• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Në kujtim të Kolonel Thomson – Kalorës i huaj që vdiq për ne

June 25, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në historinë e një kombi, shpesh hasim figura të çmuara që, ndonëse vijnë nga vende të tjera, zgjedhin të bëhen pjesë e fateve tona në çaste vendimtare. Një nga këta është pa dyshim Kolonel Lodewijk Willem Johan Karel Thomson, ushtarak i lartë holandez që dha jetën e tij në Durrës, më 15 qershor 1914, në mbrojtje të shtetit të brishtë shqiptar të sapolindur. Ai ishte i pari ushtarak i huaj që ra në shërbim të paqes ndërkombëtare dhe që kujtohet me nderim nga shqiptarët si një hero i vërtetë.

Figura e Kolonel Thomson-it nuk është vetëm simbol i sakrificës dhe përkushtimit, por edhe një dëshmi e solidaritetit ndërkombëtar në mbrojtje të një populli që përpiqej të ndërtonte shtetin e vet në një periudhë të trazuar historike. Në një kohë kur Shqipëria kishte shpallur pavarësinë, por përballej me kërcënime të brendshme dhe të jashtme, Thomson dhe kontingjenti i tij holandez i dërguar nga fuqitë e mëdha në kuadër të misionit paqeruajtës të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (1913–1914), kishin për detyrë të ndihmonin në stabilizimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja.

Vrasja e Thomson-it, ndërsa përpiqej të ndalonte një përplasje të armatosur në Durrës, u bë një moment i dhimbshëm, por edhe i rëndësishëm për ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Ajo u përjetua si një akt i pastër heroizmi. Fan Noli, një nga figurat më të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, i kushtoi një nga poezitë e tij më të ndjera, “Thomsoni dhe Kulshedra”, ku e paraqet kolonelin si kalorësin fisnik që ra në betejë me forcat e errësirës që kërcënonin Shqipërinë.

Me këtë frymë e përkushtim u përmbyll para dy vjetësh edhe nisma e ndërmarrë së bashku me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, z. Reinout Vos, dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, znj. Emiriana Sako, për të rikthyer në Durrës bustin e Kolonel Thomson-it, një monument që më shumë se kujtim, është një premtim për të mos harruar. Falë bashkëpunimit institucional dhe dëshirës së qytetarëve të Durrësit, një dy vjet më parë u arrit të realizohej kjo ëndërr e hershme, duke i dhënë qytetit të lashtë të Durrësit një nga simbolet më domethënëse të tij.

Në ceremoninë përkujtimore të arij viti, krahas homazheve pranë bustit të tij, patëm mundësinë të zhvillonim një panel diskutimi në ambjentet e restauruara të Torres Veneciane, një tjetër simbol i mbijetesës së qytetit përballë kohëve. Ishte një nder i veçantë për mua të flisja para një audience të respektuar mbi rolin e misionit paqeruajtës holandez dhe të vetë Kolonel Thomson-it, si dëshmi e lidhjeve të hershme midis Shqipërisë dhe Holandës – lidhje që bazohen mbi vlera të përbashkëta si paqja, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e sovranitetit.

Sot, kur kujtojmë Kolonel Thomson-in, nuk bëjmë vetëm një kthim pas në histori, por ringjallim një ndërgjegje qytetare dhe kombëtare për të nderuar ata që kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit tonë. Prania e një busti nuk është thjesht një objekt bronzi, por një kujtesë se Shqipëria është ndërtuar edhe me ndihmën e atyre që besuan në të, edhe pse nuk ishin shqiptarë. Ky është një mesazh që i përket brezave dhe që duhet trashëguar me kujdes dhe dinjitet.

Le të mbetet përherë në kujtesën tonë fjalia e Fan Nolit: “Kolonel Thomsoni, kalorës i huaj që vdiqe për ne”

Filed Under: Histori

NGA KONKURSI POETIK NE MUZEUN HISTORIK TE WORCESTER, MA.

June 25, 2025 by s p

Në vitin 2023, në qytetin e Worcester-it në Massachusetts, u hap konkursi “Poems In and Out of Places” sponsorizuar nga projekti Mapping Worcester in Poetry i krijuar nga Profesorja Susan Elizabeth Sweeney që punon në College of the Holy Cross. Ky projekt është pjesë e ekspozitës The Poem Next Door, për të cilën Sweeney fitoi një bursë dhe që aktualisht është e hapur për publikun në Muzeun Historik të Worcester-it. Ekspozita paraqet poezi nga gjashtë poetë të njohur amerikanë që kanë jetuar dhe shkruar për Worcester-in, ndër ta Elizabeth Bishop, Frank O’Hara, dhe Stanley Kunitz.

