• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

“Ceremonia e 76 vjetorit të NATO-s dhe sfidat e gjeneratës tjetër”

April 4, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pikësëpari, 4 Prilli 2025 shënon 76 vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo ngjarje i jep vlera shtesë edhe Kombit tonë pasi mirë-përkon edhe me 16 vjetorin e anëtarësimit të RSh në NATO. 76 vjet më parë, strategu i Luftës së II-të Botërore, “babai themelues”, Komandanti i parë i Suprem i Saj dhe Presidenti i SHBA, Dwight D. Eisenhower, e projektoi NATO-n si “një fuqi politiko-ushtarake për garantimin e mbrojtjes kolektive në rastet e një sulmi nga Bashkimi Sovjetik”. Kështu, në 4 Prill 1949, u themelua Aleanca më e fuqishme dhe më jetëgjatë e historisë së njerëzimit.

Në 76 vitet që lamë, NATO jo vetëm ka përmbushur me sukses “misionin e Gjeneralit Eisenhower”, por edhe ka shërbyer si instrument i besimit te fuqia e pamposhtur ushtarake për paqjen, sigurinë dhe promovimin e vlerave perëndimore. Pas shkërrmoqjes së traktatit të Varshavës (1991): “NATO vijon të dominojë tregun e sigurisë globale” nëpërmjet një procesi të gjithëanshëm modernizimi të konceptit, strukturës, armatimit dhe standarteve të bashkëpunimit mes vendeve anëtare.

Sot në hapësirën e Euroatlatike të 32 vendeve të NATO-s jetojnë rreth 1 miliard banorë që zotërojnë ½ e ekonomisë botërore; ka 8 milionë (4 forca aktive dhe po aq rezervë), ndërsa vetëm ShBA, Franca dhe UK zotërojnë armë bërthamore për shkurajimit [deterrence] të armiqve potencialë. Për fatin e kombit, historia 76 vjeçare e NATO-s kulmon me ndërhyrjen ushtarake për të ndalur gjenocidin si dhe çliruar Kosovën nga makineria kriminale e Milloshevićit (1999). Edhe pse jashtë artikullit 5, kjo luftë e parë fitimtare në historinë e NATO-s e legjitimoi atë si: “Aleanca e shpresës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vlerave të demokracisë në mbarë globin”. Prandaj nuk do të ishte as fisnike, nëse në çdo 4 Prill të mos e përsërisim mirënjohjen mbarëkombëtare ndaj SHBA/NATO/UK.

76 vjet kanë konfirmuar “rolin jetik të ShBA në Aleancën transatlantike”, pasi me rreth 1 trilion $ shpenzime ushtarake në vit, USA ende mbajnë barrën kryesore të angazhimeve dhe kontributeve të NATO-s. Gjithësesi duhet përmendur që për shkak edhe të “presionit legjitim të USA/Trump” si dhe 38 muaj lufte të përgjakshme në Ukraine, 32 vendet arritën buxhetin me të lartë në historisë (+ 1.6 trilion €, nga të cilat rreth 600 miliard € 31 anëtarët e tjerë) me qëllim modernizimin e aftësive ushtarake dhe rritjen e kredibilitetit të NATO-s.

Edhe ky 76 vjetor mbart“mesazhe të forta shprese” për fuqinë e pamposhtur ushtarake të ShBA/NATO-s. Për më tepër që, lufta neo-naziste e Rusisë-Putiniste solli zgjerimin me dy vendet Nordike (Finlandë & Suedi) si dhe mbështetjen me mbi 500 miliardë € armatime moderne, përfshi tanke leopard, sistemet Patriot, avione F-16, së fundmi 5000 trupa Gjermane në Lituani, etj, të cilat mbeten prova për vendosmërinë e përforcuar të NATO-s në mbështetje të Ukrainës deri në fitoren ndaj së keqes të përbashkët (Rusisë-Putiniste).

Sigurisht, të vërtetat/veprat do/po flasin më fortë se mijra fjalimet. Kështu mbas “fitores plebiçitare”, Presidenti Trump ka konfirmuar se përgjatë 4 vitet në vijim, do të përballet me “betejën e jetës së Tij”, pra: “për ta ri-bërë SHBA një superfuqi të pakonkurueshme dhe të pamposhtur në shekujt si dhe NATO-n më të fortë, pra për një botë edhe më e sigurt”. Ndërkohë që falë edhe këij “kërcënimi po të doni quajeni..”, nga më pak se 5 (para 2020), sot (2025), 27 nga 32 vendet anëtare (përfshi RSh) kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP, ndërsa edhe BE arriti në 700 milard €.

Së dyti, 16 vjet mbas anëtarësimit, Shqipëria mbetet edhe më e përkushtuar ndaj Aleancës !

Paraprakisht, dëshiroj të përsëris bindjen strategjike, se Anëtarësimi i RSh në NATO, mbetet i skalitur në historinë kombëtare si: “arritja e dytë gjeopolitike mbas shpalljes së pavarësisë në 28 mëntor 1912”.

Si ndër dëshmimtarët teknik në Samitin e pranimit në NATO-s (i Këln/Strasbourg), sigurisht që e di fort më mirë se çdo shef/sekser infermerie që data zyrtare e anëtarësimit është 1 Prill 2009. Por si në 16 vite, insistoj edhe më fortë për t’i “bashkuar celebrimet protokollare nga 1 në 4 Prill, pra me datën e themelimit të NATO”. Kjo pasi, 4 Prillin e çmoj si: “gjetje e mënçur”, që kapërcen ngarkesat rreth 1 prillit (ditën e gënjeshtrave) dhe konfirmon një të vërtetë të madhe, që i bën nder kësaj ngjarjeje historike për kombin.

Gjithësesi, duke përsëritur mirënjohjen ndaj SHBA-ve, vijoj të refuzoj “tallavanë populiste” se anëtarësimi i RSh në NATO, ishte vetëm një dhuratë apo lavdi e pushtetarëve të radhës! Kjo pasi, anëtarësimi (4 prill 2009) mbetet meritë e përpjekjeve 15 vjeçare (PfP/1994 – MAP/1999 – NATO/2009) për të përmbushur aspiratën shekullore të shqiptarëve drejt aleancës së vlerave demokratike.

Mjafton të përmendim që para 1990 trashëguam mbi 115 mijë forcë aktive dhe marrëzinë e gjithë popullit ushtar që konsunonte 25 % të GDP-së, pra një “qasje që e diskretitoi Kombin dhe i rraskapiti Shqiptarët”. Mbas anëtarësimit Forcat e Armatosura kanë rreth 9 mijë, ndërsa shpensojmë jo më shumë se 2 % të GDP!

Po ashtu gjatë udhëtimit 31-vjeçar drejt/pas anëtarësimit (1994-2025), nga konsumatore, RSh është e konfirmuar kontributore për paqen dhe sigurinë, pasi prej 1996 më shumë se 10.000 ushtarakë kanë kontribuar në operacionet e NATO-s në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Mali, etj.

Gjithësesi, përtej “gjëmave të politikës (1997, etj), deformimit të parimeve bazë të demokracisë (p.sh Deputet vijojnë të emërohen/punësohen në borderonë e Kuvendit), korrupsionit endemik si dhe shpërdornimit të fuqisë së Pushtetit”, anëtarësimi i RSh në NATO mbetet produkt i aspiratës dhe mbështetjes së Shqiptarëve. Por, do të ishte e padrejtë të mos përsërisim mirënjohjen ndaj miqve të mëdhenj, si Presidentët Bush, Klinton; Sekretarët Baker, Allbright, Powell; atyre të Mbrojtjes Perry, Rumsfeld, Gate, si dhe për gjeneralët, Clark, Jones, Stavridis, etj.

Me këtë rast, do duhet gjithashtu përmendur se 16 vite mbas anëtarësimit (2009 – 2025), Tirana zyrtare ka dëshmuar se anëtarësimi nuk ishte kurrësesi stacion i fundit i Shqipërisë, por një epokë e re, me përfitime dhe përgjegjësi shtesë. Prandaj pa asnjë parzgjykim politik, kam përshëndetur kontributet e pakushtëzuara në angazhimet e NATO-s, rritjen 2% të GDP, ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, marrëveshjen ushtarake me Kroacinë dhe Kosovën; Modernizimi i FD si dhe kontributeve më shumë se modeste ndaj Ukrainës.

Prandaj përtej privatizimit politik dhe festimeve të ekzagjeruara (fatëkeqësisht të ndara edhe për këtë arritje), mbetet e përherëshme përgjegjësia shtetërore për ta ngritur më lartë peshën dhe prestigjin e RSh në NATO. Kështu, si ndër kontribuesit modest në udhëtimin 31 vjeçar të RSh drejt/pas anëtarësimit në NATO (1994 – 2009 – 2025), e çmoj si prioritet Nr.1 transformimin e Sistemit të Sigurisë, ose: “modernizimin e konceptit, strukturave, paisjeve, aftësive operacionale dhe kulturës së bashkëpunimit mes agjensive shtetërore, në interes të sigurisë së jetës, pronës, dhe mirëqënies së qytetarëve; rikthimin e besimit te vota e lirë dhe vlerat euro-atlantike; mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe përmbushjen e detyrimeve të RSh në NATO”.

Në shtesë, në reformat për modernizimin e sistemit të sigurisë kombëtare, “asnjë groshë nuk vlejnë” paranoja e privatizimit të Atdheut, politizimi i festës së anëtarësimit dhe përbetimet bollshevike në betejat për mbatjen/marrjen e Pushtetit, por vetëm dashuria për vendin, përulësia për detyrën, përgjegjshmëria e lartë shtetërore si dhe besimi dhe bekimi ndaj partneritetit strategjik me SHBA/NATO.

Për ta përmbyllur, duke uruar përvjetorin e 76 të themelimit besoj edhe më fortë se ShBA/NATO do të vijojë të mbetet Aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit edhe për dekadat dhe gjeneratat që vijnë …” !

Nga: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

Nga filmi “Adolescence” në realitet: Kush është fajtori kur shoqëria krijon vrasës: fëmijët që vrasin, apo ne si shoqëri që i kemi formësuar dhe shtyrë drejt kësaj pikë?

April 4, 2025 by s p

Gëzim Mekuli/

Në serinë Netflix “Adolescence”, një djalosh 13-vjeçar kryen një vrasje të tmerrshme, duke reflektuar një realitet të frikshëm: si ndikohen të rinjtë nga mediat, kultura dhe presioni social. Por kjo nuk është thjesht një skenar filmi. Në Vushtrri, një 19-vjeçar u vra me psitoletë nga një bashkëmoshatar i tij. Një jetë u shua dhe një tjetër u shkatërrua. Këto nuk janë më histori të largëta, por realitet i hidhur që na shfaqet neve përditë. 𝐊𝐮𝐬𝐡 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐟𝐚𝐣𝐭𝐨𝐫𝐢? A janë fëmijët që vrasin, apo jemi ne si shoqëri që i kemi formësuar dhe shtyrë drejt kësaj pike?

𝐅𝐞̈𝐦𝐢𝐣𝐞̈𝐭 𝐥𝐢𝐧𝐝𝐢𝐧 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐚𝐬𝐭𝐞̈𝐫 (𝐓𝐚𝐛𝐮𝐥𝐚 𝐑𝐚𝐬𝐚)

Filozofi Jean-Jacques Rousseau besonte se njeriu lind i pastër, si një “tabula rasa”, dhe është shoqëria ajo që e formëson. A nuk jemi ne ata që po mbushim mendjet e fëmijëve me dhunë, urrejtje, gjak dhe agresivitet? Muzika shqipe që prodhojnë dhe dëgjojnë glorifikon drogën, thikat, dhunën, dhe alkoolin. Tekstet e këngëve janë të mbushura me fjalë të ndyra, urrejtje, shpotitje dhe porosi kriminale. Në çdo cep të rrjeteve sociale, në radio e në televizion përçohen modele helmuese të “burrërisë” dhe “suksesit” që lidhen me dominimin, paratë pa djersë dhe krimin.

Këto ndikime nuk janë të padëmshme. Një adoleshent që dëgjon vazhdimisht këngë që tumirin vrasjen, gjakun dhe drogën, që sheh filma ku krimi shpërblehet, që rritet në një ambient ku dhuna është normë, që sheh BigBrother ku gjuha është plotë dhunë, seksizëm, amoralitet dhe grindje, natyrisht se do të formësohet nga ky realitet. Kur një 16-vjeçar në Shqipëri apo Kosovë mban thikën dhe revolen në brez, nuk e bën sepse ka lindur i dhunshëm, por sepse i është treguar se kjo është mënyra e vetme për t’u respektuar në këtë shoqëri.

𝐑𝐨𝐥𝐢 𝐢 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚𝐯𝐞: 𝐮𝐬𝐡𝐪𝐲𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐞 𝐝𝐡𝐮𝐧𝐞̈𝐬

Teoria e «Kultivimit» e George Gerbner-it thotë se njerëzit që ekspozohen vazhdimisht ndaj dhunës në media, fillojnë ta perceptojnë botën si më të rrezikshme dhe të justifikojnë agresionin/dhunën si të nevojshëm për mbijetesë. Kur lajmet çdo ditë mbushen me vrasje, përleshje dhe tragjedi, kur debatet dhe reality show-t promovojnë ofendime, kërcënime dhe britma, kur filmat dhe videoklipet glorifikojnë banditët dhe kriminelët, 𝗮𝘁𝗲̈𝗵𝗲𝗿𝗲̈ 𝗰̧𝗳𝗮𝗿𝗲̈ 𝗺𝗲𝘀𝗮𝘇𝗵𝗶 𝗽𝗼 𝘂 𝗱𝗲̈𝗿𝗴𝗼𝗷𝗺𝗲̈ 𝘁𝗲̈ 𝗿𝗶𝗻𝗷𝘃𝗲 𝘁𝗮𝗻𝗲̈? 𝗦𝗲 𝗱𝗵𝘂𝗻𝗮 𝗲̈𝘀𝗵𝘁𝗲̈ 𝗺𝗷𝗲𝘁𝗶 𝗽𝗲̈𝗿 𝘀𝘂𝗸𝘀𝗲𝘀? 𝗦𝗲 𝗸𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗲̈𝘀𝗵𝘁𝗲̈ 𝗿𝗿𝘂𝗴𝗮 𝗱𝗿𝗲𝗷𝘁 𝗳𝘂𝗾𝗶𝘀𝗲̈?

Në “Adolescence”, protagonistit Jamie i mësohet nga interneti se burrëria është dominim, se gratë duhen kontrolluar, se forca është mbi të drejtën. A nuk ndodh kjo edhe te ne? Shumë të rinj shqiptarë në Tiranë, Prishtinë e Shkup ndjekin idhuj si Andrew Tate, i cili përhapë porosi helmuese për gratë dhe shoqërinë. Kjo nuk është e rastësishme. Këta personazhe po mbushin një boshllëk që ne si shoqëri kemi lënë bosh. Të rinjtë kërkojnë orientim, dhe në mungesë të edukimit të shëndoshë, ata bien pre e këtyre figurave.

𝑻𝒆̈ 𝒅𝒂𝒔𝒉𝒖𝒓 𝒍𝒆𝒙𝒖𝒆𝒔,

Muzika është helm për rininë. Pse e them këtë e pse mendoj kështu?

E them ketë se tekstet e shumicës së këngëve moderne shqiptare janë një recetë për katastrofë. Për shembull: “I jap makinës me 200, dorën në pistoletë”, “Rruget tona janë të përgjakura, jeta jonë është luftë”, “Para, femra, drogë, kjo është rruga ime”, “Raki, drogë vrasje dhe fuqi, kjo është jeta ime”… etj., etj.

Këto nuk janë thjesht fjalë, janë udhëzues për jetën e të rinjve tanë. Ata mësojnë nga këngët, nga videot, nga yjet që idhullojnë. Dhe kur një djalë 16-vjeçar në Vushtrri, Prishtinë apo Tiranë e sheh një reper të famshëm që mburret me jetën e tij kriminale, ai do të besojë se kjo është rruga drejt respektit dhe suksesit.

𝐓𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫 𝐩𝐫𝐢𝐧𝐝𝐞̈𝐫,

𝐍𝐞 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐬𝐢 𝐬𝐡𝐨𝐪𝐞̈𝐫𝐢.

Shoqëria jonë ka dështuar t’i ofrojë fëmijëve një edukim të shëndoshë për suksesin e vërtetë. Në vend të një shoqërie që mbështet dhe frymëzon, ne kemi ndërtuar një kulturë që i mëson të rinjtë të bërtasin më shumë se të dëgjojnë, të grushtojnë më shumë se të bisedojnë, të përçmojnë më shumë se të respektojnë.

Prindërit janë të lodhur, mësuesit janë të dorëzuar, institucionet janë të shurdhëta. Dhe kush përfiton? Mediat e etura për klikime, këngëtarët e pangopur për famë, personazhet që jetojnë nga provokimi dhe skandali. Dhe në fund, një djalë i ri merr një thikë a një revole dhe vret shokun e tij; dhe ne shqiptarët pyesim “𝐬𝐢 𝐧𝐝𝐨𝐝𝐡𝐢 𝐤𝐣𝐨 𝐦𝐨𝐫𝐞?”

Duhet të marrim përgjegjësi. Nuk mjafton të fajësojmë fëmijët, sepse ata janë produkti ynë. Duhet të ndryshojmë porosinë që u japim. Muzika duhet të edukohet, jo të shkatërrojë. Mediat duhet të ndihmojnë, jo të helmojnë. Familjet duhet të jenë më të vëmendshme, shkollat më të forta, institucionet më të përgjegjshme.

Nëse nuk e bëjmë këtë, do të kemi më shumë vrasje, më shumë tragjedi dhe më shumë rini të humbur. Dhe fajin nuk do ta kenë fëmijët; do ta kemi ne, PRINDËRIT.

Sepse fëmijët lindin të pastër, …

Filed Under: Sociale

LETRA  E PROFESOR  YMER BERISHËS DERGUAR GJENERALIT  ANGLEZ  HADGSONIT MË 22 TETOR  1945

April 4, 2025 by s p

Ymer Berisha

Profesor Ymer Berisha- 1912-1946

Prof. dr. Lush Culaj

    Luftëtar për çlirimin kombëtar në Kosovë, veprimtar i lëvizjes demokratike. Lindi në fshatin Gjurgjevik i Madh, komuna e Klinës  më 1912. Pas kryengritjes së vitit 1919 në Kosovë, për shkak të represionit, iku bashkë me të atin në Shqipëri. Shkollën fillore e filloi në Krumë dhe e përfundoi në Fushë Krujë. Ndoqi Normalen e Elbasanit ku pati mësimdhënës figura  të çmuara të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Gashin etj. Pas diplomimit në vitin 1932, punoi për një periudhë të shkurtër si mësues në disa shkolla të Shqipërisë. Me bursën e dhënë nga shteti shqiptar vazhdoi studimët në Itali, ku përfundoi Akademinë Ushtarake dhe Fakultetin e Histori-Gjeografisë. Pas kthimit punoi si mësimdhënës në disa fshatra të rretheve të Shqipërisë. Ishte ndër intelektualët më të shquar kosovarë në Shqipëri dhe aktivist i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Në vitin 1941 pas okupimit të Jugosllavisë nga nazi-fashizmi prof. Berisha u kthye në Kosovë ku filloi punën si mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. 

Ymer Berisha ishte pjesë e Shtabit të Shaban Polluzhës në luftën e Drenicës në fillim-vitin e vitit 1945 dhe një ndër njerëzit më të respektuar të tij. 

Pas shuarjës të rezistencës të Shaban Polluzhës, Berisha mbeti njëri nga prijësit e dalluar të Rezistencës së Kosovës. Ai kaloi në malet e Llapushës dhe nga aty filloi përpjekjet për organizimin e  rezistencës. Konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës politike për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare. Ishte luftëtar kundër fashizmit e komunizmit. Si truri dhe nervi dirigjues i levizjes ilegale siq e cil;sojn; edhe dokumentet e CIA-s amerikane. kishte dhenë kushtrimin për formimin e një fronti unik politiko-ushtarak të të gjitha rrymave. Ai  dhe organizata e tij Besa Kombetare ishin përcaktuar për luftë të armatosur  me program demokratik  properëndimor, duke promovuar kështu edhe nacional-demokracinë e Kosovës (e cila do të bëhet model edhe për lëvizjet e mëvonshme politike në Kosovë, si ato të viteve ’90). 

Kuvendi i Dobërdolit i gushtit 1945  e zgjodhi profesor Berishën udhëheqës politik. Në Kuvend prezantimi i problemeve që kërkonin zgjidhje nga prof. Berisha ishte shumë përbajtësor.

Prof. Berisha mbante lidhje  me forcat anglo-amerikane. Veçohen letrat e profesorit që i këmbente me misionin anglez, respektivisht me gjeneralin Hadson. Në një raport me 22 tetor 1945 prof. Berisha e informonte atë për situatën e rëndë politike në Kosovë. Peticioni në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme për gjeneralin Hadson, kishte për qëllim që Britanisë së Madhe t’i ofrohej një pasqyrë reale mbi gjendjen e shqiptarëve. Lidhjet ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare” dhe misionit anglez, mbaheshin me vështirësi të mëdha.

Në vitet 1945-1947, në radhët e LNDSH-së të udhëhequr nga Profesor Ymer Berisha, Halim Spahia, Gjon Serreqi, Selman Riza, Marije Shllaku etj, kishte në radhët e veta mbi 30.000 anëtarë aktivë në të gjitha territoret e Kosovës, Maqedonisë e Bujanocit me rrethinë. Kjo e dhënë flet qartë se çfarë rezervash kishin shqiptarët ndaj forcave komuniste.

Në Kongresin e Lipovicës (Blinajës) të 25 korrikut 1946  prof. Ymer Berisha u emërua Komandant i UPNDSH-së dhe Kryetar i tërë Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Në fakt detyra më e lartë komanduese e udheheqjes aë mbarë levizjes profesorit iu dha në mungesë, sepse ai tashmë ishte eliminuar fizikisht. Sipas të dhënave që i jep eprori komunist jugosllav Gojko Medenica, më 11korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, Ymer Berisha u vra ku ishte se bashku me liderin e Lugut te Drinit Ndue Përlleshin. 

Ai vdiq si vdesin trimat dhe as sot nuk i dihet varri i saktë. Uroj që brezat e ardhshëm të mësojnë të vërtetën veprimtarinë e Komandantit të Maleve Dardane, Durim Vullnetit, alias Ymer Berisha, politikan, strateg, ushtarak, filozof, gjuhëtar, historian, gjeograf, arkeolog, e mbi të gjitha humanist.

     Lufta e NDSH-së është një kaptinë më vete e historisë shqiptare, ku forcat e rezistencës nacionaliste u thyen si rezultat i raportit të disfavorshëm të forcave si dhe të mospërkrahjes së mjaftueshme të faktorit ndërkombëtar. 

   Sipas propagandës komuniste, ata u trajtuan si element që mbështeteshin në reaksionin e jashtëm, e sidomos në atë anglez. Shqipëria në periudhën e parë të pasluftës ishte shndërruar në një satelit të Beogradit.

      Ymer Berisha dhe shumë intelektualë të tjerë në Kosovë bënin propagandë në Kosovë për lidhje bashkëpunimi me aleatët anglo-amerikanë.

Lëvizja e rezistencës shqiptare, qysh prej ditëve të para të formimit dhe të veprimtarisë, mbante lidhje të ngushta ndërmjet vete. Këto lidhje ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare” dhe misionit anglez mbaheshin me përkushtim dhe sakrifica. Zakonisht ato udhëhiqeshin përmes lidhjeve, përmes ambasadave, që ndodheshin në Shkup e në Tiranë. Dëshmia më e mirë, e cila e shpjegon ketë gjendje të këtyre forcave është raporti i profesor Ymer Berishës dërguar gjeneralit anglez Hadgson më 22 tetor 1945. Njoftimi me kohë për gjendjen aktuale dhe për dhunën ishte i rëndësishëm. Jo pa qëllim Ymer Berisha i drejtohet Hadgsonit, në emër  të popullit të Dardanisë antike Iliriane për të dëshmuar lashtësinë dhe autoktoninë e këti populli. Duke përshkruar situatën e rëndë politike të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi dhe vrasjët e  mijëra shqiptarëve theksohët se tash e 11 muaj janë duke luftuar  pandërprerë kundër partizanëve, duke vuajtur për mungesë të ushqimit dhe veshmbathjes. Ai konstaton se rreth 4.000 ushtarë të zgjedhur janë në male me armë në dorë dhe se i tërë populli i Kosovës,  është i gatshëm që në sinjalin e dhënë të çohet në këmbë që të luftojë kundër partizanëve.

Profesor Berisha në emër të shqiptarëve i lutët aleancës anglo-amerikane, që të ndërprerë dhunën partizane në Kosovë dhe se dëshira e  popullit është  për bashkim në një Shqipëri të lirë dhe demokratike.  Ushtria jonë është e organizuar në çeta. Me vete, me shpirt e me zemër e ka tërë popullin, mirëpo fatkeqësisht na mungojnë armatimi dhe pajisjet. Për këtë shkak presim nga ju ndihmë.

  Autori i kësaj përkujtese si dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore po përjetonin çaste nga më të vështirat. Në rrethana tejet të vështira, një pjesë e nacionalistëve nuk u lëkundën, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për shpëtim dhe liri. 

   Berisha me shokë nuk zgjodhën rrugën e servilizmit ndaj pushtetit të ri që do t’u siguronte pozita dhe privilegje. U përcaktuan për liri pavarësisht nga çmimi. Realisht Britania e Madhe nuk e shihte me sy të mirë regjimin e ri komunist shqiptar. Madje, raportet në mes dy vendeve ishin të tilla që i shkonin më për shtat gjendjes së luftës, sesa asaj të paqes.

Nga të dhënat e lartshënuara dhe burimet arkivore shihet se Hadgsoni kishte informata të shumta për gjendjen e shqiptarëve në viset shqiptare në Jugosllavi.

Ndonëse ishte i informuar për bashkëpunimin ndërmjet PKJ-së dhe PKSH-së, Ymer Berisha në promemorien e tij nuk flet dhe nuk e akuzon shtetin shqiptar. Në fakt Hadgsoni për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi e fajësonte edhe PKSH-në dhe udhëheqjen e saj duke u deklaruar se “fakti që kanë rënë dakord ta humbasin këtë hapësirë me shumicë shqiptare konfirmon se sa të shitur janë tek Jugosllavia”. 

Formulimi i kësaj promemorieje ishte edhe një apel, në mënyrën më të civilizuar e humane, për situatën që përjetonte gjysma e kombit. Promemoria për Hadgsonin nga Berisha, në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme,  kishte për qëllim që Britanisë së Madhe t’i ofronte një pasqyrë reale mbi vuajtjet e tyre. Duke e paraqitur qëllimin e Beogradit zyrtar, Mbretëria e Bashkuar do të informohej lidhur me veprimet që bënin pushtuesit e që ishin:

  • persekutime të të gjitha llojeve për ta bërë të detyrueshëm nënshtrimin dhe pranimin e okupatorit të vjetër me emër të ri;
  • akuza ndaj shqiptarëve se kishin bashkëpunuar me okupatorin dhe
  • dhunë e vrasje për ata që nuk pranonin të nënshtroheshin.

Ymer Berisha e informonte Hadgsonin se nacionalistët e Kosovës, ndonëse bukur mirë të armatosur, duke parë se partizanët në atë kohë kanë qenë të ndihmuar nga anglezët, nuk iu kundërvunë atyre, duke shpresuar se nuk do të guxonin nga aleatët të shkaktonin dhunë ndaj shqiptarëve. Arsyetimi tjetër i Berishës ishte se rezistenca kundër partizanëve, derisa forcat gjermane ishin në trojet shqiptare, dukej e dëmshme për ushtrinë aleate.

Në fakt partizanët, duke e marrë pushtetin, i çarmatosën shqiptarët me premtimet se do t’u jepej liria e plotë. Por, në vend se t’u japin lirinë, filluan t’i robërojnë. Shtrohet pyetja: nga kush e kishin frikën pushtuesit e rinj komunistë? Pikërisht nga paria, nga familjet e mëdha e të njohura për tradita atdhetare, nga bajraktarët dhe familjet që kishin reputacion. Ata ishin të vetëdijshëm që me nënshtrimin e atyre familjeve me tradita  dhe autoritet nënshtroheshin shumë më lehtë familjet e vogla.

Duke e informuar gjenaralin për luftën e Drenicës, Berisha përshkruante fenomenin e ballafaqimit babë e djalë; se si babai ndodhej në ushtrinë çlirimtare të Shaban Polluzhës, kurse djali, i mobilizuar me dhunë, ndodhej tek ushtria partizane për të luftuar ndërmjet tyre.

Tashmë, pas rezistencës së njohur, më 18 shkurt 1945, kishin rënë në frontin e luftës edhe katër komandantët e rezistencës kombëtare: Shaban Polluzha, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe togeri Gani Agaj i Llaushës. Të gjithë ishin atdhetarë të shquar dhe nga familje të mëdha me tradita. Profesor, Berisha, te raporti për gjeneralin anglez, për herë të parë, jep një shifër për numrin e të vrarëve të shqiptarëve të mobilizuar në Masakrën e Tivarit, ku thekson se numri i të vrarëve saktësisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz.

Ai thekson, jo pa qëllim, se shqiptarët presin nga Anglia, si sjellëse e lirisë në Evropë, dritë dhe shpëtim. Shpresën shqiptarët e kishin orientuar në tërësi në drejtësinë anglo-amerikane. Duke i njohur shumë mirë qëndrimet antikomuniste anglo-amerikane, Berisha konkludon se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm të luftojnë kundër partizanëve.

Promemoria ishte shkruar në emër të Organizatës “Besa Kombëtare” dhe ishte nënshkruar nga vetë autori profesor Ymer Berisha si Kryetar i Kuvendit të Organizatës dhe Kryetar i Kuvendit të Ushtrisë Kombëtare si dhe nga anëtarët e kryesisë që ishin prezentë. Gjatë pasqyrimit dhe vlerësimit mbi gjendjen e rëndë të bashkëkombësve të tyre tek Ymer Berisha nuk manifestohej kurrfarë dashaligësie kundër popullit jugosllav, por dilte qartë revolta kundër dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve dhe dëshira për lirinë e tyre. Prej aty kuptohet se shqiptarët e kishin kuptuar prej kohësh se, vetëm përmes qëndrimeve dinjitoze politike e njerëzore, akteve të mençura diplomatike e trimërisë qytetare e kombëtare, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë nga Qeveria e Londrës, çfarë ishte pikësynimi jetik i Ymer Berishës.

Me ndjesinë e thellë që e karakterizonte profesor Ymer Berishën, ai i parashtroi vetes dy misione. Së pari të demantonte përrallat serbe për respektimin e të gjitha të drejtave për shqiptarët dhe së dyti t’u binte kambanave për veshin e aleatëve anglo-amerikanë. Siç vërehet, nëpërmjet të dhënave të detajuara, Berisha përpiqet të gjejë forma më të avancuara shpjeguese, si orientim për udhëheqjen e aleatëve anglo-amerikanë drejt thelbit të këtyre problemeve. Gjatë paraqitjes së këtyre të dhënave, nuk është e vështirë ta dallosh intuitën e tij për të nxjerrë në pah telashet e të sotmes dhe dilemat e së ardhmes.

Se kush ishte realisht Ymer Berisha e dëshmon raporti i më vonshëm i CIA-s amerikane i datës 7 janar 1953 ku theksonte se: “Profesor Ymer Berisha ishte shpirti, forca dhe truri i rezistencës nacionaliste në Kosovë”.

Filed Under: Histori

“7 MINUTA”…

April 4, 2025 by s p

Gëzim Puka/

Shfaqja “7 MINUTA” në teatrin “Migjeni”.

Ndonjëherë heshtja flet më shumë se çdo gjë! Kjo mund të të ndodhë, sidomos, në teatër. Asgjë s’pipëtinte në sallë, ndërsa po ndiqja shfaqjen e dramës “7 MINUTA” (Stefano Massini) të regjisores Driada Dervishi. Në fillim na shfaqet kurthi ku gjenden personazhet. Të rrethuara nga qepjet e tyre, ata sprucojnë në drejtim të spektatorit. Duke e shoqëruar këtë veprim me një ligjërim ankimor, simbolikisht formojnë mjegullën e kohës sonë. Po presin me padurim se çfarë lajmi do të sjellë zëdhënësja e tyre pas mbledhjes me pronarët e rinj të ndërmarrjes. Në dukje, si një revoltë feministe, trupa teatrore e përbërë nga 11 gra e vajza, na rikujtoi teatrin e mirëfilltë me temë sociale, ku mishërohet një ndër konfliktet më të hershme: puna dhe fitimi. Hapësira skenike e një “qarku” fasonerie individualizonte përjetime të dëshpëruara karakteresh, që përpiqen të mbijetojnë në një shoqëri, e cila, më shumë sesa në një krizë ekonomike, gjendet në një theqafje të dinjitetit të vet.

Nuk është thjesht një copë letër, ajo që vjen pas atij takimi të stërzgjatur. Është e përpiluar mirë e bukur dhe me një kërkesë, në dukje, minimaliste. Punëtoreve u kërkohet heqja dorë nga 7 minuta kohë prej pushimit të drekës. Ata duhet të dhurojnë pak nga koha e tyre, për të vijuar kontratën e punës. Ky vendim duhet të merret me shumicë votash.

Zëdhënësja ngre dyshimin për një kurth të ri, që u shtohet brengave të jetëve të tyre. Ndërmarrja, që u ka “vjedhur” jetën grave të mjera, po u kërkon diçka më shumë. Shumatorja e shtatë minutave në fund të muajit bëhet gjashtëqind orë pune. Gjithë shfaqja është “procedura” e ndërgjegjësimit të shtresave më të mënjanuara të shoqërisë. Janë ato që kanë vetëm krahun e punës.

Lexuesit pak më të thelluar mund t’i kujtohet “Endësit” e Hauptmanit. Është fjala kur kontekstet historiko-shoqërore përpiqen të kthehen në tekste letrare. Ligjërimet e nyjëtuara nga këto karaktere, që kanë secila veçantinë e tyre, mbajnë edhe peshën e përbashkët të ndjenjës së dyshimit për zgjedhjen që presin të bëjnë. Të gjitha gratë dhe vajzat pasqyrojnë përmes copëzave të dialogut, copëza jete të thyera keq. Dikush ka një të kaluar fshatareje; njëra fëmijë për të mbajtur; tjetra ka kredi për të shlyer; familje për të ndërtuar; ndonjëra ka thjesht frikë për të ardhmen…

Ndodhet mes tyre edhe një grua e mbuluar. Një figurë e ndërtuar me shumë kujdes nga aktorja Anila Bisha. Tipizohet shqiptarja e Shqipërisë së Mesme qoftë për nga nëndialekti, qoftë për nga mentaliteti. Imagjinoj se këtu tekstura regjisoriale ka krijuar një tension semantik me tekstin origjinal. Ky interpretim, si edhe ai i aktores Rudina Dembacaj, përbashkon disa vetje vepruese të rikrijuara përgjatë përpunimit artistik të tekstit për skenën tonë. Dyshimi merr përmasa universale kur pikërisht ky personazh monologon mëdyshjen imagjinare se qielli i kaltër mbi kokat tona, mund të jetë edhe një det i cili mund të na zërë poshtë. Ka shumë organicitet, besueshmëri dhe sinqeritet në ndërgjegjësimin e këtyre mjeraneve të cilat, papritur, zbulojnë se janë qenie njerëzore, që duhet ta pretendojnë dhe kërkojnë dinjitetin e mohuar.

Në fakt, 11 gratë e vajzat votojnë disa herë për të zgjedhur të keqen më të vogël. Ka shumë ironi therëse ky përditësim i këtij teksti nga regjisorja durrsake, e cila, veç gjetjeve artistike, na rifreskoi me teatër të njëmendtë, sidomos në finale, kur për numërimin e votimit të fundit, dritat e skenës u shuan dhe projektori na “ndriçoi” ne spektatorëve.

Ishte një “lojë” e besueshme e një trupe profesionistesh, si: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha, Rudina Dembacaj, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, Paula Kodra, Xhoana Karaj, Ajlin Petrela.

Sa herë që letërsia bën si temë të saj zgjedhjen e së keqes më të vogël, prodhohen alternativa të mëdha letrare. Kështu më ngjasoi kjo shfaqje, e mbushur me gjetje të vogla artistike, por shumë kuptimplota.

(Fotografitë nga Rozafa Shpuza)

Filed Under: Kulture

“E kuqja Shqiptare” në New York

April 4, 2025 by s p

Nga: Rafaela Prifti

Foto: Sokol Paja/

“E kuqja Shqiptare” – ekspozitë e artistëve shqiptarë u hap në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Manhattan me bashkëorganizim të Lidhjes Shqiptare Evropiane dhe Odës Ekonomike Shqiptare. Ekspozita është pjesë e ciklit kulturor në të cilin paraqiten punime të artisteve të vendeve ku hapet ekspozita artistike. Ambasadori i Kosovës Blerim Reka përshëndeti të pranishmit, organizatorët dhe artistët si përcjellës jo vetem të vlerave artistike por edhe atyre kombëtare. Ambasadorja e Shqipërisë në OKB Suela Janina e quajti të rëndësishëm faktin që ekspozita hapej në Konsullatën e Kosovës “që është arritje për kombin” por edhe faktin që mbahet në Nju Jork, si vend mikpritës dhe dashamirës. Për artistët kuratore: Melita Cekani dhe pjesëmarrësit Fabio Thaçi, Fadil Berisha, Ilir Berisha, Klodian Marku, Zini Veshi dhe Mariana Eksi, kryediplomatët thanë se janë përfaqësuesit më të mirë të kulturës dhe kombit tonë.

Një mbrëmje kulturore dhe atdhetare që bashkoi artistë e veprimtarë shqiptarë dhe promovoi vlerat tona kombëtare dhe trashëgiminë e shkëlqyer artistike shqiptare në New York.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT