Nga Leonora Laçi/Pukë-16-korrik 2017/E nisa me këtë frazë motivuese, si mesazh premtues për të ardhmen, këtë e pash të shkruar në një nga afishimet në oborrin e kishës katolike të Pukës, dhe po e vendosi si kryeartikull sepse vërtetë ishte vetëm fillimi, pse-n do e gjeni në brendësi të këtij shkrimi.
Me datën 16 korrik isha në Pukë për të ndjekur nga afër meshën dhe festimet e jubileut të 25 vjetorit të hapjes së Kishës Katolike në Pukë dhe ardhjen e Motrave të Nanës Terezë ( tashmë shenjtresh) në Pukë.Ndonëse meskorriku, kjo e diele ishte e freskët. Sa herë udhëtoj për në Pukë kam kënaqësi, aq më tepër kur shoh që në Pukë po bëhen përparime e punime infrastrukturore, dhe rinia pukjane po shkollohet në universitete të ndryshme, pasi vetëm nëpërmjet dijes e arsimimit mund të përparoj një vend.
Ndërkohë që mesha e 25-vjetorit ishte në 17:00 të pasdites, përfitova nga rasti që të gjendesha në Kishën e Kçirës, për herë të parë, ku ndoqa meshën e predikimin e orës 11:00. Kisha ishte e rrethuar nga gjelbërimi dhe pemëtari.
Teksa zbrisja në Kishën e Kçirës, më zunë sytë një tabelë ku shkruante “Rruga At Paulin Markgjokaj u lind në 26 shtator 1908 në Kçirë, vdiq me 30 korrik 1975 në Vjenë të Austrisë”.
Me të mbërritur në oborrin e Kishës, që për mua ishte hera e parë që e vizitoja, shoh të shkruar se: “Kjo Kishë u dhurua nga Dom Anton Kçira”, gëzimi ishte i dyfishtë, ndërkohë që Dom Anton Kçira pas dy dekadave u gjend në atë kishë tashmë duke mbajt meshë dhe predikim, e unë isha dëshmitare e kësaj ngjarjeje.
Dom Antoni ishte i ftuar nga Dom Giovani Fiocchi, famullitar i Kishës katolike ne Puke për të kremtuar 25 vjetorin jubilar të hapjes së Kishës Katolike aty dhe ardhjen e Motrave të Nanes Terezë.
Dom Antoni shprehet se: “Pata fatin te predikoja në këtë Kishë dhe u ndjeva i emocionuar nga pritja dhe respekti qe treguan banoret të cilët mbushën stolat e Kishës dhe se një prift i mirë dhe puna e tij del në pah me besimtarët që shkojnë në Kishë, merita e kësaj i takon dom Giovanit”.
Dom Giovani, prifti italian i cili flet një shqipe perfekte, shërben prej 18 vitesh në Pukë dhe ka bërë një punë admiruese jo vetëm për përçimin e fjalës së Zotit por dhe si një shembull sesi duhet punuar dhe shfrytëzuar natyra dhe te mirat e saj për banoret vendas, i cili kishte krijuar punishte për përpunimin e produkteve vendase.
Në fjalën predikuese përveç meshës, Dom Antoni tha: “Shume prej jush jeni dëshmitaret e territ dhe dëshmitaret e dritës. Dëshmitaret e territ, koha e komunizmit pa fe e pa Zot, vuajtjet e juaja te pashpjegueshme te cilat nuk ka fjalë që mund t’i përshkruaj. Dëshmitarët e dritës jeni ju te rinjtë që keni jetuar demokracinë. Në kohen kur unë erdha në Kçirë në 1994, këtu vendi ishte i shkretë, e tani me punën e palodhur te dom Giovanit dhe juve, kjo zonë po lulëzon dita ditës.
Pas meshës Dom Giovani na qoi në punishtet ku bëheshin prodhimet vendase.
Pasdite ndoqëm meshën në ora 17:00, ku Dom Antoni u takua me Nuncin Apostolik Charls Braun, Ipeshkvin e Sapës Mons.Simonin, përfaqësues të klerit mysliman e besimtarë.
Pas meshës solemne u zhvillua dhe një aktivitet artistik. Dom Giovani u shpreh:- “Se duhet të shërbej ky 25 vjetor për të ngritur një pyetje të madhe se a ka Puka nevoje për një Kishe te madhe ?! Si dhe duhet punuar në këtë drejtim që të tjera përvjetore ta gjejnë popullin besimtar katolik te Pukës me kishën e re”.