Nga Fritz RADOVANI*/
AT ANTON HARAPI O.F.M.(1888 – 1946)/
20 SHKURT 1946 – 2016…/
■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.
■Më falni se po e persëris: “…duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Kjo bisedë u zhvillue me 20 Shkurt 1946…
■Me 4 Mars 1946, zbatohet porosia e ambasadorit Titos në Tiranë, pra pushkatohet edhe At Gjon Shllaku O.F.M., me grupin e organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”…
■Me 15 Nandor 1946, Kuvendi i Françeskanëve në Shkoder kthehet në qender torturash të hetuesisë së Klerit Katolik Shqiptar, ku masakrohen mbi 700 Shqiptarë të burgosun…
■Françeskanët e Shqipnisë të kryesuem nga Provinçiali At Mati Prennushi O.F.M., janë “çerdhja”e Klerit Katolik Atdhetar, që “duhen shkatrrue me kulm e temel në Shkoder!”
Ata mbushen 26 hetuesi dhe burgje të qytetit të Shkodres ku torturohej dhe masakrohej inteligjenca, rinia dhe qytetaria shkodrane me atdhetarët e maleve e fushave perrreth.
***
■Po, Rregjenti i Shtetit Shqiptar At Anton Harapi, kush ishte?!
Po thërras malin e t’gjimojë,
Lugu i Cemit n’gjamë t’ushtojë,
Zana e Sukës, t’madhe t’vajtojë,
e Deçiqi – i kjosha true!
T’dahet katrash, t’kjajë me mue,
n ’fund e n’maje lè t’ lëkundet,
t’kjajë mbi tý-o sa ku t’mundet.
Oj e mjera nanë për tý! Hêj… Hêj…
At Anton Harapi – “Andrra e Pretashit”
DOSJA 1068:
■At Antoni asht le në Shirokë pranë Shkodres me 5 Janar 1888. Ka krye studimet në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, dhe vijoi studimet teologjike në Romë. Kur u kthye ishte profesor filozofije e teologjije, predikatar, publicist, shkrimtar, politikan… dhe në vitin 1943 Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, kur Rregjenti Lef Nosi kerkonte nga Eprorët e Klerit që At Antoni me marrë pjesë në Rregjencen Shqiptare.
■Per formimin e Tij Don Kolec Prennushi shkruen në “Hylli i Dritës”, në vitin 1936:
“… mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, nder cillët disa janë kryevepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem, dallojnë gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i drejt e i pafajshem.”
■Rregjenti Lef Nosi thonte: “Nguli kambë për qenjen e Tij në Këshillin e Regjencës, se vetem mirë do t’i sjellin Shqipnisë!”
■AT ANTON HARAPI E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE (1943), “ME KUSHT: MOS ME NËNSHKRUE ASNJË DËNIM ME VDEKJE!”
Disa mendime të At Antonit:
■“Po të mos u xeni besë fjalëve të mija, ja tek e keni veprën teme për peng sigurie!”
■“Çdo ndërtese i vehen themelet në dhè! Edhe në vorr në hijshim, duhet të jemi gurët e themelit të asaj binaje që sot e quejmë Shqipni!”
■“Me gjak të vet e shuguroi elterin e Atdheut, katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Topulli e Curri, Gërmenji e Negovani, nuk kanë ndryshim, por janë në nji mendim e në një vendim, në vepër e në vdekje. Ata e vulosen me gjak çfarë qenë; na mbetët ne ta vulosim çfarë jena”!”
■“Nuk shpëton jo, sot, as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena e as tjetra pa Shqipni! Me gjak e dasi jena ngopë! Kena pa e provue edhe se çka asht kthetra e huej dhe e kena prekë se një popull i përçamë asht i gjykuem me mbarue! Të ngrihemi pra në kambë! Për një Zot të vërtetë e për një Shqipni të lumtun – na jena vllazen!
A sëbashku e të pështuem a të ndamë e të mbaruem!”
■“Shqipnia u fitue me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqë dhe Drejtsi do të fitohet!”
***■Rregjenti Cafo Beg Ulqini thonte: “Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton! At Anton Harapi asht kenë nji e nuk bahen dy!”
■At Antoni refuzoi largimin nga Shqipnia para vitit 1944 dhe mbas, kur Rregjenti Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte në një streh të Tij nga Tokat e Malit të Zi, nder shpella, At Antoni u pergjegj: “Kam punue per Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!”
■20 SHKURT 1946…
■Drejtë bregut të lumit Lana… Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëri prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:
Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:
“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…
Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”.
■“Shpirtin Zotit, trupin Tokës”… Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij…
■VETEM DOSJET TREGOJNË KUJT I KANË SHERBYE DHE I SHERBEJNË TRADHTARËT E ATDHEUT!
* Melbourne, Shkurt 2016. Pjesa e II- Vazhdon Pjesa e III…
Marjan Cubi says
I paharruar qofte Pater Anton Harapi dhe shpirti I tije qofte I bekuar se ishte nje njeri I madhe I Kombit Shqipetar dhe kishes Katolike Univerzale.
Hysni Guda says
Hysni Guda says (october 08, 2016 at 1:02 pm): Pater Anton Harapi eshte nje prej gjenijve te kombit shqiptar- i mohuar e perbaltur me te padrejte. Populli yne ka nje fjale te arte: Nuk mbulohet dielli me shoshe. Ashtu edhe vepra dhe kontributi i ketij gjigandi nuk mund te futen ne thes…