Mbi 100 krijues morën pjese në këtë konkurs dhe 27 u vlerësuan e u përzgjodhën fitues e nën-fitues nga Poeti Laureat i Worcester-it, Oliver de la Paz. Komuniteti shqiptar u përfaqësua nga dy poete: Julia Gjika dhe Irena Kaci, poezitë e së cilave u vlerësuan fituese. Irena, si gjithë krijueset/it e kishte hartuar poezinë e saj në anglisht, kurse Julia në shqip. Përkthimin në anglisht të kësaj poezie e realizoi vajza e saj, poetja e përkthyesja Ani Gjika.

Në datën 16 qershor 2025 në një nga sallat e Muzeut Historik të Worcester, MA u realizua ceremonia e recitimit të poezive fituese. Poezinë e Julia Gjikës e recitoi autorja në shqip dhe Ani Gjika në anglisht.

Muzeu ka në plan që këto 27 poezi t’i botojë në një libër më vete kopje të së cilit do të bëhen pjesë e përhershme e Muzeut të Worcester-it. Po ashtu është planifikuar që secila poezi të gdhendet në pllakë metalike dhe secilën pllakë ta vendosin në ambjentin që përshkruhet në secilën poezi.

Presim me padurim ditën kur karshi kishës shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” në Worcester, MA, pranë hyrjes veriore të godinës Illyrian Gardens, do të vendoset pllaka me poezinë e Julia Gjikës shqip dhe anglisht.

GRATE E MOSHUARA TE ILIRIAN GARDENS

Larg nga bota që bie erë luftë, netëve të qeta vonë,

ulur në një stol jashte kishës Shqiptare në Worcester, MA

kuvendojnë gratë e moshuara të Iliran Gardens. Unë jam një prej tyre.

Kur diktatura komuniste dështoi, Amerika na u bë shtëpi.

– Ika nga fshati pasi isha bërë gjyshe, – thotë flokëgrija V.

– Sollëm ato pa të cilat s’ rrojmë dot, – shton G., kujtimet

i lulëzojnë përditë përpara syve si kacurrelat e saj në kokë.

– Lavdi Zotit, për këtë kishë shqiptare, thotë P., pëllëmbët bashkë e sytë përpjetë,

– Na mblodhi Fr. Spiro, Fr. Mark dhe këmbana e Kishës, nën këtë qiell lirie.

Rrethuar me parqe, me muzetë e qytetit,

katër liritë e Rooseveltit arrijnë tek ne nga cdo cep i Massachusettsit.

I thithim ato thellë. Duke ditur se e ardhmja jonë është e sigurtë këtu, nxjerrim frymë.

Rikthimi i pranverës na fton të dalim nga apartamentet.

Në stinën e ringjalljes,

ne ecim nëpër oborrin e Kishes dhe ndalojmë të lutemi përpara saj.

Vetëm një herë shkova në atdhe, – thotë L., që ka hequr rrobat e zeza.

Dhe shton: erdha të pleqërohem këtu pranë djalit të vogël,

se pensioni i Shqipërisë ishte sa 1/6 e asistencës së këtushme.

– Sa bukur dukej mbeska jote, – i thotë z-nja P. z-njës L.

me gjoksin e shalëkat jashtë, njësoj si vajzat amerikane.

– Kështu vishen tani dhe në Shqipëri, ja pret L.

Gratë e moshuara s’ kërkojnë shumë: shëndet për veten dhe për fëmijët.

Një herë në dy vjet oborri i Kishës gjallërohet me këngë e valle

të Festivalit Shqiptar. Këtë vit, gjithashtu, Shqiptarët përtërihen

duke ndarë ushqimin e traditat me shumë Amerikanë.

Shqipëria s’ është një vend i largët, por i gjallë, këtu mes nesh.

E shkruaj këtë cdo ditë në fletore. E sjell në shtëpi, në shtëpinë time të re

në Salisbury Street, një pjesë e së cilës shkon pranë Kishes Shqiptare

dhe do mbajë emrin e Heroit Kombëtar GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU!

– Zoti e bekoftë Amerikën!, lutem unë. Kështu luten të gjithë shqiptarët e Worcester MA.

* * *

THE ELDERLY WOMEN OF ILLYRIAN GARDENS

Far from the world that smells of war, in the late quiet evenings

sitting on a bench outside the Albanian church in Worcester, MA

speak the elderly women of Illyrian Gardens. I am one of them.

When the Communist dictatoriship failed, we made America our home.

I left my hometown after becoming a grandmother, says silverheaded V.

We brought what we can’t live without, adds G., memories

blooming before her eyes daily like the white curls on her head.

Thank God for this church, says P., palms together and eyes up,

Father Spiro, Father Mark and the church bell gathered us under this free sky.

Surrounded by parks, the city’s museums,

Roosevelt’s four freedoms reach us from all the corners of Massachusetts.

We breathe them in. Knowing our futures are safe here, we breathe out.

The return of spring invites us to leave our apartments.

In the season of the resurrection,

we walk around the church parking lot and stop to pray in front of it.

I went back home only once, says L. who no longer wears black,

I came to spend my old age here near my youngest son

because the Albanian pension is 1/6th of the assistance they provide here.

How beautiful your niece is, P. tells L. Her low cut blouse,

her thighs out like the American girls.

That’s how they dress in Albania now, too, L. responds.

Elderly women don’t ask for much—just health for themselves and their children.

Every other year the church’s parking lot thrives with the songs and dances

of the Albanian Festival. This year, too, Albanians are renewed

sharing their food and traditions with many Americans.

Albania is not a distant country, but a living one, right here among us.

I write this down every day in my notebook. I bring it home into my new home

on Salisbury Street, a part of which crosses my Albanian Church

and will soon bear the name of our National Hero, George Kastriot Skenderbeu.

God bless America! I pray. That’s what all Albanians of Worcester pray.

Filed Under: Kulture

Plakja dhe shpopullimi i Shqipërisë rreziku më i madh për të ardhmen kombëtare

June 25, 2025 by s p

Shpëtim Axhami/

Plakja dhe shpopullimi i Shqipërisë rreziku më i madh për të ardhmen kombëtare që kërkon veprim urgjent. Shqipëria po përballet me një krizë të heshtur, por të thellë: plakjen e shpejtë të popullsisë dhe boshatisjen sistematike të vendit.

Në çdo cep të vendit tonë, dëgjojmë të njëjtën histori: fshatra të boshatisur, shkolla të mbyllura, spitale pa mjekë dhe rrugë ku mungon zëri i fëmijëve. Shqipëria po zbrazet, bujqësia dhe blektoria Pothuajse degraduar, biznesi nuk po gjenë më krah pune.

Nëse dikur flisnim për emigracion si zgjidhje individuale, sot po përballemi me një shpopullim masiv, që dëmton themelet dhe egzistencën tonë si shtet dhe si komb. Kjo nuk është thjesht një krizë demografike, është një krizë kombëtare.

Shqipëria nuk mund të mbetet vendi i të moshuarve dhe i kujtimeve të largimit. Është koha të veprojmë, përpara se të jetë vonë, Ne kemi nevojë për një ndërgjegjësim dhe reflektim të gjithanshëm dhe të kujtdo në lidhje me parandalimin e kësaj fatkeqësie kombëtare🇦🇱

Filed Under: Ekonomi

KËNGË DHE ERË!

June 25, 2025 by s p

Kristo Çipa/

Sapo u mbyll edicioni i gjashtë i festivalit folklorik “Netët e Bejkës Bardhë” dhe përveç lodhjes fizike, në mëndje ende më trokasin motive këngësh vëndçe, ritme vallesh, duartrokitje të vazhdueshme, përshëndetje personalitetesh dhe erë, erë e vazhdueshme në flamuj, dekor, bredha dhe në rrapin e sheshit. Morrën pjesë rreth 18 grupe konkuruese dhe përshëndetëse me rreth 200 artistë amatorë dhe profesionistë. Për këta të fundit, Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve një falënderim të veçantë për përkushtimin, gadishmërinë por mbi të gjitha për përjetësimin e këngëve dhe valleve të Pilurit!

Në këta 200 artistë rreth gjysma ishin artistë të rinj dhe të tjerët të ritur e moshuar nëpër skena si Golik Jaupi, Milto Gjiçali, grupi i Dukatit, Leni Mërkuri ,10 Shqiponjat e Tërbaçit, Guriu i Mallakstrës etj.

Por zemra të bëhet mal kur shikon që krahas Milto Gjiçalit i bie dyares Niko nipi që përveç ankthit të motiveve baritore, kapërxen edhe ledhin e thatë të opinionit të moshës. U interpretuan rreth 70 numra me këngë e valle të cilat sivjet ishin me shumë cilësi, pati edhe disa tendenca të izoluara për të rikthyer në skena në emër të moshës së krijimit edhe këngl me karakter religjioz që u zbehën si hiri kur digjet letra.

Konkurenca ishte e lartë dhe juria nga më profesionalet në fushën e folklorit me shumë mënçuri e barazi dha këto vlerësime: Çmimi i parë “ Lefter Çipa” i jepet grupit” Saranda”. Çmimi i dytë “ Maliq Lila” i jepet gripit të Dukatit. Çmimi i dytë” Maliq Lila” i jepet grupit” Djemtë e Bogonicës( urime dhe vazhdimësi!). Çmimi i tretë “ Feti Brahimi” ju dha grupit të fë rinjve të Delvinës. Çmimi i tretë “Feti Brahimi” ju dha grupit” Djemtë e lumit bardhë”. Çmimi special “Haxhi Dalipi” ju dha grupit legjendë të Bënçës. Çmimi vlerësues ju dha grupit “Nektari i polifonisë”. U dhanë edhe çmimet individuale. Marrësit më të mirë me titujt: “Dhimitër Varfi” Vendim Zyko, “Ermioni Mërkuri” Behije Dida. Kthyesit më të mirë me titullin: “Qirjako Bala” dy artistë Viron Laçaj, Shpresa Kapo Çela. Hedhësit më të mirë me titullin: “Leni Mërkuri” dy artistë: Fatmir Tahiraj dhe Kapo Ferrunaj.

Çmimi i parë pati edhe një vlerësim prej 1000 eurosh, vënë në dispozicion nga presidenti i “Rexhina grup” zoti Vasil Bedinaj ndaj të cilit gjej rastin të bëj një falënderim publik më emrin tim personal, Asamblit folklorik “Bejkë e Bardhë”, të banorëve të fshatit Pilur.

Falënderim edhe për Bashkinë Himarë dhe kryetarin e saj zotin Vangjel Tavo! Falënderim për ata që na nderuan me pjesmarrjen dhe kontributin e tyre!

Falënderim edhe për banorët e fshatit tim Pilur!

Dy netë të bukura magjike në sheshin e këngës. Këngë e valle të bukura, këngë erë, erë, vallëzim pa fund!

Filed Under: Opinion

“Me besim në Zot, Atdhe dhe Shtet”

June 24, 2025 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Ditën e djeshme pata privilegjin që të pritem në një ambient të ngrohtë vëllazëror nga kryetari i AAK-së Gjeneral Ramush Haradinaj në selinë e partisë.

Takimi i djeshem u përqëndrua në situatën e sigurisë te rajonin e Ballkanit Perendimor dhe ne veçanti midis dy vendeve tona. Nje nga shqetesimet kryesore te zotit Haradinaj ishte rritja e sigurise , avancimi i reformave per anetaresim sa me te shpejte ne NATO, vleresimi me seriozitet i rreziqeve dhe kercenimeve te Kosoves ne veri nga aktoret kryesore dhe vendet armiqesore te cilet perpiqen te gjejne boshlleqe me qellim destabilizimin e vendit.

Gjate bashkebisedimit u shpreh roli i pazevendesueshem dhe shume i vleresuar i SHBA-ve ne Kosove por edhe intensifikimi me tej i ketij bashkepunimi.

Zoti Haradinaj ne te gjitha rastet qe ka zhvilluar vizita ne SHBA ka bashkepunuar ngushte me te gjithe organizatat, shoqatat dhe personalitetet shqiptaro-amerikane dhe per kete i shpreha mirenjohje te thelle, me qellim thellimin edhe me tej te ketij bashkepunimi.

Me kete rast, Gjeneral Haradinaj më vlerësoi me Medaljen: ’Me besim ne Zot, Atdhe dhe Shtet’ me motivacionin:

‘Për të shprehur mirënjohjen Time të thellë për kontributin e veçantë dhe meritat e jashtezakonshme në avancimin e çështjes kombëtare ’.

Me kete rast i shpreh mirenjohjen me te thelle dhe shpreh vleresimin me te larte per kontributin e jashtezakonshem qe familja Haradinaj ka dhene per pavarësinë e Kosovës dhe në politikën e saj pas luftës.

Në takim pata kënaqësinë edhe të bashkëbisedimit me mikun e vjeter luftëtarin trim të Pavarësisë deputetin Beke Berisha.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT