KATER POEZI KUSHTUAR BIJVE TE NDRITUR TE KOMBIT SHQIPTAR/
Nga Agim Xh. Dëshnica/
I-LULE PER GAZULLIN/
Peng nderimi për dijetarin e shquar,/
të shqipes -martirin Dom Nikoll Gazulli,/
Pushkatuar pa gjyq më 1946./
———
Për me mbledh do lule për Gazullin,
pyes bylbylin ndër gjeth, hijet e pyllin,
Shqypen shkrepave, mbi ujëvara e kroje,
bletët me nektar ndër gonxhe e hoje.
Barijtë në ograja, me hutë e lahutë,
shtegtarët e lodhun te shtegu i gurtë.
Nga Mali Hekurave e Brijat e Gjarpnit,
nga Shtegu i Dhenve e Qafa e Agrit.
Prej Hoti e Grude në Fushë Shtoj.
Pyes për Gazullin në ç’lugje të kërkoj?
Me miq rreth vatrës, kambkryq dijetari,
me veladon supesh, qëmton fjalë ari.
Gojdhana t’urtësh, të lashta sa bota,
kushtrime sokolash mbi kreshta e boka.
Mbi kulla, tymtajat shkëndi i falin hanës,
dritaret-frëngji, përgjojn’ zanin e zanës.
Nata terr, dita zbret prej malsie,
gjuha shqype-mjalt Perëndie.
Hyjnore, e dlirë, e bukur -kang dashnie,
burrnore, e lirë e besës-kang trimnie.
Ngrija shtatoren djalosh, strall të zjarrtë!
Lartoja për qiell si Bjeshka e Naltë!
Gdhendja në shkamb, Fjalorin, visar!
Lumnoje me lule prej lugjesh mbarë!
————–
II- LASGUSH PORADECIT
Përskuqen retë në atë vetull mali,
përmbi Qafë-Thanë,
përzihen e shkasin në liqen.
Qiell e ujë ndaluan pranë
humbën brigjet e mbrëmja vjen.
Kotet në lundër peshkatari,
harroi koran, rrjetë e lopatë,
në mes zambakësh Nositi i hijshëm,
Shqiponjë e arratisur, në Mal të Thatë.
Sodit i vetëm në vagëllim,
yjet e bukur numëron,
në ujë dhe efirin pa mbarim.
Malli djeg e shpirtin zgjon.
Në Shëndaum burimet gjen,
lag sytë e ballin e menduar,
me ujët e Drinit të bekuar,
e pyet yjet, për ç’ka po vjen.
Pa shuan etjen ndër sylynjarë,
me luleshtrydhe, thellë në pyll.
Fton zanën pranë, me sytë e shkruar
që t’i rrëfejë liqer e yll.
III-L I Q E N I
Sa më pëlqen të eci qetë,
me hapa, si të Lasgushit,
në ajër të pastër,
kur edhe nuk ka mërguar gushti.
Të eci bregut mbi ranishte,
atje, ku psherëtijnë valët,
ndër shelgje e kalllamishte
kur shtergu përgatitet
për udhën e largët.
Atje, ku zambaku pushon,
dremit mbi fletë
dhe rrënjë e jetës shtillet
e dridhet lehtë e lehtë
në ujin blu me arratisje
për te rrjedhë e Drinit,
mes maleve, këputur në zemër
nga vargonj kufiri.
Me pamje Shëndaumi,
në mjegull nën Mal të Thatë,
ky dëshmitar i shenjtë,
përflakje dritash nëpër natë.
Vë vesh tek vjen nga larg,
tingull-thirrje me kambanë,
përhapet sipër valësh jehona
gjer mbi Qafë-Thanë.
Mbi shkëmb me myshk,
si në ëndërr sytë mbylla,
kur llokoçitej uji mbi gurë
e sillej qark ndër shtylla.
ku varka tundet e hesht lopata,
në pasqyrime ku bredh
Vangjushi me penelata.
Ulem përgjoj si fshihen
e çuçurijnë gushëkuqët,
në bar të dendur, ndër degëz
e gjeth, te gëmushë e ulët.
Ardhjen e heshtur të peshkut
e zbrapsjen si vetëtimë,
rrëshqitjen e rrjetës
mbi koranët me fëshfërimë.
U iki hijeve të ftohta,
për te rreze e ngrohtë,
dhimbje e lashtë qetohet
dhe kthen kënaqësi e plotë.
Afrohet valë valë
dhe më fton liqeni i dlirë,
ku treten retë,
mbështillem i tëri me kaltërsirë
. ———-
IV- KUR KËNDOJ MITRUSHIN
Kuhtuar Mitrush Kutelit/
Kur këndoj shkrimet tinguj e ngjyra
të Mitrushit,
më shfaqet fshati, që pi rakinë e rrushit.
Bleta del nga zgjoi, ndër lule e fletishte,
kaposh laroshi thërret mbi kulm plevice.
Kur këndoj Mitrushin
Lauresha fërfërin në çastet e zgjimit,
mbi ujë e në bar, ku rend e loz puhiza,
kur bryma e ngrica, bora e fërfëlliza,
treten, humbasin në mbarim të dimrit.
Kur këndoj Mitrushin,
shkumëzojnë valët gur më gur,
nxijnë korrësit arave me grurë
dridhmë trokashkash, vërtitje mokrash qark
e hënargjenda ndrin e hepet si hark.
Kapllan Aga i Shaban Shpatës na vjen,
me kuajt ngarkuar Ago Jakupin na gjen,
këmbëkryq Mitrushin, këputur zinxhirët,
shtruar kuvendon, gëzohet me të mirët.
————————-