TIRANË, 15 Mars /Ambasadorja Shqiptare në Amerikë, Floreta Luli-Faber dhe Ambasadori Amerikan në Shqipëri, Donald Lu i janë bashkuar shqiptarëve dhe amerikanëve në urimet e 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.
Në një video të postuar në ‘You Tube’, ambasadori Amerikan në Shqipëri, Donald Lu shprehet se, “Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë me një shkollë që mban emrin e presidentit Wilson, një rrugë që mban emrin Xhorxh Bush dhe një kafe me emrin e Barack Obamës”.
Është e vështirë, thekson ambasadori Lu, “të besosh se vetëm 25 vjet më parë Shqipëria dhe Amerika nuk kishin marrëdhënie zyrtare. Mund të duket kohë e gjatë, por në historinë e dy popujve dhe dy vendeve është vetëm fillimi”.
“Për mua Shqipëria është me të rinjtë e jashtëzakonshëm të saj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur gjatë këtyre 25 viteve. Më e mira nuk ka ardhur ende në marrëdhënien tonë. Ne qëndrojmë së bashku me krenari. Ky është vetëm fillimi”, shprehet ambasadori Lu.
Ndërsa ambasadorja Shqiptare në Amerikë, Floreta Luli-Faber shprehet se, “për popullin shqiptar SHBA-të kanë qenë gjithmonë simbol i lirisë dhe demokracisë. Kanë qenë shpresa që ka udhëhequr përpjekjet e atyre që luftuan për liri dhe demokaci. Në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhenive diplomatike dhe të miqësisë mes dy vendeve tona, sot SHBA-të janë bërë shtëpia e shumë familjeve shqiptare”.
“Ne do të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit edhe në të ardhmen. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner dhe mik i ngushtë i SHBA-së dhe ky është vetëm fillimi”, thekson ambasadorja Luli-Faber.(Gjergji Mima)
Shefqet says
Le ta gezojne te gjithe shqiptaret dhe amerikanet kete moment te rendesishem ne historine e bashkepunimit shekullor. Besoj se kjo ngjarje e rendesishme, do inicioje aktivitete te shumta pergjate ketij viti ne te gjitha fushat e bashkepunimit me SHBA.
Shefqet