• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Drejtësia e korruptuar dhe farsa “demokraci”

March 3, 2025 by s p

Dr. Zef Mulaj/

Në një sistem drejtësie të sëmurë dhe të korruptuar, shteti bëhet kancerogjen, kur nuk është në gjendje të kurojë drejtësinë. Shteti në këto raste ngjan me “vjetërsinë”, që përditë shkon drejt humbjes së lidhjeve me qytetarët e tij, drejt një fundi i cili nuk lë të ardhme për shoqërinë dhe gjeneratat me mëvonshme. Nuk ka shkencë e zhvillim; nuk ka perspektivë dhe kulturë; nuk ka histori, ka vetëm varfëri të maskuar nën gjuhën e politikanëve të korruptuar që sundojnë dhe nënshtrojnë edhe makinën e drejtësisë. Ngjan sikur ka liri, por nuk është liria e vërtetë demokratike. Kur makina e shtetit është e sëmurë, mekanizmat e saj nuk janë më në gjendje të drejtojnë, dhe të veprojnë, pasi drejtësia nuk e ndëshkon krimin. Ajo nuk e ndëshkon atë që gabon sepse ka pushtet force ekonomike, apo udhëheqësin partiak etj. Kështu mbyllen dosjet që flenë në arkivat e tyre, duke lënë pa hetuar sa e sa krime. Ndaj, koha kërkon rinovim, çlirim nga ankthi që rrezikon në fund perspektivën dhe deri sovranitetin e vendit. Kur prevalenca e korrupsionit bëhet humus i vërtetë i jetës politike dhe i organizmave të shtetit, është bërë një lloj “kushtetute”e jetës morale e materiale, mbi bazën e së cilës drejtohet, organizohet e jeton një shoqëri e tillë, jeta e njerëzve shantazhohet nga politika dhe nga padrejtësia, nga pasiguria, nga krimi i organizuar, nga mafia, nga papunësia, nga mungesa e meritokracisë dhe e profesionalizmit.

 Ky mekanizëm arrin kulmin e tij në rastet e krimit të organizuar dhe të mafies, që ne e shohim në jetën tonë të përditshme. Ai është i bazuar në shkeljen besnikërisë, sigurisë dhe ligjit. Çfarë ndodh kur shteti nuk arrin të përmbushë funksionet e tij thelbësore në një demokraci liberale, si mirëmbajtjen e lirisë së tregut dhe konkurrencës, zbatimin e ligjit e rregullave dhe rregulloreve, monitorimin e përmbushjes së tyre, ku shpenzimet e mëdha nuk kanë burim të njohur financiar?! Kur në një shtet drejtësia është e sëmurë, shteti behet i paligjshëm dhe “kanceroz”, pasi ai nuk mbron meritat dhe iniciativën individuale dhe mungon në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Imoraliteti është degjenerim i moralit, ndaj duhet të pyesim veten nëse ne jemi shtet i së drejtës, me parime dhe vlera universale; me respekt për dinjitetin e njeriut. Shkalla e lirisë dhe drejtësisë në një shoqëri është në përpjesëtim me gjerësinë e vlerës morale. Liria dhe anarkia nuk mund të jenë në të njëjtin vend, pasi në bazë të anarkisë nuk janë ligji dhe parimet. Liria s’mund të mbrohet nga e padrejta dhe qeveritë duhet të jenë vigjilente në lidhje me këtë. Jeta ekonomike nuk zhvillohet dot në një vakum moral. Ajo kërkon një themel të fortë etik, pa të cilin nuk mund të mbahet në një nivel të mjaftueshëm.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, krimi ekonomik zë 15 deri në 20 % të të gjitha krimeve në mbarë botën. Nëse organizatat kriminale përfaqësojnë elitën e mijëvjeçarit të tretë, këto do të ndikojnë në mënyrë të pashmangshme në shoqëri, institucione, politikë dhe jetën demokratike. Dhe baza e krizës së tanishme është një ndër shkaqet të këtyre shtrembërimeve të çoroditur e tregut të lirë, spekulimit ekonomik e kriminal. Krimi burgos zhvillimin dhe vjedh të ardhmen për të rinjtë; kufizon lirinë ekonomike dhe iniciativat sipërmarrëse; është një kërcënim për paqen dhe na dënon me skllavërinë dhe nënshtrimin njerëzor ndaj njeriut. Dhe kjo do të thotë vdekje të demokracisë! Garancia e lirive individuale dhe e dinjitetin njerëzor është “zemra e lirisë njerëzore”. Aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri. Kur nuk zbatohet ligji dhe kur nuk dënohet krimi, shuhet në heshtje jeta dhe siguria njerëzore; perspektivat dhe lind despotizmi i një oligarkie e nomenklaturës së kriminelëve, të cilët luftojnë për pushtet, për të marrë në posedim pronat dhe jetën e individëve. Kjo është e kundërta e lirisë, që do të thotë mosbesim në institucionet që udhëheqin.

Ne i paguajmë taksat sepse kemi besim se paratë do të vihen në shërbimin dhe cilësinë tonë jetësore. Mirëpo, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një problem politik dhe si e tillë, duhet t’u adresohet organizmave të drejtësisë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe politikës. Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm dënim e ndëshkim. Ajo duhet të përhapë edhe besim, siguri, ndërgjegje, motivim. Drejtësia është ajo që e mban të gjallë shtetin dhe organizmat e tij. Mirëpo kur drejtësia nuk funksionon, korrupsioni dhe krimi lulëzojnë, duke kërcënuar pronën private, liritë e individëve dhe sipërmarrjet, tregun e konkurrencën, shkencën dhe kulturën, zhvillimin ekonomik, etj. Kështu, pak e nga pak, të gjithë i nënshtrohemi frikës dhe demokracia kthehet në një farsë.

Filed Under: Ekonomi

𝐂̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐭𝐡𝐨𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐣𝐞𝐬𝐡 𝐧𝐣𝐞𝐫𝐢 𝐦𝐞 𝐤𝐮𝐥𝐭𝐮𝐫𝐞̈!

March 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Fjala “kulturë”, e cila përdoret rëndomë pa dijen e peshës dhe rëndësisë së madhe që ka, nuk rrjedh nga fushat krijuese siç mund të hamendësohet por nga bujqësia dhe agronomia.

Fjala “kulturë” e ka zanafillën nga “cultura animi” (kultivim i shpirtit). Një metaforë kjo e përdorur nga oratori i Romës së lashtë, Ciceroni, në veprën e tij Tusculanae Disputationes. Ashtu siç kultivohet bimësia ashtu kultivohet edhe shpirti. Ashtu siç ushqehet bimësia ashtu duhet ushqyer edhe shpirti për të arritur stadin frutor, nivelin më të lartë të zhvillimit njerëzor.

Jo vetëm romakët, por edhe grekët e lashtë, sikurse edhe popujt e lindjes së mesme e të largët e kishin kuptuar prej mijëvjeçarësh kulturën, pra kultivimin e shpirtit.

Në lindjen e mesme, përmbledhjet e librave quheshin kopshte. Njësoj si kopshtet e vërteta, me lule, barishte e pemë, ato libra kërkonin kohë që të rriteshin sepse idetë më të mira duheshin kultivuar me kohën, ndërsa bimët invazive dhe bimët e dobëta duheshin shkulur. Një proces vetë-pastrimi e vetë-përmirësimi të cilin ne sot e quajmë “integritet.”

Kultivimi i shpirtit, kultura, siç i referohemi sot, kërkon jo vetëm dëshirën për dijen, besimin, leximin, artin, muzikën, njohjen e historisë dhe kuptimin e natyrës njerëzore por është e ndërlidhur edhe me paqen, me harmoninë midis traditave dhe pasurive shoqërore shumëngjyrëshe midis kombeve. Kultura është paqe dhe paqja e harmonia janë kulturë.

Mbi të gjitha kultura, kultivimi i shpirtit, integriteti, apo sido që quhet në gjuhë të ndryshme, për të dhënë fryt kërkon që të shërbesh. T’i shërbesh komunitetit, vendit e mbarë njerëzimit.

Ky është kuptimi i kulturës. Të kultivosh shpirtin tënd për të dhënë fryte te të tjerët. Të kujdesesh për kopshtin tënd që të ushqesh të tjerët.

Të jesh njeri me kulturë do të thotë të përgatisësh veten me cilësitë më të mira njerëzore për dobi të të tjerëve.

Ndaj edhe kultura është fisnikëri.

Filed Under: Opinion

Skënderbeu i Ardian Pepës, një strateg lufte, i ngjitur në fronin e një prijësi legjendar

March 3, 2025 by s p

Albert Vataj/

Nga të gjithë jetësimet artistike, të emrit, jetës dhe veprës së Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, ndoshta më imponuesja është ajo e një prijësi, e simbolizuar nga ajo që përfaqëson shtatorja e vendosur në Lezhë, përballë Memorialit të Skënderbeut, vepër e skulptorit Ardian Pepa, e inauguruar më 2 mars 2025, në kremtim të 581-vjetorit të Besëlidhjes së Princave.

Veprat e artit kushtuar Skënderbeut, veçanërisht skulpturat, shpesh janë pritur me debate, mendime pro dhe kundër, për stilistikën shprehëse, komponentet përfaqësuese dhe çdo element dallues nga ballafaqimet e mëhershme. Ende kjo figurë historike është e paqartë dhe idealizimi estetik ka qenë i vetmi identitet që në përafron me imazhin e vërtetë të tij.

Pavarësisht se si është përshkruar dhe se si ai është përjetësuar, në dëshmime historike dhe faktime të dokumentuara, mitizimi ka fituar, për të përfunduar te tiparet dhe karakteristikat më të shumëpërdorura, të cilat kanë ardhur për ta mbajtur atë në konfigurimin e legjendës. Shtatorja e Skënderbeut, e Ardian Pepa, shquhet për disa karakteristika dhe veçori që e dallojnë.

Kjo shtatore është një përfaqësim madhështor i figurës së heroit tonë kombëtar, e cila përmban disa shtresa kuptimore, si në aspektin estetik dhe ideor, ashtu edhe në planin filozofik e historik.

Poza dhe qëndrimi i tij. Skënderbeu paraqitet në një qëndrim dominues dhe autoritar. Me njërën dorë mbështetur mbi shpatën që qëndron vertikalisht mbi tokë, simbol i forcës dhe gatishmërisë për luftë. Dora tjetër mbi bel i jep figurës një karakter të sigurt dhe të vendosur. Të dy këto elementë të pasqyruara në këtë vepër, gjejnë lidhje të drejtpërdrejtë me kushtimin, që autori i ka bërë kësaj skulpture, duke i theksuar asaj këto detaje që lidhen me kohën dhe vendin.

Vendi ku shtatorja është vendosur, kontekti kohor, kuptimor dhe historik. Skënderbeu vinte në një besëlidhje me kryezotit e Arbërisë, për të vendosur për fatin që do të rrjedhonte, nga qëndresa që do t’i bëhej një prej ushtrive më të përbindshme të kohës, asaj osmane. Skënderbeu është në gjendje pritëse, të simbolizuar me dorën e djathtë që mban shpatën dhe dorën e majtë që mbështetet në bel, vështrimin e shigjetues nga lart poshtë dhe një ashpërsi më të zbutur, e tipologjisë së zakonshme të kësaj figure. Edhe pse vjen nga lufta dhe është i gatitur për luftë, në pritje të vendimeve që do të dalin nga Kuvendi i Lezhës, ai përcillet në këtë komunikum parmes një shprehjeje zotërimi.

Për tu ndalur te komponentët e tjerë. Armatura dhe veshja e tij, janë të stilizuara sipas imazhit ikonografik të Skënderbeut që njihet nga pikturat historike, me helmetën e tij karakteristike me brirë dhie, simbol i luftës dhe mençurisë. Manteli i gjatë që shpaloset pas tij krijon një ndjesi fisnikërie dhe fuqie epike, duke e ngritur figurën në një dimension pothuajse mitik.

Portreti i tij nuk është thjesht heroik, por gjithashtu përfaqëson një shpirt të paepur, një udhëheqës që nuk lëkundet para sfidave. Kjo i jep veprës një dimension psikologjik të thellë dhe forcë.

Monumenti është i ngritur mbi një bazament të fortë, duke krijuar një efekt vizual që e bën figurën e Skënderbeut të duket edhe më mbizotëruese mbi hapësirën përreth. Kjo për ta vendosur këtë shtatore si një pikë referimi që dominon horizontin. Në vetvete ai dëshmon për rikthimin e tij legjendar në njërin prej vendeve ikonike të historinë së shqiptarisë, aty ku ai hyri në histori për t’u përjetësuar në kujtesën e Kombit shqiptar dhe memorien e figurave të tjera të përmasave dhe ndikimeve të tilla që ai përfaqësoi dhe shënjoi.

Nëse krahasohet me shtatoret më të njohura të Skënderbeut, kjo e Ardian Pepës vendosur para Memorialit, ku ai prehet në gjithmonshmëri, ka një stilizim më të butë dhe më pak agresiv, më pak dramatik, por gjithsesi ruan një prezencë të fuqishme. Me një ati, mësuesi dhe një prijësi, ai vjen në këtë qasje për të shëmbëllyer atë të idealizuarin.

Kjo shtatore është një ndërthurje e fuqisë dhe madhështisë, prijësit dhe heroit, mitit dhe legjendës, duke e vendosur Skënderbeun në një hapësirë që e përjetëson, si një figurë të pakontestueshme të historisë shqiptare, si një kulmim i epërm i vetëdijes sonë, e cila shtrihet në gjithëshqiptarinë si një energji përtëritëse dhe vetëbesimi, duke e vendosur atë më korrnizimin e një ikone, duke e ngjitur në tempullin e një shenjtërie.

Ajo, është gjithëpoaq një vepër që ruan një balancë mes realitetit historik dhe idealizimit heroik, ndërsa mesazhi i saj kryesor mbetet i qartë, krenari, forcë dhe përjetësi e vlerës së figurës kombëtare.

Duke u rrekur për ta parë atë përtej kufizimeve, vërejmë se Skënderbeu i Pepës, ka disa përkime stilistike dhe konceptuale me tradita të ndryshme artistike dhe shkolla krijuese, që e lartësuan aktin në gjigandë prej broxi. Edhe pse duhet pajtuar me idenë se qasjet individuale krijuese që fitojnë, janë ato të mbështetura mbi modele dhe përkime, shëmbëllime dhe interpretime, që në kohëpaskohje orvaten të formalizohen në aktin krijues si unike.

Ajo që mund të thuhet dhe që rrok një dakordësim kuptimor edhe nga një vështrim i atypëratyshëm, ky monument ka një qasje realiste dhe heroike, e cila e vendos figurën e Skënderbeut në një formë madhështore dhe të monumentalizuar. Kjo qasje është e ngjashme me ndikimet i diktuara estetike të shekullit XX, ku heroi paraqitet me një fizionomi të theksuar, me linja të forta dhe qëndrim mbizotërues, për të qënë më shumë se sa ajo që sheh, ajo që ndjen dhe pesha që të duhet të përballosh.

Nga ana tjetër, ky stil ka rrënjë edhe në akademizmin e shekullit XIX, ku skulpturat e heronjve kombëtarë si Napoleoni (p.sh. shtatorja e tij nga Jean-Auguste-Dominique Ingres) apo Garibaldi në Itali paraqiten me një madhështi të ngjashme, imponuese.

Përmasa e Skënderbeut, qëndrimi i tij statik dhe simetrik, si dhe vëmendja ndaj detajeve të veshjes dhe armaturës, kanë një frymë neoklasike, e ngjashme me portretizimin e heronjve antikë grekë dhe romakë, kah janë pleksura rrënjët e pothuaj gjithë traditave të monumentalizmit, sepse së andejmi erdhi përmasa dhe stilizimi imponues, si fuqi që nënshtron. Sepse arti është e vetmja gjendje përjetimi dhe reagimi që guxon të shkojë aty ku mendimet dhe përfytyrimi sendërgjohen përmes një lënde të bartur emocionale.

Poza me dorën mbi shpatë dhe mantelin që shpaloset prapa kujton Augustusin e Primaportës (skulpturë e famshme romake), ku perandori shpërfaqet në një qëndrim të ngjashëm dominues.

Gjithashtu, helmeta me brirë dhe detajet e armaturës e afrojnë atë me përfaqësime të Mbretit Leonidas të Spartës në artin klasik grek, duke e shndërruar Skënderbeun në një figurë mitike.

Edhe pse në thelb është një vepër statike dhe hieratike, manteli i gjatë që shtrihet pas tij, si dhe forma e kapelës dhe armaturës, krijojnë një ndjesi të lehtë lëvizjeje. Kjo i jep shtatores një element barok, të krahasueshëm me shtatoret e Berninit (p.sh. “Konstantini i Madh” në Vatikan), ku vëmendja ndaj teksturave dhe gjestikulacioni i trupit krijojnë një ndjesi dramatike.

Skulptura të barokut shpesh përdorin mantelin dhe krekosjen për të dhënë madhështi, siç shohim në veprat e Gian Lorenzo Berninit, ku veshja nuk është vetëm dekorative, por pjesë e narrativës vizuale, asaj që ajo do të imponojë dhe mëton.

Shtatoren e Abraham Lincoln në Uashington (nga Daniel Chester French), gjithashtu,ku figura qëndron në një qëndrim madhështor dhe imponues, apo shtatoret e Garibaldit dhe Cavour-it në Itali, ku liderët kombëtarë shfaqen me një qëndrim të fortë dhe të pashmangshëm mbi piedestal.

Kjo shtatore është një përzierje e realizmit heroik, neoklasicizmit dhe ndikimeve baroke, duke krijuar një figurë që i përngjan heronjve antikë dhe udhëheqësve të mëdhenj të historisë, por edhe trajtimeve të mëhershme që i janë bërë kësaj figure të historisë. Ajo ka një frymë të qartë madhështore dhe mitike, e cila shkon përtej një thjeshtë portretizimi historik, për të hyrë në sferën e ikonografisë kombëtare dhe simbolizmit të pavdekësisë. Sepse arti, monumentalizmi, përmasat, forca, imponimi, janë elemente që krijojnë një marrëdhënie me soditësin, duke e lejuar të përfshihet emocionalisht në këtë përjetim, e pse jo edhe duke zgjuar te ai fantazinë për ta kthyer në kohën e heroit dhe zhvillimet e asokohshme, për t’i lejuar gjithashtu të jetë pjesë e historisë, të mbushet me gjendjen dhe ta ndjej peshën që bie mbi të, duke e bërë atë më të fortë dhe më të gjallë në këtë përfshirje.

Skënderbeu këtu nuk shihet vetëm si një komandant ushtarak, por si një figurë udhëheqëse më e përgjithshme dhe më e përjetshme. Sepse ai nuk ka mbetur në memorien e historisë vetëm si një strateg lufte, por edhe si një diplomat i urtë, një udhëheqës i drejtë dhe një prijës vizionar. Ai vërtetë i përkiste kohës së shpatës, por më shumë se me shpatë, fitoret e tij janë produkt i zgjuarsisë dhe përvojës.

Nëse të tjerat, por edhe vetë Ardian Pepa në trajtimet mëhershme të Skënderbeut, vendos Skënderbeun në një moment lufte dhe aksioni, kjo shtatore e vendos atë në përjetësi, në përfundimin e misionit të tij, si një udhëheqës tashmë i përmbushur.

Ndoshta një Skënderbe legjendar, si një strateg dhe komandant, sot do ta preferonim një prijës, një figurë të bashkimit, urtësisë dhe maturisë, por edhe vendosmërisë dhe guximit për të mos u trembur edhe nga nevoja për tu ndeshur. Shpata dhe veshja, tregojnë se ai është gati për luftë, por më shumë aspiron për paqe.

Filed Under: Histori

Dehumanizimi që sjell Big Brother

March 3, 2025 by s p

Ergys Mertiri/

Nëse ka një gjë që mund të demonstrojë Big Brother-i, është fuqia dehumanizuese e zhdukjs së intimitetit. Të jetosh 24 orë i vëzhguar në kamera, për muaj me rradhë është një ushtrim i fortë i fuqisë njerëzore për të fshehur vetveten, madje edhe për ta humbur atë përfundimisht. Kjo lloj karantine është një instrument i fuqishëm denatyrimi, ku njeriu duke humbur vetveten humb paralelisht edhe të vërtetën.

Në romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies”, Milan Kundera thotë se, vetëm duke i qendruar larg publikut, njeriu mund të jetojë me të vërtetën pa gënjyer veten dhe të tjerët. Ne priremi gjithmonë ti përshtatemi syve që na vëzhgojnë dhe për pasojë asgjë që bëjmë nuk është e vërtetë. Publiku të bën të jetosh me gënjeshtra. Për këtë arsye, Kundera thotë se, kush humb intimitetin ka humbur gjithka dhe ai që heq dorë me dëshirë të plotë prej intimitetit të tij është një përbindësh.

Personazhet në Big Brother heqin dorë plotësisht nga intimiteti duke pranuar të jetojnë për muaj me rradhë përpara kamerave dhe sytë e publikut që vëzhgon, gjykon, komenton gjithçka që ata bëjnë 24 orë në 24. Dhe jo vetëm kaq, por kësaj i shtohet edhe gara, kush do fitojë trofeun, çfarë e bën praninë aty, jo vetëm të zhveshur nga vetja, por edhe të armatosur me të gjithë infrastrukturën e maskave, hileve, intrigave dhe të gjitha mjeteve çnjerëzore që imponon instikti i mbijetesës. Kjo e bën Big Brother-in, një xhungël me kamera.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse shumë nga personazhet aty, duket se nuk shfaqin asgjë njerëzore, përveç momenteve patetike, të spektakolarizuara nga elementët skenikë të regjisë, kur ata rrëfejnë momente nga jeta e tyre jashtë kafazit, apo mallit për familjarë, kryesisht fëmijë, që ata vetë, me vullnetin e tyre të plotë, i kanë braktisur për hir të lojës. Sherret e përditshme, tensioni i vazhdueshëm, kurthet dhe sulmet e parreshtura që i bëjnë njëri-tjetrit, janë shenja të ngurtësimit të ndërgjegjes humane. Kjo është edhe arsyeja përse britmat dhe ngërdheshjet janë aq të shpeshta si mjete komunikimi midis banorëve të kësaj xhungle.

Në fakt, vetë bota moderne, e transformuar dhe shpërfytyruar prej medias, qoftë ky televizioni apo rrjetet sociale, kanë shkatërruar nevojën njerëzore për intimitet. Në një botë të spektaklit ku, siç thotë Debort, eksziston veëtëm ajo çfarë shfaqet, ku vetë ekzistenca është spektakolarizuar dhe përjashton gjithçka që qendron jashtë skenës, intimja priret të bëhet diçka pa vlerë. Në një botë të tillë përpara se të jesh, ka rëndësi të dukesh, madje dukja asgjëson vetë qenien duke përcaktuar fillimin dhe mbarimin e të qenit.

Kjo është arsyeja përse ka njerëz që shkatërrojnë jetët e tyre, madje edhe marrëdhëniet e tyre familjare e shoqërore, vetëm për tu futur në botën e spkektaklit, për tu bërë të famshëm e të njohur prej të tjerëve. Nevoja për të qenë dikush, në një botë të atomizuar, që ka shkatërruar marrëdhëniet njerëzore, bëhet një nga motivet kryesore në jetën e shumë njerëzve, sidomos të rinjve, dhe ku shumica e të cilëve gjejnë zhgënjimin apo edhe rrënimin e tyre.

Filed Under: ESSE

SKËNDERBEU ME 2 MARS 1444 KRIJOI  USHTRINË E PARË KOMBËTARE SHQIPTARE 

March 3, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Gjergj Kastrioti Skenderbeu ishte jo vetëm udhehëqes i popullit shqiptar në luftërat e tij për liri e pamvarsi kombëtar në shekullin e XV, por ishte Gjeneral e Strategi më i madhi ushtarak i kohës tij sepse ai e kishte studjuar artin ushtarak të kohës, gjatë viteve të marrjes peng në prendorinë otomane, ku arriti të përfundoi, shkollat më mira ushtarake të Prendorisë Osmane.

Një nga aftësitë e tij të rralla ishte mësimi dhe zotërimi i 6 gjuhëve të hueja përveç, gjuhës shqipe.

Ja  sa bukur e pershkrua libri: “Jetëshkrim i Njerzve të Ҫquar” – “Les Hommes Celebres” përkthyer nga Perto Qirias, botuar në Konstancë ,1921, në faqen 108:

 “Skënderbeu u strëvit bukur në hipjen e kuajve dhe më mirë në përdorimin e shpatës,mësimët ë gjeografisë, të matematikës dhe të historisë u bënë për të ushqimi mendorë i përditshëm dhe me ndihmen e këtyre ariu në shkallën aq të naltë në shkencën e luftës, që kudo gjendeshe as që nuk u mundet që të mejtonte (mendonte) kurrë humbjen. Vetë përsoni i tij ishte fitimi i luftës.midis mësimeve të tjera dhe ai i gjuhës merrte një shkallë tepër të naltë. 

HEROJI SHQIPTARË FLISTE BUKUR VEÇ GJUHËS AMTARE, ( GJASHTË GJUHË TË HUEJA)  TURQISHTEN,  ARABISHTEN, GREQISHTEN, SLLAVISHTEËN, ITALISHTEN DHE LATINISHTEN.

Oratoria (bukur-folja) ishte mjeti më i fortë për të zbutur dhe për të ndezur zemren e gjithë kujt. Nuk ishte vetem oratoria(bukur-folja) me të cilën Skënderbeu ndizte zemren e gjithëkujt, vertyte të nalta të tij, nderi, zemra e butë e gjerë, urësia, mëshira, shpirt madhësia, dashuria si dhe goja e embël, altruizmi hidhnin cilindo në dashurinë e tij…”

Një nga aftësit e tij si Gjeneral e strateg ushtarak është krijimi i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në Kuvendin e Lezhës me 2 Mars 1444.

Tiparet kryesore të artit ushtarak të Skënderbeut ishin ndërtimi i një taktike dhe strategjie të re të  pa parë, në luftrat e principatave feudale Europiane të shekullit X-XIV.

Skënderbeu ishte i pari strateg ushtarak që e studjoi, përpunoi dhe përshtati ,artin ushtarak të kohës tij, për kushtet e konkrete të Shqpërisë. Gjenialiteti i tij qëndronë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu krijojë, Artin e tij ushtarak për ushtirinë  shqiptare.

Arti ushtarak i Skënderbeut solli risi të reja në kalorsinë shqiptare. Ai hoqi dorë nga kalorsia feudale Evropiane e karrocuar e ngadalët dhe e pa monevrushme e kohës tij dhe krijoje një kalorsi të re, të ushtrisë shqiptare, të armatosur lehtë, e shpejtë dhe të manovrushme duke vepruar si në mbrojtje dhe në sulem.

Komandantët dhe drejtuesit e ushtrisë Skënderbeut,rridhnin nga familjet  e mëdha feudale shqiptare si më poshtë : Familja e Aranitve,Familja Muzakajve, Familja e Dukagjinve, Familja e Topiajve, Familja e Balshajve,Familja e Spanve e tjerë.

Skënderbeu duke njohur mirë artin ushtarak të kohës, taktikën dhe strategjinë e ushrisë otomane ndërtoi një Art ushtarak të ri, dhe krijojë një ushtri të përbër nga bijët e populli shqiptare, të cilët luftonin për një çeshtje të drejtë, për të mbrojtur Trojet Arbnore dhe shtëpite veta nga pushtuesit e huaj.

PËRBËRJA DHE STRUKTURA E USHTRISË SKENDËRBEUT:

1-Ushtria e Skendërbeut përbehej nga kembësoria e cila kishte në përberjë  rreth 6500-7500 ushtar të cilët i kishte stervitur dhe i komandonte Ajdin Muzaka djali i motres Skenderbeut,komandant i zoti dhe me provoje të gjatë në luftarake, ai ishte trim, guximtar, i pamposhtur dhe besnik i Skenderbeut.

2-Kalorsia e lehtë e cila përbehej nga 8000 kalorës,të cilët ishin stërvitur dhe komandohej nga djali i vellait të Skendërbeut Hamza Kastrioti ,i cili kishte provojë të madhe luftarake ,gjatë qendrimit në ushtrine Osmane,ai kishte drejtuar dhe marre pjesë në shume beteja luftarake.

3.Gjenerali Vrana Konti ishte një nga komandantët më të zotët në organizimin dhe drejtimin e ushtrisë Skënderbeut.

Ai kishte provojë të madhe  luftarake në  zbulimin e forcave të armikut, në organizimin e pritave dhe goditjet e befasishme të armikut.

Ai organizoj dhe stërviti kalorsin e shpejtë të ushtisë Skënderbeut, sepse kishte provoje të gjatë luftakrake se kishte sherbyer disa kohe si komandat në ushtrinë e aleatit të Skënderbeut, me Mbretin e Napolit Alfonsit V.

Skënderbeu në krijimin e kalorsis lehtë,kujdes të posaçëm i kushtonte zgjedhjes së kuaje të  racave më të mira të kohës të  cilët i kishte stërvitur, për të  përballuar ngarkesa fizike dhe për të kryer monovra dhe levizje të  shpejta duke shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin. Kalorsia e Ushtrisë Skënderbeut, ishte e stervitur mirë në perdorim me mjeshtëri të monovren të goditjet befasishme dhe terhëqjes kur  raporti I farcave ishte i madh sipas situatës konkrete të betejës.

4.Skenderbeu nuk ishte vetëm Gjenerali, por edhe Komandant i Përgjithëshëm i Ushtrisë Shqiptare, por ai drejtonte ushtrinë dhe merrte pjesë vete në beteja luftarake.

Skënderbeu komandonte vetë një pjesë të ushtrisë tij  e cila përbehej nga një pjesë e zgjedhur e kalorsisë dhe këmbësorise të cilit ishin të  përgatitur dhe stërvitur mirë për beteja sulmi të befasishme në pikat më të dobta të armikut.

Kjo pjesë ushtrise qëndronte jashtë kështjellave në vende të mbrojtura dhe të  sigurta ,duke shfrytëzuar mirë terrenin, këto forca futeshin në luftim në moment vendimtare të betejës, duke përdorur, befasinë, monovrën , guximin, trimërinë dhe shpirtin luftarak  të ushtrisë shqiptare.

Tek Arti Ushtarak i Skënderbeut, tek  taktika dhe strategji e re në organizimin e betejave qëndronë pikërisht sekreti  i fitoreve të një ushtrie shqiptare me 10.000 mijë deri 12 mijë ushtarë  mbi ushtrinë e një Prendorisë Osmane me një ushtri 100.000 deri 150.000 ushtarë ,më raport 10-15 herë më të madhe në numer .

Por të  arritur këto fitore Skenderbeu e stërviti dhe  pajisi ushtrinë me armët më  të  mira të kohës,si shpata e mburojat e lehta, heshta, harqet, topuza, shigjetat, flakadanë dhe me artilerinë e kohës tij.

Armët përsonale të Skënderbeut janë shumë të  famshme dhe sot ato gjenden në  një nga muzete e Vjenës. 

Poeti Kombetar i Shqipërisë, Naim Frashëri, kur vizitoj këtë  muze shkroi disa vargje kushtuar armëve të  Skënderbeut.

Mësuesja dhe atëdhetarja e pa lodhur e shkollës  të  parë të  vashave shqiptare Sevasti Qirjazi në  një  shkrim,në  vitin 1925 thekson:

“Vjershat e Naimit e zgjuan Kombin Shqiptare nga gjumi i rendë  që  e kishte pushtuar dhe i dhanë  fuqi e guxim të  fillojë  luftën kundër tiranisë.”

PËRSHENDES TË GJITHË SHQIPTARËT ME NJË PJESË NGA POEMA :

HISTORIA E SKËNDERBEUT, NAIM FRASHËRI : 

Zjente bota, tundej dheu, 

u ngrit gjithë Shqipërija, 

duke thën’ erth Skender-beu, 

erdhi vetë Perëndia. …

Mbret i gjithë Shqipërisë 

sot të jetë Skender-beu, 

Erdhi ng’ an’ e Perëndisë, 

të shpëtonjë mëmëdheu;….

Këndo, këndo Skënder-benë, 

që s’ka pasur shok në jetë, 

që lartësoj Mëmëdhenë, 

kordhëtari trim me fletë! ….

Lum oj Shqipëri o lule! 

që pate trim të vërtetë, 

kurrë në turp nuk ungule, 

të la nder të madh për jetë. 

Nga Historia e Skënderbeut, Naim Frashëri, kreu VI, 1898.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT