Kryetari Mustafa: LDK-ja po e vazhdon rrugën shtetndërtuese të arkitektit të pavarësisë, Ibrahim Rugova/
Prishtinë, 14 maj 2016/ Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë të shtunën në shënimin e përvjetorit të 26-të të themelimit të degëve të LDK-së në Istog dhe Deçan.
Në këto dy manifestime morën pjesë qindra aktivistë dhe qytetarë të Istogut dhe Deçanit, duke konfirmuar mbështetjen e gjerë për LDK-në dhe veprimtarinë e saj shtetndërtuese politike.
Para të pranishmëve në tubimin e mbajtur në Istog, kryeministri Mustafa ka folur për fuqinë e pakontestueshme politike dhe rolin e LDK-së në zhvillimin e gjithanshëm të Istogut.
Kryeministri Isa Mustafa tha se Dega e LDK-së në Istog është një degë shumë e qëndrueshme, një degë e cila pareshtur i ka fituar zgjedhjet që nga paslufta.
“Dega e LDK-së e ka edhe simbolikën e vet, sepse është vendlindja e Presidentit Historik Ibrahim Rugova. Kjo degë, me fuqinë e saj gëzon respektin më të madh pasi që po e vazhdon veprën e Rugovës këtu”, tha kryetari.
Kryetari Isa Mustafa, po ashtu, foli për përkushtimin dhe punën e veprimtarëve të LDK-së në progresin konkret që po arrihet në këtë Komunë.
“Janë njerëzit punëtorë të cilët po e ndërtojnë komunën e tyre në mënyrën më të mirë, po i përplotësojnë detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe po tregojnë se janë koshient për përgjegjësinë të cilën e kanë marrë para qytetarëve të Istogut, por edhe para Kosovës. Sot në këtë 26 vjetor, përkujtohet vepra e të gjithë atyre që kanë punuar por edhe të rinjve që janë kyçur në LDK më vonë dhe zotimet se do të punojnë në interes të vendit”, tha kryetari Mustafa.
Ndërkaq, para të pranishmëve në shënimin e 26-vjetorit të Degës së LDK-së në Deçan, kryetari Isa Mustafa ka përkujtuar të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë kontribuar për LDK-në, që kanë vënë bazat e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.
“E përkujtojmë në rend parë Presidentin Historik, Ibrahim Rugova, njeriun i cili i ka meritat kryesore për Kosovën por edhe për demokracinë në regjion dhe më gjerë, njeriun të cilin e pranuan zyrat më të mëdha evropiane dhe botërore, njeriun i cili i hapi rrugën Kosovës dhe të vërtetës për Kosovën. Prandaj, ajo që sot kemi ne të gjithë, ajo që ne sot mburremi është pavarësia, themelet e të cilës i vuri Ibrahim Rugova si kryetar i LDK-së dhe si President i parë i Kosovës. Ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë atë rrugë, ta qojmë këtë vend përpara. Por detyrat tona natyrisht së ndërrojnë edhe në kontekstin e kohës sepse problemet me të cilat ne sot po ballafaqohemi nuk janë problemet e viteve të 90-ta, janë probleme tjera, janë problemet e një konkurrencë të ashpër politike, probleme të një konteksti tjetër ekonomik, social dhe ndërkombëtarë, por gjithsesi në ballafaqimin tonë në këtë ambient ne po bëjmë përpjekje maksimale që të ndjekim rrugën e LDK-së, që partinë tonë ta zhvillojmë si parti e qendrës së djathtë dhe që ta thellojmë bashkëpunimin me partitë tjera evropiane të qendrës së djathtë”, tha kryetari Isa Mustafa.
Ai më tutje tha se fitorja që u realizua me rekomandimin për liberalizimin e vizave, për MSA-në dhe sukseset tjera që janë arritur së fundi janë rezultat edhe i kontribut tejet të madh që kanë dhënë Partitë Popullore Evropiane, familja e partive evropiane, pjesë e të cilës është LDK-ja.
Kryetari Mustafa, po ashtu, ka folur për qeverisjen e vendit duke theksuar po mbahen premtimet e dhëna, duke përmendur përparimet e rëndësishme në zhvillimin ekonomik, ku është arritur norma më e lartë e zhvillimit në rajon.
“Kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, në këtë mandat Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe ka krijuar kushte që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të barabartë me gjithë qytetarët e tjerë evropianë. Kemi arritur të anëtarësohemi në organizatat më të rëndësishme botërore të sportit, këtë rast futbollit, dhe përmes tyre të jemi në metropolet kryesore të botës si Kosovë, me emblemën tonë shtetërore, me flamurin tonë, me dinjitetin tonë, me kulturën tonë. Ne po i shpërthejmë kufijtë të cilët i kemi pasur të mbyllur deri më tani”, tha kryetari Mustafa.
Kryetari Isa Mustafa më tutje ka thënë se do të punohet shumë dhe do të respektohet vota dhe besimi i qytetarëve dhe aktivistëve të LDK-së, që LDK-ja të zgjerohet, të rinohet, të ketë sa më shumë gra dhe të zhvillohet një konkurrencë e brendshme.
“Asnjë partie në qeverisje deri më tani, në këto vitet e pas luftës, nuk i është bërë destruksion i tillë i qeverisjes ashtu siç është na është bërë ne. Mund të ju them se jo 100 ditë, por ne si kemi pas as 100 orë normale të punës si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe në këto kushte ne kemi arritur që ta bëjmë punën tonë, kemi arritur që ta realizojmë programin tonë qeverisës dhe do ta arrijmë që ta realizojmë më shumë se sa kemi planifikuar deri më fund të këtij mandati”, tha kryetari Isa Mustafa.