Opozita do të vendosë të enjten nëse do të bojkotojë ose jo Parlamentin. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur sot në selinë blu aleatët e djathtë për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë opozita.
Pas takimit, kreu i PR-së Fatmir Mediu është shprehur për mediat se përpara nisjes së seancës plenare të Parlamentit do të merret edhe vendimi nëse opozita do të marrë pjesë ose jo në punimet plenare.
“Do të vendosim së bashku të enjten në mëngjes kush do të jetë veprimi. Nuk pranojmë që të jemi pjesë e një Parlamenti që nuk funksionin sipas ligjit” tha Mediu.
Ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se në fokus të bisedimeve ishte aksioni opozitar dhe vendimet antikushtetuese të mazhorancës.
“Ne jemi me qytetarët, me ata që janë në fund të fundit duke ndjerë ditë për ditë në kurrrizin e tyre, në xhepat e tyre hallet e panumërta që po u vërtit kjo qeveri me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe mungesën totale të ndjeshmërisë, pashpirtësinë e saj në vendimet korruptive dhe mosvendimet sa i përket ekonomisë së vendit, papunësisë dhe varfërisë. Po kordinojmë me aleatët tanë aksionin tonë opozitar sa i përket shkeljes së paprecedentë të Kushtetutës, ligjit, rregullores së Kuvendit. Pra sjelljet antiligj, anti kushtetues dhe në thelb anti europian të kësaj mazhorance e cila rekordit të saj të zi në opozitë si bllokuese e statusit po i vendos një rekord tjetër të zi tashmë si mazhorancë si faktotre dhe dirigjente e rrezikimit të aspiratës mbarë popullore të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këto janë çështjet të cilat po diskutojmë dhe në vijimësi do t`ju mbajmë të informuar” tha Basha.