• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

Të përdorur dhe të flakur…

May 22, 2025 by s p

Anila Prifti/

Sot u njoftova që një televizion kombëtar vendosi t’i kalojë korrespondentët e vet me honorare të lodhura. U hoqi pagesen mujore dhe i futi në listën e “bashkëpunëtorëve të jashtëm” një term që në realitet do të thotë: punë pa siguri, pa kontratë, pa të ardhme. Disa prej tyre kanë më shumë se një dekadë në terren, kanë raportuar nga vendngjarje, kanë mbajtur gjallë një minimum dinjiteti për publikun. Sot janë të panevojshëm. Sepse sot lajmi nuk pritet, nuk kërkohet, nuk vjen më nga vendi i ngjarjes; lajmi prodhohet, në redaksi, nga njerëz që nuk pyesin, por lexojnë. Dhe në një kohë ku gjithçka mund të jetë ‘lajm’, gazetari është ai i tepërmi.

E njëjta skemë është parë diku tjetër. Në Hungari, qeveria u forcua, mediat u blenë një nga një dhe gazetarët që nuk pranuan të heshtnin, u pushuan. Në Poloni, pas ndryshimit të pushtetit, u pastruan mediat publike brenda ditesh. Në Serbi, gazetaria u shtyp me kontrolle, presione dhe mbyllje zyrash lokale. Në të gjitha këto raste, nuk pati protestë të vërtetë, sepse heshtja u bë normë. Ne po bëjmë të njëjtën gjë, më butë, por me cinizëm.

Gazetaria në Shqipëri nuk po vdes sot. Ajo ka kohë që është në agoni. U përdor politikisht, u fye publikisht, u keqpagua dhe u detyrua të heshtë në këmbim të mbijetesës. Pushteti e shtrydhi sa i duhej dhe tani që nuk ka më nevojë për fasadë, e flak tej. Opinioni e shikon si një profesion të kompromentuar, jo sepse nuk ka gazetarë të mirë, por sepse askush nuk i mbrojti kur duhej. Profesioni nuk ka më reputacion, nuk ka peshë.

Sot, edhe brenda redaksive, ndjehet një lloj dorëzimi. Askush nuk lufton për të vërtetën sepse ajo nuk ka më treg; luftohet vetëm për një vend pune, për një pagesë, për një vend në skemen e heshtjes. Dhe kur ndonjë guxon të flasë, vihet menjëherë në levizje mekanizmi i diskreditimit: “Edhe ky është si të tjerët”…

Kështu, një profesion që dikur ngjallte respekt, sot përfundon i padukshëm, i papërfillshëm, si mbetje pas zgjedhjeve, pa mbrojtje, pa vlerë. Dhe nesër, kur të mos ketë më kush të shkruajë për padrejtësitë, për zhvatjet, për humbjet, do të jetë vonë për t’u kujtuar për gazetarët, ashtu siç është gjithmonë vonë kur humb diçka që nuk e vlerësove në kohë.

Filed Under: ESSE

52 vite nga Kryengritja e Spaçit

May 22, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

3 ditë u valvit Flamuri Kombëtar pa yll nga heronjtë antikomunistë në Spaç (21-23 Maj 1973).

41 vite nga revolta e Qafë Barit (22 maj 1984).

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,

zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur,

Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur…

Vilson Blloshmi

52 vite më parë, në pranverën e largët të vitit 1973, më 21 – 23 maj të burgosurit politikë në burgun famëkeq të Spaçit, sfiduan diktaturën edhe në segmentin më të hekurt të saj.

Të lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i pakët, dhuna fizike dhe nëpërkëmbja e dinjitetit, shpërthyen në një revoltë masive e cila zgjati tre ditë.

Tre ditë lirie e drite në errësirën e regjimit më të egër komunist në Europë.

Kryengritja e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci.

Të burgosurit, në burgun e braktisur nga policët dhe rojet, brohorisnin kundër diktaturës komuniste, kundër ideologjisë marksiste dhe pro demokracisë.

Parullat e hedhura gjatë revoltës ishin: “Ja vdekje ja liri”, “Ju jeni katila”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Europa e lirë”, etj.

Në atë kryengritje, për herë të parë u artikulua shprehja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, shprehje, e cila ishte lejtmotivi i Lëvizjes Studentore Shqiptare në Dhjetor ’90!

Një prej gjesteve më simbolike dhe më domethënës, që shënoi kulmin e revoltës, ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin komunist, mbi tarracën e njërës prej fjetoreve. Flamuri u improvizua me mjete rrethanore nga të burgosurit.

Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga regjimi, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake.

Për këtë ngjarje janë dënuar me procese speciale në Tiranë, disa grupe, duke u ndarë në grupet e revoltës përgjithësisht dhe ai i flamurit veçanërisht.

U zhvilluan gjithsej 5 procese penale. Dolën në gjyq 66 të dënuar. Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim.

Katër martirët e revoltës së Spaçit e 3 ditëve të LIRISË ishin: Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur as sot, por që me aktin e tyre dëshmuan se regjimi edhe pse i egër rrëzohej, se diktatira nuk e nënshtronte dot shpirtin e lirë të shqiptarit, se për lirinë ia vlen të sakrifikosh.

Pal Zefi, Skënder Daja, Hajro Pashaj dhe Dervish Bejko, 4 martirët e Revoltës së Spaçit, dhe dhjetëra të burgosur të tjerë politikë treguan se edhe në momentet më të zeza, edhe të vetëm, me guxim dhe trimëri mundet të rrëzonin dhe rrëzuan regjimin komunist për 3 ditë lirie dhe se për lirinë ia vlen të sakrifikosh.

U ekzekutuan, dhe eshtrat e tyre nuk gjenden as sot, por akti i tyre është dhe do mbetet i gjallë për të sotmen dhe të ardhmen!

21 Maji është dhe duhet të jetë dita e qëndrestarëve, dita e disidentëve të vërtetë antikomunistë shqiptarë. Dhe 21 maji duhet të vendoset me ligj si dita e përkujtimit publik, krahas 5 majit-Ditës së Dëshmorëve, 4 dhjetorit-Ditës së Forcave të Aramatosura dhe 8 dhjetorit – Ditës së Rinisë.

21 maji i vitit 1973 i parapriu revoltës së Qafë Barit në 22 maj 1984, kur përsëri disidentët, antikomunistët e vërtetë sfiduan dhëmb për dhëmb regjimin komunist, pavarësisht pasojave.

Ndaj vendosja me ligj e një dite të tillë, si Ditë e Përkujtimit Kombëtar, (Dita për qëndrestarët e vërtetë antikomunistë në vitet 1944- 1990), duhet të jetë Monumenti më i përkryer i NJERIUT dhe i triumfit të lirisë e shpirtit të lirë mbi tiraninë.

Përkujtimi i asaj dite, i atij akti, i katër martirëve të revoltës së Spaçit, i revoltës së Qafë Barit, është nderim jo vetëm i qëndresës së tyre ndaj diktaturës, por dhe respekt ndaj të gjithë antikomunistëve të vërtetë.

Filed Under: Histori

Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë, pikë kthese strategjike për sigurinë rajonale dhe integrimin Euro-Atlantik

May 21, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Ka filluar të spekulohet shumë rreth këtij zhvillimi tëjet të rëndësishën për rajonin dhe Kosovën, e kjo vije nga mendjengushtësia si rezultat i varfërisë profesionale dhe paaftësisë për të menduar institucionalisht dhe vlerësuar strategjikisht. Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane për Ballkanin në Kosovë është një ndër vendimet më të rëndësishme gjeostrategjike që ka ndodhur në dekadën e fundit në rajon. Ky zhvillim nuk është vetëm një akt teknik ushtarak, por përfaqëson një mesazh të qartë politik e strategjik se Kosova është pikë kyçe në arkitekturën e sigurisë perëndimore dhe aleanca me SHBA-në është garanci për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Ky zhvillim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është i një rëndësie strategjike dhe është një mesazhi i qartë politik.

Kjo komandë, e vendosur në kuadër të strukturës së U.S. Army Europe and Africa, është përgjegjëse për koordinimin e veprimtarive ushtarake amerikane në rajon dhe për monitorimin e zhvillimeve të sigurisë në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Vendimi për ta vendosur atë në Kosovë është rezultat i një procesi të gjatë bashkëpunimi strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përforcuar me marrëveshje të veçanta në fushën e mbrojtjes, trajnimit dhe shkëmbimit të të dhënave.

Kjo e bën Kosovën jo vetëm një partnere të besueshme të SHBA-së, por edhe një nyje të sigurisë së NATO-s në rajon. Vendimi u parapri nga intensifikimi i marrëdhënieve strategjike Kosovë–SHBA, përfshirë marrëveshjet në fushën e mbrojtjes të nënshkruar më herët dhe pjesëmarrjen gjithnjë më të madhe të FSK-së në misione ndërkombëtare si pjesë e proceseve të standardizimit me NATO-n.

Ky zhvillim është përforcon e rrugën e FSK drejt NATO-s.

Për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kjo është një mundësi unike. Prania e përhershme e trupave amerikane dhe ngritja e një strukture komanduese sjellin përfitime të shumëfishta si:

– Standardizimi sipas praktikave të NATO-s;

– Trajnime të avancuara me trupat elitare amerikane;

– Qasje në teknologji dhe doktrina moderne ushtarake;

– Rritje të kapaciteteve në sigurinë kibernetike, logjistikë dhe ndërveprim ndërkombëtar.

Kjo do ta përshpejtojë integrimin e Kosovës në programin Partnership for Peace (PfP), i cili konsiderohet fazë e domosdoshme drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Prania e SHBA-së i jep fund paqartësive dhe frikësimit nga Serbia, duke e pozicionuar Kosovën si një aleat të pandashëm të perëndimit.

Është me rëndësi të theksohet se ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe sistemi i sigurisë dhe mbrojtjes po zhvillohet me asistencë teknike, profesionale dhe politike të SHBA-ve, përkundër sjelljes shpesh refuzuese dhe të pakoordinuar të qeverisë aktuale të Kosovës ndaj nismave amerikane.

Kjo përfshin veprime që çuan në përjashtimin nga stërvitja ndërkombëtare “Defender Europe 2023” dhe vendosjen e masave sanksionuese nga BE, me aprovim të heshtur nga SHBA.

Megjithatë, angazhimi amerikan vazhdon, sepse Kosova është pjesë e gjeostrategjisë amerikane për rajonin dhe siguria e SHBA-së mbrohet në çdo skaj të botës. Prandaj, ky zhvillim nuk është meritë ekskluzive e qeverisë apo përfaqësuesve të saj politik, por rezultat i një kursi të gjatë partneriteti strategjik të ndërtuar me besim të ndërsjellë ndër vite.

Ky zhvillim po ashtu, është i një rëndësie të veçantë për sigurinë rajonale dhe imunitetin nga tendencat për cenimin e saj.

Pra, vendosja e Komandës në Kosovë është një element dekurajues për çdo ambicie destabilizuese në rajon – qoftë nga Serbia, Rusia apo rrjetet hibride të ndikimit lindor.

Ky pozicionim e bën Kosovën një zonë të paprekshme për veprime armiqësore apo ndërhyrje të drejtpërdrejta.

Kjo rrit sigurinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, vende që shpesh janë në shënjestër të ndikimeve të jashtme joperëndimore.

Gjithashtu, kjo e bën kufirin Kosovë–Serbi të pa demarkuar as ratifikuar ndërkombëtarisht, një vijë të mbrojtur nga vetë prania amerikane, duke i dërguar një mesazh të qartë Beogradit, se çdo përpjekje për destabilizim do të përballet me kundërpërgjigje strategjike të SHBA-së dhe NATO-s.

Përfitimet që pritët të ketë për Kosovën janë:

1. Garanci për siguri afatgjate dhe imunitet nga konflikti i ngrirë;

2. Forcim i pozitës ndërkombëtare në kuadër të aleancës perëndimore;

3. Zvogëlim i ndikimit të shteteve mosnjohëse në procesin e integrimeve;

4. Hapësirë për zhvillim ekonomik në sektorin e sigurisë dhe teknologjisë;

5. Rritje e besueshmërisë politike në procesin e shtetndërtimit.

Nga kjo mund të konkludojmë se: vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë është një fitore strategjike për shtetin tonë.

Ajo përbën një transformim të qartë të realitetit të sigurisë në Ballkan.

Nga një vend i trajtuar si zonë e konfliktit potencial, Kosova po kthehet në qendër të stabilitetit.

Por kjo kërkon gjithashtu përgjegjësi dhe rritje të kapaciteteve shtetërore, profesionalizim të FSK-së dhe një politikë të jashtme që ruan kursin euroatlantik pa devijime taktike.

Kjo komandë nuk është thjesht ushtarake. Është një vulë e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe një mesazh i qartë për të gjithë, se Kosova është këtu për të qëndruar, si shtet, si aleat, si faktor stabiliteti.

Foto: telegrafi.com

Filed Under: Politike

Përkujtojmë sot juristin, filozofin dhe përkthyesin Abdulla Rami (20 maj 1908 – 29 janar 1973)

May 21, 2025 by s p

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”/

Abdulla Rami lindi më 20 maj 1908 në Tatzat të Delvinës. Vitet e para të shkollimit i nisi në Egjipt dhe i përfundoi në vitet ’20, në Delvinë. Gjatë viteve 1927-1931 kreu studimet në liceun francez të Korçës, ku u diplomua në degën e filozofisë. Pas funksionit si misionar i dijes në Fier, Përmet dhe Delvinë ne vitet 1931-1936, vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Montpellier-së në Francë, dhe diplomohet në Jurisprudencë. Në korrik të vitit 1940 emërohet gjykatës në Përmet e më pas në Konispol, dhe dy vite më tej emërohet gjyqtar i klasit të parë në administratën juridike të Gjilanit, në Kosovë. Në shtator të vitit 1943 mbështet dhe përkrah Konferencën e Mukjes duke mbrojtur idealin e bashkimit mbarëkombëtar për një Shqipëri të lirë dhe etnike. Ishte ndër përfaqësuesit më të spikatur të organizatës “Balli Kombëtar” për qarkun e Gjirokastrës dhe kundërshtoi hapur përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri. Më 16 Dhjetor 1944 arrestohet si kundërshtar i regjimit komunist dhe dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, më pas me tridhjetë vjet burg, nga të cilat vuan tetëmbëdhjetë vjet në Burgun e Burrelit. Pas burgut dëbohet familjarisht në Gosë të Kavajës. Iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit të juristit dhe gjykatësit dhe u detyrua të punonte si punëtor krahu në punë të detyruar deri në fund të jetës së tij.

Ka përkthyer vepra të autorëve francezë e anglezë si: Victor Hugo, Jean-Marie Guyau, Clarence Dey, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Skott, Emily Jane Brontë, William Johnson Cory, Andre Chénier, studioi dhe analizoi vepra të ndryshme si “Drejtësia e Paqes” të Eugène Raviart-it, “E ardhmja e qytetërimit” të Alfred Zimmern-it, “Atala René” të Chateaubriand-it, “Njeriu komunist” të Aragon-it e të tjerë. Nga përkthimet e tij kanë shpëtuar dy vepra të plota “Ëilliam Shakespeare”, i shkrimtarit Victor Hugo dhe “Arti në pikëpamje sociologjike”, një analizë filozofike e Jean-Marie Guyau-së. Ndërroi jetë më 29 janar të vitit 1973.

Më 19 shkurt 1996, Republika e Shqipërisë dhe Presidenti i saj e dekorojnë me titullin : “Martir i Demokracisë”: “Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri Demokratike, masakruar mizorisht nga regjimi komunist”.

We commemorate today the lawyer, philosopher and translator Abdulla Rami (May 20, 1908 – January 29, 1973)

Abdulla Rami was born on the 20 of May 20, 1908 in Tatzat, Delvina. He began his first years of studies in Egypt and completed them in the 1920s in Delvina. During the years 1927-1931 he studied at the French high school of Korça, where he graduated in philosophy. After the position of knowledge missionary in Fier, Përmet and Delvinë in 1931-1936, he continued his studies at the Faculty of Law at the University of Montpellier in France, and graduated in Jurisprudence. In July 1940 he was appointed as a judge in Përmet and then in Konispol and two years later he was appointed a first class judge in the legal administration of Gjilan, in Kosovo. In September 1943, he supported the Mukje Conference, defending the ideal of nationwide unity for a free and Ethnic Albania. He was one of the most prominent representatives of the “Balli Kombëtar” organization for the Gjirokastra region and openly opposed the spread of communist ideas in Albania. On December 16, 1944, he was arrested as an opponent of the communist regime and initially sentenced to life imprisonment, then to thirty years in prison, of which he spent eighteen years in Burrell Prison. After his release, he was deported with his family to Gosë in Kavaja. He was denied the right to practice the profession of lawyer and judge and was forced to work as a manual laborer in forced labor until the end of his life.

He has translated works by French and English authors such as Victor Hugo, Jean-Marie Guyau, Clarence Dey, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Scott, Emily Jane Brontë, William Johnson Cory, Andre Chénier, and studied and analyzed various works such as Eugène Raviart’s “Justice of Peace”, Alfred Zimmern’s “The Future of Civilization”, Chateaubriand’s “Atala René”, Aragon’s “Communist Man” and others. Two of his translations, William Shakespeare, by Victor Hugo, and Art from a Sociological Perspective, a philosophical analysis by Jean-Marie Guyau have been saved, works which soon await the light of publication. He died on January 29, 1973.

On February 19, 1996, the Republic of Albania and its President decorated him with the title: “Martyr of Democracy”: “Warrior against communism for a Democratic Albania brutally massacred by the communist regime.”

Filed Under: Mergata

“Bekime dhe Mallkime” prezantohet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork

May 21, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Vlora Nikçi paraqiti librin Bekime dhe Mallkime në një mbrëmje të mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork. Ambasadori Blerim Reka, i cili i përshëndeti pjesëmarrësit si “nikoqir”, i bëri autores urimin “Tu shtofshin librat!” E njohur për karierën e saj si aktore profesioniste e Kosovës, ajo është mbledhëse dhe hulumtuese e apasiouar e trashëgimisë gojore popullore. Për këtë përmbledhje Vlora Nikçi ka filluar të punoj qysh nga viti 2021-2022 duke udhëtuar në Bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ed Hamell nga Fondi Arsimor Kosovë Amerikë (Kosova American Education Fund) Zyra në Nju Jork, vlerësoi kontributin e Vlorës në ruajtjen e trashëgimisë popullore. “Lidhja me atë që ka paraprirë dhe e të kuptuarit të vazhdimësisë e bën Vlorën të jetë e aftë të transmetojë këtë nga profesioni i saj si aktore në kërkimin e saj për të nderuar trashëgiminë gojore për sot dhe për të ardhmen.”

“Vazhdimësia e identitetit kulturor ka qenë shtysa e fillimit të projektit nën udhëzimin e Prof Dok. të ndjerë Sadri Fetihu,” vërejti Nikçi. “Duke qenë se jemi shqiptarë, neve na duhet të bëjmë më tepër se një profesion,” shpjegon ajo. “Në të vërtetë, për librin e parë shtysa ishte ndrojtja e kolegeve aktore për skena erotike.” Vlora nisi hulumtimet për ta zhveshur mitin e erotikës nëpërmjet shprehjeve popullore.

Ajo ju shprehu mirënjohje ekspertëve dhe këshilltarëve si Dr. Shaban Sinani, Prof. Rexhep Qosja, veçanërisht Prof. Isuf Dedushaj. Për ilustrim, Nikçi rrëfeu origjinën e mallkimit “qofsh pjella e dreqit” mbledhur në Malësi, “atje ku njerëzit ose të duan shumë ose përndryshe të vrasin,” tha autorja me buzëqeshje.

Prezantuesja Doruntina Dushi i ftoi të pranishmit të ndiqnin ekzekutimin me klarinetë nga Ylli Zhaveli të disa pjesëve të kompozitorit Thoma Simaku. Më pas, pjesëmarrësit patën mundësinë të bisedonin nga afër me autoren e cila nënshkruante librat dhe i falenderonte për interesimin.

Libri ka dalë nga shtypi para pak kohë dhe ka pasur prezantime në Prishtinë. Vlora me bashkëshortin Armand dhe djalin Ene banojnë në Nju Jork.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT