Nga Enver KUSHI/
Këtë vit mbushen 56 vjet nga ekspedita gjermano-sh qiptare në Shqipëri dhe në Çamëri e zhvendosur në Fier e Vlorë (Babicë e Skelë) si dhe 48 vjet nga botimi në Berlin të librit “Muzika popullore shqiptare – këngët e Çamëve”, (Albanische Volkmusik, Gesange der Camen). Kam patur fatin të jem një nga miqtë e Prof. Ramadan Sokoli, një nga diturakët e rrallë shqiptarë, njohës dhe studiues i rrënjëve të kulturës popullore shqiptare veçmas i rrënjëve të tingullit shqiptar. Takimet dhe bisedat e shpeshta të miat me të, kanë qenë nga më frutdhënëset e befasueset. Ka qenë Prof. R.Sokoli, që së pari më ka folur për ekspeditën gjermano- shqiptare te çamët e Fierit e Vlorës si dhe për një këngë të rrallë vaje incizuar në Skelë dhe interpretuar nga Hamide Shabani – 40 vjeç. Grupi i studiuesve gjermanë erdhi në Shqipëri në maj të vitit 1957 dhe përbëhej nga Doris Stockman, Wilfried Fielder, Erich Stockmann dhe Johan Kyritz. Ekspedita ishte nismë e Institutit të Folklorit Gjerman pranë Akademisë së Shkencave të Gjermanisë. Ajo u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës së Shqipërisë. Nga pala shqiptare morën pjesë Ramadan Sokoli dhe Albert Paparisto. Siç shkruajnë muzikologët gjermanë, qëllimi i tyre ishte incizimi i këngëve popullore dhe melodive instrumentale me ndihmën e aparateve moderne të marrjes, për të kontribuar në dokumentimin e parë të rëndësishëm të muzikës popullore shqiptare. Në këtë drejtim Shqipëria kishte mbetur një njollë e bardhë në hartën e muzikës popullore të Europës Juglindore. Ato zgjodhën Shqipërinë e Jugut për të realizuar qëllimin e tyre dhe konkretisht siç shkruajnë autorët gjermanë “për të marrë shënime për muzikën popullore të tre grupeve shqiptare në Jug: Toskëve, Labëve dhe Çamëve, si dhe një praktikë këndimi shumë i vjetër, siç ishte polifonia. Instituti i Folklorit Gjerman në Berlin vuri në dispozicion të grupit 3 magnetofona me mikrofona dinamikë, 3 aparate fotografike dhe një aparat me film të ngushtë. Ata japin të dhëna për shtrirjen e toskëve, labëve dhe çamëve si dhe zonat ku kanë incizuar: Krahinën pranë Liqenit të Ohrit, Mokër, pllajën e lartë të Korçës, krahinën e Devollit, malësinë e Skraparit, fushën e Kolonjës, fushën e Vjosës, Myzeqe, Mallakastër, Berat, Elbasan, Lushnjë, Këlcyrë, Gjirokastër, Sarandë, Borsh, Himarë, Dukat, Vlorë dhe Kurvelesh. Incizime janë bërë edhe në zanën e minoritetit grek dhe nomadët vllehë. Mendoj se nuk është rastësi këmbëngulja e studiuesve gjermanë për të incizuar këngë çame. Jam i bindur se ata vinin në Shqipëri me njohuri për gjeografinë, historinë dhe kulturën e shqiptarëve në të gjitha trevat, ku ata shtriheshin. Me siguri njihnin mirë punën e albanologëve të shquar si Hahn, Bopp, Jokli, apo të atyre që janë marrë me kulturën popullore shqiptare si Habenlandt, Nopça, Lamberc, Vaigand, Pedersen (që ka publikuar edhe përralla nga Çamëria. Në qoftë se do të bënim një rikthim imagjinar gati 40 vite më parë, pra në vitin 1957, kohë kur u organizua edhe ekspedita shqiptarogjermane, nuk ka se si të mos ndjejmë akoma të freskëta plagët dhe dhimbjen e popullsisë çame. Është gjallë brezi që e ka parë me sytë e tij llahtarin dhe gjëmën e madhe. Fëmijët e viteve ’44-’45 janë më të madhuar, por në sytë e tyre ruhen pamjet e tmerrshme të tragjedisë. Të vdekurit, lënë bokërimave të tokës çame, u trokasin netëve dhe u prishin gjumin të gjallëve, trazojnë kujtimet. Por jo vetëm kaq. Është zhvendosur relievi i kulturës çame, janë zhvendosur vallet e tyre epike, këngët, baladat, përrallat, gojëdhënat. Dhe kjo është një zhvendosje e një lloji tjetër, më pak e dukshme, por më ulëritëse dhe më tragjike se plagët e bartësve të tyre. Incizimi i këngëve çame është bërë në Fier, Skelë dhe Babicë të Vlorës. Këngëtarët ishin, siç pohojnë studiuesit, nga i njëjti fshat, ose së paku nga e njëjta krahinë. Kështu këngëtarët e Skelës para vitit 1944, banonin në fshatrat Arpicë, Vola dhe Vaje të Gumenicës. Këngëtarët e Fierit ishin nga Mazreku dhe grupi i Babicës nga fshatrat midis Mazrekut dhe Mangëlliçit. Gjithsej janë 30 këngë të incizuara. Nga këto, në Fier 8 këngë (“Çelo Mezani”, “Mua më ra taksimi”, “Qaj me lot o Çamëri”, “Kalesh’ e Xhixho s”, “Luli me nishan në ballë”, “Ditën që u mor nisia”, “Mecovë e zeza Mecovë”,) në Babicë 8 këngë ( “Kjo anë e lumit”, “Ç’ke flamur që s’valon”, “Janinë e zeza Janinë”, “Ne porta të shkova”, “Thirri talili në malë” “Kamerini mal me fletë”, “Hiq kadale vallen’o”, “E mjera merr me zë” në Skelë 14 këngë (“Ulu mal të shoh Kastrinë”, “Kënga e Çelo Mezanit”, “Ti moj kull’ e Livadhisë”, “Ti më qesh , ti me ta”, “Berbaro, Vasiliko”, “Moj Mine, Minusheja”, “Ti fletë e lejmonit bardhë”, “Ra dielli mbi bajame”, “Të martën që me natë”, “Trëndelo, moj trëndelinë”, “Çu nis djali për kurbet”, “Nani-nani more djalë”, “Sha kriet tat babatho”. Libri në fjalë, me autorë Doris Stockmann, Wilfried Piedler dhe Erich Stockmann, botim i vitit 1965, me 302 faqe, përbëhet nga këto pjesë: PJESA E PARË: “Gjurmimi i muzikës popullore shqiptare deri në vitin 1957” “Ekspedita e mbledhjes shqiptaro-gjermane e vitit 1957 dhe shfrytëzimi i saj” “Vërejtje etnografike mbi çamët” të shkruara nga Erich Stochman; Pjesa e dytë “Gjurmime në muzikën vokale çame” e ndarë në kapitujt “Paravërejtje e të përgjithshme”, “Problemet dhe metodat e transkriptimit”, “Vërejtje botimi dhe shpjegimi i shenjave”, “Terminologjia”, “Figura dhe dhënia e formës e këngëve çame” “Këngë bordure polifonike”, “Këngë korale jo bordunale”, “Këngë burrash”, “Këngë grash”, Këngë solo”. Pjesa “Transkriptime dhe pjesa e fundit përmbajnë tekstet në variantin shqip dhe përkthimin gjermanisht. Mes shumë të dhënave, më ka bërë përshtypje një fakt që japin studiuesit gjermanë: Kur incizuam këngë vajtimi në Babicë, këngëtarja u =rek aq shumë, duke i harruar të gjithë të pranishmit, saqë neve u detyruam ta ndërpresim incizimin. Teksti i këngës është ky: Sha (pasha) krietë tat, babatho, Sha kurmin tënd baba, Ku do të të gjëjmë ne tani, Që na lëshoe Ore babatho e? Do të të gjuajnë djeltë, baba: Se neve nuku jemi në dhenë tënë babatho, Se neve jemi muhexhirë në vend të huaj babatho, Mos të ka pikunë vendi jot, Se ke ardhurë në botë të Shqipërisë, Baba ore! Do të të palosi bot’ e Vlorësë, Se ashtu e kishim të shkruarë babatho, Sha kurmin tën, ore baba, ore, Po qe jedh’ ndo-jerë të vemi në Në atë vatanë tën’ ore, vatrëz o? Që jemi berë muhaxhin’ o, Në botë të Shqipërisë o babatho. Vlera të mëdha për studiuesit e muzikës popullore ka transkriptimi i të 30 këngëve, bërë me profesionalizëm dhe kritere rigoroze shkencore. Po kështu, edhe tekstet e botuara në dialektin çam, përveç pasurisë gjuhësore, paraqesin interes edhe për elegancën e vargut dhe mjetet shprehëse si dhe finesën karakteristike të folklorit çam. Libri “Muzika popullore shqiptare, këngët e Çamëve”, është homazh për bartësit e folklorit të mrekullueshëm çam, një libër për kujtesën gjithmonë të pagjumë e të trazuar. Ai e pasuron bibliotekën evropiane dhe ndihmon studiuesit për t’ju rikthyer këngëve të çamëve.