Tiranë- Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar ashpër nga akuzave të ish-kryeministrit Berisha për një punonjës të Ambasadës, që sipas tij ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces. Përmes një komunikate për media, Ambasada thekson se është skandalizuar me këtë pretendim, që sipas saj është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të Ambasadës më herët sot nga Z. Sali Berisha, anëtar i parlamentit, gjatë një seance të parlamentit. Z. Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i Ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces, thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të Ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë” thuhet në deklaratë.
Në vijim të deklaratës, Ambasada e SHBA shton se këmbëngul për nivelin më të lartë të intengritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit të tyre. Ambasada e SHBA i bën thirrje Berishës të reflektojë për sjelljen e tij.
Berisha: Alba Kodheli presion Prokurorëve për Gjokën, do ju paraqes provat
Reflektimi i Berishës ka qenë i menjëhershëm.Përmes një deklarate për mediat Berisha i qëndron sërish deklaratës së tij të bërë në Kuvend. Duke shprehur konsideraten me te larte per Ambasaden e SHBA ne Tirane, Berisha deklaron se mbetet i vendosur t’i paraqes qeverise se SHBA çdo prove lidhur me problemin ne fjale.
“Lidhur me nje deklarate te ambasades amerikane per nje denoncim timin te sotem ne Parlament sqaroj dhe nje here opinionin publik sa vijon: Znj. Alba (Ibrahimi) Vata ka nderhyre me insistim qe te hapet çeshtje penale ndaj Gjeneral Syrja Gjokes dhe kjo nderhyrje, qe sipas saj eshte bere ne emer te OPDAT, eshte refuzuar nga prokuroret tek te cilet ajo ka nderhyre. Nuk kam asnje dijeni se misioni i OPDAT ka tager te nderhyje ne çeshtje penale te veçanta. Gjykata e apelit gjeti te paligjshem arrestimin e gjeneral Syrja Gjokes.Duke shprehur konsideraten me te larte per ambasaden e SHBA ne Tirane mbetem i vendosur t’i paraqes qeverise se SHBA çdo prove lidhur me problemin ne fjale”deklaron Berisha.
Ja çfarë deklaroi Berisha në seancën plenare
Gjatë seancës së Kuvendit ish-kryeministri Berisha akuzoi Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli se ka ushtruar presion përmes motrës së saj, punonjëse OBDAT-it, ndaj dy prokurorëve për të arrestuar më çdo kusht gjeneral Brigade Syrja Gjokën, Komandant i Brigadës Logjistike.
“ Ka nisur motrën e saj në emër të OBDAT-it, duke folur në emër të misionit, që aty është thjesht punonjëse, duke u bërë presionin më të jashtëzakonshëm Prokurorëve dhe jo një po dy prokurorëve,që o Syrja Gjoka në litar ose ju kështu do humbisni sepse kështu është vendosur. A merret një baba, një Gjeneral, një ushtarak , një njeri në detyrë, kafshërisht”tha ai.