“Acta Albania Iuridica” është vepër themeltare burimologjike për historinë e së drejtës në Shqipëri dhe përkthimi i tyre i tërsishëm në gjuhën shqipe, pajisja me shënimet përkatëse kritike, aparaturën shkencore, saktësimet e lëshimeve të editimit, haritmit të një “regesti” të plotë tematik e kronologjik si dhe paraqitjes përmbajtësore të çdo dokumenti me disa rreshta në gjuhën angleze e shqipe në fillim të çdo burimi, janë një domosdoshmëri e kahmotshme, e pa realizuar deri sot, e cila do të shërbente në shumë fusha dhe do të ishte e kapshme për të gjithë ata që merren me studimin e historisë së të drejtës në Shqipëri, por edhe të historisë e albanologjisë nga mesjeta deri me sot.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Serioziteti dhe thellësia e një vepre studimore në botën intelektuale shkencore vlerësohet kryesisht në bazë të burimeve të shfrytëzuara arkivore, dorëshkrimeve, dokumenteve origjinale dhe literaturës përcjellëse, por sigurisht edhe qasjes që u bëhet këtyre burimeve. Nuk janë të shumta rastet, kur studiues, albanologë e historianë përdorin në veprat e tyre shkencore për historinë e popullit shqiptar material studimor autorial si edhe referenca dhe citime të burimeve origjinale. Ishin albanologët e huaj ata që prinë në këtë drejtim që nga fundi i shekullit XIX deri në mesin e shekullit XX, dhe pastaj edhe studiuesit shqiptarë arritën nivele të kënaqshme serioziteti shkencor në studimet e tyre.
Njëri ndër ata që shquhet për kërkime dhe studime arkivore, sidomos për botime të mijëra e mijërave dokumenteve si në origjinal, por edhe pjesërisht të përkthyera në shqip ishte jezuiti italian që e quante veten “shqiptar“, át Zef Valentini. Ai njihet gjithashtu edhe për analiza, mendime dhe vlerësime të jetës intelektuale shqiptare, që edhe sot e kësaj dite janë të pakapërcyera.
Botimet e burimeve arkivore, dorëshkrimeve apo dokumenteve janë me një rëndësi të veçantë, sidomos kur ato realizohen sipas kritereve shkencore të kohës. Hulumtimi dhe nxjerrja e tyre nga pluhuri i arkivave dhe bibliotekave ishte dhe mbetet një sfidë e jashtëzakonshme, një punë tepër e vështirë që kërkon vullnet dhe dëshirë për punë, por edhe përgatitje të lartë profesionale dhe shkencore, përkatësisht njohje të thellë dhe të imtësishme të fushës për të cilën botohen burimet e caktuara. Nëse këto burime nxirren nga arkiva të një pushteti, që ka qenë fuqi dominuese e kohës, siç është Venediku që kishte interesa të shumta në Shqipëri, pothuajse në të gjitha sferat e jetës, atëherë vlefshmëria dhe rëndësia e botimeve rriten dhe fiton një peshë të pazëvendësueshme, sepse janë pikërisht këto burime ato që ndriçojnë, zbulojnë dhe ofrojnë jetën e shqiptarëve në Mesjetë, përkatësisht në shekujt XIV dhe XV.
Në këtë shkrim nuk po flasim për kolanën e njohur, të pazëvendësueshme dhe të paarritshme as sot e kësaj dite nga albanologjia dhe historiografia shqiptare “Acta Albaniae Veneta“, në 25 vëllimet e së cilës u botuan 7567 dokumente origjinale, por, do të ndalemi te një kolanë tjetër në dy vëllime, që për nga rëndësia dhe vlera nuk mbetet pas së parës: bëhet fjalë për “Acta Albaniae Iuridica” të botuar në dy vëllime. Ideja ishte që ajo të vazhdonte të botohej në dhjetë vëllime, por vdekja e editorit át Zef Valentinit e la këtë vepër të papërfunduar.
I njohur për skrupulozitetin dhe gjenialitetin e punës shkencore në kolanën, “Acta Albania Iuridica“, át Zef Valentini e shtriu interesimin e tij studimor në rrafshin kohor që nga shekulli V deri më 5 nëntor të vitit 1423! Nëse kjo shtrirje për ndonjë specialist që nuk ka punuar dhe studiuar veprat e át Zef Valentinit duket shumë e “gjatë”, mund të themi se ai, për shkak të specifikës tematike është i detyruar të “përpunojë” plot 8 shekuj lëndë burimore.
Vetë titulli i kolanës “Acta Albaniae Iuridica” të lë të kuptosh se lënda burimore e edituar në këto dy vëllime në 586 zëra dokumentarë ka të bëjë me drejtësinë dhe të gjitha disiplinat e saj përkatëse. Të studiosh burime të tilla për një periudhë të shtrirë në rreth tetë shekuj, do të thotë të njohësh dhe të jesh ambientuar me gjuhët e kohës siç ishin greqishtja e latinishtja, sllavishtja e vjetër, italishtja me dialektet e saj dhe gjuhët e tjera, e në të njëjtën kohë të njohësh me themel autorët dhe veprat antike nga të cilat nxirren fragmente domethënëse për tematikën e trajtuar, si Herodotin, Plutarkun, Porfyrogenetin, Farlatin, Skylicin, Cekaumenusin, Theofylaktin, Ana Komnenën, Vilhelm Tyrensin, Leunkalvin, Komaqtianin etj. e gjithashtu kronikat anonime të kohës dhe fondet e shumta të arkivat e Raguzës, Vatikanit, Venedikut, Vjenës, Barcelonës, Parisit etj.
Përgatitja e këtyre dy vëllimeve me akte nga fusha e drejtësisë ka një histori të veçantë dhe mjaft të gjatë. Duke përgatitur vepra të tjera studimore nga fusha e albanologjisë, duke qëmtuar burime e dokumente arkivore, Át Zef Valentini kishte filluar të shënonte dhe ndante mënjanë dokumentet e kësaj natyre. Këtë punë át Valentini e sqaron në hyrjen e vëllimit të parë kur shkruan: “gjatë punës sonë për përgatitjen e burimeve dokumentare për historinë e Shqipërisë, gjatë hulumtimeve tona, kur gjenim ndonjë burim, të dhënë apo dokument për historinë e së drejtës, mbanim shënime të veçanta dhe kështu më vonë, në vitin 1944, arritëm të botojmë vëllimin e parë me burime e dokumente të tilla“, por, ai nuk ishte i kënaqur me këtë botim dhe nuk ndalet këtu, sepse gjatë tërë kohës studimore kërkimore-hulumtuese ai redakton dhe përgatit për botim edhe burime të tjera të Mesjetës së hershme dhe dokumente qofshin ato të botuara apo të pabotuara. Pas një pune disavjeçare, u krijua një material i bollshëm dhe mjaft me interes nga fusha e së drejtës shqiptare, që autori pas një studimi të thellë, serioz dhe analitik të së drejtës zakonore shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut dhe Kanunit të Maleve arriti të nxirrte përfundime mjaft interesante dhe shumë të vlefshme nga fusha e së drejtës, historia e saj, zhvillimi dhe bashkëveprimi i të drejtës zakonore shqiptare me aktet e tjera të nxjerra gjatë shekujve nëpër kancelari, gjykata e vende të tjera administrative në Shqipëri dhe jashtë saj, por që kishin të bëjnë drejtpërdrejt me të, pastaj nga përditshmëria e veprimit të së drejtës zakonore, veçanërisht në veri të vendit etj. Duke qenë njohës i shkëlqyer i zakoneve shqiptare të trashëguara brez pas brezi, por jo të shkruara dhe të edituara pothuajse asnjëherë deri në atë kohë, át Valentini i dërgoi burimet dhe dokumentet e redaktuara të korpuseve me dokumente që kishte në duar për botim, respektivisht vëllimin e parë, në vitin 1968 në Mynih dhe vëllimin e dytë më 1973 po në Mynih, duke lënë në dorëshkrim edhe një sasi të konsiderueshme burimesh e dokumentesh të cilat mendonte t?i botonte më vonë e që nuk u botuan kurrë, as sot e kësaj dite.
Si editor tashmë më përvojë, át Valentini e pajisi, për lehtësi përdorimi, secilin dokument të edituar në dy vëllimet e “Acta Albaniae Iuridica” me të gjitha indikacionet e domosdoshme, duke shënuar fillimisht datën e krijimit (kur kjo gjë ishte e mundur) pastaj, vendin e krijimit, autorin ose kancelarinë përkatëse që lëshon dokumentin, pastaj vendndodhjen e saktë të sotme të dokumentit (signaturën), arkivin ose bibliotekën përkatëse ndërsa me saktësi shënon titujt, kapitujt, faqet dhe editorët për botimet e teksteve të Mesjetës nga ku kishte nxjerrë fragmentet përkatëse duke shënuar se “ne nuk kemi ndërhyrë në botimet e editorëve të njohur, në tekstet që ata kanë botuar, por vetëm kemi përkthyer ose sjellë fragmentet e botuara nga ata“, gjë që në njëfarë mënyre e bën át Valentinin të heqë përgjegjësinë për gabimet dhe pasaktësitë e mundshme editoriale të botuesve të njohur të korpuseve të mëdha, të cilat mund të vërehen në disa raste në burimet e botuara.
Editimi dhe përzgjedhja ishte një punë shumë e vështirë. Kërkohej një metodologji e saktë e përzgjedhjes së pjesëve që duhej edituar, por njëkohësisht edhe lënda që studiohej ndodhej e shpërndarë në vende dhe botime të ndryshme. Përveç kësaj, e tërë lënda burimologjike ishte në gjuhë të ndryshme. Për këtë problematikë át Valentini shkruan: “Burimet në gjuhët greke, sllave e shqipe i kemi përkthyer në gjuhën latine; ndërsa burimet latine, italiane e frënge, nuk i kemi përkthyer, duke i sjellë siç ndodhen në origjinal, por, ato pak burime që janë në anglisht, gjermanisht e ndonjë gjuhë tjetër (bëhet fjalë për dokumente të dy shekujve të fundit) i kemi përkthyer në italisht“. Ky pohim i át Valentinit tregon se me çfarë përkushtimi dhe serioziteti i qasej redaktimit dhe editimit të këtyre burimeve duke qenë i vetëdijshëm se ishte themelues i një tradite të re, e cila më vonë do të vazhdohej me disa ndryshime të vogla nga studiues të tjerë, jo vetëm të huaj, por edhe shqiptarë.
“Acta Albaniae Iuridica” është vepra themelore burimologjike për historinë e së drejtës në Shqipëri dhe përkthimi i tyre i tërësishëm në gjuhën shqipe, pajisja me shënimet përkatëse kritike, me aparaturën shkencore, saktësimet e lëshimeve të editimit, hartimit të një “regesti” të plotë tematik e kronologjik, si dhe paraqitjes përmbajtësore të çdo dokumenti me disa rreshta në gjuhën angleze e shqipe në fillim të çdo burimi, janë një domosdoshmëri e kahmotshme, e parealizuar deri sot, e cila do të shërbente në shumë fusha dhe do të ishte e kapshme për të gjithë ata që merren me studimin e historisë së të drejtës në Shqipëri, por edhe të historisë e albanologjisë nga Mesjeta deri më sot. Përkthimi që është në fazën përfundimtare, pas një redaktimi profesional terminologjik nga ana e juristëve eminentë të fushave përkatëse do të shoqërohet edhe me një studim krahasues të burimeve të ngjashme të botuara në Shqipëri, si “Statuti i Drishtit”, “Statuti i Shkodrës” apo përmbledhjet e kodifikuara të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të “Kanunit të Skënderbeut”, të “Kanunit të Labërisë” e ndonjë kanuni tjetër krahinor, nga ku mund të përcillen zhvillimet, ndryshimet apo ngjashmëritë e së drejtës zakonore shqiptare me burimet e shkruara.