Albert Bunjaku u shpreh i gëzuar që shënoi golin e parë historik të Përfaqësueses së Kosovës, ndonëse më shumë do ta gëzonte fitorja ndaj turqve.
E shënoi golin e parë historik të Përfaqësueses së Kosovës dhe një për një gjë të tillë është tejet i lumtur.
Megjithatë, Albert Bunjakun më shumë do ta gëzonte një fitore ndaj superfuqisë së futbollit evropian e botëror, Turqisë.
“Ishte kënaqësi që e shënova golin e parë të Kosovës, por pata dëshirë të fitonim. Gjithsesi, Turqia është një skuadër cilësore”, u shpreh Bunjaku.
“Besoj se edhe ndaj Senegalit do të jetë një ndeshje e vështirë dhe ne duhet të përgatitemi edhe më mirë. Shpresoj në një rezultat pozitiv”, shtoi tutje njeriu i cili do të futet në analet e historisë së futbollit kosovar, si futbollisti i cili shënoi golin e parë në një miqësore zyrtare ndërkombëtare.
Rashkaj i gëzohet përvojës së fituar
Në anën tjetër, kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Anel Rashkaj, theksoi se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të përfitojnë nga kjo ndeshje miqësore.
“Turqia është një prej skuadrave më të forta dhe nëse e shikojmë kualitetin e Turqisë, sigurisht se Turqia e meritoi të fitonte”, tha Rashkaj.
“Ndoshta ishte pak herët që të luanin ndaj Turqisë, marrë parasysh fazën që jemi. Por, gjithsesi kjo ishte një përvojë e mirë për ne për ndeshjet e radhës”, shtoi tutje kapiteni kosovar.