BE ashpërson sanksionet ndaj Rusisë ekspansioniste, të cilat do ta vështirësojnë seriozisht ekonominë e këtij vendi, ndërsa në anën tjetër, siç raportohet, pesë shtete të NATO-s do ta ndihmojnë Ukrainën me armë/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Putini kinse po bën përpjekje për të parandaluar sanksionet më të ashpra nga perëndimi duke paralajmëruar një armëpushim në Ukrainë. Mirëpo për këtë “ lojë” të Putinit përgjigje më të mirë dha njëri nga ministrat e punëve të jashtme nga shtetet e BE-sëi cili tha: “ Unë besoj në një armëpushim, kur e shoh atë”. Megjithatë, BE është i vendosur për sanksione më të ashpra kundër Rusisë nëse ky shtet vazhdon agresionin e tij. Sanksionet kanë për qëllim që të vështirësojnë jashtëzakonisht shumë ekonominë ruse. Këto masa “ ndëshkuese “ duhet të fillojnë së zbatuari në shumë shpejt. Derisa Putin “ hedhi në dritë” një plan armëpushimi, në anën tjetër një numër i njësive ushtarake kishin avancuar në Lindje të Ukrainës. Dhe në këtë rast regjimi i Kremlinit u tall kur tha se ato aksidentalisht kishin hyrë në këtë vend edhe pse dihet që 20 mijë ushtarë rusë qëndrojnë disa kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ky pra nuk është aksident, por pushtim klasik i asaj pjese nga Rusia hegjemoniste. Frika më e madhe është se nëse vazhdon ky agresion me këtë ritëm atëherë kjo luftë gradualisht do të shkoj në drejtim të perëndimit.
Farsa tragjike e një konvoji “ humanitar”
Shumica e vëzhguesve ndërkombëtar dyshojnë se konvoji “ humanitar” rus është një mbulesë për aktivitete tjera. Pjesërisht për të sjellë furnizime dhe paisje për separatistët pro- rus, por ka raporte se rusët sollën edhe makineri e teknologji tjetër luftarake. Përveç kësaj gazetari i gazetës “ Guardian” ishte dëshmitar kur vërejti një kolonë ushtarake ruse e përbërë nga 23 transportues të blinduar dhe personel tjetër përcjellës që kishin kaluar kufirin dhe kishin hyrë në Ukrainë. Nga një kamerë televizive ushtarët rus ishin kapur brenda territorit rus dhe të Ukrainës duke qëlluar caqet brenda Ukrainës.
“ Modeli” i tashëm i ndërhyrjes ushtarake ruse në Lindje të Ukrainës është ndryshe nga ai që është parë në Krime. Së pari atje u panë disa burra të veshur në të gjelbër, të cilët pa shenja kombëtare u paraqitën papritmas në gjithë zonën. Pastaj ata morën nën kontroll pikat më të rëndësishme strategjike, ndërsa Rusia mohonte se ishte aty. Më pas burrat në të gjelbër rrëfyen se janë rus dhe kështu aneksuan gjithë zonën. Kjo ishte lufta “ moderne” ku operacionet e informacionit janë të rëndësishme, ndoshta më të rëndësishme se forca e armëve. Dhe prapë Rusia paralajmëron një konvoj tjetër “ humanitar” propagandë kjo e këtij vendi imperialist që me dhunë e kërcënime të dhunës po bën përpjekje për të kontrolluar fqinjët e tyre.
Krizë më e keqe e sigurisë që Evropa ka pasur në 50 vjetët e fundit
Nuk dihet me saktësi se sa perëndimi është i ndarë dhe i pafuqishëm, ndërsa Rusia shkel ligjin ndërkombëtar. Samiti i NATO-s u organizua në një krizë më të keqe të sigurisë që Evropa ka pasur në 50 vjetët e fundit. Dhe kjo forcë ushtarake për të ruajtur një sasi të vogël të besueshmërisë duhet të tregoj një përgjigje të qartë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Jemi mësuar që samitet e NATO-s pas luftës së ftohtë të jenë pilula si një rutinë gjumi. Mirëpo, takimi i fundit ishte më i rëndësishmi për shumë dekada. Edhe pse ishte marrë vendim që të mos ndihmohet me armë, por ishte lënë “ klauzula” se ato shtete që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund ta furnizojnë Ukrainën. Reagimi i shpejt në këtë “ Klauzul” ishte i Italisë, Norvegjisë, Francës, SHBA-ve dhe Polonisë, të cilat siç raportohet veç kanë arritur armët e tyre në territorin Ukrainas. Megjithatë, këto shtete demantojnë lajme të tilla të paverifikuara.
Pranverën e kaluar filloi një luftë e përgjakshme në kontinentin e vjetër dhe kjo për shumëkë konsiderohej e paimagjinueshme: një konfrontim i drejtpërdrejtë ndërmjet perëndimit dhe Rusisë. Edhe në vitin 1968 Rusia pushtoi Çekosllovakinë që ishte një kërcënim për paqen ndërkombëtare, ngjashëm kjo e pranishme edhe tani me pushtimin e hapur rus që ia bën Ukrainës. Në të ashtuquajturin “ Memorandumi i Budapestit” i vitit 1994 Rusia ( së bashku me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe) kishte garantuar integritetin territorial të Ukrainës. Po ashtu në vitin 1997 u arritë një Traktat- Miqësie ruso – ukrainase në bazë të të cilit këto dy vende do të respektojnë kufijtë e njeri- tjetrit. Mirëpo, jo që nuk po respektohen këto dy marrëveshje por në territorin e Ukrainës tanimë janë vendosur mbi dhjetë mijë ushtarë rusë të cilët nuk do të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre.
Në situatë më të vështirë gjenden shtetet baltike për shkak të sistemit të dobët të mbrojtjes dhe nëse këto vende nuk kanë një kujdesje të shtuar nga NATO atëherë ato do të mund të pushtohen për pak orë. Mbetët të shihet se cilat janë synimet e Rusisë Imperialiste, por edhe seriozitetit të perëndimit për të parandaluar apetitet e sëmura të Putinit. Po ashtu, mbetët të shihet se sa do të realizohet premtimi i Kryetarit të SHBA-ve Obama, i cili citohet të këtë thënë gjatë vizitës në Talin se shtetet baltike dhe Polonia nuk do të lihen vetëm.