Rafaela Prifti /
Veshja e Nusënisë Krajane është dëshmi e pasionit të autorit Hamid Alaj për etnografinë popullore të vendlindjes. Prej vitesh i emigruar në bregun tjetër të Atlantikut, ai lundron “në oqeanin e vlerave dhe kulturës krajane” për të qëmtuar sa më shumë të dhëna për veshjen e nusënisë së trevës së Krajës. Duke ia kushtuar tërë punimin këtij “thesari të femrës krajane”, autori tenton të plotësojë mungesën e studimeve etnografike për këtë veshje dhe t’i japë vendin e merituar një elementi kaq të rëndësishëm për kulturën dhe identitetin e trevës së Krajës dhe për veshjet popullore shqiptare në përgjithësi.
Femrën krajane e sheh të mbajë veshjen e nusënisë në raste të gëzimeve familjare dhe në ditët e festave në diasporë. A mund të thuhet se është “veshje muzeale” dhe traditë e braktisur nga brezi i ri? Hamid Alaj shpjegon se “Nuset e reja, vitin e parë të martesës e vishnin më shpesh këtë veshje (kostum), bile edhe kur shkonin në gjini (prindërit e tyre), në treg, në dasmë etj.” (faqja 11), por veshja “mbetet gjithnjë një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës popullore” (faqja 13). Synimi tjetër i autorit është plotësimi sadopak i zbrazëtive të studimeve etnografike të mirëfillta për këtë lloj veshje tradicionale, e bartur brez pas brezi si pjesë e kulturës materiale të trevës së Krajës. Alaj e trajton funksionin identifikues të vetë kostumit që manifestonte gjendjen civile të nuses si shprehje e domosdoshmërisë “që vajza e martuar (nusja), të mos duket dhe vishet më si vajzë, pra me veshje të vajzërisë, por të duket dhe vishet si nuse, pra nusërisht.” (faqja 16)
Në lidhje me origjinën e veshjes dhe emërtimin popullor “veshja allaturka” ekzistojnë disa interpretime. Autori argumenton se treva e Krajës dallon në këtë aspekt nga krahinat e tjera shqiptare. Për të demonstruar evolucionin e veshjes mund të jetë më e lehtë sepse gjurmët e ndikimeve të njëpasnjëshme kulturore e historike mund të evidentohen vizualisht në formë kronologjike, ndërsa për emërtimin “allaturka” tezat janë më eluzive. Afërmendsh, hipoteza e parë është e lidhur me ndikimet e kulturës orientale dhe popullsinë e islamizuar të trevës së Krajës. Hipoteza e dytë lidhet me gjurmë të një kostumi antik, që sipas autorit ia vlen të hulumtohet më tej. Një interpretim tjetër i jep përparësi funksionit estetik meqë për dallim nga veshja e përditshme, ajo “allaturka” ishte pjesë e pajës nusërore dhe mbahej në raste të veçanta.
Autori paraqet me imtësi strukturën artistike të veshjes, motivet (yrnekët) zbukuruese, qendisjet dhe vizatimet dekorative, praninë e të cilave e konsideron bazë të hipotezës për prejardhjen e tyre të lashtë meqë për gjenezën e tyre nuk ka të dhëna të mjaftueshme (faqja 54). Në studime të mirëfillta etnografike nga etnografë shqiptarë si Dr. Drita Halimi, Andromaqi Gjergji etj është provuar teza se “kmisha” (këmisha), petku i gjatë i veshjes popullore haset te gratë pellazge nga shekujt III-II para erës sonë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, një pjesë të Malit te Zi, të njohura si treva shqiptare; prandaj “nga ky kontekst mund të themi se edhe “kmisha e nuses” krajane, pa dyshim se duhet ta ketë prejardhjen nga kjo kohë,” argumenton Hamid Alaj.
Në libër përshkruhet procesi i endjes, prerjes, dhe qepjes së pëlhurës, paraqiten pajisjet artizanale si tezgjahu (tezjehu) dhe veglat e tjera të punës duke përfshirë ndërtimin, mekanizmat dhe funksionin e tyre. Një kapitull i gjatë rendit në mënyrë të detajuar, të shoqëruar me ilustrime e foto nga autori, çdo element përbërës të veshjes së nusënise krajane: fanella, fistra, mang’t, kmisha, tpanat, gryka, xhamadani, toja e brezit, boçja, cevra, riza (manili), toja, xhemperi, setra, kaferxhiu, kurdelet, degermia, duvaku, çerapt (çorapet), kunrat (këpucët), stolitë. Njohja me çdo pjesë të veshjes, e vendosur në kontekst, mund të jetë me interes për të ndjekur zanafillën dhe evolucionin e elementeve të saj. Por synimi i autorit në mbledhjen e sa më shumë të dhënave si nga literatura ashtu edhe nga femrat krajane është përqendruar tek gjurmimet e ardhshme dhe parashtrimi i hipotezave për kërkime vijuese. Përsa i takon aspektit gjuhësor, Alaj ka ruajtur emërtimet vendase dhe krahas tyre ka shënuar termat sinonime si per shembull tezjehu (tezgjah, avelmend).
Libri përmban teza e hipoteza për emërtimin, prejardhjen, shtresëzimet, evolucionin që i përket një tradite të “braktisur nga brezi i ri i femrave” (faqja 69). Qysh prej fillimit të viteve ’90, veshja është pjesë e rekuizitës së femrës për raste të gëzimeve familjare apo në festa të diasporës krajane. Por një grup i grave nga treva e Krajës, pjesëtare të OJQ Kranjania përkujdesen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe posaçërisht veshjen e nusënisë krajane duke e punuar dhe kompletuar kostumin me anë të porosive nga të interesuarit. Në vitin 2019 shoqata pati 22 kërkesa nga diaspora krajane në Nju Jork, ku jeton komuniteti më i madh i krajanëve jashtë vendlindjes, pohon autori. Çdo përurim i librit, duke nisur nga promovimi në Vatër vitin e kaluar si edhe gjatë javës së Krajës këtë vit, kanë krijuar një rast a mundësi, ashtu siç janë gëzimet familjare, për të parë vajzat dhe gratë e trevës së Krajës me veshjen e nusërisë krajane. Vetë promovimet e librit janë kthyer në akte të kultivimit të këtij elementi të rëndësishëm të etnografisë krajane dhe trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.
Hamid Alaj është autor i nëntë librave. Nga viti 2018 është arkëtar i Shoqatës Atdhetare Kraja në Nju Jork dhe anëtar i Këshillit të Qendrës Islamike Shqiptaro-Amerikane në Queens.