REFLEKSIONE NË PËRVJETORIN E PAVARËSISË TË KOSOVËS/
Nga Azgan HAKLAJ/
Nga beteja e largët e Fushë-Kosovës e vitit 1389, betejë e cila ndryshoi kahjen historike të shteteve të Ballkanit, shqiptarët e Kosovës kanë udhëtuar për 6 shekuj me ëndrrën e lirisë. Ata kanë përcjellë stafetën e saj, si një amanet të shenjtë brez pas brezi. Me përpjekje titanike, me vendosmëri të pashoqe e duke i thirrur fort kujtesës së tyre historike, ata i mbijetuan Perandorisë Otomane, Mbretërisë Serbe e Federatës Socialiste Jugosllave. Ata qëndruan stoik përballë shpërnguljeve masive të qindra mijëra shqiptarëve dhe projekteve kolonizuese e shfarosëse të Çubriolloviçit, Qosiqit, Andriçit e akademive e ideologjive shoveniste serbe.
6 shekuj me rradhë toka e Kosovës u bë epiqendra e kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi. Jo rastësisht, në Kosovë e nën udhëheqjen e prijësve të tyre: Ymer Prizreni, Iljaz Pashë Dibra, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Naxhip Draga, Bedri Pejani, u krijua Lidhja e Prizrenit e vitit 1878, Lidhja e Pejës e vitit 1900.
U mblodhen kuvendet e mëdha të Verrave të Llukës, Junikut, Ferizajt, Shkupit, të cilët organizuan kryengritjet 1909-1910-1911. Në këto kuvende u hartua Platforma për Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 për Shpalljen e Pavarësisë dhe bashkimin e trojeve Shqiptare në një shtet të vetëm.
Konferenca e Londrës e vitit 1912 me vendimet e saj legjitimoj ripushtimin e Kosovës nga Serbo-Malazezët e shkëputjen e saj nga trupi i Shqipërisë. Ato lanë pjesën më të shëndetshme e vitale të atdheut të vetme në betejën për mbijetesë.
Beteja politike e diplomatike e Shtetit Shqiptar 1920-1928 e më vonë e Mbretërisë Shqiptare në vitet 1928-1939 pranë Lidhjes së Kombeve e Fuqive të Mëdha ishte një fitore si e Pirros. Kjo për faktin se nuk arriti të ndalë zbatimin e Marrëveshjes Turko-Jugosllave të vitit 1937, e cila solli dëbimin e 25.0000 Shqiptarëve nga trojet e tyre. Ata u zëvendësuan me kolonë serbë, malazezë e boshnjakë.
Intelektualët e rinia studentore e Kosovës, me demostratat e mëdha të viteve 1981-1989 e tronditën nga themelet Federatën Socialiste Jugosllave dhe deligjitimuan pushtetin e tyre në Kosovë.
Krijimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kushtetuta e Kaçanikut dhe vizjoni gjenial i liderit Ibrahim Rugova me konstruktivitetin e Pavarësisë e të shtetit demokratik të Kosovës e kthyen çështjen e saj në rend të ditës të SHBA-së e fuqive perëndimore.
Luftë guerile e bërthamës së UÇK-së, ku spikatën aksionet e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Masakra e Reçakut, epopeja e Adem Jasharit, jetësuan ndërhyrjen e NATO-s. Kjo ndërhyrje u gershetua me mbështetjen e qindra mijëra luftëtarëve të lirisë. Beteja fitimtare e Koshares, e udhëhequr nga Agim Ramadani, Sali Çekaj, Rrustem Berisha shembi piramiden e kufirit Shqipëri-Kosovë.
Kryefjala e qëndresës u bë Rrafshi i Dukagjinit, i prirë nga strategu Ramush Haradinaj. Ai udhëhoqi si gjeneral De Goli dikur Francën ndaj gjermanëve. Asnjëherë nuk iu shmang përballjes e betejave me milicinë ushtarake serbe. Heroizmi i Luan e Shkëlzen Haradinajt, Fehmi e Xheve Lladrovsit, Adrian Krasniqit, Bedri Shalës e Bekim Berishës, Tahir Sinanit dhe Mujë Krasniqit, Njazi Azemit, Agron Ramës janë monumente të mëdha në panteonin e lirisë të Kosovës, përkrah Zhuj Selmanit dhe Sefë Koshares.
Fitorja e NATO-s dhe e luftëtarëve të lirisë së Kosovës ndaj Serbisë jetësoi Konferencen e Rambujesë, ku natyrisht veçojmë elegancen politike të Hashim Thaçit. Vendimet e saj u çertifikuan nga Marrëveshja e Kumanovës që do të çonte në vendosjen e Protektariatit Ndërkombëtar në Kosovë.
6 vjet nga shpallja Shtet i Pavarur, Kosova, ka arritur atë që iu mohua për 600 vjet, krijimin e shtetit të pavarur e demokratik, njohjen ndërkombëtare e krijimin e institucineve legjitime të shtetit të saj. Sot Kosova është pjesë e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare, e njohur nga vendet më të fuqishme e demokratike të botës, e vendosur në rrugën e vet si pjesë e pandarë e BE-së dhe NATO-s. Reformat e mëdha në arsim, shëndetësi ,ekonomi, në autonominë e qeverisjes vendore, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, integrimi i minoriteteve e beteja ndaj papunësisë e varfërisë janë sfidat kryesore në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Në këto 6 vjet Kosova ka demostruar aftësi shtetformuese e pjekuri politike përmes zhvillimit të zgjedhjeve të lira e demokratike. Ajo ka arritur progres në respektimin e lirive e të drejtave të njeriut. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të jenë një shtytje e fuqishme e proceseve demokratike e reformave dhe e përgjegjësisë të Qeverisë ndaj qytetarëve të saj dhe aleatëve të mëdhenj, me të cilët është i lidhur fati dhe e ardhmja.
Meqënëse jemi në vit elektoral e Kosova do t’i drejtohet për pak muaj kutive të votimit, mendoj se qytetarët e saj janë ndërgjegjësuar dhe me votën e tyre do të mbështesin masivisht De Golin shqiptar, Ramush Haradinajn.