Akademi Përkujtimore në 15-vjetorin e vrasjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj/ Prishtinë, 17 janar 2017-Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e 15-vjetorit të vrasjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj, njëherësh komandant i Shtabit Rajonal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rugovë.Të pranishëm në këtë Akademi ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, deputetë, familjarë të deputetit Hajdaraj dhe përfaqësues të tjerë.Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, foli për kontributin e Smajl Hajdarajt gjatë luftës në Kosovë, por edhe për periudhën e çlirimit, deri në momentin e vrasjes.“Me tërë elanin dhe forcën që kishte, veproi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kursyer asgjë, deri në ditën e çlirimit të Kosovës, duke dhënë kontributin vetanak dhe duke marrë pjesë aktivisht në çlirimin përfundimtar të vendit tonë nga okupimi shekullor. Edhe pas çlirimit të vendit, Heroi i Popullit Smajl Hajdaraj, vazhdon me aktivitetin e tij politik, për të dhënë kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke qenë pjesëmarrës aktiv në ringjalljen e jetës partiake dhe politike në vendin tonë”, tha ministri Demolli.Valdet Hysenaj, përfaqësues ushtarak i Brigadës 136 “Rugova”, tha se Smajl Hajdaraj u vra për të vetmen arsye, se ishte luftëtar i lirisë, gurthemel i shtetit të Kosovës, shtegtar drejt bregut të diellit, drejt bregut të lirisë.“Smajli është sot me ne, do të jetë prore për jetë e mot. Edhe sot në sfond kërkon unitet, përbashkësi drejt qëllimeve kombëtare, na këshillon e udhëzon. Më mburrje e krenari, të freskëta i kemi kujtimet e një ushtaraku e strategu të denjë, me afinitet motivues gjithnjë në vijën kombëtare për gjuhë, flamur, kufij, për troje etnike”, tha Hysenaj.Duke kujtuar deputetin Smajl Hajdaraj, si një inxhinier karriere, mësimdhënës, politikan elitar, deputet në vijën e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, strateg e ushtarak për mbamendje, komandant lufte në shtabin rajonal të Rugovës, Hysenaj kërkoi që të ndriçohet vrasja e tij dhe e të gjithë të vrarëve politik pas lufte.Blerim Hajdaraj, djali i deputetit Hajdaraj, në emër të familjes falënderoj të pranishmit për pjesëmarrje dhe për organizimin e kësaj Akademie Përkujtimore. “Meqenëse vazhdimisht qe 15 vjet kemi kërkuar drejtësi dhe çdo herë janë thirrje të kota, fjala është sidomos për vrasjet politike, ato të cilat e patën fatin e njëjtë me prindin tonë. Kësaj radhe me zhgënjimin e plotë në drejtësi, nuk do të flas dhe nuk do të komentoj, por do të rri një minutë heshtje pa koment”, tha Hajdaraj.