• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi përfundimin e vitit shkollor

June 9, 2025 by s p

Drita Gjongecaj/

Më 8 qershor Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi përfundimin e vitit shkollor me një piknik të mrekullueshëm në natyrë! Nën qiellin e kthjellët të Parkut Ridge Road të Westchester County, me muzikë shqiptare, valle, lojëra krijuese, sporte, ushqime tradicionale dhe buzëqeshje të pafundme, stafi i kësaj shkolle tregoi edhe një herë sa bukur është të ruash identitetin duke bashkëjetuar me kulturat e tjera në një qytet shumëngjyrësh si Nju Jorku.

Nxënës dhe prindër, miq dhe kolegë nga Shoqata dhe Shkolla Shqipe “Skenderbej” i dhanë një ngjyrë të vecantë aktivitetit tashmë tradicional të cdo fundviti shkollor nën drejtimin e Organizatës Dy-Gjuhësore AADLC. Një ditë e mbushur me kuptim, ku pjesëmarrësit e kthyen parkun në një skenë të gjallë të kulturës shqiptare dhe bashkëjetesës në metropolin shumëkulturor, Nju Jork.

Gjatë gjithë ditës u zhvilluan aktivitete që i afruan pjesëmarrësit me njëri-tjetrin: lojëra krijuese dhe sportive për fëmijët, ndeshje emocionuese nxënës – mësues në vollejboll, vizatime të figurave të preferuara në fytyrat e ëmbla të fëmijëve (face painting), muzikë e valle tradicionale shqiptare, si dhe një tryezë plot me ushqime tradicionale të përgatitura me dashuri.

Pikniku nuk ishte vetëm një festë përmbyllëse, por një dëshmi e fuqishme e asaj që na bashkon si komunitet në kontinentin e largët: dëshira për të ruajtur identitetin tonë kulturor, për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes brezash, dhe për të kontribuar në një shoqëri të hapur, të larmishme e të bashkuar.

Një falënderim nga zemra për të gjithë pjesëmarrësit, për komunitetin që na mbështet dhe sidomos për mësuesit tanë vullnetarë, që me pasion e përkushtim i japin jetë misionit tonë.

Një falenderim i veçantë edhe për miqtë dhe kolegët nga Shoqata partnere Skenderbej që e bënë edhe më domethënës këtë aktivitet.

Mezi presim të mblidhemi sërish me akoma më shumë nxënës në shtator për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën tonë në diasporë. Sfida dhe projekte të reja na presin 🇦🇱

Filed Under: Reportazh

Pushoi së rrahuri zemra kreshnike e patriotit të madh, Rexhep Gali Balidemaj 19 dhjetor 1922 – 8 qershor 2025

June 9, 2025 by s p

Sot, në orët e hershme të mëngjesit në New York, pushoi së rrahuri zemra e një burri të madh të kombit.

Sot, Martinajt humbën birin e tyre të shtrenjtë.

Sot, Plava e Gucia – toka e historisë, krenarisë dhe lavdisë – ndien dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të një prej kolosëve të atdhetarisë.

Sot, mbarë kombi shqiptar humbi një nga bijtë e vet më të çmuar, i cili të gjithë jetën ia kushtoi, pa kursim, kauzës së shenjtë kombëtare.

Çdo atdhetar është thellësisht i tronditur për largimin nga jeta të një frymëzuesi të madh, një legjende të gjallë dhe një enciklopedie të vërtetë, të njohur nga historia me emrin e ndritur të gdhendur në gurët e përjetësisë: Rexhep Gali Balidemaj.

E mbi të gjitha, familja e tij humbi njeriun më të dashur – që për ta ishte dhe do të mbetet një thesar krenarie dhe mburrjeje për jetën dhe veprën e tij.

Jeta e tij i ngjan një skenari të jashtëzakonshëm filmik – përplot krenari, sakrifica dhe përkushtim.

Që në moshë të re, u rreshtua në anën e nderit, në radhët e atyre që jetën e kishin sinonim të luftës për kauzën kombëtare dhe për atdheun.

Ishte luftëtar i lirisë, pilot i aviacionit luftarak , kundërshtar i rreptë i regjimit okupues Jugosllav dhe i çdo përpjekjeje për të përbuzur e poshtëruar kombin shqiptar.

Idealet e tij ishin të pandalshme dhe vazhduan të jenë frymëzim për brezat që vijnë.

Për këto ideale, Rexhepi pagoi çmimin më të shtrenjtë – duke u persekutuar mizorisht dhe duke vuajtur 16 vite të jetës në burgjet e regjimit serbosllav, përfshirë ferrin famkeq të Goli Otokut dhe kazamatet e tjera të diktaturës.

Pusho në paqe, në lavdinë që e meriton, patrioti i madh i kombit tonë, Rexhep Gali Balidemaj, idol e frymëzues i përkushtimit tim jetësor.

Veprat tua le të jenë fanar ndriçues për gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve.

Lavdi përjetë!

Esad Gjonbalaj

Plava e Gucia Sot

https://plavaeguciasot.com/pushoi-se-rrahuri-zemra…

Filed Under: Komunitet

PËRVJETORI I ÇLIRIMIT TË KOSOVËS, REZOLUTA 1244/1999 DHE FITIMI I SË DREJTËS DREJTË VETËVENDOSJES

June 8, 2025 by s p

(Analizë historike, juridike dhe politike, e shoqëruar me raste konkrete)

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

1. Hyrje: Rëndësia historike dhe politike e datës 12 Qershor

Më 12 qershor 1999, Kosova u çlirua nga regjimi i Serbisë pas një lufte të gjatë dhe të përgjakshme. Ky çlirim nuk ishte vetëm ushtarak, por edhe shpirtëror, politik dhe kombëtar për një popull që për dekada të tëra kishte qenë viktimë e shtypjes, diskriminimit dhe represionit. Kjo datë përkon me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë dhe tërheqjen e forcave ushtarake e policore serbe, në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës të nënshkruar më 9 qershor 1999.

Ky zhvillim u bazua në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila krijoi kuadrin ndërkombëtar për administrimin e përkohshëm të Kosovës dhe përgatitjen e një procesi politik për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar. Në këtë kontekst, përpjekja e popullit të Kosovës për vetëvendosje mori legjitimitet ndërkombëtar dhe u kurorëzua më 17 shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë.

2. Çlirimi i Kosovës: Nga shtypja sistematike te ndërhyrja ndërkombëtare

2.1 Shtypja e dekadave dhe shembulli i viteve ‘90

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989 nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, shqiptarët e Kosovës u përjashtuan nga të gjitha institucionet publike, sistemi arsimor, shëndetësor dhe ekonomik. U krijua një regjim aparteidist, ku qytetarët shqiptarë trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë. Kjo situatë gjeneroi lëvizjen paqësore të viteve ’90, të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova, e cila kërkonte pavarësi përmes mjeteve paqësore dhe referendumit të vitit 1991.

2.2 Lufta e armatosur dhe ndërhyrja e NATO-s

Me shpërthimin e konfliktit të armatosur në vitet 1998-1999 midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe, situata humanitare u përkeqësua ndjeshëm. Rastet më të rënda të spastrimit etnik përfshijnë:

-Masakra e Reçakut (15 janar 1999) – ku forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë; ky rast shënoi një pikë kthese, duke çuar në ndërhyrjen ndërkombëtare.

-Spastrimi etnik i pranverës 1999 – mbi 800,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të tjerë u vranë.

Në këtë kontekst, NATO nisi më 24 mars 1999 një fushatë bombardimesh që zgjati 78 ditë dhe që rezultoi në tërheqjen e forcave serbe dhe dislokimin e trupave të KFOR-it, që garantonin sigurinë në terren.

3. Rezoluta 1244/1999: Korniza ligjore për administrimin ndërkombëtar dhe procesin e vetëvendosjes

Rezoluta 1244, e miratuar më 10 qershor 1999, ishte produkt i negociatave diplomatike që pasuan ndërhyrjen e NATO-s. Ajo përmbante disa elemente themelore:

3.1 Përmbajtja dhe ndikimi praktik i rezolutës

-Vendos administrimin ndërkombëtar të Kosovës përmes UNMIK.

-Vendos praninë e forcave ushtarake ndërkombëtare për ruajtjen e paqes (KFOR).

-Parashikon një proces politik për të përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës.

-Përmend “respektimin e integritetit territorial të RFJ-së”, por nuk e ndalon vetëvendosjen.

3.2 Interpretimi i Rezolutës: Rasti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), në opinionin këshillimor për Kosovën, vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare as Rezolutën 1244. Kjo do të thotë që dokumenti ndërkombëtar më i rëndësishëm për Kosovën pas luftës nuk përbënte pengesë juridike për vetëvendosje.

4. E drejta për vetëvendosje: Parimi ndërkombëtar dhe rasti i Kosovës

4.1 Parimi i vetëvendosjes në të drejtën ndërkombëtare

E drejta për vetëvendosje buron nga Karta e Kombeve të Bashkuara (1945) dhe është e konfirmuar në:

-Deklaratën për Dekolonizimin (Rezoluta 1514 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 1960)

-Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (1976) – neni 1: “Të gjithë popujt kanë të drejtën për vetëvendosje…”

Kjo e drejtë zbatohet në rastet kur:

-Populli është nën kolonializëm ose okupim të huaj.

-Ka një mohim sistematik të të drejtave politike dhe kulturore.

-Nuk ka asnjë mundësi reale për vetëqeverisje brenda shtetit ekzistues.

4.2 Rasti i Kosovës në këtë kontekst

Rasti i Kosovës plotëson të gjitha kriteret e mësipërme:

-Kosova nuk ishte një krahinë e zakonshme, por një njësi konstituive autonome me të drejtë vetoje sipas Kushtetutës së vitit 1974.

-Shqiptarët përbënin mbi 90% të popullsisë dhe ishin sistematikisht të përjashtuar nga jetesa institucionale.

-Gjatë luftës, Serbia kreu krime që u kualifikuan si krime kundër njerëzimit, duke mohuar tërësisht të drejtën për bashkëjetesë.

5. Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008: Kurorëzimi i vetëvendosjes

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë, në të cilën u theksua:

-E drejta e popullit të Kosovës për të zgjedhur lirisht të ardhmen e tij.

-Rrjedhshmëria e këtij akti nga procesi i gjatë i mbikëqyrur ndërkombëtarisht, përfshirë Pakon e Ahtisaarit, që Serbia refuzoi.

-Zbatimi i standardeve më të avancuara për të drejtat e komuniteteve dhe ndërtimin e një shteti demokratik.

6. Shembuj krahasues në nivel ndërkombëtar

Për të kuptuar më mirë legjitimitetin e rastit të Kosovës, mund të krahasojmë me raste të tjera:

-Timori Lindor – Pavarësia nga Indonezia pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe referendumi të vitit 1999.

-Eritrea – Pavarësia nga Etiopia në vitin 1993 pas luftës dhe mohimit të të drejtave.

-Sudani Jugor – Pavarësia në 2011, pas marrëveshjeve paqësore dhe referendumit.

Të gjitha këto raste kanë një komponent të përbashkët: popuj që janë ndarë nga shtete që u kanë mohuar identitetin, liritë dhe të drejtat.

7. Përvjetori i çlirimit si kujtesë për rrugën drejt lirisë dhe të drejtës

Përvjetori i çlirimit të Kosovës më 12 qershor nuk është thjesht një përvjetor historik – është një simbol i fitores së të drejtës mbi padrejtësinë, i ndërhyrjes humanitare mbi indiferencën ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha, i fuqisë së vetëvendosjes së një populli të shtypur.

Në dritën e Rezolutës 1244 dhe zhvillimeve pasuese, rasti i Kosovës është një shembull i qartë dhe i drejtë i zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, dhe i legjitimitetit të ndarë nga një shtet që ka mohuar çdo formë të bashkëjetesës demokratike. Kosova nuk është produkt i një veprimi të njëanshëm, por rezultat i një procesi kompleks politik dhe juridik, i pranuar nga shumica e botës demokratike.

Filed Under: Analiza

Ylli Pango, kronikë e papërfunduar për familjen dhe dashurinë njerëzore

June 8, 2025 by s p

Çerçiz Loloçi/

Shënime për librin e Ylli Pangos “My little ones”, përkthyer në anglisht nga Carrie Hooper, botuar nga Amazon në nëntor 2024 dhe në shqip me titullin “Të vegjëlit e mi”, botimet Onufri 2025.

1.

Sapo është publikuar libri më i fundit i Ylli Pangos, botuar një vit më parë anglisht në Amazon nën titullin “My little ones” dhe në shqip në version më të zgjeruar disa muaj më vonë me titullin “Të vegjlit e mi”, me shënimin ‘Rrëfenja – për fëmijë dhe të rritur’. Në përcjelljen e librit në anglisht, botuesit me pak rreshta japin në mënyrë të sintetizuar se çfarë është ky libër:

“Narrativa rrëfen udhëtimin e autorit përmes momenteve të rëndësishme personale dhe emocionale, duke filluar me një orë anglishteje në Universitetin e Bostonit, ku studentëve nga prejardhje të ndryshme iu kërkua të shkruanin një ese mbi një përvojë të paharrueshme. Një shok klase nga Argjentina fitoi konkursin e eseve me një rrëfim prekës të dëshmisë së lindjes së fëmijës së tij, i cili rezonoi thellë me autorin dhe të tjerët për përshkrimin universal të emocioneve njerëzore.

I frymëzuar nga kjo, autori ndan historinë e tij të të bërit baba në moshën 68 vjeç pas vitesh luftë me infertilitetin. Udhëtimi përfshinte vizita të panumërta mjekësore dhe zhgënjime, duke përfshirë një takim me një mjek indiferent parizien, përpara se më në fund të merrte lajmin e gëzueshëm në Tiranë. Lindja e djalit të tij, Daniel, në Ditën e Shën Valentinit 2020, mes hijes së pandemisë Covid-19, solli dashuri dhe ripërtëritje të thellë në jetën e tij. Teksti reflekton mbi udhëtimin e butë dhe transformues të prindërimit, duke u përqendruar te Danja, një fëmijë i vogël plot pafajësi, kuriozitet dhe potencial. Danja rritet, kurioziteti dhe dëshira e tij e pakufishme për të mësuar shkëlqejnë. Ai përparon me shpejtësi, nga numërimi deri në 100 në arritjen e 1000, duke bërë vazhdimisht pyetje dhe duke eksploruar botën përreth tij. Prindërit meditojnë mbi të ardhmen e tij, duke parashikuar mundësi të pakufizuara – një studiues, një eksplorues ose thjesht një individ me shpirt të lirë. Siguria qëndron në ritmin e shpejtë të rritjes së tij dhe në lidhjen e qëndrueshme që ai ndan me nënën e tij, e cila e sheh atë si kryeveprën e saj përfundimtare. Autori reflekton mbi mrekullinë universale të prindërimit dhe fuqinë transformuese të dashurisë, duke i nxitur të tjerët të përqafojnë gëzimet e rritjes së një fëmije pavarësisht nga mosha ose rrethanat”.

2.

Kuptohet se është një histori familjare, ajo e vetë autorit, lidhja dashurore me një vajzë ukrainase nga Odesa që pas shumë peripecish dhe për gati dhjetë vjet kurorëzohet me lindjen e një fëmije. Kështu kanë qenë pak a shumë dhe librat e Mamin-Sybiryak, Andersen, Rouling, Caroll, Ekzyperi e të tjera me zanafillë familjare, por me kumte të mëdha universale; ato u lexuan masivisht në gjallje të autorëve dhe ende më shumë kur ata nuk jetonin më dhe ishin bërë tekste të detyrueshëm për miliona e miliona lexues. Në një etyd, Pango shkruan “Ai vë kokën e vogël, faqet, buzët mbi faqen e saj dhe ashtu fle pastaj. Bëmë baba të të ngjaj. Unë bëja pothuaj të njëjtën gjë me mamin e Danjës, këtu e 10 vjet më parë, kur u dashuruam dhe shkuam në një hotel në Budva. Ngjisja buzët pas të sajave dhe besoni nuk besoni, ashtu na zinte gjumi për orë të tëra. Sikur të ngjiteshim. Flinin dhe shihnim ëndrra bashkë për orë të tëra, buzëbashkë, duke marrë frymën e njeri-tjetrit. Edhe ëndrrat i shihnim bashkë”. Ndërsa në një kapitull më poshtë, ai shkruan “A e vini re që e gjithë kjo që ngritëm ne të tre – gruaja, unë dhe bebi, që tashmë po u afrohet të tre vjetëve – është një mrekulli? E ngritëm të tre. Po! Edhe bebi ishte pjesë e asaj që u ngrit. Ende pa lindur. Se ishte pjesë e ëndrrës së të dyve. Ekzistonte. Në mendje. Dhe ëndrra është e para. Jo fjala”.

Tri personazhe, burri, bashkëshortja dhe djali i tyre janë në fokusin e pesëdhjetë e gjashtë kapitujve e edyteve duke zbuluar hap pas hapi përjetimet e secilit, në mosha të ndryshme dhe në një periudhë të pazakontë kur pandemia e Covid-19 detyroi miliarda njerëz të mbylleshin brenda katër mureve.

Historitë familjare, qoftë edhe ato në rrethana të jashtëzakonshme, kanë gjithherë kurthin e rënies në vogëlsira, në zgjatje dhe stërzgjatje, por autori i ka shpëtuar mjeshtërisht duke dhënë së pari një manual se si mund të rritësh një fëmijë, si ta edukosh atë qysh në belbëzimet e para, pa i kufizuar lirinë, tekat, gabimet foshnjore që e rritin me minuta dhe me orë.

Libri të emocionon nga fillimi në fund, me gjetje dhe befasi të këndshme, me një lloj ankthi nga kapitulli në kapitull, duke krijuar kështu një përmendore për familjen, për dashurinë e pakushtëzuar si për të nënvizuar se gjërat e mëdha vijnë e konsolidohen nga disa gjëra të brendshme të jetës së përditshme njerëzore.

Në fund të librit autori shkruan: “Ç’do të bëhet me të? Ku ta dish? Mund të bëhet një njeri i zakonshëm si të gjithë ne? Një dijedashës e aq? Një eksplorator i Antarktidës që e kishte aq në qejf kur ishte ende tre-katër vjeç? Një qytetar i lirë a globtrotter, siç patëm ëndërruar dikur ne, të izoluarit nga absurdi. Apo studiues? E përsëri, ku ta dish? Një gjë është e sigurt. Danja po rritet e rritet me shpejtësi. Unë po vazhdoj të rritem bashkë me të dhe për sa kohë të jem gjallë, ky libër do të vazhdojë të shkruhet e të shkruhet”

Filed Under: ESSE

Kurti takon kryetarin e VATRA-s: Zë i fuqishëm për çështjen shqiptare

June 7, 2025 by s p

M.M./ RTKlive/

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti dje në takim kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës ‘VATRA’, Elmi Berisha.

Në një njoftim për media nga Zyra për Informim e Kryeministrisë bëhet e ditur se në këtë takim miqësor u vlerësua lart roli historik dhe kontributi i çmueshëm i Shoqatës VATRA për çështjen shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli, me theks të veçantë në mbështetjen për lirinë e popullit dhe pavarësinë e Kosovës.

“VATRA ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e mbajtur gjallë çështjen e Kosovës në momentet më të vështira dhe duke ndihmuar në ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe politikës amerikane për të drejtën tonë për liri dhe pavarësi. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm të shoqatës VATRA dhe rëndësinë që ajo vazhdon të ketë në fuqizimin e lidhjeve me diasporën dhe të shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se ata diskutuan për mënyrat dhe mundësitë që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të vendit dhe shoqatës e diasporës sonë në Amerikë të rritet e thellohet më tej në shërbim të interesave të Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT