• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

“8 apo 9 Maj, betejë mes vlerave perëndimore dhe krimeve Putiniste”!

May 8, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

8 Maji 1945, mbetet përjetësisht i skalitur si një ngjarje madhore e fitores së njerëzimit ndaj nazifashizmit si dhe për mesazhet e “mos-harresës” që përcjell në çdo përvjetor. Fatëkeqësisht, ky 80 vjetor e gjen shoqërinë njerëzore edhe me të kërcënuar, për shkak të luftës barbare që ndërmori Rusia – Putiniste, në 22 shkurt 2022 kundër jo vetëm sovranitetit të Ukrainës, por edhe ndaj rendit global, vlerave të demokracisë, interesave gjeopolitike dhe fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantike.

Ky 80 vjetor e gjen Rusinë – Putiniste, edhe më të rraskapitur për të pushtuar Ukrainën jo vetëm brenda 3 muajsh (9 maj 2022), por as 3 vjet e 3 muaj. Por duke përfituar edhe nga një konfuzion ndërkombëtar rreth Planit Trump të Paqes, që “legjitimon pushtuesin ose blerë sovranitetin”, Moska ka bërë përpjekje të sforcuara për të dalë nga izolimi perëndimor si dhe ti rikthyer lavdinë datës 9 maj. Prandaj ka adresuar flesa/testuar jo vetëm për homologët diktatorë, (Kinez, Korenë e Veriut, Iranian, Malit, etj.) por dhe disa vendeve të NATO/BE. Po ashtu, ndërsa: “ka shpallur armëpushim 3 ditor” (8; 9 dhe 10 Maj) Nr.2 i Rusisë, Medvedev, ka bërë një paralajmërim neo-fashist ndaj Ukrainës: “nëse sulmon Moskën gjatë festimeve të 9 majit askush nuk mund të garantojë që Kievi do të mbijetojë deri më 10 Maj” !?!

Nga ana tjetër, edhe Perëndimi është përgjigjur me mesazhe të forta për të refuzuar ftesën cinike, pra pjesëmarrjen në paradën e Ditës Staliniste të Fitores më 9 Maj. Kështu Komisionerja për Zgjerimin, ka paralajmëruar jo vetëm z. Vuçic: “8 maji 1945 dhe 9 maji 2025 janë dy data me vlera krejtësisht të ndryshme. Të shkosh në Moskë për të festuar me ushtrinë e Putinit, që vret njerëz në Ukrainë, është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane dhe Euroatlantike (BE & ShBA/NATO)”.

Së dyti, por, cilat janë vlerat dhe mësimet e nxjerra të kësaj ngjarjeje të lavdishme, si dhe kush janë disa nga mesazhet e forta për besimin te paqja, rendi global, demokracia funksionale ?

80 vjet më parë, pra në 8 Maj 1945, në Berlin u nënshkrua akti i kapitullimit të Gjermanisë – Hitleriane. Pavarësisht festimeve dhe emërtimeve, si Dita (Staliniste) e Fitores pra 9 Maj, apo Data Euroatlantike e Fitores (8 Maj): “ajo që mbetet e përbashkët është data e triumfit mbi nazifashizmin, një nga makineritë më kriminale që ka prodhuar historia e njerëzimit”.

Pikërisht më 8 Maj 1945, Presidenti i SHBA-ve, Truman, i konformoi popullit amerikan dhe mbarë botës fitoren e koalicionit të antifashist. Në të njëjtën datë, 8 Maj 1945, Gjenerali Suprem i frontit perëndimor, babai i NATO-s dhe President i SHBA-ve, Eisenhower, u përcolli luftëtarëve të çdo vendi të koalicionit antifashist: “mirënjohjen për sakrificat, kurajën si dhe kontributin në gjunjëzimin e bishës nazifashiste”.

Prandaj 8 Maji, meriton të përkujtohet si fundi i një lufte çnjerëzore/ferri që zgjati 5 vjet, që preku 80 % të popullsisë së globit dhe që mori jetën e rreth 60 milionë fëmijëve, burrave dhe grave nga mbarë vendet e botës. Kjo mbetet gjithashtu një datë nderimi për komandantet e lavdishëm dhe shtetarët e mëdhenj, si Churchill, Eisenhower, Zhukov, De Gaulle.

Së treti, pse më 8 Maj, edhe Shqipëria si pjesë e koalicionit të fitimtarëve, do duhet t’i bashkohet 32 vendeve të NATO-s dhe disa partnere (p.sh Ukraina etj), në celebrimin e kësaj ngjarjeje.

Pikë së pari, kjo datë do të shërbente për të kapërcyer kacafytjet qesharke (34-vjeçare) për datat 28-29 nëntor, dhe për më tepër, që 8 Maji do i jepte vlera shtesë përuljes për të rënët, nderimit për sakrificat sublime të popullit si dhe rreshtimit të RSh me koalicionin e fitimtarëve.

8 Maji, kjo ngjarje e madhe do duhet të na shërbejë jo për të na ndarë sipas interesave partiake, por si “ilaç për të mjekuar plagët e kohezionit dhe solidaritetit kombëtar”, pra si urë bashkimi rreth flamurit dhe si fanar për të na ndriçuar në udhëtimin drejt perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Ne/shqiptarët kemi të drejtë të ndihemi krenarë më 8 Maj, pasi siç e ka përshkruar Kissinger në librin “Diplomacy”: “Shqipëria ishte një ndër të vetmet vende që u vetëçlirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe, ose aleatëve perëndimorë”.

Prandaj, datën 8 maj e çmoj një “gjetje mjaft të mençur”, pra datë që Shqipëria e vogël t’i bashkohet koalicionit të madh të fitimtarëve për t’u përulur para kujtimit të dhjetra miliona burrave dhe grave që dhanë jetën dhe bënë sakrifica të mbinatyrshme, për ta shpëtuar njerëzimin nga gjenocidi nazifashist.

Thënë këto, mbetet detyrim shtetëror, që çdo 8 Maj, të përulemi me mirënjohje ndaj atyre që dhanë jetën dhe të nderojmë emër për emër luftëtarët që u bashkuan pa dallim feje, krahine dhe bindjeje politike, kundër barbarisë nazifashiste duke mposhtur një ushtri 100-ra herë më të madhe, armatime dhe fuqi luftarake.

Përkundër propagandës bolshevike do duhet të përulemi me mirënjohje edhe para mijëra luftëtarëve që dhanë gjithçka, por u vranë, u burgosën dhe u persekutuan barbarisht nga regjimi E. Hoxhës, që u instalua pas çlirimit nga nazifashistët 8 maj 1945 deri në mars 1991.

Në shtesë, për ta ndërlidhur me aktualitetin, po kujtoj, mesazhin historik te Presidentit Truman në 8 Maj 1945: “Ajo që na pret, pra ndërtimi i paqes, nuk është më pak e rëndësishme, as më pak e vështirë, por Ne do ta ndërtojmë paqen duke besuar dhe punuar së bashku, ashtu siç e arritëm këtë fitore historike”!

“Nëse harrojmë, e keqja përsëritet edhe më mizorisht”. Neo-Stalinistet e Kremlinit (që shkelin edhe mbi sakrificat e popullit rus dhe lavdinë në fitoren e Luftës së II-te Botërore); Kim-Jong, Shtetet apo Organizatat Terroriste; ushtarët/pasuesit e Millosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga interesat e Kremlinit, jo vetëm po kërcënojnë sovranitetin e Ukrainës martire, paqen në Lindjen e Mesme, sigurinë dhe axhendën e integrimit të 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por po sfidojnë seriozisht vlerat themelore, interesat dhe fuqinë e Aleancës Euroatlantike (ShBA/NATO/BE).

8 Maji përmban mesazhe të forta për 32 vendet NATO-s (përfshi RSh), që jo vetëm të mbështesin me deklarata diplomatike Ukrainën, ShBA/NATO, në këtë betejë “për jetë a vdekje me të keqen e përbashkët”, por të marrin përgjegjësitë/barrën, për të përmirësuar kohezionin, Institucionin e mos-harresës si dhe modernizuar sistemin e sigurisë në përballjen me neo-nazistët e rinj që po kërcënojnë më shumë se kurrë që nga Lufta e II-të Botërore, interesat euroatlantike, vlerat demokratike dhe interesat jetike të qytetareve. Prandaj jo 9 por 8 Maji, meriton të celebrohet si një ngjarje e lavdishme, me mesazhe të gjalla, të përbotshme dhe të përjetshme për mbarë njerëzimin: “Për lirinë, paqen, stabilitetin demokratik dhe vlerat themelore, duhet çdo ditë vigjilencë, përkushtim dhe sakrifica”!

Nga: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:

Koordinator për Sigurinë Kombëtare në PDSh,

Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

Gjithçka që duhet të dini për REAL ID — tani, është zyrtarisht e detyrueshme

May 8, 2025 by s p

Përgatiti Rafael Floqi/

Me përjashtim të 5 shteteve, REAL ID do të kërkohet për udhëtimet brenda SHBA-së duke filluar nga 7 maj 2025. Një ndryshim i madh hyn në fuqi për udhëtimet ajrore dhe hyrjen në ndërtesa federale duke filluar nga data 7 maj. Pas vitesh shtyrjesh dhe njoftimesh, Akti i REAL ID i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së po zbatohet në të gjithë vendin. Afati fillestar për REAL ID ishte në vitin 2020, por u shty për shkak të ndikimit të gjerë të pandemisë COVID-19.

Për ata që planifikojnë të hipin në një fluturim të brendshëm ose të hyjnë në disa objekte federale, patenta e zakonshme e shoferit mund të mos jetë më një mjet identifikimi i pranueshëm. Megjithatë, ka disa përjashtime që vlejnë për disa shtete.

Edhe pse të marrësh një REAL ID nuk është e vështirë, aplikuesit duhet të planifikojnë paraprakisht. Ja gjithçka që udhëtarët duhet të dinë për REAL ID: çfarë është, kush ka nevojë për të, si ndryshon nga çfarë keni aktualisht në portofol dhe çfarë ndodh nëse nuk e keni.

Çfarë është REAL ID dhe Pse u Krijua?

REAL ID është një formë identifikimi që plotëson standarde më të larta sigurie të vendosura nga qeveria federale. Kongresi e miratoi Aktin REAL ID në vitin 2005, duke zbatuar një rekomandim të Komisionit të 11 Shtatorit që “vendoste standarde për lëshimin e burimeve të identifikimit, si patentat e shoferit”.

Ky Akt ndalon agjencitë federale, përfshirë TSA, që të pranojnë patenta të shoferit ose karta identiteti të lëshuara nga shteti që nuk përmbushin këto standarde minimale për të hyrë në objekte federale si gjykata, uzina bërthamore, baza ushtarake dhe për të hipur në avionë komercialë të rregulluar nga shteti.

REAL ID duket ngjashëm me një patentë të zakonshme, por dallimi kryesor është YLLI që shfaqet në këndin e sipërm të djathtë. Ky yll tregon se karta është në përputhje me REAL ID.

Kush Ka Nevojë për REAL ID?

Shumica e të rriturve në SHBA do të kenë nevojë për një REAL ID nëse planifikojnë të fluturojnë brenda vendit ose të vizitojnë ndërtesa federale që kërkojnë identifikim. Fëmijët nën 18 vjeç nuk kanë nevojë për të nëse udhëtojnë me një të rritur që ka një ID të pranueshme. Udhëtarët që përdorin patentën e shoferit si identifikim për fluturime dhe nuk kanë një ID tjetër të pranueshme federale (si pasaportë ose ID ushtarake), do të kenë nevojë për një REAL ID.

Patentat e Përmirësuara të Shoferit (EDL) të lëshuara nga Michigan, Minnesota, New York, Vermont dhe Washington konsiderohen si alternativa të pranueshme ndaj kartave në përputhje me REAL ID dhe do të pranohen për qëllime zyrtare. Shumica e EDL-ve nuk përmbajnë shenjën e yllit dhe kjo është e pranueshme.

“Është një mënyrë që qeveria të ketë standarde të unifikuara për çdo dokument identifikimi shtetëror”, tha Clint Henderson, redaktor menaxhues në The Points Guy, një revistë udhëtimesh. Si Merret REAL ID dhe Çfarë Dokumentesh Kërkohen?

Ndryshe nga patentat standarde që lëshohen nga shtetet, REAL ID kërkon dokumentacion më të rreptë për t’u marrë. Kjo do të thotë që identiteti juaj, vendbanimi dhe prania e ligjshme në SHBA duhet të vërtetohen sipas standardeve federale.

Për të marrë një REAL ID, aplikuesit duhet të vizitojnë personalisht zyrën e DMV të shtetit të tyre — aplikimi online nuk është i mundur aktualisht. Aplikuesit duhet të kontrollojnë faqen zyrtare të DMV-së së shtetit për të parë kërkesat e sakta, por përgjithësisht nevojiten:

Një provë identiteti (si certifikata e lindjes ose pasaporta e SHBA-së)

Një provë të numrit të Sigurimeve Shoqërore (si karta e SSN ose formulari W-2)

Dy prova të vendbanimit në shtet (si një faturë e shërbimeve publike ose kontratë qiraje)

Provë e ndryshimit të emrit (nëse emri juaj aktual ndryshon nga ai në certifikatën e lindjes apo ID, si licenca martesore ose një vendim gjykate)

Të gjitha dokumentet duhet të jenë origjinale ose kopje të certifikuara — fotokopjet nuk pranohen.

Cilët Shtete Nuk Kërkojnë REAL ID?

Banorët e shteteve Michigan, Minnesota, New York, Vermont dhe Washington kanë më shumë fleksibilitet me kërkesën për REAL ID krahasuar me shtetet e tjera. Këto shtete ofrojnë opsione përtej REAL ID standard, duke përfshirë Patentat e Përmirësuara të Shoferit (EDL) dhe ID-të e Përmirësuara (EID), të cilat vlejnë gjithashtu si provë shtetësie dhe mund të përdoren për udhëtime tokësore apo detare drejt vendeve si Kanadaja, Meksika dhe Karaibet.

Çfarë Ndodh nëse Nuk Keni REAL ID?

Pasagjerët që paraqesin një ID shtetërore që nuk është në përputhje me REAL ID në pikat e kontrollit të TSA pas datës 7 maj 2025, dhe që nuk kanë ndonjë formë tjetër të pranueshme identifikimi, do të njoftohen për mospërputhjen dhe mund të dërgohen në një zonë të veçantë për kontroll shtesë. E njëjta gjë vlen edhe për ndërtesat federale që kërkojnë identifikim.

Edhe pse REAL ID nuk është i detyrueshëm për të gjithë, ai është thelbësor për këdo që planifikon të udhëtojë me avion ose të hyjë në objekte federale të siguruara.

Telashe në Aeroport

Shtetet ndryshojnë në mënyrën se si e kanë zbatuar ligjin. Disa, si Uashingtoni, ofrojnë patenta të përmirësuara të drejtimit, por vetëm për qytetarët amerikanë. Jo-qytetarët me status ligjor shpesh mund të marrin një dokument identifikimi të VËRTETË me dokumentacion shtesë, por ata që jetojnë në SHBA pa status ligjor nuk munden. “Do ta bëjë më të vështirë për njerëzit që të gjejnë një dokument identifikimi të pranueshëm”, tha Tanya Broder e Qendrës Kombëtare të Ligjit për Imigracionin. 20 vjet më vonë, afati i fundit për dokumentin e identifikimit të vërtetë është këtu. Ja pse zgjati kaq shumë.

Ndërsa afati është pothuajse këtu, sistemi kombëtar mbetet një punë në zhvillim e sipër. Siç raporton Martin Kaste i NPR, TSA ka filluar auditimin e përputhshmërisë, duke filluar me shtetet më të përgatitura dhe duke u dhënë të tjerëve më shumë kohë për të përmbushur standardet federale.

Çfarë të bëni nëse nuk keni një dokument identifikimi të VËRTETË

Mos u frikësoni. Lajmi i mirë, tha Henderson, është se ekziston një “periudhë hapësire veprimi” prej rreth dy vitesh që u jep aeroporteve diskrecion, rast pas rasti, për t’i nënshtruar udhëtarëve një kontrolli shtesë në vend që të kërkojnë një dokument identifikimi të VËRTETË. Ju prapë mund të ktheheni mbrapsht, por sistemet pritet të lejojnë kalimin me kontroll shtesë.

Çfarë mund të sillni në vend të saj

Pasaportat dhe kartat e pasaportave janë në përputhje, siç janë Global Entry, NEXUS, FAST, SENTRI, ID-të e Departamentit të Mbrojtjes, kartat jeshile dhe patentat e shoferit të përmirësuara të lëshuara nga disa shtete, tha Henderson. Konsideroni të fluturoni nga një aeroport më i vogël

Agjentët e TSA-së në aeroportet më të mëdha mund të kenë më shumë trajnim mbi ID-në REAL, tha Henderson, por ata gjithashtu do të merren me shumë më tepër pasagjerë – dhe ka të ngjarë të kenë më shumë dhimbje koke gjatë këtij tranzicioni.

“Nëse mund të filloni nga një aeroport më i vogël, do të zbuloni se është shumë më e lehtë të kaloni,” tha Henderson.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen zyrtare të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Filed Under: Ekonomi

Një odaliskë moderne e sopranos Gjyzepina Kosturit

May 8, 2025 by s p

Luan Rama/

Fotografinë e kësaj pikture e kisha parë para dy vjetësh në shtëpinë e Volfi Kosturit, në Udine të Italisë dhe ishte vërtet një surprizë për nga eleganca, kompozimi, ngjyrat, tonacionet e së kuqes, linjat e atij trupi të shtrirë me një vështrim të paqtë, disi të ëmbël dhe me një vështrim ëndërrues : ishte soprano jonë e famshme Gjyzepina Kosturi. Nuk ishte një pikturë « veriste » siç e cilësonin piktorin që e kishte realizuar, Mario Ridola, i cili kishte ardhur në fillimin e viteve ’30 në Tiranë. Padyshim pikturë ne një lloji tjetër. Ai kishte devijuar nga fryma e pikturës së tij, nga peizazhet dhe figurat ekzotike të pikturuara në jugun e Italisë apo në brigjet e Afrikës. Kjo tablo, ndoshta e vetme, ishte diçka tjetër. Përse vallë ? Në krijimtarinë e tyre artistët ruajnë gjithnjë enigma…

Volf Kosturi më dhuroi para pak kohësh botimin e Bruno Castagna, nipit të piktorit, i cili kishte botuar vjet në hpamazh të gjyshit të tij, të titulluar “Mario Ridola – La maggia della pittura verista”. Interesante është kapitulli “Luci d’Oriente” ku janë vendosur tablotë e realizuara me temë nga Napoli, Libia, Albania dhe Catanzaro, ku është dhe një tekst i kritikut tonë të njohur Ferit Hudhri me titull : “Kthimi i piktorit Mario Ridola”. Në vitin 1931, në Tiranë ishte krijuar “Shoqëria Miq’t e Artit” nga Andrea Kushi, Odhise Paskali, Qenan Masarea etj, të cilët hapën dhe ekspozitën e parë të pikturës në “Kafe-Kursal” me disa piktorë që ekspozuan veprat e tyre: Kolë Idromeno, Vangjush Mio, Odhise Paskali e madje dhe piktore femra. Ridola, do të drejtonte në këtë kohë “Shkollën e vizatimit” në Tiranë me nxënësit e parë si Fadil Pullumi, Gani Strazimiri, Ibrahim Kodra, Zef Bumçi, Stefan Mara Sadik Kaceli, një nga piktorët e rinj që spikati menjëherë.

Nga Ridola, në këtë libër janë botuar tablotë mbi “Pazarin e vjetër”, “Pazari i stofrave”, “Pazari i frutave”, figura e bukur e një vajze tiranase që të kujton nga larg influencën e Delacroix me tablotë e tij në Tunis. Por le të kthehemi tek tabloja kushtuar sopranos Gjyzepina Kosturi. Ajo është e shtrirë në një divan me një cohë të bardhë, me kokën mbështetur në dorën e saj dhe vështrimin e saj të drejtpërdrejtë. Linjat, kompozimi e veçanërisht ngjyrati japin një sensualitet spikatës, figurë kjo që mbart në vetvete një lloj paqeje, meditimi, humaniteti, një vështrim ëndërrues, ndoshta për të ardhmen e saj. Soprano sapo ishte ngjitur në skenat e koncerteve dhe recitaleve të para të saj pas kthimit nga Italia, ku në Bari kishte ndjekur konservatorin për muzikë (soprano) “Santa Luçia. Recitalet e saj ishin në Tiranë dhe në Shkodër, në qytetin e saj të lindjes.

Duke shkruar për çiftin e etnografëve francezë René dhe Jacqueline Benezech të dashuruar pas Shqipërisë dhe pasurisë së saj etnografike, kisha zbuluar diçka tepër thelbësore nga historia e sopranos Gjyzepina Kosturi dhe burrit të saj Rexhai Kosturi, një poliglot me kulturë europiane dhe drejtor i turizmit në Tiranë. Në kujtimet e tyre, çfti francez i kujtonte ata me një simpati të veçantë, duke lënë të kuptohej se ishin njerëzit e emancipuar dhe të kulturuar të një Shqipërie të re dhe europiane. Dhe pikërisht të njëjtën marrëdhënie ky çift shqiptarësh kishte krijuar dhe me personalitete të tjera, italiane, franceze etj, që zbarkonin në Shqipëri. Cifti Kosturi e donte muzikën, pikturën, artet. Vetë Gjyzepina, duke parë fotografitë e saj të kohës në Shkodrër, Bari, Romë, ndihet pasioni i saj i madh për artin e fotografisë. Dhe kuptohet që shoqëria e tyre me Ridola-n ka qenë mjaft e afërt. Ja pse dhe Gjyzepina e pëlqeu idenë e një tabloje për të: ishte një tablo për miken shqiptare.

Vështrojmë tablonë, ku telajo është përmbytur nga e kuqja e derdhur mbi të dhe vetë personazhi të duket se endet në botën e së kuqes, në një tonalitet të ngrohtë ku e kuqja është dhe mbi buzët e saj të pulpta, në një asociacion të bukur me flokët dhe sytë e saj të zezë. Është gruaja e re e Rexhaiut të dashuruar, i cili vetë ai i ngjante një aktori amerikan, një lloj “Gary Cooper”. Vite më pas Ridola u largua nga Shqipëria me kujtimin e bukur për miqtë e tij shqiptarë që mjerisht nuk do ti takonte më. Tabloja mbeti në Tiranë, në familjen Kosturi ku fëmijët e Gjyzepinës u rritën me imazhin e bukur, përmbytur nga e kuqja e nënës së tyre artiste.

Duke vështruar librin e piktorit italian që u largua me kujtimet e piktorëve të rinj shqiptarë, nxënës të shkollës që ai drejtoi, të cilët krijuan një risi më vete në pikturën shqiptare. Ridola ka midis tablove të tij dhe disa portrete mjaft interesante dhe midis tyre një portret mjaft interesant, një “Zio” pikturuar në një frymë “rembrandiane”, ku rigjen vazhdimin e kësaj fryme në portretet e hershme të Sadik Kacelit (“Xhaja me kësulën e Dibrës”), të Zef Kolombi, Nexhmedin Zajmi, Bukurosh Sejdini etj. Tabloja e Gjyzepinës e ka kapërcyer Atlantikun dhe shpresojmë që në një ekspozitë të afërt të piktorëve të huaj të gjysmës së parë të shekullit XX në Shqipëri, të rivijë dhe të na shpalosë nga afër hiret e një pikture të mrekullueshme moderne dhe tepër origjinale.

Filed Under: Analiza

Simfonia “Albanoi”

May 7, 2025 by s p

www.vasiltole.com

1. Si lindi ideja për simfoninë ALBANOI dhe çfarë simbolizon titulli?

Më 9 Maj, në Ditën e Europës, është planifikuar premiera e veprës sime më të re, Simfonia Albanoi. Kjo është një vepër sfiduese për mua, sepse, siç dihet, simfonitë janë krijime që kërkojnë një angazhim të jashtëzakonshëm. Në këtë rast, simfonia është gjithashtu simbolike, sepse emri Albanoi është përmendja më e hershme në burimet antike për vendbanimin ku jetonin shqiptarët, dhe ky emër evoluoi më vonë në Albanians, Arbër, dhe më në fund te Shqiptarët e sotëm. Ajo përfaqëson një përgjithësim të tipareve muzikore të shqiptarit ndër vite, duke reflektuar vlerat më të mira të krijuara gjatë trashëgimisë së tij historike, kulturore dhe artistike.

⸻

2. Cilat janë temat kryesore të përfaqësuara në katër kohët e simfonisë?

Për të arritur te kompozimi i ALBANOI-t (2 vite punë, 45 minuta muzikë), kam kaluar një rrugëtim të gjatë krijues dhe formues, i cili besoj se më ka dhënë përvojën e nevojshme për t’u përballur me një vepër të madhe si simfonia. Duke synuar të krijoj një vepër autentike dhe bashkëkohore, mbështetem në evolucionin natyror të teknikave muzikore të ndërlidhura. Titujt e katër kohëve (EPOS, ISO, PARAKORI-VALLE dhe GËZIM-FINALE) nuk tregojnë një program të mirëfilltë, por shërbejnë si orientues. Në cilësinë e tyre simbolike, ata mbartin kuptime mbarëshqiptare që flasin qartë për të gjithë, si gurë kilometrikë që tregojnë përparimin e bërë në një udhëtim.

⸻

3. Si i ndërthurni polifoninë shqiptare dhe elementet tradicionale në një gjuhë simfonike bashkëkohore?

Është një proces thellësisht i lidhur me rrënjët e muzikës sonë kombëtare, parimet e së cilës — si teorike ashtu edhe praktike — i ka hedhur kompozitori ynë i shquar Çesk Zadeja. Ne kemi një pasuri të madhe në muzikën popullore, dhe është krejt natyrshëm që kompozitorët tanë të ndihen të tërhequr prej saj. As unë nuk bëj përjashtim. Në këtë simfoni, të cilën e quaj simfonia e tipareve muzikore të shqiptarit, kam ndërthurur gjithçka të vlefshme që mbart folklori ynë muzikor. Në kohën e dytë, të titulluar ISO, kam synuar të realizoj teksturën e iso-polifonisë, ku iso-ja interpretohet nga orkestra me tela, ndërsa zërat solo të marrësit, kthyesit dhe hedhësit interpretohen përkatësisht nga fagoti solo, korno në Fa solo dhe tromba në Si bemol solo. Sigurisht, gjuha muzikore është ndërtuar në një idiomë bashkëkohore, por ajo që ka rëndësi është se folklori ynë është i aftë të mbështesë dhe të frymëzojë edhe një trajtim modern brenda muzikës klasike.

⸻

4. Cilat ishin sfidat kryesore në kompozimin e kësaj vepre?

Një shpikje e mrekullueshme artistike e klasikëve, cikli simfonik me katër kohë, është përshkruar emocionalisht si një kalim nga errësira në dritë. Të gjithë komponentët muzikorë varen nga ky koncept filozofik, përfshirë dramaturgjinë muzikore dhe sidomos ndërtimin formal, ku koha e parë dhe e dytë janë me tempo të ngadalta dhe tonalitete minore, për t’u pasuar nga koha e tretë dhe e katërt me tempa më të shpejta dhe tonalitete të ndritura, madhore.

⸻

5. Çfarë rëndësie ka që premiera botërore të ndodhë në Ditën e Europës, më 9 Maj?

Mund të quhet një rastësi e qëllimshme. Dita e Europës na kujton se ne jemi pjesë e pandarë e identitetit të saj kulturor, gjeografik, gjuhësor dhe më gjerë — siç reflektohet edhe në hartën e shekullit XV të njohur si Europa Regina. Ndërsa integrimi politik dhe ekonomik kërkon kohë, në art, kulturë dhe trashëgimi ne jemi tashmë pjesë e pandashme e saj. Është një e vërtetë e bukur që simfonia — një krijesë thelbësisht europiane — vijon të jetojë në muzikën bashkëkohore shqiptare. Simfonia ALBANOI është një dëshmi e gjallë e kësaj.

⸻

6. Si ishte bashkëpunimi juaj me dirigjentin Eno Koço dhe Orkestrën Simfonike të RTSH-së?

Simfonia ka katër kohë dhe i kam kushtuar secilën prej tyre katër individëve që më kanë ndikuar në forma dhe vende të ndryshme gjatë viteve. Me këtë dedikim, shpreh mirënjohjen më të thellë për ta:

• Koha I – EPOS, dedikuar Ismail Kadaresë

• Koha II – ISO, dedikuar Wolfgang Hufschmidt

• Koha III – KTHESA, dedikuar Eno Koços

• Koha IV – HENG, dedikuar Çesk Zadesë

Dirigjenti i shquar Eno Koço zë një vend të veçantë në rrugëtimin tim muzikor, pasi ishte i pari që solli në skenë një nga veprat e mia simfonike që në vitin 1990, në fillesat e karrierës sime. Që atëherë, bashkëpunimi ynë ka vazhduar pandërprerë, me besim artistik dhe respekt të ndërsjellë. Lidhja jonë shkon përtej muzikës. Eno është biri i sopranos së njohur shqiptare Tefta Tashko Koço, me origjinë nga Frashëri i Përmetit — vend që edhe unë e quaj me krenari vendlindje. Ky trashëgim i përbashkët e ka thelluar lidhjen tonë, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë artistik. Përveçse dirigjent me integritet të lartë, Eno është edhe studiues i përkushtuar i traditave muzikore klasike dhe popullore shqiptare. Angazhimi i tij për hulumtimin dhe ruajtjen e këtyre trashëgimive rezonon fuqishëm me rrugën time krijuese. Jam thellësisht mirënjohës për profesionalizmin dhe miqësinë e tij të çmuar.

⸻

7. Çfarë reagimi emocional apo intelektual shpresoni nga publiku?

Shqipëria ka një traditë të gjatë dhe të gjallë të vlerësimit të muzikës, sidomos në fushën e interpretimit simfonik, koncertal dhe skenik. Kjo traditë është formuar që me krijimin e Orkestrës Simfonike të Radio Tiranës në fund të viteve 1930, dhe më pas me themelimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në vitin 1956. Gjithashtu, programet muzikore të Radio Tiranës dhe rrjeti i shkollave të muzikës në vend kanë luajtur një rol jetik në edukimin dhe përfshirjen e publikut në artin muzikor. Me besim të plotë presim një pritje të ngrohtë për këtë koncert, pasi publiku shqiptar ka qenë gjithmonë përkrahës i palëkundur i artit dhe kulturës, veçanërisht i krijimtarisë muzikore.

⸻

8. Si lidhet apo ndryshon ALBANOI nga veprat tuaja të mëparshme?

Simfonia ALBANOI përfaqëson konsolidimin e tipareve kryesore të krijimtarisë sime muzikore, tashmë në një nivel më të lartë — atë të simfonisë. Kjo vepër vjen pas një rruge të gjatë krijuese që përfshin muzikë dhome, vokale, koncerte për instrumente dhe orkestër, pjesë të ndryshme për orkestër me tela dhe orkestër simfonike, si dhe dy opera. Në thelb, ALBANOI shtron një urë midis së kaluarës së krijimtarisë sime dhe e çon atë në një fazë të re dhe të ngritur.

⸻

9. Çfarë roli shikoni për muzikën shqiptare në skenën më të gjerë europiane?

Muzika shqiptare ka shfaqur praninë e saj në skenën europiane në forma të ndryshme dhe në nivele të ndryshme. Ajo që bie më shumë në sy janë interpretuesit, sidomos në zhanrin e operës, ku spikasin emra si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Enkelejda Shkoza, Inva Mula, Eva Golemi, Josif Gjipali, Artur Vera, Klodian Kacani dhe të tjerë. Për më tepër, Shqipëria ka një plejadë të shkëlqyer instrumentistësh që jetojnë dhe punojnë në Europë, duke shkëlqyer në zanatin e tyre. Disa nga emrat më të njohur janë Tedi Papavrami, Jonian Kadesha, Florian Vlashi, Kostandin Tashko, Krist Gjezi, Laura Llozi, Jonela Golemi, Dhurata Lazo e të tjerë. Gjithashtu, kompozitorët shqiptarë janë të pranishëm në skenat europiane. Emra si Thomas Simaku dhe Endri Sina spikasin jo vetëm për interpretimin e veprave të tyre, por edhe për çmimet prestigjioze europiane që kanë fituar për krijimtarinë dhe kontributin e tyre në muzikën bashkëkohore.

⸻

10. Çfarë projekte apo drejtime të ardhshme muzikore po eksploroni aktualisht?

Jam vazhdimisht i angazhuar në krijimtari artistike dhe punë studimore. Sapo të kem diçka më konkrete për të ndarë, do të jemi sërish në kontakt.

Faleminderit për intervistën.

www.vasiltole.com

⸻

Një reflektim mbi simfoninë ALBANOI nga kompozitori Vasil S. Tole

Prof. Dr. Fatmir Hysi, Muzikolog

Pas një periudhe të gjatë stagnimi dhe dominimi të muzikës komerciale, arti simfonik — dhe simfonia në veçanti — po rikthehet me një gjallëri të re. Vepra më e fundit e Vasil S. Toles, simfonia ALBANOI, është një shembull mbresëlënës i këtij rilindjeje, duke e vendosur zhanrin në një dritë të re dhe bashkëkohore.

Simfonia të surprizon që në momentin e parë me tingujt e saj kompleksë dhe të papritur, si dhe me qartësinë e konceptit. Ajo digjet nga një zjarr i brendshëm, duke u frymëzuar nga dhe duke iu kushtuar kompozitorëve dhe figurave të rëndësishme kulturore. Megjithatë, ajo shkon përtej thjesht homazhit. Në vend që të ndjekë format tradicionale epike apo rrëfimtare, ALBANOI sfidon audiencën të kalojë nga dëgjimi pasiv në përfshirje emocionale aktive — duke ftuar çdo dëgjues ta përjetojë muzikën si një udhëtim personal e bashkëkohor.

Forma e disiplinuar e simfonisë, gjuha e freskët harmonike — e ndërtuar në ndërthurjen midis teknikës profesionale të kompozimit dhe idiomave folklorike — dhe orkestracioni i kthjellët dhe kuptimplotë, i japin veprës një energji të gjallë dhe në zhvillim. Ngjyrat dhe teksturat e ndryshme timbrike shtojnë praninë dinamike dhe fuqinë shprehëse të saj.

Me ALBANOI-n, Vasil S. Tole hap një rrugë të re për muzikën simfonike shqiptare — një rrugë që përqafon traditën dhe risinë, dhe riafirmon simfoninë si një medium të gjallë të shprehjes artistike bashkëkohore.

— Prof. Dr. Fatmir Hysi

Filed Under: Kulture

Regjisori Bujar Alimani dhe aktorët Yllka Lota e Herion Mustafaraj vizituan Vatrën

May 7, 2025 by s p

Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra e vizituan artistët e shkëlqyer regjisori Bujar Alimani dhe aktorët Yllka Lota e Herion Mustafaraj e kostumografja e skenografja Albulena Beqiri. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, vatrani legjendar Marjan Cubi dhe këshilltari për art e kulturë Nazim Salihu. Dr. Camaj u shpjegoi artistëve historinë e Federatës Vatra e gazetës Dielli dhe rolin historik që këto dy institucione atdhetarie kanë luajtur në dobi të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vatrani legjendar Marjan Cubi tregoi në detaje përpjekjet e patriotëve vatranë për ta trashëguar e forcuar Vatrën e Diellin si asete patriotike e historike kombëtare. Këshilltari për art e kulturë Nazim Salihu në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbështetjes së artit e kulturës shqiptare në Amerikë e sidomos artistëve tanë të shkëlqyer që lartësojnë kombin në mërgatën e Amerikës. Artistët shprehën emocion dhe nderim për Vatrën e historinë e saj teksa regjisori Bujar Alimani ftoi vatranët e publikun për të ndjekur dramën “Netë të Bardha” e adaptuar për skenë nga romani i Fjodor Dostojevskit. Bëhet fjalë për kërkimin e lumturisë së njeriut në një krizë të thellë ekzistenciale në një botë në të cilën ndihet krejt i vetëm. Dashuria si e vetmja dritë në tunel dhe zhgënjimet e herë pas hershme mes botës së shurdhët dhe indiferente janë linjat kryesore të dramës ku karakteret kryesore si dy planete enden në qiej ku sa tërheqin po aq shtyjnë në gravitete njëri -tjetrin. Për herë të parë në gjuhën shqipe e sjellin në Nju Jork një grup artistësh shqiptarë që me këmbëngulje dhe sakrifica arrijnë ta bëjnë të prekshme dhe ta përçojnë te komuniteti ynë. Këtu interpretojnë Herion Mustafaraj dhe Yllka Lota, regjia Bujar Alimani, skenografia e kostumet Albulena Beqiri, asistente kostumografe Dea Spiro Mustafaraj, dizenjmi i dritave dhe zerit Tan Kazazi, menaxher produksioni Damian Pervizi, producent Alfred Tollja. Vihet në skenë në Producers Club Theaters në datat 10 Maj ora 8 pm

11 Maj ora 7 pm , 16 Maj ora 8 pm, 17 Maj ora 8 pm dhe 18 Maj ora 7 pm 2025.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT