarët shqiptarë ishte një politikë iluzore apo një aventurë politike. Rrymat e tilla niseshin nga parimi se Shqipëria si shtet i vogël dhe i paqëndrueshëm, duhej që ta ruante neutralitetin dhe të ndiqte politikë miqësie me të gjitha shtetet. Besimi i tyre për dallim nga nacionalistët ishte që Shqipëria e kufijve politikë mund ta ndërtonte një sistem të qëndrueshëm politik dhe të zhvillohej ekonomikisht. Duke u nisur nga këto divergjenca të theksuara rreth çështjes kombëtare, për politikanët qeveritarë të Tiranës të viteve 20 ishte më i përshtatshëm Nexhip Draga si politikan i moderuar sesa, p. sh., Hasan Prishtina dhe Bajram Curri si politikanë të pakompromis për çështjen e Kosovës. Divergjencat ndërmjet dy grupimeve politike u thelluan aq shumë sa në disa raste ishin të pakalueshme. 

Fillet e kundërthënieve në raportet ndërmjet dy grupimeve politike ishin edhe më të hershme, por ato u vërejtën qartazi me rastin e themelimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, më 7 dhjetor 1921. U trumbetua shumë për jokushtetushmërinë e këtij kabineti, apo për luftën për pushtet, ndërmjet forcave të ndryshme, por irritimi më i madh ishte se Hasan Prishtina ishte anëtar i Komitetit të Kosovës, që aludonte në vazhdimin e luftës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, “në një periudhë kohore të cilën shumica e shqiptarëve e konsideronin të parakohshme dhe të pamundur për momentin vazhdimin e këtij kursi, që do të sillte ndoshta edhe shkatërrimin e Shqipërisë.” Për ta shmangur gjakderdhjen, kabineti i Hasan Prishtinës dha dorëheqje më 12 dhjetor 1921, sepse u krijua një situatë e rrezikshme.

Qysh më 10 janar 1922, pas ngjarjeve të dhjetorit 1921, disa deputetë opozitarë iu drejtuan me një letër Bajram Currit, përmes së cilës e informonin mbi ngjarjet e dhjetorit 1921 të zhvilluara në Tiranë dhe i kërkonin mendime për rrugët e stabilizimit të gjendjes. Njëkohësisht, duke shprehur besimin e tyre te Bajram Curri, i shkruanin se vetëm ai me popullin mund ta përmbyste situatën dhe ta rrëzonte Qeverinë e Xh. Ypit. Te personi i tij, që ishte në krye të malësorëve, shikonin një faktor të rëndësishëm për sigurimin e suksesit të lëvizjes antiqeveritare. 

Qeveria, nga ana e saj, i kushtoi një rëndësi të posaçme shtypjes së kryengritjës së marsit të vitit 1922. Në kuadër të kësaj, një rëndësi të veçantë e kishte plani për ndjekjen sistematike dhe në fund edhe asgjësimin e lëvizjes së organizuar nga Bajram Curri në Malësinë e Gjakovës dhe të Hasit. Planet për shtypjen e malësorëve të veriut, të cilët udhëhiqeshin nga Bajram Curri, ishin përpiluar dhe drejtoheshin nga qeveria.

Nga ana e tjetër, ishte më se e kuptueshme se Qeveria e Beogradit nuk do t’i respektonte vëndimet e Fuqive të Mëdha, nuk dëshironte krijimin e një qetësie qytetare, përkundrazi ishte e interesuar të ngjallte ngatërresa dhe një gjendje pasigurie që të ndikonte në pasigurinë e gjithmbarshme të shtetit shqiptar. Më 16.1.1922 një forcë ushtarake serbe e përbërë nga 100 ushtarë ishte drejtuar për në Qafën e Prushit dhe, pas kundërshtimit të popullit të Zonës Neutrale, qëndroi në katundin Prush.

Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, të cilat iu dërguan Komisionit të Lidhjes së Kombeve, njerëz të paguar nga Qeveria e Beogradit lejoheshin të hynin lirisht në Zonë në mënyrë që ata të krijonin gjëndje pasigurie, ashtu që përgjegjësia të binte mbi shtetin shqiptar, ndërsa akti final t’i shërbente Jugosllavisë për okupimin e Zonës Neutrale. Prandaj, Qeveria shqiptare luste që të merreshin masat e duhura diplomatike nga komisioni i Lidhjes së Kombeve kundër këtyre ngjarjeve.

Qeveria e Beogradit kishte informacione se, derisa në Shqipëri të jetë në pushtet Ahmet Zogu, Bajram Curri nuk do të udhëhiqte aksione në territorin jugosllav, sepse qëllimi i tij ishte që ta rrëzonte Ahmet Zogun nga pushteti dhe ta formonte një qeveri të re në Shqipëri. Po ashtu kishin të dhëna se Bajram Curri nuk planifikonte kurrfarë marrëveshjeje me Qeverinë e Tiranës, por me qëllim të mbajtjes së gjendjes së nderë ai flet se si “së shpejti do të vijë çasti i tij, pas çkajës Shqipëria patjetër do të marrë një fizionomi tjetër” se kryeqyteti i një Shqipërie të tillë do të jetë në Gjakovë, “në qendër të Shqipërisë”. Autoritetet e Beogradit ishin në dijeni për të gjitha këto, por ndodhte që të shprehnin dyshimin, se lufta ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komitetit të Kosovës (në këtë rast dhe Bajram Currit – vër. L. Culaj) është ndonjë lloj demonstrimi në formë të mashtrimit të fqinjëve të tyre, sepse kurdoherë që është fjala për interesin e tyre të përgjithshëm, ata bashkohen si një trup i vetëm dhe grindjet e tyre të brendshme e marrin karakterin e dorës së fundit.

Në rethanat e krijuara Qeveria shqiptare ishte e interesuar jetësisht për mbarëvajtjen e qetësisë. Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, më 17.6.1922, e informon Ministrinë e Jashtme mbi lëvizjët e patrullave serbe në Zonën Neutrale në pjesën e Prefekturës së Kosovës, ku theksohej: “Tue qenë se shteti shqiptar asht i lirë dhe independent, nuk mundemi me e pa me sy të mirë të hymen e ndonjë patrullës së huaj brenda kufinit të saj” Kjo ministry, duke konsideruar se populli i këtyre krahinave sjelljen e patrullave serbe në këtë mënyrë e merrte si krekosje para forcave shqiptare, i propozon Ministrisë së Jashtme që të bëhen demarshet diplomatike pranë Qeverisë jugosllave, ashtu që patrullat të ndaloheshin për të bërë sheti në Zonën Neutrale. 

Edhe shtypi i huaj gjatë atyre ditëve publikonte lajme mbi prishjen e qetësisë së brendshme në Shqipëri. Ndërkaq, kryeministri Xhafer Ypi e akuzonte Bajram Currin me shokë për përpjekje për prishje të qetësisë që mbretëronte në Shqipëri.

Për t’i realizuar qëllimet e tyre, Bajram Curri mbante çdoherë dhe rekrutonte vazhdimisht forca të armatosura. Më 28.4.1922 nga Shkodra informohej se Bajram Curri gjendej në Krasniqe, ku përgatiste një forcë prej 500 vetësh dhe se edhe Hysni Curri lëvizte me një fuqi luftarake prej 150 vetësh. Ndërkaq, më 6.5.1922 ministri i Jashtëm, Ahmet Zogu, e informon Kryeministrinë se Bajram e Hysni Curri po propagandonin se Qeveria e sotme shqiptare bashkëpunon me Serbinë dhe se është kundër shpëtimit të Kosovës. Nacionalistët e Kosovës kërkonin mbështetje dhe aleatë për jetësimin e qëllimit të tyre. Një mbështetje të tillë e gjetën tek Italia. Për shkak të rivalitetit me Jugosllavinë, Italia lidhi miqësi me Hasan Prishtinën, i cili, siç thamë, ishte në luftë të pareshtur me Qeverinë e Tiranës. Sipas gazetes së Beogradit “Novosti”, të datës 1 shtator 1923, në vitin 1920 Italia dhe Hasan Prishtina kishin lidhur një marrëveshje për rrëzimin e Qeverisë në Tiranë, gjë që më vonë do t’u mundësonte bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet.

Vërsuljet e herëpashershme të Ushtrisë dhe të Xhandarmërisë shqiptare në Zonën Neutrale i japin shkas prefektit të Qarkut në Pejë që ta përcillte më vëmendje prezencën e tyre, duke shprehur dyshimin se ato nuk vinin vetëm për t’i luftuar kundërshtarët qeveritarë, siç arsyetoheshin qarqet zyrtare shqiptare. Sipas ti, kishte mjaft dëshmi se Ushtria dhe Xhandarmëria shqiptare fare nuk ndryshonin nga të arratisurit të zakonshëm, kur ishte fjala për rendin dhe qetësinë në Zonën Neutrale, sepse në gjithçka ato e plotësojnë njëra-tjetrën dhe pajtoheshin plotësisht sa u përket si aksioneve në Zonën Neutrale dhe atyre në territorin e qeverisur nga Beogradi. Raporti i Vuksanoviqit është karakteristik edhe për nga këmbëngulja e tij: “Ndaj shqiptarëve nuk duhet të kemi besim”.

Ndërkaq Qeveria shqiptare përpiqej që ta ruante ekuilibrin e qetësisë së brendshme të shtetit, duke i ndjekur elementët që u bënë vegla të huaja dhe ata që prishnin qetësinë qeveritare, çetat luftarake të cilat ishin strehuar në Zonën Neutrale e që ishin bërë zot në këtë zonë ishin vazhdimisht në veprim. Ato herë sulmonin në thellësi të Kosovës, herë kundër forcave qeveritare në malësinë verilindore të shtetit shqiptar. Pa dyshim, që në keto veprime një kontribut të veçantë e jepte edhe Bajram Curri.

Autoritetet e Beogradit, që i përcillnin veprimet e Bajram Currit, e kishin të vështirë që ta zbulonin me saktësi vendin se ku gjendej Bajram Curri. Herë-herë shumë raporte theksonin se ai gjendej në malet e Nikajve jashtë territorit të Zonës Neutrale. Këto ishin më shumë supozime të prefektit serb të Pejës. Po më 19 korrik 1922, ky prefekt informonte eprorët se Bajram Curri me shokë kalon nga mali Theth në malin Debar- Doll, përmbi Plavë. Prefekti i Prizrenit gati në të njëjtën kohë, më 26 korrik, njoftonte se Bajram Curri gjendej në malin Theth. Përpos Bajram Currit, autoritetet e Beogradi vëmendje të madhe u kanë kushtuar gjithashtu edhe disa udhëheqësve të tjerë të çetave, para së gjithash Azem Bejtës, Sadik Ramës së Gjurgjevikut dhe Sali Ramës së Rugovës. As të dhënat mbi lëvizjen e tyre dhe aq më pak mbi pjesëmarrjen e tyre në aksione të ndryshme nuk janë të përpikta.

Kjo gjë i shqetësonte si Qeverinë e Beogradit ashtu edhe Qeverinë e Tiranës, andaj për likuidimin e prijësve të çetave u bënë analiza të ndryshme nga organët ushtarake. Komandës së Armatës së Tretë dhe kolonelit Kataniq, i cili ishte komandant i zonës kufitare me qendër në Prizren iu besua kjo detyrë. Bazuar në informatat e hollësishme, që i siguroi Ministria Punëve të Brendshme, i urdhëruan organet administrative të Qarkut të Dukagjinit, më 17. 11. 1922, që ta sulmonin Zonën Neutrale, t’i kapin dhe t’i likuidojnë forcat shqiptare, ndërsa rëndësi e veçantë t’i kushtohej Junikut, ku ndodheshin krerët e çetave çlirimtare të Kosovës (në mesin e të cilëve edhe Bajram Curri – vër. L. Culaj). Me gjithë këto përgatitjeve, aksioni ushtarak kundër Zonës Neutrale, që pretendonte likuidimin e prijësve të lëvizjes kosovare dështoi. Ai nxiti indinjatë të thellë në popull të kësaj treve, sidomos për shkak të plaçkës që u bë.

Me këtë rast Ministria e Luftës e Qeverisë shqiptare informonte më 19. 6. 1922: “Serbët nga Juniku u hoqën në pozicionet e para. Ushtria jonë është hequr më parë. Bajram Curri, Hasan Beu, Mustafa Kruja kanë ikur në Zonën Neutrale kah Gusinja me sa shokë tjerë. Kjo ngjarje e ndodhur në mes të ushtrisë sonë e të Serbisë nuk ka shkaktue ndonjë dam. Ketë ngjarje e ka shkaktue Bajram Curri me komitat e vet sepse vrau pesë ushtarë serbë.” Zëvëndësprefekti Krumës, A. Kastrati, më 26. 11. 1922, e informonte Ministrinë e Brendshme në Tiranë se Bajram Currit, Hysni Currit e Hasan Prishtinës nuk u dihej saktësisht vendqëndrimi. Kishte mosmarrëveshje edhe brenda vetë udhëheqësve të Zonës Neutrale. Nënprefektura e Pukës telegrafisht e informonte Ministrinë e Brendshme, më 28. 11. 1922, se në mbledhjen e Junikut ishte shkaktuar një mosmarrëveshje e madhe, mbledhje e cila përfundoi pa iu dhënë fund bisedimeve. Kundërshtar i kësaj mbledhje ishte bajraktari i Junikut, ndërsa për Bajram Currin thuhet se i dëshpëruar ishte kthyer nga Juniku në Krasniqe.

Këshilli i Lartë e caktoi më 2 dhjetor 1922 Ahmet Zogun në postin e kryeministrit. Në fjalën që kryeministri i ri mbajti në Parlament propozoi një varg masash për përmirësimin e gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ai vuri në dukje se Shqipëria, si shtet i vogël që ishte, duhej të ndiqte një politikë të jashtme të qartë dhe pa iluzione. Ne duhet të jemi miq me shtetet fqinje, t’i respektojmë dhe të kërkojmë që të na respektojnë pavarësinë dhe integritetin e shtetit tonë dhe bashkë me ketë edhe pavarësinë ekonomike. Pavarësia është një fjalë qe e dimë të gjithë, por për ta gëzuar atë duhet një qetësi e plotë, theksoi ai.

Qeveria e Beogradit dhe ajo e Tiranës, në fund të dhjetorit të vitit 1922 dhe në fillim të janarit të vitit 1923 i kishin kërkuar Konferencës së Ambasadorëve shqyrtimin e Zonës Neutrale. Të dy qeveritë ekzistimin e kësaj zonë dhe veprimet antiqeveritare kundër tyre i konsideronin të dëmshme për stabilitetin e brendshëm shtetëror.

Mirëpo, që më parë Konferenca e Ambasadorëve, e kishte dhënë sinjalin për heqjen e Zonës Neutrale. Këtë e kishte pasqyruar para opinionit vendas edhe shtypi beogradas. Gazeta “Pravda”, e datës 28 dhjetor 1922, theksonte ndër të tjera: “Ajo çka është karakteristike dhe që godet shumë kaçakët është lajmi se do të prishet Zona Neutrale. Kjo i bëri kryetarët e çetave që të mendojnë thellë. Sipas disa të dhënave ata e kanë humbur fare kokën”. Me sinjalin e Konferencës së Ambasadorëve dhe për të siguruar stabilitetin e brendshëm shtetëror, Qeveria shqiptare dhe ajo jugosllave u morën vesh për bashkërendimin e veprimeve. Qeveria e Beogradit i lejoi Qeverisë së Tiranës që t’i fuste forcat e saj ushtarake në Zonën Neutrale në përpjekje për ta shkatërruar lëvizjen kryengritëse antiqeveritare. Ministri i Jashtëm jugosllav, Ninçiq, nënvizon se ishte domosdoshmëri që të shpejtoheshin përpjekjet për caktimin sa më parë të kufirit me Shqipërinë, çka nënkuptonte zhbërjen e Zonës Neutrale. Autoritetet e Beogradit vlerësonin se në kohën e ofensivës kundër Zonës Neutrale, armiku kryesor i Jugosllavisë dhe Ahmet Zogut, Bajram Curri, kishte në rrethinën e Krumës rreth 1000 kryengritës shqiptarë. Më 14 janar 1923 ministri i Luftës, Ismail Tatzati, e informonte ministrin e Punëve të Brendshme se Bajram Curri dhe Hasan Prishtina po përgatisnin një lëvizje në malësi të Gjakovës. Po atë ditë filloi operacioni ushtarak qeveritar brenda territorit të shtetit shqiptar. Lëvizja kryengritëse në Junik e ndodhur mes dy zjarresh, me gjithë qëndresën e saj, u shtyp. Fatkeqësisht me këtë u hoq edhe Zona Neutrale e Junikut. Shikuar në kontekst të rrethanave ndërkombëtare përkrahja e kancelarive perëndimore për ta zhbërë Zonën Neutrale në favor të Jugosllavisë pritej dhe dihej edhe nga vetë shteti shqiptar. Asnjë shtet, qoftë edhe në bisedime secrete, nuk e përkrahte politikën e atdhetarëve kosovarë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Për dallim nga nacionalistët shqiptarë nga Kosova, të cilët problemit i qaseshin më zemër, qeveritarët e Tiranës nga presioni ndërkombëtar dhe duke analizuar rrethanat në vetë Shqipërinë problemin shqiptar e shikonin duke e bazuar në një logjikë tjetër. Rruga e ndryshme dhe mendimi i ndryshëm për zgjidhjen e problemit kombëtar krijoi rivalitete ndërmjet këtyre dy grupimeve. Filluan dhe akuzat e ndërsjellta, të cilat, siç u theksua më lart, çuan në situatën më të padëshiruar në luftën shqiptaro-shqiptare, ku nacionalistët kosovarë luftonin në emër të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, kurse forcat qeveritare në emër të vendosjes së rendit, qetësisë dhe ruajtjes edhe të asaj Shqipërie që kishte mbetur nga pushtimi. Kjo situatë e tendosur, pa dyshim, që do të kalonte edhe në kokëfortësi dhe inate shqiptare, që u ndërlidhën edhe në inate personale, të cilat nuk mund të gjenin kompromis as në favor të çështjes kombëtare.

Shuarjen e Zonës Neutrale dhe luftën ndërmjet nacionalistëve të Kosovës dhe të qeveritarëve të Tiranës e pasqyron edhe gazeta “Vreme” e datës 24 janar 1923. Gjithashtu shtypi i Beogradit, sipas Legatës shqiptare në Beograd, lansonte lajme, më 17 mars 1923, se edhe pas zhbërjes së Zonës Neutrale, nacionalistët shqiptarë ishin këmbëngulës në idenë e tyre dhe se Hasan Prishtina e Bajram Curri po përpiqeshin të dërgonin njerëz në Itali me qëllim të kërkimit të të hollave në përkrahje të tyre. Ndërkaq gazeta “Radikal” e Beogradit, e datës 18 mars 1923, informonte se Bajram Curri dhe Hysni Curri në kundërshtim me Qeverinë e Shqipërisë, po përpiqeshin ta turbullonin Shqipërinë e Veriut.

Për veprimtarinë e tij antiqeveritare Bajram Curri ndiqej këmba-këmbës. Për faljen e tij për veprimet antiqeveritare u diskutua edhe në Parlamentin shqiptar. Deputeti Ali Këlcyra, duke kërkuar faljen e Bajram Currit, do të veçonte: “Shërbimet që i ka bërë atdheut janë të njohura nga të gjithë. Curri është fytyrë historike në fushën e patriotizmit. Mendoni vetëm ato male ku sot Bajram Curri fshihet ta shpëtojë jetën e tij nga ushtria kombëtare që e ndjek.”

Filed Under: Histori

DUKE KËRKUAR PORTRETIN E  PIKASOS 

March 29, 2025 by s p

KRISTAQ BALLI/

Gjon Mili nuk i përket vetëm shpërthimeve të dritës stroboskopike, novacioneve dhe zhvillimeve teknike, teknologjike e  artistike në këtë fushë fotografimi. 

Ai që e ka zhbiruar, gjurmuar, studiuar e zbuluar gjerë e thellë edhe në zhanret e tjera, mund të pohojë e vërtetojë me bindje të plotë se mjeshtri ynë është gjithashtu një prej fotografëve portretistë më të mëdhenj e më të famshëm jo vetëm në Amerikë, por edhe më gjerë.  Kërkimet në këtë gjini fotoartistike janë në të vërtetë zbulime  në thellësi të një deti koralor, plot perla të çmuara…Vetë Gjon Mili, në këtë aspekt është treguar modest, kur na ka treguar për to në kujtimet e veta, por, në fakt ai vetëm sa të kureshton, të nxit e të fton që të eksplorosh për ato që ai nuk i ka thënë. Madhështia, amaneti i heshtur  të befason nga thjeshtësia e tij.   

20240226_120633 1949.jpg “Duket se gjithë jetën unë kam lexuar portrete…”1)  

Nga ana tjetër Zhan Pol Sartri konfirmonte se “… Mili ju kap të gjallë…si peshku në rrjetë…Nqs ai (Gj.Mili – K.B.) ju bën ju një pjesë të koleksionit të tij… ai do t’ju ketë studiuar, ai do t’ju ketë njohur plotësisht.”2) 

Në pinakotekën  e tij të portreteve  gjejmë qindra portrete të  këndvështrimeve, teknikave e teknologjive të larmishme të personaliteteve të shquara amerikane e botërore në të gjitha  fushat e artit, sportit, shkencës, historisë, politikës, modelingut, showbizit, etj. Një  veçori autentike e këtyre fotove është fakti që  veç  aspektit estetik, fizik,  psikologjik e inspirues  të realizimit të  tyre, me këto personazhe atë e lidhte  zakonisht   një ngjarje që kish lënë mbresa, një njohje e veçantë e çastit, një histori  artistike a humane, një situatë humori, afërsie, apo zhbirimi psikologjik dhe, në të tilla raste, Gjon Mili e kishte “gjakun e ëmbël” sepse  ishte shumë i afërt, i çlirët, plot humor, i sinqertë e komunikues për t’u miqësuar e për të  stisur situata të përshtatshme fotografimi.

Kudo që ai ndodhej, me synimin për të marrë një portret me pëlqimin, apo jo të personazhit, ai provonte situata shumë të ndërlikuara mendore, kërkuese, zhbiruese e  krijuese. Ai donte ta rrëmbente portretin në momentin e përshtatshëm, në momentin deçiziv (“decisive instant”- Henry Cartier Bresson).

20240226_121202.jpg “Unë vlerësoj më shumë portretin kur fytyra e subjektit  përballet me mua por është e lirë dhe e shkujdesur…Në se fotografi përballet me subjektin gjithmonë shumë mirësisht ose luan me mençuri me të, ai duhet, nga intuita dhe veprimi, në mënyrë shumë të rafinuar të fitojë çdo mundësi për të nxjerrë një portret  që pëshkruan sa më mirë subjektin si njeri që ai e njeh… Pavarësisht nëse bëhet një portret, i cili nënkupton një qëndrim të ndërgjegjshëm nga ana e subjektit, ose bëhet një fotografi e sinqertë kur subjekti nuk është në dijeni, qëllimi im themelor është të krijoj karakter. Unë e vlerësoj më shumëportretin kur subjekti përballet me mua, sidomos kur është i çlirshëm dhe i çiltër. Duke pasur emocionin, subjekti mund të të bllokojë fotografin… Ka  subjekte që duken se  nënçmojnë veten para kamerës. Të tjerë që mendojnë se e dinë saktësisht se si duhet të duken, por nëse fotografi e përballon subjektin me aq butësi apo përputhet me zgjuarsinë  e tij, ai duhet, me dredhi dhe veprim, duke shfrytëzuar mundësinë, të nxjerrë imazhe që përshkruajnë më së miri subjektin siç e njohin njerëzit. Mënyra se si ai kontakton me subjektin e tij, e çliron nga pengesat e tij, i tejkalon mendjemadhësitë e tij, është masa e aftësive të tij profesionale. Nëse personazhi shpirtërisht ndihet i dëshpëruar, a i rënduar,    ose nëse është i paqtë dhe i lumtur, fytyra, sytë, lëvizja e gojës, vija e trupit do ta tregojnë atë. Ajo që duket të jetë thellë nën lëkurë është njeriu…”3) Portretet e Gjon Milit janë portrete karakteri. Detalet bëjnë diferencën. Sipas Milit, në çdo 20240111_124725, 1949.jpgsubjekt artisti duhet të zbulohet tipari kryesor dominues, apo i përveçëm i shfaqjes së tij. 

    Një shembull i gjendjes së vegullt e të tendosur emocionale ishin momentet kur Gjon Mili tentonte të bënte portrete fotografike të Pablo Pikasos. Përveç se artist figurativ, Pikaso ishte vetë edhe një fotograf i regjur, intuitiv dhe i njihte mirë rregullat e fotografimit sipas mënyrës së tij të perceptimit modernist, kubist. Po ashtu, ai ishte një nga artistët e fotografuar më shumë se çdo artist tjetër. Këto  ia shtonin Gjon Milit akoma edhe më fort trysninë ndaj raportit profesional që ai duhej të kish me Pikason. Andaj ai shprehet se “…Unë e gjeta veten të përfshirë, siç ndodh shpesh me njerëzit që punojnë me të (Pikason KB), në një përvojë të paparashikuar krijuese.”4) 

Përshtypjen e parë mbi portretin,  fizikun dhe personalitetin e Pikasos,  Gjon Mili e përshkruan kështu: “I thekur nga dielli, tullac e i zhveshur, përveç një palë mbathjesh të zbërdhylura me ngjyrë kaki, ai  kapardisej si një mbret i Detit të Jugut (I mungonte vetëm një lule prapa veshit për të kompletuar një portret në karakter).” 5)  Ky vegim imagjinate i dha nxitjen Milit që t’i bënte atij në kopshtin e Vallarius foto-portretin tors shumë të njohur “Pikaso me lule në vesh”, i cili është edhe një nga kryeveprat e Gjon Milit. “Mili vendosi një lule mbi veshin e majtë të Pikassos dhe e ndriçoi atë me një dritë të kuqëremtë për të rikrijuar përshtypjen e parë të artistit,  që nga krenaria dukej si një pirat me lëkurë ngjyrë bronzi i Ishullit të Detit të Jugut. Ai e gjeti Pikason në një plazh të Golfe-Juan në Rivierën Franceze të rrethuar nga admiruesit, duke zotëruar mjedisin me veshjet e shkurtra.”6) 

Edhe portretet e tjera, sidomos ato me fjollat e tymit të cigares mbi fytyrë, jo veç për qëndrimin energjik, impozant dhe detajet personalizuese, por sidomos për karakterin, botën e tij të brendshme, autoritetin psikologjik dhe përqëndrimin e shigjetimin depërtues e sfidues të vështrimit të tij enigmatik drejt fokusit të lentes. Kur “… vendosni  fillimisht  aparatin në  fushëpamje, ai ngul sytë aty dhe nuk i shqit. Duket një përqëndrimi karakteristik – ‘një shprehjeje çuditërisht ngulmuesee’, të cilën Fernande Olivier, shoqëruesja (muza) e tij e parë, e evokon në kujtimet e saj.” 7) 

  “Nuk është ndonjë mburrje, kur gruaja e tij Zhaklin pohon se ‘Pikaso është një çudi, një diell, një dëshmi.’…Energjik, brilant dhe i paparashikueshëm, Pikaso është enigmatik, yjor. Ёshtë i pamohueshëm magnetizmi i tij, nuk mund t’i shmangeshe ndjenjës së gravitetit  gjatë prezencës së tij. I gjallë si gjithëherë, pikëpamjet dhe lëvizja mbeteshin  të pandryshuara.” 8) 

Ndërkaq gjatë shplodhjeve midis seancave, Gjon Mili ndjente se situata ndryshonte. 

“Pushimi (midis seancave të punës – K.B.) vjen pa paralajmërim. Disa incidente të papërfillshme, një kthim në bashkëbisedim, ose një mendim i papritur që shkrepte në mendjen e tij, e  shpërqëndronte atë.iI gjallëruar me shpejtësi dhe i plotësuar në gjeste, fytyra e tij përshkohej  nga një shprehje fluturake; ai ishte pothuajse i pakapshëm për t’u fotografuar.

 Duke u përpjekur i nervozuar të parashikoje çdo lëvizje të tij, veçse do mashtroheshe dhe ndjenja e bashkëpunimit do të sfumohej… Momenti ngacmues, shpresa regëtitëse kur  je gati të paktën ta kapësh atë – një telash i vërtetë, i cili të bën të padurueshëm, gërnjar…Duke u zgërdheshur pa të keq, sytë e tij vallzojnë me dinakëri.

Kështu, lëviz papritur, sikur i vendosin një kapistall, dhe me keqardhje, thotë  butësisht: “Unë asnjëherë nuk e kam arritur atë që kam synuar që herën e parë”.9) 

 “Pas këtij konfrontimi të shkurtër e  të atypëratyshëm, Pikaso më ofroi këtë shënim rreth procesit  të fotografimit, në fund të faqes: ‘Kjo  është e vetmja mënyrë; shkrep, shkrep mijëra, të mbeten disa’”10) 

Mënyrën  se si Pikaso e vlerësoi punën krijuese fotografike të Gjon Milit  e tregon ndoshta më mirë fakti që një vepër të tij kubiste instalacioniste në dru e karton –   “Autorportret” ai e ka realizuar mbi imazhin e një portreti foografik që Gjon Mili i ka bërë atij në vitin 1967 në Notre-Dame-De-Vie. Këtë vepër Gjon Mili e ka vendosur në ballinën e veprës madhore  të tij kushtuar Pikasos – “Picasso’s Third Dimension”. Gjatë punës krijuese intensive dhe marrëdhënieve të gjata miqësore   Gjon Mili formoi bindjen se “Pikaso e njihte me imtësi topografinë e fytyrës së vet dhe mund të krijonte karakterin e tij me shumë pak përpjekje. Ai është portretisti më i mirë i vetes së tij.”11) 

Gjon Mili është një nga fotografët që i ka kushtuar Pikasos shumë foto e  portrete  njërin më të bukur se tjetrin.  Bashkë me “Vizatimet me Dritë”, ato mbeten në fototekën e Gjon Milit dhe  në atë të Pablo Pikasos,  por edhe në fototekën botërore jo vetëm si vepra të mirëfillta artistike, fizike e psikologjke universale, por edhe si  shprehje e materializuar e një bashkëpunimi shumë të suksesshëm  midis dy artistësh të famshëm.   

□ □ □

Referenca:

_____________________________

1)  Mili Photographs & Recollection, 1980,p.176),,f.140

2) Jean Paul Sartri,në paraqitjen e ekspozites në Paris 1946,1971

3) Gj Mili, Photographs & Recollection, 1980, p.140 

4) Gj.Mili; Picasso’s Third Dimension, f. 10

5) Gj. Mili: Picasso’s Third Dimension, f. 30.

6)  Old Men of Modern Art, Photographed By Gjon Mili: LIFE,  

      December 12, 1949, pp. 87-92)

7) Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension”, 1970,f. 38.

8) Gjon Mili: Pikaso’s Third Dimensions, p. 36

9) Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension, 1970 f. 40.

10) Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension, 1970 f. 42.

11) Gj. Mili: Picasso’s Third Dimension, p. 183

Filed Under: Kulture

JA PERSE VALLJA GORARÇE, DUHET TE SHPALLET: “VLERE KOMBETARE E TRASHEGIMISE KULTURORE JO MATERIALE”

March 29, 2025 by s p

ANDREA JOSIF KOKERI /

Ish solist valltar AKV P dhe Koreograf. 

“ Valle GORARÇE ” Valle e Burrave Fluturues 

Vallja “Gorarçe” është një valle burrash që nga vetë emërtimi i hershëm i saj identifikon me zonën përkatëse ku ajo ka lindur, pra në Krahinën e Gorës, krahinë e cila ka një shtrirje mjaf të madhe në juglindje të Republikës së Shqipërisë dhe për rrjedhoj kjo krahinë ka influencuar edhe në levizjet demografike të të gjitha zonave juglindore të vendit tonë .Vallja “Gorarçe” ka qenë dhe vazhdon të jetë vallja më autentike e folklorit shqiptar për nga bukuria dhe larmija e lëvizjeve të saj virtuoze dhe madhështore njëkohësisht. Motivi bazë i kërcimit në hyrje të kësaj valleje ( Rrëshkitja deri për tokë ), shoqëruar me mënyrën e lidhjes së interpretuesëve valltar ( para krah për para krah ) dhe mbështetja tek njëri tjetri ( Shpinë e Gjoks ) qysh në fillimin e saj na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me një valle burrash trimërore megjithatë duhet theksuar gjithashtu se kjo valle ka qënë vallja bazë e të gjitha dasmave të Krahinës së Gorës. Nga ana strukturore “Gorarçe” perbehet nga dy pjesë 

1. E shtruara ( moderato ) 

2. E shpejta ( Alegro ) 

1. E shtruara ( moderato ) 

Motivi 1- a Rrugëtimi rrëshqitës në mënyrë graduale i valltarit të parë deri në tokë dhe mbajtja e tij nga shokët në mënyrë të tensionuar të jep të kuptosh se kemi të bejmë me një veprim njerzor për të zbritur së poshtmi nga një terren malor. 

Motivi 2- a. Hedhja e këmbëve herë pas here të thyera në lartësinë e gjurit përforcon edhe më shumë idenë e rrugëtimit në malësi. 

Motivi 1- b. Rrugëtimi rrëshqitës në mënyrë graduale i valltarit të parë deri në tokë dhe mbajtja e tij nga shokët në mënyrë të tensionuar ripërsëritet edhe më i tensionuar pasi edhe shokët e tjere i afohen tokës me rrëshqitjen e tyre. Tashme burrat valltar janë bërë thuajse një trup i vetëm ku vështërsin më të madhe e ka i fundit. 

Motivit 1- b bëhet më e lehte dhe më virtuoze deri në fund të pjesës së shtruar muzikore, mbarimit të terrenit të vështirë malor. Jo rastësisht burrat e Gores kur vendosen në valle zënë vend nga më i shkurtri deri tek më i gjati. Këtë element të rëndësishm stukturor koreografik në vallen “Gorarçe“ koreografi Gëzim Kaceli (Artist I Merituar) duke punuar së bashku me Enver Birkon (artist I Merituar) dhe bartësin burimor të kësaj valleje Xhemali Adellarin (mjeshtër i Madh) i lindur dhe rritur në fshatin Zvezdë, nip në Gorë, e pikasi këtë veçanti dhe pas një hulumtimi të gjatë profesional e vuri më në evidence kur e përpunoj thellësisht profesionalisht dhe artistikisht në funksion të skenave teatrale. Kjo valle e interpretuar nga valltarët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valle ve Popullore ka patur dhe ka një sukses të jashtzakonshëm si brënda dhe jashtë vendit fal autenticitetit të saj Gorar. 

2. E shpejta ( Alegro )  E shpejta vjen pas pjesës së pare të shtruar, valltarët e gurës popullore, i japin një alegri të madhe kërcimit të tyre duke mbrritur në kulminacion me rrutullime dhe ngritjen fluturuese të valltarit të parë Valltart tashmë lirohen nga parakrahët dhe mbahen gjatë kërcimit dorë për dorë. Kjo mënyrë lidhjeje i bën ata më të lirshëm dhe më të zhdërvjellët duke kërcyer fillimisht në rreth dhe më pas të ndarë dy nga dy. Elemente të tjetëra karakteristike të valles janë:

a) Kapërcimet nga njëra këmbë në tjetrën. 

b) Uljet e thella me këmbë të bashkuara. c) Rrutullimet e shpejta me duar të shtrira here në të djathtë dhe here në të majtë. 

d) Ngritja lart fluturuese e valltarit kryesor. Lidhja dorë për dorë, ndarje dy nga dy, kapercimet, uljet e thella, rrotullimet e shpejta si dhe ngritja fluturuese e valltari kryesor janë veçanti strukturore të valles “ Gorarçe “ veçanti të cilat e bëjnë këtë valle autentike. Gjithashtu janë këta element strukturor që bëjnë edhe dallimin midis valleve të krahinave fqinje. Këto krahina fqinje (për mendimin tim) janë ndikuar dhe influencuar prej dekadash nga motivet autoktone burimare të valles, “ Gorarçe “.Edhe këto element të rëndësishm strukturor të kësaj valleje, përpunuesi dhe koreografi i saj Gëzim Kaceli ( Artist I Merituar ) i ka ruajtur me fanatizëm në punimin e tij duke e mbajtur kërcimin afër burimit autentik origjinal të valles “ Gorarçe “ . Gjithashtu vlen për tu theksuar fakti se ky motiv valleje me influencën apo kopjimin në burimin autentik Gorar u përpunua vetëm pas gati 25 vjetësh nga Mjeshtri i Valles koreografi Panajot Kanaçi . ( Nderi i Kombit ) . Ky mjeshtër i përpunimit koreografik pas Festivalit Folklorit të Gjirokastrës 1983 krijoi një valle me këto motive dhe e titulloj “ Djell në fushë të Devollit “ .Panajot Kanaçi duke i kostatuar ngjashmërit, influencat apo kopjimet e bëra nga krahinat fqinje të Gores ka ditur të përdorë ose krijoi disa karakteristika të tjera strukturore dhe kërcyese në vallen “ Djell në fushë të Devollit “. Panajot Kanaçi që në hyrje të valles “ Djell në fushë të Devollit “ nuk ruajti strokturen e Valles Gorarçe. Influencuar nga ideologjit e kohes, për edhe për ti dhënë valles më shumë hare dhe optimizëm përdori ndërtimin strukturor: 

1. Hyrja e Shpejtë ( Alegro ) 

2. E shtruara ( moderato ) 3. E shpejta ( Alegro ) Hyrja e Shpejtë. Me futjen në skenë të valltarëve së bashku me valltaret me hyrjen e shpejtë vallja në analizë jep qysh në fillimin e saj atmosferën e një feste. Kjo atmosferë justifikon emërtimin e saj “ Djell në fushë të Devollit “ por e largon atë nga karakterin i saj burrëror. Këtë konstatim na e përforcon edhe më shumë kërcimi i vajzave me lëvizjet e tyre pothuajse unike gjatë valles, lëvizje të dala nga hapat e kërcimit të burrave të përdorura në Vallen Gorarçe.Në këtë valle kemi gjithashtu hapa kërcimi të frymzuara dhe të përpunuara me mjeshtëri nga koreografi bazuar në motivet e Valles Dardhare e cila është autoktone Dardhare pra jo Devolliçe. 

E SHTRUARA 

E shtruara si pjesë e dytë e valles nuk kishte mos influencohej nga hapat e kercimit të Valles burrërore Gorarçe nga ka origjinën. Panajot Kanaçi duke ditur autenticitetin e Valles gorarçe 

zbuti në maksimun karakterin burrër Gorar duke e sjell atë në Fushën e Devollit. Kjo zbutje ndihet qysh në fillim kur tre valltarët e parë e fillojnë motivin jo direk me shtrirje por me një përgatije më delikate kushtëzuar nga prania e vajzave në kërcimin e tyre.

 E shpejta. 

E shpejta përsërit motivet e Hyrjes së Shpejtë duke rritur edhe më shumë rritmin muzikor për ta shpënë vallen në kulminacionin e saj. Mjeshtri i valleve Panajot Kanaçi shfrytëzoj me profesionalizëm përpunues materjalin koreografik si Valle Brezash interpretuar si nga valltar pleq, djem të rinj dhe fëmijë, paraqitur në Festivalin e Gjirokastrës 1983 nga Grupi Folklorik i Rrethit të Korçës. (emërtim i kohës) Me këtë analizë dua të them se vallja “ Djell në fushë të Devollit “ është një përpunim koreografik profesional me një strukturë përgjithësuese e të gjithë Qarkut të Korçës. ( emërtim i sotçem e asaj zone etnografike ).Natyrshëm lind pyetja pse referuesi bën një analizë kaq të gjatë dhe merr si shembull vallen “Gorarçe“ dhe vallen “ Djell në fushë të Devollit “ Sipas mendimit tim përgjigjja ime është kjo: Sepse janë të vetmet këto valle që i kanë rezistuar kohës pas përpunimit të koreografëve pasi kanë bazë të shëndoshë burimore. Sepse në burimet e tyre etnografike këto motive vallesh kanë mardhënije prindë fëmijë ku prindi është vallja “Gorarçe“ dhe fëmija, më pas i rituri i cili natyrisht u bë prind më pas është “ vallja e Devollit “ E jap këto përgjigje dhe kongludoj në këto përfundime analitike pasi jam i bindur plotësish nga përvoja ime fillimisht si Solist valltar e interpetues i kësaj valleje dhe me vonë koreograf pranë Maestro Panajot Kanaçi (Nder i Kombit) në Ansamblin e Këngëve Popullore të Shqipërisë. Qysh në gjenezë dhe në 50 – 60 vjetët e përpunimit dhe kërcimit të saj profesional, Vallja “Gorarçe” është një dëshmi e gjallë e traditave kulturore dhe artistike të Shqipërisë në përgjithsi dhe të zonës së gores në veçanti, nisur edhe nga emërtimi i saj autokton ndër vite. Pra nëse vallet e Devollit janë më të lehta , më të gjalla, më të pranishme dhe më festive në ditët e sotme, Vallja “Gorarçe” është një valle e rëndë burrash, një manifestim i jetës malore e lidhjes së ngushtë të kësaj zone me traditat e hershme trashëguar brez pas brezi, ndonse ajo u përthith me pa të drejtë nga realitete të tjera etnografike. Vallet e Devollit pa dyshim me bukurit e tyre kanë origjinë dhe janë trashëguar më së pari nga Vallja Origjinale Gorarç. Kjo origjinë dhe kjo lidhje mes karakterit të këtyre valleve është dëshmi e lëvizjeve të njohura demografike të popullit nga malet në fusha, apo nga fshatrat në lokalitete dhe qytete . Kjo lëvizje demografike dhe këto mardhënije ndër qytetare në ditët e sotme krijojnë bashkime pseudo origjnalitetesh të cilat dëmtojnë artin burimor folklorik në përgjithësi dhe paksojnë në mënyrë të ndjeshme pasurin arkivore të artit të kërcimit duke e reduktuar atë vetëm në ndarje veri dhe jug. 

Filed Under: Kulture

NË DITËLINDJEN E ANDON ZAKO ÇAJUPIT

March 29, 2025 by s p

“S’ka pra m’i lehtë zanat se politika, o vëllezër shqiptarë…zanati më i lehtë është të bënesh minister…” (Andon Zako Çajupi)

Nga Frank Shkreli/

Gjatë viteve më ka pëlqyer të sjell, nga koha në kohë, shkrime, artikuj ose përmbledhje, të fillim shekullit të kaluar, si për shembull nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli e të tjerë,  të cilët ndonëse kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre në fillim të shekullit XX – mendimet dhe qëndrimet e tyre të shprehura atëherë, tingëllojnë mjaft aktuale edhe për ditët e sotme, përballë zhvillimeve politike në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare gjatë  gjithë vitit, por sidomos në prak të zgjedhjeve parlamentare, siç janë ato të 11 majit, 2025. 

Mënyra se si përzgjidhen “përfaquesit e ardhëshëm të popullit” çdo 4 vjet, është kthyer, vërtetë, në një situatë komike për zgjedhsit shqiptarë. Mjafton të shikoni listat e fundit (të hapura dhe të mbyllura) të njoftuara nga partitë e ndryshme në Shqipëri për zgjedhjet e majit, 2025.  Ditëlindja e Çajupit (27 mars, 1866) më kujtoi një shkrim të tijin – që e kam pasqyruar edhe njëherë tjetër e që mban datën 22 Shkurt, 1922 shkruar në Kairo – si parathënie në krye të dramës, “E Thëna” të Milo Duçit – ribotuar në numrin e parë të revistës “Shejzat” të Ernest Koliqit (Viti i Parë, gusht -1957) në Romë me mbishkrimin, “Zane të Kalesës”.

Na ishte një kohë, shkruante ndër të tjera, Çajupi, një shekull më parë, kur populli kërkonte nga qeveritarët dhe përfaqsuesit e tij, që të jenë, “sidomos, atdhetarë të vërtetë”.  Në atë artikull, Çajupi përshkruante situatën politike të kohës së tij duke pasqyruar realitetin e atëhershëm politik – deri diku, në përputhje me të sotmen, 100-vite më vonë — se të jesh “një atdhetar i vërtetë”, nuk merret aspak në konsideratë si një vlerë ose cilësi për një deputet ose për cilindo do politikan të niveleve më të larta, përfshir ministrat në shërbim të popullit duke theksuar se për tu future në politikë, të jesh atdhetar nuk është e nevojshme për “aspirantët” politikë: “Jo, sot s’është nevojë! Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, tokon të bënet, pa vesvese, regjent, ministër, depytet, prefekt, faqe me nder dhe mbret.”

Artikulli i Çajupit, është shkruar prej tij një shekull më parë, në formën e një parathënieje të dramës “E Thëna”. E përzgjodha këtë shkrim të Çajupit, në përvjetorin e tij të lindjes (27 Mars, 1866) sepse sjell edhe sot një freski të gjëndjes politike dhe kulturore, që mbretëronte në atë kohë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por duke marrë parasysh, sidomos, zhvillimet aktuale politike në Shqipëri në prak të zgjedhjeve të majit, e bën atë shkrim mjaft aktual për botën politike shqiptare sot. Ngjan sikur Çajupi të përshkruante pothuaj, ekzaktërisht, duke pasqyruar me mjaft përpikmëri, sidomos, gjëndjen aktuale politike në Shqipëri para zgjedhjeve të ardhëshme.  Përzgjedhja e kandidatëve të partive të ndryshme politike shqiptare nuk bëhet duke u bazuar në meritat e kandidatit ose kandidatëve. Në të vërtetë, ashtu si në kohën e Çajupit, një shekull më parë, as sot, të jesh kandiddat për ofiqe të larta në shtet e qeveri, pore dhe në parliament, “S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.”

Ndonëse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – sa të vërteta janë fjalët e Çajupit! Ato pasqyrojnë edhe sot shqetësimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë. Por sa aktuale janë edhe sot. Ato janë në përputhje të plotë dhe, përpikmërisht, me gjëndjen e sotme komike politike dhe kulturore në rrafshin politik dhe shoqëror shqiptar, si në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin ashtu dhe me të tjerët.

                                               Andon Zako ÇAJUPI                               

 “Për shumicën e shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel… Si shpjegonet kjo pasuni në pikëpamje të politikës?…  Ministri i bujqësisë, bie fjala, tokon të mos çquaj qepët nga prasët; ministri i luftës tokon të mos ketë marë një pushkë në dorë; ministri i financës tokon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit tokon të mos dijë as shqip, veç të mundi të shkruaj një ë me dy pika mbi krye; ministri i punëve të përjashtëme tokon të jetë prift a hoxhë…., dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…” (Çajupi)

Përveç kritikës ndaj gjendjes politike të kohës së tij, Çajupi, ka shprehur gjithashtu zhgënjimin dhe trishtimin e tij mbi gjëndjen e atëhershme dhe për mungesën e zhvillimeve letrare e kulturore, në nivel të duhur, të gjuhës shqipe, në përgjithësi, në Shqipërinë e 1920-ave. Ndërkohë që “shqiptarët janë të lindur për politikë”- sipas Çajupit, të pakët janë njerëzit e kulturës.  “Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë. Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu…Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët.”  Megjithse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – fjalët e Çajupit në ditëlindjen e tij — pasqyrojnë edhe sot shqetësimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë, por që, pothuaj, përputhen aq përpikmërisht edhe me gjëndjen e sotme politike, shoqërore dhe kulturore në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin dhe me të tjerët.

Demokracia e vërtetë nuk pret! “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”, ka thënë dikur i Madhi Faik Konica. Mendonim se 35-vite tranzicion nga sistemi diktatorial komunist do sillte më në fund atë që shpresonin brezat e shqiptarëve, një sistem puralizmi të vërtetë politik e demokratik, me të drejta të barabarta të njeriut, me drejtësi dhe me përgjegjësi qytetare e politike.  Por, për fat të keq, falë edhe kësaj “bote të rreme” ndoshta — siç është shprehur edhe Çajupi 100-vite më parë — demokracia përfaqsuese shqiptare – me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk ka prodhuar politikanë me nder e integritet, “atdhetarë të vërtetë”, sipas Çajupit, shqiptarë në shërbim të popullit të vet, të cilët mbi interesat personale dhe partiake, vendosin gjithmonë interesat madhore të Kombit. 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe 6-javë javë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, populli shqiptar – ashtu si në kohën e Çajupit 100-vjet më parë – kërkon nga qeveritarët dhe përfaqsuesit e tij në Kuvendin e ri shqiptar, mbi të gjitha dhe sidomos “Atdhetarë të vërtetë”, për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar.  

Frank Shkreli                                  

A room with rows of desks and chairs

AI-generated content may be incorrect.

                            Salla e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Kuvendi sot mban dy seanca plenare

                            Salla e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Filed Under: LETERSI

Ju mirëpresim të gjithëve

March 29, 2025 by s p

Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT