Sokol Paja
Diaspora shqiptare në Amerikë, familja e miqtë kujtojnë me nderim dhe respekt atdhetarin Mehmet Mujaj në 6 mujorin e largimit në amshim. Kontributorët e çështjes kombëtare jetojnë përjetë në fronin e lavdisë e lirisë së një kombi. Sakrifica për atdhe është sakrifica më e shenjtë dhe më krenare e qënies njerëzore. Me fëmijëri jo të lehtë, Mehmet Mujaj arriti të ishte ombrella dhe shtylla kurrizore e familjes së tij deri në ditët e fundit të jetës tokësore. Ai përmbylli rrugëtimin e tij me ndershmëri dhe dinjitet. Puna, dedikimi për familjen, miqtë dhe çështjen kombëtare ishin krenaria nderi i tij jetësor. Bujar dhe mikpritës, punëtor dhe atdhetar, Mehmet Mujaj kishte vlerat e një shqiptari fisnik i cili do të kujtohet përherë me respekt dhe nderim nga familja dhe miqtë e tij të shumtë në Amerikë e Kosovë. Mehmet Mujaj tregoi kujdes të veçantë për çdo familjar dhe u përball me dinjitet e trimëri me regjimin serb dhe hakmarjen e tyre primitive kur i burgosën djali Sylën për 10 vite padrejtësisht. Mehmet Mujaj ishte një baba krenar për 11 fëmijët e tij. Jeta e Mehmet Mujës përmblidhet me një fjali të artë: Përherë në veprim dhe dobi të çështjes kombëtare. Me guxim dhe vendosmëri prej patrioti të flaktë, Mehmet Muaj ka marrë pjesë në shumë tubime kombetare si në vendlindje po ashtu në komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe gjerësisht këtu në Amerikë. Në SHBA shpesh ka marrë pjesë në tubime të Vatres dhe ishte mik shumë i nderuar i shumë vatranve të gjeneratës më të vjetër si me ish kryetarin e Vatrës Agim Karagjozi, Gjon Bucaj, Zef Perndocaj, Zef Balaj, Agim Rexhaj e shumë të tjerë duke mbajtur gjallë shqiptarizmën në Amerikë. Mehmet Ramë Mujaj u përcoll me nje ceremoni lamtumire 3 – 4 ditore dhe në praninë e qindra bashkëvendasve, djemve e vajzave ardhur nga anëkënd botës për ti dhënë lamtumirën e fundit. Nipi i Mehmet Mujës, Ylli Mujaj, djali i Ramiz Mujës në epitafin e lamtumirës qendisur me lot e dhimbje nga Ramiz Mujaj, Ylli dhimbshëm lexoi: “Lamtumire Bac, Sot na mlodhe tan kete njerezim por jo si ktyne here sikur u mledheshin ne oden e kulles tende te ftuar nga ti per gezime si edhe per hidherime. Na mblodhe edhe sot, por na mlodhe per met than ty lamtumire nga kjo bote. Ti tash po shkon, shkove qe te jesh banor i botes se amshueme, Ti po shko atje ku shpirti yt te jetoj i pa trazuar, afer yjeve, atje ku thonë që shpirti nuk shqetësohet ma nga vuajtjet e kësaj bote. Une ti njoha mirë nje pjese te vuajtjeve qe ti u perballove ne kete bote. Ti Bac me vyrtyte e një malësori në gjirin e këtyre kreshtave u mbijetove shumë vuajtjeve guximshëm shumë herë mes sakrificave qendrestare gjatë okupimit serbo Sllav. Bac sot po të thom: ti ishe një gjysh dhe një prind malësor me te gjitha virtytet, shembull për familje dhe komb. Lamtumirë Bac për në botën e paqes. Po te percjellim sot vellau yt Idrizi dhe motra jote Fatimja, familja jone e gjërë, djemtë e vajzat tua, nipat, mbesat, sternipa e stermbesa, Katund kusheri miq dashamir e farefisi qe janë sot ketu pranë teje me të thanë lamtumirë. Te kjoft i lehtë dheu i tokës Dardane që ti e deshe shumë. Shpirti yt pushoftë në qiell tek yjet e pa trazuar. Lamtumirë Bac” përmbylli Ylli Mujaj epitafin e lamtumirës 6 muaj më parë. Mehmet Ramë Mujaj pushon sot i qetë në fshatin e vendlindjes së tij e të parëve të tij në Dukaj. Vepra e tij do të kujtohet e nderohet si një prej kontributorëve të çmuar në përpjekjet për shqiptarizmën përtej Atlantikut. Nderim të lartë Mehmet Mujës dhe çdo patrioti që ka në themel të jetës e veprës së tij familjen, atdheun e kombin.