• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

“REÇAK: HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE” SI DËSHMI E GJENOCIDIT SERB MBI SHQIPTARËT

June 4, 2025 by s p

Sokol Paja/

Masakra e “Reçakut” është një ndër krimet më monstruoze jo vetëm të Serbisë në Kosovë por një ndër gjenocidët më të tmerrshme që ka njohur shekulli ynë. Fatkeqësisht edhe pas 26 vitesh, përsëri Serbia gjenocidale ka orekse për Kosovën. Trazirat në Veri, krimi i organizuar dhe orkestrime nga Beogradi vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe të ardhmen e Kosovës. Si dëshmi e krimeve serbe ndaj shqiptarëve dhe një borxh ndaj të vertetës historike, Ambasadori William G. Walker botoi librin “Reçak: Historia e një krimi lufte” një libër që i kushtohet një një masakre ndaj shqiptarëve të pafajshëm por mbi të gjitha një zë i vërtetë nën propaganda mashtruese e manipulative serbe.

Si krim kundër njerëzimit, “Reçaku” sot vlen për ti treguar botës perëndimore sesa e padrejtë sesa e pamoralshme është mbajtja në Hagë e luftëtarëve e çlirimtarëve të UÇK-së në një kohë që kriminelët serbë shetisin të lirë. Libri është një testament shpirtëror, diplomatik, politik e mbi të gjitha historik. Shef i Misionit Verifikues në Kosovë në kuadër të OSBE-së ambasadori Walker, ku më 15 janar 1999 forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë, ndërgjegjësoi botën jo vetëm për masakrën e tmerrshme po i dha një tjetër këndshikim krimit e gjenocidit që po ndodhte në Kosovë. Libri autobiografik “Reçak: historia e një krimi lufte është i ndarë në dy pjesë dhe secila ka meritë e kontribut të veçantë për të vërtetën që përshkruan por dhe zbardhjen e një periudhe të vështirë për shqiptarët e Kosovës sidomos. Pjesa e parë e librit përshkruan autobiografinë e autorit nga fëmijëria deri te karriera e tij 40-vjeçare në Shërbimin e Jashtëm, përfshirë misionet në Japoni, Amerikën Latine dhe Ballkan, ndërsa pjesa e dytë e librit fokusohet në përvojat e tij në Ballkan, sidomos në misionet e Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së në Kosovë nga merr pikënisje titulli dhe ngjarja bosht e librit ndër më të rëndësishmit për të dokumentuar krimet e Serbisë në Kosovë.

Ambasador Walker ka lënë një testament të jashtëzakonshëm dhe frymëzues për çdo diplomat dhe historian. Federata Vatra si lider 113 vjeçar i aktiviteteve patriotike e atdhetare në mërgatën e Amerikës, e nderoi Ambasadorin Walker me “Medaljen e Artë të Lirisë” në një ceremoni të jashtëzakonshme nderimi, mirënjohjeje, vlerësimi e respekti në Selinë Qëndore të Vatrës. Çdo shqiptar i Amerikës e mbarë botës është krenar me veprën dhe shërbimin e shquar që Ambasadori William G. Walker i ka dhënë kombit tonë e sidomos Kosovës me “Reçakun”. Promovimi në disa shtete të Amerikës i këtij libri jo vetëm që ekspozon të vertetën shqiptare e krimet serbe mbi shqiptarë, por sensibilizon botën mbi veprimtarinë gjenocidale të Serbisë dhe jep një kontribut të madh për të vërtetën shqiptare në gjyqin e historisë.

Tragjedia njerëzore e masakrave të forcave serbe ndaj popullatës civile në Kosovë nuk është trajtuar kurrë si duhet e sa duhet nga diplomatët e huaj që kanë shërbyer në Kosovë apo Ballkan, dhe Ambasadori William G. Walker me ndershmëri dhe guxim, përmes librit bën një ftesë publike për reflektim mbi të gjitha. “Reçaku” i ambasadorit Walker është një fakt dhe dokument shkencor mbi të cilin Gjykata Speciale duhet ta shqyrtojë për të gjykuar drejtë luftën e UÇK. Nëse ka luftë të pastër, të drejtë, të ndreshme dhe të domosdoshme në 1 shekull histori, ka qenë lufta e Ushtrisë Çlirimtrae të Kosovës.

Baltosja e UÇK është baltë ndaj kombit shqiptar. UÇK është nderi dhe dinjiteti i kombit tonë. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me një deklaratë publike qëndroi në krah të liderëve të UÇK-së dhe shprehu besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë e i paanshëm. Gazeta Dielli ka raportuar me detaje qëndrimet e luftëtarëve ndaj procesit të padrejtë që po zhvillohet në Hagë pasi aty duhet të kishte gjeneralë serbë që kanë udhëruar krime e vrasje e jo shqiptarë që kanë mbajtur atdheun, familjen, nderin e kombin. Duhet një ndërgjegjësim ndërkombëtar mbi nevojën për ndershmërinë dhe pastërtinë e gjykimit.

UÇK, Kosova dhe kombi shqiptar duhet të pastrohet nga balta e sponsorizuar në Beograd. Kosova e ka jetike aleancën strategjike dhe formimin e një qeverie të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme, pro amerikane dhe pro perëndimore. Investimi te Shtetet e Bashkuara të Amerikës është investim i përjetshëm në dobi të shtetit dhe kombit shqiptar. Nuk duhet humbur ansjë ditë, nuk kemi luks të eksperimentojmë si shtet e si komb, por duhet bashkëpunim i ngushtë me aleatin tonë të përjetshtëm Amerikën dhe reforma demokratike që zhvillojnë shtetin, forcojnë demokracinë e institucionet, rrisin mirëqënien e qytetarëve dhe mbi të gjitha e bëjnë një shtet përparimtar e perëndimor, të fortë e dinjitoz. Kriza që ka mbërthyer Parlamentin e Kosovës ku kanë kaluar mbi 25 tentaviva për të zgjedhur drejtuesit e Kuvendit, janë përveç se shfaqje tejet e shëmtuar, po sjell pasoja diplomatike, institucionale dhe dëmton imazhin e shtetit ndërkombëtarisht. Parlamentarët e Kosovës duhet të ngrihen mbi interesa personale por të fokusohen te përparimi i kombit dhe fuqia e integriteti i institucioneve kushtetuese. Kosova nuk ka kohë për të humbur…

Filed Under: Opinion

PARADA SHQIPTARE NË NEW YORK MË 21 QERSHOR 2025

June 4, 2025 by s p

PARADA SHQIPTARE NË NEW YORK MË 21 QERSHOR 2025.

Filed Under: Komunitet

MOS ZBUKURONI FERRIN!

June 4, 2025 by s p

Ferri nuk zbukurohet! Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë për ata që ishin në ferr…

Burgu famëkeq i Spaçit, ku vuajtën mizorisht mijëra kundërshtarë të diktaturës enveriste, ku u pushkatuan apo u ridënuan rëndë ata qê guxuan dhe u ngritën në revoltën e madhe, tashmë të futur në histori si ndër të paktat dhe më heroiket në të gjithë perandorinë komuniste, por e vetmja ku u ngrit Flamuri Kombëtar pa yllin e kuq, ku u vranë në minierat me kushte primitive, ku punonim si skllevër, ku vdisnim urie e varrezë nuk kishte, banonim në fjetore pa asgjë, me tullat si luspa reptilësh, ku mbi 50 veta ngjeshur flinin në një dhomë-shpellë, me dyshekë kashte me tri radhë njeri mbi tjetrin, dritare te shkaterruara ku futej era e dimrit dhe shiu dhe vëzhgonte policia e çmendur, ku s’lejoheshin rroba te tjera veç te burgut, as këpucë apo orë dore, kuzhina me tym si gazi në kampet naziste, etj, etj, një infermieri pa ilaçe, ku alkoolin e pinin policet me spiunët e tyre, me ata në sherbim të komandës, berberhane, tubi i ujit me vrima nga rridhte uji qe ngrinte akull, banjot pa dyer, shkallë dhe zgëqe e thase, shtylla, altoparlantë që lehnin, kthina e takimeve të rralla me familjarët- e ndaré me hekura në nje dhomez sa kolibja e qenit të komandës, vendi i rrethuar me tela me gjemba një herë, dy herë, tre herë, katër herë, pesë… dhe male, përrenj me ujë të zi që dilte nga grykat e minierës si gojë lubish, kullat e dëndura të vendrojeve me trarë si përbindësha, etj, etj.

PSE?

– Një herë u bë krimi i madh, që u ngrit ai burg politik aq çnjerëzor…

– Së dyti, që e lanë të rrënohej, po prishej një dëshmi, po zhytej në mjegullat e harresës nga qeveritë…

Së voni- po duan ta bëjnë muze, shumë mirë, por jo ta tjetërsojnë, nëse po ndodh, jo ta zbukurojnë siç nuk ka qenë, të lihet ashtu siç e bënë etërit…

FILMI?

Po ndreqet për një film, po dëgjoj këto ditë të thonë, që do të xhirohet aty…

Skenarin e filmit, “Kryengritje në ferr”, e kam shkruar unë, ish i burgosur i Spaçit, drejtimor i filmit dhe regjisor ështe Namik Ajazin, edhe ai ish i burgosur si unë, edhe babai i tij e mijëra shqiptarë, ndërkaq i është kërkuar shtetit nëpërmjet kryeministrit, cilitdo që do të ishte, (se s’e kemi emëruar ne, por doli nga zgjedhjet, e di populli sa të lira ishin…), që të mbeshtesnin filmin, si rrëfim i vuajtjes dhe i qendresës dhe kryengritjes tonë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, euroatlantike, nder për historinë dhe krenari për popullin, që s’u gjunjëzua i gjithë.

Shteti e ka për detyrë, i ka paratë, janë tonat, qoftë dhe nga ato të punës së papaguar të mijëra e mijëra të burgosurve politikë në dekadat e socializmit real në miniera, tharje kënetash, hapje kanalesh, themelesh, ngritje pallatesh, taracash, stadiumesh e deri dhe aeroportin e kryeqytetit, etj, etj.

Shteti të dënojë krimin shtetëror të diktaturës enveriste, të nxjerrë kriminelët e saj politikë, t’i sjellë nga ku janë strehuar, jo t’i riciklojë, të ndëshkojë Realizmin Socialist dhe të keqen!

Shteti të mos zvarrisë apo të shmangë kulturën e kujtesës tonë!…

Tê ribëjë burgun e Spaçit si muze ashtu si Aushvicin bota, si pjesë të kujtesës njerëzore, ashtu siç ishte, autentik, nëse s’mundet, të mos e zbukurojë, le t’ua thoshin etërve atëhere ta bënin siç do të donin tani – si makiazh krimit të madh shtetëror, ferri është ferr, ai thjesht duhet të dëshmohet, të kujtohet si një e vërtetë e mynxyrshme, me qëllim që të mos përsëritet…

Këtë do të donim të bënim me filmin, nderim vuajtjes dhe martirizimit, gjakut dhe qëndresës, ëndrrës dhe së ardhmes…

Shteti dhe askush të mos e pengojë, nëse nuk e mbështet dot artin e madh si pasuri kombëtare!

Visar Zhiti

Filed Under: Reportazh

Arkeologu i dijes filozofike

June 4, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Sa jetonin centaurët e pyeta një ditë Prof Moikomin ndërssa flisnim për librin e tij të fundit “Centauri i Dritës”. Buzëqeshi dhe pa u bezdisur që e kisha ndërprerë ( ky ishte gjithmonë stili ynë i i bisedës) më tha se centaurët janë krijesat që mësuan Akilin. Imagjino më tha me stilin e tij lakonik-kur u mësuan sekretin e përjetësisë Akilit,( sepse jam fort i sigurtë se nuk e kishte fituar atë duke u zhytur në lumin Stiks nga e ëma), sa duhet të jetonin vetë? Jam i bindur se sikur te rrëfenja e njohur e Saadi-ut ku mësuesi mëson 99 hile te sporti i mundjes nxënësit të vet dhe një e mban për vete kur ai do ta sfidojë, ashtu dhe centaurët i mësuan Akilit përjetësinë por me një cen të vogël, që ai mund të vritej në thembër. Nuk mund të thosha më asnjë fjalë pas këtij pasazhi që bënte bashkë dijen e lashtë antike me misticizmin e lindjes dhe e konsiderova veten me fat që kisha mundësi të bisedoja me këtë njeri që ishte një Sokrat i kohës sonë. Nuk bëja gabimin që ta quaja Platon, pasi në republikën e së ardhmes , Platoni i kishte përjashtuar poetët dhe Moikom Z , Siç nënshkruante në librat e vet i kishte bezdi njerëzit që nuk respektonin poetët.

Pjesëza e mësipërme është nga momentet e shumta që kaloja në takimet tona ku dashamirësia dhe interesi i tij jo vetëm për Muzeun Historik Kombëtar por për të gjitha fushat e dijes ishte i jashtëzakonshëm. Është vështirë që të gjesh të mishëruar në një njeri disa disiplina të dijes dhe për më tepër të gjitha ato të veshur me dëshirën për të prodhuar një kod të ri leximi, deshifrimi e intepretimi. Moikom Z e njihje që fëmijë me “Kalorësit Dardanë” dhe Heroin e tokës Nanas, për ta ritakuar sërish me poezinë e tij simbolike e jo të zakonshme në adoleshencë, e në moshën e rritur në esetë e tipit borhesian gjithë kabalizëm, teozofi e misticizëm. Portretet monografike të tij kushtuar figurave të mëdha të kombit si Naim Frashërit, Onufrit, Migjenit, De Radës, Lasgush Poradecit e së fundmi Skënderbeut kanë krijuar arketipe idesh sesi mund ti njohësh këto figura e ti ballafaqosh me kulturën mesdhetare e europiane. Moikom Z më pat rrëfyer se në të ri të tij kish dashur të shkruante me një alfabet të përbërë prej numrash ku çdo gërmë do shkruhej me numrin përkatës që zinte në alfabetin prej 36 shkronjash të gjuhës shqipe. Nuk e di nëse ia arriti ndonjëherë apo nëse la ndonjë tekst të tillë por vepra e tij sa do që shpesh duket se ka një kaos të jashtëm në vetvete është e përpiktë si një ekuacion matematikor. Parimi i rrathëve koncektrikë në veprën e tij dekunstroktohet pasi historia e filozofia në mënyrë ciklike duket se përsërisin njëra-tjetrën dhe shpesh lindin dhe njëra-tjetrën.

Në fillim të shekullit XX Fishta do ta përcaktonte Konicën si një enciklopedi ambulante të kulturës shqiptare. Njëqind vjet më vonë ishim me fat që kishim mes nesh një enciklopedi lëvizëse që gjallonte në shqip mes formulave të lashta të kabalës, misticizmit dhe traditës. Moikom Zeqo krijoi një shkollë të vërtetë poetike kur ringjalli antikitetin në një tokë djerrë si askush në letërsinë shqipe e mitologjia u bë pjesë e diskursit të përditshëm.Idolet e tij poetikë si Pindari, De Rada e Witmani i veshën një mantel prej të cilit ai sendërtoi konstelacionin e tij poetik. “Tërë poetika ime rikonstrukton të Shkuarën si një makinë për të Ardhmen” do shkruante vet në parathënien e vëllimit të XII me poezi “Miscellanea” duke na dhënë vet kodin e leximit të poetikës së tij.

Çmund të themi më tepër kur për një njeri që sfidon sëmundjen dhe me një ankth sifizian vazhdon të luftojë për të vëretetat e tij që janë dhe të vërtetat e jetës. Intelektual që në mesin e kohës lukuni kurr rrëzonin buste nga pidestale, ndryshonin data nga historia me një kurajo civile shpërthente mes parlamentit shqiptar se 29 nëntori nuk është një datë apokaliptike, nuk është e shpikur, po realitet i patjetërsueshëm. Mohimi saj të çon te satanizmi i demokracisë. Ajo është një datë e madhe uniteti dhe jo shpërbërjeje, e mirëkuptimit dhe jo e shkombëtarizimit..

Kultura jonë humbi një njeri diturak që nuk bënte pakt për të heshtur. Mes librave, tablove, vizatimeve e melodisë tënde të preferuar do të gjëmojnë sentencat e tua në latinisht ” Plaudite, amici, comedia finita est ” (Duartrokisni miq! Komedia mbaroi!). Komedi e trishtuar humbja jote miky ynë , një komedi që na kujton se duhet ti duam të gjallët pa vdekur ende. Moikom Z iu përvoll së përditshmes dhe u tret në eterin e përjetshëm të kulturës dhe gjuhës shqipe. Prej andej ku i dihet, si mendimi pitagorian që e citoje shpesh do ringjallesh në formën e Makabe Zaharias, personazhit tënd të dashur për të na rikujtuar se qytetërimi botëror është një Ars Combinatoria…Deri atëherë lamtumirë Mjeshtër!

Filed Under: ESSE

Promovohet libri i Prof. Shaban Muratit “Antitabu si katarsis i mentalitetit shqiptar”

June 4, 2025 by s p

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/

Ditën e hënë, më 2 qershor, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi, në ambientet e Hotel Tirana Internacional, promovimin e veprës së fundit të profesor Shaban Muratit: “Antitabu si Katarsis i Mentalitetit Shqiptar”.

Ambasador Shaban Murati, para se të ndahej nga jeta, përfundoi së shkruari këtë vepër, e cila vjen pas dy antitabuve të tjera.

Profesori i shquar Shaban Murati ishte, padyshim, një personalitet poliedrik, diplomat me aftësi të rralla, humanist, historian, gazetar e polemist, me kulturë solide në fushën juridike dhe atë të së Drejtës Ndërkombëtare, njohës i mirë i letërsisë, eseist, madje dhe profesor në estetikë, tha moderatorja Sildi Koqini në hyrje të aktivitetit. Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Drejtuesi i Fondacionit, Alket Veliu, e hapi aktivitetin me një fjalë emocionuese për nder të ambasador Muratit. Ai theksoi se ky promovim ishte më shumë se një aktivitet kulturor – ishte një homazh për një zë të kthjellët të diplomacisë shqiptare, një mendje e lirë dhe e paepur që, deri në ditët e fundit të jetës së tij, mbeti e angazhuar në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të së vërtetës.

Z. Veliu e përshkroi Shaban Muratin jo vetëm si diplomat dhe publicist, por si një personalitet me përvojë të jashtëzakonshme diplomatike dhe me një ndjeshmëri të thellë intelektuale. Ai ndau me të pranishmit fatin dhe privilegjin e të qenit mik dhe bashkëpunëtor i ambasadorit në vitet e fundit të jetës së tij, si dhe nderin që Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” pati duke e pasur z. Murati si anëtar të bordit drejtues dhe një udhërrëfyes të çmuar.

Alket Veliu theksoi se kontributi i ambasador Muratit për çështjen çame ka qenë i pazëvendësueshëm: jo vetëm një zë i guximshëm për drejtësinë historike, por edhe një strateg që ndërtoi një platformë diplomatike konkrete për zgjidhjen e saj.

Në “Antitabu 2”, Murati parashtroi një udhërrëfyes të qartë dhe të argumentuar, duke kërkuar që shteti shqiptar të ndërtojë një platformë të qëndrueshme dhe zyrtare për ta bërë çështjen çame pjesë të pandashme të tryezave diplomatike me Greqinë. Ai dënoi heshtjen zyrtare dhe kërkoi që kjo çështje të mos mbetet më jashtë dosjes kombëtare.

Në fund, drejtuesi i fondacionit theksoi se kujtimi për ambasador Shaban Muratin duhet të shndërrohet në angazhim të përbashkët: që ideja dhe vizioni i tij për një Shqipëri dinjitoze, për një diplomaci të kthjellët dhe me bosht kombëtar, të mos mbeten thjesht në raftet e kujtesës, por të udhëheqin brezat e rinj dhe ata që mbartin përgjegjësinë për të folur në emër të Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit morën fjalën një sërë personalitetesh të fushës së diplomacisë, gazetarisë, akademisë dhe aktivizmit qytetar – figura që e kanë njohur nga afër Ambasadorin Shaban Murati, që e kanë ndjekur me vëmendje veprën e tij, dhe që ndanë me publikun reflektime të thella mbi trashëgiminë që ai lë pas.

Shkrimtarja Hiqmete Daja, redaktorja e librit, solli për të pranishmit një përshkrim të hollësishëm të procesit të përgatitjes së veprës “Antitabu si katarsis i mentalitetit shqiptar”, duke e cilësuar atë si një pasqyrë të një autori që nuk kërkon të lëvdohet, por të nxisë mendimin kritik dhe reformimin e vetëdijes kombëtare. Ajo theksoi stilin polemik por të argumentuar të Muratit, si dhe rëndësinë e kësaj vepre për të sfiduar narrativat e lodhura dhe të paefektshme të mendësisë politike shqiptare.

Gazetari Arben Iliazi tha se Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Veprat e tij, Trashëgimia që la, janë një pasuri e vyer kombëtare.

Një tjetër mik i afërt i ambasadorit, prof. dr. Ksenofon Krisafi, foli për figurën e tij shumëdimensionale dhe vizionin që e karakterizonte në çdo fushë të veprimtarisë publike.

Pano Hallko, studiues i njohur, ndau me të pranishmit vlerësimin e tij për kontributin e vyer të Ambasador Muratit në fushën e diplomacisë. Ai theksoi se pjesa më e madhe e analizave të tij janë përqendruar te problematikat, sfidat dhe misioni aktual i diplomacisë shqiptare, duke vendosur në qendër të reflektimit kërkimin për një identitet shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë së sotme.

Prof. Elvis Hoxha vlerësoi theksin që Murati i ka dhënë ruajtjes dhe reformimit të kodit të kombësisë, si një bazë për zhvillimin e vetëdijes kombëtare.

Pjesë e veçantë e aktivitetit ishin edhe përshëndetjet e dy miqve të ambasadorit nga Durrësi: z. Agron Çalliku dhe z. Abdulla Deliallisi, të cilët ndanë vlerësime të përzemërta për mikun e tyre të paharruar.

Në fund të aktivitetit, me emocion dhe mirënjohje, fjalën e mori Erl Murati, djali i autorit, i cili ndau me publikun disa reflektime personale mbi figurën e të atit. Ai foli për idealizmin e thellë që e shtynte ambasadorin të shkruante deri në ditët e fundit të jetës, për përkushtimin ndaj së vërtetës dhe për dashurinë ndaj Shqipërisë. Mes emocioneve, ai falënderoi organizatorët për respektin e treguar dhe për faktin që vepra e të atit po mbetet gjallë përmes lexuesve dhe institucioneve që e çmojnë mendimin e pavarur.

Në këtë mbrëmje përkujtimore dhe promovuese u prezantua dhe u rikonfirmua vlera e një zëri të rrallë kombëtar, që me guxim, argument dhe dinjitet, la pas një trashëgimi të çmuar për Shqipërinë dhe për brezat që do të vijnë.

Vepra “Antitabu si Katarsis i Mentalitetit Shqiptar” është tashmë në duart e lexuesve – një ftesë për të menduar ndryshe, për të kërkuar më shumë nga vetja dhe për të mbrojtur me zë të qartë interesin kombëtar.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT