• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Aristidh Kola dhe kulti i heroit

April 5, 2025 by s p

Myrvete & Begzad Baliu/

Në fund të Javës së kulturës arvanite, pamë edhe një film dokumentar për njërin prej figurave emblematike të rilindjes shpirtërore arvanitase të kohës sonë. Ishte fjala për avokatin dhe dijetarin e përma¬save kulturore europiane Aristidh Kolën, jo pse kishte studiuar në Francë, por pse në Greqi, mes arvanitasve kishte sjellë frymën europiane të lirisë së fjalës dhe të mendimit, kishte sjellë frymën e njohjes së vlerave etnokulturore të grupeve etnike. Thonë se në Ballkan nuk ka legjendë ku nuk gjendet së paku një hero. Në të vërtetë në Ballkan zor të merret një iniciativë sado e vogël pa kultin e heroit, kryesisht viktimë. Këtë fat, në kohën e re, e patën edhe arvanitasit. Avokati Aristidh Kola, që la profesionin e tij për t’iu përkushtuar zgjimit kombëtar, për të dhënë kontributin e tij për çështjen e Kosovës dhe më në fund për të kundërshtuar konceptet nacional-shovini¬ste të politikës së Beogradit, që gjithnjë e më shumë po bëheshin edhe koncepte të qarqeve të caktuara greke, papritmas vdiq ‘nga një sëmundje e pashërueshme’(!). Ndonëse nuk thuhej në film, lajmi për helmimin e tij nga qarqet zyrtare greke, pikërisht ashtu sikur u helmua Papa Kristo Negovani në fillim të shekullit XX, tashmë është dhënë disa herë. Për arvanitët Nëna Terezë dhe Aristidh Kola janë dy heronj të përjetshëm – pëshpëritnin të pranishmit me lot në sy! ‘Ne e dimë se edhe ju keni shumë respekt për Nënën Tereze, por mund të themi se ai që është Adem Jashari për Ju në Kosovë, për Ne në Greqi është Aristidh Kola.’

Sigurisht kjo ishte arsyeja pse Aristidh Kola të nesërmen u shpall qytetar nderi i komunës së Skënderajt, asaj komune ku lindi dhe u bë vetë historia, heroi legjendar Adem Jashari.

Kosova: miti i Besës së Re

Kosova edhe njëherë u bë vendi i një marrëveshjeje historike. Në njërën prej tryezave shkencore, dy pjesët e ndara (arvanitët e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë) u morën vesh që tash e tutje do të kenë një emër (etnonim) të përbashkët: Arbëror! Emër, me të cilin ata do të identifikojnë gjakun dhe gjuhën e pashuar të shpirtit të arbrit dhe lidhjen e tyre të përhershme me trungun amë.

Mirëpo, krahas identifikimit të tyre me atë që janë: relikt etnik i popullit shqiptar, ata ngritën edhe mitin e ri. Pasi deklaruan se Shqipëria për më së njëqind vjet nuk arriti të bëhet shenjë mbrojtëse e gjakut të saj të shprishur në Greqi dhe Itali, këtë mision tash e tutje do ta ketë Kosova. Besimi i tyre për Kosovën, si referencë e unitet kombëtar, tashmë konsiderohej i kryer me aktin e parë të këtij organizimi. Tash e tutje, Kosova nuk do të jetë vetëm toka e dhimbjes kombëtare, por edhe e krenarisë dhe unitetit kombëtar, nënku¬pto¬hej nga diskutuesit.

Kosova, një vend kryqëzimi i miteve ballkanike, kësaj here fitoi edhe një dimension të ri historik.

A do të bëhet tash e tutje Kosova miti i Besës së Re!

Epilog

“- Por kjo nuk është shqiptare, kjo është greke, – thashë unë. Tash më kujtohet se e kam lexuar para shumë vjetësh.

– Po, – tha plaku me ironi, – është këngë greke, aq sa është grek edhe Leka i Madh.

(…)

– Gjërat që ju tregova i kanë ndodhur një shqiptari të bajrakut të Malit të Sharrit, – tha plaku. – Këtë këngë e kanë kënduar malësorët që nga ditët kur ka ndodhur e deri në ditët e babait tim. Grekët kanë qenë njerëz të vegjël, kureshtarë, që loznin me letër dhe me shkrola, që kur ia behën në brigjet tona me barka, shumë moti, qindra e qindra vjet para se të vinin romakët. Ne u dhamë strehë, i lamë të vinin në brigjet tona dhe ata janë mysafirë që vjedhin mikpritësin. Ata kanë vrarë popullin tonë; ata kanë marrë Janinën. Le të na i lënë këngët dhe mbretërit tanë të qetë. Grek!, – tha ai duke mërmëritur. Së shpejti do të na e kërkojnë edhe Malin e Shoshit!” (Rose Wilder Lane, Majat e Shalës, 1923, f.138-139)

Filed Under: Opinion

Këshilli rinor i QKSHA-Struga dhe kontributi në “Folenë e Shqiponjës”

April 5, 2025 by s p

Këshilli rinor i QKSHA-Struga është iniciativa më e re në organizatën tonë, që ka bërë bashkë në një darkë pune djem e vajza, të cilët diskutuan për këtë ide dhe angazhimin e tyre direkt në Folenë e Shqiponjës, aty ku nevoja për kontributin e tyre është më se e nevojshme.

Kryetari Sinan Alimi foli para të rinjëve duke i inkurajuar ato, madje duke ju premtuar se në të ardhmen një përfaqësues i këshillit rinor do të jetë edhe pjesë e Bordit drejtues të Organizatës ku do të përfaqësojë idetë dhe kërkesat e rinisë. Ai apeloi që edhe të rinjë të tjerë të vijnë e angazhojen në Organizatë.

Në kujdesin e imamit Gazi Aga mbrëmja u zhvillua edhe me disa aktivitete të tjera edukative, analiza, propozime dhe në fund për argëtim me lojën Kahoot!

Interesi o të rinjve duket në nivel, tashmë ato kanë hapsirat e tyre në QKSHA-Struga dhe së shpejti do të jenë edhe pjesë e vendimarrjes.

Në kuadër të zhvillimeve të fundit mund të theksojmë se tashmë edhe kafeneja e Organizatës ka filluar me punë në orar të caktuar dhe mirëpret të gjithë antarët.

Bordi drejtues zhvilloi takimin e radhës, me analizë për zhvillimet e fundit dhe planet në vijim.

QKSHA-Struga vazhdon misionin e saj, e që është uniteti, tradita dhe kultura jonë e shejntë shqiptare! 🇦🇱

Marrë nga “QKSHA-Struga”

Filed Under: Komunitet

MAGJIA E ARTIT LASGUSHIAN

April 5, 2025 by s p

Kosta Nake/

Poezitë e Lasgush Poradecit, edhe pse kanë kaluar dekada nga vitet e botimit, janë si kujtimet e fëmijërisë që nuk fshihen kurrë deri në fund të jetës, madje ngjiten në përjetësi, sepse u riofrohen brezave me të njëjën freski e bukuri, janë si dashuria e parë që gjeti shtrat te trashëgimia e Rilindjes shqiptare dhe lulëzoi në pranverën e Pavarësisë. Kontaktet e drejtpërdrejta me Europën e përparuar e ushqyen dhe e selitën talentin në rrugën e mundimshme për përpunimin mjeshtëror të mendimit dhe të vargut, e dëshmuar në këtë vëllim me sjelljen e disa poezive në dy-tre dhe katër variante, vetëm e vetëm që çdo fjalë e theks të vendoset në vendin e duhur, si “Poradeci” (2), “Marshi i djalërisë” (2), “Syt’ e lumtur” (2), “Syt’ e varfëruar” (2), “Vdekja e nositit” (2), “Lamtumirë” (4), “Më zu një mall” (3), “Ne porta nga mulliri” (2), “Trashëgimi” (2), “Valimi i dashurisë” (3), “Durimi” (4).

Në parathënien e poetit që përfshihet në këtë vëllim, paralajmërohen kërkesat e larta ndaj vetes: “Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosura nga arti.” (f. 3) “Sepse dyke qenë të përsosura, të derdhura si në mermer, pas mbarimit të kohës qëndron gjuha e tyre…” (po aty) Atëherë kur gjuha shqipe nuk ishte futur ende në hullinë e standartit, poeti lëvroi njërin nga dialektet me kujdes të admirueshëm, “…mundohem me fuqitë e mija t’ja nxjerr në shesh toskërishtes pontecialitetin e saj shpirtëror, bekimin e harmonive të saj…” (f. 4)

Kur Lasgushi shkruan për potencialitet shpirtëror, sakaq na shkon mendja te përmbajtja e poezive të tij ku qartësisht dallohen ato që i kushtohen historisë dhe figurave të mëdha kombëtare, lirikat e natyrës shqiptare të derdhura me aq art dhe lirikat e dashurisë si pjesë e qenësishme e një shoqërie që mbështetet mbi familjen realizuar përmes fijeve aq të shumta shpirtërore.

Poezitë atdhetare që u përmenden në dy vëllimet e para, janë pasuar edhe në krijimet e botuara në shtypin periodik me një shtrirje të gjerë në kohë. E tillë është poezia “Trashëgimi” (f. 229) “që mban erë Shqipërije,” poezia “Himni i flamurit” (f. 288) një ndihmesë në krijimin e identikitit për shpirtin e shqiptarit, poezitë polemizuese për Ernest Koliqin dhe Gjergj Bubanin, poezia “Kënga e Shqipërisë së re” (f. 298) me një pasqyrë të shtypit shqiptar në emigrim dhe atdhetarëve që punuan për të informuar dhe ideuar lëvizjen e madhe.

Lasgushi është poeti më skrupuloz i vargut të matur duke filluar nga vargu 4-rrokësh te 18-rrokëshi – vargu më i gjatë i matur në letërsinë shqipe që mban vulën e tij me katër realizime mjeshtërore: “Kur të më jesh e zemëruar” (f. 99), “Dritë fshehtësije” (f.151), “Fluturimi” (f. 263), “Zemërimi jonë” (f. 271).

“Dhe më pëlqen ah! zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj,

Ndaj rri mendohem dyke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?

Dhe ja! ma fal çfardo mërije! dhe ja! ta fal çfardo mëri!

Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri.” (f. 271)

Ndër vargjet e rëndë kulmon poezia “Naim Frashërit” (f. 37) ku Lasgushi e larton figurën e ndritur të Rilindjes duke përdorur pikërisht vargun e famshëm 16-rrokësh naimjan.

Llojet e strofave, rimave dhe theksave ritmikë janë një tregues tjetër i punës së jashtëzakonshme çka kontraston me vërshimin e pakontrolluar të vargut të lirë të ditëve tona.

Nga distikët mund të veçohen poezia e famshme “Kroji i fshatit tonë” dhe poezia “Sy’ e varfëruar” me përdorim të epanostrofesë dhe të këmbëve trokaike:

“Shkonje pranë meje mu në mes të ditës,

Dyke m’i mbërthyer syt’ e tu soditës./

Syt’ e tu soditës, syt’ e tu të ngjyer,

Kur më patnë haruar ishte mbrëma thyer.” (f.68)

Tercinat përfaqësohen me poezinë “Kur m’u rrite vogëloshe” (f. 200), e konceptuar si një shkallëzim rritës: m’u rrite, më sbukuroshe, m’u fsheve, më turpëroshe, përvëloshe; me poezinë “Dita e njëzetetetës” me rimën e jashtëzakonshme ABA që ruhet fillim e mbarim në nëntë strofa, me poezinë “E mora shoqëzën në krah” e shumënjohur si tekst kënge dhe kulmon me poezinë e famshme “Vdekja e nositit” me këmbë jambike dhe rimat AAA:

“Pa nis ah! gjirin ta godas…,

Dh’ e hap ah! gjirin më një ças…,

Dh’ i ngij ah! zoqtë e vdes me gas!…” (f.129)

Strofa 4-vargëshe me gjatësi të njëjtë të vargjeve është zotëruese, por veçohet poezia “Përse të dua” me tre vargje 6-rrokësh dhe vargun e katër epiforik “prandaj” në fund të shtatë strofave; poezia “Ti moj shoqe” ku vargu i fundit është 4-rrokësh ose sa gjysma e rrokjeve te tre vargjet paraardhës; te poezia “Syr’ i fshehur” alternohet vargu 8-rrokësh me atë 6-rrokësh, kurse te poezia “Më zu një mall” alternohet vargu 7-rrokësh me vargun 5-rrokësh.

Strofën 5-vargëshe e ndeshim te poezia “Malli i vjershëtorit” me rimën ABAAB. Interesante është edhe poezia “Trumba gjak” me këmbë jambike dhe ngarkesë të madhe onomatopeike:

“Tika-tak, tik-tak:

Godet kjo zemra sot,

Tik sot e tak me mot;

Tik-tak, tik-tak,

Shkon jeta pak nga pak.” (f. 266)

Me strofa 6-vargëshe janë ndërtuar poezia “Shpirtit” me rimën ABACCB, poezia “Të kërkova me qiri” ku operohet me dy vargje 4-rrokësh të ndërkalluar mes katër vargjeve 8-rrokësh me rimën AABBAA, dhe poezia e famshme “Gjuha e zjarrtë” me rimën ABACBC:

“O këng’ e shentëruar, o verb i larë n’ar.

O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar.

O fshehtësir’ e ndezur në fill prej shkrepëtime.

Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj me kartë,

Porsi një kraharuar ti dhemb, o Gjuhë e zjarrtë,

Porsi kullim i gjakut që rreh në zemrën time.” (f. 145)

Poezitë “Letërkëmbim” dhe “Kundrimi” janë sprova për një ndërtim strofik Lasgushian: alternim i tercinës me distikun me rimën AAB BA. Poezia “Përjetësia” në dy variante dhe e shkruar në kohë të ndryshme është përjashtim: largimi nga vargu i matur dhe krijimi i efekteve pamore me shkrim të theksuar.

Tingëllima nuk mund të ishte jashtë inventarit strofik dhe shfaqet te poezia “Dëshirave”.

Poezia monokolone zë një vend të rëndësishëm në thesarin poetik të Lasgushit me larmi vargjesh e rimash, si: “Një yll përjetësie”, “Rri me shëndet”, “Resurrectio”, “Njeriu dhe Zoti”, rapsodia “Bjenë telat”, etj.

Ilustrime stilistike

Poezia është si një rrahje zemre te përballja e parë e secilit me Të Bukurën e Dheut, por poeti e tejkalon njeriun e dashuruar sepse zemra e tij nuk rreh vetëm për sytë e bukur e shtatin e hijshëm, por edhe për çeljen e një luleje, për kuqëlimin e horizontit në lindjen dhe perëndimin e diellit, për flladin parëverak, për arin vjeshtarak, për bardhësinë e borës; zemra e poetit rreh kur shikon të zgjatet dora e lypësit, kur loti nuk frenohet dot në faqet e nënës, kur një grusht shtrëngohet nga padrejtësia, kur një klithmë dhimbje prish gazin e të tjerëve. Por zemra që rreh, ngre sakaq ura komunikimi me shpirtin dhe mendimin duke kërkuar dhe zbuluar fijet e pafund midis tokës dhe qiellit, midis njeriut dhe natyrës, midis shkakut dhe pasojës. Magjja e zemrës fillon përgatitjen e brumit poetik, mendimi i jep forma dhe nuanca pafund, prandaj poezia është krijuar që në antikitet dhe vazhdon të krijohet edhe sot si formë e pazëvendësueshme komunikimi mes krijuesit dhe lexuesit.

Pasuria e strofave, vargjeve dhe rimave shkon paralelisht me pasurinë e figurave stilistike dhe veçimi i më pikanteve prej tyre është një sprovë e vështirë sepse citimi i tyre do të kërkonte hapësira të reja duke iu rikthyer edhe shembujve paraprijës.

Një dukuri mjaft e përsëritur është krijimi i një gjerdani fjalësh brenda vargut duke i kaluar nëpër vizat lidhëse:

Gushë-e-llërë-e-gji-bardhoshe (f. 201), aq hije-rëndë-e-zemër-shkret (f. 79), leshëra-cullufe-dredhur (f.165), e-ëmbla-mi-shoqe-shumë (f.199) Një mal-e-hon-e-det-ah! llaftari (f. 212)

Shembuj me metaforën dhe krahasimin kemi sjellë te vëllimi poetik “Ylli i zemrës” për të portretizuar vashën e dashuruar.

Në figurat e kuptimit shembujt i përkasin personifikimit, paralelizmit figurativ dhe antitezës. Poezia “Vesa dhe loti” (f. 274) i paraqet personazhet e bisedës që në titull.

“Kur ndaj tufës borziloku/ Lulëzonte lul’ e kuqe,/Afër saj un’ isha zogu/ Që çukiste çdo burbuqe.” (f. 165) “Kur bje kallinjve drapri im,/Qit zjarr si vetëtimat,/Kur syri im shtje një vështrim,/Godet në zemër trimat.” (f. 232) “Nuk janë vjersha këngërije/Po janë iskra fshehtësije.” (f. 239)

“Bashkohesh brënda me përjashtësi,/Bashkohesh jashta me përbrendësi” (f.210), “dëshira çelur, gazi mbyll.” (f.183)

Te figurat e shqiptimit poetik aliteracioni, anafora, apostrofa, epifora, pasthirrma dhe përsëritja janë ndër më të përdorurat në poezitë e Lasgushit:

“Dashuronte dashurija, një dashuri – një fshehtësi, m’e fshehur sesa fshehtësija” (f. 82). “Vetullo, moj vetullushe,/Gjarpëro, moj gjarpërueshe,/ Fluturo, moj fluturushe.” (f. 273)

Shembulli tipik i përdorimit të epiforës është poezia “Përse të dua” (f. 241) me shtrirje në gjashtë strofa: vetë, largë, prapë, vashë, grua, përhera.

“Rroftë! fusha oshëtiu,/ Rroftë! pylli uturiu,/Rroftë! deti ja buçiti,/Rroftë! pushka ja kërciti!” (f.153)

“As eja! eja! eja! në zjarr të gjirit tim” (f. 94), “Dhe ik… e ik… e ik… e ik…” (f. 217)

“Ububu! më le të shkretë/ Ah! posa të njoha.” (f. 131)

Duke analizuar vëllimin poetik “Ylli i zemrës” përmenda fjalorin “e hipotekuar” Lasgushian, ashtu siç ka edhe një fjalor letrar Kadarejan, ashtu siç ka edhe një gegërishte të moderuar Fishtjane që përbëjnë një ndihmesë parësore të poetëve dhe shkrimtarëve tanë në pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Dy vëllimet e Lasgushit, duke qenë të botuara rreth një shekull më parë, të krijojnë mundësi për të parë evoluimin e ngadalshëm të gjuhës. Këtu ndeshen trajta fonetike krahinore që sot janë standartizuar, si: çduket, çfaqet, çkëlqen, dyke, gjyrmë, i fellë, fëngjill, djelli, qjelli, ljepur, zembra, mburimi, ryn, rrjeth, lith, ndes, ritem, tmer, më lumtërovi, etj.

Këtu mund të shtojmë edhe përdorimin e fjalëve zvogëluese dhe përkëdhelëse: zemërëz, syçkëzat, thembërza, shkronjëz, pasqyrëzë, herëzën e parë, etj.

Ndër figurat e sintaksës poetike përveç enumeracionit, ka një përdorim të shkallëzimit ngjitës ose zbritës. Një përdorim tjetërlloj është shkallëzimi zbritës në poezinë “Ç’dëgjoj me sy të trembur” që shtrihet në të katra strofat: kënga vjen nga lart – zbret zëri – pikoj përdhe këndimi – po humb ushtimi i zëritë – u shua fare.” (f. 184)

“I çik, i puth, i luan, i rrëkëllen me gas,” (f. 84), “Valimi i anijes së letë/ qetohet, ndalohet, mbaron:/Gjeniu i anijes përpjetë/Hepohet… anohet… valon.” (f.124), “Ajo u ndes e mori valë, ajo u doq, ajo u poq.” (f.187) “Qesh e qan e zjen/ E s’jep të qetë/ E zjen e beren e shfren,/ E s’vdes përjetë.” (f. 287)

Filed Under: LETERSI

Nga pafajësia në pafajësi…

April 5, 2025 by s p

Odeta Xheka/

Pothuaj një vit më parë, në datat 18-19 Prill, 2024, u shfaq në Tiranë, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, një performancë e veçantë dhe eksperimentale për skenën shqiptare. Nje vit më vonë, shfaqja, e konceptuar dhe e krijuar nga Drejtori Artistik dhe performuesi Julian Bulku dhe autoret e teksit, Jora Vaso dhe Kleitia Vaso, erdhi në një skenë tjetër, atë të Tampa City Ballet, në Tampa, Florida nën kujdesin e veçantë të OXH Gallery drejtuar nga Odeta Xheka. Në versionin fillestar, muzika origjinale është kompozuar nga Alban Laro. Regjia skenike është e Inis Gjonit dhe teksti lexohet mjeshtërisht nga aktorët e mirënjohur Rajmonda Bulku dhe Bujar Asqeriu. Kjo performancë shënoi shfaqjen e parë personale në Shqipëri te Julian Bulkut pas vitesh në skenat e Athinës dhe Londrës, ndër të tjera, si edhe pjesëmarrjes me sukses si koreograf në Eurovizion, ku ka përfaqësuar Shqipërinë dhe Greqinë dy vjet rradhazi. Pikënisja e shfaqjes është teksti origjinal i shkruar nga motrat Vaso, i cili përfshin edhe shumë elemente folklorikë shqiptarë krahas referencave të shumta letrare dhe filozofike e eksperiencat e jetës së tre krijuesëve. Gjithashtu, muzika e Alban Laros, i biri i ikonës së muzikës së filmit shqiptar, kompozitorit Kujtim Laro, është krijuar enkas për performancën dhe përpunuar e masterizuar nga muzikanti dhe kompozitori Arsen P., i njohur në skenën ndërkombëtare për bashkēpunimet e tij me figura si Hans Zimmer, ndër të tjerë. “Nga pafajësia në pafajësi” sjell në skenë për herë të parë edhe një djalë shumë të talentuar, Gean Arbanën, i cili është lexues dhe performues në shfaqje.

Është pikërisht zëri i Geanit që hap shfaqjen në Tampa ku ndonëse shumë pak në audiencë kuptojnë fjalët në shqip, të gjithë perceptojnë emocionet e përçuara nga zëri i tij fëminor e kumbues po aq fuqishëm sa ç’i ndjen e ri-interpreton edhe trupa e balerinëve profesioniste të Tampa City Ballet të cilët ndërveprojnë në skenë me projeksionin e “Nga Pafajesia në Pafajësi” xhiruar ne Tiranë. Ndonëse për shumë nga ta, Tirana, Shqipëria, është një vend i largët në prag të së panjohurës, dhimbja e emigracionit, jeta ndarë midis asaj që lihet pas e asaj ç’ka kërkohet me ngulm diku tjetër, është gjithashtu realiteti i përditshëm i shumë prej tyre, ku si për ironi të fatit, historia e Julianit, të riut të dikurshëm shqiptarë që iku larg me shpresat ngërthyer me talentin, përsëritet te John Delgado, Marta Ortega, Brian Gonzalez e të tjerë të cilët ndonëse veteran turnesh në Europë e USA mbartin mallin e Kubës, mall që i bën njësh me Julianin, Jorën, Kleitian e gjithë brezat që ndonëse i ndan koha e gjeografia, i bashkon tharmi i të qenit “të pafajshëm” në thelbin e tyre njerëzor.

Filed Under: Kulture

Thimi Mitko, veprimtaria patriotike, jeta dhe kontributi atdhetar

April 4, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Një nga ‘zbuluesit’ e parë shqiptarë të trashëgimisë folklorike në Shqipëri ishte Zef Jubani (1818-1880), i njohur edhe me emrin Zef Ndokillija. Është autor i veprës “Racconti di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi”, Trieste 1871 (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare). Ky libër përbën përmbledhjen e parë me këngë popullore gegërishte. Është e para vepër folklorike e botuar nga një shqiptar për vetë Shqipërinë. 

Përmbledhja e dytë e rëndësishme me letërsi gojore shqiptare u botua nga folkloristi dhe personaliteti kombëtar Thimi Kostë Mitko (1820-1890) nga Korça, përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Xhaxhai i Thimit ka qenë udhëheqës i revoltës në Korçë dhe në Tepelenë kundër reformave turke të Tanzimatit. Shkollën fillore greke, Thimi e bëri në Korçë. Më 1850, bashkë me xhaxhain u largua në Athinë. Prej aty vajti në Pllovdiv, më pas në Vjenë ku edhe punoi disa vite si rrobaqepës. Më 1865 Thimi Mitko emigroi në Egjipt. Në Beni Suef  hapi një punë tregtie dhe iu përkushtua lëvizjes kombëtare. Vdiq nga një sëmundje e rëndë, në Beni Suef më 22 mars 1890. 

*   *   *

Thimi Mitko ishte veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, folklorist. Për një kohë punoi në vendlindje, Korçë. Më pas u hodh në mërgim, në Manastir, Athinë, Filipopoli, Vjenë dhe që nga viti 1859 jetoi në Egjipt. Zhvilloi veprimtari patriotike të gjithanshme, në bashkëpunim me ideologë të Rilindjes, si Abdyl Frashërin (1839-1892), Kostandin Kristoforidhin (1830-1895), De Radën (1814-1903) etj. Ishte figura kryesore e kolonisë shqiptare në Egjipt. Ndërmori udhëtime nëpër shoqëritë e kolonive shqiptare. Shkroi artikuj në shtypin e kohës: në “Zëri i Shqipërisë” të veprimtarit iluminist të arbëreshëve të Greqisë, i cili punoi për çështjen kombëtare dhe përparimin e kombit shqiptar Anastas Kullurioti (1820-1887); në “Fiamurin e Arbrit” të De Radës; në revistën ndërkombëtare të Kluzhit (Rumani) “Acta comparationis litterarum universarum”, ku bënte pjesë në grupin e redaksisë. Në vitin 1859 e më pas botoi në disa numra të gazetës “Pandora” të Athinës shkrimin “Disa shënime rreth Korçës”, ku mbojti të drejtat e popullit shqiptar. Të njëjtin qëllim patën edhe shkrimet e tij “Gazeta e Livornos mbi çështjen shqiptare” (1879), artikujt publicistikë dhe poezitë. Në shkrimet e tij mishërohen idetë patriotike të Rilindjes: thirrja për bashkim, lartësimi i traditave të kombit, arsimimi në gjuhën amtare, kushtrimi luftarak kundër pushtuesve të huaj. U shqua sidomos si folklorist. Mblodhi pasuri të folklorit shqiptar nga krahinat e jugut dhe të veriut, por edhe nga arbëreshët e Italisë, nga arbëreshët e Greqisë. Ato i botoi në vëllimin “Bleta shqiptare” (1878). Iu rrek kësaj pune për qëllime patriotike dhe për të shpëtuar nga harresa krijimet folklorike. U përpoq për ta paraqitur trashëgiminë folklorike në një plan gjithëkombëtar, me një renditje deri diku shkencore. U përpoq të nxjerrë në dritë pasuritë e gjuhës shqipe dhe ta ngrejë shqipen e folur në shkallën e një gjuhe të punuar të përbashkët. Shkroi 15 apo 20 vjersha me motive atdhetare. Poezia e tij “E ndë Shqiptarët gjithë sa janë” (1867), me thirrjet për bashkim dhe për kryengritje të armatosur, është një nga dëshmitë e para të letërsisë luftarake të Rilindjes. Përshtati “Marsejezën”. Në vitin 1981, krijimet e tij u botuan me titull “Thimi Mitko, Vepra”. 

*   *   *

Thimi Mitko filloi të shfaqë interesim për folklorin rreth vitit 1859 kur ishte në Vjenë. Nga Spiro Dine (1846? – 1922) mësojmë se Mitkoja kishte nisur të regjistronte material folklorik para vitit 1866. Ai i dha Dhimitër Kamardës (1821-1882) këngë popullore, gjëegjëza dhe përralla për përmbledhjen e tij. 

Përmbledhja e Mitkos me folklor shqiptar përmbante 505 këngë popullore dhe 39 përralla e fjalë të urta kryesisht nga Shqipëria e jugut. Vepra u përfundua në vitin 1874 dhe u botua me alfabet grek katër vjet më vonë, në vitin e Lidhjes së Prizrenit, me titullin greqisht “Albanike melissa” dhe shqip “Bëlietta shqipëtare” (Bleta shqiptare), Aleksandri 1878. 

Kjo vepër nuk qe vetëm e para përmbledhje e letërsisë gjore e destinuar për publikun shqiptar, por edhe e para përmbledhje e tillë me interes të vërtetë shkencor. Flitet se një kopje e këtij libri është djegur publikisht në Athinë. 

Botimet e mëparshme me këngë dhe përralla popullore shqiptare kanë qenë tepër të rralla dhe nuk i kishin përfshirë aspektet më të bukura të letërsisë gojore shqiptare, as i kishin mbuluar të gjitha trevat dhe gjithë tematikën. Mitkoja u përpoq që këtë trashëgimi kombëtare të letërsisë gojore ta paraqiste dhe ta ruante në mënyrë sa më të plotë. Në parathënie ai e shpreh qëllimin e tij: “… shpëtimi edhe dhënia brezave që vinë, i fjalëve dhe teksteve shqip të cilat para disa vjetësh i mblodha me shumë mundim e shpenzime dhe besoj se do të kenë një vleftë, sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës shqiptare, veçanërisht dua që t’u ipet një shkak e një nxitje bashkatdhetarëve shqiptarë për të kaluarën dhe për të studiuar gjuhën e tyre amtare, në këtë mënyrë t’u sjell dobi që të mundin edhe këta të përparojnë…”. 

Materiali i “Bletës shqiptare” është klasifikuar dhe renditur sipas gjinive. Libri përfshin pjesë me këngë për të vegjël, këngë për festat popullore të motmotit, këngë dashurie, këngë dasme, nizami, kurbeti, vaje e këngë vajë, balada, epika historike, si dhe përralla, fabula e anekdota. Si shtojcë ka një fjalor shqip-greqisht. 

Me këtë përmbajtje për atë kohë, kjo përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por në Evropën Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh dhe bashkë me të edhe interesimi për letërsinë gojore dhe për traditat folklorike. Kjo rrethanë bëri që përmbledhja e Mitkos të mos pritej në botë me aq vëmendje që meritonte. Vepra u ribotua  nga Gjergj Pekmezi (1872-1938) në Vjenë më 1924, duke e përdorur alfabetin shqiptar të kohës, me titullin “Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos”. Në këtë variant, vepra u prit më mirë. 

Mitkoja hartoi edhe një përmbledhje tjetër shtojcë me letërsi gojore shqiptare e njohur me emrin ‘Bleta e vogël’, por nuk mundi kurrë ta botojë. I pabotuar mbeti edhe fjalori i tij shqip-greqisht me rreth 3000 faqe dorëshkrim, që u zbulua më vonë në Aleksandri. Dorëshkrime të tjera të tij që presin të studiohen, janë ato që ndodhen në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë. 

Përveç interesimit për letërsinë gojore, Mitkoja ishte aktiv edhe në lëvizjen kombëtare, sidomos si autor i të paktën pesë artikujve në periodikë evropianë në mbështetje të çështjes shqiptare. Kur shpërtheu lufta me Malin e Zi në fund të vitit 1880, ai shpërndau një përkthim shqip të Marsejezës. Në vitin 1881 Thimi Mitkoja qe një nga anëtarët themelues të seksionit egjiptian të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Më pas ndërmori shpërndarjen në Egjipt  të së përmuajshmes ‘Fiamuri Arbrit’ të Jeronim De Radës (1814-1903). Kjo revistë e De Radës u botua në Kalabri nga korriku i vitit 1883 deri në nëntor të vitit 1887. 

Mitkoja shkroi edhe pak poezi. Janë ruajtur pesëmbëdhjetë vjersha të tij. Njëra prej tyre është botuar në antologjinë “A Dora d’Istria gli Albanesi” (Dora d’Istrias shqiptarët, Livorno 1870) të gjuhëtarit dhe filologut arbëresh Dhimitër Kamardës (1821-1882). Poezitë e Mitkos nuk kanë ndonjë vlerë letrare të veçantë. 

Me interes letrar dhe historik më të madh është letërkëmbimi i tij i vëllimshëm me albanologë të tjerë të shquar të kohës, si Jeronim De Rada (1814-1903), Dhimitër Kamarda (1821-1882), studiuesi arbëresh nga ishulli Hidra i Greqisë Panajot Kupitori (1821-1881), gjuhëtari çek i cili është marrë edhe me studimin e gjuhës shqipe Jan Urban Jarnik (1848-1923), Dora d’Istria (1828-1888), Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Visar Dodani (rreth 1857-1939), personaliteti politik dhe shtetëror italian me prejardhje arbëreshe Françesko Krispi (1818-1901) dhe albanologun austriak, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900).

Përpjekjet e Thimi Mitkos në fushën e folklorit u vazhduan nga bashkatdhetari i tij Spiro Risto Dine (1846? – 1922) nga Vithkuqi në krahinën e Korçës. I pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike dhe më shkencore ishte Shtjefën Konstantin Gjeçovi–Kryeziu (1874-1929).                                                

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT