Prishtinë, 6 mars 2016/
Në kuadër të manifestimit për shënimin e 18 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem JASHARI, Familjes JASHARI dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për LIRI.Para të pranishmëve të shumtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i FSK-së Haki Demolli përkujtoi luftën dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari.
Të pranishmit në këtë akademi në emër të familjes i përshëndeti djali i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Lulzim Jashari.
Fjala e ministrit të FSK-së, Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore.
E nderuara dhe shumë e respektuara Familja Jashari,
I nderuari Baci Rifat,
Të nderuar veteranë të UÇK-së dhe familje të dëshmorëve,
I nderuar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli,
I nderuari komandat i FSK-së, gjeneral Rama,
Të nderuar liderë partiak, ministra, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve shtetërore lokale dhe qendrore,
Të nderuar oficerë të FSK-së,
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues diplomatik të vendeve mike të Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Kosovës të pranishëm në këtë Akademi Përkujtimore.
Më lejoni që në fillim të kësaj fjale, të potencojë mendimin e një qytetari anonim, (citoj) “Në historinë e njerëzimit nuk ka individ, nuk ka person apo hero që ka sakrifikuar aq shumë për Atdhe” (përfundoj citati) i cili ishte publikuar para dy ditëve, si koment në një portal tonin, lidhur me artikullin me titull “Foto e rrallë e komandantit Adem Jashari”.
Ky ishte mendimi i një qytetari të Kosovës lidhur me gatishmërinë e Komandantit tonë legjendar për të bërë dhe sakrifikuar për Atdheun, me të cilin mendim jam i sigurt se pajtohet jo vetëm çdo bashkëkombës i yni, por edhe çdo njeri, hulumtues dhe studiues i historisë qoftë asaj nacionale apo ndërkombëtare.
Të nderuar të pranishëm,
E nderuara Familje Jashari,
Edhe gjatë marsit të këtij viti, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, në përkujtim të Epopesë së Lavdishme të UÇK-së po mbahen manifestime dhe aktivitete të ndryshme, ushtarake, sportive, kulturore, si dhe Akademi Përkujtimore, në të cilat bëhet trajtimi akademik, intelektuale dhe shkencor i vlerës dhe rëndësisë që ka Epopeja e lavdishme e marsit, në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Pavarur të Kosovës.
Fillimi i marsit të vitit 1998, njihet si njëra prej periudhave më të rënda për shqiptarët e Kosovës, sepse ishte periudhë e pushtimi të egër nga forcat ushtarako policore serbe, e cila falë heroizmit dhe sakrificës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij, u shndërrua në periudhën më të lavdishme të historisë së popullit tonë.
E bëri këtë periudhë më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, andaj së bashku me bashkëveprimtarë kishte shpeshtuar aksionet luftarake kundër okupatorit si dhe kishin filluar të shfaqeshin publikisht si pjesëtarë të UÇK-së, duke iu bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte nga okupimi shekullor.
Pikërisht rezistenca dhe rënia mitike e Familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, e përhapi zjarrin e lirisë në tërë Kosovën, duke treguar se ky ishte fillimi i fundit të pushtetit serbo sllav në Kosovë.
Në marsin e vitit 1998, Prekazi legjendar përjetoi luftën, rezistencën dhe rënien heroike të Familjes Jashari. Prekazi përjetoi sakrificën dhe flijimin e pashembullt për lirinë e kombit dhe atdheut, çfarë historia jonë kombëtare por as ajo botërore as nuk e kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.
Epopeja e Marsit të vitit 1998, shërbeu si një katalizator për ushtrinë e Komandantit Legjendar, e cila me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u organizua në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra, në gjithë vendin tonë.
Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së Komandantit Legjendar dhe formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë, ndikuan në involvimin e diplomacisë ndërkombëtare, e cila në mënyrë të paanshme gjykonte krimin dhe gjenocidin e forcave ushtarako-policore serbe.
Si epilog diplomatik i sukseseve luftarake ishte Konferenca e Rambujesë, në të cilën u vendos, që të bombardohen caqet më vitale dhe strategjike të Serbisë nga ana e forcave aleate të NATO-s.
Lufta e përbashkët e forcave tona ushtarake dhe bombardimet ajrore të NATO-s, i dhanë grushtin e fundit okupatorit serb, duke i sjellë lirinë e shumëpritur popullit tonë.
Prandaj shteti dhe kombi përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.
Vërtet në shkurt të vitit 2008 Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur e sovran, i cili përveç njohjeve të shumta ndërkombëtare, u përkushtua edhe në themelimin e institucioneve të karakterit shtetformues.
Padyshim njëri ndër institucionet fundamentale të Republikës së Kosovës, të themeluar pas shpalljes së pavarësisë është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila jo vetëm që u krijua në vazhdën e frymëzimit patriotik, mbi historinë dhe sakrificën e lavdishme të popullit tonë, por si e tillë paraqet garancinë se në të ardhmen do të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës, me kapacitete të plota operacionale për plotësimin e misionit të saj kushtetues.
Përvjetori i 18-të i Epopesë së lavdishme të UÇK-së, e ka gjetur vendin tonë me mospajtime dhe kundërshtime të theksuara ndërmjet partive tona politike opozitare dhe qeveritare, andaj nga kjo foltore në këtë përvjetor të ngjarjes së shenjtë të popullit tonë, kërkojë nga të gjithë akterët politik, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar dhe bashkëveprimtarët e tij dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes respektivisht rrugëdaljes nga kjo situatë e rëndë politike, nëpër të cilën tanimë disa muaj po kalon vendi ynë. Sepse, zhvillimet dhe rrjedhat jonormale politike në Kosovë, me pamje të dhunshme dhe përdorim të mjeteve joracionale në Kuvendin tonë, drejtpërdrejtë kanë ndikuar në ngecjen e proceseve të rëndësishme për ndërtimin dhe konsolidimin e organeve shtetformuese, respektivisht organeve më vitale shtetërore.
Kur them këtë kam parasysh faktin, se ndonëse Qeveria Mustafa ndër prioritetet kryesore e ka transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës si dhe ka pasur përkrahjen e partnerit tonë kryesor strategjik pra të SHBA-ve, ajo nuk ka ndodhur gjatë vitit të kaluar, pikërisht për shkak të zhvillimeve jonormale politike në gjysmën e dytë të vitit 2015.
Andaj duhet shpresuar dhe dëshiruar që gjatë këtij viti, do të dominojë interesi i përgjithshëm për shtetin dhe interesat e popullit të Kosovës, do të arrihet deri te një zgjidhje e kësaj situate jo të kënaqshme politike, pas së cilës do të krijohen kushtet dhe rrethanat në të cilat Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK).
Epilog i këtij transformimi, do të jetë krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektiv tjetër madhor do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme të regjionit dhe botës.
Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura do të ngritë shkallën e sigurisë së vendit deri në atë nivel, saqë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të sigurt dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, ashtu siç i ka hije një shteti bashkëkohor demokratik.
Përmbushja dhe realizimi i këtyre objektivave të Forcave të Armatosura, paraqet plotësimin e një dëshire tjetër të popullit të Kosovës si dhe plotësimin e amanetit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të presidentit historik Ibrahim Rugova.
Qeveria e Kosovës do të punojë dhe angazhohet edhe në ndërtimin e shtetit ku do të sundon ligji, me prosperitet ekonomik, respektim të demokracisë, të drejtave, lirive të të gjithë qytetarëve të saj.
Pra, do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike të NATO-së dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.
Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit Legjendar, të të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Lavdi Familjes së madhe dhe të shenjtë Jashari.
Lavdi gjithë dëshmorëve dhe çlirimtarëve të kombit.