
Dr. Entela KOMNINO/
“Lajmi i shikuar- një histori më vete”
Rrethet mediatike elitare, duke u rrokur të arsyetojnë mbi masën dhe mënyrën e ndikimit në publik, kanë “cmitifikuar” eksperimentin e Pavllovit mbi reflekset e qenit, duke bërë humor mbi pretendimin e qenit tashmë, se, nuk është Pavllovi ai që e mësoi qenin të hajë kur ndizet drita, por ky i fundit që mësoi Pavllovin ta ushqejë, pasi ndez dritën.
Televizioni shqiptar hyri pak më shumë se 65 vjet me parë, në marrëdhënien e gatshme media- publik të sistemit të ekonomisë së planifikuar, që kishte gjithashtu pyetjen e përhershme, se kush e ndez “dritën” ose kush i bën lajmet. Në këtë të ngjarë, “Mediatizimi i historisë dhe historia e mediave”, përkon më së miri me përpjekjet për të kuptuar realitetin historik të lajmit televiziv në jetën e Shqipërisë së pasluftës, Luftës dhe Post- Luftës së Ftohtë përmes raportit ushqyes që ka publiku me median. Dhe pikërisht;
- Pikënisjet dhe ecuritë teknologjike
- Tipologjitë e zhvillimit
Faktet e transmetimit, por dhe kapaciteteve shpërndarëse të këtij transmetimi janë një mënyrë e të treguarit të lajmit të shikuar. Përzgjedhja e fakteve sipas marrëdhënies jetike “transmetim- përcjellje” në funksion të shpjegimit të tyre, shkon natyrshëm më tej në funksion të një tregimi dhe shpjegimi alternativ të lajmit të shikuar.
- Pikenisjet dhe ecuritë teknologjike
- Datat kalendarike të lajmeve sipas datave të televizionit
- Fillimi eksperimental
Takimi i televizionit me publikun shqipar ka qenë që në kohën e transmetimit të parë në botë; Revista “Minerva” e 15 qershorit 1933 me foto shpjegon në legjendë se c’do të thoshte një figurë e riprodhuar që lëvizte. Si realitet, televizioni vjen në Shqipëri 30 vjet më pas, i njoftuar nga “Zëri i popullit”, 1 maj 1960. Radiodifuzioni, një sinjal televiziv me fuqi 20 vat që shpërndan figurë vetëm në Tiranë, i transmetuar vetëm në tre ditët e fundit të javës, ndonëse i dhuruar, me kosto 2 milionë rubla, iu bashkëngjit radios duke u parë si vazhdim i gazetarisë dhe jo i teknologjisë. Një redaksi që ka përgatitur “emisione muzikore, letrare, dialogje etj… mund të filloje të japë dhe lajme”.
Për sa më lart, lajmet nuk kanë filluar me nisjen e transmetimeve televizive, por nuk kemi ndeshur asgjë zyrtare që ta njoftojë. Redaktorë në vite dëshmonin në mënyra të ndryshme programe që afronin me lajmet përgjatë ‘60-’71-shit, pa data të sakta, megjithatë me të përbashkëtën, që, lajmet e para lexoheshin njoftime në studio, për t’u kombinuar gradualisht me ilustrime, po në studio, psh nga prodhimet e një uzine për të cilën flitej në lajm, ose marrja e kronikave filmike nga Kinostudio. Realizimin e kronikës së parë jashtë studios për lajmet televizive e dëshmon Alfons Gurashi(1967) për disa ndërtime në Tiranë. “Duhet të kemi parasysh dhe që në atë kohë kërkohej të xhirohej që në kombinatin “Mao Ce Dun” u realizua plani dhe duheshin vetëm ca pamje nga kombinati, të mjaftueshme për atë strukturë teksti dhe që plotësonte kërkesën e publikut”, kujton ai. Në vitin 1968 dëshmohet një redaksi e quajtur e aktualitetit, ndërsa vetëm në vitin 1969 dëshmohet kronika e parë televizive, që vjen bashkë me shtimin e ditëve të transmetimit, 4 në javë.
Në të njëjtin vit Radiodifuzioni quhet Radiotelevizion, shkëputet nga Ministria e Arsimit dhe hyn në varësinë e fuqishme të Këshillit të Ministrave. Në strukturë, ”Lajmet kryesore” i ngjiten mesatarisht pesë emisioneve për secilën nga katër ditët e transmetimit në javë.
- Lajme periodike (1971-1991)
Transmetimi i rregullt i përditshëm zyrtar, nga një godinë e re (ku ndodhet dhe sot) dhe me aparatura të plotësuara mbahet në ditën e nisjes së Kongresit të radhës së Partisë, 1 nëntor 1971. Gazetaria televizive u vendos në mënyrë të sofistikuar në të njëjtin terren të gazetarisë në vend me theksin që “Në informacion (në televizion) më tepër se në cdo formë tjetër të propagandës shfaqet karakteri klasor, pozita politike e ideologjike.
Në gjykimet e sotme, ajo që na jep natyrën e lajmit të transmetuar, është analiza tematike e lajmeve, të ruajtura, shumë pak me zë, ndërsa kronikat pa zë nuk kanë tekstet. Në këto kushte, në vitprerjet 1975 dhe 1985, është kërkuar të krijohet një “mostër” analize mbi titujt me të cilat është ruajtur kronika.
| VITI | Materiale të ruajtura në minuta | Materiale të ruajtura në njësi | Gjatësi mesatare e lajmit | Mesatare e materialeve të ruajtura për edicion | Mesatare e materialeve të ruajtura për edicion në njësi |
| 1975 | 3135’ | 2814 | 1’11’’ | 9’35’’ | 8 |
| 1985 | 4450’ | 3491 | 1’27’’ | 13’11’’ | 9-10 |
Tematika e lajmeve të ruajtura në njësi e përqindje;
| VITI1975 | Bujqësi | Industri e ndërtim | Sociale | Ekonomi | Kulturë | Arsim e shkencë | Politikë | Shëndetësi | Sport |
| njësi | 1030 | 602 | 417 | 377 | 180 | 104 | 61 | 30 | 13 |
| përqindje | 36.6% | 21.3% | 14.8% | 13.3% | 6.3% | 3.6% | 2.1% | 1% | 0.4% |
Nje minutazh mesatar ditor i ruajtur (9’35”), më shumë se një e treta e edicionit të lajmeve, lejon të karakterizohet natyra e lajmeve ku duket zotërimi i tematikës bujqësore, 36.6%, në kronika-rubrika “Realizimi i planit-detyrë e të gjithëve” ose “Cështjet e ditës në bujqësi”, e shoqëruar me një homogjenitet e rutinë sezonale të tipit të lajmërimit. Sistematika, por pa relevancë kombëtare, ekspozon dhe tematikën industriale, 21.3%. Apeli i lajmit realizohet përmes arritjeve të një ndërmarrjeje duke synuar popullin për realizimin e planit; “Në Elbasan, në Kombinatin Metalurgjik, aksionistët dhe ndërtuesit janë përfshirë në një valë entuziazmi dhe mobilizimi” ose “Vit sulmi për punonjësit e bazës mekanike të kombinatit “Mao Ce Dun” në Berat”, ose dhe thjeshtë “gjendje” shembulli si “Kolektivi pararojë i bazës mekanike të ndërmarrjes së montim industriale në Tiranë”.
Në mes të viteve ’70, informacioni zë 24% të programit, 8 orë e 35 minuta në javë, me: edicione lajmesh, rubrika sportive, emisione aktualiteti nga vendi dhe bota. Mbulimi i vendit me sinjal është rreth 60% dhe një minutë televizive e llogaritur me shpenzimet efektive sipas kontabilitetit ishte 115 lekë në një raport harxhimi filmi 1:3.
Ne 1983 ende nuk ka përfunduar transmetimi i plotë me ngjyra (rreth 70%). Publiku përballë ishte një aparat televizori “në cdo 15 banorë”. 15 vjet pas fillimit të transmetimeve të rregullta në vend, tematika e ruajtur na jep këtë pasqyrë:
| VITI1985 | Bujqësi | Sociale | Ekonomi | Kulturë | Politikë | Arsim e shkencë | Shëndetësi | Sport | Të vecanta |
| njësi | 1203 | 677 | 590 | 307 | 259 | 212 | 56 | 27 | 160 |
| përqindje | 34.4% | 19.3% | 16.9% | 8.7% | 7.4% | 6% | 1.8% | 0.7% | 4.5% |
Në raportet e analizës flasin edhe për “kronika të cilat jo vetëm nuk kanë dhënë eksperiencën e mirë, por kanë bërë te telespektatorët efektin e kundërt.” Një specialist është ankuar se, sipas kronikës, procesi i vaditjes nuk është treguar i saktë”.
1.1.2.1 Lajmet nga bota
“Kanë qenë që në fillim, të thata, refleks redaksional i buletinit të ATSH-se, gradualisht me pak ilustrime”, dëshmon Virgjil Kule. “Lajmi zgjaste normalisht 30”. Struktura ishte 6-8 minuta, ngjarje nga bota që përbënin 1/3, ¼ e edicionit. Shërbimi me film 16mm realizohej nga agjensia Visnews që vinte rregullisht deri nga vitet ‘82-‘83. Përdorej dhe Raiuno dhe Raidue, nganjëherë dhe Beogradi për figurë”, thotë Afërdita Sokoli, për vitet kur lajmet nga bota u stabilizuan si strukturë. “Në lajm jepeshin në përgjithësi të dy palët e konfliktit; fronti i luftës nacionalclirimtare dhe diktatorët në përgjithësi. Personalitete të botës së ndaluar politike ishin të ndaluar dhe në ekran deri nga vitet ‘83-‘84-‘85. Papa, p.sh., hyri shkallë- shkallë me idenë për ta goditur. Lajmi për takimet e super të mëdhenjve jepej dhe shoqërohej me koment që atë natë për atë që ndodhi”. “Ministria e jashtme njoftonte aktivitete për Shqipërine jashtë atdheut. Zyra e përhershme e shtypit dhe informacionit në KQ jepte gjithashtu material të seleksionuar të shtypit m-l të cilat renditeshin sipas një radhe protokoll; fillonte me Aktivitete për Shqipërine jashtë atdheut dhe në vend të gjashtë ishte Kosova me ngjarjet – lajm i ditës me qëndrim të gatshëm dhe shtypi për ngjarjet në Kosovë.”
1.1.3. Pas viteve ‘90
Vitprerja 1991
| Buj-qësi | Sociale | Industrindërtimtransport | Ekono-mi | Kulturearsimshkencë | Politikë | Feta-re | Shënde-tësi | Ndih-ma | Legjislacion | Të ndry-shme | |
| Lajme | 10 | 88 | 17 | 75 | 71 | 621 | 22 | 11 | 33 | 68 | 18 |
| Minu-tazh | 42’ | 306’ | 53’ | 332’ | 253’ | 2762’ | 61’ | 11’ | 116’ | 421’ | 45’ |
| Gjatësimesatare | 4.2’ | 3.4’ | 3.1’ | 4.4’ | 3.5’ | 4.4’ | 2.7’ | 3.1’ | 3.5’ | 6.1’ | 2.5’ |
Kronika “kthesë”, bashkëshoqëruese e kthesës politike në vend konsiderohet “Rënia e bustit të Enver Hoxhës”. Kronikat e ngjarjeve të dhjetorit 1990 e deri në shkurt, kishin patur presionin shoqëror për t’u pasqyruar, bashkë me direktivat e partisë në pushtet që të vazhdonte të kontrollonte dhe ndryshimin. Njerëzit në Tiranë, që kishin qenë pjesëmarrës ose kishin mësuar ngjarjen, prisnin transmetimin si sinjal të momentit politik, por sidomos të vazhdimit. Mbi këtë kthesë, ne kemi ndarë “mostrën” tjetër të analizës tematike. Në raport me transmetimin 30’, ruajtja është rreth gjysma, 49.8%, ndërkohë që gjatësia mesatare e njësisë televizive informative ka shkuar në 5’27”.
1991 i ka dhënë ekskluzivisht vendin politikës. Po ashtu shfaqen tematika të reja, sic janë ajo e ndihmave dhe fetare. Nga spontaniteti i përzgjedhjes, vërehet një përftim pasiv i situatës si rrjedhojë dhe e zhvillimeve shumë të mëdha.
Vitprerja 2010
Njezetë vjet pas kthesës, Politika ka mbetur ekskluzivitet i zënies së kohës së lajmeve. Në statistikën zyrtare të tematikës së transmetuar ajo është shpërndarë në 5 nënzëra; politikë, veprimtaria e Presidentit, e qeverisë, e parlamentit dhe e qeverisë vendore, duke përbërë në TVSH 48.63%, ndërsa në dy televizionet e tjera kombëtare, Klan 42.25%, Top Chanel 33.28%. Ndërkohë, Televizioni shqiptar, i ligjëruar që nga viti 2000 si publik, ka angazhimin më të madh tematik social, 22.09% krahasuar me 18.02% e 15.62% të lajmeve që kanë dy televizionet e tjera kombëtare. Ekonomia është në kufijtë e 5-6% në të tre televizionet e tematikat e tjera japin një shpërndarje relativisht pa domethënie për profilin, me përjashtim të Top Channel që vlerëson me diferencë në minutazh transmetimi lajmet nga Kosova/Rajoni dhe ato ndërkombëtare.
2. Tipologjitë e zhvillimit të televizionit shqiptar
“Zhvillimi tekniko-shkencor i shoqërisë dhe grada e organizueshmërisë së interesave ka ndikim vendimtar mbi prodhimin e lajmeve”, thotë Paetzold.
Televizioni shqiptar ka marrë formulat teknologjike të zgjidhura për të gjithë për të komunikuar brenda realitetit shqiptar, sa dhe është impostuar për të realizuar atë që konstaton Altschul: “Detyrë e medias në shoqërinë…e planifikuar është formimi i mendimit dhe ndryshimi i opinioneve”.
Referuar sa më lart, karakterizimi qendror lajmeve lidhet me atë se;
2.1. Sa dhe si është dhënë ajo që ka ndodhur
Sllogani tipik rutinor “Ju flet Tirana!”, i trashëguar nga fillimet e radios para luftës, është domethënës edhe për hyrjen; “Po japim lajmet!” dhe kjo jo për shkak të natyrës së gjuhës shqipe, por të asaj që ne sot e shohim si përbërësin më të qartë të qëllimit të lajmeve.
Lajmet i janë dhënë një publiku, të cilit një aparat televizori i kushtonte tetë rroga mujore, kur i jepej dhe autorizim për ta blerë. Fillimi pa datë zyrtare bëhet dhe më paradoksal në faktin që kronika e parë e ruajtur është e 1969-s, ndërsa telekronistët, madje rrethesh, ka patur që në ’68-n. Skema mbi të cilën hyjnë lajmet periodike në transmetim është e intensifikuar deri në ideologjizimin e faktit teknologjik; “Në radhë të parë figura është pasqyrimi i një synimi të caktuar politik”. Duke e parë formimin si shkak të parë në binomin e estetikës së kohës “Formim-informim”, me zbatimin e tij në lajmin e shikuar mund të përkufizohet një nga terrenet tipike të manipulimit të këtij prodhimi. Pra fakti që, informimi vjen nga- dhe pas formimit, madje është dhe e kundërta e tij, e shkurajon thelbin e informimit që është dhe funksioni kryesor tekstual i lajmit. Artikulimi “jap lajmet” shfaq më se qartë mospërputhjen reale, por njëkohësisht “zyrtarizimin” e relevancës së dalë nga realiteti në Shqipëri me modelin e krijuar të lajmit pas veprimit të asaj që Schuman e quan fshehja e pozitës së vërtetë të interesave, duke bërë fjalë për përdorimin ideologjik të gjuhës. Lajmet “jepen” jo sepse kanë ndodhur, sic është funksioni rëndom normal i paraqitjes së tyre në botë, por sepse dhënia është “një dëshmi e domosdoshme për të fshehur pozitën e vërtetë të interesave”. Në këtë pikë vjen në diskutim objektiviteti për të cilin Paetzold përfundon se “nuk është ende lajm nëse përmend persona, vende e modalitete të një veprimi, ngjarjeje ose procesi politik…objektiviteti lidhet me arsyen se përse dicka e shpallur në media është relevante dhe kjo më tej me atë që ka interesa për ta shpallur këtë”. Kjo është pyetja që mund të zbërthente lajmin televiziv të kohës të tipit “Kinemaja Tefik Lapani tejkalon detyrat e planit” ose” Katër kolektiva punonjëse e presin me entuziazëm fitoren e popullit kamboxhian”, por dhe në ditët tona duke iu referuar medias elektronike, sidomos në kushtet e alternativës së medias së rrjeteve sociale. Relevanca dhe shpallja e interesave për ta transmetuar “një të ngjarë” tregojnë impostimin e vërtetë të medias si stacion, ose si nivel kombëtar a global.
2.2. Rutina normative dhe e jashtëzakonshmja e “Heroit të punës socialiste” mbi skeleton e “është e vërtetë sepse është transmetuar”
Modeli është intensifikuar deri në krijimin e “heroit” që ishte “i punës socialiste” e që punonte përtej viteve 2000. Ky prodhim propagandistik, i dalë nga skema ekonomike e planit të realizuar, vjen mbi një terren lajmesh ku mungon sensacioni, po kurioziteti ose tejkalimi i normales merret si i vërtetë, mirëqenë, i parakuptueshëm, sepse është arritje. Marrja pa diskutim e absurdit ka lejuar atë që Shmitz e njeh si premisë ekstreme relativiteti, që të con tek një jetësim i tillë morali informimi; “ndodh si në mite e enigma, informacionet dhe përvoja që vijnë pranë tyre kanë të bëjnë me dijen, por ka përgjigje për të cilat nuk është e mundur asnjë pyetje. Kjo ka ndodhur në tërësi në sistemin e lajmit dhe të komunikimit në Shqipëri, kur fakti shoqëror ka ardhur i përfunduar në media. Heronjtë që jetonin realitetin e më shumë se 20 viteve të ardhshëm, ishin objekt i fantastikes në filma, kurse në lajmin e shikuar në Shqipëri, modeli agjitativ-propagandistik e sjell rutinë, në vend të informimit dhe si realitet pa pyetje, duke prekur me skemën e transmetimit të propagandës deri në kufijtë e të ndodhshmes; është e vërtetë sepse është transmetuar. Në këto raste gjykon Schmitz “forma e lajmit” është “përshpejtimi i historisë”, dalë si “rezultat semiotik”. Realiteti i shifrave të sistemit ekonomik ka përcaktuar mbi emulacionin heroin pa asnjë bazë reale me të mundshmen, madje edhe të atyre shifrave, duke bërë që koha si cilësi e realizimit të shifrave të përshpejtohet vetë, dhe të “arrijë të jetohet” nga individë që nuk ishin aq vjec sa tregonte realizimi i planit. Mundësia që ky model të funksiononte, lidhet me atë që Neumann e sheh si “masë me të cilën janë vulosur në disa pika nga masmedia konsonanca, akumulimi për të ndikuar në formimin e opinionit publik. Ky i fundit vjen i përfundueshëm në situatë gati laboratorike, kur konsonanca është tepër e matshme”. Ekrani në “laboratorin” shqiptar i ka kontribuar inventarit të kontrollit sepse realiteti “99.99%” i votës e ka maksimizuar konsonancën në cakun më të lartë të ndikimit mbi opinionin publik, duke penguar ose shuar perceptimet selektive. Dhe, sipas Neumann, sa më shumë të ndodhë kjo, aq më shumë mund të ndikohet një kolektiv.
2.3 Cilësia e funksionit të lajmit në pluralizëm politik e mediatik
Hickethier thotë se fazat e asgjësojnë njëra-tjetrën në atë masë që zëvendësojnë cilësinë e funksionit.
Cilësia e funksionit e lajmit të shikuar, 20 vjet pas ndryshimeve të premisës shoqërore e politike, ka reflektuar sipas meje dy prirje orientuese; fillimisht imitimin e sistemit global të informimit me burim perëndimin duke “dhënë” thuajse cdo gjë per lajm dhe vitet e fundit ka ardhur duke përforcuar prirjen kundrejt seleksionit të brendshëm të lajmit. Stabilizimi i jetës politike në vend dhe rivlerësimi i aseteve jetike po brenda vendit kanë kthyer referencen orientuese për lajmin që shfaqet si relevancë. Nga ana tjetër globalizimi përmes teknologjisë ka vazhduar të ushtrojë presion mbi performimin e informacionit sa dhe shfaqjet e informimit në rrjetet sociale, që po përmbysin “perandorinë” e rutinës kohore të edicioneve të lajmeve. Duke kaluar nga “përgjigjet pa pyetje” tek bashkëveprimi teknologjik-shoqëror për drejtim të globalizuar të lajmeve, me rënien ndjeshëm të situatës me pyetjen thuajse zhargon; “E ka dhënë Tirana?” mbetet sërish pyetja tjetër; “Kush ka interes të fokusojë relevancën e lajmit përmes editorialit të transmetimit?”
Për nga origjina e saj, por dhe perspektiva e planifikuar, kjo është një pyetje që e kalon 100 vjetorin e Shqipërisë moderne, duke lënë të hapur si praktikën ashtu dhe shqyrtimin e lajmit të shikuar.
3. Përfundime
Në pesëdhjetë vjet të transmetimit të tyre lajmet televizive kanë reflektuar shoqërinë shqiptare në të gjithë përmasën e lejuar. Për rreth 30 vjet, ky lejim ishte ngurtësisht i sforcuar sipas detyrim-përcaktimit monopartiak duke shuar ose penguar perceptimet e ndryshme të publikut.
Lajmi i shikuar ka pasqyruar ngjarjet e mëdha të vendit. Kjo ka ndodhur edhe në kushtet e diktaturës së autarkisë totalitare dhe atë të ndryshimeve të mëdha politike, përkatësisht me diktatin e modelit e më pas me përvetësimin gradual të lirisë së shprehjes.
Në vitet e lirisë së shpallur të shprehjes, lajmi i shikuar ka ndjekur lëvizjen fillimisht kaotike e gradualisht në stabilizim të shoqërisë e politikës, ndërsa më pak atë të ekonomisë së tregut.
Interesi i lajmit të shikuar, i shprehur në tematikën e tij ka lëvizur nga ai bujqësor tek ai politik. Shkak kryesor për këtë ka qenë ndryshimi i shoqërisë shqiptare me ndryshimin e regjimit politik.
Vitet e shënuara për lajmin e shikuar janë rreth gjysma e atyre të shtetit shqiptar modern, por si moshë teknologjike e fenomenit, jo shumë larg zhvillimeve europiane e perëndimore. Edhe për këtë arsye, por dhe për shkak të ecurisë më të shpejtë që duket se pëson publiku shqiptar, lajmi i shikuar gjendet përballë sfidës së ecjes marramendëse të teknologjisë që bashkë me faktorë të tjerë po ndikojnë pashmangshëm një pjesë publiku, duke e bërë këtë të fundit pararendës përkundrejt cilësisë aktuale të funksionit të lajmit të shikuar.
Bibliografi
Altchul, J.H. Agenten der Macht. Die Welt der Nachrichtenmedien, eine kritische Studie. Konstanz, 1989.
Arkivi i shtetit
Arkivi i RTSH
Hickethier, K. “Phasenbildung in der Fernsehgeshichte”, Ein Diskussionsvorschlag. Tek Helmut
Kreuzer/Helmut Schanze (Hrsg.): “Fernsehen in der Bundesrepublik Deutschland: Perioden,
Zäsuren, Epochen. Heidelberg: Winter 1991, fq.11-37.
Hoxha, E, “Vepra 26”, Tiranë, “8 Nëntori
Komnino, E, “30 minutat e darkës 20.00”, Tiranë, Eurorilindja, 1997
KKRT, Raport mbi transmetimin e lajmeve, 2010
Stillo. K, “Tribuna e gazetarit” 1975/6
Neumann, E-N, Kumulation, Konsonanz und Oeffentlichkeitseffekt, tek “Publizistik” 1973/18,
Paetzold, U, Nachrichten, von wem, fuer wen? Beispiel: ARD – Tagesschau, Tek Politische Orientierung durch Fernsehnachrichten. Tutzing 1973,
Schuman, H.G, “Ideologische Problemen der Nachrichtensprache” tek “Nachrichten, Entwicklungen, Analysen-Erfahrungen”, Muenchen, 1975
Schmitz, Postmoderne Concierge. Die Tagesschau. Vorwelt und Weltbild der Fernsehnachrichten. Opladen, 1989,