– Asociacioni i komunave serbe i pa arsyetueshëm, i pa nevojshëm dhe i rrezikshëm.
Nga MSc. Agim Aliçkaj
Në senatin amerikan u mbajt seancë dëgjimore jashtëzakonisht e rëndësishme për të trajtuar situatën dhe vlerësuar politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, senatori Bob Menendez u dëshmua të jetë simboli i drejtësisë dhe madhështisë amerikane sot, njësoj si Presidenti Biden në ditët e tij në Senat, senatorët Bob Dole dhe John McKane, si dhe kongresmenët Tom Lantos dhe Ben Gilman.
Mbajtja e një seance dëgjimore të këtij niveli dhe rëndësie është e mundur vetëm në vendin më të drejtë dhe më demokratik në botë, në vendin ku edhe kombet e vogla mund të gjejnë drejtësi dhe mbrojtje, SHBA.
Serbia u trajtua për atë që është, një shtet kriminal autoritar, agresor i luftës dhe agresor në paqe, i orientuar fort drejt Rusisë dhe Kinës. Përderisa Kosova është një vend demokratik në ndërtim, viktimë e luftës dhe viktimë në paqe, me orientim të qartë për BE dhe SHBA, Serbia dhe Rusia janë të angazhuara shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, kundër interesave strategjike amerikane dhe evropiane.
Komentet dhe pyetjet e Senatorit Menendez ishin të qarta, të drejtpërdrejta, të drejta dhe shumë të vlefshme për zgjidhjen e problemit ballkanik dhe të ardhmen e tij në Evropë. Këto janë pyetjet e shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë paqedashës, të cilët janë të zhgënjyer nga padrejtësia e hapur ndërkombëtare ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
“Ne po shohim presionin të madh ndaj Kosovës dhe asnjë presion ose shumë pak ndaj Serbisë. Nuk shoh asnjë garanci që Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të bëhet një Republika Srpska tjetër, e cila do ta bënte Kosovën shtet jofunksional, sikurse Bosnja! Të njëjtën pyetje i bëra zotit Escobar një vit më parë dhe nuk mora asnjë përgjigje të kënaqshme”.
Ai vazhdoi të parashtrojë në detaje situatën reale në Ballkanin Perëndimor.
Njëra palë në dialog nuk po merr pjesë me mirëbesim. Vuçiq ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit dhe ka shprehur mospajtime me të menjëherë. Ai thotë një gjë për të qetësuar liderët perëndimorë dhe një tjetër për publikun serb përmes mediave të kontrolluara. Serbia tashmë e ka thyer marrëveshjen duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke inkurajuar bojkotimin e zgjedhjeve komunale nga pakica serbe.
Serbia po refuzon të vendosë sanksionet e demokracive perëndimore ndaj Rusisë, ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka miratuar një vizion të “Serbisë së madhe” në përputhje me “Rusinë e madhe” të Putinit. New York Times Magazine raporton për ndërlidhjen e Vuçiqit dhe qeverisë së tij me bandat kriminale serbe.
“Unë jam informuar nga krerët e Luginës së Preshevës për diskriminimin e shqiptarëve etnikë atje. Identiteti i tyre po shlyhet përmes pacifikimit të adresave. Çfarë po bëhet për këtë? Po ashtu, çfarë po bëhet për të bindur pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë”.
“Ne duhet të kërkojmë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, jo ndonjë zgjidhje të përkohshme që favorizon njërën palë. Synimi ynë duhet të jetë një marrëveshje përfundimtare e bazuar në njohjen reciproke, asgjë tjetër”, konkludoi z. Menendez.
Ishte domethënëse që këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dy diplomatë me përvojë të madhe, në dëshminë e tyre shprehën mbështetjen e tyre të fortë dhe të palëkundur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ata theksuan se nuk do të pranojnë krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë.
Mirëpo, ata nuk arritën të shpjegojnë se përse nevojitet Asociacioni i komunave serbe pasi që minoriteti serb po i gëzon jo vetëm të gjitha të drejtat, por edhe privilegjet si asnjë minoritet tjetër në botë. Duket qartë se është i nevojshëm vetëm për të kënaqur dhe qetësuar kriminelët dhe shovinistët serbë.
Shpjegimi i zotit Escobar se Marrëveshja për Asociacion është një detyrim ndërkombëtar i pranuar nga Kosova 10 vjet më parë, se nuk duhet konsideruar si favor për Serbinë, se do t’ua marrë argumentin dhe do të vërë minoritetin serb nën kontroll nga Kosova, është naiv dhe pa kurrëfarë baze.
Realiteti është se kjo Marrëveshje nuk është ratifikuar asnjëherë nga Parlamenti serb dhe se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur atë jokushtetuese. Serbia ka thyer shumicën e marrëveshjeve të nënshkruara. Kërkesa për Asociacion është një parakusht serb i planifikuar me kujdes, shumë i rrezikshëm, i cili nëse pranohet, do të pasohet nga parakushte të tjera të pafundme. Është vegël, dëshirë dhe përpjekje serbe për ta shkatërruar Republikën e Kosovës.
Z. Escobar është mire të marrë këshilla direkte nga Presidenti Biden, i cili e di më mirë se kushdo se si politikanët serbë gënjejnë, mashtrojnë, shtiren, nxisin dhe manipulojnë. Ose, ai duhet të lexojë deklaratën e babait serb Dobrica Cosiq për talentin e tyre për të gënjyer, gjë që, sipas tij, i ka shpëtuar shumë herë në histori. Ata janë mjeshtrit e viktimizimit.
Ishte e paprecedentë që z. Chollet pranoi se artikulli i New York Times Magazine për ndërlidhjen e Vuçiqit dhe qeverisë së tij me bandat kriminale në Serbi dhe në veri të Kosovës është i vërtetë. Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të shpjegonte se si ata mund të konsiderohen partnerë të besueshëm për të punuar dhe zbatuar marrëveshjet. Ai tha se ne i kemi paralajmëruar për këtë dhe se do t’i mbajmë sytë hapur në kontaktet tona. Megjithatë, kjo nuk dukej të ishte një përgjigje e kënaqshme.
Pjesa më shqetësuese dhe zhgënjyese e dëshmisë ishte kur z. Chollet dhe z. Escobar po përpiqeshin të fajësonin të dyja palët për mungesë bashkëpunimi dhe zbatimi, gjë që thjesht nuk është e vërtetë. Është e qartë se vetëm njëra anë është duke krijuar të gjitha problemet. Është Serbia shoviniste, fashiste, raciste dhe hegjemoniste.
Ky është vazhdimi i politikës së dështuar evropiane të qetësimit të agresorit dhe fajësimit të barabartë të viktimës. E gjithë kjo për arsye gjeopolitike dhe shpresa të rreme se Serbia do të braktisë Rusinë, gjë që nuk do të ndodhë kurrë.
Mund të konstatohet se kjo seancë dëgjimore ishte një ngjarje historike që jep shpresë për një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme të problemeve ballkanike. Njohja reciproke dhe përfshirja graduale në strukturat evropiane dhe në sistemin e mbrojtjes së NATO-s është e vetmja rrugë përpara.
Nga ana tjetër, ka shumë gjasa që, me marrëveshje ose jo, me njohje ose jo, Serbia do të jetë burim i përhershëm destabilizimi dhe kërcënim për paqen në Evropë. Përgjigja e vetme është ta bëjmë Kosovën të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht në mënyrë që kriminelët serbë të mos guxojnë kurrë të sulmojnë Kosovën apo ndonjë shtet tjetër ballkanik.
Falenderime të veçanta për drejtuesit legjendar të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, anëtarët e Bordit të Ligës dhe të gjithë mbështetësit e tjerë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në Washington! Jam thellësisht i nderuar dhe jashtëzakonisht i lumtur që jam pjesë e këtyre përpjekjeve Nobel në interes të kombit tonë për më shumë se 32 vjet.