* Vallë, si është e mundur, që në dy vendbanimet emblematike të Plave Gucisë, në fshatin Martinaj dhe Vuthaj, bëhet një degradim i ambientit dhe në të dy rastet ky degradim ka marrë bekimin e shqiptarëve,… se kinse përfaqësojnë interesat e popullatës?/
* Në Martinaj ndërtohet një deponi e egër nga shteti malazias… Në fshatin Vuthaj vendoset dhe i jepet leja e punës një fabrike të industrisë së drurit mu në qendër të fshatit dhe pranë lumit Gerla duke shëmtuar pamjen piktoreske të Vuthajve…./
NGA ESAD GJONBALAJ/
Viteve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate sistematike të dekurajimit të shqiptarëve të Plavë Gucisë për të qëndruar në trojet e tyre stërgjyshore.
Kjo fushatë e orkestruar nga qarqe antishqiptare për fat të keq nganjëherë në valle ka përfshirë edhe bashkëkombësit tonë të cilët me vetëdije apo pa të , dëmtojnë interesat e përgjithshme të shqiptarëve autoktonë të Plavë Gucisë.
Fushata e orkestruar si pasojë ka synuar dekurajimini e vendorëve për të qëndruar në vendlindje por edhe dekurajimin e diasporës që me kapitalin e tyre të japin një impuls të ri ringjalljes dhe faktorizimit të shqiptarëve në aspektin ekonomik.
Kjo fushat siç e cekëm ma lart merr përmasa të mosmarrëveshjeve dhe zënkave në mes të vetë shqiptarëve dhe si rrjedhojë ka sjellë demoralizimin e investitorëve potencialë, duke krijuar një klimë jo të këndshme për investime, klimë e cila rëndon perspektivën e mbijetesës dhe qëndrimin e shqiptarëve në vendlindjet e tyre. Ambiciet dhe apetitet e individëve të ndryshëm të mbështjella me petkun partiak dhe me mbështetjen e pseudomilitantëve naivë, sjellin një degradim të parimeve elementare të fisnikërisë së malësorëve të kësaj treve.
Vallë, si është e mundur, që në dy vendbanimet emblematike të Plave Gucisë, në fshatin Martinaj dhe Vuthaj, bëhet një degradim i ambientit dhe në të dy rastet ky degradim ka marrë bekimin e shqiptarëve,… se kinse përfaqësojnë interesat e popullatës?
Në Martinaj ndërtohet një deponi e egër nga shteti malazias duke mos respektuar asnjë kriter minimal për deponit , ku mbeturina të llojllojshëme hidhen ne natyrën e pa prekur nga dora shkatërrimtare e faktorit njeri.
Kjo deponi rëndon dhe e banë të pa mundur mbijetesën e banorëve të fshatit edhe pse kundër ndërtimit dhe funksionimit të saj u rezistua ashpër nga martinasit, mirëpo implementimi i këtij projekti të egër u bë me dhunë policore nga shteti malazias.
Në fshatin Vuthaj vendoset dhe i jepet leja e punës një fabrike të industrisë së drurit mu në qendër të fshatit dhe pranë lumit Gerla duke shëmtuar pamjen piktoreske të Vuthajve, rrezikuar ekzistencën e gjallesave në lumin Gerla, uji i të cilit përdoret edhe për si uj i pishëm, por edhe ndot rëndë ambientin e shtëpive të banorëve, që jetojnë rreth këtij ndotësi të ambientit mu në qendër të fshatit.
Nuk është reagimi ynë qëllim i pengimit të veprimtarisë së këtij biznesi por duhet të ketë kritere të ushtrimit te veprimtarisë e jo në mënyrë të egër të vendoset zona industriale mu në mes të fshatit pa përfillur fare vullnetin e banorëve .
E që ironia të jetë ma e madhe e tërë kjo bëhet në një shtet të ashtuquajtur ekologjik me emrin Mali i Zi, i zi në fakt nga mbeturinat që ky pseudoshtet ka prirje të veçantë për të sajuar si në aspektin politik dhe shoqëror me strategji të qarta antishqiptare.