
NGA ELMI BERISHA/ Kryetar i Vatrës/
2 Korrik 2020- Sot përkujtojmë një ngjarje madhore, që nuk mund të shlyhet nga Kujtesa historike. U mbushën 30 vjet nga akti historik i shprehjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës- shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Ky akt pati rëndësi të veçantë sepse paralajmëroi Pavarësinë reale që do të realizohej 18 vite më vonë, natyrisht në mes është Lufta për Liri, kontributi madhor i aleatit tonë SHBA & NATO, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe gjaku i dëshmorëve, akti sublim i Adem Jasharit dhe sakrifikimit dhe martirizimit te familjes së tij të madhe.
Edhe pse në atë kohë Deklarata e Pavarësisë ishte pa fuqi ligjore, pa njohje ndërkombëtare, ajo shërbeu si sinjal për Perëndimin dhe shprehu fuqishëm vullnetin e popullit të Kosovës, i cili nuk u tremb as nga rrethimi ushtarak, as marshimi e kërcënimi i tankeve, as nga snajperat mbi çatitë e ndërtesave, as nga burgosjet masive. Përmes Deklaratës së 2 Korrikut, qytetarët e Kosovës deklaruan fuqishëm aspiratat për Liri, Pavarësi e Demokraci. Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1990 do të kujtohet gjithmonë si akt largpamës, që i priu luftës të popullit të Kosovës për liri.
Për Federatën Vatra, ky akt mbetet gur themeli në rrugëtimin e gjatë drejt Pavarësisë, ku në finalizim kanë kontribut të pazëvendësueshëm aleatët tanë amerikanë.
Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte arkitekt i këtij rrugëtimi drejt pavarësisë. Që në 15 prill 1990 ai e kishte paralajmëruar Deklaratën e Pavarësisë.
Presidenti Rugova deklaroi publikisht atë kohë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” – Një parashikim I saktë, që e vërtetoi koha.
Dr.Rugova si kryetar i LDK-së, ku ishin bashkuar rreth 700 mijë anëtarë, përshëndeti dhe mbështet i pari Deklaratën e 2 Korrikut, duke e quajtur Deklaratën- një dokument historik për Pavarësinë e Kosovës.
E kujtojmë sot këtë Deklaratë si moment të rëndësishëm historik që bashkoi Kosoëvn drejt rrugëtimit për Liri e Pavarësi.
Liderët e sotshëm të Kosovës e pranojnë se Deklarata e 2 Korrikut ishte parathënsja e Pavarësisë.Presidenti Hashim Thaçi e konsideron një akt politiko-juridik,që ishte shprehje e vullnetit dhe aspiratave të popullit për liri, demokraci dhe pavarësi, të cilat i institucionalizuam pas një procesi të gjatë me shumë sakrifica.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, është shprehur në këtë 30 vjetor se: “Deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe ishte akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 Shtatorit të po atij viti(1990).”
Për Kryeministrin Avdulla Hoti, Deklarata e Pavarësisë ishte akt politiko-juridik, që shprehu vullnetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi, të cilat u institucionalizuan pas një procesi të gjatë me shumë sakrifica.
Vatra u është mirënjohës 114 delegatëve , që nuk iu friksuan dhunës ushatarake, kundërshtuan me kurajo hegjemonizmin sllav dhe i hapën rrugën pavarësisë, që u formëzua juridikisht me Kushtetutën e Kacanikut të 7 shtatorit 1990.
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”, po e ndjek me vëmendje situatën e pafavorshme të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku Serbia po bën të gjitha përpjekjet që të pastrojë krimin nga vetja dhe të barazojë viktimën me agresorin. Kjo nuk do të ndodhë. Vatra do të luftojë fort me miqtë amerikanë. Dialogu me Serbinë është i pashmangshëm dhe ne rekomandojmë dëgjimin e Këshillave që vijnë nga Shtëpia e Bardhë, nga Uashingtoni. Ne këshillojmë liderët politikë se situate e vështirë, që po përjeton sot Kosova, kapërcehet me unitet kombëtar,urtësi, bashkëpunim politik, maturi dhe dashuri Kombëtare për Shtetin tonë.
