• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Kriza në Parlamentin e Kosovës…

June 4, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Kosovës i nevoitet një zgjedhje e menjëherëshme pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Procesi i integrimit përfundimtar të Ballkanit në strukturat euro-atlantike do të ndikoj drejpërsëdrejti në krijimin e kushteve të reja dhe frymës së bashkëpunimit rajonal që do të jetë një garanci për paqe dhe stabilitet në këtë rajon. Kjo ka gjasa të jetë e largët, në radhë të parë nga vetë qëndrimet e këtyre vendeve, por edhe nga situata e turbullt në vetë Bashkimin Europian.

Kjo do të mund arrihet vetem kur Bashkimit Europian e sidomos SHBA-së përcaktojnë një strategji të qartë globale për Ballkanin. Ajo që na intereson ne si komb, janë Shqipëria dhe Kosova.

Zoran Lutovac, studjues në Institutin për Shkencat Shoqërore në Universitetin e Beogradit në gazetën “Nezavisna  Svetlost” e  Kragujevacit në  10 Maj 1997  jep 12 propozimet për  zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të cilat u paraqiten për debat publik. Aty  përfshin  të  gjitha propozimet zyrtare dhe jozyrtare dhe  kanë  nivele të ndryshme të  mbështetjes publike. Unë shkurtimisht do ti citoj ato, pa hyrë në komente.

1.Autonomia

Krijimi (vendosja) i statusit të autonomisë për Kosoven, i ngjashëm  me atë në vitin 1974, i përmendur  si zgjidhje e dëshirueshme nga “Komuniteti Ndërkombëtar”, me mbështetës të fuqishëm. Nën influencën e “Komunitetit Ndërkombëtar”,  Shqipëria ka pranuar zyrtarisht autonominë si një zgjidhje kompromisi, ose si “një zgjidhje e pranueshme minimale”, apo një “pikë nisje” për bisedimet Serbo-Shqiptare rreth Kosovës. Propozimi i lart përmendur kishte dy versione. Versioni i parë, “autonomi minus e vitit 1974” që do të pakësonte autonominë e vitit  1974 duke hequr elementët e krijimit të shtetit. Regjimi serb, si dhe shumica e opozitës, e shikonin  në favor këtë  propozim. Versioni tjetër i këtij propozimi ishte “autonomi plus e vitint 1974” e cila shkon një  hap më tej në lidhje me autonominë ku Kosova ishte pjesë e ish Jugosllavisë.

2.Ballkania.

Shtojca ose federalizimi i ri i Republikës Federale të Jugosllavisë (FRY), e cila ishte inkurajuar nga disa intelektualë “të pavarur” me orientim qytetërimi, do t’i jepte Kosovës statusin e një  njësie të re federale, atë të një Republike. Kjo në mënyre të saktë përputhej me kerkesën e shqiptarëve të Kosovës gjatë demonstratave të vitit 1981; megjithatë, pas shpërberjes së ish-Jugosllavise shumica e tyre e panë këtë kërkesë si të “vjetëruar”.   

3.Rajonalizim.

Akademiku  Miodrag Joviçiç ka zhvilliuar dhe justifikuar konceptin e regjionalizimit të RFJ-së. Siç thotë ai, në përpjekje për të bashkuar “avantazhet përkatës si të shtetit unitar ashtu dhe shteteve federale dhe në të njëjtën kohë për të hequr dobësitë përkatëse të këtyre koncepteve”, Joviçiç propozoi konceptin e një shteti të regjionalizuar. Ai propozoi ndarjen e RFJ në trembëdhjetë regjione, ku Kosova dhe Metohia [pjesë të regjionit aktual autonom të Kosovës dhe Metohisë,(një ndarje e tillë e Kosoves ekziston vetëm në konceptin Serb)], do të jenë dy regjione të veçante. Të dy këto regjione (krahina) do të ndryshonin nga të tjerat, sepse asambletë e tyre regjionale do të kishin dy dhoma: një dhomë e zgjedhur “në zgjedhje direkte dhe të përgjithshme bazuar në sistemin miks maxhoritaritar proporcional, ndërsa dhoma tjetër do të kishte numër të barabartë të përfaqësuesve Shqiptarë, nga  njëra anë , dhe nga ana tjeter qytetarët e tjerë nga regjionet, serbet, muslimanët, turqit dhe romët”…  

4.Shtet Unitar. 

Transformimi i RFJ-së në shtet unitar klasik,  njëri nga  propozimet i cili nuk kishte mbështetje të rëndesishme publike dhe politike. Përveç Partisë Radikale Serbe (SRS) udhëhequr    nga Vojislav Shesheli, e cila i përket ekstremit të djathtë për politikën kombëtare të ndjekur, asnjë parti politike tjetër në RFJ me përfaqesim në parlament nuk  shprehte mbështetje për këtë propozim. 

5.Kosova e pavarur.

Opsioni për pavarësinë e Kosovës nuk është hedhur poshtë nga komuniteti ndërkombetar si krejtësisht i papranueshëm, por është vlerësuar se kufijtë mund të ndryshohen vetëm në mënyrë paqësore, në marrëveshje të plotë me gjithë të interesuarit. Megjithatë, duke patur parasysh prirjen e faktorëve kryesorë publik dhe politike në Serbi, të cilët hedhin poshtë vendosmërisht një opsion të tillë, pavarësia e Kosovës mund të arrihet vetëm  nëpermjet një konflikti të armatosur, ku të gjithë palët po përpiqen ta shmangin atë.  

6.Kosova në Shqipëri. 

Aneksimi i Kosovës nga Shqipëria ishte ide që mbështetej nga krahu i vijës së ashpër brenda lëvizjes nacionaliste Shqiptare, pasuesit e akademikut Rexhep Qosja. Sipas kësaj ideje, Kosova do të behët pjesë e shtetit të vetëm shqiptar në Ballkan. Të quajtur të gjitha “toka Shqiptare”, p.sh. territoret me popullsi të madhe shqiptare ( siç janë Maqedonia Perëndimore, një pjesë e Malit të Zi, komunat Bujanovc, Presheve dhe Medveq në jug të Serbisë, një pjesë e Greqisë) do të bashkoheshin me Shqipërinë.

7.Ndarja e Kosovës.

Ndarja e Kosovës e bazuar në kriteret etnike, ekonomike dhe kulturore-historike është propozim i cili nënkupton një sërë problemesh konceptuale dhe praktike në krijimin e kufirit, një skenar me rrezik të lartë. Një propozim tjetër i ngjashëm është krijimi i dy entiteteve, si në  “Dejton Bosnja”. Të dyja, partia në pushtet dhe opozita kanë kundërshtuar ndarjen duke i kushtuar vëmendje votuesve dhe zgjedhjeve iminente federale e lokale (Nëndor 1996). Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës kanë dhënë një vlerësim pozitiv për këtë propozim; megjithatë, në interpretimin e tyre Kosova do të shkëputej me kufijt aktual administrativ, me modifikim të vogel e të mundshëm të kufijve të bazuar  në parimin ” pjesë e Kosovës si një pjesë e Serbisë së jugut”.

8.Protektorat.

Protektorati Ndërkombetar si ” modus vivendi” është një zgjidhje kalimtare (përkohëshme) i cili do të lejonte integrim pa dhimje, ndarje ose diçka tjetër, zgjidhje permanente. Kjo zgjidhje deri tani ka qënë e propozuar kyesisht nga shqiptarët e Kosovës. Sipas kësaj ideje, Kosova duhet të jetë e çmilitarizuar dhe të vendoset  nën administrimin civil  të një organi ndërkombëtar të përshtatshëm për një periudhë të kufizuar kohe; pas mbarimit të kësaj periudhe popullsia e Kosovës do të vendose rreth statusit të saj të ardhshëm.

9.Bashkëkzistenca (bashkëjetesa)  

Ato që propozojnë bashkëjetesën, zakonisht teoricienët me orientim qytetërimi demokratik, besojnë se pluralizmi politik  duhet të pasurohet me demokraci të bashkëjetesës në shtetet multinacionalë dhe ato heterogjene, ku partitë politike, institucionet arsimore, mas media, organizatat joqeveritare dhe shoqatat jopolitike janë formuar gjatë vijave të ndarjeve në shoqëri. 

Megjithkëtë duke patur parasysh objeksionet e këtij propozimi duhet të përmendet se karakteristika dominuese e ish Jugosllavise ishte mungesa e demokracise: elitat në republikat anëtare nuk ishin konstituuar nga dëshira e popullit të shprehur në zgjedhje të lira; prandaj kjo do të ishte më e përshtateshme të karakterizonte sistemin e vjeter si “autokraci bashkëjetese” se sa demokraci bashkëjetese. 

10.Ndërtimi eklektik.

Kombinimi eklektik i decentralizimit (provincat), regjionalizimi dhe bashkëjetesa (autor i këti propozimi ishte Dragoljub Popovic, profesor në departamentin juridik të Universitetit të Beogradit), mbështeten në dy anëtarët e federatës, Serbisë dhe Malit të Zi dhe përqendrohet në riorganizimin e Serbisë. Ideja kishte të bënte me krijimin e 5-7 krahinave autonome në Serbi. Krahinat do të përbeheshin prej bashkive të cilat duhet të ishin shumë më të vogla se ato ekzistuese. Disa institucione bashkëjetese duhet të ishin gjithashtu pjesë e këtij ndërtimi eklektik, p.sh. opsioni për vetot e minoritetit, i cili duhet të përdorej në nivele të ndryshem të organizimit territorial, dhe në mënyrë shumë të kufizuar, vetëm në rajonet që përcaktohen në kushtetutën serbe, ose në mënyrë alternative, në një akt legal regjional. Autori gjithashtu parashikon përfaqësimin proporcional në qeverisjen lokale dhe regjionale për çdo listë e cila fiton më shumë se 20% të votave në zgjedhjet lokale ose rajonale.

11.Lufta.

Një konflikt i armatosur konsiderohet i fundit, jo si më i vogli i mundshëm, por më tepër si përfundim i vogel i dëshirueshëm. Të dy palët, si ajo serbe dhe ajo shqiptare do të preferonin të shmangnin një luftë, përjashtuar ekstremistet në të dy palët të cilët prej natyrës së tyre janë të prirur për konflikte të tillë. “Komuniteti ndërkombëtar”  gjithashtu do të donte të shmangte një luftë. Megjithatë, lufta do të jetë pothuajse e pashmangshme edhe sikur vetëm njera nga palët të trajtoi problemin e Kosovës në mënyrë të papërgjegjëshme. Në fakt edhe pse nga shumë gjykohej se ishte e pamundur, kjo ndodhi dhe në vitin 1999 Kosova me ndihmen edhe të SHBA-së dhe NATO-s fitoi luften dhe u nda përfundimisht nga Serbia. 

12.Dialogu.

Duke u treguar autoriteteve në Serbi çfarë ata kanë nevojë të bëjnë me qëllim që t’u hiqen plotesisht sanksionet. Sa më shpejt që ky kuadër të pranohet si një realitet politik, aq më shpejt marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbeve dhe elitave të tyre politike do të normalizohen, të cilat gjithashtu do të drejtonin në stabilizimin e marrëdhënieve politike në Serbi dhe rajon në përgjithësi. Kjo do mund të krijonte kushtet për tolerancë dhe dialog. Sigurisht, presioni ndërkombëtar do të ketë një rol pozitiv. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment në Kosovë është një autonomi funksionale ose vetdrejtim. Një metode “hap pas hapi” është më e përshtateshme për problemin e Kosovës se sa metoda “nga abstraktja te konkretja”.  Prandaj, zgjidhja graduale e problemeve të përditshme do të drejtojë drejt zgjidhjes të globales.

Kushdo mund të pyes; Çfar lidhje kanë këto tani? Eshtë budallallek, të diskutohen tani, kur Kosova është shtet i pavarur dhe nuk mund të vihet në diskutim. 

Në ngerçin politik të krijuar, kur po bëhen katër muaj nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, me 24 mbledhje të Kuvendit dhe duke mos arritur asgj, ku të gjitha partitë politike të Kosovës janë vendosur në istikamet e tyre dhe nuk lëvizin. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila doli fituese në këto zgjedhje, nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për ta emëruar Albulena Haxhiun si Kryetare të Kuvendit. Deri më tani, në votimet e zhvilluara, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërkohë që për ta marrë postin i duhen së paku 61 vota. Partitë opozitare, përkatësisht, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kundërshtuar kandidaturën e Haxhiut, ku në fakt në gjykimin tim dhe shumë të tjerëve, ata problemin e kanë me Albinin dhe jo me Albulenen. Kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë në një përgjigje për mediat në Kosovë ka përsëritur qëndrimin e saj zyrtar, duke theksuar se përgjegjësia për zgjidhjen e ngërçit institucional bie mbi udhëheqësit politikë të vendit. Një zëdhënës i ambasadës në përgjigjen e dhënë thekson se u takon qytetarëve të Kosovës të vendosin se cili duhet t’i përfaqësojë ata. “E ritheksojmë deklaratën tonë nga java e kaluar: U takon qytetarëve të Kosovës të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë ata. Kosova është një vend sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e lidershipit politikë të formojë një Kuvend dhe një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në përgjigje. Kur BE ka filluar të heq sanksionet e vendosura ndaj Kosovës.

Në këto kushte ku asnjë nuk lëviz nga pozicioni! Në një situatë mosmarveshjesh dhe gjuhe të acaruar midis SHBA dhe BE, ku po luhet fort për një rend të ri të cilin askush nuk e di si do përfundojë. Ku zakonisht referuar të kaluares, në situata të tilla kusuret i paguajn të vegjlit, dhe historia me keqardhje ka vërtetuar se ne kemi qënë jo në pak raste i keqi i vetes tone. Për të larguar “kokçarjet” nuk është çudi, sepse praktika e ka vërtetuar edhe më parë që Fuqitë Europiane kanë qënë gjithmonë kundër kombit tonë, dhe pro fqinjëve dhe veçanërisht Serbisë, me një të rënë të lapsit ndonjë nga këto opsione të vihet në tavolinë. Asgjë nuk ka të pamundur! Aq më tepër në një situate tej të turbullt dhe të paqartë ku edhe vetë Amerika me politikat e pa qarta të Trump për rajonin, do dëmtojë shtetin dhe objektivat strategjike të Kosovës. Ku lufta politike midis vet shqiptareve i ka krijuar hapësirë Serbisë të punojë siç ka punuar dhe po punon për destabilitetin politik të institucioneve të shtetit të Kosovës duke synuar dështimin e tij. Gjithmonë kur kemi patur mosmarrveshje të huajt kanë thënë; “Zgjidheni vet problemin, në të kundërt, do ta zgjidhin të tjerët, por me pasoja për vendin Tuaj”. Nuk është çudi që ndonjë nga opsionet e mësipërme të dale në prapaskenë, pasi Vuçiqi është i gatshem.  Prandaj jo pa qëllim i hodha në kujtesen e çdo politikani në radhë të pare në Kosovë dhe pastaj pse jo edhe në shtetin amë.

Çfar duhet bërë? Në fakt të drejtë nuk ka asnjëra pale! Të gjithë duhet të dalin nga istikami dhe për hirë të Kosovës të bëjnë lëshime. Kosova ka vetëm një rrugë: Të gjithë bashkë për të forcuar shtetin dhe zhvilluar atë. Qeverisje me bazë të gjerë, asnjë zgjidhje tjetër nuk është në interesin e shtetit të Kosovës dhe kombit tone e më gjërë. I pari duhet të jetë Kurti! Ai të mos dërgoi letra, por të ulet në tavolinen e bisedimeve dhe të tregoi veten burr shteti, duke bërë atë që i takon si fitues i shumices, por jo për të qeverisur. Të gjithë bashkë të hyjnë në koalicion duke krijuar qeveri me bazë të gjerë për të krijuar stabilitet politik dhe për të përballuar të gjitha sfidat me te cilat do të ballafaqohet shteti i Kosovës. Në fund të fundit ti tregojnë botes se jemi shtet që dimë të qeverisim dhe dimë të ndertojmë institucione shtetrore të besueshme.

Filed Under: Ekonomi

Konkursi i parë bukurisë për fëmijë në Shqipëri: një ngjarje e veçantë e vitit 1931

June 4, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në historinë botërore konkursi i parë i bukurisë për fëmijë është organizuar në vitin 1921 në Atlantic City ku morën pjesë fëmijë të vegjël që përfaqësonin qytete të ndryshme të ShBA-së. Në Shqipëri një konkurs i ngjashëm u organizua në kryeqytet më 2 gusht 1931, i cili zyrtarisht u quajt “Konkursi i Bukurisë Foshnjore Shqiptare”.

Në këtë konkurs u vlerësuan fotografitë e 14 vajzave të vogla. Komisioni përbëhej nga Inspektori i Arsimit Osman Myderrizi, Skënder Luarasi dhe Aleks Lubonja. Pjesë e tij ishte edhe znj.Elena Trajan dhe prof. Andrea Thanasi, por për arsye personale, nuk ishin të pranishëm në këtë proces.

Në parim komisioni konstatoi se fotografitë e paraqitura kishin rezolucion të dobët. Megjithatë, ai i vlerësoi duke u mbështetur në tiparet dhe ekspresionet foshnjore të fizionomisë së vajzave. Komisioni përzgjodhi tre prej tyre: 1) Albin Tefiku e moshës dy vjeçare e gjysmë, e bija e doktorit të njohur Sabri Tefiku; 2) Behixhe Libohova e moshës dymbëdhjetëvjeçare, e bija e Maliq Libohovës, i Ngarkuari me Punë në Londër; 3) Eta Bimbli e moshës katër vjeç e gjysmë, e bija e Thoma Bimblit, anëtar i Bandës Mbretërore.

Në vend të parë siç shihet u zgjodh Albin Tefiku. Vendimi u dha në zyrat e gazetës “Ora”, e cila do t`u dhuronte prindërve të këtyre vajzave nga një fotografi të madhe artistike.

Ky konkurs mbetet një shembull i hershëm i përpjekjeve për të sjellë modele të reja kulturore në Shqipërinë e viteve `30, në një kohë kur vendi po hidhte hapat parë drejt modernitetit.

Filed Under: Fejton

Albanian Book Lovers Club, Angli

June 4, 2025 by s p

Anila Kadija/

Si dikur kur takoheshin në Bibliotekën Kombëtare.

Intelektualet shqiptare në Londër vazhdojnë traditën e bukur që nga koha e studimeve.

Dikur takimet, i kujtojnë me nostalgji, i bënin me shoqërinë në Biblotekën Kombëtare të Tiranës apo të lagjes të qyteteve të tjera. Tani ato janë shpërndarë nëpër botë dhe e vetmja mundësi që kanë është të krijojnë diçka origjinale në shërbim të librit në gjuhën shqipe. Kështu lindi dëshira të vazhdonin një udhë të lënë, në vendet e Shqipërisë, prej nga vijnë.

Mesazhi i Albanian Book Lovers Club Londër:

Merr një libër në shqip, krijo një grup, lexo dhe shpërnda kulturë. Nuk ka rëndësi sa herë mblidheni, rëndësi ka të motivoheni për të lexuar gjëra me vlerë në gjuhën e nënës.

Tashmë radhiten me dhjetra organizimet letrare – kulturore të këtij klubi jo vetëm brënda kryeqytetit por edhe jashtë. Përfaqësuese të klubit kanë marrë pjesë me eksperiencën e tyre në Panaire Libri në Tiranë dhe Angli.

Në vende historike si Lake District ku janë njohur nga afër me historinë e Beatrix Potter. Shkrimtarja e parë femër e cila i dha zë të drejtës autorsi femër në Angli.

Në një pasdite pranverore, midis rafteve të pasura të Bibliotekës Ndërkombëtare “Ilaria Alpi”, u zhvillua një ngjarje që la gjurmë, më saktë la gjurmën e parë – një takim i veçantë i Albanian Book Lovers Club, klubit të librave në gjuhën shqipe, i cili kaloi kufijtë britanikë për të mbërritur në zemër të Italisë.

I themeluar më 5 qershor 2021 në Londër nga ideja e Anila Kadija nga një grup intelektualesh shqiptare të diasporës – njëkohësisht krijuese dhe autore – Albanian Book Lovers Club ka zgjeruar misionin e tij me përkushtim dhe dashuri për katër vite me radhë: të ruajë dhe kultivojë gjuhën shqipe përmes librit, jo vetëm ndër fëmijët, por edhe te të rriturit. E gjitha në mënyrë të pandërprerë, me një qëllim të qartë – të forcojë identitetin dhe të mbajë të gjallë krenarinë kulturore shqiptare përtej kufijve.

Pas Anglisë dhe Irlandës, ndalesa e radhës ishte Parma. Përveç eksplorimit historik të qytetit të lidhur me muzikën e Verdit, anëtaret e klubit patën një pritje të veçantë edhe në selinë e kompanisë avangardë të kozmetikës Davines – një shembull i kujdesit estetik të menduar si akt vetëdashurie, veçanërisht në universin femëror.

Ngjarja kulmoi me themelimin e “Albanian Book Lovers Club Italia” më 28 maj 2025, në një bashkëpunim të ngushtë me shoqatën shqiptare “Scanderbeg Parma” dhe bibliotekën “Ilaria Alpi”. Iniciativa lindi nga vetë nevoja e grave shqiptare që jetojnë në Itali për të pasur një hapësirë të dedikuar ku gjuha e zemrës mund të jetohet përmes leximit, reflektimit dhe dialogut. E hapur dhe falas për publikun, veprimtaria kishte për qëllim të krijonte ura mes lexuesve shumëgjuhësh dhe komunitetit lokal – një moment shkëmbimi kulturor, por edhe afrimi. Pjesë e organizimit ishin emra të njohur të klubit nga tre shtete: Klodiana Gjona, Valbona Voca dhe Mira Hanku nga Londra; Liliana Picari nga Dublini; dhe Sonila Otobashi me Anila Berberin nga Parma. Ato drejtuan me pasion diskutimet, duke sjellë librin në epiqendër të një bashkëbisedimi që tejkaloi kufijtë gjuhësorë.

Takimi u pasurua me praninë e lexueseve italiane nga klubi lokal Aperilibri, i udhëhequr nga ideatorja Elena Pescatore, Sidorela Alushaj, Cristina Di Ceglie etj – një dëshmi se letërsia dhe gjuha mund të bëhen ura që lidhin komunitete të ndryshme në një qytet të përbashkët leximi. Gjithashtu diskutuan mbi librin të ftuarat mikesha italiane Gabriella Biacchi. Po ashtu Elona Jolla, Marinela Vilza dhe Matlda Gjona.

Fryma e Albanian Book Lovers Club ka ndezur tashmë interes edhe tek komunitete të tjera gjuhësore – si ai portugalishtfolës në Parma, i cili do të mbajë takimin e tij të parë më 23 qershor, po në ambientet e së njëjtës bibliotekë.

Në një botë që ecën me shpejtësi drejt uniformitetit, kjo nismë që lindi në Londër dhe gjeti jehonë në Itali është një kujtesë e fuqishme: të lexosh në gjuhën tënde nuk është thjesht një akt nostalgjie, por një mënyrë për të ruajtur shpirtin, ritmin dhe kumbimin e saj në jetë.

Filed Under: Kulture

Eqrem Bej Vlora, dijetari, diplomati dhe atdhetari i kombit shqiptar

June 4, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Eqrem Bej Vlora lindi më 1 dhjetor 1885 në qytetin historik të Vlorës, në një prej familjeve më të shquara aristokrate dhe atdhetare të Shqipërisë – familja Vlora. Kjo familje, që gjurmon rrënjët e saj deri në shekujt e hershëm të periudhës osmane, kishte qenë gjithmonë pjesë e elitës politike, ushtarake dhe kulturore të Perandorisë, me ndikim të thellë në zhvillimet historike të trojeve shqiptare.

Babai i Eqremit ishte Syrja Bej Vlora, një burrë me kulturë dhe ndikim të gjerë, ndërsa nëna e tij ishte Hasbije Hanëmi, nga një familje e njohur e Prizrenit. Kjo trashëgimi e gërshetuar midis jugut dhe veriut të trojeve shqiptare i dha Eqremit një botëkuptim të gjerë mbi përkatësinë kombëtare shqiptare në një kohë kur ideja e kombit shqiptar ende nuk kishte marrë formë të plotë politike. Eqrem Bej Vlora u rrit në një ambient ku përziheshin kultura osmane, evropiane dhe shqiptare. Fillimisht, ai ndoqi mësimet në gjuhën osmane dhe arabe në Vlorë, ku përvetësoi thellësisht kulturën lindore dhe islame. Më pas, familja e tij e dërgoi në shkollë në Stamboll, ku vijoi mësimet në shkollat më elitare të kohës. Aty u dallua për inteligjencën dhe disiplinën e lartë intelektuale.

Më vonë, ai u dërgua për studime në Perëndim, fillimisht në Theresianum të Vjenës, një prej kolegjeve më aristokrate të Perandorisë Austro-Hungareze, ku studioi shkencat humane, juridike dhe politike. Më pas kreu studimet e larta në Universitetin e Gracit dhe më vonë në atë të Vjenës, ku u përqendrua në drejtimet e administratës, diplomacisë dhe historisë.

Kjo përgatitje shumëdimensionale e pajisi Eqremin me një kulturë të gjerë evropiane, me njohuri të thella mbi gjuhët e huaja (ai zotëronte turqishten, arabishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, anglishten dhe greqishten), si dhe me një sens të hollë diplomatik që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Me rënien e Perandorisë Osmane dhe shpërbërjen e strukturave të saj, Eqrem Bej Vlora iu përkushtua çështjes kombëtare shqiptare. Ai mori pjesë në ngjarjet më vendimtare të fillimit të shekullit XX.

Në vitin 1912, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, Eqrem Bej Vlora ndodhej në qytet dhe ofroi ndihmën e tij në formimin e administratës së parë shqiptare. Ai u emërua ministër i Punëve të Jashtme dhe më vonë përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Austri dhe Itali. Gjatë kësaj kohe, ai mbrojti me dinjitet interesat shqiptare në arenën ndërkombëtare, sidomos në Konferencën e Londrës dhe në bisedimet diplomatike për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Në vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe mbështeti qeverinë e re shqiptare. Edhe pse në vitet e mëvonshme u largua nga politika aktive, ai nuk reshti së kontribuari me mendimin dhe penën e tij për çështjen kombëtare. Eqrem Bej Vlora është një ndër figurat më të ndritura të kulturës shqiptare. Ai ishte një dijetar i formuar në mënyrë të rrallë, një shkrimtar i shkëlqyer dhe një studiues i përkushtuar i historisë, etnografisë dhe gjuhësisë shqiptare. Vepra e tij më e njohur, “Kujtime” (titulli origjinal: Erinnerungen aus meinem Leben), është një pasuri e paçmuar historike dhe kulturore për kombin shqiptar. Në këtë libër, ai rrëfen me mjeshtëri ngjarjet historike të jetuara, figurat e njohura shqiptare dhe evropiane që ka takuar, dhe zhvillimet e periudhës më të ndërlikuar të historisë sonë moderne.

Ai gjithashtu botoi studime për kulturën shqiptare, raportime për udhëtimet e tij dhe analiza të thella për marrëdhëniet ndërkombëtare. Si një bashkëpunëtor i disa akademive dhe institucioneve shkencore evropiane, ai promovoi çështjen shqiptare në qarqet kulturore dhe inteelektuale të kontinentit. Eqrem Bej Vlora nuk ishte vetëm një diplomat dhe dijetar, por edhe një patriot i përkushtuar. Ai ishte zëri i arsyes dhe i mendimit të ndritur në një kohë të trazuar për kombin shqiptar. Ai e përjetonte me dhimbje ndarjen e trojeve shqiptare dhe luftoi me të gjitha format për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

Ndihmesa e tij për çështjen e Kosovës, për mbrojtjen e Shkodrës nga pretendimet malazeze dhe për afirmimin e identitetit shqiptar në Evropë, përbën një trashëgimi të rrallë. Ai kurrë nuk u përfshi në ndasi politike që e dëmtonin unitetin kombëtar, por gjithmonë mbajti qëndrim të pavarur dhe të ndershëm.

Eqrem Bej Vlora ndërroi jetë më 30 mars 1964 në Tiranë, në një periudhë kur regjimi komunist shqiptar kishte filluar një fushatë sistematike kundër figurave të elitës kombëtare. Ai u la mënjanë, u përçmua dhe u censurua për dekada, por vepra e tij mbijetoi dhe u rivlerësua pas rënies së diktaturës.

Sot, Eqrem Bej Vlora njihet si një prej figurave më të shquara të Rilindjes shqiptare të vonshme, një ndër intelektualët më të mëdhenj të kombit, dhe një simbol i kulturës, dijes dhe dashurisë për atdheun.

Filed Under: Fejton

Çmimi Azem Shkreli – “Tradita dhe vlerat artistike”

June 4, 2025 by s p

Nga Alma Papamihali/

Një manifestim letrar, që nuk ngjason me asnjë tjetër. Sepse kur arti vjen në shumë forma, kur bashkohen pena, zëra, ngjyra dhe shpirti, atëherë çdo moment merr dritë tjetër, merr frymë ndryshe. E tillë ishte mbrëmja e së dielës, më 1 qershor 2025, një ditë e shenjtë për artin dhe kulturën shqiptare, kushtuar një figure të pavdekshme të letrave tona: Azem Shkreli.

Salla ku u mbajt ky tubim frymëzues nuk ishte thjesht një hapësirë fizike, por një tempull i gjallë i artit, i mbështjellë nga veprat e piktures së talentuar Mirjeta Gashi, ku çdo ngjyrë rrëfente histori, çdo penel thërriste art.

Lidhja e Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve, me z. Dibran Demaku dhe z. Pal Sokoli në krye, dy shkrimtare te njohur, kishin bërë një punë të mrekullueshme.

Nuk ishte vetëm një ngjarje , por ishte një mozaik kulturor ku promovimi i antologjisë poetike të përkthyer denjesisht nga prof. Driton Gashi, ( pjese e se ciles isha dhe une me nje poezi, dhe e falenderoj shume) tingujt e këngëve të tij të ndjera, dhe prania e fjalës së shkruar u bënë një trup i vetëm.

Zëri i tij nuk ishte thjesht muzikë,por drithërimë e shpirtit që mbushi sallën me emocione.

Prania e familjes së nderuar të Azem Shkrelit, djali i tij Valoni, se bashku me familjen, si dhe përfaqësuesit e lartë të Konsullatës së Kosovës, z. Behar Isma, ishin një dëshmi e qartë e respektit dhe mirënjohjes për këtë organizim. Një dëshirë për të qenë aty ku arti ka peshë, por edhe një përgjegjësi për ta mbështetur me dinjitet.

E veçanta e kësaj mbrëmjeje ishte edhe përfshirja e Shkollës Shqipe të Dyseldorfit. Sa krenari, sa bukuri në ato recitime dhe valle, që sollën para nesh punën e palodhur të mësuesve dhe përkushtimin e nxënësve! Aty ku mësohet fjala shqipe me dashuri, lind edhe ndjenja më e thellë e identitetit. Për të gjithë të pranishmit, ishte një nder dhe privilegj të dëgjonin fjalët e urta dhe plot dritë të dy profesorëve të ardhur enkas nga Prishtina, z. Riza Krasniqi dhe z. Anton Nik Berisha, të cilët sollën me vete thellësinë e mendimit akademik dhe peshën e përvojës letrare. Ata ishin zërat e urtësisë, që i dhanë këtij tubimi një dimension tjetër, atë të reflektimit të thellë dhe të pasurisë shpirtërore.

Ndër miqtë e nderit, spikati edhe simboli i Lidhjes së Artistëve në Gjermani, shkrimtari z. Martin Çuni, i cili është rrënja dhe simboli i kësaj Lidhjeje, një figurë që përfaqëson vazhdimësinë, përkushtimin dhe shpirtin krijues të kësaj bashkësie. Prania e tij i dha ngjyra të tjera këtij manifestimi, duke e bërë edhe më të plotë dhe më të frymëzueshëm.

“Ora letrare” ndezi një tjetër zjarr: një poezi, një fjalë, një ndjesi, dhe menjëherë pas saj, shumë zëra që dëshironin të ndanin shpirtin e tyre përmes vargjeve. Dashamirës të fjalës së shkruar u bashkuan në konkurs, duke e kthyer këtë orë në një festi të krijimit të çiltër.

Sepse për të qenë pretendent i çmimit Azem Shkreli, nuk mjafton vetëm të krijosh, por duhet të mbartësh në vete vlera të gjithanshme, artistike dhe njerëzore. Dhe mes shumë krijuesve, poetëve e shkrimtarëve të pranishëm, ishte dhe shkrimtari z. Brahim Avdyli ai që dhe u shpërblye me titullin e madh, me meritë dhe shume vertetesi nga Juria e perbere nga z. Dibran Demaku ( kryetari i saj) z. Valon Shkreli dhe une.

Ndersa çmimin ne proze e meritoi, nder shume te tjere…shkrimtari Anton Gjuravçaj nga Mali i Zi.

Një yll tjetër që ndriçoi këtë mbrëmje ishte znj. Pranvera Gjoni, e cila solli një moderim plot finesë dhe ndjeshmëri, një prezantim që i dha dritë e shpirt çdo momenti, si një qershi mbi tortë, që shijon ëmbël deri në fund.

Dhe çfarë do të ishte kjo mbrëmje pa syrin e palodhur të mjeshtrit të kamerës, z. Ahmet Konjusha, që nuk mungon aty ku arti thërret…Ai është dëshmitar i pavdekshëm i shumë ngjarjeve si kjo, një ruajtës i kujtesës artistike. Kaq shumë të rinj e të reja të talentuar, kaq shumë libra, mendime, përjetime… gjithçka i shërbeu një qëllimi të vetëm: të dëshmojmë se Azem Shkreli jeton! Në vargjet tona, në fjalët tona, në vlerat që mbrojmë dhe përçojmë. Dhe unë… nuk mund të isha më e lumtur pas këtij përjetimi. Sepse, përveç gjithë kësaj pasurie shpirtërore, solla me vete dy çmime që mbushin zemrën time me mirënjohje: çmimin e mirënjohjes nga Lidhja dhe çmimin për poezinë e interpretuar në orën letrare, kushtuar vetë kolosit Azem Shkreli.

Faleminderit nga zemra!�

Arti jeton, dhe sa herë që e ndajmë me njëri-tjetrin, ai merr frymë më thellë… dhe na bën më njerëzorë.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT