Nga Fadil LUSHI/
Kësaj radhe vendosa që me këtë shkarravinë të “degdis në Evropë!”. Por para se ta filloj, rashë në hall me fiqirin në kërkim të kryetitullit, atij kryetitulli që do t’i shkojë shkrimit, po njëkohësisht që do t’i shkojë me tamam shijes së lexuesit a sovranit. Me gjithë përpjekjet e mia të shtuara, nuk gjeta idenë…, pavarësisht se insistova që me çdo kusht ta hetoja si të tillë. Dhe, kur nuk e “gjeta”, ky Sazani më tha: “Xhaxhi, a nuk bën që këtë boshllëk ta mbushësh me dokrra e pallavra si ato të politikanëve ballkanas!”. Ia ktheva se sikur ta bëj kësisoj, atëherë do ta anashkaloj a denigroj tërësinë e parimeve, të kritereve dhe standardeve të institucionit – mendim i lirë a mendim ndryshe…, mandej, në fund të fundit, a mos vallë, shkrimi a “thashethemeja” do të më dalë përshesh, “turli a Elbasan tava”, do të më dalë njësoj si ajo puna e daullexhiut nga Anadolli, të cilit para syfyrit i kishte plasur lodra. Në fund pranova sugjerimin e nip Sazanit. Paçka se “shkohet në Evropë” me kësisoj vështrimesh gazetash, paçka se shkohet në “Avrupë” me araba a karrocë të hapur. Besoj se nuk bëhet hataja…, sot ka edhe të tillë që në Evropë shkojnë me biçikleta e lëre më me makina, trena dhe avionë…, ka edhe të tillë që në Evropë shkojnë edhe me gomarë pa samarë, si ato gomarët e Malit të Zi, Greqisë, Serbisë a edhe të Maqedonisë…, paçka se bullgarët dhe rumunët janë në “deficit” me këto kafshë njëthundrake dhe, prapëseprapë, nuk bëhet hataja…, ca të tjerë në Evropë shkojnë edhe me mushka dhe përsëri nuk bëhet hataja…, edhe njerëzit në hall dhe me ngjyrë shkojnë a degdisin këmbëzbathur në Evropë dhe prapë “nuk bëhet hataja!?”…, po, tekefundit, kush më qenka Evropa…, a mos vallë e keni fjalën për atë “kurvën plakë” që, dikur moti, shqiptarëve myslimanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj ua mori, hajt më mirë të themi, ua zaptoi truallin…, paçka se në Evropë mund të shkosh edhe nëpërmjet Londrës dhe Brukselit…, paçka se ca “shpëtimtarë të këtij populli kreshnik pa brekë” (Mitrush Kuteli) transferuan lekët në “Avrupë” dhe prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se “agai i jeniçerëve politikë” iku në Evropë me strajcën në krah të mbushur me lekët e miletit…, dhe prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se në Evropë shkuan edhe “patriotët kombëtarë”.., dhe prapëseprapë nuk u bë hataja.., paçka se në Evropë na iku edhe rinia jonë e arsimuar dhe, prapëseprapë, “nuk u bë hataja”, paçka se bashkëqytetarët e mi shkuan në Evropë me pasaportë të shtetit biblik…, prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se në kontinentin e vjetër shkojnë “ambasadorët” e fjalës së shkruar…, prapëseprapë “nuk u bë hataja me a pahir”, paçka se Elina Duni, kjo goca çapkëne nga Tirana, shkon në Evropë me ato refrenet e këngës: “Do marr çiften, more, do dal për gjah, jaman shoko, jaman aman. Do marr çiften moj do dal për gjah, jaman shoqe, moj, o jaman”, paçka se ky Ilir Shaqiri shkon në Evropë t’u këndojë kurbetçinjve refrenet e këngës, “Moj Shqipni të qofsha falë, jam Evropë…, Moj Evropë” e të tjera, nuk u bë hataja…, paçka se Evropa, kur është fjala për shqiptarët dhe të tjerët përafërsisht si ata, mban mendjen dhe shikimin mënjanë…, nuk u bë hataja…, tekefundit, gjithsecili ka të drejtë të shkojë në Evropë, qoftë me opinga, qoftë me këpucë allafrënga, qoftë me sahat xhepi me zemberek të prishur…, është zgjedhja e tij demokratike, zgjedhje e farës së fisit.
Dhe, sot e gjithë ditën e Perëndisë, të mëtosh të shkosh në Evropë me “Shkupi 2014”, i cili aq shumë u paragjykua, aq shumë u përfol, aq shumë u kritikua dhe aq shumë u shtrembërua, saqë në fund i doli edhe ajo pak ngjyrë e zbehtë që i kishte mbetur…, të mëtosh të shkosh në Evropë është një interpretim idealist, utopist a edhe subjektiv…, të mëtosh të shkosh në Evropë me atë “brendin e ajvarit, me specat e kuq të Strumicës si dhe me groshën qorre të Tetovës”…, është paksa vetadhurim a “vetbegenisje”, të mëtosh të shkosh në Evropë me një president, i cili, duke shkelur me dy këmbë Ligjin themelor të shtetit dhe duke hequr fajësinë e politikanëve kleptomanë, është “eshekllëk”, të mëtosh po edhe të pretendosh të zësh vend dhe rend para dyerve të familjes euroatlantike me mendësi të vjetër dhe fshatareske…, është çmenduri…, të mëtosh a edhe të synosh të familjarizohesh me Evropën, me emër, me kulturë, me gjuhë, me kishë, me gjeografi fizike, me gjeografi politike si dhe me gjeografi historike, gjithsesi të kontestuar dhe të adoptuar…, është njësoj sikur t’ia heqësh shalën biçikletës, e mandej aty të vësh bythën dhe të garosh në garat e çiklizmit Tour de France!?…, kjo i vjen njësoj sikur të falësh namazin pa avdes…, të mëtosh e të synosh të shkosh në kontinentin e vjetër me sheshin e Shkupit, i cili është shndërruar në një strehë lapidarësh, një shesh i stërngarkuar me gjithfarë përmendoresh dedikuar figurave greke, serbe, bullgare e të tjerë, mua s’ma kap mendja.., nuk shkohet në Evropë me patllaken e me dyfekun që nuk shkrep…, të mëtosh dhe të synosh të shkosh në Evropë, nëpërmjet kalldrëmesh me zhavorr është njësoj sikur të marrësh udhë deri në Tabanoc, Gueshevë, Idomeni, Qafë Thanë, Jazhincë dhe nuk e di se në cilin vendkalim tjetër për këmbësorë dhe traktorë (të ngarkuar me lakra të egra e të buta, speca dhe tranguj vendorë).
Ju, lexues dhe miq të mi të nderuar, po të më pyetni mua se a do shkoj në Avrupë, po ju them se nuk do të shkoj…, po edhe sikur të ma japin dhe lapidarin e Pjetër Bogdanit, datëlindja e të cilit u denigrua ende pa u vendosur diku në sheshin e kryeqendrës së shtetit…, nuk shkoj sepse kam frikë se më del si ajo puna e atij puro gjirokastriti, i cili kishte vendosur t’i bëjë dasmë çunit të tij të përkëdhelur…, me krushqi të huazuar dhe të paguar…, kam frikë se mos më del shkrimi si ajo vakia e gocës nga malësia e Shkodrës, që kur kishte shkuar të mbushte ujë bunari, çunit që e kishte përballë i kishte thënë: “Në do ma mbash testinë, do ta japë fikun e bahçes së gjyshes sime…,” dhe çunit i ra testija nga dora…, dhe çuni mbeti pa fikun e gocës!
Sikur sot ta pyesnim Hasan Prishtinën, Jeronim de Radën, Josip Bagerin, Pjetër Bogdanin, Nexhat Agollin, Adem Jasharin dhe shumë të tjerë, se a doni t’u ngremë përmendore prej bronci në shesh të Shkupit a edhe të Tetovës, ata në korr do të jepnin këtë xhevap: “Paratë, që keni ndërmend, t’i derdhni për lapidarë, ndërtoni nja dy a tre shkolla të vockla për fëmijët e vockël shqiptarë…, dhe nëse lekët do t’u teprojnë, për riza të Zotit, meremetoni binatë e ca shkollave mesjetare…, shkolla prej kohësh të harruara..!?
AMICUS PLATO, SED MAGIS AMICA (EST) VERITAS (E dua Platonin, por më shumë e dua të vërtetën!”…, po cila është e vërteta jonë, shqiptare?!